Ndërsa jemi duke fjetur, truri ynë vazhdon të punojë për të përforcuar atë që kemi mësuar. Ky është përfundimi i një studimi i publikuar nga revista "Science". Në këtë mënyrë mund të përmirësohen edhe më shumë metodat e mësimit
Shkenca nuk ua ka vënë kurrë veshin pohimeve që për të mësuar gjuhën franceze ose kineze mund të dëgjosh një mësim në CD, ndërsa je duke fjetur. Gjithsesi, shumë shkencëtarë kanë arritur në përfundimin se nëse do ishte i mundur mësimi, leksioni i gjuhës me shumë mundësi do të zgjonte këdo që është në gjumë, por asnjëherë nuk do të ishte e mundur që në një tru, i cili është në gjumë të thellë, të hyjnë fjalë ose shprehje të ndryshme. Ndërkohë, një studim i ri, i fokusuar në një tjetër metodë dëgjimi gjatë gjumit, na lejon të kuptojmë më mirë se në ç‘mënyrë funksionon një tru, i cili është duke fjetur.
Shkencëtarët e "Northwestern University" kanë bërë me dije se transmetimi i disa tingujve zanorë specifikë, ndërsa jemi duke fjetur, u ka shërbyer disa personave që i janë nënshtruar këtij eksperimenti, të kujtojnë mësimet që kishin studiuar para se ata të binin për të fjetur. Pas analizave rezultoi se kujtesa e të gjithë atyre që iu nënshtruan eksperimentit ishte përmirësuar dukshëm.
Revista e njohur "Science" ka publikuar një artikull për studimin në fjalë, gjatë të cilit shkencëtarët u kanë kërkuar disa personave që marrin pjesë në eksperiment të vendosin në një ekran 50 pamje të ndryshme nga vendet e tyre. Çdo pamje ishte e shoqëruar nga një tingull i veçantë, për shembull një mjaullime i korrespondonte fotografia e maces dhe zhurma e helikave fotografisë së helikopterit. Dymbëdhjetë nga personat e përzgjedhur kanë marrë një sy gjumi të mirë, gjatë të cilit 25 prej zërave të dëgjuar më parë u transmetuan së bashku me një "zhurmë të bardhë". Kur u zgjuan nga gjumi, asnjëri prej tyre nuk e kuptoi se i ishte nënshtruar një "koncerti" të tillë tingujsh.
Megjithatë të gjitha "kaviet" kanë kujtuar me saktësi shumë të lartë vendosjen e pamjeve në kompjuter, tingujt e të cilave ishin transmetuar gjatë kohës që ata flinin, ndërkohë që kanë hasur pak vështirësi te 25 pamjet e tjera që nuk ishin të shoqëruara me tinguj.
"Kemi arritur t‘u kujtojmë personave informacione shumë specifike, mbi ato që ata kishin mësuar", ka thënë Ken A. Paller, neuroshkencëtari i njohur në "Northwestern Univerity", bashkautor i këtij studimi: "Ideja është që gjatë kohës së gjumit, procesi i përforcimit të informacionit të marrë të vazhdojë edhe më tej. Gjithashtu, kjo është një metodë e mirë për ta forcuar edhe më shumë kujtesën. Me këtë eksperiment kemi treguar se falë aparatit akustik mund të fitojmë informacione edhe gjatë kohës së gjumit, si dhe mund të forcohet kujtesa përmes zërave specifikë për çdo fazë të mësimit".
Ky studim e vërteton më së miri teorinë, sipas së cilës gjumi i krijon mundësinë trurit që të analizojë e të përforcojë edhe më shumë kujtimet. Por jo të gjithë ekspertët e fushës kanë qenë entuziastë për rezultatet e mbledhura nga ky studim. Robert P. Vertes, profesor i neuroshkencës në Florida Atlantic University, ka thënë se rezultatet e mbledhura "kanë pasur një efekt aq dytësor, saqë ndoshta do të ishte më mirë të thuhej se nuk ka asgjë domethënëse".
Megjithatë, autorët e këtij studimi janë të mendimit se sigurisht që ia vlen të vijojnë me këto kërkime. Gjithashtu, ata kanë shtuar se nuk ishte e parashikueshme që personat e zgjuar do të kishin kujtesë shumë të mirë falë edhe të dhënave zanore, megjithatë studimi është shumë i rëndësishëm, pasi ka treguar se edhe në momentin kur jemi në gjumë mund të mësojmë.
Të gjithë personat që iu nënshtruan këtij eksperimenti kanë fjetur për rreth 90 minuta, një kohë e mjaftueshme për të eksperimentuar gjumin e thellë apo gjumin e shkurtër, por jo në fazën REM.
Ndërkohë, disa shkencëtarë mendojnë se gjatë gjumit të shkurtër, truri arrin të forcojë kujtimet faktike, ndërkohë që në fazën REM të gjumit truri përzgjedh dhe i organizon kujtimet. Autorët e studimit dhe ekspertë të ndryshëm konfirmojnë se kontributi kryesor i kërkimit të tyre konsiston në faktin se kanë arritur të ndihmojnë dhe të kuptojnë edhe më mirë procesin e formimit dhe përforcimit të kujtesës, e cila është perifrazuar nga Walker në këtë mënyrë: "Duhet të dimë diçka: është shumë e rëndësishme që të bëhen 8 orë gjumë të mira".





