Universiteti anglez Yale dëshiron të bëjë një eksperiment me disa studentë për të kuptuar se çfarë ndodh në tru kur na pëlqen një roman. Qëllimi është lindja e një disipline të re, e cila studion reagimet tona të ndryshme
Neuronet e aktivizuara nga Homeri
Përse na pëlqejnë romanet? Pse pasionohemi aq shumë pas personazheve që nuk ekzistojnë? Cilat procese mendore të fshehta aktivizohen kur lexojmë një libër? Deri më tani pyetjeve të tilla i përgjigjeshin vetëm kritikët letrarë, docentë të letërsisë dhe shkrimtarët. Tani po provon t’i përgjigjet edhe shkenca. Pas disa muajsh, një grup studentësh do t’i nënshtrohen një eksperimenti pa precedentë: atyre do t’u jepet që të lexojnë tekste të ndryshme, një artikull në gazetë, një roman të thjeshtë, një tjetër pak më të vështirë. Ndërkohë “kaviet” do të vëzhgohen nga një skaner për të matur qarkullimin e gjakut në qelizat e tyre cerebrale, ose më saktë për të dizajnuar një hartë të reagimeve të tyre neurologjike ndaj leximit. I organizuar nga Universiteti Yale, kjo iniciativë është pjesë e një studimi të ri të letërsisë, që është pagëzuar me emrin “neuro lit crit”, kritika letrare neurologjike, por ka edhe nga ata që e quajnë “shkenca e letërsisë”. Studimi është bërë fryt i një debati, i cili ka nisur në të dyja anët e Atlantikut, fillimisht në Shtetet e Bashkuara, pastaj në Britaninë e Madhe, për të vendosur nëse kritika letrare, pasi ka kaluar përmes skemave të marksizëm-leninizmit, të psikoanalizës dhe feminizmit, pasi kaloi strukturalizmin dhe poststrukturalizmin, është në gjendje të bëjë një hap përpara revolucionar, këtë herë me ndihmën e mjekësisë dhe teknologjisë.
“Ka qeliza specifike cerebrale që i përgjigjen leximit dhe në këtë mënyrë mund t’i studiojmë”, pohon profesor Richard Wise, neurolog i “Imperial College” në Londër dhe një nga promovuesit e programit, në të cilin kanë marrë pjesë si shkencëtarë ashtu edhe akademikë të formimit humanist. Por jo të gjithë janë dakord me këtë studim: “Mua më duket një marrëzi”, deklaron për “Observer”-in e Londrës, që para dy ditësh prezantuan eksperimentin me skaner, doktor Ian Patterson, docent letërsie në Universitetin e Kembrixhit. “Të lexosh një roman është një eksperiencë individuale, nuk mund të matet dhe të katalogohet si një eksperiment në epruvetë”. Por propozuesit e kësaj iniciative theksojnë se të zbulosh rregullat shkencore të pasionit shekullor njerëzor për historitë, tregimet, romanet, nuk mund t’i heqësh asgjë estetikës ose raportit të ngushtë personal që secili prej nesh ka me librat. “Të njohësh shkencën pas lëvizjeve të një komete, nuk e venit bukurinë e një qielli të mbushur plot yje”, komenton profesor Jonathan Gottschall i Universitetit Washington and Jefferson College në Pensilvani. “Është një nga zhvillimet më emocionuese në studimin e jetës intelektuale”, bashkërendon Blakey Vermeule, nga Universiteti i Stendfordit.
Por në çfarë kuptimi mund t’i analizojmë reagimet e trurit pasi lexojmë një vepër të Shekspirit, Prustit, ose Virxhinia Ulf? Një hipotezë që “neuro lit crit” ka si qëllim të verifikojë është se pasioni për tregimet ka një bazë në zhvillimin e njeriut: nëse njeriu e ka ndier gjithmonë dëshirën dhe nevojën për të dëgjuar dhe lexuar histori imagjinare, ndoshta do të thotë se kjo karakteristikë ishte e nevojshme, e parashikuar nga natyra, e vendosur në kodin tonë gjenetik të zhvillimit. Një tjetër aspekt i kësaj teorie është emërtimi, sepse te njeriu është zhvilluar shumë altruizmi, edhe pse gjenet tona egoiste kanë pasur një rol tepër të rëndësishëm në mbijetesën e llojit. “Për të na dhënë një nxitje që të bashkëpunojmë me të tjerët, ndoshta nëna natyrë na ka pajisur me një shqisë për të refuzuar padrejtësinë dhe një ndjesi kënaqësie, e cila aktivizohet kur një njeri që gabon e pëson”, thotë William Flesch, docent letërsie në Universitetin Brandeis. “Kjo është edhe arsyeja që na pëlqejnë romanet dhe tregimet, sepse braktisin ‘ndëshkuesit altruistë’, personazhe që përkrahin padrejtësitë, pa përfituar ndonjë për veten, nga Odiseja te Don Kishoti e Hamleti”, përfundon ai.
“Është e pamundur të shprehësh emocionet që të jep një libër”
Shkrimtarja Valeria Parrella: Kështu krijohet një formë kontrolli
“A nuk mjaftonte kritika letrare normale? Tani na duhej edhe neurologjike...”. Është e qartë që shkrimtarja nuk e mbështet eksperimentin e programuar nga Universiteti Yale. Autorja e librit “Hapësirë e bardhë” i ka thënë jo hartës së emocioneve të lexuesve.
Valeria, çfarë nuk ju bind?
Unë nuk i besoj trurit, por mendjes. Asnjë aparaturë, apo skaner nuk mund ta tregojë se çfarë do të ëndërroj sonte. Të them të drejtën ajo që nuk më bind farë është neuroshkenca. Ndoshta gaboj për këtë, por kështu mendoj.
Edhe pse ju nuk i mbështesni, këto lloj studimesh janë tepër të përhapura...
Ndryshueshmëria dhe lëvizshmëria të ngjallin frikë. Kjo është arsyeja për të planifikuar gjithçka, madje edhe emocionet që letërsia mund të shkaktojë. Është moria e një forme kontrolli. Këtu shkenca nuk ndryshon shumë nga feja.
Pra, me pak fjalë leximi nuk e ndryshon trurin?
Librat e zbukurojnë jetën. Letërsia është e bollshme, një vend ku mund të emigrosh dhe ta jetosh ndryshe jetën dhe asnjë shkencëtar nuk mund të krijojë një hartë të tillë.