Raja Shehadeh
Malësitë skoceze të para nga shkrimtari palestinez Raja Shehadeh, i cili zbuloi një ngjashmëri të papritur mes shqopishtës dhe Bregut Perëndimor
Kam lindur në një tokë me kodra të pasura me histori dhe ku jetonte një popull heroik, që dua t‘ua tregoj me çdo kusht. Nuk mendoja se ishte e njëjta gjë për "Highlands" (Malësitë skoceze). Së bashku me gruan time Penny kishim rezervuar një dhomë në hotelin "Inveronan" në Glen Orchy, pranë urës që mban të njëjtin emër. Zgjodhëm këtë hotel, sepse në vitin 1803, William Wordsworth dhe e motra Dorothy kishin qëndruar këtu gjatë udhëtimit të tyre për në malësinë skoceze. Ishim të sigurt se poeti i madh romantik do të ishte një drejtues i mirë për shëtitjet. Falë një anglezi arrita t‘i njihja këto vende unike dhe të veçanta në veri të Skocisë.
Morëm një tren nga Edinburgu për në "Bridge of Orchy". Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Nuk kam pasur shumë raste të hipi në tren: që prej vitit 1948 ka qenë e pamundur të përdorje linjat hekurudhore për të shkuar në Palestinë ose drejt vendeve më të afërta. Atë vit, lindja e shtetit të Izraelit shkaktoi ndërprerjen e linjave të komunikimit mes shumë zonave të ndryshme të tokave arabe lindore dhe ndërmjet atyre më jugore të Hijaz-it dhe Afrikës Veriore.
Në stacion pata takimin tim të parë me një tufë mizash, insekte që nuk i kisha parë ndonjëherë. Në fillim mendova se kishte diçka që nuk shkonte mirë tek unë. Pastaj filluan të më kruheshin duart, qafa, fytyra dhe vura re ato krijesa mikroskopike që më silleshin vërdallë. Por a kishte të ngjarë që ishte i gjithi faji i tyre? Sa më shumë i lëvizja duart, aq më shumë më ngjiteshin nga pas. Ishte shumë e mërzitshme dhe po më sosej durimi. Ndërsa largohesha nga stacioni, ato vazhdonin të më ndiqnin. Pasi admirova me ëndje natyrën e pacenuar të malësisë skoceze, pata një paqartësi, ndërsa bëja krahasimin mes këtyre insekteve të bezdisshme dhe pastërtisë së këtij vendi, por edhe insektet luajnë rolin e tyre në natyrë: "Fundja po të mos ishte për to, turistët do t‘i kishin shkatërruar me kohë këto vende".
Lamë valixhet në hotel dhe dolëm menjëherë për të bërë një shëtitje e për të shfrytëzuar edhe ato pak orë dritë që kishin mbetur. Për herë të parë në jetën time u gjeta në mes të një shqopishte. U rrethova nga një qetësi e thellë, ndryshe nga ato që kam përjetuar deri tani. Ajo që të habit më shumë nuk është mungesa e zhurmës. Në fakt shqopishta duket sikur "merr frymë" duke psherëtirë thellë, ndërkohë që një erë e lehtë përshkon barishtet dhe fieret e mbarsura në ujë. Unë jam mësuar me qetësinë e kodrave palestineze pranë Ramallahut, qyteti ku kam lindur. Shpeshherë ulem aty, nën hijen e një pishe, për të shijuar shushurimën e erës që kalon përmes halave aromatike. Ajo melodi ritmike dhe me ndërprerje sipër kokës sime asnjëherë nuk zgjat shumë. Në fakt, ulërima e erës në shqopishte është e thellë dhe e vazhdueshme. Duket sikur ka ardhur nga larg për t‘i dhënë jetë një vendi të shkretë dhe të rrënuar. Tingulli vjen nga poshtë dhe përhapet në peizazh, fillimisht i fortë, më pas i dobët, pastaj sërish i fortë, i lirë nga trungjet e pemëve. Është një tingull i trishtuar, që i ngjan një vajtimi.
Zhurma e erës ndalet vetëm nga rrjedhja e ujit. M‘u rikthye në mendje një peizazh shumë i ngjashëm: akujt, ku uji kalon nën to dhe mund të dëgjosh zhurmën e tij vetëm po të jesh i përqendruar. Një herë, duke ecur në alpet zvicerane, po admiroja një prej këtyre akujve. Nga kureshtja pyeta një nga ciceronët nëse ishte i rrezikshëm: "Jo, jo" - m‘u përgjigj. "Por nëse bie në një çarje të thellë, duhet ta imagjinosh fundin".
Në Skoci për mua ishte gjithçka e re: peizazhet, atmosfera dhe ngjyrat e ëmbla ndryshonin shumë nga kodrat palestineze. Në Skoci ajri është më i rëndë dhe më i freskët, ndërsa në rrethinat e Ramallahut është më i thatë dhe më i ëmbël, për shkak të shumë erëzave që rriten në ato anë. Në Skoci ka shumë re dhe dielli del shumë rrallë. Por kur dielli ndriçon mes reve, kodrat pasqyrohen nëpër liqenet e vogla. Në kodrat tona peizazhi është më uniform: shtretërit e lumenjve janë tharë, nuk pasqyrojnë asgjë.
Në darkë, e ulur në një tavolinë tjetër, qëndronte një grua hijerëndë. Kamerieri e thërriste "Zonja". Ishte një vejushë dhe atë ditë festonte tetëdhjetëvjetorin e lindjes. Vinte nga qyteti bregdetar i Helsenburgh dhe ishte vizitore e mësuar prej vitesh me hotelin. I vetmi kamerier, një burrë i dobët rreth të 40-ave, edhe pse ishte shumë i dehur, arrinte ta mbante veten para zonjës. Por, ndërsa i shërbeu ushqimin i ra pak gjellë në tavolinë. Zonja mori frymë thellë dhe e shikoi shtrembër. Kamerieri u bë erë, shkoi në kuzhinë dhe mori një shishe verë të kuqe dhe ia dha si dhuratë për ditëlindje nga hoteli. Zonja e pranoi me shumë elegancë dhe më pas filloi të shijonte verën.
"Ku do të shkoni për shëtitje nesër", i tha bashkëshortes sime Penny. "Në luginë, rrugës përgjatë lumit". "Mua më pëlqejnë majat e maleve", tha zonja. "Burri im kur ishte gjallë vinte deri në gjysmë të rrugës, pastaj nuk mundej më. Kështu e lija pas dhe vazhdoja vetëm në rrugën time. Unë jam një grua e lindur vetëm për majat e maleve", shtoi ajo. Ndërkohë bashkëbisedimi mori fund aty. Duke qenë se nuk kishim lindur "për majat e maleve" si ajo, quheshim njerëz të thjeshtë dhe në sytë e saj e kishim humbur të gjithë vlerën.
Ditën tjetër vendosëm të vizitonim luginën. Me atë pamje të mrekullueshme që u shfaq para syve të mi, mendova për arsyet e shumta që historia e vendit tim më nervozon dhe vazhdon të ushqejë atë kolerë. Kur eci mbaj gjithmonë me vete një peshë të rëndë, që më shtyp dhe më këput. Por, duke përshkuar atë luginë të bukur dhe duke shkelur mbi ato kodra kuptova arsyet e zemërimit tim: është inati që jetojmë nën sundimin e huaj në një tokë që sa vjen e na përket më pak ne hebrenjve.
Autori
Raja Shehadeh, lindur në vitin 1951, është një avokat e shkrimtar palestinez dhe jeton në Ramallah, në Bregun Perëndimor. Ka studiuar për drejtësi në Londër dhe është autor i disa librave mbi të drejtën ndërkombëtare. Ka themeluar organizatën "Al Haq", e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2008 ka fituar çmimin "Orwell prize" me librin "Palestinian walks"





