Home »
» Dy pole morale ballë për ballë
Dy pole morale ballë për ballë
TRIPTIK
Moikom ZEQO
KUPTIMI I PROFETËVE
Kam lexuar librin e famshëm të Karl Jaspersit për Sokratin, Budën, Konfucin, Krishtin. Nuk është një libër që merret me biografitë në mënyrë të letralizuar, si librat e Emil Ludvigut, të Cvajgut apo të Andre Moruasë. Ngjan pak me librin e Platonit për Sokratin. Sipas Jaspersit, Sokrati, Buda, Konfuci dhe Krishti janë protipa të mëdhenj të njerëzve që kanë ndryshuar historinë. Karlajti apo dhe Lamartini duhet të shtonin dhe figurën e Muhamedit.
Në vetvete, secila nga këto figura përfaqëson dilemën filozofike dhe ftillëzimin e koncepteve ekzistencialiste. Zhan Pol Sartri nuk ka mënuar të flasë për këtë dukuri historike. Madje, as Migjeni ynë nuk ka lënë pa shkruar një skicë ironike për filozofin Sokrat dhe derrin e tmerrshëm, jo pa një ndikim nga Kirkegardi apo Dostojevski. Në tërësi, figura të tilla profetësh, pa harruar dhe shtjellimin e kumteve nga Zarathustra e Niçes, janë shumë të kuptueshme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, aq sa mund të krijohet ideja ciklike brendapërbrenda një përfytyrimi të vetëm.
Kështu, edhe pa qenë në një logjikë kronologjike të historisë, figurat e mësipërme duhen lexuar për t’i kuptuar deri në fund, për të hapur portat e mbyllura të botëkuptimit dhe të ndjesive tona, përtej kufijve mendorë apo konceptualë, për të takuar në një truall emocionesh të përjetshme Shekspirin, duke medituar njësoj si profetët.
Nuk mund të jesh profet pa qenë njeri. Por jo çdo njeri mund të jetë profet. por profeti dhe njeriu janë një kontradiktë e rishpjegimit dhe e ridimensionimit të vetë njeriut si totalitet. Subjektivisht Shekspiri është një personazh që duket se nuk ka afërsi me profetët, që kanë krijuar fetë e mëdha të njerëzimit. Por ky subjektivitet është gjithsesi i përkorë dhe jo absolut. Ky subjektivitet nuk është gjithçka, por duke qenë diçka, ka atë bërthamë inkandeshente të brendshme, ku ne mund të hyjmë në thellësi për të gjetur kuptimin e vërtetë të lartësisë, duke bërë ndërlidhje të gjërave kundërshtuese dhe nga më të zgripshmet. Ndaj, nuk e kuptoj pse (në fakt e kuptoj përse!) duke lexuar librin e Karl Jaspersit, e ndieja mungesën e një pranie krejt të veçantë por të qëndrueshme, një mungesë që flet dhe që mohon vetveten.
(1998)
MARTIRIZIMI DHE KONVERTIMI
Po tregoj historinë e martirizimit të djaloshit Stefan. Atë e kishin akuzuar si blasfemues dhe i kërkuan me ngulm të ndryshonte bindjet e krishtera. Stefani nuk pranoi në asnjë mënyrë.
Atëherë, akuzuesit e hodhën në gropë dhe filluan ta qëllonin me gurë stralli dhe e gjakosën furishëm, me mllef e zemërim. Stefani ishte i krishteri i parë i njerëzimit, që vritej në këtë mënyrë të vjetër. Për fat të keq dhe ironik, skena e masakrimit të tij është dhe zanafilla e inkuizicionit të kishës në Mesjetë. Stefani më tepër bashkohet me fatin e Xhordano Brunos, sesa janë kundërshtarë të skajshëm. Kur Stefani lutej, ndërsa e copëtonin gurët, pamja e tij kishte kthyer mbrapa në kohë djegien e turpshme të Jan Husit të madhërishëm dhe të drejtë, i cili tha fjalët: “O sancta simplicitas!”
Një nga ekzekutuesit e Stefanit qe edhe një burrë i ri nga Tarsi, i quajtur Saul. Ai bërtiste së bashku me turmën e deliruar. Pa i habitur rrobat e gjakosura të Stefanit, Sauli qe nga më të zellshmit për ndjekjen dhe persekutimin e të krishterëve të parë. Por do të vinte një ditë, që nga Damasku atij t’i ndodhi diçka: e rrethoi një ndriçim i madh. Sauli u rrëzua përtokë dhe dëgjoi një zë që i tha:
“Saul, Saul, përse po më përndjek?”
“Kush je ti, o Zot?”, pyeti ai.
“Unë jam Jezui, që ti e përndjek!”
Saulit i ranë ca luspa nga sytë dhe pa botën krejt ndryshe. Nga kundërshtar i të krishterëve, u bë idhtar i Krishtit. Nga Saul u bë apostulli Pal. Kjo është historia e konvertimit, që ka tronditur dhe habitur tërë njerëzimin.
Në fillim nuk e besonin, por më pas Palin e pranuan si udhëheqës të padiskutueshëm të krishterimit. Pali kishte një talent gjenial. Letrat e shkruara prej Palit janë pjesë e pashlyeshme e teologjisë dhe e argumenteve të shenjta të kishës. Nëse Jezui qe krijuesi i fesë, i besimit, Pali qe krijuesi i kishës militante. Pali qe një organizator i përbotshëm. Ai ka predikuar dhe ka kaluar edhe në Durrës, kur ka shkuar për në Romë, ku edhe e kryqëzuan mes një lavdie që e pavdekësoi triumfalisht.
Kështu ndoshta shëmbëlltyra e konvertimit ka një kuptim të pashmangshëm. Ne të gjithë kemi qenë Saulë dhe më pas u bëmë Palë. Ky është konvertimi pozitiv, ose progresiv. Por ka edhe konvertim të kundërt. Kështu, Pali i rremë është një Saul i pandryshueshëm. I pakonvertueshëm. Një i tillë ka gjithmonë dëshirë instiktive të vrasë me gurë ose, në vend të gurëve, të qëllojë me monedha…, para, për të shkatërruar imazhin e moralit të botës. Ka një keqkuptim të konvertimit sot. Ka, si të thuash, një imoralitet të konvertimit jo nga e Keqja tek e Mira, por nga e Mira tek e Keqja. Ndoshta kjo ndodh dhe në art.
(1998)
ARTI I SYVE
Antikiteti është i verbër. Sytë e statujave janë pa bebëza. Muskujt e trupit skaliten përsosurisht. Sytë janë sfera të bardha. Janë krejt të mangët. Kjo e bën artin e lashtë më tepër të jashtëm, sesa të brendshëm.
Hyjnitë mitike pagane nuk shikojnë. Ato janë bërë vetëm për t’u parë nga të gjallët. Sytë e tyre janë të rremë. Nuk janë sy. Megjithatë, sytë e Meduzës kthejnë në gur gjithçka, sepse nuk mund të anashkalohet paradoksi universal.
Arti bizantin është art i syve. Sytë janë shpirti. Arti i syve është i brendshëm, jo i jashtëm. Sytë e shenjtorëve onufrianë kanë bebëza. Këto bebëza janë si lule misterioze të mbyllura në qelq. Rrotat apokaliptike plot me sy janë apoteoza të qenieve vetëm e vetëm prej sysh. Sy të pavarur nga trupat. Larg fytyrave të mërzitshme dhe vulgare. Mbase kafkat e të vdekurve nuk kanë sy, se sytë shtegtojnë prej tyre së bashku me shpirtin, për te mbretëria e syve, që nuk mbyllen kurrë, për të parë absolutisht gjithçka. Thënia e shën Palit “tani ne shohim në mënyrë të paqartë si në një pasqyrë të turbullt” (Letra e parë Korintasve, 13-12), na tundon të mos i absolutizojmë sytë.
Dihet që sytë njerëzorë nuk i perceptojnë rrezet ultraviolet, por ata nuk i shpëtojnë dot shikimit të pamëshirshëm dhe absolut të Zotit. Shpikja e mikroskopit dhe e teleskopit e vërtetojnë kufizimin e syve të vdektarëve mëndjemëdhenj dhe të paturpshëm, kërkimtarë, por edhe dembelë. Profeti Moisi e pa Zotin në formën e një shkurreje që digjej e tëra, por nuk konsumohej kurrë. Kur Moisiu zbriti nga mali Tabor këmbëzbathur, fytyra e tij ndriste nga një purpurim i brendshëm. Maska e artë hyjnore ia kishte zëvendësuar fytyrën e rëndomtë. Zotin nuk mund ta shikoje dot përballë, por siç thuhet në Dhjatën e Vjetër, vetëm nga shpina: Pra, Zoti është kështu një tabu për mëkatarët. Por edhe për profetët. Zoti e bëri njeriun e parë sipas shëmbëlltyrës së vetvetes. Por asnjë njeri në botë nuk është Zoti. Është një formë e zbrazët. Por jo përmbajtja. Forma përsëritet. Përmbajtja është e përjetshme. E pamatshme dot.
(1998)





