At Marin Sirdâni: Në Shka Fajiset Skânderbegu? (Pjesa V)

At Marin Sirdâni: Në Shka Fajiset Skânderbegu? (Pjesa V)

(Hamza Kastrioti)

Por as prej ngatrresave e tradhtive që bien në sy në jetën e Skënderbeut, nuk vërtetohet aserta e Gjon Muzakës se ai i rrëmbeu shtetin ndonjë princit shqiptar. Me Skënderbeun u prishën disa herë Dukagjinët, ndonjiherë Shpanët, e duket se edhe Muzakajt nuk i paten pipat mirë me të. Dukagjinët shihet qartas prej mënyrës që u ndreqën secilën herë, se u keqsuan e i morën anën Skënderbegut për pamarrveshje e rivalitet e jo per çe sht je aneksimesh (1) Muzakajt nuk e diftuen kurrë faqe pakënaqsinë e vet ndaj Skënderbeut sa ai qe gjallë: ata morën pjesë me princa tjerë aleatë ndër mbledhje e i çuan ndihma ushtarake e të holla në rast nevoje si princat e tjerë.

Per Shpanët dihet prej Tivarasit, se tuj pasë dekë kah mbarimi i Nandorit, 1454, Pjetër Shpani, princi i Pultit Poshtër, u pështjellue vendi per shkak të bijve që nuk binin në godi për trashëgim, Ipeshkvi i Drishtit, Pjetër Ejllori, çoj e grishi Skënderbeun, që si kryetar i lidhjes të vinte me i vu kapak asaj degame. Ky me t’a marrë lajmin, udhetoi me një pjesë ushtrijet që kishte në Dibër e kaloj në dhenë e Pultit. Aty, ku me të mirë e ku me kërcnim, për një kohë të shkurtë, me shumë urti e pa i ba dam njeriut të gjallë, pajtoj e qetsoj atë vend. U pa nevoja veç t’u lidhte ndër pranga, vllau i vogël, Mark Shpani, djalosh kryeneç i qitun, i cili nuk u vente kurrsesi në kryq, e që kishte qenë shkaku i gjithë atij pështjellimit. (2)

(Autori shkrimit At Marin Sirdani)

Edhe për ndërmjetsinë e Skënderbeut në këtë degam, Fan Noli i pret drutë shkurt e thotë: “i shtroj malsit e Shoshit e të Shalës, të cilat mund t’a marrim me mend qe i aneksoj një herë e mirë”. (3) Po t’kishte qenë ky aneksim i njimendët, arësyeja e lypë që t’u përpiqte Skënderbeu a zyrtarët e tij me banorët e atij dheut ndonjë herë mbas atij rasti, në sa shkrimtarët e asaj kohe nuk e përmendin as tërthorazi. Këtij aneksimi i kundërshton edhe lidhja e Dukagjinve dhe Shpanve me Turqtë, kundra Skënderbeut në vjetin 1461. Barleti nuk e përmend fare këtë ngatrresë, e Tivarasi e cekë për rrshit, pa diftue shkakun e saj. Thotë vetëm se, në sa Skënderbeu ishte tuj bashkue një ushtri për të kalue n’Itali, mbini një ngatrresë ndërmjet të tij e Dukagjinve e Shpanve, e u pezullue atë vjetë e shkuemja përtej detit, pse ishte frikë me krisë lufta civile. U ndërmjetsue Pal Ejllori, Kryeipeshkvi i Durrsit, njeri në shenj, që jau kalonte të gjithë n’urti, dije e virtyte. Ky me durim, urti, zell e gojtari, mbrrijti me avitë zemrat e me shpëtue dhenë prej atij farë rrezikut. (4)

Shkaku i kësaj ngatrrese del në shesh prej nji Breves (5) që Piu II i dërgonte Kryeipeshkvit të Durrsit e të Tivarit, e të gjithë Sufraganeve të tyne me datë 10 Fruer 1461. Prej saj kuptohet se Lekë Dukagjini i përkrahun prej Shpanve kishte pushtue Dejën me pabesi tuj mbytë komandantin e saj venedikas, edhe kishte kërkue ndihmën e Skënderbeut kundra Venedikut, por mbasi ky refuzoj, Lekë Dukagjini e Shpanët lidhën një aleancë me Turqtë kundra Venedikut e Skënderbeut. Papa i sipërthanun nëpër atë Breve u bante me dijtë Dukagjinve, Shpanve e antarve të tyne, që po qe se mbrenda pesëmbëdhjetë ditëve nuk do të këputshin çdo lidhni me Turk, binin në mallkim. Kështu, ku prej frike t mos t’iu çojshin peshë nënshtetësit, ku prej mënyrave të bukura që dijti me i marrë Pal Ejllori, Dukagjinët e Shpanët këputën aleancën me Turk, e kthyen prapë në lidhjen me princat shqiptarë. (6)

Prej kësaj ngjarje shihet se Shpanët ishin me të vërtetë princa indipendenta, e Skënderbeu ndreqet me ta si me Dukagjinët, përndryshe, po t’kishin qenë subjekte të tij, mirret me mend se ai mbrapshtinë e tyne nuk do t’a lente me kalue aq në terr.

(Nikoll Dukagjini)

Për tradhtin e Moisiut e të Hamzait nuk asht nevoja të shtrojm kuvend, ata banë poshtërsi prej ambicjonit t’i zanë kambën Skënderbeut. Të dy u banë me Turk dhe e provuan, por u doli puna e shpueme. Edhe Gjergj Stres Balsha i doli i pa besë Skënderbeut tuj i shitë Turkut fortesën e Modrizës në vjetin 1455. Për atë mbrapshti që bani, Skënderbeu i konfiskoj pronat e ia lëshoj të vllaut, Gjon Balshes. Ma tepër i mori të hollat që kishte pasë prej Turkut per shitje t’asaj fortesë dhe e gjykoj me një burg të përjetshëm. Ma vonë, me ndërmjetsi të motrës, Jellës, qe lirue prej burgut, por nuk u pranue në kurrnjë zyre as civile as ushtarake. (7)

Prej ankimeve që Barleti qet në gojë të Hamzait (8) kishte me u marrë vesh se Skënderbeu ia hoq Gjergj Stresit sundimin e Arbnit, por Tivarasi thotë se i konfiskoj pronat të cilat ia dha të vllaut, Gjonit, e se mbasi e liroj prej burgut nuk e pranoj ma në kurrnjë zyrë. Kishe me thanë se këto dëshmime nuk kundërshtohen por plotsohen njana me tjetrën. Skënderbeu i hoq Gjergj Stresit të drejtën që i kishte dhanë me qeverisë atë krahinë nën hijen e tij, sikur ia kishte pasë dhanë edhe i ati, Gjon Kastrioti, t’et të Gjergjit qyshse ai vend u nxorr prej duarve të Turkut. Mbas asaj faqe të zezë që bani, ia hoq at tagër si djalë i parë që ishte e i konfiskoj edhe pronat, të cilat ia lshoj, si u tha sipër, të vllaut, Gjonit, i cili i ndejti besnik dajës deri në ditën e mbrame të jetës së vet.

Se këta princa nuk ishin indipendenta, posë çka u shenjue kur shkruam ma sipër se si borën pamvarsinë në kohën e Gjon Kastriotit, një provë se ata ishin vërtetë subjekte të Skënderbeut, asht se këta nuk përmenden as para kësaj ngjarje në kurrnjë rast për ndonjë ndihmë ushtarake a të hollash të çueme Skënderbeut, si përmendën princat tjerë indipendenta, e pra këta morën pjesë të thuash ndër të gjitha luftat, me dajën e vet, Skënderbeun.

Posë krahinave e viseve që u shenjuen në këtë studim, historikisht nuk mund të provohet se pat Skënderbeu të tjera. Prej zhvillimit që kemi dhanë mbi këtë çeshtje, na e merr mendja se ndritë qartas se si Skënderbeu i shtoj kufijt e princnisë së Kastriotve, e se sa të drejtë kishte ai me i zotnue ato vende; prandaj asht një dhunë që i bahet Kreshnikut tonë, po iu zunë të rrëmbyeme vendet që vullnetarisht ia lshuan të zotët, a që me fuqi t’armve ia mori Turkut. Asht e pathemeltë dhe e gabueme aserta e Fan Nolit, ku thotë se: “Skënderbeu i merzitur prej princave feudalë të vegjël të cilët i kishte si gjyle në këmbë, në mos armiq e tradhëto rë, i vuri kazmën sistemit feudal dhe ata prej princërve që mundi i mediatizoj, domethanë ua hoqi të drejtën e mbretërimit dhe i aneksoj principatat e tyre nën hijen e tij, po u la, nga ana tjetër, proprietetet personale, të cilat nuk ua ngau edhe titujt ashtu si i kishin”. (9)

Biografët e vjetër të Skënderbeut dëshmojnë se ai u mundua mos me randue aleatët e vet, e i ndejt këshillit të tyne. E kur ata i morën anën a nuk e ndihmuen mbas besës që i kishin dhanë kur e zgjodhën kryetar të Lidhjes, si ndodhi në luftën me Venedik, vjetin 1448; në rrethimin e Krujes, vjetin 1450; e kur deshti me u shkue në ndihmë Maxharve vjetin 1444; bani çka mundi vetë, e pa u mëni për zhburrnimin e tyne, vijoj në marrdhanje me ta si përpara. Populli e ushtrija adhuronte mbasi, jo vetëm pse e shihte se sa bukur dijte me i ardhë gjithkujt e me shtypë anmikun, por ma fort pse dinte me zotnue jo vetëm të tjerët por edhe vedin (10). Sjellja e tij kundrejt Moisiut, Hamzait e Stresit, që i dolën të pabesë e tradhtarë; Dukagjinve e Shpanve që u rreken me i ba të zezen, e diftojnë të ndalun, të thyeshëm e zemërgjanë, e jo si thotë Gjon Muzaka, njeri që mezi priste me gjetë shkaqe se si me shtypë princat e burrat e Shqipnisë, për me naltue vedin, e me shtue rrethin e shtetit të vet.

(vazhdon me pjesen e fundit)
Publikue ne
http://www.albanianreview.com/Switch/net/Portals/0/Kritika_Kulturore/PostKolonializmi/Ne_Shka_Fajiset_Skanderbegu.htm

Referencat Pjesa V dhe Permbajtja
1. Vro Rinaldin, ann. 1452, n. 15; ann. 1460, n. 104; - Biemmin, L.I1, f. 122; L. IV, f. 298 -299; L. VI. f. 394 - 395.
2. Biemmi, L. V, f. 331
3. Fan Noli, v. e ç., kIll, f. 213
4. Biemmi, L. VI, f. 394 -365
5. Rinald, ann. 1460, n. 104
6. Biemmi, L. IV, f. 299

7. I suoi beni furono donati al suo fratello Giovani: Moise riebbe eio ehe la di lui eontumaeia non avea voluto rilaseiare; Seanderbegh appropriossi i danari del tradimento … e riposto in liberta: trattato pero sempre per un fellone, per un traditore, ed esc1uso da ogni sorta di impiego. Il suo fratelle Giovanni seguito fedelmente, e eostantemente l’armi del zio” Biemmi, L. V, f. 347 -349.
8. Barleti, L. IX, f. 253.
9. Fan Noli, v. e. ç., k. f. 210
10. Biemmi, L: V, f. 344, 346
11. Biemmi, L. VI, fq. 488
12. “Perrimus jam omnes dum quisque si bi se natum existimat” .
13. Biemmi, L. I, f. 41 -42.
14. Biemmi, L. IV, f. 274 -277.
15. Biemmi, L. IV, f. 277
16. Biemmi, L. VI, f. 481
17. Fan Noli, v. e ç .. k IV, f. 286