Një fëmijë shpjegon revolucionin komunist në Jugosllavi. Mbi romanin "Roli i familjes sime në revolucionin botëror" dhe disa fjalë për shkrimtarin e madh serb Bora Qosiq. Në fillim të viteve 60-të kishte kryer shërbimin ushtarak në Prizren.
Çfarë do bëhej sikur në ditët e tmerrit të zhdukej edhe humori? Me siguri terrori do të ishte edhe më i padurueshëm. Në filmin "La vita è bella" ("Jeta është e bukur") komiku Guido (Roberto Benigni) dhe miku i tij Ferruccio shkojnë në qytetin Arezzo në Toskanë për të gjetur fatin.
Guido dashurohet në një mësuese, e cila është e fejuar me një burokrat fashist. Guido është hebre. Në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore për hebrejtë ishte e ndaluar jo vetëm të dashuronin, por edhe të jetonin. Dikur, pas shumë përpjekjeve, Guido arrin t'ia marrë zemrën mësueses, të cilën e grabit në ditën e martesës. Kjo është gjysma e rrëfimit.
Në gjysmën tjetër Guido i përkushtohet edukimit të të birit, i cili dëshiron të bëhet muzikant. Jeta pa trazime nuk zgjat shumë, sepse e gjithë familja deportohet në një kamp shfarosjeje. Këtu Guido bën gjithçka që sistemi i shfarosjes t'i duket fëmijës si lojë. Vetëm humori i pashoq i Guidos arrin ta shpëtojë të birin e tij. Përmes humorit ai e demaskon fashizmin pa u tallur me viktimat.
Humor i hallakatur
Romani i Bora Qosiqit "Roli i familjes sime në revolucionin botëror" ka diçka të përbashkët me filmin "La vita è bella". Në njëzet skena Qosiq, përmes një fëmije naiv, përshkruan përditshmërinë në një familje të Beogradit në vitet 40-të, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një familje me mendje dhe humor të hallakatur.
I ati i fëmijës punon në një hekurishte, ku numëron gozhdë, me profesion është pijanec, e ëma përpiqet të mbajë rendin në shtëpi, gjyshi është një tip cinik, i cili me komentet e tij mbi zhvillimet në familje herë shkakton të qeshura herë ngjallë zemërim.
Tezet e fëmijës janë mendjemëdha dhe ëndërrojnë të martohen me aktorë amerikanë. Xhaxhai nuk flet për asnjë temë tjetër përveç se për femrat, të cilat si me magji i shtrin në shtratin e tij. Derisa jashtë mureve të banesës së familjes zhvillohet lufta e madhe mes nazistëve dhe komunistëve, në familjen e djaloshit naiv dominon ironia therëse.
Gjyshi mendon se sensacioni më i madh në Evropë është kur i biri i tij është esëll, nëna e qorton babain që është futur në vaskë për t'u larë dhe nuk e ka mbyllur derën ("Pse nuk e ke mbyllur, që mos të të shohin fëmija kështu siç je lakuriq!"
E babai pyet-përgjigjet: "Pse, mos duhet të lahem me kostum, a!"), në mbrëmje babai nxjerr kokën në dritare dhe në shtëpinë tjetër shikon një grua duke u zhveshur. Një i tretë, zoti Bakiq, i cili drejton një grup me "atletë të pastër serbë", ndërsa Anton Dreer, me gjasë një njeri me origjinë gjermane, fillon të prodhojë birrë, të cilën e quan "birrë serbe".
Në këtë mënyrë Bora Qosiq tallet me nacionalizmin serb, i cili edhe birrën dhe atletët i redukton në përkatësi kombëtare. Tërthorazi Qosiq vë në lojë edhe figurën e Josip Broz Titos. Kur një personazh, zonja Dorosava, thotë se ajo i njeh të gjithë shkencëtarët ndërkombëtarë, futbollistët, anëtarët e akademisë dhe krenohet se me të gjithë ka pasur marrëdhënie intime dhe romantike, gjyshi përgjigjet: "Të gjithë kanë qenë mekanikë!".
Këtu Qosiq i referohet profesionit të parë të Titos. Ndërkohë xhaxhai sjellë në shtëpi një doracak me titullin "Si të bëhesh monstrum me tetë leksione" dhe lavdërohet se di t'ua shprehë dashurinë femrave në katër gjuhë të ndryshme dhe këtë e ka mësuar nga libri "Dashuria në gjithë botën".
Komisarja dhe popi
Në familjen e fëmijës naiv nuk dominon vetëm humori, por edhe iluzionet. Xhaxhai një ditë thotë: "Pas luftës rusët me xhepa të fryrë do të shkojnë shtëpi më shtëpi dhe gjithë njerëzimit do t'i shpërndajnë dhurata". Gjyshi përgjigjet: "Thua se ata janë budallenj". Shpresat janë të mëdha se me fitoren e komunizmit të gjithë do të bëhen te pasur.
Madje anëtarët e familjes së romanit "Roli i familjes sime në revolucionin botëror" besojnë se shpejt do t'u vijë fundi edhe kundërshtarëve politikë, prandaj xhaxhai thotë: "Komisarja e famshme partizane do të kalërojë poshtë e lartë dhe do t'ia pres koqet popit!". Një ditë në banesën e familjes vijnë partizanët që propagandojnë triumfin e ardhshëm.
Mes tyre dallohet sidomos shoku Abaz (me gjasë një shqiptar apo boshnjak), i cili thotë: "Gjithçka që vlente deri më tani në jetën tuaj duhet të përmbyset për shkaqe historike!". Kolonel-lejtnanti Vaculiq, një komunist tjetër, thotë: "Të gjitha shtazët si elefantët, luanët, krokodilët dhe të ngjashme do t'i lëshojmë nga kopshti zoologjik, në mënyrë që të jetojnë të lira me njerëzit e tjerë".
Një shoqe komuniste me faqe të kuqe dhe me çizme thotë: "Do të luftojmë vetëm me mjete të bindjes për vëllazërim mes njerëzve, kafshëve dhe pjesës tjetër të njerëzimit". Shoku Abaz i porosit anëtarët e familjes: "Duhet të arrijmë deri aty sa të qeshim edhe atëherë kur s'kemi pse të qeshim". Pastaj familjarët i ndajnë detyrat për vitet e ardhshme të ndërtimit të komunizmit.
Për punë të rëndësishme caktohen shokët Pijade, Neshkoviq dhe Gjillas (aludim në funksionarë realë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë), ndërkaq anëtarët e familjes ngarkohen me këto detyra: për agjitacion dhe për përpilimin e poezive caktohet fëmija naiv, babai për alkoolizëm, xhaxhai për femra. Një ditë majori Jovo Sikira ankohet për bërllokun në banesë dhe kërcënon se do të sjellë një brigadë për pastrim.
Xhaxhai përgjigjet menjëherë: "Kjo do të ishte e nevojshme, sepse ju po e bëni bërllokun, ju po hyni dhe po dilni sa herë që po doni". Gjyshi thotë: "Ne të gjithë do të çmendemi dhe ky do të jetë shpëtimi ynë".
Kështu fitoi komunizmi, së paku në romanin e Bora Qosiqit. Në shkollë fëmijët detyrohen t'i pështyjnë fëmijët e familjeve borgjeze, nuk ka më pronë private, gjithçka është e popullit dhe e askujt, familja e fëmijës naiv duhet t'ia lëshojë banesën një komisari partizan.
Xhaxhai thotë: "Në të ardhmen vetëm furça e dhëmbëve do të jetë e jotja". Gjyshi ndërhyn me zemërim: "Atëherë ta dhjefsha edhe furçën". Babai komenton: "Ekziston një mall, i cili prodhohet pa u vërejtur fare, për shembull propaganda".
Gjithçka merr fund, gjithçka ndryshon, madje edhe raporti mes prindërve të fëmijës: Në fillim ata i thonë njëri-tjetrit "zemër" e "loçkë", e më vonë "lopë e çmendur".
Në dallim nga disa shtete komuniste në Jugosllavi qe e mundur të botohej edhe një roman i tillë kritik ndaj sistemit. Së pari autori e publikoi në vitin 1969 privatisht, pastaj në vitin 1970 librin ia botoi shtëpia e njohur "Prosveta" e Beogradit. Në vitin 1980 u ribotua nga "Noliti".
Sardele dhe rrush
Bora Qosiq u lind në vitin 1932 në Zagreb dhe është njëri prej autorëve më të njohur serbë, bashkë me Danilo Kishin, Filip Davidin, Vidosav Stevanoviqin, Miro Kovaçin, David Albaharin (një hebre i lindur në Pejë) etj.
Qosiq braktisi Serbinë në fillim të viteve 90-të, në prag të shpërthimit të luftërave në Ballkan. Është njëri prej kritikëve më të ashpër të nacionalizmit serb, veçanërisht i politikës agresive të regjimit të Slobodan Milosheviqit.
Në një artikull për gazetën zvicerane "Neue Zürcher Zeitung", botuar disa javë para pavarësisë së Kosovës, Qosiq kishte shkruar mbi qëndrimet raciste të popullit serb kundër shqiptarëve. Ai theksonte se si fëmijë gjashtëvjeçar i shihte shqiptarët si një fenomen ekzotik në Beograd.
Ata përshkruheshin me emra fyes, mes shumicës (serbe) dhe pakicës (shqiptare) dalëngadalë u krijua një mur ndarës, këta njerëz shikoheshin vetëm si e keqe e nevojshme për të kryer punë të rënda, siç ishin: sharraxhinj, bartës të qymyrit, muratorë, pastrues të rrugëve.
"E dija se vinin nga jugu, se ishin të varfër dhe shëndetlig, kryesisht sharronin dru nëpër oborre, nganjëherë flinin nëpër bodrume dhe ushqeheshin me sardele dhe rrush. Ishin modestë, paksa ngurrues, zakonisht të përzemërt".
Qosiq shpjegon se për këta njerëz, pra shqiptarët e Kosovës, më mirë kishte mësuar në vitet 60-të, pas rënies së ministrit të Punëve të Brendshme Aleksandar Rankoviq, kur doli në pah gjithë përmasa e masave represive shtetërore, të cilat i kishin ushtruar në Kosovë "komunistët kozmopolitë". "Atje", shkruan ai, "për një kohë të gjatë kishte ekzistuar terrori më i pështirë bolshevik kundër pakicës shqiptare". Më afër me Kosovën Qosiq ishte njohur në fillim të viteve 60-të, kur kishte shërbyer si ushtar në Prizren.
"Kam qenë ushtar në qytetin e bukur oriental të Prizrenit, nëpër të cilin gjarpëron lumi i pastër si loti, Bistrica. Në atë kohë dominonin hapësira e dëlirë dhe njerëzit e atjeshëm shumë të përzemërt.
Shkoja te disa njerëz, hyja në shtëpitë e tyre, së paku në pjesën e paraparë për burra, vajzat shikonin me ngurrim nga katet e epërme përmes rrjeteve të dendura të traditave të tyre. Nga takimet e mia me këta njerëz ka mbetur ende një mangësi: nuk e di as sot gjuhën e tyre. Fjalën e vetme në gjuhën shqipe që e kam marrë me vete është 'lule'".

Njerëz krenarë
Në përfundim të këtij teksti, disa javë para se Kosova të shpallte pavarësinë, Qosiq shkruante: "Tani po i vjen fundi kësaj historie, e cila filloi me ata njerëz varfanjakë, të cilët hanin rrush dhe sardele nëpër bodrume dhe sot me shumë mundim përpiqen të jetojnë në vendin e tyre, sipas dëshirës së tyre dhe me të drejtën për pavarësi, gjithnjë me sjelle të kujdesshme me lirinë vetjake.
Këta njerëz të zellshëm, krenarë dhe të mprehtë kanë treguar shumë herë se sa e vështirë është të sillesh me lirinë. Dhe nganjëherë kanë arritur t'i zhgënjejnë edhe shumë njerëz që janë miq të tyre: A thua pse dhe pa marrë parasysh për çfarë arsyesh ata duhet t'i kallin objektet fetare të një feje tjetër?
Mbase edhe për këtë arsye e kam të vështirë t'i zbusë bashkëkombësit e mi serbë, që ata t'i lënë të qetë shqiptarët e Kosovës dhe përfundimisht të merren me fatin e tyre". - Librat e Bora Qosiqit janë përkthyer në disa gjuhë. Ai jeton në Berlin dhe në Rovinj të Kroacise.





