“Ndërpriten linjat e autobusëve Prishtinë – Beograd” plus 18 more Radio Evropa e Lirë

“Ndërpriten linjat e autobusëve Prishtinë – Beograd” plus 18 more Radio Evropa e Lirë


Ndërpriten linjat e autobusëve Prishtinë – Beograd

Posted: 08 Sep 2017 07:25 AM PDT

Drejtori i Stacionit të Autobusëve Ylber Çitaku, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përkohësisht kanë ndërprerë të gjitha linjat e relacionit Prishtinë - Beograd. Ky vendim, sipas tij, është marrë pasi që siç thotë Çitaku, 'individë të papërgjegjshëm së fundi kanë blerë bileta dhe gjatë rrugës kanë kërkuar të zbresin nga autobusi'. "Për shkak të gjendjes së krijuar dhe sjelljeve të pa përgjegjshme të disa individëve të cilët blejnë bileta futen në autobusë dhe gjatë rrugës kërkojnë të zbresin ose nuk futen fare në autobus, me që rast krijojnë situata joserioze, shkaktojnë çrregullim, krijojnë edhe humbje për operatorët transportues", thotë Çitaku. Vendimi për ndërprerjen e linjës së autobusëve Prishtinë – Beograd, thotë ai,  fillon së zbatuari që nga sot dhe do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haradinaj kërkon votën e deputetëve

Posted: 08 Sep 2017 06:54 AM PDT

Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj do të përballet të shtunën me votimin në Kuvendin e Kosovës për kabinetin qeverisës, i cili sipas Kushtetutës, do të merr besimin për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Seanca, është caktuar për pasdite, nga ora 16:00. Zgjedhja e Qeverisë, kërkon mbështetjen prej të paktën 61 deputetëve. Ndonëse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar mbajtjen e seancës për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, për ditën e shtunë, Haradinaj, ende nuk i ka emrat e atyre që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar. Të paktën, kështu ka deklaruar vet zoti Haradinaj, i cili ka thënë se ende nuk i ka emrat e ministrave, të cilët do t'i drejtonin dikasteret në Qeverinë e tij. "Jemi duke i bërë përgatitjet për seancë, për nesër (e shtunë). Seanca mund të jetë pasdite. Besoj që jemi në rregull me përgatitjet. Është traditë - unë e kam bërë këtë edhe në vitin 2004 - që kur e thërret seancën, në këtë rast grupi parlamentar, seancën për Qeverinë, për programin qeverisës, që me kërkesën së bashku të dorëzohet edhe një program. Por, ky nuk është program i PAN-it, sepse ai bëhet pas një kohe dhe i prezantohet Parlamentit, shoqërisë dhe të gjithëve, por vetëm qëllimet qeverisëse, si dhe lista e kabinetit. Jam duke e plotësuar, por kam vështirësi, sepse nuk mi kanë sjellë ende krejt emrat", tha Haradinaj. Në Qeverinë e re, pritet që dikasteret të drejtohen nga Partia Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe komunitetet tjera pakicë. Partia Demokratike e Kosovës, kryesia e së cilës ka mbajtur mbledhje të premten, ka paralajmëruar se në mbrëmje të kësaj dite, do t'ia dorëzojë zotit Haradinaj emrat e ministrave nga kjo parti. Lideri i kësaj partie, Kadri Veseli ka thënë se emrat do të publikohen shumë shpejt. "Do të jenë njerëz që kanë kapacitete morale dhe intelektuale dhe në të njëjtën kohë nuk kanë asnjë pengesë ligjore apo etike që të jenë ministra", tha Veseli. Në anën tjetër, Lista Serbe, një ditë më parë ka theksuar se lidhur me pjesëmarrjen ne Qeverinë e Kosovës do të konsultohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, si dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Por, i mandatuari për krijimin e Qeverisë së re të vendit, Haradinaj, ka theksuar se në vend tashmë është krijuar një traditë e bashkëpunimit me serbët e Kosovës dhe pret që kjo traditë të vazhdojë edhe me Listën Serbe. "Kjo traditë është e mirë në Kosovë. Çdo Qeveri e formuar ka bashkëpunuar me të zgjedhurit e serbëve. Edhe unë jam i hapur të bashkëpunoj me Listën Serbe, pra, me të zgjedhurit e komunitetit serb, sikurse edhe me komunitetet tjera. Është një komunikim korrekt, por nuk mund të flas për ndonjë epilog tani", tha Haradinaj. Sidoqoftë, krijimit të Qeverisë së re, i është hapur rruga pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit në seancën e ditës së enjte. Kjo seancë ishte vazhdimi i shtatë i seancës, e cila kishte nisur me 3 gusht. Deri ditën e enjte, koalicioni PAN-nuk kishte arritur të siguronte votat e nevojshme për zgjedhjen e Kadri Veselit në postin e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve të tij, në mënyrë që ta përfundonte procesin e konstituimit të legjislativit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Veprimi ushtarak ndaj Koresë së Veriut është opsion

Posted: 08 Sep 2017 06:45 AM PDT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë se veprimi ushtarak është një opsion që mund të zgjidh kërcënimin që vjen nga Koreja e Veriut por ka shtuar se "asgjë nuk është e pashmangshme". Këto komente ai i bëri në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 7 shtator. Trump tha se nëse SHBA, zgjedh të përdorë veprimin ushtarak, do të ishte "një ditë e pikëllueshme" për Korenë e Veriut. (Video: AP).

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mungesë hapësire për pacientët në koma

Posted: 08 Sep 2017 06:39 AM PDT

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Repartin e anesteziologjisë dhe reanimacionit, për mjekim post-intensiv, gjenden tetë pacientë në koma vigjilje. Kosova nuk ka qendra rehabilituese të specializuara për pacientët në koma. Mjekët thonë se këta tetë pacientë, janë vendosur në këtë Klinikë, në mungesë të vendit adekuat për ta. Nehat Baftiu, anesteziolog i tha Radios Evropa e Lirë se të gjithë pacientët që nuk mund ta marrin veten për 48 orë nga mjekimi intensiv, i sjellin në Klinikën e anesteziologjisë, ndonëse nuk është repart adekuat. "Nuk është përgjegjësi e jona t'i mbajmë ata pacientë aty, por në mungesë hapësire ne i mbajmë në Klinikë dhe kujdesemi për ta. Që nga pas lufta nuk ka ndonjë qendër rehabilituese për këta pacientë. Neve nuk na pengojnë, por sikur të jetë një qendër për pacientët në koma, do të kishim mundësi më ta mira trajtimi për pacientët në nevojë", thotë Baftiu. Ndërkaq, Basri Lenjani drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se për pacientë në koma, përkatësisht koma vigjilje, siç quhen në terminologjinë mjekësore, është më se e nevojshme një qendër rehabilitimi. Sipas tij, institucionet gjegjëse do të duhej të ndërmerrnin hapa konkret që sa më shpejtë Kosova ta ketë një të tillë. "Përkundër angazhimeve të Kinikës së emergjencës dhe anesteziologjisë, qe disa vite kemi kërkuar të bëhet një qendër nacionale për pacientët që janë në gjumë të thellë apo personat në koma. Shumica e shteteve këtë komponentë e kanë të rregulluar dhe pas qëndrimit disa kohë në shërbimin intensiv dhe pas rehabilitimit të tyre kjo kategori kërkon një mbështetje shtetërore", thotë Lenjani. Zoti Lenjani thotë po ashtu se Kosova i ka dy qendra rehabilituese, por që duhet adaptohen që të mund të vendosen edhe pacientët në koma. "Do duhej të kemi qendër rehabilituese që do t'i plotësonte kushtet. Ne i kemi dy qendra një në Kllokot e një në Pejë dhe do duhej të kompletoheshin me staf profesional, ku duhet gamë multidiciplinare që kërkon angazhim, dhe kjo duhet zgjidhet në qarqe të larta. Kjo është ngarkesë për shërbimet tona në vend që ne të merremi me rastet që kanë benefit të jetës", tha Lenjani. Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se është planifikuar të ketë mjekim të ri intensiv brenda dy vjetësh. Sipas tyre, aty do të ketë kapacitete të shumëfishta dhe aparaturë të re, e që shërbimet do të jenë shumë më të mira për pacientët, përfshirë pacientët në koma vigjilje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi voton Qeverinë e re të shtunën

Posted: 08 Sep 2017 06:36 AM PDT

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar për të shtunën seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë të ditur pas takimit të Kryesisë së Kuvendit se seanca do të mbahet në orën 16:00. "Është seancë e jashtëzakonshme, do të jetë zgjedhja e qeverisë së re të Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë, kemi shumë punë. Qeveria e ardhshme ka shumë punë Kosova do të vazhdojë orientimin e vet euroatlantik", ka thënë Veseli. Mandatri për kryeministër Ramush Haradinaj, pritet që të prezantojë para Kuvendit të Kosovës Qeverinë e re, e cila duhet t'i marrë të paktën 61 vota të deputetëve për tu zgjedhur. Koalicioni i ri përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e re si dhe pakicat serbe dhe ato joserbe.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bunjaku paralajmëron largimin nga pozita e përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës

Posted: 08 Sep 2017 06:18 AM PDT

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku ka paralajmëruar tërheqjne nga pozita e selektorit. Ai ka thënë se është përpjekur të bëj një punë të mirë, por arritjet e Kosovës në futboll janë ato që janë parë në kuadër të grupit kualifikues për Kampionatin Botëror, Rusia 2018. Largimin e tij, Bunjaku e ka bërë publike gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Kosova është në 'Grupin I', ku bëjnë pjesë edhe Kroacia, Turqia, Islanda, Ukraina dhe Finlanda. Deri më tani, Kosova ka fituar 1 pikë, dhe ndodhet në pozitën e fundit. Pas largimit të Bunjakut, kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri tha se mbetet gjithçka e hapur, ngase nuk ka një vendim për caktimin e seleksionuesit të ri.  Sidoqoftë, Bunjaku do të mbetet në pozitën e përzgjedhësit deri në mbarimin e kualifikimeve për botërorin 2018. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zeman: Terrorizmi islamik mund të metastazojë në Bosnje

Posted: 08 Sep 2017 06:09 AM PDT

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, tha se humbja e grupit militant Shteti Islamik në Lindjen e Mesme, kërcënon të shkaktojë "metastazë të terrorizmit" në Evropë. "Është iluzion të thuhet se Shteti Islamik dobësohet kur humb territor. Kanceri i terrorizmit islamik i ka metastazat e veta dhe ato janë vdekjeprurëse sikurse vetë kanceri", tha Zeman në një intervistë për televizionin çek Barandov. Ai po ashtu tha se Shteti Islamik mund të transferohet në Afganistan, ndërsa "bazën evropiane mund ta ketë, për shembull, në Bosnje". Zeman ka urdhëruar autoritetet lokale në Pragë të rrisin masat e sigurisë, pas "sulmeve të shpeshta" terroriste që kanë ndodhur nëpër qendra të tjera evropiane.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Orban: Hungaria nuk do të bëhet vend migrantësh

Posted: 08 Sep 2017 05:29 AM PDT

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për rivendosjen e migrantëve nëpër Evropë, në bazë të sistemit të kuotave, "i hap rrugë përzierjes së popujve dhe kulturave në kontinent". Ai tha se Hungaria, e cila refuzon të marrë pjesë në planin e BE-së për shpërndarjen e migrantëve që hyjnë në Greqi dhe Itali, nuk është "vend migrantësh dhe nuk dëshiron të jetë". Në vitin 2015, Bashkimi Evropian ka vendosur të pranojë rreth 160,000 migrantë, të cilët do të shpërndaheshin me kuota nëpër vendet anëtare. Mirëpo, ky detyrim ligjor është përballur me rezistencën e disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kërkesën për interpretim të vendimit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë e kanë paraqitur Hungaria dhe Sllovakia. Orban tha se në vend të luftës ligjore, Hungaria duhet të bëjë tani "luftë politike" për të ndryshuar vendimin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: 270,000 myslimanë kanë ikur nga Mianmari

Posted: 08 Sep 2017 05:08 AM PDT

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara llogarit se 270,000 myslimanë Rohingya kanë kaluar kufirin drejt Bangladeshit, qëkur ka shpërthyer dhuna në Mianmarin fqinj, në fund të muajit të kaluar. Shifra u prezantua të premten nga zëdhënësja e UNHCR-së, Vivian Tan, dhe paraqet rritje të madhe të numrit nga 164,000, sa ka qenë një ditë më parë. "Numrat janë alarmues. Kjo do të thotë se duhet të rrisim reagimin tonë", tha Tan dhe shtoi se situata në Mianmar "duhet të adresohet urgjentisht". Dhuna atje ka shpërthyer më 25 gusht dhe ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar. Refugjatët akuzojnë forcat e sigurisë në Mianmar dhe turmat budiste për djegien e fshatrave të tyre. Qeveria thotë se forcat e sigurisë janë duke iu përgjigjur një sulmi të militantëve Rohingya kundër postblloqeve policore, që ka ndodhur muajin e kaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia shënon 26 vjetorin e pavarësisë

Posted: 08 Sep 2017 04:20 AM PDT

Njëzetegjashtë vjetori i pavarësisë së Maqedonisë po shënohet me aktivitete të shumta, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur me një tubim para Qeverisë me moton "Maqedonia e lirë-jeton e lirë" ku para masës së tubuar kryeministri, Zoran Zaev foli për të kaluarën dhe të ardhmen e vendit, të cilin siç tha e pret e ardhme më e mirë pas krizës nëpër të cilën ka kaluar në veçanti vitet e fundit. "Sytë e bashkësisë ndërkombëtare i kemi kthyer nga ne, pasi në mënyrë të guximshme nga një vend si gjenerator i krizës e shndërruam në motor të zhvillimit të rajonit. Ekzistojnë gjasa reale që Maqedonia të merr rekomandim të pastër, e më pas edhe datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjasat janë reale që të bëhemi edhe shteti i 30-të anëtar i NATO-së. Maqedonia sërish ka politikanë të përgjegjshëm të cilët e dinë se çfarë i duhet popullit. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë Maqedoninë si një shoqëri për të gjithë", ka deklaruar Zaev. Maqedonia pavarësinë nga ish-Jugosllavia e ka arritur pa gjakderdhje. Më 8 shtator të vitit 1991, u organizua referendumi për pavarësi, i cili u bojkotua nga shqiptarët pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit. Kushtetuta ishe vlerësuar si gjenerator i shumë krizave që e përcollën Maqedoninë deri në shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, konflikt ku që u mbyll me një marrëveshje paqësore, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës me një ridefinim të ri të Maqedonisë, por sërish me probleme edhe 16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të popullatës shqiptare, e cila sipas të dhënave statistikore përbën 25 për qind të popullsisë dy milionëshe. Skender Asani, historian dhe drejtor i institutit për trashëgimi kulturore të shqiptarëve, thotë se shqiptarët në Maqedoni ashtu sikur edhe ata të Kosovë dhe viset tjera shqiptare, ishin për pavarësinë e vendit, por të një republike demokratike me të drejta të barabarta me popullin maqedon. Ai thotë se referendumi për pavarësi u bojkotua kur qartë dolën tendencat e palës maqedonase për krijimin e shtetit një etnik, me të drejta të cunguara, madje edhe më të pakta se në regjimin e kaluar. Shqiptarët, sipas Asanit, edhe sot e kësaj dite ende nuk kanë realizuar në tërësi të drejtat e tyre, dhe fajtor për këtë, siç thotë ai, janë edhe elitat politike shqiptare. "Nga ajo periudhë e deri në ditët e sotme shqiptarët nuk arritën që t'i plotësojnë ato artikulime që ndodhën në atë periudhë kur Maqedonia krijohej si shtet. Tani lë për të dëshiruar që elitat politike që nuk realizuan kërkesat e shqiptarëve deri në ditët e sotme", thotë Asani duke shtuar se Maqedonia mund të ketë të ardhme vetëm me popuj me të drejtat të barabarta. "Vetëm se me realizimin e kërkesave të shqiptarëve ky shtet mund të ketë një perspektivë të mirë për integrimin në strukturat euroatlantike. Çdo synim tjetër për mosrealizimin e kërkesave për një shtet të barabartë do të jetë në disfavor edhe për maqedonasit por edhe për shqiptarët", thotë historiani Skender Asani. Përveç problemeve të brendshme etnike, Maqedonia që nga periudha e pavarësisë është përballur edhe me probleme me fqinjët e saj. Greqia ende nuk e pranon emrin, për shkak se maqedonasit e tanishëm sipas Athinës, nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, por edhe për shkak të kontesteve tjera. Probleme kishte edhe me Bullgarinë për shkak të gjuhës, ndërsa me Serbinë lidhur me kishën. Probleme të hapura Maqedonia nuk ka vetëm se me Kosovën dhe Shqipërinë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tërmeti “më i fuqishëm në 100 vjet” goditi Meksikën

Posted: 08 Sep 2017 04:20 AM PDT

Së paku 15 veta kanë humbur jetën nga një tërmet që ka goditur Meksikën. Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti me fuqi prej 8.1 shkallësh të Richterit ka dridhur brigjet e Oqeanit Paqësor, rreth 150 kilometra në jugperëndim të qytetit Tres Pikos të Meksikës. "Ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në vendin tonë, në së paku 100 vjetët e fundit", tha presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto. Për Meksikën është lëshuar paralajmërim për cunami, me mundësinë e valëve deri në tri metra. Dëme të rënda janë raportuar në rajonet e saj Oaksaka dhe Çiapas. Tërmeti, i cili sipas kohës lokale ka goditur mbrëmjen e së enjtes, është ndjerë edhe në kryeqytetin Meksiko Siti, ku njerëzit kanë dalë në rrugë. Presidenti Pena Nieto tha se rreth 50 milionë meksikanë mund t'i kenë ndjerë dridhjet dhe se numri i viktimave mund të rritet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia thotë se ka vrarë në një sulm ajror katër komandantë të lartë të IS-it

Posted: 08 Sep 2017 02:23 AM PDT

Ministria e Mbrojtjes ruse ka thënë se ka vrarë katër komandantë të lartë të grupit militant, Shteti Islamik, në një sulm ajror në qytetin e Deir el- Zour. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar deklaratën e Ministrisë se Mbrojtjes, duke thënë se 40 militantë janë vrarë në sulme ajrore, përfshi edhe Abu Muhammad al- Shimali, që është përgjegjës për luftëtarët e huaj në Siri. Luftime të ashpra po vazhdojnë në mes të forcave të qeverisë siriane, që mbështeten nga Rusia, dhe ushtarëve të Shtetit Islamik, për të marrë nën kontroll Deri al- Zourin. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përgëzuar këtë javë homologun sirian, Bashar al – Assad, pasi media shtetërore siriane kishte raportuar se trupat e qeverisë kishin mposhtur rrethimin trevjeçar të qytetit Deri al- Zour.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Manovrat e Putinit me paqeruajtës

Posted: 08 Sep 2017 02:16 AM PDT

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe zyrtarë të tjerë në Kiev, për kohë të gjatë, kanë bërë thirrje për një forcë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, e cila do të vendosej në lindje të Ukrainës. Në shkurt të vitit 2015, Poroshenko ka thënë se forca e tillë do të ndihmonte në garantimin e sigurisë "në një situatë, ku premtimi për paqe nuk mbahet". Konflikti në lindje të Ukrainës ka shpërthyer në prill të vitit 2014, menjëherë pasi Moska ka pushtuar dhe aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë. Që atëherë, mbi 10,000 njerëz janë vrarë si rezultat i luftimeve, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara. Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Moskën për mbështetje të separatistëve pro-rusë me armë dhe fonde – akuza që Kremlini i mohon. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deri më tash, ka shprehur mbështetje të vakët për idenë e paqeruajtësve në lindje të Ukrainës. Por, më 5 shtator, ai ka propozuar dërgimin e tyre atje, ndërsa Gjermania e ka mirëpritur. Por, a është serioz lideri i Kremlinit? Propozimi i tij vjen me disa paralajmërime dhe kushte. Fillimisht, Moska do që forca paqeruajtëse të vendoset vetëm përgjatë "vijës së demarkacionit" që ndan forcat e Ukrainës nga separatistët në rajonet Luhansk dhe Donjeck. Së dyti, detyra e paqeruajtësve do të ishte e kufizuar vetëm në ofrimin e sigurisë për misionin e paarmatosur vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Së treti, separatistët do të duhet të marrin pjesë në të gjitha diskutimet mbi këtë forcë. Dhe në fund, forca e OKB-së do të vendosej vetëm pas tërheqjes së armëve të rënda nga zona e konfliktit. Timothy Ash, analist me seli në Londër, thotë se propozimi i Putinit, në fakt, nuk është diçka e re. "Propozimi për paqeruajtësit është i vjetër nga Putini dhe pala ukrainase nuk do ta pranojë", ka shkruar Ash në gazetën Kyiv Post. Putin ka bërë propozimin pasi ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që të mos dërgojnë armë vdekjeprurëse në Ukrainë. Sipas Putinit, ndihma e tillë e SHBA-së do të rrisë joqëndrueshmërinë në rajon. Për më tepër, Putin ka thënë se separatistët "mund të vendosin armë në zona të tjera të konfliktit". Ky është parë si kërcënim i fshehur nga presidenti rus, nëse Uashingtoni i siguron armë Ukrainës. Tomthy Ash thotë se Putin është i vetëdijshëm se vëmendja ndërkombëtare është përqendruar tani në qetësimin e krizës rreth Koresë së Veriut. Kievi dëshiron një forcë të fuqishme paqeruajtëse dhe oferta e Putinit, me sa duket, nuk është e tillë. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se Kievi është "i përgatitur të punojë për këtë çështje". Oleksiy Melnyk, ekspert ushtarak në Qendrën Razumkov të Kievit, thotë se propozimi i Putinit e vë Poroshenkon në pozitë të vështirë. "Presidenti Poroshenko ka folur për paqeruajtësit që dy vjet dhe tani Ukraina e ka mundësinë t'i sigurojë ata", tha Melnyk për shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë. "Por, motivet e Rusisë janë të dyshimta. Rusia udhëhiqet nga logjika e luftës dhe logjika e arritjes së fitores, ndërsa nuk është e interesuar të zgjidhë konfliktin", shtoi Melnyk. Por, nëse propozimi i Putinit fiton mbështetje nga vendet e tjera evropiane, ashtu si nga Gjermania, Melnyk thotë se qeveria e Poroshenkos do të duhet të kundërshtojë shpejt propozimet ruse për të formuar forcën e planifikuar. Megjithatë, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia do të jetë në gjendje të ketë ndikim të konsiderueshëm, thotë Melnyk. Së paku fillimisht, Gjermania ka qenë e vetmja në Perëndim që e ka mirëpritur publikisht propozimin e Putinit. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka thënë se ai paralajmëron një "ndryshim në politikën ruse" që nuk duhet të rrezikohet. Por, a mund të jenë paqeruajtësit e OKB-së shpëtimtarë të Ukrainës? Edhe nëse Kievi merr atë që dëshiron - një forcë e ligjshme paqeruajtëse e OKB-së në zonën e konfliktit dhe përgjatë kufirit me Rusinë - ajo mund të mos ketë efekt në fundin apo qetësimin e tensioneve në rajon. Dhe, kjo ka të bëjë me mandatin e të gjitha misioneve paqeruajtëse aktive të OKB-së. Sipas Kapitullit V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, veprimet e paqeruajtësve të OKB-së janë të kufizuara, thotë Pavel Felgenhauer, një gazetar ushtarak rus. "Paqeruajtësit, me Kapitullin V, ngasin xhipa të bardhë, shkruajnë raporte dhe vëzhgojnë", tha Felgenhauer për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. Sipas tij, Ukraina nuk duhet të ketë iluzione se çfarë mund të sjellë ndonjë mision i mundshëm paqeruajtës i OKB-së. Përgatiti: Valona Tela

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Brexit zvogëlon numrin e studentëve nga vendet e BE-së në Britani

Posted: 08 Sep 2017 02:07 AM PDT

Votimi i Britanisë së Madhe që të dalë nga Bashkimi Evropian, e rrezikon rënien në masë të numrit të studentëve nga BE-ja që studiojnë në universitetet britanike. Në Britani, janë rreth 60.000 studentë nga vendet e BE-së dhe kjo rënie e numrit të studentëve, do t'i kushtonte universiteteve britanike me 400 milionë funta vetëm për një vit. Universitetet po ashtu do të humbasin financimin vjetor nga BE-ja prej 500 milionë funtash kur Britania të dalë nga Bashkimi Evropian. Këtë vit, numri i studentëve që kanë aplikuar në shkollat britanike ka rënë për pesë për qind, për herë të parë pas pesë vjetësh. Trendi është brengosës edhe për kompanitë britanike, të cilat rekrutojnë studentë nga Bashkimi Evropian.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pesë viktima nga tërmeti në Meksikë

Posted: 08 Sep 2017 01:08 AM PDT

Zyrtarët meksikanë kanë thënë se së paku pesë persona kanë humbur jetën në një tërmet të fuqishëm që ka goditur vendin. Tërmeti me magnitudë prej 8.1 ka goditur pranë brigjeve në Oqeanin Paqësor dhe ka shkatërruar ndërtesa, duke formuar edhe cunami të vogël, raporton Qendra Gjeologjike e SHBA-së. Qendra për paralajmërimin e cunameve ka raportuar se tërmeti ka bërë që valët të arrijnë deri në 0.7 metra në Meksikë. Sipas saj, valë të cunamit u formuan për tre orë në brigjet e Paqësorit të disa vendeve të Amerikës qendrore. Tërmeti kishte epiqendrën në kryeqytetin meksikan, Meksiko, pas të cilit banorët janë zhvendosur nga ndërtesat e tyre. Tërmeti është regjistruar edhe në Guatemala. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Referendum rreth ngritjes së kampeve për migrantët

Posted: 08 Sep 2017 12:47 AM PDT

Një pjesë e komunave të cilat drejtohen nga partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, siç është ajo e Manastirit, Kavadarit, Shtipit si dhe disa komuna të Shkupit, kanë sjellë vendim që të organizohet referendum pikërisht në ditën kur do të duhet të mbahen zgjedhjet lokale, të caktuara më 15 tetor, me ç`rast qytetarët do të shprehen pro ose kundër ngritjes së kampeve për refugjatët. Këto vendime ndërmerren edhe kundrejt demanteve të vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Maqedonisë se nuk planifikon të ngreh kampe për migrantët të cilët do të qëndronin për një kohë më të gjatë në Maqedoni. Madje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se përkrah idenë e mbajtjes së referendumeve për të demaskuar gënjeshtrat me të cilat shërbehet VMRO-DPMNE . Komunikologët thonë se partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, në mënyrë të papërgjegjshme është duke nxitur ksenofobi dhe frikë nga terrorizmi, në momenti kur nga kjo parti mungojnë oferta konkrete kundrejt kërkesave reale të qytetarëve. "Sforcimi i një temë të këtillë tregon qartë se VMRO-DPMNE është e vetëdijshme se si parti nuk mund t'i arrijë rezultat e fituara gjatë periudhës së kaluar, sepse është e dukshme se Maqedonia ka shënuar regres në të gjitha sferat që prekin interesat e qytetarëve dhe për këtë arsye synojnë të shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit, përkatësisht duke koncentruar emocionet e qytetarëve në çështje të këtilla të ndjeshme siç janë migrantët, duke nxitur ndjenjë e rrezikut me qëllim që të kalojnë në plan të dytë dhe të tretë çështjet e tjera që janë me interes jetik për qytetarët", thotë për Radion Evropa e Lirë, Mirjana Najceska ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup. Përderisa Hasan Jashari sociolog, thotë se është e pakuptimtë që ngrihet debat për një problem që nuk ekziston, siç është ngritja e kampeve për qindra mijë migrantë. Kjo praktikë nuk është e re thotë Hasani, duke kujtuar se gjatë fushatave zgjedhore në vazhdimësi është përdorur tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe tani me imponimin e lajmeve të rrejshme se Qeveria do të ndërtojë kampe për migrantët, nxitet frika nga islamizimi i Maqedonisë. "Informacionet e këtilla marrin shtrirje me qëllim se këtu dominon shumë elementi religjioz, bindja se ata (migrantët) vijnë nga lindja dhe ashtu mes rreshtave shtrihet frika se ja Maqedonia do të islamizohet dhe se Qeveria e Maqedonisë nuk është e vetëdijshme për kanosjen nga situata e tillë". "Në këtë formë, përmes nxitjes së një shqetësimi të tillë opozita synon të përfitojë pikë politike, duke dalë si mbrojtëse e interesave shtetërore", thekson për Radion Evropa e Lirë, Hasan Jashari ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ndryshe, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se Qeveria e Maqedonisë nuk planifikon të ngrejë kampe për migrantët dhe as që janë planifikuar mjete nga buxheti i shtetit për këtë çështje. Carovska thotë se partia maqedonase në opozitë VMRO -DPMNE shërbehet me lajme të rrejshme duke u thirrur në strategjinë që e ka miratuar Qeveria e re e Maqedonisë për integrimin e migrantëve dhe të huajve gjatë periudhës 2017 –2027, e cila strategji siç sqaron ajo, është vazhdimësi e strategjisë së njëjtë të vitit 2009 –2015 gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Carovska thotë se është e palogjikshme se si pikërisht VMRO-DPMNE, e cila e miratoi këtë strategji, me të dalë në opozitë është kundër. "Nuk ka aspak nevojë për frikë. Maqedonia është deklaruar dhe vazhdon të mbetet vend transit për migrantët dhe kjo shihet qartë edhe në bazë të statistikave. Para se të mbyllej Rruga Ballkanike, në Maqedoni kishte rreth 1 mijë e 600 migrantë, po aktualisht gjinden më pak se 60-të". "Numrat flasin qartë se migrantët nga shtet e prekua nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut nuk janë ë interesuar në asnjë mënyrë të qëndrojnë në Maqedoni", thekson Milla Carovska. Ndërkaq, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Ivo Kotevski për Radion Evropa e Lirë thotë se çështjen e migrantëve në fushatë zgjedhore e ka imponuar pikërisht Qeveria me miratimin e strategjisë për migrantët dhe si parti ata do ta ngrenë këtë çështje sepse në formë të drejtpërdrejtë prek interesat e qytetarëve të Maqedonisë. "Këtë temë e shtroi pikërisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila e drejton Qeverinë me miratimin e strategjisë për migrantët", thotë Kotevski, duke theksuar se në fokus të fushatës së partisë që përfaqëson do të mbeten dhe më shumë çështje të tjera ,por gjithsesi tema e migrantëve do të jetë në spikamë për faktin se prek interesat e qetarëve. Gjatë këtij muaji edhe pjestarë të shoqatës civile "Budenje" (zgjimi) të cilët për mediat u shprehën se janë aktivistë të VMRO-DPMNE-së, për disa ditë me radhë kanë mbledhur nënshkrimet e qytetarëve në disa komuna të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe qytetin e Shkupit kundër ngritjes së kampeve për migrantët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vuçiq në Bosnje diskuton për kufij dhe tregti me liderët boshnjakë

Posted: 07 Sep 2017 10:53 PM PDT

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është takuar me liderë boshnjakë për të diskutuar rreth kufijve shtetërorë, tregtisë, infrastrukturës dhe çështjeve tjera ekonomike. Tre anëtarë nga presidenca e Bosnjës, Dragan Covic, Mladen Ivanic dhe Bakir Izetbegovic, kanë mirëpritur Vuçiqin në vizitën e tij të parë në Sarajevë. Gjatë vizitës dyditore, është pritur që palët të diskutojnë qështje të rëndësishme që nga ndarja e Jugosllavisë dhe luftës së përgjakshme në Bosnje, përfshi këtu edhe qështje që lidhjen me komunitetin serb në Bosnje. Në marrëveshjen e paqes në vitin 1995 e njohur si marrëveshja e Dajtonit, Bosnja ishte njohur si shtet, por mbeti e ndarë në dy shtete konstituive, nga federate myslimane e kroatëve dhe nga entiteti serb, Republika Srpska. Para vizitës në Bosnje, presidenti Vuçiq është distancuar nga deklarata se "ai gjithmonë do ta respektojë Dodik, si president i Repubikës Srpska dhe të atij institucioni". Vuçiq shtoi se ai do e tregojë pozitën e Serbisë "ne respektojmë integritenin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.Nuk kemi pretendime ndaj këtij shteti dhe presim që as Bosnja dhe Hercegovina dhe asnjë shtet tjetër mos të ketë pretendime territoriale ndaj Serbisë". Mes tjerash, Vuçiq ka diskutuar heqjen e barrierave kufitare që kanë penguar tregtinë e lirë, ndërsa pritet që të lancojë disa projekte infrastrukturore lidhur me Republikën Srpska në Bosnjë, përfshi edhe autostradën Beogrda – Sarajevë, si dhe ndihma financiare. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Regjistrohen 11 të vdekur nga uragani Irma

Posted: 07 Sep 2017 09:51 PM PDT

Numri i të vdekurve nga uragani më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Atlantik, ka marrë jetën e 11 personave. Uragani ka kaluar përmes ishujve Karaibe dhe shumë shpejtë pritet të arrijë edhe në shtetin e Floridas të SHBA-ve, thonë zyrtarët amerikanë. Me erëra të forta rreth 290 kilometra në orë, uragani Irma ishte në madhësi të territorit të Francës e që po kalon nëpër ishuj të vegjël, duke shkatërruar gjithcka. Erërat e uraganit ishin zvogëluar paksa derisa prekën ishujt e mëdhenj të Republikës Domenikane, megjithatë ky uragan ende vazhdon të jetë në shkallën më të lartë, në kategorinë e pestë. Derisa pritet që stuhia e fuqishme të arrijë në Florida, miliona njerëz po përgatiten, disa duke u paketuar në makinat e tyre, e të tjerët duke rezervuar fluturime jashtë shtetit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë "të jenë vigjilent dhe të kujdeshëm", derisa edhe një nga pronat e tij, në ishullin e Shën Martinit ishte shkatërruar nga uragani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

HRW: OKB të kompensojë minoritetet në Kosovë që u helmuan me mbetje plumbi

Posted: 07 Sep 2017 09:26 PM PDT

Organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch" u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara, që të kompensojnë komunitetin rom dhe minoritetet tjera në Kosovë, të cilët tani vuajnë nga helmimi me mbetje të plumbit, pasi ishin zhvendosur në kampet e Kombeve të Bashkuara në fund të viteve të 90-ta. Në një raport të kësaj organizate thuhej se rreth 600 persona janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre në Mitrovicë pas luftës, në vitet 1998-1999, të cilët ishin zhvendosur në një kamp të kontaminuar me plumb nga një minierë industriale. Human Rights Watch ka thënë se në qershor, kanë intervistuar 19 burra dhe gra, përfshi edhe fëmijë, familjet e të cilëve ishin të prekur nga helmimi me mbetje plumbi në kamp. HRW ka konstatuar se këto familje tani përballen me probleme shëndetësore, probleme me veshkët dhe humbje të memorjes. Vitin e kaluar, një panel në Kombet e Bashkuara ka gjetur se misioni i KB në Kosovë, në vitin 2000, ishte i vetëdijshëm për problemet e mundshme shëndetësore, por që nuk kishte arritur të zhvendoste personat e shpërngulur, kështu duke shkelur të drejtat e tyre. Organizata ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet të kompenzojnë dhe t'u kërkojnë falje të gjithë atyre që që qëndruan në kampe, mëgjithatë kjo e fundit nuk e ka bërë këtë. Misioni i Kombeve të Bashkuara është në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, dhe e ka ndihmuar qeverisjen e vendit deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now