“Vështirësitë e krijimit të Ushtrisë së Kosovës” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Vështirësitë e krijimit të Ushtrisë së Kosovës” plus 1 more Telegrafi Opinione


Vështirësitë e krijimit të Ushtrisë së Kosovës

Posted: 24 Jan 2018 08:24 AM PST

Edhe sikur Kosova të “lundronte” në kushte normale politike, procesi i transformimit të FSK- se në Ushtri do të merrte një kohë e cila do të kërkonte se paku pesë vite. Në radhë të parë, kjo lidhet me kuadrin komandues – nënoficer dhe oficer – për të cilin vendet e NATO-se kanë standarde që i aplikojnë në mënyrë strikte. Kjo ka të bëjë me shkollimin të kuadrit komandues, sipas kritereve të aplikuara në akademitë te tyre.

Në rastin e Kosovës, ky kuadër është në përgatitje e sipër, kadetët e FSK-së po përgatiten sipas standardeve të vendeve të NATO-së në Akademinë tonë dhe po specializohen në akademitë më prestigjioze të vendeve te NATO-se. Ky kuadër i aftësuar tani ka arritur nivelin e gradës major dhe derisa ta zëvendësojë kuadrin e pakualifikuar që ndodhet në FSK – deri në nivelin e gradave të gjeneralit – transformimi i FSK-se në Ushtri nuk do të ndodhë, se paku jo me bekimin e SHBA-ve dhe NATO-s.

Transformimi eventual, në mënyrë të njëanshme, do të komplikonte gjërat dhe një Ushtri pa aleat do të jetë e padobishme për faktin se në radhë të parë ne nuk do të përballonim financiarisht krijimin e një ushtrie e cila do të ishte efektive për të krijuar frenim dhe mbrojtje të agresorit eventual, siç është Serbia.

Nëse ndodhë transformimi i njëanshëm, kërkohet që njëkohësisht të ngriten struktura dhe të bëhet furnizimi me pajisje të Ushtrisë së Kosovës, në mënyrë të shpejtë, ngase çdo veprim pa miratimin e SHBA-ve dhe NATO-së nënkupton ngritje të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke u “mbështetur në forcat e veta” – sipas parullës komuniste të Shqipërisë.

Në radhë të parë, SHBA-të nuk do të lejojnë deri në momentin e fundit që të ndodhë degradim i këtyre përmasave. Mirëpo, situata politike në nivel global, ku probabiliteti për përdorimin e armatimit bërthamor është rritur më shumë se gjatë Luftës së Ftohtë (konflikti SHBA-Kore e Veriut), politika agresive ruse drejt vendeve të Ballkanit dhe programi bërthamor iranian shtojnë gjasat që SHBA-të të lodhen më problemet e mëdha që po i bën Kosova e vogël dhe interesimi i SHBA për Kosovën të venitet.

Jam i sigurt se në Kosovë ka forca politike të cilat e duan vendin dhe nuk do të lejojnë që gjërat të arrijnë deri në ketë nivel, por për ata që po tentojnë t’i degradojnë marrëdhëniet me NATO-n dhe SHBA-t[, duhet të dinë se kjo është një sfidë e papërballueshme.

Faktori i parë që Ushtrinë e Kosovës e bën të padobishme, pa mundësi të krijimit të kapaciteteve të mjaftueshme frenuese dhe mbrojtëse, nëse ajo formohet njëanshëm, është ai financiar. Për t’i ndenjur karshi agresionit eventual serb njëanshëm, pa aleatë që sot i kemi, duhet që së pari të krijohet ekuivalenca në forca. Sa për krahasim: Serbia posedon kapacitete të artilerisë klasike me larghedhje deri ne 32 kilometra (obusi i sistemit NORA-A (M84 dhe Nora B-52 në kal. 155) dhe detyrimisht ne do të jemi të obliguar që të kemi ekuivalentin e tij dhe të formojmë se paku katër regjimente të këtij niveli – tre aktivë dhe një në rezervë nëse merren parasysh tri drejtimet mësymëse serbe (siç ata i kanë ndarë, Ibarski, Merdarski dhe Moravski). Një bateri e regjimentit minimum duhet të ketë katër gryka dhe një regjiment – së paku tre bateri që bëjnë 12 gryka, që ne total i bie për katër regjimente me 48 gryka.

Në rast të transformimit të koordinuar me SHBA-të dhe NATO-n dhe duke e marrë për bazë dekretin e presidentit Bush për lejimin e blerjes së armatimit për Kosovën në SHBA, ne do te furnizoheshim me obusin amerikan M-777, i cili përafërsisht për një gryke kushton mbi gjashtë milionë euro. Një ftohje e marrëdhënieve me vendet e NATO-s nënkupton se Kosova automatikisht përjashtohet nga lista e blerjes se sistemeve në këto vende dhe në vend se këto t’i marrim me kredi dhe donacion, duhet të orientohemi në vendet e treta dhe atë me kushtin qe ato na e shesin.

Në rastin e tillë, hipotetikisht, duhet të marrim sistemin Izraelit ATMOS-2000, i cili gjithashtu kushton mbi gjashtë milionë. Pastaj, me shpejtësi duhet të formohen edhe katër regjimente të mbrojtjes kundërajrore që përpos sistemeve të raketave duhet të posedojnë edhe regjimentet e sistemit elektronik për vëzhgim, identifikim dhe lajmërim ajror, i cili gjithashtu është i shtrenjtë.

Ne anën tjetër, në mënyrë të shpejt duhet të formohen katër brigada të forcave tokësore, tri prej të cilave do të jenë të gatshme për ta përballuar mësymjen e forcave serbe në tri drejtime dhe njëra në rezervë. Këto brigada gjithashtu në mënyrë të përshpejtuar, përpos armatimit personal, duhet të pajisen me armatim shtesë nga niveli i togës: për çdo togë një grykë mobile kundërblinduese; për çdo kompani një togë e artilerisë me mortaja 80 mm.; dhe një toge e mbrojtjes kundërblinduese me sisteme reaktore vetëdirigjuese apo të dirigjuara. Gjithashtu, në kuadër të çdo batalioni duhet një bateri e mortajave 120 mm., dhe se paku nga 3-6 gryka mobile të raketave vetëdirigjuese me infra të kuqe për të neutralizuar aviacionin dhe helikopterët në fushëbetejë. Të gjitha këto, me rezerva municioni për 15 dite luftimi, nuk i përmbyllin dy buxhete të Kosovës.

Siç po shihet, politikat aventuriere të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të Kosovës, kanë humbur besimin te partneret perëndimorë dhe kanë filluar ta izolojnë vendin. Ne ketë atmosferë izolacioniste të lidershipit kosovar, vështirë se mund të ndodhë një bekim për transformimin e FSK-së. Për momentin, FSK, ashtu siç është e strukturuar dhe vetëm me një ushtarë të SHBA-ve në Bonstill, i ofron mbrojtje Kosovës me shumë se sa me një Ushtri siç po pretendon të krijojë lidershipi aktual kosovar.

The post Vështirësitë e krijimit të Ushtrisë së Kosovës appeared first on Telegrafi.

Forca që nuk e bën fuqinë

Posted: 24 Jan 2018 08:13 AM PST

E keni të freskët thënien legjendare, të kryetarit nga viset legjendare, ku gjithçka është legjendare? Kur thuhet diçka, atëherë bjeri vulë me simbolin e kupolës. Sidomos mos dyshoni në nocionet elementare, të cilat ju mbase keni menduar se i dini, por jeni gabuar. Ju nuk i dini.

E keni ju të qartë, çfarë do të thotë linçim? Ç' është e vërteta, kjo është një fjalë e cila, bashkë me sintagmën demokraci e brendshme, kultin e personalitetit, po (keq)përdoret me shumicë në debatet tona, rreth fraksioneve në Lëvizjen "Vetëvendosje", dhe po duket sheshit se përdoruesit nuk e kanë edhe aq të qartë kuptimin e tyre, derisa e sforcojnë përtej logjikës së shëndoshë.

Nuk është e qartë se kush e filloi, krejt këtë luftë as pse mori përmasa groteske dhe u shndërrua në ortek fyerjesh e sharjesh publike ndaj njeriut më të votuar të vendit dhe kandidatit për kryeministër të partisë e cila doli të jetë edhe më e madhja në parlament bazuar në numrin e deputetëve. Kjo mund të ketë qenë edhe behanja ma e madhe publike e saj, pra fuqia e saj, e fituar shpejt. Ka mendime se "Kupola" po dridhej nga idetë e reja, të cilat e rrezikonin rehatinë e krijuar në shtëpi, ku të gjitha palët vendore dhe ndërkombëtare po bashkëjetonin me krimin, dhe po pajtoheshin se gjendja është e keqe, por nuk donin turbulenca, sepse ato e kishin gjetur interesin e vet në të.

Pra, gjithçka filloi kur një nënkryetare e parlamentit, bartësin e listës zgjedhore të partisë së vet, e quajti m…në një komunikim të fshehtë besnikësh! Bazuar në publicitetin, ka shumë gjasa që ajo të mbahet mend në historinë tonë më të re, pikërisht për këtë deklaratë e cila paraqet, me gjasë edhe të arriturën saj më të madhe në karrierën politike.

Ndoshta krejt do të përfundonte me këtë mungesë edukate në komunikim sikurse të mbetej me kaq. Por, shpejt u pa se ky ishte veçse m… i parë virtual, që prej përdorimit të shpeshtuar e bëri me erë krejt skenën tonë politike, dhe kjo vështirë mund të ndodhte po të mos bëhej fjalë për një lider opozitar. Asnjërin nga liderët e partive në pushtet, asnjëherë nuk e ka linçuar media, nuk e ka përbuzur dhe poshtëruar kaq pa frikë dhe turp.

Pastaj dikush e përmendi fjalët linçim dhe demokraci e brendshme, pa e pasur ide për kuptimin e tyre. Por, partia e cila mund të ndryshonte gjendjen, sipas interesit të kupolës, duhej ndarë, ashtu si ishte ndarë dikur edhe LDK në kuvendin e karrigeve. Armata e mercenarëve nëpër rrjete sociale i kapi fjalët, e ndyta, të hedhura në etër, dhe bëri aq rrëmujë, sa as sot e kësaj dite nuk është e qartë kush kë po e linçon në këtë (anti)fushatë.

Kur jemi te linçimi dhe etimologjia e fjalës, ashtu kalimthi, në historinë amerikane, përmendej, njëfarë Charles Lynch, oficer dhe gjykatës, pastaj njëfarë William Lynch , i cili në shekullin e XVIII-të, organizonte grupe qytetarësh për të kapur bandat famëkeqe të grabitësve të cilat i dënonte pastaj pa gjykim, sipas qejfit të vet. Përmendet edhe një James Lynch, krye bashkiak i qytetit irlandez, Galway, i cili në procesin gjyqësor të djalit të tij, ishte në rolin e prokurorit dhe gjykatësit, për të marrë edhe rolin e xhelatit pas shpalljes së dënimit. Sot e kësaj dite nuk dihet se cili nga këta shërbeu, apo ishte ndonjë Linch krejt tjetër, për të emëruar fenomenin e gjykimit dhe ekzekutimit të drejtpërdrejtë nga ana e masës. Mund të kenë qenë edhe më shumë, kumbarët, por asnjëri nuk mund të krahasohen me Albinin, as me Dardanin, apo Shpendin dhe me ushtarët e tyre virtual dhe real. Te ne fjalët nuk kanë peshë as kuptim të parë. Kanë vetëm kuptim të dytë dhe shpjegim politik. Politikisht, duhej një linçim dhe po e bënin.

Doli se ushtarët virtual të Dardanit ishin më të shumtë se të Albinit, sepse ata morën përkrahjen e mbrojtjes tonë gjithëpopullore virtuale, por në teren real, ata doli të jenë me pak ushtarë, ose hiç fare. Kjo u duk sidomos nga votimet, e fundit, për zgjedhjen e kryetarit të partisë, u mbajtën në tokë, jo në rrjet, kështu që kandidati fitoi, në garë me vetveten, me një përqindje tejet të lartë sa që të rebeluarit, duket të kenë mbetur krejtësisht pa elektorat për zgjedhjet e radhës.

Debatuesit, dhe kritikët ishin kryesisht të jashtëm. Falë mercenarëve në media dhe në rrejte sociale, u krijua ideja se Kosova nuk ka problem më të madh, e as armik më të madh se Albini. Herë e quanin Albin e herë me emra të tjerë. Madje, kur donin ta shanin dikë, e quanin , " O Albin! Po e kuptoni?! Ai nga opozita, edhe nga burgu, po e turbullon ujin e pastër, të politikës kosovare. Nga burgu po i linçonte kundërshtarët politik. Po ndërtonte kult personaliteti…!

Nejse, u harruan mëkatet e klaneve, kundër të cilave angazhohej , pikërisht kjo lëvizje. Sido që të jetë, kësaj radhe armiku i brendshëm, dështoi në një përpjekje për ta marrë kalanë nga jashtë, se nga brenda edhe më herët ishin bindur se nuk merrej dot. Fajtorë ishte "Kulti"!

E keqja, shoqëria jonë ende nuk është virtualizuar aq sa të ndryshojë realitetin në tokë. Facebook-u ende nuk është bërë më i fuqishëm se rrjetet partiake. Prandaj, dështoi rrëfimi i ngritur mbi nocione krejtësisht të paqarta, dhe nuk u besua. Janë çoroditur dhe nuk shërbejnë më as sintagmat e njohura, në këtë përpjekje për të ndërruar paradigmën…! Eh, aq shumë besuan në hipnozën virtuale!

Megjithatë, forca nuk e bënë fuqinë! Forca nuk e pat fuqinë me na bindë për rrëfimin e sajuar, as përkundër zhurmës gjithëpërfshirëse

The post Forca që nuk e bën fuqinë appeared first on Telegrafi.

Related Posts: