Dieta, mikeshë e lëkurës

Të frenosh me ushqime plakjen e lëkurës është e mundur. Njerëzit e dinë mirë se dietat ushqimore janë thelbësore për të ruajtur sa më gjatë rininë tonë

Rreth 70 për qind e shenjave të plakjes së lëkurës i detyrohen stilit të jetesës dhe zakoneve të gabuara. Ndaj, një dietë "mike" për lëkurën mund të na ndihmojë ta shmangim gjithë këtë. Vitamina A, për shembull që gjendet te karota dhe pjepri, vonon plakjen e saj, vitamina B që gjendet te kivi apo soja rigjeneron epitelin, vitamina C e pranishme te portokajtë apo limonët është një antioksidues i fortë, ndërsa në fund vitamina E mban në gjendje të mirë indin konjektiv. Për të na kujtuar se lëkura është pasqyrë e mënyrës se si ushqehemi, mjekët nuk ngurrojnë të na japin me qindra këshilla për një ushqyerje korrekte, të balancuar dhe të shëndetshme. Ekspertët nënvizojnë se si vitamina E dhe C "ngadalësojnë" plakjen e lëkurës dhe luajnë një veprim mbrojtës ndaj saj. Një kapacitet ky që rritet rreth 2 herë e gjysmë më shumë me luteinën (antioksidues që rinon lëkurën, mbron sytë dhe zemrën) e perimeve me fletë jeshile apo të brokolit. Dieta së cilës i mungojnë proteinat ka pasoja negative mbi plakjen e lëkurës, mbi shfaqjen e rrudhave në të dhe rënien e flokut. Shumë të mirë për të qenë gjithmonë të "rinj" e pa rrudha janë edhe çaji jeshil, i cili shërben si antioksidues natyral, kakaoja që përmban një flavonoid dhe luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e indit të lëkurës. "Ushqyerja është thelbësore në dermatologji në nivelin e indeve, elasticitetit dhe parandalimin e shumë llojeve të ndryshme të tumoreve të lëkurës", tregojnë specialistët. Për të pasur një lëkurë që duket e shëndetshme, gjë që nuk e arrijnë në mënyrë natyrale, gjithmonë e më shumë femra përdorin "fillera", substancat e aplikuara për të mbushur dhe larguar rrudhat. "Fillerat janë një diapozitiv mjekësor që gjenden në treg, por që shpesh përdoren pa u testuar. Shumë prej tyre kanë edhe efekte të rrezikshme, ndaj është e nevojshme që të mos praktikojmë fillerat e vazhdueshme", thonë ekspertët. Ata rekomandojnë se duhet pasur kujdes edhe me trajtimet estetike, si "peeling" apo përdorimi i lazerit. E dimë tashmë shumë mirë se dietat janë thelbësore për ta ruajtur sa më gjatë rininë tonë. Sipas një dermatologu të shquar amerikan, një nga gjërat që e plak lëkurën është sheqeri, pra gjëja më e mirë që mund të bëjmë për rrudhat e fytyrës është reduktimi i tij. Sipas tij, sheqeri degradon elastinën dhe kolagjenin, pra me fjalë të tjera të plak. Një nga pikat kyçe të dietave është konsumimi i sa më pak karbohidrateve. Por, sigurisht, dietat janë nga më të ndryshmet. Ka dieta vetëm me peshk, dieta me mish e verë e më pas janë edhe ato ekstremet që ndalojnë përdorimin e çdo lloj yndyre. Por, më të rekomandueshmet janë ato që kanë sasi shumë të vogla sheqeri, që rekomandojnë pirjen e çajit jeshil, eliminimin e patatinave dhe ushqimeve të yndyrshme të çdo lloji, që rekomandojnë verën e bardhë të përgatitur nga lëkura e rrushit të kuq etj. Në përfundim, dieta është shumë e rëndësishme, por e vetme nuk sjell rezultat.

Ushqimet

Të dukesh gjithmonë e re është ëndrra e përjetshme e femrave dhe për të arritur këtë qëllim, që në fakt është i paarritshëm, shpenzohen çdo vit miliarda dollarë në kozmetikë e ndërhyrje kirurgjikale. E, megjithatë, rezultatet jo gjithmonë janë të kënaqshme. Po a ka në të vërtetë ndonjë gjë që do t‘i nxirrte përfundimisht "jashtë ligjit" rrudhat.

Ushqimet alkaline, të cilat duhet të merren në sasi më të madhe në dietë, janë pothuajse të gjitha perimet, veçanërisht ato me gjethe të gjelbra dhe supat e gatuara me to. Ato ndihmojnë jo vetëm për një lëkurë më të mirë, por edhe për një shëndet më të mirë. Lakra, në mënyrë të veçantë, është pastrues i shkëlqyer për trupin e fytyrën, e pasur me vitamina dhe minerale. Ndërmjet bishtajoreve, kokrrat e sojës janë më shumë alkaline, një trajtim i shkëlqyer për mbiaciditetin. Po ashtu, qumështi, gjalpi dhe veçanërisht dhalla, mjalti dhe melasa. Shumica e familjes së arrave, si bajamet, gështenjat, lajthitë, frutat dhe lëngjet e frutave, veçanërisht ato të lëngshmet. Ekspertët e të ushqyerit i quajnë frutat "alkalinizatorët më të mirë dhe pastruesit e brendshëm më të njohur dhe ilaçin më natyral". Mollët janë të pasura në kalium, i cili ndihmon në neutralizimin e toksinave në gojë dhe si rrjedhojë, ato janë pastrues të shkëlqyer për dhëmbët, mishin e dhëmbëve dhe lëkurën. Fiqtë kanë një ferment të veçantë që quhet ficinë, e cila tret helmet në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe ndikon edhe në shëndetin e lëkurës. Ato përmbajnë edhe seratoninë, që mendohet se forcon dhe përmirëson shëndetin. Studiuesit dhe të mençurit e hershëm nga Lindja e Mesme agjëronin për shumë ditë, duke ngrënë vetëm fiq dhe pinin ujë për të arritur fuqi mendore superiore. Një mendje e kthjellët është gjithmonë e rëndësishme për një fytyrë të qetë dhe të shëndetshme.

Ananasi përmban bromelin, e cila pastron pankreasin, ndërsa

domatet janë shumë alkaline dhe neutralizuese të aciditetit.

Bananet përmbajnë një sasi të mirë kaliumi, i cili është i mirë për nervat. Ato janë një gjallërues i shkëlqyer i depresionit nervor kur kemi mungesë kaliumi. Frutat tropikale janë veçanërisht ushqyese kur merren së bashku me qumështin.

Uji ose qumështi i arrave të kokosit është një trajtim i shkëlqyer për çdo lloj sëmundjeje që shkaktohet nga aciditeti. Të copëtuara, të përziera me farat e glikanxos, janë një tjetër ushqim i mirë. Kajsitë janë një burim i vitaminës A dhe të hekurit. Limonët janë shumë alkalinë. Për këtë arsye, lëngu i tij këshillohet nga murgjit si një ilaç i mrekullueshëm për pothuajse të gjitha sëmundjet. Pini ujë me limon çdo ditë, në sasi të vogla herë pas here. Është shumë mirë nëse ju i shtoni pak kripë ose mjaltë (megjithëse limonët dhe frutat e tjera të agrumeve janë vetë acidë, ata prodhojnë një reaksion alkalin gjatë tretjes). Portokajtë janë gjithashtu shumë pastrues dhe kanë në përmbajtje të lartë vitaminën C.