ZOGU PREJ DRURI

Tregim nga Naum PRIFTI ZOGU

Me këmbët në ujët e kënetës e me sqepin
e gjatë ngritur vertikalisht drejt qiellit, ai sikur
priste diçka. Shpendi dukej se kishte vetëm
këmbë e sqep e një dorë pupla në mes. Sikur
Stiliani ta kishte parë duke çepkatur farëza
nëpër lëndinat e zabelet, s’do t’i kishte lënë
mbresë, kurse atje në blacë zogu me sqepin
e hollë drejt qiellit, dukej se dëgjonte diçka
mahnitëse. Stilianit nuk i hiqej nga mendja figura
e tij. Këmbët e gjata e sqepi thuajse po aq
i gjatë, me një trumbë puplash në mes, i parafytyrohej
edhe kur mbyllte sytë. Nuk ia dinte
emrin zogut, ndërsa cicërimat e lehta si ca
mërmëritje që po ia besonte qiellit dhe bllacës,
ia dëgjonte. Ndofta zogu priste a ftonte zogëzën
duke cicëritur: “Jam këtu, jam këtu. Tani vij, vij,
vij, vij!” Pamja e zogut e ngacmoi Stilianin ta
gdhendte figurën e tij në dru. Tek e parafytyronte
të modeluar, i shkonte një e therur mes për
mes, sikur i fërgëllonte shpirti prej padurimit.
Zogu do të qëndronte me sytë e pulitur kudo që
ta vije dhe kushdo që ta shihte do të kishte
mbresën se po ia dëgjonte cicërimat që delnin
nga sqepi.
Ndërsa dielli derdhte mbi luginë afsh të
ngrohtë, dhentë kullosnin si përherë të qeta në
lëndinat me bar. Herë pas herë në qiellin e
kaltër fluturonin zogj të vegjël duke hapur e
mbledhur krahët. Qielli mbushej me cicërima
e Stiliani mendonte sa mirë do të kishte qenë
sikur ta dinte gjuhën e zogjve që të kuptonte
çfarë thoshin midis tyre. Vetëm te përrallat kishte
njerëz që e kuptonin gjuhën e zogjve dhe
Stiliani e besonte si të vërtetë. Nuk thonë kot
pleqtë, kanë ngjarë, prandaj tregohen.
U fut në zabel të kërkonte një dru bushi të
trashë sa llëra dhe për fat e gjeti shpejt. E preu
në rrëzë me sakicë, pastaj i shkurtoi majën
dhe copa e bushit thuajse dy pëllëmbë e gjatë,
akoma e pa xhveshur nga lëkura, tani ngjante
si kopërr për të shtypur hudhrat, po ai do ta
kthente në shëmbëlltyrën e zogut pa emër që
sodiste i mahnitur diellin dhe qiellin.
Çdo cefël që hiqte biçaku nga druri, i ngjallte
përbrenda gëzimin e paçanësuar se po
nxirte nga duart një zog po aq të bukur sa ai ii
vërteti dhe kënaqej tek e përfytyronte të përfunduar.
Do ta quante thjesht “Zogu i bllacës.”
Dhentë ecnin duke kullotur dhe ai po ashtu
ecte duke gdhendur copën e drurit. E ndërsa
gdhendte kërçelen, Stilianit i ngjante se ia dëgjonte
këngën zogut, me refrenin “tani vij, vij,
vij.” Mes cicërimave biçaku shkiste lehtësisht
mbi drurin e butë të bushit. Më së fundi e arriti
që donte, një zog me këmbë të gjata e me
nyje në mes, trupi sa një dorë fëmije me pendët
e krahëve të palosura njëra mbi tjetrën dhe
qafa e ngritur lart me sqepin si shigjetë. Tani
zogu i tij ishte si ai që pa në kënetë. E soditi i
gëzuar dhe duke e mbajtur zogun në dorë, e
vuri kopenë përpara dhe e nisi drejt fshatit, që
të arrinte t’i fuste dhëntë në shtrungë pa perënduar
dielli, përndryshe Sabriu, do të turfullonte
si kalë teknefes.
Rrugës hasi një udhëtar që la xhadenë dhe
mori monopatin e fshatit të tij. Sikurse e donte
mirësjellja, e përshëndeti i pari:
- Mirëmbrëma, o mik!
- Mirëmbrëma, - iu përgjegj udhëtari.
- Nga vjen zotrote?
- Nga qyteti.
- Ke ndonjë mik këtu, apo...
- Jo, jam inspektor arsimi.
- A, paske punë me shkollën... Shkolla të
bën njeri, po ç’e do që s’e patëm atë fat.
Sapo inspektorit i ranë sytë mbi zogun e
gdhendur, e pyeti:
- Ku e gjete këtë zog?
- E bëra vetë, -iu përgjegj Stiliani. – Kaloj
kohën duke gdhendur lugë druri, koka
kërrabash, qepshe...
- E bukur, - tha tjetri pasi e vërejti hollësisht,
se vërtet e befasoi forma elegante e zogut.
- Të pëlqen? – e pyeti bariu.
- Shumë, -pohoi inspektori.
- Merre! – ia ofroi bariu.
-Po ndoshta ta ka porositur dikush... – deshi
të davariste dyshimet inspektori.
- Jo, jo, - e siguroi ai. – Kush porosit gjëra të
tilla? – u habit Stiliani.
Inspektor Misto Kavaku u mendua pak.
Zogu i pëlqente, por kishte të ngjarë vqë çobani
t’i kërkonte një çmim të lartë dhe ai nuk ishte i
prirë për shpenzime luksi. Sikur të kishte kuptuar
dyshimet e tij, bariu i tha se ia falte.
- Kam dhe një lugë druri, - tha çobani duke
nxierrë nga torba qepshen e lëmuar me prarime
bojë lajthie.
- Këtë do ta ble, - i tha inspektori, duke
menduar se e shoqja do t’i gëzohej dhuratës.
* * *
E shoqja e Mistos, Pavlina, iu gëzua qepshes,
ndërsa skulpturën prej druri s’e përfilli
aspak. Si vajzë fshati, edhe pse jetonte në qytet
prej vitesh, ajo çmonte vetëm sendet që i hynin
në punë, ndërsa objektet artistike i shihte
si rrangulla të kota.
- Po këtë ç’e deshe? – e pyeti të shoqin qortueshëm,
sapo ai nxori nga çanta zogun prej druri.
- Thashë mos e doje ta vije te komoja për
bukuri, - ironizoi i shoqi.
- Unë s’e shoh dot me sy, ti më thua ta mbaj
atje si ikonë...
– Po nuk e deshe, e shpie në zyrë.
- Shpjere ku të duash, veç ma hiq nga shtëpia,
- erdhi përgjegja e saj.
Të nesërmen Mistoja e mori skulpturën prej
druri në zyrë dhe e vuri mbi tryezën e punës.
Doemos ishte një objekt i rrallë që tërhiqte vërejtjen
e e secilit vizitor a në punës që hynte në zyrë.
- Ku re në këtë kryevepër? – e pyeti Jeton
Shtuni, drejtori i Arsimit, sapo hyri në zyrë. Shkoi
pranë tryezës, e mori zogun në dorë dhe
po e sodiste hollësisht.
- Ma falën, - ia ktheu Mistoja.
- Mos fol gjepura, nuk të fal njeri sende të
tilla...
- Për nder ma falën në Arrëz.
- Thuaj, sa e ke blerë?
- Unë të harxhoj për të tilla gjëra? – protestoi
Mistoja.
- Atëherë e ke peshqesh nga ndonjë mik,
që ta ka nevojën... – e ngacmoi Jetoni
-As nuk e njoh fare, - u mbrojt Mistoja duke
e befasuar shefin akoma më shumë. – U
takuam rastësisht në rrugë. “Të pëlqen?” më
pyeti. “Po,” i thashë. “Mbaje!” më tha. As emrin
nuk ia mësova. Qe çoban dhënsh, më duket...
Misto Kavaku u kutua se nuk ia dinte autorit as
emrin e mbiemrin, veç profesionit çoban dhensh. .
- Ky u bë imi, - deklaroi shefi duke përdorur
formulën e njohur të përvetësimeve shoqërore.
- Merre! – ia ofroi zemërgjerësisht Misto
Kavaku. – Unë e solla për zyrën. – Madje ndihej
i gëzuar që iu dha rasti t’ia falte shefit diçka
që i pëlqente. E dinte se Jetoni mblidhte objekte
etnografike, çorapë me lule, qendisje me
grep, mblatësa, kupa druri, etj. Disa thoshin se
e shtynte pasioni për artin popullor, disa të tjerë
pëshpëritnin se synonte të nxirrte fitime të majme
prej tyre. i donte për tregëti.
I mrekulluar nga punimi, Jeton Shtuni e vuri
mbi tryezën e vet që t’ua dëftente shokëve të
vet, sidomos atyre që dinin t’i çmonin vlerat e
artit popullor. I joshur nga punimi artistik i veprës
“Zogu me këmbë të gjata,” -titullin vepra
e mori vetvetiu- ai mendoi të shkonte në Arrëz
e të takonte autorin. Shpresonte se artisti popullor
do të kishte në inventarin e vet edhe vepra
të tjera dhe ai s’donte t’i linte t’i shpëtonin
nga duart mrekulli të artit popullor. Ai u nis me
veturë drejt fshatit Arrëz mes pyllit me pisha e
bredha. Kërkoi mësuesin e shkollës fillore dhe
e pyeti nëse njihte ndonjë gdhëndës figurinash
prej druri. Mësuesi u mendua. Me frikë në
zemër Jetoni priti përgjigjen e tij.
- Më duket se Stilian Ademi, gdhend kupa
gjize, lugë me bilbil, vazo, koka kërrabash...
Kështu më kanë thënë, - bëri një parapritë mësuesi,
- por unë vetë s’i kam parë.
-A thua të ruajë në shtëpi sende të gdhendura?
– e pyeti shefi.
-Nuk e di. Ai s’ka shtëpi fare, as familje, - u
kujtua mësuesi. - Fle në plevicën e Sabri Tulanit.
- Kush është ky?
- Kryetari i komunës pra, ai që e ka pajtuar
çoban.
Shefi kërkoi ta takonte çobanin sapo të
kthehej nga kullota në darkë, ndërsa mësuesi
qe i mendimit të takonin Sabriun më parë,
ndryshe atij do t’i ngelej hatëri.
* * *
Sabri Tulani nuk e pyeti mikun nga qyteti
përse qe munduar, se te shtëpia e tij vinin vazhdimisht
blerës leshi, gjalpi, lëkurësh ose mish
në këmbë. Mysafiri mbase donte katër a pesë
shelegë për dasmë a ndonjë festë familjare.
Pas përshëndetjes të zakonshme, miku nga
qyteti filloi të interesohej për punët e çobanit
që ruante dhentë e tij.
-Ç’punë? – pyeti me dyshim Sabriu, duke
menduar mos merrej me kontrabandë.
- E ka fjalën për lugët, kokat e kërrabave
që gdhend ai, - e sqaroi mësuesi.
- Ooo! Çeplendiset me brisk në dorë e vret
kohën duke gdhendur druçka, - e zhvleftësoi
Sabriu. – Kalamajve , u ka lezet të gdhendin
bilbila druri, e asi sendesh, jo burrave! Rri
gjithë ditën burri duke gdhendur një kokë kërrabe.
Pse stoli për ta varur në gushë është kërraba?
Si e gdhendur, si e pagdhendur një punë
bën. Apo e kam gabim?
- Jo, e ke mirë, - e përkrahu mësuesi.
-Në krye xheku vinte m’i tregonte, - vazhdoi
Sabriu, - më lutej t’ia shihja si e kishte stolisur
dashin te koka e kërrabës, më tregonte
turinjtë, buzët, brirët e tij të kthyer. Dashin e
dua të gjallë, ia ktheja unë, që ta shes në pazar,
që ta pjek në furrë, ndërsa ky i kërrabës
tënde s’më hyn në qese. Mirë i thosha? – pyeti
Sabriu.
-Bukuri, - e miratoi mësuesi.
- Xhingla-minglat s’i hyjnë askujt në sy, -
shpërtheu Sabriu.
- Më falni, - ndërhyri Jetoni, - por edhe ato
kanë vlerën e tyre....
- Vlerë? – u habit Sabriu. Ai s’mund ta besonte
se nga duart e çobanit të tij delnin gjëra
me vlerë. – Te fundçat e shqopave të Tilit
mbeti vlera? – pyeti mospërfillës.
- Një tavan i gdhendur e kënaq syrin, ndërsa
atij me tavanishte s’ia hedh sytë kush, -
vërejti mysafiri.
Kundërshtimi i matur dhe argumentet e tij, e
shtynë Sabriun të mos acarohej me blerësin e ri.
- Jo, unë s’e ndaloj, - deklaroi Sabriu, - ama
i mjeri ai po më humbi ndonjë sheleg. Qumshtin
e nënës kam për t’i nxjerrë.
-Kur mund ta takojmë? – e pyeti Jeton Shtuni.
Gëzimi avulloi nga fytyra e Sabri Tulanit.
Pra ai kishte ardhur të takonte argatin e tij. Doli
më i rëndë bishti se sqepari..
- Sonte s’besoj se vjen, - shtoi kryetari, - e
kam dërguar në stan të qethë dhentë.
-Po nesër? – pyeti i ardhuri nga qyteti.
-As nesër. Do të rrijë atje tre katër ditë, - i gënjeu.
Miku i largët u ngrit në këmbë e pas tij edhe
mësuesi.
-Nuk më premton koha ta pres, - tha me
hidhërim Jetoni.
I zoti i shtëpisë i përcolli deri te gardhi dhe
kur mbylli me zimbicë tokatin, uroi me mend
të mos i shkelnin më në shtëpi miq të tillë.
* * *
Ndërkohë as Jeton Shtuni nuk e gëzoi gjatë
skulpturën. “Zogu prej druri” dukej prirej të shkonte
drejt sferave të larta dhe vrullin s’mund
t’ia ndalte askush.. Sapo drejtori i Artit i i Ministrisë
së Kulturës, Klement Tufa, e pa te tryeza e
shefit, u sevdallis pas tij.
-Kryevepër, - tha duke e soditur me ëndje. -
Kush e skaliti kaq hijshëm? Ç’elegancë! Sodit
përhedhjen që ka qafa tok me sqepin! Duket
sikur pas pak do të ngrihet si shigjetë drejt qielli.
Kush qenka ky artist?
- Një çoban dhensh nga Arrëza, - i tha shefi.
- Besoj se nuk e ke vështirë të gjesh një
tjetër si kjo, - i tha duke ia rrëmbyer pa ceremoni.
- Do t’ia tregoj ministrit, - deklaroi për të
larguar çdo kundërshtim të mundshëm e
ndërkohë i lëmonte sqepin zogut si ta përkëdhelte.
– Besoj se edhe ai do ta pëlqejë. - Doli
nga zyra pa e lëshuar zogun nga dora.
* * *
As Klement Tufa nuk mundi ta mbante gjatë
te dollapi me xham prapa tryezës së tij. Sapo
veprën artistike e diktoi zëvendës ministri, u
interesua të dinte si i kishte rënë në dorë dhe
ku mund të prokuroronte një kopje tjetër si ajo.
Klementi i tregoi se e kishte gjetur në rrethin e
Korçës, te zyra e shefit të arsimit. Pas një jave
zevendës ministri Perlat Maska u nis me shërbim
në Korçë “për disa pune administrative” të
sektorit. Në çantë futi edhe “zogun me këmbë
të gjata,” që porosia të ishte e saktë dhe vartësit
të mos e hanin sapunin për djathë. Pasi mbaroi
kontrollin e sipërfaqshëm në prefekturë e pasi
la detyrat për të ardhmen, e pyeti prefektin nëse
asaj ane kishte njerëz që gdhendnin në dru
ashtu si qëmoti.
- Këtej të gjithë gdhendin, - iu përgjegj
prefekti pa u menduar.
- E kam fjalën për punime artistike, - e
sqaroi zëvëja.
Prefektin e ngatërroi fjala “artistike” dhe nuk po
e kuptonte përse interesohej zyrtari i ministrisë.
- Lugë prej druri, figurina, kafshë, gjela prë
shishet e rakisë, koka kërrabash... – vazhdoi
sqarimin Perlat Maska.
Nënprefekti u shtensionua menjëherë.
- Shiten në pazar me okë, - i informoi, - prit
deri ditën e shtunë dhe i shohim bashkë po
deshe. Do t’i gjesh si t’i duash e sa të duash....
- Pranojnë porosi?
Pyetja i erdhi e papritur, por si nëpunës i
shkathët, nuk e humbi toruan.
- Pse jo? – iu përgjegj nënprefekti. – Edhe
me porosi...
- Dua një zog të tillë, - shfaqi dëshirën ai,
duke nxierrë nga çanta zogun prej druri. – Dua
t’i kem çift.
Vepra kaloi dorë më dorë te nëpunësit e
prefekturës. Për hatër të mikut u hoqën sikur e
pëlqyen. “Po. Po shumë e bukur!” “Punim i hollë..”
“Shihe si e ka sqepin, si fëndyell.” Veç pa përjashtim
vrisnin mendjen përse duhej? Kërraba e
luga e kurrizit e kryejnë nga një funksion, ndërsa
zogu, zog sot, zog mot. As cicëron, as ecën...
- Të pyesim, - tha prefekti, - se të tilla s’kemi
parë në pazar. Atje shesin qepshe, lugë druri,
sende që hyjnë në punë.
Pastaj dikush u kujtua se një zog të tillë e
kishte parë në zyrën e shefit të arsimit dhe me
ndihmën e tij zbuluan adresën e Stilian Ademit
dhe të pronarit ku ishte pajtuar. Meqë vetura
nuk shkonte deri në Arrëz, për shkak të
shëmbjeve dhe shkarjeve të dheut, i dërguan
lajm Sabri Tulanit të zbriste në qytet. Më mirë
se ai, askush s’e mbaronte atë porosi. Mjaft t’i
jepte urdhër çobanit të tij.
Sabriu i lajmëroi të afërmit se e kërkonte
një zyrtar nga Tirana, sigurisht për ndonjë punë
të rëndësishme dhe do të zbriste në qytet.
“Njerëzit e sërës sime i thërresin,” mendonte duke
kalëruar krenar me frerët ndër duar, veshur me
rrobat më të mira. Portofolin e mbushi me kartmonedha
që t’u shtronte drekë në ndonjë lokal,
nëse nuk do t’i lejonte koha të vinin deri në fshat, te
shtëpia e tij. “Jam i modës së vjetër,” thoshte Sabriu,
“më pëlqen më shumë kali se vetura. Pse, do
pyesësh ti. Se kali të shpije të shpije atje ku do ti,
ndërsa vetura atje ku do ajo.”
* * *
Prefekti i prezantoi zyrtarin e shquar e ndërsa
Sabriu e përshëndeti, ai nxori nga çanta
zogun prej druri dhe pasi e çpështolli, nisi të
fliste për stilin e modelimin sa tradicional, aq
dhe modern. Sytë e Sabriut shkonin sa te zogu
te fytyra e butë e zyrtarit nga Tirana. Shtrëngonte
nofullat nga inati, që ai zyrtar me peshë,
interesohej për një palo çoban që gdhendte
ca druçka, në vend të nderonte kryetarin e komunes.
A durohej kjo shpërfillje? Mundohej ta
fshihte inatin me buzëqeshje tinzare.
-Ma jep atë druçkën mua, - e luti Sabriu
zyrtarin.
Ai u step dhe vërejti se zogu nuk i duhej.
- Ta ketë përpara si yrrnek, a model, si i
thonë sot, se ai është paksa i lajthitur dhe ç’bën
sot e harron nesër...
Pa e besuar krejtësisht, drejtori e mbështolli
me letër me kujdes dhe ia dorëzoi. Atij iu
duk se zogu u drodh sapo e mori Sabriu.
- Mos ki merak! – e qetësoi ai. – Për një
javë, e shumta, ia shpije në zyrë zotit prefekt.
* * *
Në mbrëmje Sabri Tulani, me xhaketën
hedhur krahëve e me dorën fshehur pas kurrizit,
i doli përpara kopesë. I bëri shenjë me
kokë Stilianit t’i vinte pranë e ndërkohë vuri re
një sheleg që çalonte.
Pse çalon shelegu? – e pyeti vrazhdë.
- Vikoja? – Stiliani u kishte vënë emra
dhënve e shelegëve të kopesë. – Ka dy ditë e
gjora që çalon... iu ça thundra.
Thundra? Po pse?
- Ku ta dish? Bagëti është, s’ka gojë të flasë.
Ka shkelur në ndonjë çakull të mprehtë, a...
Po ti ç’bën? Pse nuk i mban hapur sytë?
Mal i thonë, o zot. Ka vende të buta, ka edhe grill.
- Ti e ke mendjen të gdhendësh nga këto, -
tha duke nxierrë që prapa kurrizit zogun e
mbështjellë me letër. E grisi nga që s’i durohej
ta hapte sa më shpejt dhe ia futi në surrat. – Ti
e ke sajuar këtë? Jotja është kjo?
- Unë... – Stiliani po habitej si i kishte rënë në
dorë pronarit, zogu të cilin ia kishte falur një udhëtari.
- Qen e bir qeni! Tërë ditën gdhend ca syfete
e ca hiçmosgjëra, e më le bagëtinë azat.
Nuk të mbaj për këto unë, e more vesh? Nuk
ta jap çapin e bukës për marrëzi të tilla. – Ai e
vendosi zogun mbi gju dhe i mëshoi me të dy
duart. Qafa e hollë e zogut krisi dhe Stilianit iu
duk sikur dëgjoi një cicërimë dhimbje që iu
mek në grykë. Të dy copat ia hodhi mbi kokë
Stilianit dhe ndërsa ai ngriti duart të mbrohej,
copat e zogut dergjeshin përtokë.
- Ç’ke aty në torbë? – e mbërtheu me sy Sabiti.
- Hiç ... – tha çobani i habitur, se torbën s’ia
kishte kontrolluar kurrë. Mos dyshonte se i
vidhte ndonjë dorë lesh, a ndonjë kupac hurle?
- Derdhi këtu! – e urdhëroi.
Pranë këmbëve të Stilianit ranë sendet e torbës,
një kokë kërrabe me figurën e nuselalës,
një fyell i zbukuruar me lale-lule, një dorëze thike
dhe disa copëra shqope e bushi. Sabriu i shkeli
me këpucë me inat, deri sa i bëri bërllok.
- Të pashë dhe njëherë duke gdhendur, këtu
tek unë s’ke më vend. Hajt, çporru tashti!
Duke zvarritur këmbët ngadalë, i tronditur nga
tërbimi i pronarit, Stiliani u çapit drejt plevicës. Shtyri
dedrën dhe u shukos në errësirën e saj.