Historia e Letërsisë Shqipe-kërkimi i modeleve

Historia e letërsisë nuk duhet të jetë histori e autorëve ((…)Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar”. P. Valery

Nga Sali BASHOTA

Historia e letërsisë shqipe dhe
komunikimi letrar
Nëse mungon një Histori e
plotë e letërsisë shqipe, cili do të
ishte konstatimi më i qëndrueshëm
se mund të rishkruhet,
mund të plotësohet edhe ajo pjesë
që është e diskutueshme apo e
ideologjizuar e procesit vlerësues, që
është shkruar në periudhën e kaluar
në histori të ndryshme të letërsisë
shqipe të botuara deri më tani,
sikundër që do të mund të favorizohet
dhe të merret si model i përshtatshëm,
pra cilësia e asaj pjese që
tregon për rezultatin e arritur në
ofrimin e vlerave të dëshmuara
letrare, sipas kritereve shkencore.
Duke u nisur edhe nga këto
koncepte problematizuese, megjithatë
Historia e letërsisë shqipe në
shekullin XXI nuk mund të rishk-
ruhet as të rivlerësohet. Prandaj,
është gjithsesi e rëndësishme që,
më në fund, të shkruhet sipas vlerave
letrare të autorëve dhe kritereve
shkencore të hartuesve të saj.
Nëse mungon ende Antologjia
e poezisë, e prozës, e esesë, e kritikës
shqiptare të shekullit XX, cilët
do të ishin përbërësit kryesorë që do
të tregonin për njohjen dhe
qarkullimin e vlerave letrare përbrenda
tërë hapësirës kulturore shqiptare,
kur nuk është përcaktuar
qartë kriteri vlerësues me funksionalizimin
e parimeve gjuhësore, estetike
e stilistike të periudhave letrare.
Vlera letrare i nënshtrohet kriterit
kronologjik historik dhe gjatësia
e mendimeve të studiuesit për
veprën e shkrimtarit, detyrimisht i
nënshtrohet kriterit vlerësues. Ky
është paradoksi për përcaktuesit
metodologjik dhe shkencor në realizimin
e projekteve që kanë të
bëjnë, jo vetëm me një Histori të
letërsisë kombëtare, por me
hartimin e historive të ndryshme
të letërsisë për nivelin shkollor,
universitar, akademik etj.
Temë-dilema e trajtimit të
fenomenit Histori e letërsisë shqipe,
mund të riprodhohet në disa
variante dhe versione, duke u nisur
nga tradita e shkrimit letrar
shqiptar që ka të bëjë pikërisht me
problemin e gjuhës, datat, shkrimet
e para apo librat e parë; pastaj problematika
e hartimit, e kritereve, e
modeleve etj., për të mbërritur tek
historia e autorëve të ideologjizuar
apo historia e e autorëve të anatemuar.
Trajtimi i këtij fenomeni
vazhdon deri te konstatimi për
“vdekjen e historisë së letërsisë”
përbrenda komunikimit letrar bashkëkohor
dhe mundësia e funksionalizimit
të historive letrare.
Në kulturat e ndryshme të botës
janë shkruar dhe botuar dhe lexohen
edhe sot histori të letërsive
kombëtare në lloje dhe zhanre të
ndryshme apo edhe histori letrare,
të cilat i kanë shenjat e veta autentike
në rrafshin kulturor, letrar, stilistik
duke dëshmuar kohën, hapësirën,
shkrimtarët, veprat e tyre,
të cilat, gjithsesi, iu kanë nënshtruar
një kriteri shkencor, për t’i
verifikuar vlerat letrare nëpër
rrjedhat e kohës: nëpër faza dhe
periudha të caktuara.
Gjithsesi, projekti për një Histori
të re të letërsisë shqipe , nuk
do të nënkuptonte përmbysjen e
plotë të metodave dhe koncepteve
të shtruara, të sistemura dhe të
paraqitura në tekstet e historive të
ndryshme të letërsisë shqipe të
botuara në shekullin XX, që ka të
bëjë me fenomenin estetik në
raport me autorin dhe veprën apo
me fenomenet tjera deri tek
gjykimet subjektive. Prandaj, historitë
e letërsisë shqipe të shkruara
dhe të botuara në të kaluarën i
përkasin asaj periudhe, kështu vlera
apo pseudovlera e tyre ka të bëjë
edhe me pranimin apo refuzimin
përbrenda kodeve të komunikimit
letrar.
Mund të flitet për periodizimet,
rrymat, prirjet, qarqet, periudhat,
brezat në njërën anë, sikundër që
mund të flitet edhe për kriterin
ideologjik të Historisë së letërsisë
shqipe, madje edhe për ndarjen e
shkrimtarëve në dy tabore: shkrimtarë
përparimtarë dhe shkrimtarë
reaksionarë. Kështu që
thënia e P.Valery se ” Historia e letërsisë
nuk duhet të jetë histori e autorëve
((…)Një histori e tillë mund
të hartohet pa përmendur as edhe
një shkrimtar”, në një mënyrë apo
tjetër mund të dëshmojë për kompleksitetin
e problematikës që ka të bëjë
me përcaktimin e vlerës letrare, se a
ka pasur deri më tani vetëm histori
autorësh apo vetëm histori veprash
letrare. Prej këtu do të vlente, në
këtë rast, edhe konstatimi i Umberto
Ecos se : “ Një histori e letërsisë
mund të jetë shkruar thjesht si një
doracak, nganjëherë ajo bëhet në të
njëjtën kohë identifikuese veprash
dhe histori idesh…”