Petrika GROSI
Poeti, prozatori dhe publicisti Izet Shehu vijon debatin e hapur nga gazeta mbi kritikën letrare. Sipas tij, veç mospërshtatjes së kritikëve të vjetër me kohën dhe mbetjes së tyre prapa nga kritika bashkëkohore botërore e nga zhvillimet e saj, është edhe puna që ata kanë bërë në të kaluarën, apo të fshehtat e tyre të errëta gjatë komunizmit, që mund t’i pengojnë këta kritikë në shumë raste për ta thonë fjalën e tyre me autoritet dhe në këtë mënyrë të vendoset një sistem i drejtë vlerash e të bien antivlerat. Shpresat e vetme mbeten te kritikët e rinj, të cilët duhet të formohen jashtë shtetit dhe më pas të mbështeten nga strukturat përkatëse, në mënyrë që të institucionalizohet kritika letrare shqiptare.
A ka kritikë letrare sot në Shqipëri?
Në kohën që flasim kritikë të mirëfilltë letrare në Shqipëri nuk kemi. Kemi recensa e prezantime librash por kritika e mirëfilltë na mungon. Kanë vërshuar shkrimet, pasi demokracia si gjetja më e mirë, siç ka lirinë e tregut ka dhe lirinë e të shkruarit. Shkrimet nuk mungojnë në të gjitha gjinitë, prozë e poezi, dramë e teatër. Disa shkruajnë dhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe i shohim këtu teksa quhen në gazeta “shkrimtari i madh”, “poeti i madh, i përkthyer në aq e kaq gjuhë...” etj. Por, më parë do të thosha le të shohim se kush ka shkruar mbi ta dhe çfarë ka shkruar? A janë kritikë të njohur apo njerëz të zakonshëm, qoftë dhe të një vendi të madh si SHBA-të, Franca, Gjermania etj. Shpesh, këta autorë dalin në ekranet televizive dhe citojnë ato që të tjerët kanë thënë për ta, duke e paraqitur veten si gjeni. Megjithatë, them se letërsia po ecën dhe nuk duhet të jemi nihilistë, as për të djeshmen e as për të sotmen.
Po para viteve ’90, a kemi pasur kritikë të vërtetë dhe ku janë sot ata?
Edhe ata që janë heshtin. Shikoj ndonjë Adriatik Kallulli apo edhe disa emra të tjerë, por në përgjithësi kritikët e djeshëm kanë heshtur. Nga më të rinjtë, është e admirueshme puna studimore e Sadik Bejkos, Behar Gjokës, Mexhit Prençit e Agron Tufës.
Moikom Zeqo, në intervistën që zhvilluam para pak ditësh me të e vë theksin te shndërrimi fatkeq i kritikës në recensa dhe vlerësime superlative, po ju?
Për një libër, shpesh shkruajnë miqtë dhe shokët, për mikun dhe shokun. A ka subjektivizëm? Patjetër që nuk mungon. Një libër me poezi, tregime apo një roman qoftë, nëse është i mirë, atëherë recensuesit duhet të na japin analiza dhe pasazhe nga vepra, për të treguar sa më objektivisht që produkti është vërtetë i tillë dhe nuk është spërkatur me lëng trëndafilash artificialë.
Mjafton që një autor i yni të botojë diçka jashtë shtetit dhe vjen këtu duke u pritur si hero i letrave shqipe, gjeni etj. Ç’do të thoshit lidhur me këtë?
Një fenomen të tillë e kam vënë re, madje me pak rezervë. Ata kanë botuar libra jashtë dhe na i servirin këtu, një apo disa vepra, me pak faqe apo voluminoze, të shoqëruar edhe nga shkrime e opinione të ndryshme, që të tjerët kanë thënë për veprën e tyre. Ajo që ngelet e paqartë është se kush janë këta vlerësues e kritikë të huaj të autorëve tanë të “shquar”? Njerëz të thjeshtë e diletantë, apo profesionistë të panjohur... Në të dyja rastet, them se autorët shqiptarë duhet të jenë më modestë dhe ta frenojnë delirin e tyre të madhështisë. Nëse një njeri do të ishte i famshëm dhe me vlera, së pari mendoj se do të kishte kritikë dhe vlerësime në vendin e tij. Nuk mund të besoj se një ditë të bukur, mund të na vijë dikush nga jashtë, i cili është bërë aty i njohur, ndërkohë që as në vendin e tij nuk e njeh njeri.
Mos ndoshta është shenjë e kompleksit të inferioritetit ndaj të huajve, ky pranim si vlerë e mirëqenë e çdo gjëje që vjen nga jashtë?
Ne flasim për letërsinë shqiptare dhe kjo letërsi, pikësëpari shkruhet në shqip. Ardhja e saj nga jashtë duhet të jetë normalisht edhe në libraritë tona por këto libra mbeten në kuadrin e emisioneve televizive dhe të rubrikave të kulturës në gazetat e ndryshme, ku këta autorë pyeten nga gazetarët dhe japin vetë përgjigje e vlerësime mbi veprën e tyre. Jam i mendimit se veprën tënde, në fillim duhet të ta pëlqejë populli yt e pastaj të tjerët. Nuk mund të dalësh në një taban të zbrazët dhe nuk ma ha mendja se dikush mund të ketë një vërshim të tillë. Një pyetje që kam do të ishte, a është origjinale letërsia e këtyre krijuesve shqiptarë që botojnë jashtë shtetit? Ka shumë njerëz që edhe para viteve ‘90 shkruanin poezi e tregime dhe më vonë, kur Shqipëria u hap, pamë se kishin ndikime të shkrimtarëve e poetëve të vendeve ku ata kishin studiuar. Pra, kritika duhet të nxjerrë në pah edhe origjinalin nga kopjimet.
Për t’u kthyer te fillimi, nuk besoni se kemi ndonjë kritik të mirëfilltë në Shqipëri?
Ne i bëjmë gjërat me shumë subjektivizëm. P.sh. Kohët e fundit, Ali Aliu ka bërë një antologji poetike. Antologjia u bë në bazë të njohjeve që kishte Aliu dhe në bazë të miqve që e prisnin dhe e përcillnin kur vinte këtu. Nuk besoj se ai ka marrë për bazë kriteret dhe vlerat letrare. Anarshia e vlerave vjen pikërisht nga këto gjëra; mungesa e objektivizmit në vlerësime e në përzgjedhje dhe nga mospasja e një kritike të mirëfilltë letrare.
Me antologjitë vihet re ky problem. Ata që i hartojnë këto përmbledhje fusin miqtë dhe të njohurit apo miqtë e miqve të tyre.
Për ta institucionalizuar këtë kritikë të munguar, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët?
Të rinjtë e sotëm kanë mundësinë që të studiojnë jashtë dhe t’i shtrijnë horizontet e tyre, duke marrë përvojën e kritikës letrare bashkëkohore në vendet ku studiojnë e më gjerë. Më pas, me formimin dhe talentin e tyre, ata mund të kthehen dhe të merren me veprat shqipe e të huaja, prurjen e botimeve të ndryshme të këtushme, duke i ndarë vlerat nga antivlerat, të veçantën nga banalja.
Universitetet shqiptare, a janë të mjaftueshme për t’i përgatitur këta kritikë, të cilët krijuesit mezi i presin që të lindin?
Në universitetet shtetërore pedagogët merren pa kritere ndaj mendoj se nuk ato nuk kanë nivelin e duhur.
Së fundi, pas viteve ’90 keni qenë dy herë deputet dhe antar i komisionit parlamentar për “Pastërtinë e Figurave”. A mendoni se dosjet dhe e kaluara e errët e komunizmit, i mbajnë peng shumë shkrimtarë e kritikë, që të mos e thonë të vërtetën dhe të mos e përmbysin hirearkinë false letrare?
Jam një njohës i rregullt i të gjitha gjërave që janë publikuar për dosjet, madje jam përfolur shumë. Patjetër që e kaluara e mban peng kritikën. Një i thyerr është i strukur. Ai mund të ketë aftësi, por e shkuara e mban të lidhur. E vetmja shpresë për kritikën është te të rinjtë. Siç vijnë prurjet e reja në letërsi ashtu do të vijnë dhe prurjet e reja në kritikë.
Home »
» Izet Shehu: “Kritika letrare, peng i së shkuarës dhe i miqësive”





