Nga: “26 rrëfenja për të menduar”
Në një stacion treni mbërrin, një mbrëmje, një
zonjë shumë elegante. Tek sporteli e informojnë
që treni është me vonesë dhe do t'i duhet të
paktën një orë për të mbërritur në stacion.
Pak e bezdisur, zonja shkon tek vendi ku shitet shtypi dhe
blen një revistë, më pas kalon tek një kioskë dhe blen një pako
me biskota dhe një pije të gazuar.
E përgatitur për pritjen e detyruar, ulet në një nga ulëset e
gjata të sallës. Ndërkohë që shfleton revistën, një i ri ulet në
krah të saj dhe fillon të lexojë një gazetë. Papritur zonja shikon,
me cep të syrit, se si djali, pa thënë asnjë fjalë, shtrin dorën,
kap pakon me biskota, e hap dhe më pas merr një dhe fillon ta
hajë i qetë.
Gruaja indinjohet. Nuk dëshiron të jetë fjalërëndë, por ama
as të bëjë sikur asgjë nuk ka ndodhur; kështu që, me një gjest
të ekzagjeruar, merr pakon dhe nxjerr një biskotë, ia tregon
përpara djaloshit dhe e ha duke fiksuar shikimin.
I riu buzëqesh... dhe merr një biskotë tjetër.
Zonja shfryn pak, merr një tjetër biskotë dhe me shenja të
dukshme bezdie, e ha duke ia ngulitur edhe një herë shikimin
djaloshit.
Dialogu i shikimeve dhe buzëqeshjeve vazhdon nga
biskota në biskotë. Zonja çdo herë dhe më e nervozuar,
djaloshi përherë dhe më i qeshur.
Më në fund zonja vë re që në pako kishte ngelur vetëm
një biskotë. "Nuk mendoj se do të jetë kaq i pacipë", mendoi
dhe ngeli si e ngrirë duke parë herë biskotën dhe herë
djaloshin.
Me qetësi, djaloshi zgjati dorën, mori biskotën e fundit dhe
me shumë butësi e ndau saktësisht përgjysmë. Me buzëqeshjen
e tij dhe me shumë dashuri ia ofron gjysmën zonjës.
- Faleminderit! - thotë gruaja duke e marrë me shumë
ashpërsi gjysmën e biskotës.
- Asgjë - i përgjigjet djaloshi me një buzëqeshje engjëllore,
ndërkohë që ha gjysmën e tij.
Treni erdhi
E tërbuar, zonja ngrihet, merr gjërat e saj dhe hipën në
tren. Në nisje, që nga vagoni sheh djaloshin akoma të
ulur në stolin e sallës dhe mendon: "I pafytyrë".
Ndien gojën të thatë nga zemërimi. Hap çantën për të
nxjerrë kanoçen e pijes dhe habitet kur sheh, të mbyllur,
pakon e saj të biskotave...! Të paprekur!.





