“Shkrime të fshehura” të Bardhyl Kosovës

Mehmet Gëzhilli


I kushtoi 50 vite të jetës aktorit të madh shqiptar, Aleksandër Moisiu. Shumë të dhëna e fakte të reja zbuloi për të. Megjithatë, në vëmendjen e docent Bardhyl Kosovës kanë qenë edhe shumë personalitete të tjera. Është botuar vëllimi “Shkrime të fshehura”, një mozaik i gjithanshëm për një galeri personalitetesh botërore të gjurmuar dhe të fiksuar nëpër shekuj, për të sjellë një kontribut me vlera të veçanta

“Ç’kohë është kjo?/ Kur edhe për lule të flasësh,/ quhet gati krim?/ Kjo do të thotë të heshtësh/për shumë të këqija” (Bertold Breht). Sa shumë i shkojnë për shtat jetës dhe veprës së docent Bardhyl Kosovës këto vargje të Bertold Brehtit. Po kush është docent Bardhyl Kosova? Njeriu i kulturës dhe i artit, i formuar në bazë të kulturës më progresive të kohës në universitetet e Moskës, duke parë shfaqjet në “Balshoi Teatër”, kur ai ishte në kulmin e lulëzimit të tij, u laurua njëherësh për letërsi dhe gazetari, por pasioni dhe prirjet e tij ishin dhe mbeten në fushën e kritikës së artit dhe veçanërisht të artit teatral. Në fund të viteve ‘50, i armatosur me veprat e Shekspirit, të Gëtes, të Brehtit, Moisiut, fillon punë në vitin 1959, me detyrën e dekanit të Shkollës së Lartë për aktorë, Institutin “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Instituti ishte në hapat e para dhe docent B. Kosova ishte dhe mbetet një nga themeluesit dhe organizatorët e parë të tij. Ishte iniciativa e tij që Instituti i Lartë i Arteve të merrte emrin e aktorit të famshëm botëror, Aleksandër Moisiu, dhe njëherësh në dhënien e titujve të lartë “Artisti i Popullit”, është Aleksandër Moisiu i pari në listë që e meriton këtë titull. Krahas punës pedagogjike në institut, docent Kosova iu fut fushës së studimeve, kërkimeve dhe është ndër të parët që boton monografinë kushtuar Aleksandër Moisiut, monografi që shërbeu më pas për studime të mëtejshme, duke pësuar një sërë botimesh e ribotimesh dhe duke u pasuruar me fakte të reja, me dokumente, me foto, deri te gjetja e zërit origjinal të Moisiut. Është merita e docent Kosovës që përgatiti materialet e domosdoshme dokumentare, figurative, përgatitur në disa gjuhë, që u dërguan dhe shtypën jashtë Shqipërisë për nivelin cilësor që kërkoheshin nga ana e UNESCO-s për ta shpallur një vit, vitin botëror të Aleksandër Moisiut, viti që u përkujtua jo vetëm në Europë, por dhe në kontinente të tjerë. Është një fakt kuptimplotë që botimi i monografisë për Aleksandër Moisiun në Prishtinë, shovinistët serbë e ndiqnin këtë libër për ta persekutuar dhe i ruheshin si djalli nga temjani. Ka fakte dhe këtë e tregojnë studentët kosovarë që janë burgosur, janë torturuar vetëm e vetëm se ua kanë gjetur këtë libër, duke e lexuar. Po ishte pikërisht lavdia dhe krenaria që u ngjallte gjeniu Moisi që të mos thyheshin nga torturat e shovinistëve serbë. Në fillimet e viteve ‘70, në një periudhë shumë delikate kur po frynte era e rrezikshme e persekutimi të artit dhe letërsisë, Bardhyl Kosova emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar. Është periudha kur Teatri Kombëtar arrin kulmet e pjekurisë dhe të rritjes së nivelit cilësor, duke sjellë disa nga kryeveprat e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Në atë kohë, duke qenë student e kujtoj mirë se si zinim radhë që në dy të natës për të siguruar një biletë teatri për të parë “Fytyrën e dytë” të Dritëro Agollit, “Arturo Ui” i B.Brehtit etj. Ishte koha kur biletat shiteshin me planifikim dhe që të shikoje të madhin Kadri Roshi në rolin e Arturo Ui apo Ndrekë Lucën, Prokop Mimën, Sulejman Pitarkën, Drita Pelingun, Violeta Manushin etj., etj. Duhej të zije radhë të paktën 4-5 muaj përpara. Që të vihej në skenë kjo dhe drama të tjera si “Fytyra e dytë” apo “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, duhej të kishe një guxim të madh qytetar dhe aq më tepër këtë guxim duhej ta kishte drejtori i institucionit. Kjo gjë nuk i mungoi drejtorit Bardhyl Kosova, por dhe pasojat nuk vonuan për shfaqje pro perëndimore si në shkrimet e tij në leksionet dhe aq më tepër për dhënien e vizës së shfaqjeve që bënin aluzione për diktatura dhe diktatorë. Pa kaluar tre vjet, docent Kosova dërgohet në fshatrat e Myzeqesë për “edukim”, për ta kalitur ideologjikisht dhe jo pak, por plot 10 vjet. Kanë kaluar shumë vite dhe kemi pasur raste në shumë biseda të lira apo në punë të përbashkëta në fondacionin “Aleksandër Moisi” dhe megjithëse ai provoi dhjetë vjet largim nga Tirana, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar që të ankohet apo t’i bjerë gjoksit si i persekutuar. Fisnikëri dhe krenari e një intelektuali të vërtetë! Dhe me gjithë këto peripecira largimi nga fusha e profesioni i vet, ai asnjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë kërkuese shkencore dhe botuese. Është iniciator i organizimit të një sërë kuvendesh për korifenjtë e Teatrit Botëror, për Shekspirin, Gëten, Brehtin etj., por atij që ia ka kushtuar gjithë jetën, është vepra dhe jeta e Aleksandër Moisiut. Që në kohën e monizmit ai qe iniciator dhe përgatiti të gjitha materialet e disa sesioneve shkencore. Kulmin e arriti në mars të vitit 1994. Në bashkëpunim me shoqatën shqiptare në Zvicër “Moisiu”, organizoi simpoziumin e parë internacional, “Lule për Moisiun” në Pallatin e Kongreseve të qytetit Lugano. Në atë simpozium morën pjesë një numër i konsiderueshëm personalitetesh të artit e kulturës nga Shqipëria, Kosova e diaspora. Ky simpozium e pa Aleksandër Moisiun në shumë dimensione. Ishte një pasurim shumë i madh jo thjesht si figurë artistike dhe teatrore, por simpoziumi pati dhe një theks të madh politik për vendin ku u organizua, për kohën kur u zhvillua ky simpozium. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë po ndodhin evenimente shumë të rëndësishme. Në Shqipëri kishin filluar proceset demokratike, por ato u shoqëruan me një emigracion të paorganizuar, me një dyndje të madhe refugjatësh, që u krijuan probleme si brenda dhe jashtë vendit. Kurse në Kosovë lëvizja për çlirimin e Kosovës po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Organizimi i një simpoziumi në zemër të Europës, atje ku prehen eshtrat e artistit të madh, ishte një thirrje për Europën dhe mbarë botën. Me këtë popull që ka nxjerrë Piron e Epirit, Mbretëreshë Teutën, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Nënë Terezën dhe deri te gjeniu si Aleksandër Moisiu apo Ibrahim Kodra, apo trimin legjendar Adem Jasharin, cilido duhet të jetë jo thjesht dashamirës, por më i kujdesshëm dhe më vlerësues. Është pikërisht përkushtimi i docent Kosovës që në fillim të viteve ‘90 ai me një grup studiuesish, personalitete të artit dhe kulturës, krijoi fondacionin “Aleksandër Moisiu”, ku njëzëri u zgjodh president i këtij fondacioni. Është kontributi i tij që nga përgatitja e statutit në disa gjuhë dhe materialeve të tjera për këtë fondacion u përgatitën me forcat e veta, me shpenzimet e veta, duke harxhuar dhe nga pensioni i tij personal. Ka mbi 15 vjet që në çdo përvjetor të lindjes apo vdekjes, si në Durrës, Kavajë, Tiranë, është përkujtuar Aleksandër Moisiu duke sjellë gjithmonë materiale të reja, gjë që ka çuar gjithmonë në pasurimin e arkivit të tij. Një nga evenimentet më të veçanta për fondacionin “Aleksandër Moisiu” dhe për kulturën shqiptare ishte vizita e Presidentit austriak, dr. Thomas Klestil, së bashku me ministrin e Jashtëm, dr.Alois Mock, që sollën në Shqipëri një ekspozitë fotografike dinjitoze, një sërë katalogësh dhe postera ku pasqyrohej jeta e A.Moisiut. Gjatë këtyre viteve, docent Kosova ka botuar dhe një sërë veprash me artikuj studimorë për figurat më të shquara të artit botëror, si dhe ka ribotuar të rishikuar dhe të plotësuar me dokumente të reja monografinë për Aleksandër Moisiun. Libri i fundit që ka botuar “Shkrime të fshehura” është një mozaik i gjithanshëm për: Tolstoin, Dostojevskin, Balzakun, Gëten, Cvajgun, Varllamovin, Umberto Ekon, Lorenc Oliverin, Irena Papasin, Bertolt Brehtin, Zhan Vilarin, Zherar Filipin, Rexhep Mitrovicën, Xhorxh Bajronin e parë si shqiptar, Rikard Vagnerin, Dimitri Shostakovicin, Etore Motin, Lukiano Viskontin, Mikelanxhelo Atoninin, Valentinon, Bob Dilan, Hukasiari, etj., një galeri e tërë personalitetesh botërore të gjurmuar dhe të fiksuar nëpër shekuj, një kontribut me vlera të veçanta. Nëse këto “Shkrime të fshehura” do të ishin kapur para viteve ‘90, jo dhjetë vjet, do shkonte në baltërat e Myzeqesë si u ndëshkua, por kushedi se ç’ndëshkim më i rëndë do ta priste. Por erdhi dita që “Shkrimet e fshehura” jo nëpër sirtarë, por në shpirtin, mendjen dhe zemrën e intelektualit, të dalin dhe të bëhen pronë e lexuesit, duke pasuruar edhe më shumë mendimin shqiptar, aq shumë të kërkuar e të munguar në këtë fushë. Me gjithë peripecitë e pasosura nëpër vite, ai ka ndjerë kënaqësinë e punës sa të vështirë krijuese, por dhe vlerësimeve të punës së tij nga personalitetet më të shquara kombëtare e ndërkombëtare.