Ushqimet, mitet e rreme që duhen rrëzuar

Shpesh, në dietën tonë të përditshme ushqimore, zgjedhja bëhet më tepër në bazë të legjendave urbane, të bindjeve të ngelura në kohë dhe jo nga logjika apo faktet shkencore. Kështu, duke ecur në këto gjurmë e gjejmë veten në konsumimin e ushqimeve aspak korrekte për të na mbajtur në formë, madje ndonjëherë edhe shumë të rrezikshme

Shpesh, në dietën tonë të përditshme ushqimore, zgjedhja bëhet më tepër në bazë të legjendave urbane apo të bindjeve të ngelura në kohë dhe jo nga logjika apo faktet shkencore. Kështu, duke ecur në këto gjurmë, e gjejmë veten në ndjekjen e dietave ushqimore aspak korrekte për të na mbajtur në formë, madje ndonjëherë edhe shumë të rrezikshme. Por çfarë duhet të bëjmë? Le ta nisim me qartësimin e ideve. Më pas, nëse është e nevojshme, duhet të dëgjojmë edhe këshillat e mjekëve specialistë. Megjithatë, si gjithmonë, e rëndësishme është që të shmangësh faktet që i japin të drejtë fjalëve të dala nga një ekspert i rastit. Ja se çfarë rekomandon një profesor gjerman, specialist në shkencat e aplikuara dietetike. Ka shumë mite dhe legjenda mbi ushqimet që konsumojmë dhe dietat, megjithatë po ilustroj vetëm disa prej tyre.

1. Sheqeri i kuq është më dietik se sa sheqeri i bardhë

Nga pikëpamja kimike dhe ushqyese janë krejtësisht e njëjta: sakaroz. Kështu që përmbajnë të njëjtat kalori. I vetmi ndryshim është se i pari përftohet nga kallami i sheqerit, ndërsa i dyti nga panxhari dhe duke qenë më i rafinuar, merr edhe ngjyrën e bardhë të ndritshme.

2. Njollat e bardha te thonjtë tregojnë mungesë kalciumi

Thonjtë nuk janë të përbërë nga kalciumi, por nga keratina. Njollat e bardha krijohen si pasojë e defekteve në përzierjen mes shtresave të keratinës.

3. Ananasi djeg dhjamin në trup

Është një legjendë urbane, që me siguri ka lindur nga fakti se ananasi përmban bromelinë, një molekulë që ka një veprim antiedematoz. Mes të tjerash, bromelina nuk gjendet te fryti, por te kërcelli i bimës.

4. Sauna dhe masazhet na ndihmojnë të dobësohemi

Të dyja këto trajtime heqin vetëm likuidet që mund të zëvendësohen lehtësisht. Kështu që të ndihmojnë të humbësh peshë përkohësisht, por nuk të dobësojnë, sepse të dobësohesh do të thotë të eliminosh dhjamin nga trupi.

5. Frutat duhen konsumuar larg vakteve, sepse fermentohen në stomak

Para së gjithash, në stomak nuk ndodhin fermentime. Edhe nëse ato ndodhin kjo zhvillohet në zorrë. Frutat, të paktën dy-tre kokrra në ditë, mund të konsumohen si në fund të vakteve, kur i shprehin më mirë funksionet e tyre, ashtu edhe mes vakteve kryesore për të larguar urinë. Nëse në fund të vaktit e ndiejmë veten shumë të rënduar, kjo ndodh ngaqë ka qenë një vakt i bollshëm dhe nuk kemi lënë vend për frutat.

6. Më mirë patatina apo biskota në vend të bukës

Këto produkte janë më kalorike se buka për të njëjtën sasi, për më tepër që përmbajnë edhe yndyra të shtuara dhe një sasi më të vogël uji. Kështu nëse duam t’i përdorim për të zëvendësuar bukën, nuk është kjo mënyra e duhur.

7. Intolerancat ushqimore të shëndoshin

Nuk ka asnjë lidhje mes intolerancave ushqimore dhe mbipeshës. Intolerancat ushqimore të provuara klinikisht janë të pakta. Megjithatë shumë njerëz në mbipeshë të këshilluar nga profesionistë, farmaci apo laboratorë, iu nënshtrohen një prej shumë analizave të kushtueshme dhe aspak të vlefshme për intolerancat ushqimore. Kjo edhe sepse i konsiderojnë si praktika magjike që do t’i bëjnë të dobësohen menjëherë. Në pjesën më të madhe të rasteve raportohet një intolerancë ndaj drithërave, brumërave dhe produkteve të qumështit. Duke eliminuar bukën, brumërat, ëmbëlsirat dhe djathërat, njerëzit dobësohen rrjedhimisht, por sigurisht sepse kanë reduktuar në mënyrë drastike kaloritë dhe jo sepse kanë eliminuar shkaqet e intolerancave ushqimore.

8. Uji i pasur me kalcium shkakton gurët në veshka

Përkundrazi, kalciumi mund të parandalojë gurët e formuar nga kripërat e kalciumit, sepse duke u lidhur me acidin osalik në zorrë parandalon absorbimin. Në fakt, nëse kripërat e kalciumit formohen në zorrë, nuk ka asnjë problem, problem është kur krijohen në veshka. Në rast të predispozitës individuale duhet patjetër që së pari të kufizohen ushqimet si spinaqi apo fruta të thata, së dyti të shmanget marrja e pakontrolluar e tabletave që përmbajnë vitaminë C dhe së treti të pihet deri në tre litra ujë në ditë

9. Vitamina C kuron ftohjen

Nuk ka asnjë evidencë shkencore se vitamina C mund të parandalojë apo kurojë ftohjen

10. Të pish birrë rrit sasinë e qumështit te nënat me fëmijë të vegjël

E gabuar dhe e rrezikshme. Alkooli kalon në qumësht dhe rrjedhimisht merret edhe nga bebja.

11. Uji i ftohtë akull të ndihmon të dobësohesh

Diçka është e sigurt: që pasi ta keni pirë iu fut të dridhurat! Kush e shpiku këtë teori, mbështet tezën e tij duke deklaruar se trupi djeg më shumë kalori, për të rigjetur temperaturën e duhur. Kjo është një bindje tërësisht e gabuar. Pini ujë me temperaturë ambienti, ose, nëse keni shumë vapë, konsumoni ujë të ftohtë, por asnjëherë të ftohtë akull.

12. Të gjithë duhet të pimë dy litra ujë në ditë

Sasia mesatare është nga 1.5-2 litra (për t’u kuptuar, shishja e zakonshme). Është mjaftueshme, sepse një sasi e konsiderueshme uji gjendet edhe tek ushqimet që konsumojmë (kryesisht te frutat dhe zarzavatet). Kështu, nëse jeni shumë të zënë me punë dhe harroni të pini ujë, konsumoni të paktën 4-5 racione fruta dhe zarzavate në ditë për të arritur nivelin e duhur, ose ndiqni këtë shembull: mbani mbi tavolinën e punës apo në çantë një shishe uji dhe pini shpesh. Kjo është një mënyrë e mirë edhe për të shmangur urinë e pakontrolluar.

Related Posts: