Përshëndetje Festivalit nga Alessandro Castriota Scanderbeg

Përshëndetje Festivalit nga Alessandro Castriota Scanderbeg

Do të desha të falenderoj së pari zotin Blerim Gjoci për ftesën që më bëri për të marrë pjesë në këtë festival si edhe të falenderoj përpara jush miken time Edlira Dedja, që si gjithmonë, më shoqëron në tokat ku ka shkelur më parë paraardhësi im, ashtu si dikur Virgjili, që shoqëroi mikun e tij Dante në thellësitë e ferrit,
të cilin e përshkroi me aq art në « Komedinë Hyjnore ». E bëj këtë krahasim, mbasi për mendimin tim, në shekujt e fundit, tokat shqiptare kanë përjetuar vuajtjet e ferrit. Por nga ana tjetër, shpresoj se nga ky ferr ngjarjesh tragjike, që përfshiu deri në prag të mijëvjeçarit më të ri Kosovën dhe Shqipërinë, të gjindet rruga e ëndërruar në shekuj prej shqiptarëve, që të çon në parajsën e paqes, lirisë, qetësisë dhe lumturisë së këtij populli të martirizuar padrejtësisht nga historia. Dhe për të mbrritur në krye të kësaj rruge të vështirë, e gjithë kjo varet nga ne. E gjithë kjo varet në vullnetin tonë. Ashtu si dikur Skënderbeu, që me vullnetin e tij të pakrahasueshëm shpërndau dritën në errësirën mesjetare.

Do të desha t’ju kërkoj falje që nuk mund t’ju drejtohem në gjuhën shqipe. Parardhësi im, Skënderbeu e fliste në mënyrë perfekte gjuhë e tij. E përveç saj, ai fliste po aq mirë edhe turqishten, arabishten, greqishten, italishten, bullgarishten, hungarishten dhe gjuhën serbe. Mesa duket, unë nuk kam mundur ta trashëgoj nga stërgjyshi im këtë virtut. Në mënyrë perfekte flas vetëm gjuhën italiane. Por mund të them se kam veti të tjera, për të cilat mund të mburrem : këndoj, luaj në piano, recitoj apo luaj në skenë, pra jam një artist.…
Alessandro Castriota Scanderbeg

Alessandro Castriota Scanderbeg
Por edhe në këtë drejtim, kam përshtypjen se paraardhësin tim legjendar nuk kam mundur ta lë mbrapa, mbasi ai ishte një artist i paarritshëm. Ai ishte interpretuesi më i madh i rolit të tij unik në historinë e botës dhe të qytetërimit, mbasi diti t’i veshë personazhit të tij petkat e njërës prej figurave më të mëdha që ka njohur njerëzimi deri në ditët e sotme. Ai diti ta interpretojë deri në perfeksion rolin e prijësit dhe gjeniut, duke mundur të kthejë faqen e historisë botërore drejt lirisë, përparimit dhe emancipimit.

Për këtë arsye, dua t’ju them me sinqeritet se është shumë e vështirë të mbash peshën e trashëgimtarit të një një njeriu të tillë. Çfarëdo gjëje që unë bëj apo mund të mbrrij në jetë, do të jetë përherë një « hiç » përpara madhështisë së Tij.

Skëndërbeu ishte një artist i madh e për të, lufta mund të quhet vërtet « art ». Por kjo s’ka të bëjë me faktin se lufta quhej ende një art në botën barbare të antikitetit. Si pioner i kohëve moderne, ku koncepti i luftës është një barbari dhe art mund të quhet vetëm rruga që të çon drejt paqes, lufta e Skënderbeut u ngrit në art, mbasi do ti paraprinte pikërisht kësaj epoke të re.

Skënderbeu s’mund të mbështetej asnjëherë vetëm tek forca, mbasi kundërshtari i tij ishte shumë herë më i fortë numerikisht dhe më i organizuar ushtarakisht. Dihet që në atë periudhë, ushtria otomane ishte makina luftarake më e fuqishme në rajon. Pra për të vepruar e për t’iu kundërvënë këtij përbindëshi të pathyeshëm, që kishte paralizuar Azinë e një pjesë të madhe të Europës, Skënderbeu duhej të vepronte duke njohur në mënyrë perfekte, së pari vetveten, limitin e njerëzve të tij, e më pas armikun e tij, deri në detaje.
Ja përse Skënderbeu ishte një gjeni dhe një artist. Artisti vjen pas të qënit njeri. Dhe Skënderbeun njeri e njohim të gjithë. Të gjithë e dimë se ai i donte ushtarët, i donte njerëzit e tij. Dashuria ishte për të arma më e fuqishme, shumë më e fuqishme se shpata apo topat e rëndë. Pa marrë parasysh pasuritë e tij, ai qëndronte i thjeshtë, nuk vishej kurrë në mënyrë lluksoze, por pretendonte që ushtarët e tij të vishnin uniformat më të mira ; i stimulonte personalisht të gjithë luftëtarët, mbasi i njihte një për një të 3.000 njerëzit që përbënin ushtrinë e tij : vizitonte me dhimsuri të gjithë të plagosurit, bënte dhurata të çmuara për ata që tregonin trimëri në betejë, duke i falenderuar përpara të gjithëve, duke mos kursyer fjalët e mirënjohjes karshi tyre ; i falte të gjithë ata që pendoheshin për tradhëtinë ndaj tij, deri duke u falur jetën atyre që kishin tentuar vrasjen e Tij.
Pra Skënderbeu ishte një njeri i mbushur me dashuri. Ishte pikërisht kjo dashuri për njerëzit dhe tokën e tij, ishte dhe dashuria që njerëzit kishin për të, sekreti dhe arti i fitores mbi armiqtë e tij, superiorë në numër e në forca.

Një gjë të tillë nuk e gjejmë të shkruar në librat e historisë. Librat e historisë radhisin data, evenimente, të vdekur, beteja, rezultate, numra, trashëgimtarë të froneve të ndryshëm, princa, mbretër, kompllote, por nuk përshkruajnë asnjëherë ndjenjat e brëndshme të heronjve dhe përjetimet e tyre. Dhe njeriu që mundi të mbrijë majat e artit ushtarak, njeriu që e ktheu në art luftën për lirinë e vëndit të tij, ishte Skënderbeu, i cili e çau rrugën e vështirë të fitores me fluksin e pamatë të dashurisë dhe pasionit prej shqipëtari të vërtetë, prej atdhetari të pashoq. Ishte Shqipëria e tij ajo që i ushqente kurajon, ndershmërinë, zemërgjerësinë, gjeninë taktike e dipllomatike, forcën për të përballuar çdo lloj kundërshtari. Ishte Shqipëria e tij ajo që i dhuroi kapacitetin e tij të jashtëzakonshëm si dhe dhuntinë për të falur. Dhe për mendimin tim, ishte pikërisht kjo dhunti që e radhit Skënderbeun në « heronjtë e kohëve moderne ».
Ishte pikërisht kjo dhunti, mjeshtëria më e lartë artistike e tij.

Jeta e tij ishte si kalvari i një filmi kryevepër. Dhe kur shikojmë një kryevepër, mund të qajmë, mund të na dridhet mishi nga mallëngjimi, por mbi të gjitha, marrim një leksion të madh mbi jetën.
Kështu mund të konsiderohet edhe jeta e Skënderbeut, një leksion i gjallë dhe i apasionuar për mbarë njerëzimin, si ligjarata e të gjithë mjeshtrave të mëdhenj.

Ky ishte Skënderbeu artist. Skënderbeu që shkroi me shpatën e tij fatin e Botës së Re. Dhe Skënderbeu ishte shqiptar e për këtë ju duhet të jeni krenarë, mbasi ndjenja e paqes dhe lirisë buron në gjenetikën e këtij kombi krenar.
Shkrimtari i madh i viteve 900’ Fan Noli ka shkruar :
« Ndonëjherë pyes veten i çuditur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri më të gjallë se Skënderbeu ! »

Dergoi Edlira Dedja, pjaniste dhe Presidente e “Opéra sans Frontières”, Zvicër

Të nderuar miq,
Alessandro Castriota Scanderbeg më ka nisur një shkrim si përgjigje për diskutimet e fundit shqiptare mbi Skënderbeun. Mua më duhet ta përkthej atë për ta publikuar, por jam shumë e zënë e në fillim të javës që vjen, do ta përgatis.
Tani po ju nis, nëqoftëse ju intereson, përshëndetjen e tij në festivalin e filmit artistik në Prishtinë, ku ishte i ftuar si president i jurisë. Më vonë, do t’ju nis për botim edhe intervistën e tij pas vizitës së parë në Prishtinë.
Miqësisht, EDLIRA, 30.11.2008