Hija e Peter Schlemhil në letërsinë gjermane dhe botërore

JONILA GODOLE

Historia e njeriut që shiti hijen e vet, do të kthehej në një nga sukseset më të mëdha letrare të shekullit 19 në Gjermani dhe jashtë saj. Humbja e hijes si paralajmërim për humbjen e shpirtit.

Kjo është eseja që Jonila Godole, përkthyesja e „Historia e çuditshme e Peter Schlemihl", ka shkruar për veprën e Adelbert von Chamissos

Dhjetë vjet më parë, gjatë përkthimit të tragjikomedisë „Procesi për Hijen e Gomarit" nga Friedrich Dürrenmatt, u pushtova kaq fort nga motivi i hijes, sa nisa të kërkoja për autorë dhe vepra të ngjashme që kishin në qendër këtë subjekt pa kohë dhe hapësirë.
Dürrenmatt vetë shënonte në krye të veprës se ishte frymëzuar nga Christoph Martin Wieland (1733-1813), edhe pse me subjekt të tjetërsuar. Hijen, ose thënë ndryshe: Tjetrin, të ngjashmin, sozinë tonë do ta hasja shpesh, sidomos te romantikët gjermanë, Chamisso, E.T.A.

Hoffmann, apo te Hans Christian Andersen, te Hermann Hesse, Hugo von Hoffmannsthal dhe deri te Dostojewskij. Por „Historia e çuditshme e Peter Schlemihl" e Adelbert von Chamisso, shkruar në gusht/shtator 1813 dhe botuar më 1814 është vepra e parë në letërsinë botërore që e përdorur Hijen dhe mungesën e Hijes si motivin e saj qendror.

Dy tregimet e mëvonshme të shkrimtarit tjetër gjerman fantastik E.T.A. Hoffmann, "Aventura e natës së Vitit të Ri" (Die Abenteuer der Silvesternacht) dhe „Historia e shëmbëlltyrës së humbur" (Die Geschichte vom verlorenen Spiegelbilde) nuk ishin veçse replika ndaj Schlemihlit. Njësoj si rrëfimi „Hija" (Der Schatten) i Andersenit.

Ndërsa studiues dhe kritikë letrarë përqendrohen te interpretimi i Hijes si çelës kuptimor i veprës, vetë Chamisso e thjeshton mitin e ngritur rreth historisë: „Gjatë një udhëtimi kisha humbur kapelën, trastën e bukës, dorezat dhe valixhet. Miku im Fouques më ngacmon duke më thënë: 'Mos ke humbur gjë edhe Hijen?'

Dhe vramë mendjen për këtë fatkeqësi." Pra, indikatori i parë i motivit ishte fatkeqësia si burim i humbjes së Hijes. Në një letër që Fouque (Friedrich de la Motte Fouque - botuesi i veprës) i drejton mikut të tyre të përbashkët Hitzig në tetor 1839 shënohet një version i dytë: "E kam si sot para syve.

Dielli i drekës në Nennhausen na i lëshonte hijet poshtë këmbëve, ne ecnim të dy duke biseduar siç bënim zakonisht. Kur Adelberti qëndroi dhe tha: Sikur njëri prej nesh të humbte beft Hijen, apo sekush të vetën? Të dy u çmeritëm."

Në një variant të tretë një mik tjetër i të dyve, Wilhelm Rauschenbusch, jepet sërish shëtitja e mësipërme: "Dielli lëshonte hije të gjata, aq sa Hija e Fouque-së shkurtabiq dukej po aq e bëshme sa ajo e Chamissos trupgjatë. 'Si thua, Fouque' i kthehet Chamisso, 'nëse unë ta palos hijen tënde dhe ti ecën përkrah meje pa Hije?' Kjo pyetje e tmerroi dhe pështirosi mikun njëherazi dhe ai e shtyu Chamisson të vazhdonte akoma me shtjellimin e historisë."

Emri i personazhit, Schlemihl, është frymëzuar nga Talmudi. Sipas traditës hebraike me këtë emër thërriteshin njerëzit fatkeqë dhe të pazotë që nuk arrijnë të bëjnë asgjë të hajrit.

Në një letër drejtuar të vëllait, Chamisso shkruan për personazhin e tij: „Një Schlemihl mund ta thyejë gishtin duke e mbajtur në xhep; mund të rrëzohet mbi shpinë dhe të thyejë hundën; ndodhet gjithmonë në kohën dhe vendin e gabuar." Një njeri pa fat, me pak fjalë, që për hir të mendjelehtësisë mund të humbasë gjithçka, edhe pse Peter Schlemihl nuk është kryekëput i pafat gjatë rrëfimit.

Chamisso që kishte botuar edhe vepra të tjera letrare, më së shumti poezi, por pa pasur ndonjë sukses të madh, nuk se kishte ndonjë pritje të madhe për „Historinë e çuditshme..."

Historia u shkrua për të zbavitur fëmijët dhe të shoqen e mikut të tij Hitzig, i cili e kishte ftuar të bujtte tek ata në fshat, pas tërheqjes nga lufta e Prusisë kundër Bonapartit, ku Chamisso ndodhej mes dy zjarreve, pasi i duhej të luftonte për atdheun e tij të ri, kundër dheut mëmë, Francës.

Askush e aq më pak Chamisso, do ta kishte besuar atëherë se historia e njeriut që shiti hijen e vet, do të kthehej në një nga sukseset më të mëdha letrare të shekullit 19 në Gjermani dhe jashtë saj.

Pjesa më e madhe e studiuesve që janë marrë me Hijen e Schlemihlit janë mbështetur kryesisht te biografia e autorit, duke e reduktuar veprën në përputhjen e Chamissos me figurën e Peter Schlemihlit: Humbja e Hijes sipas tyre i përafrohej jetës së autorit, si një person pa atdhe, pa rrënjë, nëse Hija do të merrej në një kontekst më të gjerë, ajo mund të ishte një shenjë e jashtme për përkatësinë fetare, pronën dhe statusin shoqëror.

Sidoqoftë reduktimi i simbolit të Hijes në një grusht të dhënash biografike të autorit, - përshkrimi i Peter Schlemihlit është shumë i ngjashëm me atë të Chamissos vetë, qoftë nga ana fizike, qoftë nga veprimtaria natyraliste-shkencore në fund të rrëfimit, - mbetet i njëanshëm, pse dihet që në letërsi përvojat vetjake të autorëve gjithmonë përthyhen në simbole të caktuara.

Chamisso u përball me problematikën e interpretimit të Hijes qysh në të gjallë. Në parathënien e përkthimit francez të librit „Historia e çuditshme e Peter Schlemihl", Adelbert von Chamisso shkruan mbi orvatjet interpretuese: "Historia ka rënë në duart e njerëzve që duke qenë mësuar të lexojnë për t'u mençuruar, kanë vrarë mendjen të rrokin nënkuptimin.

Shumë prej tyre kanë ngritur hipoteza interesante për Hijen; të tjerët, duke e respektuar personin tim si më të ditur, nga sa jam vërtet, m'u drejtuan për të mësuar zgjidhjen e dyshimeve të tyre. Pyetja, me të cilën m'u hodhën përsipër më bëri të skuqem për padijen time."

Pse ndryshe nga sa mund të mendonte sekush, për Chamisson përgjigjja ishte e thjeshtë: Schlemihlit ia mori mendjen paraja, vlerën e të cilës e njihte, dhe nuk mendoi për gjënë më solide: Hijen. Kështu që fusha e interpretimit për më tej mbetet e hapur për këdo: pa Hijen, Schlemihl nuk ka më një jetë të zakonshme, humbet dashurinë e tij për hir të Rascalit, shërbëtorit që është pasuruar në kurriz të atij vetë.

Chamisso nuk i shpjegon asgjë lexuesit për konfigurimet e çuditshme që mbruhen në veprën e tij. Sikurse tregon edhe historia e krijimit të fabulës, Chamisso nuk se ka pasur ndër mend ndonjë ide filozofike të qenësishme, siç thoshte edhe vetë: "Me poezinë rrallë kërkoj të arrij diçka; kur një anekdotë, një fjalë, një figurë më trondit, mendoj, se edhe të tjerëve duhet t'u ndodhë njësoj, kështu që punoj me gjuhën, derisa ta arrij atë vizion." Kështu pra edhe historia e Hijes u krijua më tepër si një nevojshmëri e brendshme, mbrujtur prej vetvetes.

Këtë siç duket kishte parasysh edhe Thomas Mann, kur ndërsa shkruan për historinë e Peter Schlemihl nënvizon se, ideja e një krijimi mund të jetë krejt e rëndomtë dhe e rastësishme, por duart e shkrimtarit të duhur e bëjnë atë të pavdekshme dhe e kthejnë në xhevahir të letërsisë botërore.

Padyshim që në suksesin e veprës së Chamissos një rol të padiskutueshëm ka luajtur edhe periudha historike në të cilën u shkrua vepra: shkatërrimi i feudalizmit, shoqëruar nga rrënimi i vlerave njerëzore dhe shoqërore të kohës, dhe lindja e kapitalizmit, ku paraja, siç del qartë në novelën e Chamissos, luan një rol të rëndësishëm në shoqëri. (Tema e shndërrimit të karakterit njerëzor përmes parasë do të trajtohet shpesh në letërsinë romantike: tregimet e E.T.A. Hoffmann „Klein Zaches genannt Zinnober", të Balzac „La peau de chagrin", ose të Gogol „Portreti").

Vërtet historia e çuditshme të krijon përshtypjen sikur Peter Schlemihl është i vetmi person që humbet hijen e tij kundrejt parave, por kjo nuk i nënkupton detyrimisht të gjithë. Personazhi që shfaqet fillimisht si modeli i Peter Schlemihlit, Zoti John, është një qytetar në dukje i respektuar, edhe pse deri diku i humbur, pse i blerë më përpara nga burri i përhimë.

Ndërsa Chamisso e shihte veprën e tij si një përrallë, Thomas Mann përdor më vonë termin „novelë fantastike" (phantastische Novelle), një zhanër i përzier mes Boccaccios dhe Cervantesit, mes fantastikes dhe utopikes.

Zhdukja e qeseve me florinj dhe dalja e çizmeve shtatë-milëshe sjell shpresën në vend të ankthit. Destruktivja dhe konstruktivja zëvendësojnë njëra-tjetrën duke përcaktuar një zhvillim të ri. Në këtë kuptim, novela e Chamissos qëndron me të dyja këmbët në stilin fantastik dhe utopik.

Shumë autorë janë përpjekur ta shpjegojnë historinë e hijes së humbur me të dhënat biografike të Chamissos, si fëmijë emigrantësh francezë, duke lënë të nënkuptohet se Hija simbolizonte humbjen e atdheut, një temë aktuale në kohën kur jetoi Chamisso.

Që Peter Schlemihl ruan një farë ngjashmërie me autorin Chamisso, kjo nënkuptohet që në dedikimin e historisë: „Mikut tim të vjetër Peter Schlemihl", ku Chamisso njëherazi edhe distancohet: „Hijen e kam që me mua ka lerë, Hijen nuk e humba asnjëherë."

Figura e Peter Schlemihl u krijua në epokën e romantizmit, gati dy dekada pasi Friedrich Schlegel kishte përmbledhur më 1798, në revistën Athenäum, tiparet dalluese të letërsisë romantike: „

Poezia romantike është një poezi universale progresive". Që këtu nënkuptonte zhvillim, liri totale për përfundimin, për format dhe përmbajtjet e tjera. Schlegel kërkonte një përzierje të poezisë (gjuhë e lidhur me vargun) me prozën (gjuha e përditshme), të gjeniut (artistit) me kritikën (publiku), si dhe të poezisë artistike me poezinë natyraliste (poezia popullore).

Të gjitha këto tipare gjenden të mbrujtura në veprën e Chamissos; njëkohësisht edhe kërkesa e Schlegelit për „mbushje dhe ngopje të formave artistike me lëndë humoristike edukative të cilitdo lloj", të cilën Chamisso e arrin me kritikën e tij ndaj Kapitalizmit.

Duke studiuar konstelacionet e krijuara në veprën e Chamissos, të bien në sy reminishencat e Faustit të Goethes, duke nisur qysh nga dashuria tragjike e një vajze të thjeshtë që të kujton episodin e Gretchen. Të dyja çiftet jetojnë nga një dashuri e sinqertë e grave, ndërsa burrat kanë gjithmonë një problem të pazgjidhshëm përpara që i pengon.

Te Faust është mëtimi i njohjes ose lidhja me Mefistofelin, te Peter Schlemihl është humbja e Hijes dhe varësia nga burri i përhimë. Schlemihl vetë merr të njëjtën rrugë si Faust (ose Wilhelm Meister në një vepër tjetër të Goethes), pra del nga mikrokozmosi i vogël personal për të hyrë me anë të veprave të bamirësisë në makrokozmosin shoqëror.

Por, ndërsa te Goethe motivi i djallit është më gjithpërfshirës, duke i rrëmbyer Faustit shpirtin dhe pozicionin shoqëror, te personazhi i Chamissos, djalli merr pushtet vetëm në planin horizontal (social) përmes blerjes së Hijes, pa e prekur planin vertikal (shpirtin).

Ai humbet Hijen, sozinë, Tjetrin e tij, por nuk bën një pakt të dytë, jo pse zoti John e paralajmëron në fund, i shpërfytyruar në xhepin e djallit të veshur me gri, as nga frika e mallkimit të Zotit, por sepse ndjen neveri.

Romantikët, të cilët shihnin një lidhje mes fizikes dhe psikologjikes, e kuptonin „defektin" e të mos paturit Hije sikur një njeri i tillë të ishte i tejdukshëm, një fije e hollë qelqi që teorikisht nuk duhej të lëshonte Hije. Por një nëpërdukshmëri e tillë do të thoshte njëherazi edhe deformim: thelbi i njeriut goditej, shkatërrohej, sepse një njeri ndryshe nga drita duhet të lëshojë një Hije të dukshme mbi tokë.

Kështu që Schlemihli ynë me humbjen e Hijes, humbet edhe një pjesë njerëzore të tijën. Fjali të tilla si, "njerëzit për së mbari mëtojnë ta marrin me vete hijen, kur dalin në diell" (kap. 2) nënkuptojnë qartë rëndësinë e padiskutueshme të Hijes, të paktën në shtresën e lartë sociale.

Megjithë pasurinë e tij, Schlemihl nuk mund të jetë një pjesëtar i denjë i shoqërisë. Logjika „Ke diçka - Je diçka!", përkthehet në vepër me kredon „Zotëron një Hije - Ekziston!" Këtë ia bën të qartë Schlemihlit fshatari që takon në pyll, pasi nuk ka pranuar paktin e dytë me burrin e përhimë.

Humbja e hijes për një njeri të zakonshëm që jeton në botën bestytnore, nënkupton humbje të një pjese të personalitetit, ose bashkim me djallin. Izolimi i njëpasnjëshëm që provon Schlemihl nga shoqëria, i shërben atij sidoqoftë për meditim dhe vetëreflektim, për të gjetur rrugë të reja ekzistence në botë me gjithë gjendjen që ka. Por, çfarë simbolizon vërtet Hija në rrëfimin e Adelbert von Chamisso?

Në dallim nga një hije reale, Hija e personazhit Schlemihl ka karakteristika të tjera: ajo bëhet materiale, mund të shkëputet nga personi, mund të paloset dhe të futet në xhep, të shpaloset, të arnohet etj. Dhe siç duken këto karakteristika janë mëse të njohura edhe për figura të tjera në histori: piktori, babai i Minas, sikurse ka edhe një person që zotëron dy hije: i Përhituri.

Elementi surreal i Hijes këtu përforcohet nga cilësia e tij estetike: hije e bukur, e shkëlqyer, e pastër, e urtë, apo Hije paksa e zbehtë, apo e gjerë. Schlemihl nuk e merr më mbrapsht hijen, që është e kuptueshme nëse mbajmë parasysh ambivalencën simbolike të Hijes.

Hija simbolizon nga njëra anë vlerat kallpe që kërkohen nga shoqëria, pa të cilat njeriu do të jetonte i izoluar; kurse nga ana tjetër humbja e hijes është një paralajmërim: kush humbet hijen, fare mirë mund të humbasë edhe shpirtin.
Për C. G. Jung „hija" nënkupton pjesën e errët, të panjohur, të paeksploruar të personalitetit, një sozi që realizon dëshirat e parealizuara nga Uni.

Vetë djalli nuk ka Hije, njësoj si fantazmat apo demonët që trajtohen si „hije" më vete, si produkte të fantazisë njerëzore, e cila i trupëzon këto „qenie" duke i bërë ato të jetojnë.

Në mitologjinë greke gjithashtu të vdekurit bëjnë një jetë „hijesore": nuk ekzistojnë më në realitet. Duke iu kthyer prapë Jungut, nga përfundimi i historisë mund të thuhet se Peter Schlemihl në procesin e vetënjohjes, detyruar nga i përhituri forcon dhe pjek personalitetin e tij duke gjetur në fund harmoninë me vetveten.

Për lexuesin shqiptar motivi i Hijes është më se i njohur dhe nuk ka nevojë për qasje teorike ase filozofike. Frytshmëria e frazeologjisë shqipe me variante të ndryshme të këtij motivi më ka qenë ndihmë e madhe gjatë punës për përshtatjen e këtij rrëfimi.

Shprehje të tilla si: „Të humbtë hija!", „Nuk bën hije mbi dhé", „Nuk bën hije në diell", „Të marrtë hijen!", „Me pasë frikë nga hija jote" etj, më kanë qëndruar përherë përpara gjatë kohës kur Schlemihl përjetonte ndonjë nga krizat e tij të radhës kur dilte faqe njerëzve pa hijen e tij.

Ani pse jo rrallë, gjatë kohës që jam marrë me Chamisson, por edhe më pas, më ka ndodhur edhe mua diçka e çuditshme: ngado që hedh sytë, vërej më tepër njerëz që nuk lëshojnë hije, se anasjelltas: hije që bëjnë njerëz; njerëz krejt pa hije; të cilën e kanë lënë/humbur/shitur diku, dikur, me vetdije apo jo.

Tekembramja Chamisso ia lë interpretimin e Hijes lexuesit duke e mbyllur novelën me këshillën: "Në don të jetosh ndër njerëz, mëso të nderosh së pari Hijen, mandej paranë. Në don të mendosh veç për vete, oh, atëherë s'të lypset këshillë."