Një libër për Bajronin e pazbuluar

AFRIM KARAGJOZI *

Libri "Shtegtari i Lirisë" është një antologji diturie, një përmbledhje kulture, një shprehje e dukshme jo vetëm e dashurisë së autorit për Lord Bajronin, por edhe e mirësisë që ky studiues erudit ka brenda vetes, shprehur këndshëm në hapësirat e librit

Pak ditë më parë më dhanë librin e shumëpritur "Lord Byron, Shtegtari i Lirisë" nga miku im, Dhionis Qirzidhi. Disa arsye më bënë të ndihesha i gëzuar: - Pas shumë vitesh që nga botimi i librit të parë voluminoz "Xhorxh Bajroni" ( 1987) dhe pas dy librave të tjerë për Bajronin (1997 dhe 2002 ), botohet ky libër i veçantë. Ndihem i kënaqur që mikut tim, Dhionis, iu përmbush dëshira që ta botonte këtë libër me rastin e 200-vjetorit të vizitës së Bajronit në Shqipëri. Ai i ka kushtuar pasionin dhe dashurinë, kohën dhe përpjekjet e tejzgjatura, në kushte të vështira. Ndihem i nderuar që autori, ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, u kujtua të ma dërgonte një kopje. Dëshiroj që në fillim ta përgëzoj përzemërsisht dhe ta falënderoj me mirënjohjen time më të sinqertë. Sigurisht, urimi im është shërim të shpejtë. Më vjen keq që u njoha me të veç pak muaj më parë, me rastin e organizimit të Simpoziumit Ndërkombëtar për Bajronin (15 shtator 2009), organizuar me rastin e 200-vjetorit të vizitës së tij në Shqipëri. Siç më tha, askush nuk ia pat përmendur emrin tim. Për fatin e keq të tij dhe timin, i nderuari bajronist, Dhionis Qirzidhi, nuk mori dot pjesë në atë simpozium, me një kumtesë, që me siguri do të kishte qenë ndër më interesantet.

***

Libri " Shtegtari i Lirisë" është një antologji diturie, një përmbledhje kulture, një shprehje e dukshme jo vetëm e dashurisë së autorit për Lord Bajronin, por edhe e mirësisë që ky studiues erudit ka brenda vetes, shprehur këndshëm në hapësirat e librit, mbushur me bukuri të qëmtuara me aq kujdes, dashuri dhe shije. Është shprehje me stil romantik e një frymëzimi romantik, shprehje e kulturuar dashurie jo vetëm për poetin, por edhe për popujt. Ky studim me strukturë letrare ndryshe nga librat që kam lexuar për Bajronin, është plot njohuri letrare dhe historike, ngjeshur me dokumente e me letra, me vargje e fragmente në prozë, e sigurisht edhe me poezi dhe citate domethënëse. Të gjitha së bashku, shprehur e shoqëruar me mendimet dhe komentet e autorit, gjithmonë janë bukuri nga shpirti poetik dhe fisnik i Dhionis Qirzidhit. Kjo ndërthurje e mrekullueshme e bukurive bajroniane me ato të studiuesit pasionant, e bëjnë librin të këndshëm dhe tërheqës. Autori gjurmon Bajronin në veprën, në jetën dhe veprimtarinë e tij ngado, pa u marrë me çikërrima të pavlera, apo me hollësi të pështira. Merita e Dhionis Qirzidhit është që e paraqet Bajronin qytetar mbarë europian, me vlerat e tij të plota e të pamohueshme. Është merita e tij që merret me madhështinë e Bajronit kudo që ajo shfaqet, madje edhe në jetën e tij të përditshme. Dhe studiuesi ngulmues, Dhionis Qirzidhi u mor aq gjatë dhe me aq dashuri saqë kjo u bë shtysa për ta shkruar këtë libër të këndshëm e me vlera. Duhet të jetë në çdo familje shqiptare. Gjatë leximit e ndien se autori nuk bën një renditje të hollësishme kronologjike, por ka gjetur një mënyrë krejt origjinale në ndarjen kohore të ngjarjeve. Nuk bën as ndarje klasike tematike të trajtesës së vet që shpreh një hulumtim të thellë të temës bajroniane. Por veçoria më e pëlqyeshme është ndërthurja që ai i bën tematikës me historinë, historisë me ndërhyrje kulturore apo poetike. Është një pleksje e mençur që e bën leximin jo vetëm të lehtë e të këndshëm, por edhe tërheqës, edhe për ata që e njohin mirë Bajronin. Aty gjen fakte historike, pas tyre letra, citate, poezi, ese e deri në kuriozitete letrare dhe historike jo vetëm nga Bajroni dhe për të, por edhe nga shokët e miq, apo nga autorë të tjerë jo bashkëkohës. Vetë udhëpërshkrimi "copëzohet" me aq shumë shënime dhe shpjegime, me vargje e kujtime sa nuk lodhet së udhëtuari bashkë me poetin, bashkë me autorin, Dhionis Qirzidhin. Ky libër është model i vyer për studiuesit, një thesar i çmuar për studentët dhe nxënësit.

Kjo trajtesë i risjell lexuesit shqiptar, në një tjetër mënyrë tërheqëse, vlerësimet e Bajronit për shqiptarët, si edhe të dhëna historike për Ali Pashë Tepelenën, për suliotët dhe arvanitasit.

Hulumtimet e shumta në këtë fushë, janë meritë e madhe dhe një kontribut i çmuar. Kjo duket qartë nga dokumentet që përmban dhe nga bibliografia e pasur. Leximet e studiuesit "të pangopur" me dituri, shtrihen në hapësirat e bibliotekave dhe arkivave, në fushat e letërsisë dhe historisë. Me saktësinë e dokumenteve të shumta zbuluar prej tij, u bën nder të vërtetave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky libër është një shënjues i natyrshëm i marrëdhënieve dhe lidhjeve historike të Shqipërisë me Greqinë.

*Kryetar i Shoqatës shqiptare për Bajronin