Dante, seksi dhe poezia

Nga Paul AUSTER
Hera e parë kur ia shtrëngova dorën
qe në pranverën e vitit 1967. Ato kohë
frekuentoja vitin e dytë të universitetit
në Columbia: isha një djalosh injorant
dhe i uritur për libra që kultivonte besimin
(ose iluzionin) për t’u bërë një
ditë shumë i zoti sa të mund të definohem
poet; e si lexues i poezisë, kisha
gjetur tashmë homonimin e tij në Ferrin
e Dantes, një i mallkuar që zvarritet
në vargjet finale të këngës XXVIII të
Kantikës së parë.
Bertran de Born, poeti provincial i
shek. XII, mban për flokësh kokën e vet
të prerë që valëvitet para e mbrapa si një
llambë: pa dyshim njëri nga imazhet më
groteske në katalogun e halucinacioneve
dhe lutjeve që përsëritet përgjatë tërë Ferrit.
Sado që e çmonte fort poezinë e De
Born-it, Dante e dënoi me ndëshkim të
përjetshëm sepse kishte këshilluar princin
Henrik të çonte krye ndaj atit të tij, Mbretit
Henriku II; e meqë de Born kishte provokuar
një ndarje mes atit dhe birit duke
i bërë armiq, penda inteligjente danteske
e ndan De Born-in nga vetvetja. Prej këtu
trupi pa kokë që vajton në botën e nëndheshme,
duke pyetur udhëtarin fiorentinas
nëse mund të ekzistojë dhimbje më e
tmerrshme se e tija. Kur u prezantua si
Rudolf Born, mendja ime shkoi menjëherë
te poeti. Mos rastësisht ju jeni farefis i
Bertran-it?, e pyeta. Ah, m’u gjegj, ajo
krijesa e shkretë që e humbi kokën. Bën
vaki, por tutem se është e pagjasë. Mungon
de-ja. Për ta pasur atë, lypset të jem
pjesë e fisnikërisë, e e vërteta e trishtë
është se unë jam çka do veçse jo fisnik.
S’e mbaj mend pse u gjenda aty.
Dikush duhej të më kishte lutur ta shoqëroj,
po se kush ishte aifarë dikushi më
ka ikur nga mendja prej kohësh. Nuk e
mbaj mend as ku mbahej festa – në periferi
apo në qendër, në ndonjë apartament
apo ndonjë nënçati – dhe thënë të
vërtetën s’e mbaj mend as shkakun pse
kisha pranuar ftesën, meqë atë kohë priresha
t’i shmangja rastet mondane, i
mërzitur nga poterja e thashethemeve, i
sikletosur nga druajtja që më zotëronte
në praninë e të panjohurve. Po atë natë,
kushedi se si vallë, thashë po dhe i shkova
pas mikut tim duke harruar vendin, cilido
që të ketë qenë, ku më çoi. Ndërsa mbaj
mend këtë: se në një moment të caktuar
të mbrëmjes, mbeta vetëm, në këmbë, në
një qoshk të dhomës.
Tymosja një cigare dhe i shikoja të
ftuarit, dhjetëra e dhjetëra trupa të ndryrë
në limitet e asaj hapësire, dëgjoja zhurmën
e përzier të fjalëve dhe të të qeshurave,
duke pyetur veten çka dreqi po bëja aty
dhe mendova se ndoshta duhej ta baja bishtin
prej aty. Mbi kaloriferin në të majtë
ishte vënë një taketuke, e kur u ktheva
për ta fikur cigaren, pashë se mbajtësja e
mbushur dëng me bishta cigaresh po ngrihej
lart drejt murit në shuplakën e dorës
së një njeriu. Pak më herët, pa u ndërmendur
për këtë, ishin ulur mbi kalorifer
dy persona: një burrë dhe një grua, që të
dy më të mëdhenj se unë, bile pa dyshim
më të vjetër se të gjithë të tjerët të pranishëm
në sallë: ai mbi të tridhjetepestat,
ajo rreth të tridhjetave. Dukeshin një çift
paksa i papërshtatshëm, Born me një
veshje lini të bardhë të ngrënë e bile edhe
të papastër, e gruaja (që pastaj mora vesh
se quhej Margot) e tëra në të zeza.
Kur e falënderova për shpuzoren, ai
luajti kokën pakëz në shenjë mirësjelljeje
dhe tha Hajt de, me një theks të mezi
vërejtur të huaj. Frëngjishteje apo gjermanishteje
s’e di me siguri, ngase fliste
një anglishte pothuajse pagabueshme. Çka
tjetër vura re në ato momente? Lëkurë të
zbehtë, flokë paksa të kuqe dhe të pakrehura
(prerë më shkurt se shumica e
njerëzve të asaj kohe), një fytyrë të bukur
të gjerë pa tipare karakteristike (një fytyrë,
të themi kështu, gjenerike, një fytyrë
që në mesin e çfarëdo turme do të
ishte bërë e padukshme), dhe dy sy gështenjë,
të ngrirë, sytë hulumtues të një njeriu
që dukej të mos kishte frikë nga asgjë.
As i hajthëm as i trashë, as i shkurtër
as i gjatë, po në tërë këtë një ndjesi
e fuqisë fizike, mbase për shkak të duarve
gjigante. Sa i përket gruas Margot,
rrinte ulur pa lëvizur asnjë muskul, sytë
e ngulitur në hapësirë thua se misioni i
saj kryesor në jetë ishte të dukej e mërzitur.
Megjithatë magjepsëse, shumë
magjepsëse për një njëzetvjeçar si unë,
me flokët e zinj, bluzë të zezë, fund të zi,
çizmet prej lëkure të zezë dhe grimin e
rëndë të zi rreth syve të mëdhenj të blertë.
Jo një bukuri, ndoshta, por një monument
i bukurisë, sikurse stili dhe finesa e
pamjes së saj të mishëronin një lloj ideali
femëror të epokës.
Born deklaroi se ai dhe Margot veç
ishin duke ikur prej aty, por pastaj më
kishin parë mua aty, në këmbë dhe vetëm,
në një qoshk, e meqë kisha një pamje fatkeqi
kishin vendosur të afroheshin dhe të
më ngrinin moralin pakëz... aq sa të ishin
të sigurt se nuk do t’i prisja venat
para se të përfundonte mbrëmja. S’kisha
ide si ta interpretoja batutën e tyre. Ky
njeriu po më fyne, pyeta veten, apo përnjëmend
po mundohet të tregohet i fisëm
me një djalë të panjohur, pasi që e ka
parë në telashe? Në vete fjalët kishin një
karakter mjaft tallës, ç’armatosës, ama
shikimi i Born-it derisa i shqiptonte ishte
i ftohtë dhe i përhumbur, e s’munda të
bëj gjë tjetër veçse të ndihem se po më
studionte, më provokonte për arsye që bash
s’i kuptoja. Luajta supet, nënqesha dhe
ia krisa: Më beson ose jo, kurrë në jetën
time nuk jam argëtuar kaq shumë.
Atëherë u çua, ma zgjati dorën dhe ma
tha emrin e tij. Pas pyetje sime mbi Bertran
de Born më paraqiti para Margot-it,
e cila më buzëqeshi në heshtje dhe u kthye
në punën e saj, t’i ngulte sytë në boshllëk.
Gjykuar nga mosha juaj, tha Born, dhe
nga njohja e juaj e poetëve pak të njohur,
do të thosha se jeni student. I letërsisë, pa
tjetër, NYU apo Columbia? Columbia.
Columbia, psherëtiu ai. Çfarë vendi i trishtë.
E njihni? Jap mësim aty prej shtatorit,
në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Profesor me detyrë vjetore. Për
fat tash është prilli e pas dy muajsh do të
kthehem në Paris.