Ardian Marashi: “Universitetet janë fajtorë për kritikën e dobët letrare”

Petrika GROSI

Prof. Marashi, a kemi kritikë letrare sot?
Absolutisht që kemi kritikë letrare, por mundësia e kësaj kritike për të qenë në qendër të vëmendjes është krejt e vogël, për vet faktin e mungesës së revistave të specializuara që do të jepnin hapësirë dhe shtytje për këtë kritikë të mirëfilltë letrare. Ndoshta kjo lloj kulture mungon te ne.

Ku ndodhen këta kritikë dhe kritika e tyre?
Jeni i ndërgjegjshëm që një pjesë e kësaj kritike ndodhet edhe në faqet e gazetës suaj, te “Albania e vogël”. Ideja është se shkrimet që botohen aty, vetiu përzgjidhen dhe kjo është një lloj kritike. Gjendja paraqitet më ndryshe në fushën e studimeve; vetëm vitet e fundit, kanë dalë nëntë vepra monografike me vlera, të cilat hedhin dritë mbi periudha të caktuara të historisë, letrave shqipe, mendimit dhe të rrafshit të zhvillimeve letrare në përgjithësi. Ajo që mungon është sistemi i referimit të kritikës letrare. Në artet në përgjithësi, ky sistem është disi i shpërndarë sa u takon referencave duke nisur që nga Anglia, Gjermania, Franca etj. Ndonëse kjo ekzistencë, apo afirmimi i kritikës nuk është e dukshme për shkaqe të caktuara, ajo nuk mund të mohohet.

Megjithatë, lexuesi shqiptar duket i çoroditur dhe nuk di se si të orientohet mes dhejtra e dhjetra botimeve të reja që dalin çdo muaj pa asnjë kriter. Si ka mundësi që nuk kemi të paktën një kritik, i cili të dalë dhe të thotë fjalën e tij për këto botime?
Ajo që mungon është kritika profesionale. Kjo, në kuptimin që kritiku të merret ekskluzivisht vetëm më kritikën dhe studimin e veprave të artit dhe jo me punë të tjera. Të formosh një kritik është punë e lodhshme dhe e gjatë. Duhet investuar për vite të tëra por edhe pritja e kritikut nga publiku nuk është e përditshme. Duhet të jenë disa kritikë të konfirmuar të cilat të marrin përsipër paraqitjen, reklamimin dhe studimin e veprave të ndryshme. Kjo punë nuk mund të bëhet nga njerëz që thjesht e kanë si hobi këtë punë. Pikërisht kjo, sjell dhe jo vetëm dëmtimin e cilësinë, por kufizon dhe drejtësinë dhe nivelin e kritikës. Shkrimtari mund të jetë konservator. Ai mund të shkruajë edhe sot si Eskili dhe në shoqëri të jetë i mirëpritur, por kritika duhet të njohë qasjet bashkëkohore dhe të mos i mungojë informacioni mbi zhvillimet letrare të vendit, e sigurisht ato të huaja. Sigurisht, kjo nuk ka si të realizohet nëse na mungon një kritikë profesioniste. Të gjithë kritikat që bëhen janë gati spontane. Më thoni ju, kush ha bukë sot me kritikën? Shpesh shkruajnë persona me vullnetin e mirë, që kanë një formim letrar dhe duan të aktivizohen, por nuk ka një personel që të ndjekë nga afër zhvillimet e arteve dhe këtë ta bëjë në mënyrë të specializuar.

Jemi një shoqëri të lirë, me media, universitete, qendra studimore, përfshi edhe Albanologjinë. Detyrë e kujt mbetet kritika? Pra, kush duhet ta mbajë peshën kryesore të saj?
Pa dyshim që mbetet detyrë kryesore e pedagogëve të fushave përkatëse nëpër universitete. Ata duhet të punojnë me qasjet e reja dhe prurjet pozitive. Katedrat mund të afrojnë dhe njerëz me kontrata të përkohshme a të përhershme pasi kanë mundësi financiare më shumë. Megjithatë kjo nuk ndodh; sa mundësi ka një pedagog sot që të ndjekë aktualitetin kur nuk është profesionist dhe angazhohet gjithë kohës me mësimdhënie në disa universitete?!

A mendoni se edhe shkrimarët që kanë talent mund të bëhen kritikë të mirë?
Mund të bëjnë kritikë por ata kanë një qasje të ndryshme për letërsinë. Një shkrimtar, normalisht është kritik sipas aparatit të vet konceptual për letërsinë. Pra, ai mund të gjykojë një letërsi të ngjashme me atë që bën vetë, duke qenë subjektiv dhe duke u qëndruar më larg stileve të ndryshme nga ai që i karakterizon. P.sh. Një shkrimtar modern do të shprehej ftohtë nëse do t’i duhej të fliste për klasikët... ndërsa kritiku mendohet që krijon distancën e duhur nga shkrimi për t’i parë gjërat me sy më objektiv.

Pse vazhdohet te ne, që kritikët e studiuesit të merren më shumë me jetën e shkrimtarëve se sa me veprën e tyre?
Këtë e bëjnë ngaqë është gjëja më e lehtë. Shpesh ndodh që studiuesit t’i kërkojnë shkrimtarit disa detaje nga jeta, të cilat shkrimtari i jep me dëshirë pasi ka qejf që t’i publikojë. Këto janë një lloj qasjeje tashmë e kaluar dhe një lloj adaptimi për ta njohur lexuesin me shkrimtarin. Nganjëherë, një gjë e tillë është e detyrueshme, sidomos për shkrimtarët që dalin për herë të parë ose që nuk janë ende të miënjohur.

Pse duhet të ngatërrohet këtu jeta me studimin e letrares?
Ngatërrohet sepse ne i bëjmë të gjitha bashkë; edhe jetën edhe veprën, edhe romanin dhe dramën edhe poezinë... Rezultati është i kuptueshëm.

Çfarë i duhet lexuesit se ku lindi x apo y shkrimtar, ku bëri shkollën, si jetoi etj., përderisa mbetet pa përgjigje pyetja kryesore; pse duhet ta lexojmë një vepër dhe jo një tjetër?
Me këto studiuesit mbushin faqet. Kjo mënyrë ka mbetur pasi nuk kërkon mundim të madh dhe as punë hulumtuese nëpër arkiva e biblioteka. Një tjetër fakt është edhe arsyeja pse e shkruan kritiku apo studiuesi atë që bën. Ndryshon puna kur kritikun e porosit një shkrimtar për një promovim, ndryshon puna kur del një artikull informues në gazetë apo kur kemi një kritikë ose ese në një revistë. Por, asnjëherë kritika e porositur nuk është cilësore.

Fjala kritikë nënkupton edhe vënien në dukje të të metave, pra kontradiktën, ndërkohë që në kritikat shqiptare shohim lavde pa fund dhe superlativa. Ç’do të thoshit?
Kritika është profesion i vështirë. Ajo kërkon personalitet. Së pari, kritika duhet të bëhet ndaj vetes si një reflektim e pastaj ndaj tjetrit.

Thatë se shkrimtarët porosisin kritikën, madje e blejnë atë...
Shkrimtarët kanë shpesh shumë më tepër akses nëpër media se sa kritikët ndaj edhe e përdorin këtë gjë për ta shfrytëzuar kritikën. Nevoja e vetë artit dhe e letërsisë është e madhe për t’u parë nga një sy i specializuar.

Si ka mundësi që vazhdohet ende të vlerësohet arti me metrin e botimeve jashtë shtetit. Një autor i çfarëdoshëm mund të botojë në shtëpi botuese të zakonshme jashtë kufijve dhe këto merren prapë vlera të miëqena?
Botimet që bëhet jashtë shtetit janë gjithmonë ato që vijnë nga konfigurimi i aktorëve të letërsisë brenda vendit. Nëse diçka do të botohet, fjala vjen në Rumani, përkthyesit atje njohin shkrimtarët që janë afirmuar këtu dhe vendosin për përkthimin. Rrallë ndodh që një person, i cili nuk njihet fare këtu të botohet në Francë, Gjermani etj.

Problemi qëndron te pranimi nga kritika shqiptare e këtyre botimeve si vlera të mirëqena, krahasimet me kolosë të letërsisë botërore etj. Fundja, me një mijë euro, kushdo mund të botojë një libër në shtëpi botuese të dorës së dytë jashtë shtetit apo jo?
(Qesh) Përsëri një lloj suksesi është botimi jashtë shtetit. Kritika nuk është e pranishme sa herë e kërkon nevoja e shkrimtarëve. Një autor ka nevojë edhe të shahet, por në mënyrë profesionale. Një autor mund të punojë dhjetë vjet për një roman dhe pasi e boton, për vite të tëra nuk dëgjon të thuhet asgjë për të. Një mënyrë për ta kompensuar këtë humbje brenda është botimi jashtë. Një gjë e tillë i sjell sadisfaksion shkrimtarit.

Pa pasur asnjë reaksion në vendin ku botohet ky libër dhe pa u shkruajtur për të, qoftë dhe dy radhë nga një kritik serioz i vendit botues, çfarë suksesi mund të quhet? Mos ndoshta kemi të bëjme ende me kompleksin e inferioritetit të shqiptarëve ndaj gjithçkaje që vjen nga përtej kufirit?
Situata është e tillë por me kalimin e kohës do të ndryshojë.
Për mendimin tim, kur botohet diçka jashtë qoftë dhe në një revistë jo prestigjoze, është një arritje dhe e ka një vlerë pasi ka kaluar në disa filtra. Botimi, ndoshta mund të bëhet dhe me paratë e vet autorit në një shtëpi botuese të vogël, megjithatë rëndësi ka përhapja e tekstit. Fati i librit është tjetër punë. Arti është një lloj egocentrizmi, pra, një univers ku artisti mund të shprehë egon e vet. Nevoja për dashuri shoqërohet me joshjen dhe sa më shumë që të joshës, aq më tepër do marrësh dashuri.

A ndikon mungesa e një letërsie të madhe në mungesën e kritikës së mirë letrare?
Në kuptimin teorik kritiku nuk formohet me elementin vendas por me elementin universal. Mendohet që baza për të gjithë kritikët në botë është e njëjtë dhe më pas ka përshtatje me materialet e ndryshme. Nëse nuk ekziston një shkollë e fortë kritike, ku mungesat e njohurive të mia plotësohen me njohuritë e tua, atëherë kritika nuk ka si të jetë e fortë. Më duket e pandershme që të themi se ne nuk kemi letërsi të mirë ndaj nuk kemi kritikë të mirë. Shpesh priremi të themi se nuk kemi kritikë fare, por nëse dikush e thotë këtë, a mund të thotë se nuk kemi letërsi? Minimumi, kritiku duhet të arrijë në një farë mase staturën e shkrimtarit, që vlerësimi i tij të ketë një efekt. Ka letërsi të madhe ka dhe letërsi të vështirë. Kritiku po deshi, punë ka mjaft. Kritika nuk mund të bëhet në mënyrë vullnetare. Pikësëpari ajo duhet të jetë formim, pastaj pasion dhe profesion. Nëse kritika çalon te të treja këto, atëherë dihet dhe niveli i saj. Nuk e mbështes pohimin që kritika është mbrapa pasi mungon niveli në letërsi. Për shumë vite kritika s’ka ekzistuar fare por bota ka nxjerrë kryevepra jo vetëm në letërsi. Që të kthehemi te aktualiteti, ajo që e kushtëzon kritikën e sotme mendoj se është mungesa e rrjeteve profesionale të kritikës, sidomos në katedrat universitare, të cilat duhet të ishin pika rrezatimi dhe ushqimi me qasjet e terminologjinë dhe metodat e reja të kritikës.