TREGIM nga Donald Barthelme
13 shtator
Zonjës Mandible ia ka ënda të bëjë
dashuri me mua, por ngurron, sepse
unë jam zyrtarisht ende fëmijë; jam,
sipas të dhënave, sipas librit mbi
tryezën e saj, sipas indeksit, thjesht
një 11 vjeçar. Ka një keqkuptim këtu,
që ende nuk e kam sqaruar. Në fakt
jam 35 vjeç, kam qenë në ushtri, kam
qime në vendet e duhura, zërin e kam
bariton, di shumë mirë se si duhet të
veproj me Mandiblen, nëse ajo bindet.
Ndërkaq, po merremi me studimin
e detajeve të thjeshta. Padyshim që
mund t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve
ose të paktën shumicës prej tyre (këto
janë gjëra që nuk i mbaj mend). Por
preferoj të ulem në vendin tim me
kompjuterin te kofshët e mia dhe të
shqyrtoj jetën rreth meje.
Në klasë ka 32 persona. Çdo
mëngjes ngrihet flamuri. Besnikëria
ime e vetme për momentin është e
ndarë midis zonjushës Mandible dhe
Sue Ann Broënly.
Nga të dyja, sot preferoj Sue Ann;
edhe pse midis 11 dhe 11 e gjysëm (ajo
refuzon ta thotë moshën e saktë)
duket qartë që ajo është femër, me të
gjitha kontradiktat tipike femërore.
Çuditërisht as ajo, as ndonjë fëmijë
tjetër nuk kanë ndonjë mospërputhje
për praninë time.
15 shtator
Teksti i gjeografisë, që përmban
hartën botërore, është goxha i madh
për të fshehur udhëtimin tim prej
klandestini. Çdo ditë në mëngjes
mendoj për situatën në të cilën
ndodhem dhe për miqtë e mi. Jam
përpjekur të shkruaj edhe herë të
tjera, por më duket se nuk
funksionon.
Mësuesja ecën lart e poshtë nëpër
korridor (gjatë kësaj kohe, për fat,
afrohet te harta). Bobby Vanderbilt që
ulet prapa meje, më goditi me grusht
te veshkat. Donte të dinte se çfarë po
bëja. Vanderbilt është i dhënë pas
garave me makina. Kjo shpjegon
tingujt e vazhdueshëm si ulërima, që
duket se buron nga banka e tij.
19 shtator
Vetëm unë e kuptoj që është bërë
një gabim, por unë nuk jam pjesë e
këtij gabimi. Mbase edhe zonjusha
Mandible e di këtë, por për arsye jo
shumë të kuptueshme, ajo po e
vazhdon lojën. Kur firmosa në fillim
për këtë vend, doja të protestoja,
gabimi dukej haptazi fare, edhe
personi më i trashë do ta kishte vënë
re; kam nisur të besoj se ka qenë i
paramenduar, se jam tradhtuar
përsëri.
Tani duket se ka pak ndryshim. Ky
rol është po aq interesant sa edhe roli
në jetën time të mëparshme, një
pozicion që më detyroi të shpenzoja
kohën për civilizimin: rrjeta metalike
të çrregullta, streha pa çati, mallra të
ndyta, krahë dhe këmbë të copëtuara.
Pas 10 vjetësh, tashmë shfaqet një
tendencë e re për të parë botën.
Pashë një njeri dhe ato pjesët e
sakatuara, duke hyrë në një shtëpi
vetëm e vetëm për të parë shtegun e
zjarrit të paevitueshëm. Si rrjedhim,
kur u futa aty, edhe pse e dija që ishte
bërë një gabim, e vazhdova atë, me
zgjuarsi; isha i vetëdijshëm se kishte
disa avantazhe që do të fitoheshin nga
ajo që dukej si një shkatërrim total.
Roli i Përshtatjes na mësoi shumë.
22 shtator
Isha në kërkim të një skuadre
volejbolli. Refuzova të merrja përfitime
të padrejta nga pesha ime.
23 shtator
Çdo mëngjes rrotull dëgjoja:
Bestvina, Bokenfohr, Broan, Broënly,
Cone, Coyle, Crecelius, Darin, Durbin,
Geiger, Guis ëite, Heckler, Jacobs,
Kleinschmidt, Lay, Logan, Masei, Mit
gang, Pfeilsticker. Ishte një përsëritje
e mërzitshme në agimet e
trishtueshme të Teksasit. Në ushtri
kam qenë gjithnjë i shtrembër nga
natyra. M’u desh vërtet shumë kohë të
kuptoja atë që të tjerët e kishin
kuptuar që me vështrim të parë: pjesa
më e madhe e asaj që bënim ishte
absolutisht pa kuptim, pa qëllim.
Pyesja veten pse. Më pas diçka ndodhi
dhe u propozua një ide e re. Një ditë
na urdhëruan të pastronim nga dheu
deri te gjethet lart, në gjithë zonën e
trajnimit tonë.
Ai që na urdhëroi ishte nervoz dhe
lypte ndjesë. Më vonë një kapiten i
shkarkuar nga detyra, na shihte ashtu
të njollosur dhe totalisht të lodhur. Po
ecte duke u betuar. E kuptova parimin
(rregullat janë rregulla) dhe pyeta
veten: kush vendos?
29 shtator
Sue Ann është një mrekulli. Dje më
goditi te nyja e këmbës, për shkak se
nuk i kushtova vëmendje kur ajo po
përpiqej të më jepte një pusullë.
Zonjusha Mandible po më vështronte
ngultas, nuk kisha ç’bëja. Çuditërisht
Sue Ann më kujton gruan që kam
pasur dikur, kur zonjusha Mandible
ishte ende fëmijë. Ajo më shihte
vazhdimisht pa m’i ndarë sytë, duke u
përpjekur të thoshte diçka intime me
ata sy; kam frikë se fëmijët do ta kenë
vënë re.
2 tetor
Nganjëherë spekuloj me saktësinë e
fshehtësisë që më solli deri këtu. Me
kalimin e kohës besoj se ka qenë
investiguar nga gruaja ime e
dikurshme, emri i së cilës ishte ...
thjesht po pretendoj ta harroj. E di
shumë mirë emrin e saj, po aq mirë sa
di edhe emrin e motorit që kam ngarë
dikur (Quaker State) apo numrin e
vjetër të serisë në ushtri (US
54109268). Emri i saj ishte Brenda
dhe tashmë madje m’u kujtua një
bisedë që zhvillova dikur me të, ditën
që u nisëm. “Ti ke një shpirt putane” i
thashë. “Ti” u përgjigj ajo “je një i
mjerë, një ndyrësirë dhe ende ke
mbetur fëmijë. Do të të le
përgjithmonë dhe besoj se pa mua, ke
për të mbaruar krejt”.
U përdrodha në vendin ku isha
ulur, kur kujtova këtë bisedë aspak të
këndshme dhe Sue Ann më pa me
mëshirë dashakeqe. Ajo e kish vënë re
mospërputhjen mes masës së bankës
ku isha ulur dhe masës së fizikut tim,
por në mënyrë të dukshme e
konsideroi si një dhuratë magjepsëse.
7 tetor
Në një moment të caktuar eca në
majë të gishtave, afër tryezës së
zonjushës Mandible (kur nuk kishte
asnjeri në dhomë) dhe shqyrtova me
kujdes sipërfaqen e saj. Zonjusha
Mardible është mësuese, e zbulova.
Nuk kishte asgjë aty, përveç
garderobës së saj dhe një tekst, që
ishte hapur në një faqe me titull “Të
bësh procese domethënëse”. Lexova:
“Shumë nxënës kënaqen kur merrem
me detyra, të cilat i kuptojnë. Ata
kanë besim te aftësia e tyre për të bërë
hapat e duhur dhe për të siguruar më
pas përgjigjet e duhura.
Megjithatë, për të dhënë një kuptim
të plotë shoqëror, është e nevojshme
të gjenden situatat reale. Mjaft
probleme interesante dhe të gjalla
duhen zgjidhur ...
8 tetor
Nuk jam i irrituar nga ndjesia e
dikurshme. Gjërat janë ndryshe
tashmë. Fëmijët, për më tepër, janë të
ndryshëm nga ata që më shoqëronin
në udhëtimin e parë të shkollave
fillore: “Ata kanë besim në aftësinë e
tyre për të ndërmarrë hapat e duhur
dhe për të siguruar përgjigjet e sakta”.
Kjo është tërësisht e vërtetë. Kur
Bobby Vanderbil i cili është ulur pas
meje dhe ka avantazhin e madh e të
qënit i aftë për të manovruar, ka
dëshirë të pyesë zonjushën Mandible,
se ia vret dielli sytë. Brezi im nuk
është në gjendje të krijojë autoritetin
e vet lehtësisht.
13 tetor
Mund të ketë ndodhur që udhëtimi
im i parë nëpër shkolla më ka lënë
përshtypjen se autoritetet (kush
vendos?) urdhëruan për mua atë që
ishte e drejtë dhe e mirë. E ngatërroja
autoritetin me jetën vetë. Rruga që
kisha zgjedhur nuk ishte zgjedhja ime
personale. Karriera ime ishte si një
letër gjuetie dhe roli im ishte të jepja
të dhënat. Kur dola nga shkolla herën
e parë, ndjeva se ky vlerësim ishte në
thelb i drejtë dhe mezi prisja të ikja
për gjueti.
Gjeta shumë të dhëna: diplomën,
kartat e anëtarësimit, butova fushate,
një licensë martese, formularë sigurie,
letra rekomandimi, raporte për taksa,
Certifikatën e Meritës.
Ata duhej të bindeshin. Kjo ndodhi
para gabimit tragjik për pretendimet e
z. Anton Bichek.
E lexova keq një të dhënë. Mos më
keqkupto: ishte një tragjedi, vetëm
nga këndvështrimi i autoriteteve. Isha
i bindur se ishte detyra ime të siguroja
kënaqësinë për të dëmtuarën, për atë
zonjë të moshuar. Ujdia ishte për 165
000 USD; pretendimi ishte i drejtë.
Por, pa kurajon time, z. Bichek nuk do
ta kishte pasur kurrë dashurinë për
veten për të vlerësuar më pas të
dëmtuarën. Kompania pagoi, por
besimi i tij tek unë, në efikasitetin e
rolit tim, ishte thyer tashmë. Henry
Goodykind, manaxheri i zonës, u
shpreh me fjalë antipatike dhe më tha
në të njëjtën kohë se duhej të merrja
një rol të ri.
Gjëja tjetër që dija, ishte se
ndodhesha aty, nën vështrimin e
paturp të zonjushës Mandible.
17 tetor
Sot do të bëjmë ushtrime. E mora
vesh, sepse unë jam Marshall Zjarri, jo
vetëm për dhomën tonë, por edhe për
krahun e djathtë të katit të dytë. Ky
dallim, që u përcaktua menjëherë pas
ardhjes sime, u interpretua nga disa ai
një tjetër shenjë e lidhjeve të mia të
dyshimta me mësuesen time. Shiriti në
krahun tim është i kuq dhe i
zbukuruar me gërma të mëdha fjala
ZJARR. Ndodhet pranë çantës, që ka
brenda drekën që e marr me vete çdo
mëngjes. Një nga avantazhet e
paketimit të drekës sime (nuk ka kush
ma bën këtë) është se jam i zoti ta
mbush me gjërat që shijoj më shumë.
Gjalpi me kikirika në sanduiçin që më
përgatiste nëna ime në ekzistencën
time të mëparshme, shumë vite më
parë. Në menu është shtuar edhe
sallami me djathin. Kam zbuluar këto
kohë se dieta ime në mënyrë krejt të
mistershme më ka përshtatur me një
situatë krejt të re; jo më pije alkoolike.
Jashtë shkollë mezi pi duhan. Është
vetëm çështja e seksit, që më bën të
ndjej moshën e vërtetë; është diçka me
të cilën po u mësove një herë, nuk e
harron më kurrë. Jetoj me frikë se
mos zonjusha Mandible do të krijojë
ndonjë situatë kompromentuese. Për
ta shmangur këtë, jam bërë një
nxënës model: një tjetër arsye kjo për
të njohur drejtime të reja. Nuk mund
ta mohoj, gjithsesi, se jam i përzhitur
nga ato vështrime të gjata që nga
dërrasa e zezë; zonjusha Mardible
është goxha femër.
24 tetor
Më të shumtët e shokëve të klasës
sime janë të sjellshëm, ashtu si do të
ishin sikur unë të kisha një sy apo një
këmbë. Shihem nga ata si një
mutacion, por ama në thelb i
barabartë me ata.
Sidoqoftë, Harry Broan, i ati i të
cilit është pasuruar duke punuar në
një fabrikë, sot më pyeti nëse doja të
luftoja. Një grup nga ndjekësit e tij u
mblodhën për të parë vrasësin. Unë iu
përgjigja se nuk isha i qetë. Ai ishte
mjaft mirënjohës. Tashmë jemi miq.
25 tetor
Teoricienët nuk kanë mundur t’i
kuptojnë mirë marrëdhëniet
ndërpersonale: Sue Ann Broënly më
goditi te nyja e këmbës. Sa e gjallë, sa
femërore është përkujdesja e saj e
ëmbël pas veprimit! Krenaria e saj
ështe transparente, e butë; çdokush e
di që ajo ma ka vënë vulën, se ky është
ngadhënjimi i betejës së pabarabartë
me zonjushën Mandible për zemrën
time të madhe, shumë të madhe.
Madje, edhe vetë zonjusha Mandible e
di dhe kundërshton me sarkazmë, me
mënyrën e vetme që di. “A je dëmtuar,
Joseph?”
30 tetor
Iu ktheva përsëri problemit për të
ardhmen time.
4 nëntor
Te libraria e nëndheshme gjeta një
kopje të sekreteve filmike, me kapak
shumëngjyrësh me stemë lart. Është
një dhuratë nga Frankie Randolph,
një vajzë e çiltër, e cila deri më sot
nuk kishte thënë gjysmë fjale për mua.
Tunda kokën dhe buzëqesha;
Frankie fshehu kokën nën bankë. i
pashë edhe revistat i rrethuar prej
vajzave (nganjëherë njëri prej djemve
do të begenisë të kontrollojë kapakun
e zbehtë).
Zonjusha Mandible i konfiskoi që të
gjente ndonjë.
I hodha një sy kopjes së sekreteve
filmike. “Piktura ekskluzive në këto
faqe nuk është ajo që duket. Ne e dimë
si duket dhe e dimë gjithashtu edhe se
çfarë do të thonë thashethemexhinjtë.
Për interes të një djali të
këndshëm, në fillim u botuan të
dhënat. Këtu ishte ajo që kishte
ndodhur vërtet! Piktura tregonte një
idhull në film që ishte veshur me
pizhama, me sy të mjegulluar,
ndërkohë që një grua e re rrinte e
befasuar pranë tij.
U gëzova që mora vesh se piktura
nuk është ajo që duket; duket se nuk
është asgjë më pak se evidenca e
divorcit.
Sue Ann kishte parë overturën e
Frankie Randophit dhe duke kapur
vështrimin tim, nxorri nga çanta jo
më pak se 17 revista, duke i shtyrë
drejt meje sikur të provonte se cili nga
kundërshtarët e saj kryesonte.
5 nëntor
Klasa e gjashtë e fillores Horace
Greely është një furrnaltë me
dashuri, dashuri, dashuri. Sot bie shi,
por brenda ajri është i rëndë, por i
gjallëruar me pasion. Sue Ann
mungon; dyshoj se shkëmbimi i
djeshëm e ka detyruar të rrijë në
shtrat sot. Faji më varet përreth. Ajo
nuk është e përgjegjshme, e di, për
ato që lexon, për modelet e
propozuara nga një industri
botimesh të shitura; nuk duhej të
isha treguar aq i ashpër. Mbase e
kam nga gripi.
Zonjusha Mandible është e
pashpresë; asgjë nuk ecën mirë sot.
Amos Darin është parë duke sjellë një
pikturë të lërosur në tualet. i
dëshpëruar dhe i zënë në faj, ky
veprim u konsiderua si një veprim
dashurie në vetvete. Kjo gjë kishte
emocionuar madje edhe ata që nuk e
kishin parë, por që e kuptonin që ishte
gjë e fëlliqur. Dhoma gumëzhinte.
Amos rrinte pranë derës, në pritje për
të hyrë në zyrën kryesore.
Lëkundej midis frikës dhe
kënaqësisë të këtij popullariteti të
përkohshëm të tij. Nga koha në kohë
zonjusha Mandible më shihte duke u
afruar, si të më fajësonte për poteren.
Por unë nuk e krijova këtë atmosferë,
u gjenda aty si gjithë të tjerët.
8 nëntor
Shpresojmë se çdo gjë që na është
premtuar ne si klasë, do të realizohet
në të ardhmen.
9 nëntor
Kohët e fundit kam bërë kërkesë
për një bankë më të madhe. Gjatë
pushimit, mezi lëviz; këmbët më
pështjellohen. Zonjusha Mandible
thotë se do të lajmërojë rojen. Për një
moment them t’ia tregoj historinë
time. Diçka brenda meje më bën ta
përmbaj veten nga kjo dëshirë. Këtu
jam mirë, e kam një vend të paktën;
nuk dua kurrsesi ta lëshoj veten ndaj
tekave të autoritetit. Vendosa të jem
më pak i shkëlqyer në të ardhmen.
11 nëntor
Një martesë e rrënuar, një karrierë
e rrënuar, një ashpërsi në ushtri, kur
nuk isha thjesht një person. Kjo është
shumatore e ekzistencës sime në kohë,
një total i mjerë.
Riedukimi duket se është shpresa
jonë e fundit. Është e qartë edhe për
mua se kam nevojë të ripunoj në disa
fusha.
Të shkëputur nga jeta e
pakontrolluar mes të rinjve amerikanë
të gëzuar, të dëshpëruar, që përpiqen
të bëjnë para, të hedhur diku në kohë
dhe hapësirë, po nis të kuptoj se si
gabova, se si gabuam të gjithë (edhe
pse kjo ishte larg prej synimit të atyre
që më sollën deri këtu; ata kërkojnë të
drejtën e tyre, sidoqoftë).
14 nëntor
Dallimi midis fëmijëve dhe të
rriturve qëndron në bazë të qëllimit. E
ndiej. Sa shumë të çmendur janë pas
dashurisë.
15 nëntor
Roja ka informuar zonjushën
Mandible që bankat tona janë të gjitha
me masën e duhur për klasën e
gjashtë, siç janë specifikuar nga Bordi
i Vlerësimit të Kalifornisë.
Një thirrje administratës mund të
çojë në largimin tim nga klasa. Ky do
të ishte një shkatërrim total për mua.
Të bëhet ç’të bëhet!
20 nëntor
Shohim shenja premtimesh.
Zonjusha Mandible e kupton më së
miri se një ditë do të vijë në shtratin
tim. Sue Ann mendon se jam unik mes
meshkujve të tjerë që ajo njeh, si
rrjedhim më i dëshirueshmi, si
rrjedhim konsiderohem si pasuria e saj
e veçantë.
Në ekzistencën time të mëparshme
kam lexuar moton e kompanisë (“Si të
ndihmosh në kohë dhe në nevojë”) si
një përshkrim i detyrës së
koordinatorit. Besoja thellësisht se
kam fituar një grua që ka shenja
femërore (bukuria, sharmi, butësia,
parfumi), kam gjetur dashurinë.
Brenda, duke lexuar të njëjtat shenja
që ka tani, e çorientoi zonjushën
Mandible dhe Sue Ann Brounly, e
ndjeu se nuk kishte pse mërzitej më.
Të gjithë ne, zonjusha Mandible, Sue
Ann, unë, Brenda, z. Goodykind, ende
besojnë se flamuri amerikan tregon
një lloj të drejte të përgjithshme.
Por unë them, duke kërkuar veten
në këtë inkubator të qytetarëve të
ardhshëm, që shenjat janë shenja dhe
se disa prej tyre janë gënjeshtra. Ky
është zbulimi më i madh në këtë kohë
për mua personalisht.
23 nëntor
Mundet që eksperienca ime si
fëmijë ka për të më shpëtuar. Të gjitha
të panjohurat që më hutojnë, e kanë
origjinën këtu dhe një nga një po i
numëroj, duke i parë rrënjët. Zonjusha
Mandible ka për të kundërshtuar
dëshirën time për të mos u rritur.
Duart e saj qëndrojnë mbi shpatullat e
mia ngrohtësisht dhe për një kohë të
gjatë.
7 dhjetor
Premtimet që kam marrë tek ky
vend nuk mund të shlyhen, mund të
më hutojnë më vonë dhe të më bëjnë
të ndjej se nuk kam për të ecur
përpara kurrsesi. Çdo gjë është
paraqitur si rezultat i disa proceseve të
ditura; nëse dua të mbërrij në orën 4,
iki që në orën 2 për të qenë i saktë.
8 dhjetor
Ndriçimi i mendjes sime po ecën në
mënyrë të shkëlqyer.
9 dhjetor
Katastrofë përsëri. Nesër do të
shkoj te doktori. Sue Ann më kapi
mua dhe zonjushën Mandible në klasë
gjatë pushimit dhe menjëherë u
plandos. Për një çast mendova se iu
mor fryma. Ajo iku me vrap duke qarë
drejt zyrës kryesore.
Më erdhi keq që isha shkaktari i
zhgënjimit të saj, por e di që ka për ta
marrë veten. Zonjusha Mandible është
rrënuar, por e plotësuar si femër. Edhe
pse ka vendosur të kontribuojë për
shkeljet e të drejtave të njerëzve jo me
moshë madhore, duket se jeton në
paqe; premtimin e mbajti. Ajo e di
tashmë se gjithçka që ajo i ka treguar
për jetën, për Amerikën, është e
vërtetë.
Jam përpjekur të bind autoritetet
shkollore se jam në moshë jo madhore
vetëm në një kuptim shumë të
veçantë, se jam i përgjegjshëm – por
kjo nuk shkon.
Bashkëmoshatarët e mi janë të
shtangur për mënyrën se si e
prezantoj unë veten, si një viktimë e
pafajshme. Ashtu si roja i moshuar që
drejtonte lëvizjen ruse, klasa ecën
drejt përfundimit se e vërteta është një
ndëshkim.
Përktheu: Rudina Dahri





