Oliverta Lila
Faqe të tëra me kujtime të jetës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitet ‘80-‘90, një vëllim i tërë me dokumente historike ruhen ende të pabotuara nga Injac Zamputti. I biri ka nisur të sistemojë gjithçka e t’i përgatisë për botim në sajë të një nisme personale
“Ai iku nga kjo jetë pa marrë një titull”. Jozef Zamputti e përmendi shumë herë këtë frazë dje në Akademinë e Shkencave. Aty ku miq, kolegë e studiues ishin mbledhur për 100-vjetorin e lindjes së të atit të tij, Injac Zamputti-t. Teksa thuajse të gjithë referuesit përmendën shpërfilljen e tij pas viteve ’60, kjo thënie e të birit nënkuptonte se asgjë s’është ndrequr edhe pas 20 viteve. Bashkë me një shuk letrash ka udhëtuar nga Italia për të qenë i pranishëm në sesionin përkujtimor në përvjetorin e lindjes. Referate të gjata, të zakonshme për takime të këtij lloji janë mbajtur në konferencën e djeshme, organizuar nga Qendra Albanologjike dhe Instituti i Historisë. Në vazhdim u tha e u përsërit puna e madhe e Zamputti-t në disa fusha. Seit Mancaku tentojë të ripohojë edhe njëherë studimet e tij në fushën e filologjisë, Pëllumb Xhufi, duke folur për ndihmën e tij në zbardhjen e periudhës së errët të shekujve XVI-XVII, cilësoi se Zamputti i përket atij brezi që iu desh të punonte jashtë kohës së tij. Luan Malltezi u ndal sërish në punën kolasole të tij mbi dokumentet e Mesjetës, Behar Gjoka në trajtimin që i bën ai Gjergj Fishtës, ndërsa Musa Vyshka në krijimtarinë e tij letrare. I biri, i caktuar të përshëndeste në fund, lexoi ose thënë më mirë kujtoi shumë pak gjëra nga ato që kishte shënuar. “Ky moment shërben për të reflektuar se çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet me veprën e tij. Sigurisht që ka mbetur shumë për të bërë”, theksoi i biri. Dorëshkrimet e materialet që mori me vete kur u largua drejt Italisë ia ka lënë të birit. Nga aq sa u mor vesh dje, botimi apo ribotimi i veprës së Zamputti-t ka mbetur kryesisht në iniciativën familjare apo të interesit që kanë treguar shtëpitë botuese ndaj saj. Jozefi ka përmendur disa kontakte të vëna e disa vepra që janë në proces botimi. “Nën ijën e Rozafës”, “Zemra njerëzish”, “Damiani himarjot”, si edhe një përmbledhje me artikujt e shkruar prej tij gjatë viteve ’30-’40 në shtypin e kohës janë në proces ribotimi nga shtëpia “Camaj-Pipa” e Shkodrës. Çfarë ka mbetur nga Zamputti? I biri tregon se Injaci ka lënë shumë kujtime. Ka përshkruar me hollësi jetën e tij para e pas Luftës së Dytë Botërore. Shënimet arrijnë deri në vitet ’80-’90. Në pak rreshta ka treguar edhe presionin që i bëhej nga strukturat e kohës, duke e mbajtur sekret edhe për vetë familjen. “Ne nuk dinim asgjë për presionin që i bëhej. Vetëm pas viteve ’90 filloi të tregonte diçka. Po kaq pak ka shkruar në kujtimet e tij mbi atë që i ka ndodhur duke lënë shënimin: kam shumë për të treguar. Në fakt nuk arriti të shkruante asgjë”, tregon Jozefi. I biri tregon se pjesën e kujtimeve të para luftës ka arritur ta sistemojë, ndërkohë që i duhet të merret me pjesën tjetër e më pas të dërgohet për botim. Në kujtime ka folur edhe për miqësinë me Ndre Mjedën, me Zef Valentinin e figura të tjera të kohës së tij. Vëllimet e botuara me dokumente historike nuk janë shteruese të punës që ai bëri pas tërheqjes në vitet ’60. Jozefi shprehet se në dorëshkrim është një vëllim i tërë me 430 faqe, ku 169 dokumente dhe 5 relacione janë të përkthyera prej tij. Një pjesë tjetër nuk ka arritur ta mbarojë. “Janë të sistemuara dhe janë gati për botim. Im atë më ka lënë mijëra faqe në dorëshkrim”, thekson ai. E ndërsa bie fjala te latinishtja dhe puna e madhe, prej murgu theksuan disa, për përkthimin e dokumenteve, i biri në të qeshur tregon se në shkollë të mesme latinishtja ishte si gogol për të atin. “Në kolegjin Saverian, Injaci lidh miqësi edhe me Zef Valentinin, ndonëse ishte më i ri. Ishte pikërisht ai që e nxiti t’i futet latinishtes dhe që e mëson se si mund të punohet me dokumentet. Në kohën kur i mohonin krijimtarinë, im atë punoi gjatë me latinishten”. Sigurisht që një sesion përkujtimor, si ai i djeshmi, ishte veçse një tërheqje vëmendje, por ku nuk u fol asgjë konkrete mbi punën institucionale që do të bëhet për veprën e Zamputti-t.





