Tirana Observer: ““Kryetar mirë je” Rama i jep dorën Lulzim Bashës në parlament (FOTO)” plus 9 more

Tirana Observer: ““Kryetar mirë je” Rama i jep dorën Lulzim Bashës në parlament (FOTO)” plus 9 more


“Kryetar mirë je” Rama i jep dorën Lulzim Bashës në parlament (FOTO)

Posted: 09 Sep 2017 10:27 AM PDT

Sapo është kthyer nga votimi për Gramoz Ruçin kryetar parlamenti, Edi Rama i dha dorën në fillim Flamur Nokës dhe më pas është zgjatur deri tek Lulzim Basha duke bërë të njëjtën gjë.

"Kryetar mirë je" ishin fjalët e Edi Ramës i ndjekur nga vështrimet e të gjithë deputetëve që ishin në sallë.

Nga takimi i 17 Majit duket se si Rama, ashtu edhe Basha janë larguar me përshtypjet më të mira për njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një klimë pozitive në marrëdhëniet personale.

Pamjet e shtrëngimit të duarve mes të dyve janë filmuar nga News24.

Shteti tregon muskujt me “të fortët”, 12 raste në prokurori

Posted: 09 Sep 2017 10:19 AM PDT

Policia nis hetimin e pasurisë për të ndaluarit me makina luksoze të trafikuara nga jashtë. Në mesin e muajit gusht vetëm në Tiranë, policia bllokoi 17 automjete të tilla, të markave të ndryshme, ndërsa 20 tjera u sekuestruan Elbasan Shkodër, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Automjetet luksoze u bënë një indicie për hetuesit për të verifikuar të kaluarën dhe burimet e tyre financiare.

Tv Klan mëson se vetëm Policia e Tiranës ka referuar në prokurori mbi 12 raste të hetimit pasuror ndaj personave apo grupeve të dyshuara se kanë vënë pasuri me të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Përveç trafikimit të mjeteve motorike ata rezultojnë të përfshirë edhe në trafikimin e drogës dhe prostitucionit.

Pjesa më e madhe rasteve të denoncuara deri tani u përkasin elementëve të njohur të grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë.

Burimet thanë se hetimi i trafikimit të automjeteve nga jashtë Shqipërisë ka zbuluar edhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme të personave nën hetim.

Automjetet e vjedhura në Europë janë marrë përsipër nga këto grupe kriminale dhe më pas janë shitur në persona të tretë në vendin tonë me dokumentacion të falsifikuar.

Referime në prokurori për hetimin e aseteve kriminale nga Policia e Shtetit janë kryer edhe në prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore të vendit.

Aksioni u kërkua pak ditë më parë nga vetë drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Letër prindërve të nxënësve: Shkolla është erz!

Posted: 09 Sep 2017 09:49 AM PDT

Nga Ledi Shamku

Letër prindërve të nxënësve

Po ju shkruan një prind nxënësish, një gocë zyshe e një zyshë njëherazi; po ju shkruan poashtu edhe ajo që beson te magjia e arsimit të mirë kombëtar. Qytetërimi është Arsim; Ekonomia është Arsim; Rendi është Arsim; Shëndeti është Arsim; gjithçka për një komb është në thelb Arsim.

Të dashur prindër të nxënësve që këtë të hënë nisin shkollën, së pari na u qoftë udha dritë fëmijëve! Desha t'i flas dy fjalë me ju si t'i flisja me veten, pa rrotullame e formula. Prindër, ju nuk i keni zgjedhur fëmijët tuaj para se t'i kishit ashtu si ata nuk ju kanë zgjedhur ju. Nuk vajtën të dyja palët në ndonjë MAPO e të thonin: Shoqe të lutem, desha një vajzë të bindur ose po nuk pate, më bëj një djalë artist.

Radha ime tani: a keni një babi liberal? – Jo, askush nuk zgjodhi kënd dhe sekushi mësoi rrugës të jetë prind. Njësoj si fëmijët tuaj nuk ju zgjodhën ju, po ashtu nuk zgjedhin as mësueset. Edhe mësueset mësojnë të jenë mësuese siç ju mësoni të jeni prindër. Mes jush dhe mësueseve janë fëmijët.

Nëse zysha thotë që duhet rikopjuar krejt mësimi me shkrim në fletore dhe juve ju duket "pa vlerë", ju lutem mos t'ia thoni këtë fëmijës. Shkoni po deshët në mbledhjet me prindër dhe diskutojeni, por mos e thyeni autoritetin e zyshës te fëmija se e dëmtoni, fëmijën të parin.

Nëse zysha e gjeografisë (qëllon që ju ta njihni), ju jep "konsiderata" apo "moskonsiderata" për metodën e zyshës së matematikës, ju lutem kapërceni mbi qejfin e muhabetit me zyshën dhe lerjani matematikën zyshës së matematikës.

Nëse mësuesi i fiskulturës vendos t'i nxjerrë në kohë të mirë e të keqe fëmijët e t'u "marrë shpirtin" me ushtrime, ju lutem mos trazoni gjithë miqtë tuaj mjekë për t'i sajuar fëmijës një "raport"

Nëse nuk jeni dakord me vendimet apo qëndrimet e mësuesve (dhe jeni të lutur të vigjëloni), ju lutem shmangni në sy të fëmijëve do cilësime fyese për mësuesit; fëmijtë tanë nuk kanë nevojë aspak për një aleancë me prindërit kundër zyshës a kundër shkollës. Mos lëshoni pe për këtë, pavarësisht se fëmijët tuaj të zgjuar do mundohen t'ju përfshijnë në Pakte, Aleanca e gjithfarë përbetimesh.

Nëse fëmijët qëllon të marrin nota jo të mira, ju lutem mos i trembni e as mos i fyeni. Rrezikoni t'i bëni rrenacakë e ziliqarë të kompleksuar. Të dashur prindër, kur ju kanë thënë se nota tregon dijen, jua kanë thënë gabim: në fakt çdo notë tregon vetëm një stad të dijes, atë të asaj dite kur është marrë nota. Kush tha që stadi nuk kapërcehet me studim (pa terror!).

Nëse fëmijët ju thonë se "zysha është çmen dhe ka dhënë një mal me detyra", ju lutem mos u bëni kot zemërdhembshur duke iu shkruar zyshave justifikime rrenash të tipit "erdhëm vonë në shtëpi", ose "mbrëmë vajza kishte dhimbje koke ndaj nuk i përfundoi detyrat". Kush ju shkruan tani, edhe e ka bërë dhe është penduar. Fëmija nuk ka nevojë për aleanca rrenacakësh kundër detyrimeve shkollore.

Dhe së fundi: prindër, jini prindër jo shokë! Shokë fëmijët tanë kanë plot e do të kenë plot! Prindër na kanë veç ne, e po na "shokëzuan", nuk kemi fituar as ne e as ata! Ata kanë humbur prindërit e neve kemi humbur fëmijët.

Kaq kisha, me mend e me zemër! Si prind e si zyshë. Rroftë dija e rroftë shkolla e i paçim mësuesit e fëmijëve! Veç jetës, asgjë tjetër nuk e ka rëndësinë e shkollës. Asgjë! Gjyshja ime më thonte: Shkolla është erz! – dhe kishte të drejtë.

Europa e dy shpejtësive

Posted: 09 Sep 2017 09:34 AM PDT

Edhe në pjesën e “ngadaltë” të Europës jeta ndryshon me ritme shumë të shpejta. Shumë njerëz nuk e kapin dot ritmin, por ata nuk duhet t’u lihen në dorë populistëve, mendon Jagoda Marinic.

Nga Jagoda Marinic

Unë e kalova këtë verë në Dalmaci. Atje si gjithmonë ende ndiqet stili i jetesës “pomalo”, ngadalë, pa rrëmbim, pa stres. “Pomalo” është një fjalë, që e bën të prekshëm stilin mesedhetar të jetesës- Këngëtari puerto-rikan Luis Fonis sivjet këtë stil e ka kthyer në një hit veror: “Despacito”. Kjo është “pomalo” spanjolle. Në Gjermani nuk ekziston fjalë si “pomalo”.

Kancelarja Merkel preferon të flasë për një Europë të dy shpejtësive. Por asaj i shpëton nga vëmendja, se sa shpejt, pavarësisht motos së jetës në rehati, këto rajone po ndryshojnë. Vetëm në njëzet vjet në Mesdhe ka ndryshuar kaq shumë. Si mundet që të flasësh nga Gjermania, ku prej dymbëdhjetë vjetësh mbizotëron stanjacioni, ku ende nuk është aplikuar interneti i shpejtë në mbarë hapësirën e vendit, ta quash rajonin, ku mund të përhapet pa aspak rezistencë kapitalizmi turbo, si një “Europë e ngadaltë”?

Melankoli e humbur

Eshtë e vërtetë, që europiano-veriorët me Mega-Yachtet e tyre mund t’i arrijnë më shpejt gjiret më të bukura dhe t’i blejnë më shpejt shtëpitë më të bukura për të kaluar fundjavat. Ta pranojmë edhe se, firmat gjermane dhe austriake kanë qenë më të shpejta me përhapjen e filialeve të rrjeteve të tyre: dm-Markt, Bipa, Kaufland, Lidl, Bauhaus… Të gjitha këto dyqane janë të përfaqësuara në këtë rajon. Por punonjësit e këtyre filialeve nuk janë gjithmonë kaq të shpejtë. A duhet ta arrijnë ato këtë shpejtësi me paga minimale prej rreth 3 Eurove dhe kundrejt çmimeve të mallrave si në Gjermani?

Në Split, një ndër qytetet më të bukra të Kroacisë, duhet t’i kërkosh me lupë vendasit gjatë muajit gusht. Statistikat flasin, se raporti është gjashtë turistë me një vendas. Qytetet e mermerta si Dubrovniku dhe Spliti janë kthyer ndërkohë në skena të filmave si  Game of Thrones e së shpejti edhe për Mamma Mia II. Një vend i pushtuar prej ushtrisë shëtitëse të turistëve.

Me çfarë duhet të vazhdoj më tej me mbërritjen e jetës së shpejtë në gjoja pjesën më të ngadaltë të Europës? Ah po, marrëzia perëndimore e të qenit i/e bukur. Qoftë grua apo burrë – madje edhe gazetat më serioze – në verë kërkojnë trupin më të bukur të Adriatikut: kulti i fizikut me L-Carnitin dhe në shpejtësinë turbo. Nuk ka asnjë aktore që të mos shfaqet në instagram duke u thekur në diell dhe duke treguar vullnetin e vet të hekurt work-out.

Mesazhi perëndimor që qëndron pas kësaj është: melankolia sllave ka humbur. A nuk jemi ne të gjithë të bukur dhe të dashur, të lumtur dhe cool? Networku profesional dhe miqësor ka mbërritur edhe në Europën Juglindore. Të gjithë i postojnë hashtag-t e tyre në anglisht. Ne jemi pjesë e bashkësisë së vlerave botërore, heju! Kush është ai që do të mbetet pjesë e Europës së ngadaltë, nëse është e mundur duhet të shkojmë në panairin e modës në Dyseldorf, heju! Like!!

Ku kanë shkuar vendasit?

Një turist britanik ankohet në të kundërt në blogun e tij të udhëtimeve: “Ajo që më nervozon? Unë nuk mundem këtu të pi birrë vetëm me gjermanët, ku kanë shkuar vendasit?” Me gjasë ata mbi bazën e kontratave afatshkurtëra lajnë çarçafët e tij. Miqtë e mi atje poshtë punojnë gjatë gjithë gushtit në këtë bum të turizmit, ndërsa miqtë e mi këtej sipër vetëm për shtatë netë hotel paguajnë të gjithë rrogën e muajit. Ndoshta Merkel ka pasur pikërisht këtë parasysh me Europën e dy shpejtësive: njerëzit veriorë i shpenzojnë më shpejt paratë e tyre nga sa mund t’i fitojnë njerëzit jugorë.

Para vitesh u përhap në media një shprehje famëkeqe e një politikani kroat: “Mos i lini më fëmijët të studiojnë, ata do të lajnë çarçafët e europiano-veriorëve.” Kjo nuk ishte satirë, por ai e kishte seriozisht. Njerëzit vazhdojnë të jenë krenarë. Ata duan më shumë. Por oferta është e rrallë dhe rruga për mirëqenie me ndershmëri për qytetarët normalë është e thepisur. Sa herë që të aplikohet një ligj i ashpër, si „fiskalizimi”, p.sh., qeveria pretendon, se ky është standard europian. Kur kam blerë akullore në Gjermani rrallëherë kam marrë në dorë faturë nga shitësja e akulloreve. Ndoshta sepse niveli i mesëm i ekonomisë në Gjermani është më i shpejtë, pasi shteti u le ndonjë hapësirë aty këtu ndërmarrjeve të vogla. S’mund ta themi kështu, e megjithatë ndodh.

Europa – një Kontinent

Në pjesën hitorike të Splitit aty këtu ka ndonjë pjatë elegante me pasta për tridhjetë Euro. E në të njëjtën kohë lexon, që në këtë vapë përvëluese të shekullit në klinikën më të madhe të Splitit, në pavionin e pneumologjisë, p.sh. mungojnë impjantet e klimatizimit. Mua më dalin para syve të sëmurët nga mushkëritë, se si përpëliten në këtë ajër mbytës prej vapës nën çarçafët e tyre të bardhë, për të cilët nuk e di se kush i lan dhe për sa para.

Një mbrëmje, direkt pas lagjes së banimit të miqve të mi, digjen pemë në një shpejtësi, që zjarrëfikësit nuk e arrijnë dot ta përballojnë. Turistët pozojnë selfiet e tyre me diellin në përvëlues në perëndim, ndërsa vendasit me zjarrëfikësat me mungesa në pajisje, që duhet të peshojnë, se cilin zjarr të shuajnë më parë, luftojnë kundër zjarreve.

Unë nuk e di, nëse Merkel me këtë ka parasysh Europën me dy shpejtësi. Unë di vetëm, se në këtë Europë duhet t’i jepet prioritet të qenit bashkë, gjendjes së jetesës dhe jo udhëtimeve të qytetarëve të këtij kontinenti. Në rast të kundërt kjo Europë nuk duhet të na habisë, kur nacionalistët ta shfrytëzojnë këtë ndjesi të qytetarëve të lënë pasdore, se ata mund t’i zgjidhin më mirë problemet. Edhe në këtë drejtim ne nuk jemi Europa e dy shpejtësive, por një kontinent.

Jagoda Marinic ёshtё shkrimtare dhe gazetare gjermano-kroate. /DW

FOTOT/ Parlamenti i ri, si u veshën deputetet femra në seancën e parë

Posted: 09 Sep 2017 09:17 AM PDT

Paraditja e kësaj të shtune shënoi seancen e parë të parlamentit për këtë legjislaturë. Deputetët u pritën në hyrje të godinës së parlamentit nga rojet e nderit të Gardës së Republikës, ndërsa kaluan në tapetin e kuq të vendosur me këtë rast.

Por ne fotot me poshte, shume prej tyre fiksuar nga fotografi Agim Rama, mund te shihni se deputetet femra te Parlamentit ishin veshur plot stil.

Angli/ Shqiptari pranon vrasjen e gruas 1 vit e gjysëm pas krimit

Posted: 09 Sep 2017 08:37 AM PDT

Më shumë se një vit e gjysmë nga vrasja e Elidona Demirajt në Londër të Anglisë, bashkëshorti i saj Arben Rexha pranon krimin.

32-vjeçari vrau me thikë bashkëshorten e tij Elidona Demiraj mbrëmjen e 31 janarit 2016.

Elidona kishte vetëm tre muaj që kishte shkuar nga Shqipëria në Londër dhe vdekja e saj u shkaktua nga plagët e rënda në fyt.

Fqinjët kujtojnë "ulërimet e gruas" atë ntë ndërsa i ati para gjykatës Islington kujton të bijën që jeta iu pre në lule të rinisë.

Arben Rexha i cili jeton në Britaninë e Madhe prej 16 vitesh ka kërkuar ekspertizë psikologjike. Për këtë arsye gjyqtari e shtyu seancën për gjashtë javë.

Seanca tjetër do të mbahet më 15 dhjetor, shkruan Daily Mail.

 

FOTOT / “Ik tutje…jeta është e bukur”, kur Hajrie Rondo sfidonte sëmundjen

Posted: 09 Sep 2017 08:29 AM PDT

Në daljen e fundit publike aktorja e ndjerë Hajrie Rondo mori çmimin "Simbol i Qytetit" ndërsa preku zemrat e të gjithëve kur rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme.

Personazhi i njohur i Tanës në filmin "14 vjeç dhëndër" ishte një nga dhjetëra rolet e mrekullueshme që Hajrie Rondo ka luajtur në disa dekada karrierë në skenën e teatrit dhe të filmit.

"Kur më bënë ofertën, zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, isha në dilemë: Do rri në shtëpi të mbyllem e të bashkëbisedoj me sëmundjen apo t'i them… def, ik tutje se kam pak punë. Zgjodha këtë të dytën dhe ia dola.

Me këtë rol le të kontribuoj pak, meqë është edhe muaji kundër kancerit të gjirit  për t'iu thënë grave shqiptare të bëhen të forta.

Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë", tha gjatë ceremonisë aktorja e madhe.

Ndërron jetë aktorja Hajrie Rondo. Mesazhi i saj i fundit: “Shiheni jetën me ngjyra”

Posted: 09 Sep 2017 08:02 AM PDT

Aktorja e madhe Hajrie Rondo ka ndërruar jetë sot rreth orës 16:00 në moshën 66-vjeçare në Himarë.

Muaj më parë aktorja i ishte nënshtruar një operacioni në kokë.

Më herët fitoi luftën e mundimshme me sëmundjen e kancerit.

Në daljen e fundit publike aktorja mori çmimin "Simbol i Qytetit" ndërsa preku zemrat e të gjithëve kur rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme.

 

"I thashë sëmundjes ik tutje se kam pak punë", u shpreh aktorja duke u kthyer në simbol force e frymëzim për të gjithë.

"Shiheni jetën me ngjyra", këto kanë qenë fjalët që aktorja u ka drejtuar të gjithëve gjatë ceremonisë.

 

Hajrie Rondo ishte një aktore me diapazon të gjerë.

Ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë.

Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma.

Filmografia

Ballkan Pazar (2011)

Ne dhe Lenini (2009), — Semihaja

Dhimbja e dashurisë (2008) serial

Tifozët (2004) – (TV), —Frosa

Borxhliu (1999) – (TV), — Fija

Dashuri në krisma – (1997) (TV), —Zenepja

Gjithë fajet i ka paraja – (1996) (TV)

Pesha e kohës – (1988), — Evanthia

Një vit i gjatë – (1987), — Donika Saro

Përrallë nga e kaluara – (1987), —. Tana

Kush vdes në këmbë – (1984), —Lina

Një emër midis njerëzve-(1983)

nëntori i dytë – (1982), — Lima Kepiego

Agimet e stinës së madhe, – (1981), — Xifja

Vëllezër dhe shokë – (1980), —Mara

Biznesi i prostitucionit online në Tiranë/ Vajzat me gjuhë të huaja, pagesa 3 mijë USD në muaj

Posted: 09 Sep 2017 07:47 AM PDT

Vajzat që u arrestuan për prostitucion online, klientët i kishin kryesisht nga vendet e huaja. Sipas të dhënave të hetimit, pagesa mujore për secilën prej tyre ishte e kënaqshme.

"Vajzat paguheshin mesatarisht nga 600 mije lëke deri në 3 milionë lëkë të vjetra, ndërsa përllogaritja e fitimeve bëhet nëpërmjet krediteve", thotë Skerdi Kasimati, shef i seksionit për trafiqet e paligjshme.

Por vajzat nuk përzgjidheshin në mënyrë rastësore, përveçse duhet të jenë të bukura, ato duhet të plotësojnë dhe  disa kritere të tjera që të pranohen. Pjesa më e madhe e të arrestuarave janë nga rrethet.

"Pasi nxirrren njoftime nëpër rrjetet sociale, vajzat duhet të jenë mbi 18 vjeç, të dinë gjuhë të huaja".

E përfshirë në rrjetin e prostitucionit online ishte edhe një e mitur.

"Kishte falsifikuar çertifikatën".

Në gjyq ku u paraqit në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Dafina Tresa deklaroi se vajzat vinin me dëshirë dhe se  përsa i përket veprimtarisë që ushtronin në një apartament në zonën e pranë "Brrylit" në kryeqytet, 32-vjeçarja u shpreh se nuk e dinte që ishte e paligjshme një gjë e tilllë. Tresa u la në arrest shtëpie, bashkëshorti i saj në "arrest me burg", ndërsa 6 vajzat u lanë të lira.

Brenda një viti janë goditur tre raste të prostitucionit online në kryeqytet, ndërsa drejtues të policisë shprehen se është e vështirë dokumentimi i veprimtarisë së tyre pasi  veprojnë në ilegalitet të plotë në bodrume apo shtëpi të marra me qira dhe shpeshherë ndryshojnë vendodhjen. /KLAN PLUS

Erion Veliaj, “shoferi” i ri i Pandeli Majkos (VIDEO)

Posted: 09 Sep 2017 07:16 AM PDT

Vetëm dy ditë para miratimit të qeverisë së re në parlament, Ministri i ri i kabinetit "Rama 2", Pandeli Majko, ka pasur një shofer të veçantë.

Teksa përuruan sëbashku hapjen e Unazës së Re, kryebashkiaku Veliaj i bëri një xhiro deputetit të njësisë Nr.5 Pandeli Majko.

Përfitues direkt nga ky projekt strategjik janë edhe banorët e kësaj njësie, të cilët kanë tashmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e  konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara. Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime  automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy senset e lëvizjes janë ndërtuar trotuarë si dhe korsi biçikletash.

 

Related Posts: