Ezra Pound, Wallace Stevens, John Ashbery, Robert Hass dhe Thomas Eliot, pesë poetë amerikanë përfaqësues të shekullit XX vijnë të përmbledhur në një kolanë botimesh të përfshirë në serinë “Poetë të mëdhenj amerikanë” nga shtëpia botuese “Aleph”
Pesë poetë
Ezra Pound, Wallace Stevens, John Ashbery, Robert Hass dhe Thomas Eliot, pesë poetë amerikanë përfaqësues të shekullit XX vijnë të përmbledhur në një kolanë botimesh të përfshirë në serinë “Poetë të mëdhenj amerikanë” nga shtëpia botuese “Aleph”. “Puthja e bregut tej” vëllim që mban emrin e John Ashbery-t, “Poezi dhe kanto të zgjedhura” të Ezra Pound, “Toka e shkretë dhe katër kuartete” i T.S Eliot, “E ardhme ngjyrë jargavani” i Robert Hass dhe “Njeriu i borës” i Wallace Stevens vijnë nën përkthimin e Gentian Çoçolit, Parid Teferiçit, Rudi Erebarës, Edion Petritit, dhe Iris Klosit. Bëhet fjalë për një përmbledhje e cila përfshin këta poetë amerikanë, por që nuk do të mbesë vetëm këtu. Projekti i nisur nga Gentian Çoçoli dhe që ka gjetur mbështetje nga Ambasada Amerikane në Tiranë, pritet të vijojë më tej. Poeti, njëkohësisht edhe botuesi i “Aleph” shprehet se me botimin e këtyre pesë vëllimeve ai ka realizuar një ëndërr. Sipas tij, këta poetë amerikanë janë përfaqësuesit e poezisë më të mirë të shkruar gjatë shekullit XX. Ata janë të gjithë poetë që përjetuan tmerrin e dy luftërave botërore dhe që të gjithë emocionin dhe ndjesitë e tyre i përfshinë dhe i derdhën në vargje. Por ka edhe një arsye tjetër që e bën të rëndësishëm për Çoçolin botimin e kësaj vepre të plotë. Ajo vjen si një plotësim në mungesën e teksteve dhe njohurive jo vetëm për studentët shqiptarë, pasi janë vëllime të përfshira në programin për studentët, por edhe për të gjithë ata poetë të rinj, të cilët dëshirojnë të mësojnë më shumë mbi kulturën e poezisë. “Unë kam dashur të sjell pesë autorë amerikanë që t’u jepet një dorë poetëve të rinj shqiptarë, atyre që janë në hapat e parë, që pasi t’i kenë lexuar të mësojnë dhe të jenë këta autorë dhe poezia e tyre një shtysë për të vazhduar përpara”, thotë Gentian Çoçoli.
Sipas tij, poezia është një gjini të cilës i duhet kushtuar më shumë vëmendje. Ajo duhet të ketë një vëmendje të veçantë jo vetëm nga instancat përkatëse, por edhe nga vetë shtëpitë botuese. “Edhe pse bëhet fjalë për një gjini e cila ka shumë më pak lexues në treg, sërish asaj i duhet dhënë vendi që meriton edhe pse me rrezikun e të mos fituarit konsiderueshëm siç mund të ndodhë me një roman”, duke kujtuar edhe shprehjen e poetit amerikan, Tomas Eliot, sipas të cilit “poezia është arti i qytetarisë së një populli. Ajo ruan emocionet e tij”. Për Çoçolin, poezia te ne ende shihet me një lloj nënvlerësimi pavarësisht se roli i saj është i jashtëzakonshëm. Seria e këtyre botimeve kushton 15 mijë lekë. Pritet që ajo të promovohet pas rreth dy javësh në Sallën Amerikane të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë mes të ftuarish dhe mbështetësish të kulturës, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan, John Withers.





