“Papa Françesku bën thirrje për paqe në Kolumbi” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Papa Françesku bën thirrje për paqe në Kolumbi
- Protesta për zbardhjen e vrasjes së gazetares në Indi
- Qeveria e Zaevit me rezultate mesatare
- Kushtet e Listës Serbe frenojnë formimin e institucioneve
- Protestuesi rus dënohet me 30 muaj burgim
- Komiteti i Inteligjencës kërkon dosjen për Trumpin
- Ukrainë: Pesë analistë dhe gazetarë janë vrarë në një aksident trafiku
- BE-ja i vazhdon sanksionet kundër Rusisë
- Myslimanët vazhdojnë të largohen nga Birmania
- Institucionet injorojnë investimet nga diaspora
- Refuzohet kërkesa e Hungarisë dhe Sllovakisë për kuotat e migrantëve
- Konkurs për punësim në Radion Evropa e Lirë në Pragë
- Gjermania e kënaqur me qëndrimin e Putinit për paqeruajtës
- Podgoricë: Vazhdon procesi kundër personave të akuzuar për puç
- Ukrainë: Konfirmohet kërkesa për ekstradim të Saakashvilit
- Gjermani: Mirëpritet thirrja e Putinit për paqeruajtës në Ukrainë
- Urdhërohet dëshmi lidhur me dokumetet për hetimet Trump – Rusi
- Trump do të angazhohet për deatomizim të Gadishullit Korean
- Futboll: Kosova humbi, takimi Maqedonia – Shqipëria 1:1
- Qeveria në Baku hedh poshtë të ashtuquajturën "Lavanderi e Azerbajxhanit"
| Papa Françesku bën thirrje për paqe në Kolumbi Posted: 06 Sep 2017 09:18 AM PDT Papa Francesku ka udhëtuar për në Kolumbi, për të "shëruar plagët" e konfliktit të armatosur në Amerikën Latine. Gjatë vizitës së tij simbolike pesëditore, Papa Françesku pritet të i'u drejtohet liderëve kolumbianë për dallimet sociale dhe ekonomike që për pesë dekada kanë nxitur rebelime të armatosura. Në një videomesazh, në prag të largimt të tij, Papa u ka bërë thirrje kolumbianëve që të "bëjnë hapin e parë" dhe të ndihmojnë njëri tjetrin për hirë të paqes dhe të së ardhmes. "Kolumbia për shumë kohë, ka kërkuar dhe punuar për paqen...një paqe stabile dhe jetëgjatë, në mënyrë që të shohim dhe trajtojmë njëri tjetrin si vëllezër e jo si armiq" shtoi ai. Gjatë qëndrimit në Kolumbi, papa do të shpallë të lumë dy priftërinj të vrarë gjatë aferës guerille, duke i shpallur ata martirë që janë vrarë nga urrejtja, për besimin e tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Protesta për zbardhjen e vrasjes së gazetares në Indi Posted: 06 Sep 2017 08:11 AM PDT Vrasja e gazetares, Gauri Lankesh, në Indi ka nxitur protesta të ashpra në vend nga protestuesit që thonë se ajo është vrarë ngase kishte kritikuar kryeministrin, Narendra Mondi. Aktivistët indianë, politikanë dhe gazetarë kanë kërkuar që të bëhet një hulumtim i plotë rreth vrasjes së Lankesh, e cila ishte redaktore e një reviste dhe kishte kritikuar partinë nacionaliste në pushtet. Lankesh, 55 vjeçe, ishte qëlluar për vdekje nga tre persona të armatosur derisa ajo po hynte në shtëpinë e saj në Bangalore. Mijëra veta janë mbledhur në qytetin e Bangalore-s në përkujtim të viktimës. Forumi i shkrimtarëve indianë e ka cilësuar vrasjen e gazetares si "vazhdim të trishtë" të sulmeve që u janë bërë viteve të fundit shkrimtarëve, artistëve dhe inelektualëve që e kanë kritikuar qeverinë e Modi-t. Presidentja e Korpusit të shtypit të grave indiane tha se "shuarja e gazetarëve, është një paralajmërim i rrezikshëm për demokracinë indiane". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Qeveria e Zaevit me rezultate mesatare Posted: 06 Sep 2017 07:43 AM PDT Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar 100 ditshin e parë të Qeverisë së Maqedonisë thonë se Zoran Zaevi si kryeministër ka kontribuar në kthimin e Maqedonisë në binarë të integrimeve euroatlantike, duke ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të relaksimit të raporteve ndër-fqinjësore që çojnë kah mbyllja e shumë çështjeve të hapura. Megjithëse, ata theksojnë se shumë pak është bërë në drejtim të luftës kundër korrupsionit de kthimit të parave të vjedhura. Selim Ibrahimi, drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë për Radion Evropa e Lirë thotë se para se të analizohet qeverisja 100 ditëshe e Zoran Zaevit, duhet kujtuar se ai erdhi në krye të Qeverisë së Maqedonisë në kohën kur vendi ishte në një krizë të thellë politike. "Në aspektin e reformave nuk duhet pritur dhe aq shumë nga qeverisja e tij (Zoran Zaevit) dhe plani i tij reformues i njohur si 3-6-9 sepse Maqedonia është një shtet fragjil, me korrupsion të thellë dhe shumë ligje që duhet të miratohen në Parlament për realizmin e reformave". "Qeverisja e Zaevit është komplekse dhe me shumë të papritura për Maqedoninë", thotë njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi. Ai qasjen e Qeverisë së re të Maqedonisë, në krye me Zoran Zaevin si kryeministër , ndaj realizmit të kërkesave të shqiptarëve e quan si qasje populiste. "Futja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në procedurë parlamentare, në momentin që pritet të mbahen zgjedhjet lokale, përmban në vete shumë më shumë atë aspektin propagandues politik, sesa analizën e asaj se çka përmban ky ligj. Siç dihet, ky ligj edhe kundrejt avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë. Me këtë ligj edhe më tej shqiptarët definohen si pakicë", thotë Selimi. Ndërkaq, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e Qeverisë së re të Maqedonisë në drejtim të avancimit të raporteve me vendet fqinje. "Është për tu vlerësuar intensifikimi i takimeve të zyrtarëve të kësaj Qeverie me përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht me vendet fqinje, me të cilat kemi çështje të hapua e të cilat e mbajnë peng dhe procesin e integrimeve të Maqedonisë", thekson për Radion Evropa e Lirë analisti politik Nikolla Dujovski, duke potencuar nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë, intensifikimin e bisedimeve me Athinën zyrtare për zgjidhjen e kontestit të emrit, si dhe takimet me zyrtarët e lartë të Brukselit dhe Uashingtonit në funksion të zhbllokimit të procesit integrues të Maqedonisë. Dujovski si mangësi të Qeverisë së re ka fokusuar zgjedhjen e një pjesë të kuadrit joadekuat për të drejtuar institucione të caktuara. "Qeveria e kaluar e la në atë gjendje të mjerueshme shoqërinë maqedonase, sa tani është shumë e vështirë të gjenden persona profesional të cilët do t'i udhëheqin institucionet në mënyrë të pavarur, jashtë influencës politike", thotë Dujovski. Gjatë të martës, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. gjatë prezantimit të arritjeve të kabinetit të tij qeveritar brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tha se janë vendosur themele të shëndosha në raportet me fqinjët, ndërkohë që ka fokusuar angazhimin e Qeverisë në drejtim të stabilitetit ekonomik, duke ndërprerë shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit për investime joproduktive. Zaev si të arritur ka fokusuar dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që mundëson përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në një dimension më të gjerë në pushtetin vendor dhe atë qendror, ligj ky që tanimë është në procedurë parlamentare. "Harmonizuam dhe miratuam Ligjin për gjuhët, i cili ka përmbyllur edhe pikën e fundit të mbetur hapur nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit " ka theksuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. Partia shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa gjatë të mërkurës ka theksuar se Qeveria e re Maqedonisë nuk ndryshon shumë nga e kaluara sepse vazhdon të mbajë nën kthetrat e politikës institucionet e shtetit dhe nuk tregon gatishmëri për realizmin e kërkesave të shqiptarëve. "Këto ditë, në Parlamentin e Maqedonisë u fut propozim-ligji i ashtuquajtur i zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Megjithatë, ashtu siç e kemi thënë edhe më herët, ky për neve është një propozim-ligj që ka ardhur si rezultat i synimit të partive në pushtet për të përfituar politikisht, por jo për ta zgjidhur njëmend çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni. Në të vërtetë, edhe ky ligj, ndonëse e avancon, e lë të pazgjidhur këtë problem, dhe ky do të mbetet të zgjidhet në raste të tjera. Natyrisht, këto parti shqiptare që janë në pushtet, duke u kujdesur për rrënimin e familjes shqiptare, nuk mund të kujdesen njësojë edhe për zyrtarizmin e gjuhës shqipe", ka theksuar kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Por menjëherë pas kësaj, kryetari i partisë më të madhe në opozitë VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se pushteti nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të rëndësishëm në interes të qytetarëve, duke akuzuar Qeverinë se ka bërë punësime partiake në kundërshtim me ligjin në më shumë institucione shtetërore, si dhe ka pamundësuar investimet e huaja. "Tani kemi fermerë të pakënaqur, pensionistë të zhgënjyer, rini e mashtruar, ndjenja kombëtare dhe dinjitet kombëtar të tradhtuara, shoqata të biznesmenëve dhe sindikata të vendosura në margjina, punëtorë të harruar dhe asnjë, përsëris, asnjë projekt përmbajtjesor, serioz dhe thelbësor i cili do të japë shpresë të cilido, se të paktën ndonjë gjë do të jetë mirë me këtë Qeveri të re", ka deklaruar për mediat kryetari i partisë më të madhe në opozitë, Nikolla Gruevski. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kushtet e Listës Serbe frenojnë formimin e institucioneve Posted: 06 Sep 2017 06:58 AM PDT Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe. Igor Simiq, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. "Ne nuk kemi bashkëpunëtor më të mirë, mik dhe dikë që mendon më mirë për serbët në Kosovë, se sa Qeverinë tonë dhe Presidentin tonë", ka thënë Simiq. Ai ka theksuar se Lista Serbe konsideron që është mirë që Kosova po lëvizë drejt formimit të institucioneve të reja, prej kur koalicionit PAN, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i është bashkangjitur edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit. Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por, ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë. I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv. "Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim", ka thënë Haradinaj. Igor Simiq ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi që do të dihet emri i mandatarit për formimin Qeverisë së Kosovës. "Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve", tha Simiq. Lidhur me bisedimet e koalicionit PAN me Listën Serbe, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. "Ramush Haradinaj, mund të jetë njëri prej politikanëve më të sinqertë e më bujar që ka njohur Kosova ndonjëherë. Por kjo nuk nënkupton që bujaria e tij mund të shkojë deri aty, sa që ai mund të pranojë të jetë i kushtëzuar nga çfarëdo grupimi politik, shqiptar apo me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës. Ai për hir të një stabiliteti politik, ka bërë kompromise të mëdha në dëm të partisë që e drejton, por këtu përfundojnë të gjitha kompromiset e tij", ka thënë Nitaj. Ndryshe, Simiq ka theksuar se për Listën Serbe nuk janë të rëndësishme funksionet në kuptimin e numrave, por fakti se a do të jenë në gjendje njerëzit që do t'i kryejnë funksionet që ta forcojnë serbët në mënyrë institucionale dhe që ta përmirësojnë jetesën e tyre. "Për interesin e serbëve në Kosovë mund të luftojnë vet serbët. Gjithçka varet prej nesh. Nuk dëshirojmë të diskutojmë për pozitat ministrore, nuk duam që të apostrofojmë se çfarë është ajo që duam dhe çfarë është ajo që nuk duam. Por, ajo që mund ta them në këtë moment është që ne nuk do të merremi me spekulime dhe se interesi i popullit serb është parësor në luftën politike", tha Simiq. Sipas tij, Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, është kurora e kërkesave të Listës Serbe. Në anën tjetër, siç thotë ai, deputetët e këtij subjekti brenda Kuvendit të Kosovës do të luftojnë që zgjidhjet ligjore që sillet për çështje të ndryshme, të sillen në pajtim me interesat kombëtare serbe. Bisedimet e përfaqësuesve të koalicionit PAN me Listën Serbe ende janë duke vazhduar dhe deri më tash, nuk ka ndonjë rezultat konkret për marrëveshje eventuale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Protestuesi rus dënohet me 30 muaj burgim Posted: 06 Sep 2017 06:47 AM PDT Një gjykatë në Moskë ka dënuar një person me 30 muaj burgim, nën akuzën për dhunë në protestën antikorrupsion në kryeqytetin rus, në qershor. Gjykata e qarkut së Tver-it në Moskë, më 6 shtator, ka dënuar Rasim Iskakov. Iskakov është shpallur fajtor pasi kishte sulmuar dy policë gjatë protestave, por avokati mbrojtës, Kaloi Alkhigov tha se dënimi do të apelohet. Rreth 1.560 mbështetës të liderit opozitar, Aleksei Navalny janë arrestuar gjatë protestave anikorrupsion në qytetet përreth Rusisë. Vetëm në Moskë rreth 866 persona ishin arrestuar, ndërsa në Shën Petersburg 548. Shumica e të arrestuarve ishin liruar një ditë pas protestës. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupe të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë dënuar veprimet ndaj protestuesve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Komiteti i Inteligjencës kërkon dosjen për Trumpin Posted: 06 Sep 2017 05:58 AM PDT Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq për Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në, në lidhje me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia ka mbledhur informacione komprometuese për presidentin amerikan, Donald Trump. Demokrati i Komitetit, Adam Schiff, tha se ai dhe demokratët e tjerë i kundërshtojnë thirrjet për gjyq, të cilat, sipas tij, republikanët i kanë bërë në përpjekje për të diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës. Republikanët, që kanë shumicën në të gjitha komitetet e Kongresit, thonë se duan të dinë origjinën e dosjes dhe nëse ajo është krijuar për të sabotuar Trumpin, gjatë fushatës presidenciale, vitin e kaluar. Në letrën dërguar Departamentit të Drejtësisë, e cila është parë nga agjencia e lajmeve Associated Press, Komiteti sqaron se thirrjet për gjyq janë lëshuar më 24 gusht. Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk e kanë respektuar afatin fillestar për paraqitje në gjyq më 1 shtator dhe ky afat tani është shtyrë për 14 shtator. Letra është nënshkruar nga kryetari i Komitetit për Inteligjencë, Devin Nunes, i cili është tërhequr nga hetimet e Rusisë muaj më parë, pasi është parë si i afërt me Shtëpinë e Bardhë. Republikani Mike Conaway ka marrë përsipër rolin udhëheqës të hetimeve, por si kryetar, Nunes e ka fuqinë për të lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq. Sipas letrës, në thirrjet për gjyq kërkohen të gjitha dokumentet që lidhen me dosjen, si dhe informacione nëse Departamenti i Drejtësisë ka qenë i përfshirë në prodhimin e saj. Nëse dokumentet e kërkuara nuk dorëzohen, Komiteti do të detyrojë prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, dhe drejtorin e FBI-së, Christopher Wray, të dëshmojnë në seancë të hapur. Edhe Sessions, në muajin mars, është detyruar të tërhiqet nga hetimet për Rusinë, sepse është konstatuar se ka gënjyer në lidhje me kontaktet e tij me Rusinë. Christopher Wrayn, Trump e ka emëruar në postin e drejtorit të FBI-së pasi në muajin maj ka shkarkuar drejtorin e deriatëhershëm, James Comey, i cili ka refuzuar kërkesën e Trumpit për të ndaluar hetimet mbi lidhjet e fushatës së Trumpit me Rusinë. Dosja ka tërhequr vëmendjen e publikut në muajin janar, kur është zbuluar se Comey e ka informuar Trumpin, pak përpara inaugurimit të tij si president, se Rusia ka grumbulluar akuza personale dhe financiare për të. Nuk është e qartë se çfarë saktësisht përmbajnë akuzat në dosje dhe nëse ato janë verifikuar nga FBI. Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve është njëri prej disa paneleve që heton akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës me fushatën e presidentit Trump. Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën. Përgatiti: Valona Tela This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ukrainë: Pesë analistë dhe gazetarë janë vrarë në një aksident trafiku Posted: 06 Sep 2017 05:44 AM PDT Autoritetet në Ukrainë thonë se tre analistë politikë, një gazetar dhe një aktivist, kanë humbur jetën sot në një aksident trafiku në rajonin perëndimor, Rivne. Anton Herashchenko, ligjvënës dhe këshilltar i ministrit të brendshëm, Arsen Avakov, ka shkruar në rrjetin Facebook, se analistët politikë, Oleksandr Maslak, Oleksiy Kurinniy dhe Oleksandr Nikanarov, gazetari Volodymyr Karahyauar, dhe aktivisti, Serhiu Popov, janë vrarë sot herët në mëngjes në aksidentin e trafikut, për të cilin po zhvillohen hetime. Policia kombëtare e Ukrainës, më herët, raportoi se janë vrarë katër meshkuj, pasi vetura e tyre ishte ndeshur me një kamion. Personi i pestë kishte vdekur disa orë më vonë në spital, tha policia. Policia nuk i ka dhënë emrat e të vdekurve. Gazetarja nga Kievi, Bohdana Babych, ka shkruar në rrjetin Facebook se të pesë personat po ktheheheshin në Kiev nga Polonia, ku kishin marrë pjesë në një konferencë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BE-ja i vazhdon sanksionet kundër Rusisë Posted: 06 Sep 2017 05:04 AM PDT Bashkimi Evropian do t'i vazhdoj sanksionet kundër Rusisë dhe separatistëve të mbështetur nga Moska në pjesën lindore të Ukrainës, edhe për gjashtë muaj të tjerë, ndërsa me gjasë, në këtë listë do të mbetet edhe ambasadori i ri i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, thonë diplomatët. Ambasadorët nga 28 vendet anëtare të BE-së kanë vendosur sot në Bruksel për vazhdimin e këtyre masave, kanë thënë disa diplomatë, të cilët ishin të afërt me bisedimet e sotme, por nuk janë të autorizuar që publikisht të flasin për këtë çështje. Pritet që më 14 të këtij muaji, ministrat e drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së, do ta japin konfirmimin final, vetëm një ditë para se sanksioneve ekzistuese tu kaloj afati. Diplomatët thonë se ambasadori i ri i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, do të mbetet në listën e sanksioneve, pasi asnjë vend nuk ka kërkuar largimin e tij. Antonov, ish-zëvendësministër i mbrojtjes dhe zëvendësministër i jashtëm, i cili ka arritur në Uashington më 31 gusht, për ta filluar detyrën e tij të re, është në listën e sanksioneve të BE-s dhe Kanadasë, por jo edhe në atë të Shteteve të Bashkuara. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Myslimanët vazhdojnë të largohen nga Birmania Posted: 06 Sep 2017 04:59 AM PDT Anijet që po bartnin myslimanët rohingya kanë arritur në Cox Bazar në Bangladesh më 6 shtator. Mijëra persona janë larguar nga Birmania për shkak të dhunës. (Video: Reuters) This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Institucionet injorojnë investimet nga diaspora Posted: 06 Sep 2017 04:19 AM PDT Diaspora vazhdon të ketë një rol mjaft të fuqishëm në ekonominë e Kosovës. Por, qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, kërkojnë nga institucionet kompetente në Kosovë që t'u krijojnë ambient më të përshtatshëm për investime. Sipas tyre, problemi kryesor qëndron tek mungesa e sigurisë së investimeve të tyre. Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Evropë tha për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë ka sektorë të leverdishëm për investime, por që problemet aktuale, sidomos qasja në prona, ka bërë që qytetarët të hezitojnë të realizojnë investimet në Kosovë. "Problemi kryesor është siguria në investime. Nuk presim të garantojnë investimet, por të sigurohen investimet. Investitori i diasporës vjen e blen një pronë, e privatizon atë dhe nuk ka mundësi që të ketë qasje në të. Këto fakte tregojnë se klima mund të përmirësohet", tha Blakaj. Ndryshe, ky rrjet deri më tani nuk ka arritur që të mbledh informacione sa është numri i bizneseve me pronar nga Kosova në gjithë Evropën. Por, tregon se vetëm në Gjermani operojnë mbi 10 mijë biznese, kurse në Austri mbi 150 biznese me pronarë nga Kosova. Për kushtet jo të volitshme për investime në Kosovë flasin edhe udhëheqës të kompanive nga diaspora. Kujtim Tali jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është pronar i kompaninë '3CIST', që në Kosovë vepron që nga viti 2009. Kjo kompani aktualisht ka 110 punëtorë dhe merret me shërbime profesionale në rrafshin global për operatorët e telekomunikimit. Kryetar i Bordit në këtë kompani, Kujtim Tali thotë për Radion Evropa e Lirë se në fushën e të bërit biznes në Kosovë nevojiten ndryshime. "Kushtet janë jo të mira, posaçërisht në veprimtarinë që merremi ne. Ka shumë mosdije dhe injorancë nga institucionet, posaçërisht në Administratën Tatimore të Kosovës, në atë të mirëqenies sociale si dhe në sektorin financiar. Por, nga të gjitha në pozitë më të keqe është gjyqësori. Bazuar në të gjitha këto, ambienti për investime në Kosovë për diasporën mbetet i pavolitshëm", thotë Tali. Por, autoritetet kompetente në Kosovës vazhdimisht kanë pohuar përpjekjet për përmirësim në sektorin privat, konkretisht për investime nga qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të botës. Për këtë qëllim në vitin 2014, në Ministrinë e Diasporës është krijuar Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë. Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime në këtë Ministri, tha për Radion Evropa e Lirë se kontributi i diasporës për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë i madh, por që problemet për të investuar janë të pranishme. Investimet nga diaspora, thotë ai, duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë. Megjithatë Dedushaj, thotë se mbi 2000 biznese të diasporës kanë investuar në Kosovë. "Pra, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë diasporën si një çështje të veçantë. Interesimi i diasporës është i madh për të investuar. Por, nëse Qeveria e Kosovës është e gatshme për t'i ofruar projekte konkrete diasporës, me siguri se investojnë", tha Dedushaj. Ndërkaq, Yll Blakaj, konsideron se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të krijojnë kushte më të favorshme për diasporën, pasi sipas tij, ka indikacione se qysh gjatë dy viteve të ardhshme remitencat mund të bien ndjeshëm. "Emocionet kanë filluar të zbehen për të dërguar remitenca", thotë Blakaj. "Fëmijët tanë në diasporë shikojnë të bëjnë biznese ku fitohet më lehtë dhe jo ku ngufaten në forma të ndryshme", thekson ai. Përveç investimeve të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, këta qytetarë dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare tek familjet e tyre. Shuma e këtyre parave, sipas të dhënave zyrtare, për çdo vit arrin në mbi gjysmë miliard euro. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Refuzohet kërkesa e Hungarisë dhe Sllovakisë për kuotat e migrantëve Posted: 06 Sep 2017 04:00 AM PDT Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) e ka refuzuar "në tërësi" rastin e paraqitur nga Sllovakia dhe Hungaria, me të cilin kundërshtohen kuotat e detyrueshme të Bashkimit Evropian, për rivendosjen e azilkërkuesve. Gjykata ka marrë vendim sot se mekanizmi i rivendosjes së BE-së "aktualisht i kontribuon ndihmës për Greqinë dhe Italinë, për tu marrë me ndikimin e krizës së migrantëve në vitin 2015 dhe është proporcionale". Ministri i jasahtëm i Hungarisë , Peter Szijjarto, e ka përshkruar vendimin e gjykatës së "krejtësisht të papranueshëm". Hungaria dhe Sllovakia argumentojnë se programi i vitit 2015, i cili kërkon që secili shtet i BE-së ta marrë një numër të caktuar të migrantëve, është joligjor. Rrjedhimisht ata kishin kërkuar anulim të kuotave. Deri tash sipas këtij programi, vetëm 20 mijë migrantë janë rivendosur në vendet e tjera të BE-së nga Greqia dhe Italia. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Konkurs për punësim në Radion Evropa e Lirë në Pragë Posted: 06 Sep 2017 02:47 AM PDT Redaksia për Kosovën e Radios Evropa e Lirë kërkon redaktor të medias digjitale. Lokacioni i kësaj pozite është në Pragë, ku edhe gjendet selia qendrore e Radios Evropa e Lirë. Konkursi është i hapur për të gjithë ata që mendojnë se plotësojnë kushtet, mbi të cilat mund të lexoni më shumë linkun e mëposhtëm. Për më shumë hollësi, klikoni: https://www.rferl.org/jobs/detail/BSS2008-1701.html This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gjermania e kënaqur me qëndrimin e Putinit për paqeruajtës Posted: 06 Sep 2017 02:17 AM PDT Gjermania e ka mirëpritur pajtueshmërinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për dërgimin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në pjesën lindore të Ukrainës, duke thënë se e përshëndet "ndryshimin në politikën ruse". Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha në Berlin se shpallja e Putinit ishte "befasuese" por theksoi se "ishte shumë i kënaqur për ta parë këtë sinjal", se Putini "dëshiron të diskutojë mëtutje për kërkesën të cilën Rusia e ka refuzuar në të kaluarën, e konkretisht shfrytëzimin e helmetave të katërta, ushtarët e OKB-së, pra mision të helmetave të katërta në pjesën lindore të Ukrainës, për implementimin e armëpushimit". Propozimi i zotit Putin për dërgimin e misionit paqeruajtës me armatim të lehtë të Kombeve të Bashkuara, për mbrojtjen e monitoruesve ndërkombëtarë në pjesën lindore të Ukrainës, është paraqitur te kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë vonë, pasi Putini kishte propozuar një gjë të tillë, gjatë një konference për shtyp në Kinë, dje më herët gjatë ditës. Mëtutje zoti Gabriel theksoi se ajo që është "më e rëndësishme, kjo ofertë për mision të OKB-së në pjesën lindore të Ukrainës, tregon se Rusia i ka ndryshuar politikat e saj dhe ne nuk duhet ta humbim rastin" dhe ka shtuar se "do të jetë gjë e mirë nëse ne e marrim këtë si një hapje e bisedimeve për mënyra të reja të uljes së tensioneve". Ukraina tha se ishte "e përgatitur për të punuar për këtë çështje" dhe në Kombet e Bashkuara e ka dërguar një delegacion për konsultime në Këshillin e Sigurimit. Përfaqësuesi i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Volodymyr Yelchenko, tha se presidenti, Petro Poroshenko, do të merret me këtë temë në fjalimin e tij më 20 të këtij muaji në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Misioni – në linjën e kontaktit apo në kufi? Ligjvënësja e njohur ukrainase, Iryna Herashchenko, e ka kundërshtuar vendosjen e misionit paqeruajtës përgjatë linjës së frontit të luftës, por është angazhuar që misioni të vendoset përgjatë kufirit Ukrainë – Rusi. Zonja Herashchenko, që është zëvendëskryetare e parë e Parlamentit të Ukrainës, ka shkruar në rrjetin Facebook, se "linja e konfrontimit është shndërruar në linjë të konfrontimit për shkak të agresionit të Rusisë". "Për ne, kjo është linjë e kontaktit, konkretisht kontakt me territoret e okupuara përkohësisht", ka shkruar ligjvënësja Herashchenko dhe ka shpjeguar se "ky nuk është kufiri i Ukrainës dhe rrjedhimisht, për paqeruajtësit përgjatë linjës së kontaktit as që mund të diskutohet". Paqeruajtësit duhet të vendosen në gjithë territorin e Ukrainës, që aktualisht nuk kontrollohet nga Kijevi, për "monitorimin e situatës së sigurisë dhe demilitarizimit", ka thënë Herashchenko. Sipas saj, "mandati i paqeruajtësve duhet të përfundoj në kufirin ukraino-rus". Përfaqësuesi i Ukrainës në OKB, Volodymyr Yelchenko, ka thënë, po ashtu, se paqeruajtësit do të duhej të vendoseshin në kufirin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për ta kontrolluar rrjedhjen e armatimit dhe të luftëtarëve që hyjnë nga Rusia. Ukraina tash sa kohë ka kërkuar vendosjen e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në territorin e kontrolluar nga separatistët, por ka thënë se ata duhet të vendosen në gjithë hapësirën, përfshirë përgjatë pjesës së kufirit ukraino-rus, të cilin Kievi aktualisht nuk e ka nën kontroll. Kievi është i shqetësuar se vendosja e paqeruajtësve përgjatë linjës së demarkacionit vetëm do ta forconte kontrollin e separatistëve ndaj territorit që ata e mbajnë dhe Rusia do të ishte e lirë për të vazhduar dërgimin e trupave dhe ushtarëve përgjatë kufirit ndërkombëtar dhe për ta nxitur konfliktin, nga i cili prej vitit 2014, janë vrarë më se 10 mijë vetë. Nuk ka plan për votim të propozimit të Moskës Në ftesën për forcë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Putini ka insistuar se ajo do të ishte e kufizuar për operim në "vijën e demarkacionit" ndërmjet forcave të Ukrainës dhe separatistëve dhe do të duhej ta siguronte vetëm misionin e paarmatosur për monitorim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE). "Nëse të gjitha këto kushte plotësohen, sipas pikëpamjes sime, do të përfitonim një rezolutë për problemin në pjesën lindore të Ukrainës", tha Vladimir Putin në një konferencë për shtyp, dje në Pekin të Kinës. Agjencia AFP ka raportuar se propozim-rezoluta e Rusisë e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrëmë vonë, parasheh mision vetëm pëgjatë linjave të përshkruara nga Putini. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, tha se nuk ka plane të menjëhershme për votim lidhur me propozimin e Moskës. Përgatiti: Fatmir Bujupi This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Podgoricë: Vazhdon procesi kundër personave të akuzuar për puç Posted: 06 Sep 2017 01:26 AM PDT Procesi gjyqësor kundër 14 personave të akuzuar për puç për përmbysjen e qeverisë së Malit të Zi dhe për ta mbajtur këtë vend jashtë NATO-s, vazhdoi sot në Podgoricë. Autoritetet shtetërore të Malit të Zi thonë se nacionalistët serbë dhe rusë kanë bërë komplot për ta okupuar parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, për ta vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar udhëheqje proruse për ta ndalur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ndër të akuzuarit janë edhe ligjvënësit opozitarë të partisë, Fronti Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, pastaj nëntë shtetas të Serbisë dhe dy rusë, kundër të cilëve procesi po zhvillohet në mungesë. Podgorica thotë se "trupat shtetërore ruse" ishin të involvuara në puçin e dyshuar, por Rusia e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Më 5 qershor, Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, duke shënuar kthesë historike kah aleanca transatlantike, përkundër protestave nga Rusia dhe opozita politike në Mal të Zi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Ukrainë: Konfirmohet kërkesa për ekstradim të Saakashvilit Posted: 06 Sep 2017 12:54 AM PDT Autoritetet e Ukrainës kanë konfirmaur se e kanë marrë kërkesën nga Gjeorgjia për ekstradim të ish-presidentit të këtij vendi, Mikheil Saakashvili. "Ukraina ka marrë kërkesë për arrestim dhe ekstradim të Mikheil Saakashvilit", tha dje në një konferencë për gazetarë në Kiev, zëvendësministri i drejtësisë së Ukrainës, Serhiu Petukhov. Ai ka njoftuar se kjo kërkesë i është dërguar prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës për "shqyrtim të ekstradimit". Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Gjeorgjisë më 18 gusht ka njoftuar se kishte dërguar kërkesë për ekstradim në Ukrainë. Në akuza përfshihen kepërdorimi i pasurisë dhe i pozitës, ka thënë Petukhov. Saakashvili ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gjermani: Mirëpritet thirrja e Putinit për paqeruajtës në Ukrainë Posted: 06 Sep 2017 12:26 AM PDT Gjermania e ka mirëpritur pajtueshmërinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për dërgimin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në pjesën lindore të Ukrainës, duke thënë se e përshëndet "ndryshimin në politikën ruse". Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha mbrëmë në Berlin se shpallja e Putinit ishte "befasuese" por theksoi se "ishte shumë i kënaqur për ta parë këtë sinjal", se Putini "dëshiron të diskutoj mëtutje për kërkesën të cilën Rusia e ka refuzuar në të kaluarën. Propozimi i zotit Putin për dërgimin e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e monitoruesve ndërkombëtarë në pjesën lindore të Ukrainës, është paraqitur te kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbërmë vonë, pasi Putini kishte propozuar një gjë të tillë, gjatë një konference për shtyp në Kinë, dje më herët gjatë ditës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Urdhërohet dëshmi lidhur me dokumetet për hetimet Trump – Rusi Posted: 05 Sep 2017 11:27 PM PDT Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar dëshmi për dokumentet e ndërlidhura me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia kishte mbledhur informacione komprometuse për presidentin amerikan, Donald Trump, ka thënë mbrëmë demokrati, Adam Schiff. Gjatë një intervisste për rrjetin MSNBC, ai theksoi se edhe demokratët e tjerë në këtë komitet e kanë kundërshtuar urdhërin për dëshmi, për të cilin ai konsideron se republikanët e kanë bërë në përpjekje për ta diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës. Agjencia Associated Press ka raportuar se komiteti ka urdhëruar dëshmi të përfaqësuesve të Departamentit të drejtësisë dhe të agjencsë FBI dhe u ka dhënë atyre afat, që deri më 14 të këtij muaji ta përgatisin një material. Republikanët thonë se ata dëshirojnë të dinë se si ishte krijuar dosja dhe nëse ajo ishte përpiluar për ta sabotuar Donald Trumpin, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar. Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese është njëri prej disa paneleve, që zhvillon hetime lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës dhe fushatës së zotit Trump. Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump do të angazhohet për deatomizim të Gadishullit Korean Posted: 05 Sep 2017 11:13 PM PDT Shtëpia e Bardhë thotë se do t'i vazhdoj angazhimet për deatomizimin e Gadishullit Korean, në kuadër të përgjegjjes ndaj testit të fundit të armatimit atomik të Koresë Veriore, megjithqë theksohet se "të gjitha opsionet janë në tavolinë". Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, u tha mbrëmë vonë reporterëve se presidenti, Donald Trump, ende po e shqyrton lëvizjen e tij të ardhshme, përfshirë edhe masa të mundshme diplomatike dhe ekonomike, derisa bisedimet me Phenianin nuk janë aktualisht në fokus të administratës. "Ne do të vazhdojmë të bëjmë shtytje për një Gadishull Korean më të sigurt dhe të deatomizuar dhe ky është pritoritet", tha Sarah Sanders. Këto komente u bënë disa orë pasi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se rreziku bërthamor nga ana e Koresë Veriore është "kriza më e rrezikshme me të cilën ne ballafaqohemi sot". Duke folur me gazetarët në Qytetin e Nju Jorkut, zoti Guterres e ka përsëritur dënimin e tij të ashpër për testet atomike të kryera nga Koreja Veriore dhe i ka bërë thirrje këtij vendi që të bashkëpunoj me obligimet ndërkombëtare dhe ka kërkuar bisedime për zbutjen e krizës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Futboll: Kosova humbi, takimi Maqedonia – Shqipëria 1:1 Posted: 05 Sep 2017 10:30 PM PDT Në ndeshjen e Grupit I të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2018, kombëtarja e futbollit e Kosovës mbrëmë pësoi disfatë kundër Finlandës me rezultat 0:1, në ndeshjen e cila u zhvillua në Shkodër të Shqipërisë. Të vetmin gol e shënoi Pukki në minutën e 83-të. Kjo është disfata e shtatë e njëpasnjëshme e Kosovës në kualifikimet e para për garën më prestigjioze të futbollit në botë. Ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, që u zhvillua mbrëmë në Strumicë, përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, dhe duket se gjasët e kombëtares shqiptare për tu kualifikuar për garat e mëtejshme janë minimale. Në ndeshjen e Grupit G të kualifikimeve për Kampiponatin Botëror, Shqipëria avancoi me golin e Roshit në minutën e 52, ndërsa kombëtarja vendëse barazoi në minutën e 78 nga penaltia. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Qeveria në Baku hedh poshtë të ashtuquajturën "Lavanderi e Azerbajxhanit" Posted: 05 Sep 2017 10:44 AM PDT Qeveria e Azerbajxhanit ka hedhur poshtë një raport që konstaton se elita qeverisëse në Baku ka operuar me një fond sekret prej 2.9 miliardë dollarësh, për të paguar politikanët evropianë dhe për të bërë blerje luksoze. Hetimi është kryer nga një konsorcium i gazetave evropiane dhe është publikuar nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas raportit, paratë dyshohet se janë kanalizuar përmes katër kompanive me seli në Britaninë e Madhe. Politikanët evropianë thuhet se janë paguar për të marrë qëndrim të favorshëm ndaj Qeverisë azerbajxhanase. Nuk dihet nëse të gjithë përfituesit kanë qenë në dijeni për burimin e parave, thuhet në raport. Fondi sekret, i koduar si Lavanderia e Azerbajxhanit, ka ekzistuar për dy vjet, deri në vitin 2014. Origjina e parave nuk është e qartë, por "ka prova të mjaftueshme që tregojnë lidhjen e tyre me familjen e presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev", thuhet në raport. "As presidenti, as anëtarët e familjes së tij nuk kanë asnjë lidhje me akuzat e përfshira në raportin e Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ", tha përmes një deklarate Zyra e Presidentit të Azerbajxhanit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





