Atje bredh dashuria

Poezi nga Hugo, Malarme, Shar, Shirazi, nën përkthimin e Dalan Shapllos

Viktor Hygo
(1802 – 1885)
Ja, nesër, sa të gdhihet *

Ja,nesër, sa të gdhihet, sapo të zbardhë fusha,
Do nisem, e dëgjon? E di që ti më pret,
Mes pyllit do t’i bie dhe malit me gëmusha,
Larg teje s’mund të rri se ndarja po më tret.

Do t’eci si në mjegull, në shpirt i përqëndruar,
E zhurmë nuk do ndiej, s’do shoh asgjë që jashtë,
I vetëm, i kërrusur, me duart kryqëzuar,
Do ndiej veç dëshpërim e dita bëhet natë.

Ndaj mbrëmjes nuk do shoh prarim që gjurmë le,
Dhee vellon mbi Herflër nuk e vërej që larg.
E, kur të mbrrij atje, mbi varrin tënd do ve
Buqetë gjethegjelbër, me lule thurur varg.

*Këtë vjershë poeti ia pat kushtuar vajzës së vet që vdiq e re


Renè Shar
(1907 – 1988)
Mes qytetit, në rrugë

Mes qytetit, në rrugë, atje bredh dashuria
Ishte imja dikur, nëpër kohë rrëshqet.
Punë s’prish se tani cilido mund t’i flasë
Jo, ajo nuk mban mend kush e deshi vërtet.

Në përndritje të syve kërkon ngushëllim
Asaj udhe besnike q’i çele dikur
Ende shpresë po zgjon që përpara e prin
Përmbi të zotëron dhe që larg e përfshin.

Përfund saj unë shoh mbeturinë lumnie
Në vetminë që ndiej gjen thesar të përkryer
Meridianit të madh ku merr hov lartësie
Kjo liria që kam mu në shpirt e ka grryer.

Mes qytetit, në rrugë, atje bredh dashuria
Ishte imja dikur, nëpër kohë rrëshqet.
Punë s’prish se tani cilido mund t’i flasë
Jo, ajo nuk mban mend kush e deshi vërtet
Vallë kush dritë hedh dhe s’e lë të humbasë?


Stefan Malarmè
(1842 –1898)

Vegim

Kur hëna po trishtohej dhe serafinët qanin,
Në ëndërrim, mes lulesh, në dorë harkun mbanin,
Po treteshin e shkisnin ca vjollca në mbarim,
Mbi kaltërsi kurorash – i bardhi ngashërim.
Ish puthja jot’e parë në ditën e bekuar,
Tek rrihje t’ëndërroje se jam martirizuar,
I dehur mjeshtërisht plot me parfum trishtimi.
Nuk lanë as një brengë dhe gjurmë dëshpërimi,
Të korrat e një Ëndrre që zemra pat selitur,
Shtegtoja sy-mbërthyer kalldrëmit të ronitur,
Nga dielli flokë- ndritur, kur pranë m’u avite,
Në mbrëmje duke qeshur, në rrugë m’u fanite
M’u duk se pashë zanën që fekste me kurorë,
Ashtu si nëpër ëndrra, në vitet fëminorë,
Kalonte dhe gjithmonë prej duarve lëshuar
Po hidhte flokë bore prej yjesh parfumuar.


Hafiz Shirazi
(1325 – 1389)

Në daç që era të mos më marrë, flokët veriut mos ia shtri,
Në daç që të mos psherëtij, mos më qorto me syn’e zi!
Mos e pi verën me këdo, që unë helme mos gëlltis.
Me kokë ulur mos kalo, vështromë ëmbël drejt në sy.
Baluket, lutem, mos i dridh që pranga vetes mos i hedh.
Dhe kaçurrelat mos i mblidh, se do më futsh në dhe të zi.
Të tjerë miq ti mos kërko, që mos brengoset miku yt.
Veç meje tjetër mos beko dhe me përbuzje mos më shih.

Lartoje kurmin si selvi, që të të ulem gjer në gji.
Fytyrën time përcëlloje! Pra, ndizu zjarr, po mos u shkri.

Të tjerë miq mos sill ndër mend që pamjen tënde mos harroj.
Shandan kujtdo ti mos iu bëj e me bandillë mos më rri.

Nga tkat mos i ngjaj Shirinit* që të mos vuaj si Fahradi *
Dhe eremit mos dal diku, larguar tutje në shkreti.
Të kërkoj ndihmë, të thërras, dëgjoje zërin e Hafizit,
Për mua të kesh dhembshuri e mospërfillëse mos ji!
—————————————————————————
*Bukuroshe legjendare iraniane, e dashuruar nga mbreti
* Figurë legjendare e një artisti që donte Shirinin.
Përktheu: Dalan SHAPLLO