Ishte Reagan e shtrëngoi Gorbçiovin që të ndryshonte, jo anasjelltas
Një intervistë me Larry Schweikart, Profesor Historie në University of Dayton. Sëbashku me Michael Allen, ai është bashkëautor i librit të shumëshitur A Patriot's History of the United States. Libri i tij i radhës, America's Victories, e bëri Presidentin Bush që ta ftonte atë në Sallën Ovale për një diskutim lidhur me historinë. Libri i tij i ri është 48 Liberal Lies About American History.
- Larry Schweikart, mirë se erdhët në Frontpage Interview!
Faleminderit sërish. Gjithmonë kënaqësi për të qenë me ju djema. Kjo është e jona... sa? Hera e pestë apo e gjashtë që bisedojmë?
- Diçka e tillë. Ju patjetër që jeni një yll këtu. Atëhere, çfarë ju frymëzoi ta shkruanit këtë libër?
48 Liberal Lies doli shënimet shpjeguese të librit A Patriot's History. Mike Allen dhe unë e gjetëm veten "duke argumentuar" me tekstet shkollore në shënimet shpjeguese, diçka që historianët e bëjnë shpesh. Pastaj botuesi im tha: "Pse nuk bëni një libër rreth këtyre argumenteve"? Kështu bëra.
- Fillimisht na thoni se si e bëtë kërkimin për këtë libër.
Mora në shqyrtim 15 - 20 tekstet shkollore historike kryesore, më të shumëshitura të historisë amerikane të kolegjeve, që ndodheshin në treg. Në disa raste, përdora gjithashtu librin e Howard Zinn, People's History, për arësye efekti, por 99 përqind e kuotimeve janë nga librat shkollorë. Kapa çdonjërin që mund të fusja në dorë. Ndoshta ka disa që i kam lënë, por ato janë titujt më të mëdhenj. Megjithatë, përsa u përket shifrave të shitjeve, botuesit i mbanin ato shumë të fshehta, kështu që nuk mund të them me siguri se cili është libri më i shumëshitur nga të gjithë. Përshtypja ime është se ky libër është Nation of Nations i Davidson ose i dali prej kohësh American Pageant, i shkruar nga Bailey dhe Kennedy.
- Çfarë thonë librat shkollorë rreth faktit se pse Lincoln i çliroi skllevërit?
Shumica prej tyre janë shumë të mirë në këtë pikë. Lincoln merr "notat më të mira" nga pothuajse çdo president tjetër i shekullit të XIX. Disa sugjerojnë se ai i çliroi skllevërit për të siguruar më shumë trupa për ushtrinë e Unionit. Ka shumë lloj "nacionalistësh zezakë" shkrimtarë dhe historianë që pretendojnë se kjo është arësyeja e vetme pse ai i çliroi skllevërit dhe, duke pasur parasysh sesi këto tekste shkollore i inkorporojnë idetë e reja, është vetëm çështje kohe përpara se kjo të bëhet më e zakonshme. Nonsensi i kësaj pikëpamjeje, siç sugjerojnë tekstet shkollore, është se nëqoftëse të bardhët në veri (natyrisht, ashtu si dhe në jug) qenë racistë, ata mendonin se ushtarët zezakë mund të luftonin. Për më tepër, impakti i vërtetë në ushtrinë veriore nuk ndodhi deri shumë kohë pasi Lincoln e kish ndarë mendjen rreth Deklaratës së Emancipimit.
- Në librin tuaj, ju diskutoni se si Ku Kluks Klani është imazhi më i zakonshëm i shekullit të XX në librat amerikane të historisë. Mendimet tuaja?
Kjo është e turpshme, apo jo? Është e vërtetë se Ku Kluks Klani pati një të ashtuquajtur rilindje në vitet '20 të shekullit të kaluar, por asnjëherë afër nivelit që e bëjnë tekstet shkollore. Është e njëjta gjë sot: këtu në Dayton, lajmet mbulojnë një "grumbullim" të Klanit në qendër të qytetit... ku 9 djem të veshur me uniformat e bardha shfaqen përpara 200 protestuesve. Por le të kthehemi tek tekstet shkollore: ajo çka është aq goditëse rreth përfshirjes së Ku Kluks Klanit si një pikë qëndrore e shekullit të XX është se hapësira fotografike e tij është e kufizuar. Për çdo pikturë të Klanit që përfshini, ju po përjashtoni një pikturë të uljes në hënë, të John Fitzgerlad Kennedy, Ronald Reagan apo (Zoti më faltë!) një marshim projetë. Kështu që ky është një theksim nëpërmjet përzgjedhjes fotografike dhe historianët dukshëm e shikojnë Amerikën si një vend racist. (Me që ra fjala, nuk ekziston asnjë fotografi apo imazh i vetëm i një ndonjë marshimi projetës në tekstet shkollore, përjashto njëri që i kishte të dukshëm protestuesit proabort - por shiko që fotot e Klanit nuk tregojnë protestues apo opozitë). Një gjë tjetër rreth Klanit: diskutimet për të janë gjithmonë të lidhura nga pikëpamja hapësinore me paragrafet rreth "nativizmit" dhe Gjyqit Scopes, kështu që mesazhi i qartë për studentin është: "Të njëjtët njerëz që i kundërviheshin mësimit të evolucionit në shkolla qenë dogmatikë dhe terroristë". Kjo është nonsens. E dimë se njerëzit më të arësimuar të kohës ju kundërvunë evolucionit dhe qenë më pak të arësimuarit ata që i besonin atij, por ky është problem tjetër.
- Hedhja e bombave atomike në Japoni?
Disa tekste e bëjnë shumë të qartë pikëpamjen se bombardimi atomik i Japonisë qe "diplomaci atomike", e projektuar për të frikësuar, trembur sovjetikët, por jo që ta detyronte Japoninë të dorëzohej. Ky është budallallëk. E dimë nga dokumente të brendshme japoneze se qeveria japoneze nuk ishte, as afër dorëzimit përpara Hiroshimës dhe akoma hezitonte edhe pas saj.
- Çifti Rosenberg?
Një tjetër shembull i qartë i paragjykimit të hapur. Librat shkollorë deklarojnë se ata qenë të pafajshëm dhe ato që e pranojnë se çifti Rosenberg ishte fajtor, vazhdojnë me shfajësimin e asaj që ata bënë duke thënë se, "Nuk qe dhe aq keq. Ajo çka ata siguruan nuk qe e rëndësishme". Kam bindjen se kjo nënkupton se nëqoftëse një tradhëtar e ekspozon pozicionin e ushtrisë, më pas ushtria lëviz dhe nuk shfaroset, gjithçka është në rregull. Në fakt, askush tjetër përveçse kryeministri sovjetik, Nikita Khruschev, tha se kryespiuni i tij i tha se informacioni i dhënë nga çifti Rosenberg qe vendimtar në ndërtimin e bombës atomike sovjetike.
- Pothuajse të gjithë librat e historisë amerikane e identifikojnë John Wilkes Booth si një "konfederatist" dhe më shumë se gjysma e tyre e identifikojnë Lee Harvey Oswald si "marins". Çfarë do të thotë saktësisht kjo?
Mendoj se është një prej mesazheve më të qarta në libër. Oswald e qëlloi Kennedy për shkak se ishte marins - për shkak të marinsllëkut të tij. Vetëm njëri përmend faktin se ai ishte komunist dhe në fakt kjo që arësyeja se pse ai qëlloi ndaj Kennedy, për shkak se si komunist e përçmonte linjën e ashpër të Kennedy kundër kubanezëve dhe sovjetikëve. Booth nuk qëlloi ndaj Lincoln sepse qe aktor! Kështu që kjo shpalos një mendim shumë të habitshëm të faktit sesi këta historianë shikojnë forcat e armatosura. Në fakt, në shumicën e librave, ka shumë pak - apo ndonjë - imazhe "heroike" të ushtarëve tanë. Disa ushtarë të plagosur në Vietnam duken, por kurrë nuk ju tregohen sukseset ushtarake amerikane.
- Watergate?
Watergate është një pjesë e vogël e kapitujve pabesueshmërisht negative dhe tejet të papëlqyeshëm lidhur me Richard Nixon, rëndom të përziera me fjalë të tilla si "paranojak," "i trazuar", "i errët" e kështu me radhë. Dëshmitë e dala nga mjaft gjyqe në vitet '90, në të cilat G. Gordon Liddy paditet nga John Dean apo zëvendësit e tij rreth pretendimeve të bëra nga Liddy që e nxirrnin Dean prapa hyrjes së paligjshme në watergate u zgjidhën në favorin e Liddy. Kjo të lë të kuptosh se versioni i tij i ngjarjeve - jo ai i Dean - është ai i drejti. Kjo as nuk nënkupton, as unë nuk shkruaj, se Nixon nuk ishte fajtor për pengimin e drejtësisë. Në mënyrë pothuajse të sigurtë ai ishte i tillë, por kjo ndodhi pasi Dean ka gjasa se e planifikoi dhe e drejtoi operacionin për disa kohë.
- Libra shkollorë popullorë shpesh deklarojnë se ishte Gorbaçiovi dhe jo Reagan ai që i dha fund Luftës së Ftohtë.
Kjo gënjeshtër është e trashë dhe, në disa forma, shfaqet në shumicën e librave shkollorë. Në fakt, pesha që i jepet në tekstet shkollore të historisë amerikane është më e madhe sesa ajo e dhënë ndonjëherë nga shumica e liderëve të tjerë të huaj. Gorbaçiovi portretizohet si reformuesi zemërmirë dhe i mrekullueshëm që i duhej të bindte atë të keqin, Ronald Reagan, se bombat atomike qenë të këqija. Kjo është absurde. Gorbçiovi nuk kish ndërmend të largohej nga Afganistani deri kur numri i viktimave filloi të rritej shumë. Atij i duhej që të bënte diçka për ekonominë sovjetike, pasi, në kundërshtim me atë çka një historian tjetër amerikan, Arthur Schlesinger, Jr., tha në atë kohë (se ekonomia e Bashkimit Sovjetik ishte e madhe dhe se do ta tejkalonte atë të Shteteve të Bashkuara!), ajo po kolapsej si një kështjellë prej letre. Reagan e ruajti presionin, veçanërisht me "Luftën e Yjeve" dhe dëshmitë nga ish-arkivat sovjetike janë të pakundërshtueshme se kjo ishte ajo që ndodhi. Reagan e shtrëngoi Gorbçiovin që të ndryshonte, jo anasjelltas.
- Studentëve u thuhet se ekonomia reaganiane u karakterizua, jo nga rritja e lartë ekonomike, por nga defiçitet. Cila është e vërteta historike?
Papunësia u ngrit shumë nën Presidentin Reagan; përqindjet e interesit ranë nga nivelet dyshifrore në nën 1 përqind: amerikanët u bënë pronarë shtëpish si kurrë më parë; të ardhura e ngritën dhe ekonomia shtoi një numër neto të habitshëm prej 14 milion vendesh të reja pune në 8 vjet - kjo në një kohë kur e gjithë Evropa shtoi... zero.
- Kujtoj që ta kem bërë historinë amerikane në shkollë, që nga e mesmja deri në pasuniversitaren. Kur mësohej Lufta e Ftohtë, gjithçka që lexonit dhe dëgjonit ishte që McCarthy dhe Stalin ndodheshin diku në shënimet në fund të faqeve. Mund të thoja të njëjtën gjë rreth një pafundësie çështjesh. Kjo është arësyeja se pse libri juaj është kaq i nevojshëm. Pse mendoni se ekziston ky fenomen?
Për pjesën më të madhe të liberalëve, dy ngjarje e përkufizojnë shekullin XX: seancat pyetësore të McCarthy dhe lufta e Vietnamit. Ata i shikojnë të dyja si "fitore" të forcave të së mirës ndaj Shteteve të Bashkuara imperialiste. Nuk ka rëndësi fakti se çdo emër që përmendi McCarthy, në fakt, ishte komunist dhe se shumë prej tyre qenë agjentë. E urrej ta kap një libër tjetër, por M. Stanton Evans ka një libër të ri shumë të ashpër që ekspozon sulmet mashtruese ndaj McCarthy. Në të vërtetë, e gjithë gjëja e spiunllëkut është futur nën qilim nga historianët majtistë si shembuj të "ekseseve" të qeverisë "komunist-peshkuese" të Shteteve të Bashkuara. Kjo është një mungesë totale konteksti, diçka për të cilën historianët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm. Në një periudhë prej një dekade, ne kemi patur dhjetëra spiunë sovjetikë në qeverinë tonë të ekspozuar, humbëm Kinën, pamë sovjetikët të shpërthenin një bombë atomike, i pamë ata të kontrollonin pothuajse të gjithë Evropën Lindore, të mbështesin një luftë në Kore dhe të vjedhin sekrete atomike. Por, a nuk qe real "Kërcënimi i Kuq"? U them studentëve: "Nëqoftëse fus dorën në xhep, ju gjuaj me laps dhe ju largoheni duke ulëritur nga dhoma, atëhere kjo është "paranojë". Një frikë ndaj diçkaje rreth se cilës nuk keni asgjë për t'u frikësuar. Por nëqoftëse nxjerr një kobra nga xhepi, atëhere më mirë vraponi. Kjo nuk është paranojë. Kjo është "normale". Po kështu me Kërcënimin e Kuq. Kishte arësye të vërteta për të qenë i "frikësuar".
- Çfarë do të shpresoni se libri juaj do të ndihmojë të arrihet?
Shpresoj së prindërit më së paku do të shikojnë në librat e fëmijëve të tyre dhe shpresoj se studentët do të mendojnë rreth disa budallallëqeve që po marrin nga librat e tyre. Oh, shpresoj se ata gjithashtu do të blejnë një libër shkollor të vërtetë të historisë amerikane, A Patriot's History of the United States.
Përgatiti
ARMIN TIRANA