Skuadra e vetme që u pa në fushë në këtë takim ishte ajo e Interit. Mungesa e Militos nuk u vërejt fare pasi që për golat u përkujdes Samuel Eto’o.
Kamerunasi arriti të shënojë brenda pak minutash dy gola. Pas shërbimit të Thiago Mottas, fantastik në këtë takim, Eto’o shënoi golin e parë në ndeshje (36’). Nuk vonoi shumë dhe pas asistimit të Goran Pandevit ishte përsëri Eto’o, i cili dyfishoi rezultatin me një gol të bukur (41’).
Fraksioni i dytë ishte formalitet. Skuadra e Interit ishte thjeshtë e pathyeshme dhe kishte mbetur vetëm dhe goli i tretë i Maiconit (61’) për të vulosur edhe zyrtarisht fatin e takimit.
Interi me këtë fitore forcon kreun, duke e parë veten katër pikë para Milanit që pësoi nga Parma dhe katër pikë para Romës që mposhti në udhëtim Bolognan.





