Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë. Fjala çokollata rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th "ujë i ëmbël"), e cila prodhohej nga Actekët. Kjo pije ka qenë ujë i përzier me kako, vanile dhe beber Cajen.
Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke patur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë: kakao, ushqimi i perëndive. Një ndër gjërat më të çuditshme dhe të përfolura mbi ushqimin e perëndive është etimologjia e fjalëve kakao dhe çokollatë dhe mbi këtë janë formuluar shumë teori:
Kakao, në gjuhën e familjeve mikse-zokueane, të cilën e flisnin holmekët rreth vitit 1000 p.e.s, shqiptohej kakaua. Disa epoka më vonë, majatë, në kohën e kulmit të tyre (mes shekullit III-X), filluan ta quanin kakau. Në atë kohë pijes filluan t'i hidhnin erza të ndryshme. Për ta sqaruar më mirë këtë nevojiten disa elementë fonetikë. Në gjuhën nahuatl, që ishte gjuha e atëhershme e majave, "tl" shqiptohej "të" dhe "ch" tingëllonte si "c" e butë. Theksi binte gjithmonë mbi rrokjen e parafundit. Majatë e pëlqenin shumë pijen e kakaos me ujë të nxehtë. Ujit i thonin haa, e nxehtë thuhej chacau. Pija e kakaos merrte emrin chacahaa. Sinonimo i kakau-t ishte chocol prej nga lindi dhe fjala chocolhaa, e cila është e para që i afrohet më shumë fjalës spanjolle chocolate. Kështu arrijmë te pushtimet spanjolle të gjysmës së dytë të shekullit XVI, ku konsumohej një pije me kakao (cacahuatl) dhe "pochotl", e cila merrte emrin "chocolatl" ("chocol" nga rrënja e majave dhe "atl" rrënjë azteke që do të thotë ujë). Por pse spanjollët preferuan fjalën "chocolatl"? Kjo varet nga fakti që fjalët e një gjuhë mund të kenë kuptim dhe tingull tjetër në një tjetër gjuhë. Termi "kaka" në spanjisht është një shprehje banale, e cila lidhet me fekalet dhe nuk mund të tolerohej një tingull i tillë për të emërtuar një pije, e cila konsumohej më shumë nga aristokracia dhe fisnikëria e vendit, Sidomos nëse i referohej një pije të errët, kafe dhe të hidhur.
Një teori e dytë thotë se fjala e ka prejardhjen nga perëndia azteke Kuetzalkoatl, i cili sipas legjendës i dhuroi njerëzve farën e kakaos për të krijuar një pije të hidhur, energjike dhe afrodiziake. Sipas kësaj teorie, këtu merr origjinë emri i farës kakahuatl dhe më vonë çokollatë.
Një tjetër teori, e cila duket si më pak e besueshme, merr nismë nga etimologjia e propozuar nga Thomas Gage (shumë e përdorur në fushën gastronomike), në të cilën termi atl i bashkangjitet atij Choco, onomatope që tregon se ai prodhohet e rrihet nga një shkop i veçantë (molinilo).
Historia e kakaos dhe çokollatës
Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës. Legjenda thotë se kultura e kakaos u zhvillua nga mbreti i tretë Maja: Hunaphu. Një tjetër legjendë, kësaj radhe aztekë, thotë që në kohë të hershme një princeshe iu la nga i shoqi, i nisur për në luftë, një thesar i madh; kur erdhën armiqtë princesha nuk pranoi të tregonte se ku e kishte fshehur thesarin dhe për këtë e vranë; nga gjaku i saj lindi bima e kakaos, farat e së cilës janë të hidhura si vuajtja, por në të njëjtën kohë të forta dhe emocionuese si virtytet e saj. Le t'i kthehemi historisë, më vonë majatë dhe aztekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë; çokollatën e lidhnin Xokikuetzalin, perëndeshën e fertilitetit. Sipas vlerave mistike e fetare, kakao konsumohej nga elita gjatë ceremonive të rëndësishme, ofrohej me flakë si sakrificë ndaj hyjnive dhe ndonjëherë përzihej me gjakun e priftërinjve. Si prova të kësaj, janë gjetur shumë piktura të bimës së kakaos nëpër vazo dhe kode maja. Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë prëgatitje ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë. Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në Antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej "dybeku" (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar. Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së pregatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të pregatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm pregatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës). Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qëndrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer. Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shek.XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithësesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakta dhe se i fusin shumë erza; bëjnë me të dhe një brum që sipas tyre është i mirë për stomakun dhe kundër gëlbazës. Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim mori me vete disa fara kakaoje për t'ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519. Ai arriti në Amerikë nga Spanja dhe popullsia e vendit e kujtoi për perëndinë Kutzalkoatl, i cili sipas legjendës duhej të kthehej pikërisht në atë vit. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao. Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verzkruzi në Sevilje në 1585 (në Sevilje ndodhej Këshilli Mbretëror i Indive, nëpërmjet të cilit kurora spanjolle kontrollonte të gjitha trafiqet tregtare, administrimin, aspektet ushtarake dhe fetare të kolonive të veta përtej oqeanit.) Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhërat murgjërore spanjolle, të cilat kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t'i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës. Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Biblotekës Kombëtare Qëndrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj. Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet "Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës..."(Giovan Battista Gautieri), të cilin e ndjekin në 1728: "Mendime rreth përdorimit të çokollatës", "Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës", "Leksione akademike mbi çokollatën" dhe "Mendime të tjera rreth natyrës dhe përdorimit të çokollatës" nga autorë të ndryshëm. Në shek. XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe hollandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 "Gazeta Veneciane" dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërese. Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Svicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak pregatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion. Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli. Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë. Në 1828 hollandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalp kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin "proces hollandez", i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t'i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja. Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në 1847 nga Joseph Fry. Në 1852-shin në Torino Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë. Në 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorrën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për femijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur "conching", i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene. Kakao ka qenë dhe arsye luftimesh të vazhdueshme financiare mes eksportuesve të mëdhenj (Afrika dhe Brazili) dhe tregjet blerës (Evropa dhe SHBA). Fillimisht ngritja artificiale e çmimeve shkaktoi një formë bojkoti tregtar, që më pas u shtyp nga nevojat e Luftës së Dytë Botërore. Pasi mbaroi lufta, prodhimi u ul, kjo për shkak të sëmundjeve dhe plakjes së plantacioneve, simptomë e një drejtimi të keq. Vlera tregtare e prodhimit amerikan (sidomos në Meksikë dhe Guatemale) e kaloi dhe atë afrikan. Në Itali, rajoni i Torinos prodhonte 40% të prodhimit italian, një volum prej 85.000 tonelatash në vit. Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t'i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç'pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, lindi çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën.