INSAJDERI: “Ndryshime në ndarje postesh, PDK-ja prinë me ministri” plus 19 more

INSAJDERI: “Ndryshime në ndarje postesh, PDK-ja prinë me ministri” plus 19 more


Ndryshime në ndarje postesh, PDK-ja prinë me ministri

Posted: 07 Sep 2017 10:18 AM PDT

Ndarja e posteve ministrore ka ndryshuar përsëri. Nënkryetari i PDK-së, Memli Kransiqi, ka treguar se PDK-ja do të ketë 6 ministri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ti ketë dy ministri, AKR-ja do të mbetet me katër, Lista Serbe do ti ketë tre ministri ndërsa komunitetet jo serbe do të udhëheqin dy ministri.

Krasniqi ka treguar në InfoBox të Tv Dukagjini se PDK-ja do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, Financave, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, atë të Drejtësisë, Integrimeve Evropiane dhe një ministri tjetër të cilën nuk e ka përmendur.

Ish-ministri i Bujqësisë, nuk ka mundur të thotë se cilat do të jenë ministritë që do të udhëheqin partnerët e tjerë të koalicionit./Insajderi.com

The post Ndryshime në ndarje postesh, PDK-ja prinë me ministri appeared first on INSAJDERI.

Krasniqi tregon arsyet pse Lista Serbe nuk do të ndajë subvencionet e bujqësisë

Posted: 07 Sep 2017 10:06 AM PDT

Ministri i Bujqësisë në largim Memli Krasniqi, nuk është duke e parë problem që Ministria e Bujqësisë të udhëhiqet nga Lista Serbe.

Në një intervistë në televizionin, RTV Dukagjini ai ka thënë se serbët kanë udhëhequr mandatit e kaluar ministri që ka pas buxhet edhe më të madh se që e ka Ministria e Bujqësisë.

Po ashtu ai ka thënë se subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë nuk varen nga Lista Serbe.

"Ata kanë udhëhequr edhe Ministrin edhe të Mirëqenies Social që e ka buxhetin më të madh të buxhetit, ne funksionojmë bazuar në programin e zhvillimit rural dhe Agjencionit të Zhvillimit të Bujqësisë".

Ai është shprehur se ministria është vetëm politikë bërje, Agjencioni i zhvillimit të Bujqësisë merr vendimet e fundit për subvencionet që ndahen për bujqit varet nga ky Agjencion.

Fillimisht Ministria e Bujqësisë i është ndarë Aleancës për Kosovën e Re, mirëpo gjatë bisedimeve të djeshme është vendosur që ajo t'i takoj Listës Serbe.

Lista Serbe në mandatin e ri qeverisës do të udhëheq tri ministri. /Insajderi.com

The post Krasniqi tregon arsyet pse Lista Serbe nuk do të ndajë subvencionet e bujqësisë appeared first on INSAJDERI.

Kapen 3 gangsterët shqiptarë, bënin trafik gjigant droge në rrugët e Londrës

Posted: 07 Sep 2017 10:05 AM PDT

3 te rinj shqiptare jane denuar gjithsej me 17 vite burg me akuzen e trafikimit te droges ne rruget e Londres.

Mesohet se te denuarit jane Algert Lami, 23 vjeç, Roland Vasija,

20 vjeç dhe 22-vjeçari Orjon Uku, te cilet u kapën nga policia në Stratford, në lindje të Londrës me kokaine dhe shuma lekesh.

Roland Vasija

Dailymail shkruan se më parë gjatë këtij viti shefat e policisë paralajmëruan se bandat e tregtarëve shqiptarë të drogës tani janë 'një kërcënim i rrezikshem' në rrugët e Britanisë.

Albert Lami 

Tre shqiptarët u kapën kur detektivë nga Agjencia Kombëtare e Krimit dhe oficerët nga Policia e Met, duke dalë nga një taksi në Stratford dhe iu afruan një BMW të parkuar. Njëri nga shqiptarët qëndroi 20 minuta duke biseduar me shoferin përpara se të nisej në këmbë.

Kur policia ndaloi BMW dhe e kontrolloi atë, ata gjetën 178,000 paund.
Rreth gjysma kilogram kokainë u gjet e fshehur në kutinë e dorës së BMW-së së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara dhe të cilat zyrtarët besojnë se ishin duke u përdorur nga Lami.

Orjon Uku

Steve Miles, nga Partneriteti i Krimit të Organizuar, tha: "Çdo grup i krimit të organizuar që transporton drogë është një biznes që mbështetet në rrjedhën e parasë. Nëse ndonjë biznes humbet një mall të shtrenjtë në mes të një transaksioni, ai fluks parash rrjedh nga të dy anët.

"Kjo do të thotë humbje e investimeve në veprimtari të tjera kriminale, pamundësia për të paguar njerëzit e tyre, dëmtimi i besimit dhe kredibilitetit midis grupeve kriminale dhe humbja e fytyrës dhe e statusit me kolegët e tyre, ua bën më të vështirë atyre që të bëjnë biznes bashkë në të ardhmen.

Lami u deklarua fajtor për komplotin për të furnizuar droga, posedimin e dokumenteve të rreme. Vasija gjithashtu u deklaruan fajtorë për komplot për të pastruar 178 mijë funte. Lami u dënua me nëntë vjet burg, ndërsa Vasija iu dha një dënim prej 2-vjetësh. Uku u deklarua fajtor për posedim me qëllim të furnizimit të drogës së klasës A dhe B. Ai u dënuam me 6 vjet nga Gjykata e Kingston Crown.

The post Kapen 3 gangsterët shqiptarë, bënin trafik gjigant droge në rrugët e Londrës appeared first on INSAJDERI.

Arrestohet një toger dhe një qytetar

Posted: 07 Sep 2017 09:49 AM PDT

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot dy të dyshuar duke realizuar edhe një plan operativ lidhur me këtë rast në konsultim me prokurorinë kompetente, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Policia thotë se është arrestuar një toger për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare

"IPK kishte pranuar informacione në lidhje me dyshimet për përfshirje në veprimtari penale të të dyshuarit zyrtar policor (me gradën e togerit i cili ka pasur pozitën e Komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë)", thuhet në komunikatë.

Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimin ndaj këtij zyrtari me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe Ushtrim ndikimi të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë hetimit të këtij rasti hetuesit e IPK-së kanë grumbulluar dëshmi të cilat vërtetuan informacionet e pranuara, dhe se në këtë rast janë implikuar edhe dy qytetarë të tjerë.

Më tutje PK thotë se në orët e hershme të mëngjesit të sotëm hetuesit e IPK-së kanë realizuar një plan operativ në rajonin e Gjilanit në kuadër të së cilit është zbatuar edhe urdhëresa e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe janë bastisur tri lokacione si dhe janë konfiskuar disa prova materiale që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.

"Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (togerin policor dhe një qytetar) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e komandantit të këtij stacioni policor", thuhet në komunikatë.

The post Arrestohet një toger dhe një qytetar appeared first on INSAJDERI.

Mehmeti befason me klubin e ri

Posted: 07 Sep 2017 09:40 AM PDT

Agon Mehmeti është transferuar te skuadra angleze, Oxford United

Sulmuesi kosovar, Agon Mehmeti karrierën do ta vazhdojë në Ligën e tretë të Anglisë, përkatësisht te skuadra e Oxford United.

Ish sulmuesin e Kombëtares shqiptare në Oxford United e ka transferuar pikërisht trajneri i kësaj skuadre, Pep Clotet. Ky i fundit ka punuar me Mehmetin te Malmo.

"E njoh personalisht, është një profesionist i mirë. Ai është mësuar të luajë në nivele të larta. Ka luajtur ndeshje në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës", ka deklaruar Clotet.

Mehmedi së fundi ishte pjesë e klubit turk, Gencerbirligi, derisa më herët ka luajtur në Palermo, Norava e Olhanens, Stabæk.

The post Mehmeti befason me klubin e ri appeared first on INSAJDERI.

Myslimanët në Shqipëri nuk janë shumicë, por edhe sikur të ishin

Posted: 07 Sep 2017 09:30 AM PDT

Një nga shkrimet më të komentuara në rrjetet sociale gjatë ditëve të debatit të nxehtë mbi "monumentin e Skënderbeut të fshehur në shesh" ka qenë i nënshkruar nga Taulant Kopliku. Ky i fundit mbronte idenë se marrëdhëniet mes…

Një nga shkrimet më të komentuara në rrjetet sociale gjatë ditëve të debatit të nxehtë mbi "monumentin e Skënderbeut të fshehur në shesh" ka qenë i nënshkruar nga Taulant Kopliku. Ky i fundit mbronte idenë se marrëdhëniet mes myslimanëve e të krishterëve janë idilike, dhe këtë e ilustronte me përvoja e dëshmi personale mbi martesa e miqësira të përziera, e me një klimë harmonie mes shkodranëve me fe të ndryshme.

Dy gjëra më bënë përshtypje në atë shkrim. Një: Harmonia për të cilën flet Kopliku lidhet me një wishful thinking të tijin; gjërat në praktikë nuk janë kaq të hareshme. Dhe dy: Ai bënte një ngatërresë, merrte për myslimanë/të krishterë ata që vijnë prej një tradite myslimane/të krishterë. E kështu edhe veten e llogariste si mysliman, ndonëse, me çfarë dilte prej shkrimit, nuk është i tillë. Nuk mund të jetë mysliman një njeri si ai që, siç thoshte, pi birra e raki kur është mes miqsh. Të gjitha shkollat e mendimit islam e të interpretimit kuranik janë në një mendje në këtë pikë: alkoli është haram.

Këtë ngatërresën e Koplikut e bëjnë shumë njerëz. Marrin, fare pa të keq, për identitet fetar atë që përbën thjesht traditën fetare të familjes. Këtë kish bërë edhe Olsi Jazexhiu në një shkrim të tijin konfuz e të kreshpëruar, të publikuar dje në dritare.net.

Ai thoshte se "shqiptarët, [që] nga Kosova [e deri] në Konispol, janë dërrmueshëm myslimanë". Me fjalë të tjera, ai quan myslimanë të gjithë ata që vijnë nga një traditë myslimane, përfshirë edhe njerëz si puna ime, që me Islamin nuk i lidh asgjë veç emrit e traditës.

Na lodhën me këtë konfondim të traditës me identitetin fetar. Duke huazuar stilin patetik të Moikom Zeqos, do doja t'u thoja: "Mjaft tani, mjaft, me këtë spekullim!" Sepse myslimanë janë vetëm ata që kanë bërë shahada-në (aktin e konvertimit), ata që falen çdo ditë, ata që agjërojnë kur duhet agjëruar, ata që bëjnë haxhiun kur munden, ata që nuk ia lejojnë vetes të pijnë alkol, të luajnë bixhoz, të marrin e japin fajde në bankë a diku tjetër, ata që hanë vetëm ushqime hallall, që besimin e vënë para kombit e që Muhametin e vënë para Skënderbeut, që Islamin e shohin si të vetmen fe të vërtetë, që Islamin duan ta shohin si një fe të përbotshme, etj, etj.

Dhe me këtë, të kuptohemi, jemi ende te një version minimalist besimi, jemi te myslimani bazik. Poshtë këtij niveli nuk ka mysliman. Sipër këtij niveli, po, ka sa të duash. Ka nga ata që gratë e tyre i mbajnë të mbuluara, që marrëdhëniet seksuale para martesës i konsiderojnë tabú, që marrëdhëniet e partneritetit (miqësitë, ortakëritë, martesat, fqinjët, etj) me të krishterë e jo fetarë i quajnë të pamendueshme.

Ka myslimanë të tjerë edhe më rigorozë që duan sheriatin në vend të ligjeve shekullare, që kombin dhe heronjtë kombëtarë i shohin me përbuzje apo neveri, që gratë, të gjitha gratë, po sidomos të tyret, duan t'i kyçin në shtëpi, ku edhe mund t'i rrahin, nëse "ato e kanë hak", që qafirat (jo myslimanët) i konsiderojnë qënie të urrejtshme, që për apostatët (ata që e lënë Islamin) mendojnë se duhen qëlluar me gurë deri në vdekje, që statujat, pikturat, muzikën i konsiderojnë shpikje të shejtanit, e kështu me radhë.

E në fund – ky është versioni esktrem – janë ata që shkojnë të luftojnë për ISIS-in apo që hidhen në erë me fjalët "Allahu akbar", duke çuar dhjetra të pafajshëm në varr dhe veten … në xhehnet, ku duart do t'u kapin medemek vetëm cica të mëdha virgjëreshash. Siç shihet, myslimanët janë një komunitet shumë laraman. Si zor të gjendet në këtë botë një komunitet më laraman se umeti islam. Dy myslimanë njësoj nuk i gjen dot.

Si e interpreton Islamin njëri, nuk e interpreton tjetri. Dhe të gjithë i referohen të njëjtit libër, Kuranit. Të gjithë adhurojnë të njëjtin Zot, Allahun. Duke mos harruar të shtojnë: Alhamdulillah!

Sa është numri i këtyre myslimanëve shqiptarë, nga versioni minimalist te ai maksimalist? Ne nuk e dimë me saktësi. Nuk kemi se si ta dimë. Nga regjistrimi i popullsisë që u bë së fundmi (viti 2011) doli se myslimanët janë 57% e popullsisë, por kjo shifër është e trukuar nga e njëjta ngatërresë, për të cilën sapo fola.

Në një numër të madh rastesh, agjentët e INSTAT-it që kanë bërë punën në terren atëmot as që i kanë pyetur qytetarët mbi identitetin fetar. U kanë mjaftuar mbiemrat e llojit Islami, Paloka, Hoxha, Anastasi, Shehu, apo emrat e llojit Myrteza, Gjon, Mustafa, Jorgo, Hasan për të patur një ide të vetën për fenë e të intervistuarëve. Por edhe kur këtë pyetje e kanë bërë, nuk janë ndeshur me surpriza. Të intervistuarit u kanë dhënë për fe të tyre atë që ka qenë feja e të parëve. Prindërit e mij – këtë e di mirë – kanë deklaruar se janë bektashinj, mirëpo e vërteta është që – edhe këtë e di mirë – ata janë de facto ateistë.

Sikur të isha në krye të punëve të këtij vendi, do organizoja një regjistrim ad hoc të popullsisë, ku njerëzve t'u kërkohej të jepnin identitetin fetar të tyre, dhe jo origjinën apo traditën.

Dhe nëse njerëzit nuk do ta kishin të qartë se ç'do të thotë "identitet fetar", se ç'do të thotë të jesh mysliman, katolik, ortodoks, apo bektashi (janë të shumtë ata që nuk e kanë të qartë), do t'u shpjegohej. Regjistrimin do ta bëja me ndihmën e grupeve të nëpunësve të shpërndara në terren, të cilat do kishin në përbërje edhe përfaqësues të vetë feve.

Dhe ky regjistrim do ndante shapin nga sheqeri njëherë e mirë, e me gjasë do nxirrte në shesh se asnjëra prej feve nuk është shumicë në këtë vend. As Islami. E ky fakt do t'u ulte pendët të gjithë besimtarëve. Ky vend nuk është i njerëzve që falen nëpër rrugë apo nëpë faltore, apo i atyre që shajnë e fyejnë në emër të feve nëpër rrjetet sociale. Ky vend është shumë më tepër se ata. Edhe sikur fetë, apo ndonjëra prej feve, të ishte shumicë, prapëseprapë ky vend nuk do kish arsye pse të quhej i tyre. Do ishte i të gjithëve.

Sado që të jenë myslimanët e të krishterët, dhe sido që të jenë, me Skënderbeun apo kundër Skënderbeut, patriotë apo anti patriotë, ata janë këtu, janë si ne e si njëri-tjetri, janë shqiptarë me titull të plotë, janë me të njëjtat të drejta që kanë të gjithë shtetasit e kësaj republike, dhe me detyrimin që besimin e tyre ta mbajnë për vete, ta përjetojnë si një gjë intime, ta përjetojnë në mënyrë të qetë e të shtruar, për të mirën e tyre, e jo për inatin e të tjerëve (e di që kjo e fundit bie ndesh me udhëzimet kuranike, por në të njëjtën kohë është kusht i paqes publike e kombëtare; myslimanët shqiptarë duhet të zgjedhin: duan që ky komb të jetojë në paqe, apo duan që ky komb të islamizohet i tëri?). Janë njësoj që nga myslimani nominal Taulant Kopliku që dëndet me birrë e deri te myslimani militant Olsi Jazexhi që ah, sa do ta donte ta rrëkëllente një gotë të ftohtë birre, por ja që ka zgjedhur ta thajë gurmazin për ta mbajtur mirë me Allahun.

E në këtë kuptim, nuk merret vesh mirë kjo loja me shumicën që bëjnë myslimanët. Veç shejtani e di se pse u pëlqen kjo lojë. "Jemi shumicë", të thonë. Në mënyrën më brutale të përfytyrueshme e ka thënë këtë gjë myftiu i Shkodrës Muhamet Sytari, në korrik të vitit 2016, me rastin e Fiter Bajramit, duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë në shesh (myslimanët i kanë shumë qejf sheshet): "Ecni përpara me krenari në fenë tuaj, se ne nuk jemi pakicë në këtë qytet, se ne nuk jemi pakicë kombëtare në këtë vend, ne jemi myslimanët, ne jemi pasuesit e Allahut e të Muhametit".

Le të jemi të sinqertë me veten. Kjo nuk është një frazë drejtuar besimtarëve. Ky është një ligjërim politik. Kjo është një thirrje luftarake. Kjo është e frikshme. Dhe ta dini, është më e frikshme në rastin që Sytari e do kombin, sesa në rastin që kombit nuk do t'ia shohë bojën.

 

The post Myslimanët në Shqipëri nuk janë shumicë, por edhe sikur të ishin appeared first on INSAJDERI.

Rritet numri i udhëtarëve në autobusët Prishtinë-Beograd

Posted: 07 Sep 2017 09:25 AM PDT

Linja e autobusit Prishtinë – Beograd sërish është në qendër të vëmendjes. Pamjet duket se u ngjasojnë atyre të fillimvitit 2015.

 Në mbrëmjen e së mërkurës, në stacion gjendej edhe Sali Aliaj, ish-taksist, nga Mitrovica. Me disa valixhe në duar, së bashku me gruan dhe dy fëmijët, tha për Radion Evropa e Lirë se ia ka mësyrë Gjermanisë, përmes Serbisë.

"Pa viza, pa asgjë…në dorë të Zotit, ku të mundemi do të shkojmë diku të punojmë, se këtu nuk ka perspektivë, nuk ka punë, asgjë. Do të shkoj zorit e lloçit, veç të dalë diku në punë e ta fitoj bukën", tha Alija.

Përfaqësues të agjencive të cilat mbajnë relacione të rregullta udhëtimi me autobus Kosovë- Serbi, tregojnë se në ditët e fundit është rritur interesim i qytetarëve për të udhëtuar në drejtim të Beogradit.

Përparim Pushkolli menaxher i shitjes së biletave në agjencinë 'Adio Turs', tha se kohëve të fundit është shtuar numri i udhëtarëve drejt Serbisë.

"Nuk e di se ku ata po shkojnë, por këto dy-tri ditët e fundit është e vërtetë që ka një fluks nga stacioni i autobusëve në Prishtinë. Kryesisht të rinj që po dalin", tha Pushkolli, duke shtuar se nuk e di saktë cili është destinacioni i fundit i udhëtarëve të tyre.

"Ky fluks, e kam fjalën për dje dhe pardje [e mërkurë dhe e martë], ngase më herët nuk ka pasur. Po i shfrytëzojnë autobusët tanë deri në Beograd, mandej çka bëjnë nuk e di", tha Pushkolli.

Megjithatë, të dhënat zyrtare flasin se nuk bëhet fjalë për, siç thuhet, ikje në masë, siç ka pasur në muajt e parë të vitit 2015. Atëbotë, qytetarët e Kosovës shfrytëzonin qytetin Suboticë të Serbisë, i cili gjendet afër kufirit me Hungarinë.

Çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për në Beograd, nisen nga pesë autobusë në linjën e rregullt.

Përfaqësues zyrtar të stacionit të autobusëve në Prishtinë hedhin poshtë pohimet se ka fluks ikjesh.

Sheqir Abazi, koordinator i ndërrimit tha , se nga stacioni i autobusëve aktualisht janë duke operuar linjat e rregullta dhe nuk ka kërkesa për linja të reja.

"Nuk ka fluks të njerëzve që shkojnë jashtë vendit. Kemi pesë nisje gjatë 24 orëve që operojnë në drejtimin Prishtinë – Beograd. Prej tyre, dy nisje paradite dhe tri pasdite. Mbrëmë [e mërkurë] në ndërrimin e tretë kam punuar unë. Janë dhënë 40 bileta si çdo herë që jepen për relacionin Prishtinë – Beograd", tha Abazi.

Edhe në qendrën për menaxhimin e stacionit të autobusëve në Beograd, thonë se nuk ka numër të shtuar autobusësh, përveç pesë linjave të rregullta që qarkullojnë në relacionin Prishtinë – Beograd. Sipas të dhënave nga kjo qendër, në vitin 2015, numri i autobusëve në këtë linjë sillej nga 10 deri në 12 në ditë.

Mbrëmjen e së mërkurës kishte më shumë njerëz se zakonisht, por disa prej tyre thonin se kishin dalë të shtyrë nga kureshtja për të parë nëse ka ikje.

Edhe autoritetet e rendit kanë hedhur poshtë pohimet për diçka të tillë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se "janë ndërmarrë veprime për verifikim të informacioneve dhe bazuar në punën operative të zyrtarëve policorë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe autoritetet tjera, është konstatuar se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve dhe nuk ka vend për shqetësime të tilla". /REL.

The post Rritet numri i udhëtarëve në autobusët Prishtinë-Beograd appeared first on INSAJDERI.

Shqiptari rrëfen për uraganin “Irma” që po ndodh në ShBA

Posted: 07 Sep 2017 09:21 AM PDT

Një shqiptar që ndodhet në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend i cili pritet të goditet nga Uragani i fuqishëm "Irma", deklaron në një lidhje telefonike për Ora Neës, se biletat atje janë dhjetëfishuar dhe është tejet e vështirë për t'i gjetur ato.

Ylli Paja tha se ishte pjesë e një delegacioni edhe me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia.

Ylli Paja: Ne jemi një delegacion nga pjesëtarë të përbërë nga Kosova dhe Maqedonia. Ne ishim në një aktivitet në Bashkinë e Miamit dhe dëgjuam për situatën, duke u detyruar që të ndërpresim aktivitetin.

Qytetarët shkojnë në markete për të blerë ushqime. Ka radhë të gjata në stacionet e benzinës dhe të gjithë po largohen nga qyteti. Biletat e avionëve edhe pse janë dhjetëfishuar është e vështirë të gjesh.

Ne kemi marrë një taksi dhe sapo kemi dalë nga Miami dhe po vazhdojmë drejt Orlandos për të mbërritur në Nju York. Uragani ka shkaktuar gati dy ishuj në Karaibe.

The post Shqiptari rrëfen për uraganin “Irma” që po ndodh në ShBA appeared first on INSAJDERI.

Ylli i Napolit refuzon Juventuesin dhe Milanin

Posted: 07 Sep 2017 09:13 AM PDT

Ylli i Napolit, Marek Hamsik ka thënë se mund ta përfundojë karrierën te Napoli, përderisa ka konfirmuar se ka refuzuar ofertat e Juventusit e të Milanit në të kaluarën.

Kapiteni i Sllovakisë në dhjetë vitet e fundit ka veshur fanellën e Napolit, ndërsa këtë javë agjenti i tij Mino Raiola ka thënë se ai dëshiron të luajë për tërë jetën në Napoli, transmeton Koha.net.

"Në futboll është shumë e vështirë pasi nuk e dini asnjëherë se çfarë mund të ndodhë. Nuk mendoj që të largohem nga Napoli. Në të kaluarën kam refuzuar ofertat nga Juventusi e Milani sepse nuk ndihesha gati. Por, jam i lumtur që të jem këtu, si në aspektin profesional e njerëzor", ka thënë Hamsik për Kicker.

The post Ylli i Napolit refuzon Juventuesin dhe Milanin appeared first on INSAJDERI.

BE përshëndet zgjedhjen e Veselit, pret formimin e shpejtë të qeverisë

Posted: 07 Sep 2017 09:09 AM PDT

Bashkimi Evropian ka përshëndetur sot zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe bëri thirrje për formim sa më të shpejtë të qeverisë, e cila, siç thuhet, do të punojë në rrugën e integrimeve evropiane dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

"Përshëndesim zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, që është hapi i parë drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të mbajtura në qershor. BE kërkon nga shumica parlamentare të formojë sa më shpejt qeverinë e re, në mënyrë që të punohet në reformat e domosdoshme, të cilat Kosovën do ta çojnë përpara në rrugën e saj drejt BE-së", ka porositur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

The post BE përshëndet zgjedhjen e Veselit, pret formimin e shpejtë të qeverisë appeared first on INSAJDERI.

Shqiptari që planifikon t’i investoj 100 milionë euro në Maqedoni

Posted: 07 Sep 2017 08:57 AM PDT

Pasi ka qenë mjaft konkurruese në tërheqjen e investitorëve të huaj, që kanë zgjedhur Maqedoninë ndaj Shqipërisë, si psh prodhuesin e mjesëve të makinave Jonson Control, shteti fqinj po tenton të joshë edhe sipërmarrësit shqiptarë.

Agjencia maqedonase e lajmeve INA shkruan se Ministri përgjegjës për Investimet e Huaja të Maqedonisë, Ramiz Merko ka pohuar sot se "në ambientet e Ministrisë dhe më pas bashkë me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, zhvilluam takim pune me mikun tim dhe një ndër biznesmenet më të suksesshem jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por edhe i rajonit, Shefqet Kastratin, themelues dhe njëkohësisht drejtori gjeneral i kompanisë "Kastrati Group" , i shoqëruar nga partnerët e tij, Nova Global Group nga Republika e Turqisë".

Merko shtoi se "Gjatë takimit biseduam rreth klimës pozitive për investime dhe kushteve që ofron legjislasioni i Republikës së Maqedonisë në drejtim të investimeve për kompanitë e huaja në vendin tonë, e në veçanti në zonat e lira zhvillimore ekonomike.

Mora mbështetjen nga zotëri Kastrati për themelimin e një bashkëpunimi për realizimin e projekteve të shumta, në aspektin strategjik që të hartojmë investime avancuese dhe reformuese në fushën e ekonomisë. Ai më premtoi se, të paktën investimet që do të realizohen në vendin tonë do të arijnë deri në 100 milionë euro.

Planprogrami dhe biznesplani do të konkretizohet në muajt në vijim, për çka do të prezantohet për opinionin. Gjatë takimit, prezent ishte edhe Zëvendës Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale Asip Useini, ku në bashkëpunimin institucional do të ndihmojë kompanive proceduarat e dokumentacioneve, që sa më lehtë dhe shpejtë të fillohen investimet në vend", përfundon njoftimi i agjencisë maqedonase.

Grupi Kastrati është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe sipërmarrja kryesore e tregtimit të naftës në vend. Kompania kryesore e grupit Kastrati sha, që tregton me shumicë karburante kishte një qarkullim vjetor në vitin 2016 prej 320 milionë eurosh, sipas bilancit zyrtar.

Sipërmarrja tjetër, Kastrati shpk, që tregton naftën me pakicë, kishte të ardhura prej 93 milionë eurosh.

Grupi ka interesa edhe në fushën e sigurimeve (Alb Siguracion, me të ardhura 13 milionë euro në 2016-n) dhe të tregtimit të automjeteve (Benz Mercedes).

The post Shqiptari që planifikon t'i investoj 100 milionë euro në Maqedoni appeared first on INSAJDERI.

Veseli e Haradinaj thonë se konsultimi i Listës Serbe me Beogradin është traditë

Posted: 07 Sep 2017 08:44 AM PDT

I sapo zgjedhuri i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe mandatari për kryeministër Ramush Haradinaj, kanë thënë se konsultimi i Listës Serbe me Beogradin është kthyer tashmë në traditë politike.

Haradinaj ka thënë se këtë e ka gjetur, por e ka shpresën te Kuvendi i Kosovës si garant i sovranitetit të shtetit.

"E keni vërejt edhe sot. Nuk është asgjë e lehtë. Jemi të përgatitur për sfidat që na presin. Kemi besim që do të kemi votën e nevojshme për qeveri. Njëkohësisht një qeveri që ka fuqinë e vet. Kjo është një traditë në politikbërjen dhe vendimmarrjen në Kosovë. Do të jetë vazhdim i situatës që e trashëgojmë. Në Kuvendin e Kosovës janë 120 deputetë. Ata e mbrojnë interesin e shtetit, jo vetëm ata që e kanë pushtetin", ka thënë Haradinaj.

Veseli në anën tjetër ka shtuar se Kosova nuk do t'i nënshtrohet asnjë liste dhe asnjë qëndrimi politik imponues.

"Ne jemi për një Kosovë perëndimore që ka një orientim shumë të qartë që nuk i nënshtrohet asnjë liste e as një qëndrimi politik imponues. Po flasim për një bashkëpunim politik shumë korrekt mes nesh në të cilin s'ka kurrfarë kushtëzimesh. Edhe kryeministri e tha është mirë të mos të krijohet problematikë aty ku nuk ka. Është krijuar një traditë të cilën disa kolegë tanë që tash janë në pozitë e dinë më mirë për të treguar faktorivizim. Të gjithë bashkërisht do të punojmë në të mirë të shtetit tonë", ka deklaruar Veseli.

The post Veseli e Haradinaj thonë se konsultimi i Listës Serbe me Beogradin është traditë appeared first on INSAJDERI.

Barcelonë-Madrid, përballje edhe në politikë

Posted: 07 Sep 2017 08:37 AM PDT

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se do t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të anulojë një ligj të miratuar nga Parlamenti rajonal katalanas për të mbajtur një referendum për pavarësinë e kësaj krahine.

Referendumin e planifikuar për më 1 tetor, Rajoy e cilësoi të jashtëligjshëm. Aktualisht, krahina e Katalunjës gëzon autonomi, por qeveria rajonale thotë se ka mbështetjen popullore për ndarjen e plotë.

"Çfarë s'është e ligjshme, është edhe antidemokratike. Ligji i miratuar nga Katalunja është një akt i papranueshëm mosbindjeje dhe do t'i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese ta anulojë", tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.

Rajoy shtoi se të gjithë këshillave lokale do t'u kujtohet detyra e tyre për të penguar ose paralizuar referendumin.

Më herët, kryeprokurori spanjoll Jose Manuel Maz tha se do të padisë deputetët katalanas dhe anëtarët e qeverisë katalanase për firmosjen e ligjit, ndërsa shtoi se i ka kërkuar forcave të sigurisë të marrin vesh se çfarë përgatitjesh kanë bërë autoritetet në Katalunjë për referendumin.

Parlamenti rajonal i Katalunjës miratoi të mërkurën vonë ligjin për referendumin, duke bërë gati fushëbetejën e radhës me Madridin zyrtar.

The post Barcelonë-Madrid, përballje edhe në politikë appeared first on INSAJDERI.

Mustafa: Kuvendi merr vendime siç i thotë Lista Serbe

Posted: 07 Sep 2017 08:32 AM PDT

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ka kujtuar 7 shtatorin e vitit 1990 ku delegatët e atëhershëm kishin shpallur Kushtetutën e Kosovës, e cila njihet si Kushtetua e Kaçanikut.

Mustafa ka thënë se pas 27 vjetësh nga ajo ditë, institucionet e Republikës së Kosovës po konstituohen si rrjedhojë e kalkulimeve dhe një grupacioni politik vetëm pas koncesioneve dhe siç ka shtuar me diktimin e Listës Serbe dhe bekimin e Beogradit.

"Më 7 Shtator 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm, shpallën Kushtetutën Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, duke vendosur themelet e shtetësisë dhe duke dëshmuar vendosmërinë e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci", ka shkruar Mustafa në Facebook.

"Krenaria për atë epokë historike nuk na zbehet, përkundër faktit se fiks pas 27 vjetësh, si pasojë e kalkulimeve meskine të një grupacioni politik, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria konstituohen vetëm pas koncesioneve dhe ashtu siç e dikton Lista Serbe, me bekimin e Beogradit".

"Respekt për të gjithë deputetët dhe veprimtarët e tjerë që rrezikuan edhe jetën e tyre për të mundësuar aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut!", ka përfunduar ai.

The post Mustafa: Kuvendi merr vendime siç i thotë Lista Serbe appeared first on INSAJDERI.

Nesër prezantohet kabineti i ri qeveritar

Posted: 07 Sep 2017 08:22 AM PDT

I mandatuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se nesër, të premten, do të prezantojë kabinetin e ri qeveritar.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka refuzuar të japë emra për ministra vetëm ka shtuar se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore.

"E dimë të gjithë procedurën. Me kërkesën për seancë i dorëzojmë edhe qëllimet programore. Programi vjen pas një kohe për të gjithë. Besoj për nesër do të prezantojmë edhe kabinetin. Do të ndjekim procedurat ligjore", ka thënë ai.

Akoma nuk dihet zyrtarisht ndarja e ministrive për partitë në koalicion, për arsye se ka pasur mosmarrëveshje mes koalicionit PANA dhe Listës Serbe.

The post Nesër prezantohet kabineti i ri qeveritar appeared first on INSAJDERI.

Veseli: Do të kemi institucione që do të përballet me sfida të mëdha

Posted: 07 Sep 2017 08:10 AM PDT

I sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se "Do të kemi institucione që do ti përballojë shumë sfida të mëdha të Kosovës, nga dita e sotme nuk do të ketë bllokada institucionale"

Në një konferencë për media, që e mbajti së bashku me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, u shpreh se duhet të kemi shumë besim në vendin tonë.

"Jam i sigurt që bashkërisht të punojmë bashkë ne që kemi marr përgjegjësi institucionale ku kërkoj mbështetje nga të gjithë qytetarët e gjithashtu edhe nga ju media", është shprehur ndër tjerash Veseli.

Kadri Veseli është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit me 62 vota pro dhe 52 kundër. /Insajderi.com

The post Veseli: Do të kemi institucione që do të përballet me sfida të mëdha appeared first on INSAJDERI.

Haradinaj: Nuk është zgjidhje ikja me autobusa nëpër dynja

Posted: 07 Sep 2017 08:04 AM PDT

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje të rinjve që mos të ikin nga Kosova sepse kjo nuk është zgjidhje e problemeve në Kosovë.

Në një konferencë për media, së bashku me të rizgjedhurin e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli u shpreh se janë përgatitur, i kanë bërë të gjitha gati dhe për shumë pak ditë do të formohet qeveria.

Haradinaj ka thënë "se na presin shumë përpara dhe se nuk është zgjidhje të marrim autobusët dhe të ikim nëpër dynja, por duhet të qëndrojmë këtu dhe të zgjedhim problemet". /Insajderi.com

The post Haradinaj: Nuk është zgjidhje ikja me autobusa nëpër dynja appeared first on INSAJDERI.

Reagimi i parë nga Serbia kundër bashkëpunimit të Listës Serbe me Haradinajn

Posted: 07 Sep 2017 07:48 AM PDT

"Lëvizja e lirë e qytetarëve" ka dënuar qeverinë e Serbisë për "marrjen e një vendimi të çuditshëm dhe tepër të pakuptimtë", që Lista Serbe të hyjë në koalicion me qeverinë Haradinaj.

Në deklaratën e saj "Lëvizja" ka shfaqur mendimin se zyrtarët francezë mund të ndihen të habitur kur njoftohen për këtë vendim, ndërkohë që shteti serb ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me vendin e tyre, pikërisht për shkak të lirimit nga burgu të liderit që tani do ta udhëheqë qeverinë e Kosovës, njoftojnë mediat serbe.

Sipas vlerësimeve të kësaj Lëvizjeje, nuk ka një përfaqësues a kryetar komune me shumicë serbe që vie nga radhët e Listës Serbe e që nuk është edhe anëtarë i SNS-së, "sqarimi se vendimin për koalicion me qeverinë Haradinaj, kanë marrë përfaqësuesit e Listës Serbe, tingëllon hipokrizi dhe vret mendjen e shëndoshë".

Në vend që të merren me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e me gjëra tjera, problemi i vetëm ishte marrja e një vendi ministror në qeverinë Haradinaj

The post Reagimi i parë nga Serbia kundër bashkëpunimit të Listës Serbe me Haradinajn appeared first on INSAJDERI.

Gashi: Nuk bojkotuam seancën, bojkotuam Veselin

Posted: 07 Sep 2017 07:43 AM PDT

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjes së Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit kanë lëshuar sallën.

Deputeti i koalicionit LA, Arben Gashi ka arsyetuar veprimin e tyre duke thënë se nuk e kanë bojkotuar seancën por Kadri Veselin.

"Nuk e bojkotuam. Kjo ishte një lëvizje sporadike e daljes jashtë sallës, si një shenjë e simbolikës politike të refuzimit të sjelljes politike të z. Veseli", ka thënë Gashi, duke shtuar se në seancën tjetër do të jenë prezentë.

Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i kuvendit, me 62 vota pro dhe 52 kundër. /Insajderi.com

The post Gashi: Nuk bojkotuam seancën, bojkotuam Veselin appeared first on INSAJDERI.

Veseli dhe Haradinaj bashkë në konferencë për media

Posted: 07 Sep 2017 07:40 AM PDT

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe po ashtu pasi presidenti i vendit e nominoi Ramush Haradinajn si mandatar për formimin e Qeverisë, ata kanë zgjedhë t'i drejtohem qytetarëve përmes një konference për media.

Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi për media nga Kuvendi i Kosovës.

"Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe mandatari për krijimin e qeverisë, Ramush Haradinaj, sot, mbajnë konferencë për media", thuhet në njoftim.

Konferenca është paraparë të mbahet në hollin e Kuvendit prej orës 16:30./Insajderi.com

The post Veseli dhe Haradinaj bashkë në konferencë për media appeared first on INSAJDERI.