SKËNDER DEMOLLI
“ KJO ANOMALI DUHET TE NDALET, ESHTE URDHER KOMBETAR”.
Koço Kosta lindi në kohë lufte, në maj të 1941-it dhe “luftë” ka qenë e gjithë jeta e tij.
Kulmi i saj ishte botimi në diktaturë i romanit “Ata të dy dhe të tjerë”, përkthyer së fundi edhe në greqisht, vepër që siç e dimë u bë shkak që autori të përballojë peripeci të shumta dhe të vijë fitimtar, si një kryengritës i heshtur tek romanet “Nata e Sofie Kondilit” dhe “Absurdi”, ku jo vetëm përshkruhet me mjeshtëri të lartë artistike periudha e vështirë e jetës së popullit tonë pas Luftës së dytë Botërore, por është një kritikë e pamëshirshme, ndaj së keqes njerëzore, ku edhe njeriu i mirë përdorej si marionetë, në duart e një pushteti absurd.
Në thellësi të qenies së tij, është i rrënjosur thellë zakoni i njeriut të lidhur fort me tokën dhe natyrën, ritmi i gjallë i së cilës, ndihet në tërë frymëmarrjen e veprës që na ka dhënë deri sot.
Talenti letrar i K.Kostës është më i fuqishëm se dobësitë e tij personale; piktura, teatri etj., ç’ka e shtyn atë t’i bëjë të gjitha sakrilegj, me qëllimin e vetëm për të shkruar. Dhe si i tillë hyn ndër ata të paktë shkrimtarë të famshëm shqiptarë të fund shekullit të XX-të që nuk u dehën nga recetat ideologjike të kohës. Për këtë sot, kur mjaft prej të “trumbetuarve” të dikurshëm s’u ka mbetur thuajse asgjë veç së kaluarës “besnikë...”, ( “Ligji” i pashkruar Servantes: mbetet vetëm ajo që është art), letërsia shqipe ruan nga K.Kosta faqe kryeveprash të vërteta që nga tregime e novela të tilla si “I bukuri im”, “Dademadhja”, “Ata të dy e të tjerë”, “Përbuzja” e deri tek romanet “Nata e Sofie Kondilit” e “Absurdi”. Por në këtë shkrim, më shumë se për veprën, do të desha të them dy fjalë për autorin e saj.Lexuesi e pëlqen veprën e K.Kostës, sepse thotë të vërteta që nuk i pranon bota jonë reale dhe vuan për ta kthyer atë nëpërmjet penës së vet në bukuri. Këtu e ka themelin edhe ura e bashkëpunimit të tij me ta. “Përpiqem të jem i hapur me lexuesit e mi, i besoj ata dhe duke i respektuar dua të kemi së bashku një lidhje të barabartë. Sepse pa këtë do të dalim të dëmtuar të dyja palët. Lexuesi është një bashkëbisedues i barabartë me shkrimtarin dhe e pranoj si të tillë, sepse është syri i tretë (veç botuesit) që e lexon dhe e shikon ndryshe librin. Kjo luan një rol të madh për ecurinë e tij dhe në fund të fundit këtu varet fati i botimeve tona.” (K.Kosta).
Shkrimtari nuk është ai që shikojmë, por ai që ndjen vetë ai se cili është. Por lexuesit që e njohin nga afër K.Kostën e pëlqejnë edhe për diçka tjetër: Jeton me mendje të hapur dhe nuk e nxë e s’mund ta futësh në asnjë model, a shabllon të kohës. Është i kënaqur me heshtjen dhe kjo e çliron si njeri, por edhe si shkrimtar, aq sa nuk mund t’i ndajmë njërin nga tjetri.
Fantazia dhe realiteti te ky prozator i madh, janë anë të së njëjtës medalje si dy pamje të vetë jetës. Për këtë është aq i vërtetë e i besueshëm, sepse ndërsa gënjeshtra është një art që na skllavëron, arti është një trill që këput vargonjtë. E dëshmon më së miri këtë edhe romani i tij më i fundit “Absurdi”, ku përpos të tjerave na jep mesazhin se: kush nuk mëson nga e kaluara, siç ishte regjimi tiranik që lamë pas, është i dënuar që shpejt apo vonë ta pësojë përsëri. Sepse demokracia është një; as e majtë, as e djathtë. Diktatura po... Siç e ka treguar historia, mund të jetë e majtë ose e djathtë. Por në të gjitha rastet e në të gjitha kohërat është ashtu si shprehet K.Kosta në romanin e vet: ”kushtrim për mjerim”.
Vërtet historia, ashtu si ka thënë Marksi përsëritet për herë të dytë si farsë, veç jo gjithmonë si një farsë për të qeshur, por shpesh edhe si një komedi e humorit të zi, e cila në përmbajtjen e vet është përsëri një tragjedi. Dhe me atë që marrin përsipër shkrimtarë dhe artistë përparimtarë si K.Kosta, për ti thënë “ndal” së keqes, japin mësime kritike , duke e ngritur veten edhe në lartësinë e personaliteteve të mëdha shoqërore.
Se ç’peshë ka fjala e shkrimtarit në jetën e popullit të vet, nuk është e tepërt të përmend në këtë shkrim deklaratën që bëri botërisht nobelisti grek Jorgo Seferis, më 28 mars 1969 nga Athina për B.B.S.-i, kundër diktaturës së kolonelëve të zinj në Greqi:
“ Të gjithë pra e mësuan dhe e dinë, se në regjimet diktatoriale fillimi mund të ngjasojë i lehtë veçse tragjedia pret e pandalshme në fund. Drama e atij fundi më bën të vuaj ashtu si në koret e lashtë të Eskilit. Aq sa zotëron anomalia e keqja përparon. Jam një njeri absolutisht pa ndonjë lidhje politike dhe mund të them, flas pa frikë e pasion. Shikoj përpara greminën, ku na çon shtypja që pllakosi vendin. Kjo anomali duhet të ndalet. Është urdhër kombëtar. Tani rikthehem në heshtjen time. Lut Zotin të mos më sjellë tjetër herë, për të folur përsëri në nevoja të tilla.”
Shkrimtari i vërtetë nuk mund të heshtë. Liria e veprës së tij është liria e të thënit “JO”. “Kjo anomali duhet të ndalet. Është urdhër kombëtar”, do të thoshte edhe K.Kosta në vitet 80-të, me “Peshkun e kuq”.Kjo anomali duhet të ndalet. Është urdhër kombëtar, duket sikur thotë edhe sot me “Absurdin”, njëlloj ashtu si nobelisti grek.
Por këtë fund vjeshte me aq shumë gjethe të thata e fjalë boshe në jetën tonë, shkrimtarit ia prishi heshtjen lexuesi, duke e nderuar atë përmes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Qarkut të Korçës për veprën që u ka dhuruar, me çmimin e mirënjohjes .Vepër që siç e thamë edhe më lart ve në dukje, se sa e rëndësishme është liria për dinjitetin e njerëzve dhe të kombit.
Home »
» NDERIM E MIRENJOHJE PER SHKRIMTARIN KOÇO KOSTA





