In Memoriam / Një seri mendimesh nga shkrime publicistike, sociale dhe politike për kujtimin e Zef Malës (1915-1979).
I përkasin kohës së rinisë para se të ndodhte pendimi i komunistit dhe të niste pjesa më e gjatë e jetës në internime e burgime.
"Thonë se në Shqipni nuk ka opinion publik, thonë se gazetave s'u var kush torbën, thonë se kritikave s'i ven vesh asnjeri." Thonë shumë se kanë dëgjuar për Zef Malën - fjalët më lart janë të tijat - por ai i përket atij opozitarësh intelektualë shqiptarë të shekullit të kaluar që kujtohen ku e ku më pak nga diktatori.
Qysh kur u botua më 2002 "Vox Populi" i Zef Malës, nga vajzat e tij, Maria dhe Esmeralda, burime të tjera për njohjen e këtij njeriu kanë qenë sporadike. Kryetar i Grupit të Shkodrës, një nga drejtuesit e lëvizjes që çoi në krijimin e Partisë Komuniste dhe në ardhjen në fuqi të saj, kundërshtar i regjimit diktatorial me udhëheqës Enver Hoxhën.
Më 14 prill 2010 u bënë 95 vjet nga lindja e Zef Malës. Modeli njerëzor dhe intelektual që krijoi deri në gjallje të vet, më 26 dhjetor 1979 në burgun e Tiranës, tregon se asnjë utopi nuk mund të mbrohet pa idealizëm dhe nuk mund të rrëzohet pa vetëdijësimin mendor e shpirtëror të njeriut.
"...Në qoftë se në rininë time të parë, sentimentalizmi e fanatizmi djaloshar më patën shtyrë me përqafue idetë luftarake të lëvizjes komuniste ndërkombëtare si udhën e vetme për të përmbushur aspiratat e popujve për liri barazi, drejtësi sociale e progres të përgjithshëm, pjekuria e mendimit në një moshë ma ta shtyme me studimet e mia në ndërkohë më patën prirë tashma drejt një socializmi demokratik e liberal, humanist e kritik, si udhë e domosdoshme për të siguruar atë liri e drejtësi sociale pas të cilën asnjë shoqni njerëzore nuk mundet të ndërtohet e të përparojë."
Vetëdijësimi i Malës nuk erdhi pas përvojës, pasi vuajti e hoqi. Siç e bën të ditur në promemorien dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, më 1978, që nga Labova ku ndodhej i internuar me familjen, shkëputja e tij nga jeta politike e publike kishte ndodhur tashmë më 1941, qyshse kthehej nga internimi në ishullin "Ventotene".
Ishte dënuar nga regjimi fashist si organizator i demonstratave në nëntor 1939, të cilat ai i quan "vepra ime".Rasti i Malës ngjall admirim sepse vepra e tij ishte mendimi i tij. Vepra e tij nuk ishte luftë guerile, por mendim i shpallur rregullisht për dhjetë vjet me radhë, në shkrime, artikuj, broshura, analiza, përkthime.
Fejtonet nga revista "Arbnia" 1935-1937, në Tiranë ku punoi redaktor, analizat politologjike, idetë e një iluminizmi social-kristian, flasin vetë për një bazë teorike të angazhimit aktiv politik dhe filozofik të të riu Zef Mala në Shqipërinë e Monarkisë dhe gjatë pushtimit.
Në promemorien ku ai e quan komunizmin një sistem politik regresiv për njerëzimin, duket se ndodh dorëzimi i Zef Malës. Vërtet a mund të quhet dorëzim dëshira për të mos njohur më vendlindjen për atdhe?
"Në moshën 70-vjeçare dhe me shkopin e verbërisë në dorë, së bashku me shoqen e vuajtjeve të mia do të marr rrugët e mërgimit dhe të kërkoj një atdhe të dytë në ato vende ku revolucionet liberale e tradicionale kanë konsakrue tashma përfundimisht mundësinë e tagrit e çdo njeriut që të rrojë i lirë me mendimet e veta e me kredon e vet filozofike e morale, sociale e politike."
Për njeriun
Zemra, vetëm zemra, ban vepra të mëdha. Shpesh herë arsyeja ndalë guximin. E përkundra zemra kapërcen çdo pengim që mund të qesë mendja. Vetëm guxim pra lypet e këtë do ta kemi prej shpirtit... Po kërkuem Zotin e gjejmë në "Njerzinë" po kërkuem idealin e gjejmë në "Dashurinë".
1934
Për individin
Gjithmonë duhet të kemi parasysh me trajtue individualitetin e çdo njeriu, në mënyrë që ndiej nji përgjegjësi në vetvete përpara punës, lëvizjes e detyrës. Por nëqoftëse ne shkojmë tue ja hjekë këtë përgjegjësi, ai në vend që të përmirësohet, keqësohet. Vdes prej paragjykimeve golle e të pavend.
1934
Për rininë
Në rininë tonë shifet nji plogështi që të merr frymën. E kalon motin tue u endë rrugash ose tue ndejtë ndër vende dëfrimi kurse i duhet me u ndry mbrenda tue mendue se si kishte mund me i zgjidhë në mënyrë të dobishme çështjet që i përkasin jetës së përbashkët. Nuk kemi kohë me u tallë.
1934
Për shtypin
Nga ndrydhja e lirisë së shtypit ndër fletore, revistat i janë largue qëllimit të tyne thjesht kultural, tue u ba organe të maskueme politike e shoqënore në duert e grupeve që i mbanin. Mund të përsërisim këtu atë çka thamë edhe për fletore, se disa kanë vyejtë vetëm që t'i sigurojnë rrojtjen botuesit.
1935
Për politikën
Në Shqipni ka pasun kurdoherë grupe dhe parti politike në kundërshtim me programet, në qëllimet, në nevojat dhe në interesat. Edhe pse në të shumtën e herëve luftimi nuk ka qenë e mundum të bahet çiltaz, secili grup asht përpjekë nën dhe, me i ba vorrin tjetrit, e triumfue mbi të.
1935
Për administratën
"Kjo asht gjendja e administratës sonë të brendshme. Nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë e drejta u la mënjanë, akrobacia u ba ligjë e përgjithëshme... Një të tillë administratë kemi trashëgue nga të vjetërit. Ne duhet me krijue mentalitete të ra, ndërgjegjen e detyrës kundrejt kolektivitetit e kjo vepër do mundime, do sidomos kohë."
1935
De Sica te Marubi
Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi shfaq sonte, ora 19:00 filmin "Il Giardino dei Finzi Contini" të regjisorit italian Vittorio De Sica. Është realizim i viti 1970, zgjat 94 minuta. Filmi është në gjuhën italiane, me titra në anglisht.