INSAJDERI: “Deputetja e PDK-së: Veseli e Haradinaj janë një formulë e suksesit” plus 19 more |
- Deputetja e PDK-së: Veseli e Haradinaj janë një formulë e suksesit
- Deputetja e VV-së thotë se vizitat e Haradinajt tregojnë se ai nuk ka plan qeverisës
- Arrestohet një zyrtar policor, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës
- Champions Leage rikthen super ndeshjen Barcelona-Juventus
- “Revolucion” në Champions League, ndryshojnë oraret e ndeshjeve
- Pas Nismës, edhe AAK pritet të formojë grupin e vetë parlamentar
- “Ismail Morina e ka vendosur, më mirë i vdekur se në Serbi”
- Ambasada Amerikane mbështetë marrëveshjen të cilën e ka kundërshtuar kryeministri
- Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer
- Shqiptarja e shitur në Budva tregon tmerrin që përjetoi nga burri
- Lladrovci i mbanë leksione një qyteti në Austri për barazinë gjinore
- Qindra terroristë braktisin ISIS’in, marrin rrugën drejt Europës dhe vendeve tjera
- Pasi iu mohua të kandidoi për kryetar, Berisha thotë se kjo ishte skemë nga bandat e Thaçit
- Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë për Ligjin e Trepçës
- Në Indi formohet ministria për lopët
- Ministri Gashi premton themelimin e Agjencisë së Kosovës për Anti Doping
- Nenad Rikalo pranon detyrën e ministrit të Bujqësisë
- Djaloshi 8 vjeçar e refuzoi propozimin e Vuçiqit
- Jo të gjitha linjat Prishtinë – Beograd janë mbyllur
- Paralajmërohet takimi trilateral, Kosovë, Shqipëri, Serbi
Deputetja e PDK-së: Veseli e Haradinaj janë një formulë e suksesit Posted: 12 Sep 2017 09:37 AM PDT Xhevahire Izmaku nga Partia Demokratike e Kosovës, duke komentuar Qeverinë e re, ka thënë se dhënia e timonit nga PDK, Ramush Haradinajt, ishte vendimi më i mirë i mundshëm i Kreut të këtij subjekti partiak, Kadri Veselit. Në Info Magazine të Klan Kosova, Izmaku madje ka thënë se Haradinaj Kryeministër, është zgjidhja më e mirë që qytetarët në këto rrethana kanë nevojë për të, pasi ai nuk është njeri që u ik problemeve, realitetit të jetës së qytetarëve. "Përballja me problemet e qytetarëve tregon se është një Kryeministër që nuk do u ik problemeve por ballafaqohet me to". "Partia ime ka bërë shumë mirë që ka zgjedh të përballet me problemet e qytetarëve". "Ne e kemi menduar këtë, është formulë e suksesit. Është vendim i mirë dhe këtë e ka menduar shumë mirë z Veseli". "Veseli e Haradinaj janë një formulë e suksesit. Mos me qenë numrat nuk ishin krijuar institucionet. Programin e keni kërkuar me paraqit para se me kandidu kryeministrin". "Ju nuk deshët debat, ne kërkuam debat. Nuk e pranuat debatin, edhe unë jam e intersuar ta shoh programin". "Qëllimi juaj ishte ta pengonit zgjedhjen e kryeministrit. Ne jemi një koalicion i gjerë". "Kryeministëri e ka shpreh interesimin që problemet më të mëdha të zgjidhen për disa muaj". The post Deputetja e PDK-së: Veseli e Haradinaj janë një formulë e suksesit appeared first on INSAJDERI. |
Deputetja e VV-së thotë se vizitat e Haradinajt tregojnë se ai nuk ka plan qeverisës Posted: 12 Sep 2017 09:33 AM PDT Vizitat që ka nisur kryeministri Ramush Haradinaj në institucione të ndryshme qysh në dy ditët e para sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina tregojnë se Haradinaj nuk e ka një plan qeverisës. "Zakonisht kur një qeveri e re vije në pushtet, gjëja e parë që prezanton është që të sjell program qeverisës me të cilin dëshiron të realizojë në 4 vite, dhe pastaj i prezanton njerëzit më të mirë për t'i udhëhequr dikasteret", ka thënë Pantina në Info Magazine në Klan Kosova. Sipas saj, kryeministri nuk ka prezantuar fare program qeverisë, por ka prezantuar një "dokument me parime të qeverisjes, kopje nga kushtetuta ose fraza që të them se janë fyese për deputetët". "Haradinaj dhe partia e tij kanë qenë dy mandatë në opozitë dhe kanë pasur kohë të mjaftueshme për t'i identifikuar ato probleme. Haradinaj dhe i gjithë PAN-i kanë pasur kohë, afërsisht 100 ditë që ta hartonin një program qeverisës", ka thënë Pantina./Insajderi.com
The post Deputetja e VV-së thotë se vizitat e Haradinajt tregojnë se ai nuk ka plan qeverisës appeared first on INSAJDERI. |
Arrestohet një zyrtar policor, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës Posted: 12 Sep 2017 09:08 AM PDT Pas hetimit rreth një mujor, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një të dyshuar (zyrtar policor) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. IPK kishte pranuar informacione në lidhje me dyshimet për përfshirje në veprimtari penale të të dyshuarit zyrtar policor në stacionin policor të Hanit të Elezit – policia kufitare, Drejtoria Rajonale Kufitare "Lindje". Me autorizim të prokurorit, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimin ndaj këtij zyrtari duke ndërmarrë edhe disa veprime hetimore të cilat rezultuan me arrestimin e të dyshuarit. Me vendim të prokurorit të shtetit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e zyrtarit policor. The post Arrestohet një zyrtar policor, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës appeared first on INSAJDERI. |
Champions Leage rikthen super ndeshjen Barcelona-Juventus Posted: 12 Sep 2017 08:59 AM PDT Dy skuadra spanjolle Barcelona dhe Atletico Madrid do të rivalizohen sot nga dy skuadra Italiane, Juventus dhe Roma, në ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve për sezonin e ri. Barcelona do të kërkojë hakmarrje në Noë Camp, ndaj Juves e cila i kishte shkaktuar eliminimin nga Liga e Kampionëve sezonin e kaluar. Madje, Barcelona nuk kishte arritur që të i shënojë asnjë gol për 180 minuta në dy takimet ndërsa Juve kishte arritur të shënojë plotë tri herë. Barcelona tashmë pa ish-yllin e saj Neymar do të kërkojë sonte me fillim nga ora 20:45 t'i hakmerret skuadrës së Allegrit me super përforcimin nga Dortmund, Osman Dembele i cili nuk ka luajtur ende për Barcelonën nga minuta e parë. Barcelonës për këtë ndeshje do të i mungojnë Arda Turan, Digne dhe Rafinha, ndërsa Juves, Cuardrdado dhe Khedira, përderisa në dyshim mbesin Chiellini, Mandzukic dhe Pjaca. Ndeshja tjetër mjaftë interesante pritët të zhvillohet edhe në Olimpico, ku Roma e rikthyer në Champions Leage do të provojë t'i rrëmbej tri pikët nga Atletico Madrid. Kjo ndeshje pritet të jetë shumë e rëndësishme për dy skuadrat pasi në grup është edhe kampioni aktuali i Premier Ligës Angleze, Chelsea e cila luan kundër skuadrës pak të njohur Qarabag./Insajderi.com The post Champions Leage rikthen super ndeshjen Barcelona-Juventus appeared first on INSAJDERI. |
“Revolucion” në Champions League, ndryshojnë oraret e ndeshjeve Posted: 12 Sep 2017 08:37 AM PDT Do të ndryshojë orari i ndeshjeve të Champions League, veprimtaria më e rëndësishme në nivel klubesh në të gjithë planetin. Faktikisht, ky do të jetë edicioni i fundit kur të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në 20:45. Duke nisur nga sezoni 2018/19 dhe në sezonin 2019/20, pas kërkesës së kompanive që kanë blerë të drejtën televizive, UEFA vendosi që ndeshjet e grupeve do të zhvillohen sërish të martën dhe të mërkurën, por katër nga tetë ndeshje që janë çdo ditë do të luhen në orën 19:00 dhe katërt të tjera në 21:00. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm: lamtumirë 20:45, orari klasik kur dëgjohej himni i Champions League Real Madrid është fituesi i dy edicioneve të fundit të Champions League dhe rekordmeni me 12 trofe, pesë më shumë se Milan i vendit të dytë. Finalja e Champions League është veprimtaria më e ndjekur e planetit në TV. Në edicionin 2012-13 kjo ndeshje vuri rekordin e të gjitha kohërave me 360 milionë shikues në të gjithë planetin.(Telesport) The post "Revolucion" në Champions League, ndryshojnë oraret e ndeshjeve appeared first on INSAJDERI. |
Pas Nismës, edhe AAK pritet të formojë grupin e vetë parlamentar Posted: 12 Sep 2017 08:31 AM PDT Pas Nismës për Kosovën, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pritet të formojë grupin e vet parlamentar. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë për lajmi.net se kjo parti ende nuk ka vendosur se a do të formojë grup parlamentar apo do të vazhdoj të jetë pjesë e Grupit të përbashkët me PDK-në. Megjithatë ajo ka thënë se besoj se AAK do ta ketë grupin e vet parlamentar. "Ende nuk jemi mbledhur si Grup Parlamentar, pra deputetët e Aleancës për të biseduar se si do të funksionojmë. Besoj se edhe AAK-ja do të formojë Grup të veçantë Parlamentar sepse në këtë, duke qenë pjesë e secilit Komision Parlamentar kontributi ynë do të jetë shumë më i madh", ka deklaruar Kadrijaj. Aktualisht, PDK, AAK dhe Nisma kanë një grup të përbashkët parlamentar, por Nisma e ka bërë zyrtare tashme formimin e një grupi të veçantë, gjë të cilën pritet të bëjë edhe AAK-ja. The post Pas Nismës, edhe AAK pritet të formojë grupin e vetë parlamentar appeared first on INSAJDERI. |
“Ismail Morina e ka vendosur, më mirë i vdekur se në Serbi” Posted: 12 Sep 2017 08:13 AM PDT Ballist Morina qëndron i vendosur për të mos u ekstraduar në Serbi. Madje ai paralajmëron se mund edhe të vrasë veten nëse nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Në një prononcim ekskluziv për "Ora News" bashkëshortja e tij Federica Lo Toro thekson se pas tre muajve qëndrimi në qeli, gjendja e Morinës është e rënduar. Ismail Morina i mbiquajtur si "njeriu i dronit" gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri i qëndron vendimit për të mos shkuar në Serbi. Edhe pse ndaj tij gjykatat kroate kanë dhënë vendim ekstradimi, vetë ballisti paralajmëron veprime ekstreme. Në një prononcim për "Ora News" bashkëshortja e Ismailit, Federica Lo Toro konfirmoi një tezë tronditëse: Më mirë i vdekur se në Beograd Prononcimi i plotë i Federica Lo Toro Ma konfirmoi edhe para një dite dhe me një qetësi vërtetë tronditëse, që nëse gjërat nuk shkojnë mirë, ai mbetet i vendosur për ti dhënë fund. Më ka thënë që në Serbi nuk ka për të shkuar sido që të jetë përfundimi, më mirë largohem nga kjo botë më tha se sa të shkoj atje. Po mundohemi ta motivojmë, por është shumë e vështirë për të. Gjendja e tij fizio-psikike pas 3 muajve në qelinë e burgut të Dubrvonikut është mjaft e rënduar. Ismaili ka rënë shumë nga pesha, madje ka edhe probleme të theksuara me shikimin, kjo ndoshta për shkak të kohës së gjatë që qëndron në errësirë në dhomën e burgut, megjithatë në krahasim me herët e fundit është pak më mirë, megjthëse gjendja psikologjike vijon të jetë e rënduar. Bashkëshortja e Morinës, Federica e cila e ka ndjekur hap pas hapi çështjen u shpreh se pas vendimit për ekstradim të gjykatës së parë dhe asaj të lartë të Kroacisë, shpresat janë të mbështetura vetëm tek azili politik, një vendim që i takon ministrisë së brendshme Ne do e dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që më pas të kemi të drejtë ta dërgojmë në Strasburg, por realisht nuk kemi shpresë tek Gjykata Kushtetuese. Shpresat tona janë të mbështetura tek ministri i brendshëm, i cili ka kompetencën për ti akorduar Ismailit azilin politik. Është kryer një intervistë paraprake me Ismailin. Tani presim që autoritetet të zhvillojnë intervistën kryesore dhe shpresojmë që në Janar ti jepet e drejta e azilit politik. Ndërsa për sa i përket pengesës që mund ti bëj ekstradimit të Ismailit ministri i drejtësisë, nuk kemi besim, pasi Kroacia po kërkon të mbajë një qëndrim krejtësisht neutral. Federica e cila është nëna e dy fëmijëve të Ismailit dhe është në pritje të fëmijë së 3-të, theksoi gjithashtu se nuk kanë qenë në dijeni të urdhrit të arrestit, madje kanë kontrolluar nëpërmjet Interpolit deri një vit pas ngjarjes, teksa urdhri është lëshuar nga prokuroria serbe në tetor të 2016-ës, pra dy vite pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Në lidhje me mbështetjen e autoriteteve shqiptare ajo u shpreh se ka pasur lëvizje konkrete por është një çështje shumë delikate ndaj shton se e kupton vështirësinë e Shqipërisë në këtë rast. The post "Ismail Morina e ka vendosur, më mirë i vdekur se në Serbi" appeared first on INSAJDERI. |
Ambasada Amerikane mbështetë marrëveshjen të cilën e ka kundërshtuar kryeministri Posted: 12 Sep 2017 08:11 AM PDT Shtetet e Bashkuara të Amerikës i qëndrojnë prapa asaj që kanë thënë në dy vitet e fundit për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Në një përgjigje për Gazetën Express kjo ambasadë nuk ka komentuar vendimin e djeshëm të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit. Gazeta Express të martën ka kërkuar nga Ambasada e SHBA-së një përgjigje rreth vendimit të djeshëm të Kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit, që ka përgatitur vijën kufitare me Malin e Zi. Në këtë ambasadë nuk kanë komentuar veprimin e Kryeministrit Haradinaj, por kanë riafirmuar qëndrimin e shfaqur në dy vitet e fundit rreth demarkacionit se Kosova nuk ka humbur territor. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin marrëveshjen e arritur për demarkacionin e kufirit ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Malit ë Zi në vitin 2015, me të cilën asnjëra nga shtetet nuk humbasin territor. Ne presim që kjo çështje të zgjidhet shpejt duke ruajtur marrëdhëniet konstruktive dhe shumë pozitive ndërmjet dy vendeve", thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin e tyre se Kosova nuk ka humbur territor nga kjo marrëveshje. Madje, Departamenti Amerikan i Shtetit këtë çështje e kishte shqyrtuar enkas duke ardhur në konstatimin se marrëveshja është në përputhje me kufirin e Kosovës të vitit 1974. Vlen të theksohet se aprovimi i demarkacionit me Malin e Zi, Kosovës i ishte kërkuar edhe nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama. Kryeministri i vendit, ishte njëri ndër kundërshtarët kryesor të kësaj marrëveshje duke insistuar se Kosova humbet territor. Madje ai ia kishte përplasur për fytyre, hartën e demarkacionit, ish-kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, Murat Mehës, të cilin e shkarkoi qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë./Insajderi.com The post Ambasada Amerikane mbështetë marrëveshjen të cilën e ka kundërshtuar kryeministri appeared first on INSAJDERI. |
Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer Posted: 12 Sep 2017 08:05 AM PDT Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviq, në një prononcim për TVCG, ka thënë se situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve. Duke komentuar shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, është njoftuar vetëm përmes raportimeve të medieve në Kosovë. "Pavarësisht raportimit të medieve në Kosovë për shkarkimin e komisionit për caktimit e kufirit me Malin e Zi, marrëveshja e demarkacionit mes dy vendeve është ajo që është arritur para dy viteve", ka thënë ai. "Paralajmërimet e medieve se Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar formimin e komisionit të ri nuk duhet të komentohet, sepse Mali i Zi nuk është njoftuar zyrtarisht", ka thënë Paunoviq për televizionin publik të Malit të Zi. Ai ka theksuar se është i bindur që në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes, pasi bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kosovës. The post Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer appeared first on INSAJDERI. |
Shqiptarja e shitur në Budva tregon tmerrin që përjetoi nga burri Posted: 12 Sep 2017 07:51 AM PDT Një histori rrëqethëse e një viktime të trafikimit është rrëfyer në faqen "Shkodra News" nga një grua shqiptare. Ajo tregon dramën e jetës së saj, si u shit nga gjyshja e si burri e detyroi të prostituonte. "Isha 20 vjeçe dhe jetoja në një fshat, emrin nuk po e them sepse më njohin të gjithë mua dhe familjen. Bëja një jetë të varfër, le të themi mbijetesë. Por gjërat u përkeqësuan kur më vdiq babai dhe askush nuk e përkrahu familjen time. Kështu që u detyrova të shkoja të jetoja me gjyshen. Pas dy muajsh jetesë me gjyshen aty në fshat, fshati jem është kufitar me Malin e Zi, gjyshja më shet. Po, po më shet tek një familje malazeze. Do të martohesha më një 45-vjeçar që gruaja i kishte vdekur dhe e kishte lënë me 2 fëmijë të vegjël krejt. U mundova të bëja rezistencë, por më mbyllen në një dhomë dhe ai më ka përdhunuar. Ishte viti 1996. As në filma nuk kisha pa tmerr si timin. Tmerri im nuk përfundoi veç me burrin abuzues. Shumë shpejt me detyroi të punoja në një karaoke ne Budva. Aty punëdhënësi me shiti tek turistët, të cilët më përdoren seksualisht 1 muaj rresht. Kur tentova të largohem, më rrahen. Kam kaluar ferrin mbi Tokë. Në Shqipëri kishin nisur trazirat e vitit 1997 e s'kisha marrë lajme prej askujt nga fisi. Gjyshen nuk e kisha parë që ditën që më la në atë shtëpi të mallkuar. Mora vesh nga një kushërirë e burrit që ajo kishte marrë 2 milionë lekë për mua. Shpëtova vetëm kur burrin e ndaloi një polic dhe në portofolin e tij pa foton time dhe të një vajze tjetër. Dyshimi i policit më shpëtoi, sepse ai kërkoi të fliste personalisht me ne të dyja. Aty kam shpërthyer në lot dhe kam treguar gjithçka. Nuk kisha asgjë për të humbur. Pas 1 viti fitova azil politik në një vend europian e sot kam familjen time. Burrit ende nuk i kam treguar për të shkuarën se më vjen shumë turp. Një ditë do ia tregoj me siguri", shkruan ajo në rrëfimin prekës. The post Shqiptarja e shitur në Budva tregon tmerrin që përjetoi nga burri appeared first on INSAJDERI. |
Lladrovci i mbanë leksione një qyteti në Austri për barazinë gjinore Posted: 12 Sep 2017 07:45 AM PDT Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci po qëndron për vizitë zyrtare në Austri. Ai është pritur nga kryetari i Weizit, Erwin Eggenreich dhe nga nënkryetarja e Ëeizit, Iris Thosold. Kryetari Lladrovci, pasi e falënderoi për ftesën dhe mikpritjen kolegun e tij austriak, si dhe nënkryetaren Thosold, foli në përgjithësi për situatën e përgjithshme në Drenas, njofton zyra e tij për informim. Ai i kushtoi një rëndësi të veçantë gjendjes ekonomike në komunën Drenas, sfidat që e presin këtë komunë, si dhe mundësitë e shumta, dhe potencialet që ka komuna e Drenasit për investitorët austriak, në mënyrë të veçantë investitorët nga Ëeizi me rrethinë, thuhet në njoftim. Tutje, bëhet e ditur se kryetari Lladrovci përmendi infrastrukturën e përmirësuar, Parkun e Biznesit, që ka komuna e Drenasit, dhe që pritet të zgjerohet edhe me 62 hektarë të tjerë, si dhe shumë përparësi që ofron kjo komunë për bashkëpunim në shumë fusha. Më pas Lladrovci ka folur edhe për administratën, bujqësinë, shërbimet publike, gjithashtu rëndësi dhe prioritet të veçantë i dha fushës së arsimit në komunën e Drenasit. Tutje kryetari Lladrovci përmendi dhe potencialin e pazëvendësueshëm që ka Drenasi, fuqinë punëtore, rininë e Drenasit, si dhe një pjesë e madhe e të rinjve kanë arsimimin adekuatë për fusha të ndryshme. Më pas u diskutua po ashtu edhe për barazinë gjinore që ka bërë kryetari Lladrovci në komunën e Drenasit. Nga ana e tij, njoftohet se kryetari nga Ëeizi, Eggenreich, pasi falënderoi Lladrovcin për vizitën, përmendi raportet shumë të mira që ka me komunitetin nga Kosova në këtë qytet, duke çmuar integrimin e shpejt dhe të plotë të tyre në shoqërinë austriake. Ai theksoi se përpiqet që të jetë afër komunitetit kosovar që kërkesat e tyre të realizohen shumë shpejt, apo edhe të jap këshillat më të mira, për t' adresuar ato kërkesa në mënyrën më të mirën të mundshme. Pastaj kryetari Eggenreich përmendi bashkëpunimet dhe binjakëzimet që ka ky qytet me tri qytete të tjera, dhe se drejtuesit e këtij qyteti janë të interesuara që ta zgjerojnë bashkëpunimin edhe me qytete të vendeve tjera. Të dy kryetarët u pajtuan që të përgatisin një plan konkret për mënyrat dhe format e bashkëpunimit në mes të dy qyteteve. Ndërsa nga ana e saj nënkryetarja nga Eggenreichi, Iris Thosold pasi falënderoi kryetarin Lladrovci për vizitën, e përgëzoi dhe e vlerësoi shumë lartë kontributin e madh të Lladrovcit për barazinë gjinore në komunën e Drenasit. Ajo me këtë raste përmendi edhe sfidat e shumta që kanë femrat në Austri për pjesëmarrje të barabartë në jetën politike dhe publike. Në fund të takimit kryetari Lladrovci e ftoi kolegun e tij nga Ëeizi për një vizitë në Drenas, si dhe nënkryetaren Thosold me bashkëpunëtorë. The post Lladrovci i mbanë leksione një qyteti në Austri për barazinë gjinore appeared first on INSAJDERI. |
Qindra terroristë braktisin ISIS’in, marrin rrugën drejt Europës dhe vendeve tjera Posted: 12 Sep 2017 07:37 AM PDT Qindra militantë të ISIS'it që po luftonin në Siri kanë filluar ta lënë luftën dhe të kalojnë në Turqi, prej nga pritet të marrin rrugë për në Lindjen e Mesme, Afrikë veriore dhe Europë, apo drejt vendeve tjera prej nga vijnë. Siç shkruan The Guardian, militantët tashmë e kanë kuptuar që lufta që po e luftonin nuk kishte kurrfarë kuptimi dhe kanë filluar të paguajnë njerëz me nga 2 mijë dollarë për të dalë në Turqi, pasi ISIS ka filluar të humbë territoret në Siri dhe gjithnjë e më shumë ekziston rreziku që organizata të shuhet krejtësisht, transmeton Gazeta Metro. ISIS ka humbur shumë territor në Siri dhe Irak, për shkak se forcat e përbëra nga ushtritë irakiane, siriane dhe forcat perëndimore kanë përparuar shumë dhe kanë rikthyer një pjesë të madhe të territorit që ISIS e kishte pushtuar më 2014. Guardian gjithashtu shkruan se organizatat e inteligjencës në Europë po e monitorojnë për së afërmi këtë situatë, pasi terroristët që po e braktisin ISIS'in mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë nëpër shtete perëndimore. The post Qindra terroristë braktisin ISIS'in, marrin rrugën drejt Europës dhe vendeve tjera appeared first on INSAJDERI. |
Pasi iu mohua të kandidoi për kryetar, Berisha thotë se kjo ishte skemë nga bandat e Thaçit Posted: 12 Sep 2017 07:36 AM PDT Zafir Berisha i propozuari nga Nisma për Kosovën si kryetar i Komunës së Prizrenit pas decertifikimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka deklaruar se në lidhje me këtë vendin siç ka thënë ai puro politik do të përgatitë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Insajderi. Ai më tej ka thënë se ky vendim përveç se është politik ka të bëjë edhe me votën e tij në seancën e votimit për kryeministër, Ramush Haradinaj. "Unë lirisht them se të drejtën për të jetuar në Kosovë nuk ma kanë mohuar por e llogarisë si një vendim puro politike nga Klani Pronto që e kanë kapur Kosovën por edhe KQZ-në sepse ky organ para katër ditë e ka diskutuar këtë temë dhe natyrisht që e vetmja ka qenë Valdete Daka me atë qëndrimin që sot ishin bërë të gjithë bashkë që përveç duarve i ngritën edhe këmbëve për të votuar dhe ndryshimi i këtij qëndrimi përpos gjërave tjerave që i kam thënë deri më tash ky vendim lidhjet edhe me seancën e fundit për votën time në seancën ku u krijua qeveria". "Unë të drejtat e mija kushtetuese do t'i shfrytëzoj avokati imë është duke përgatitur një ankesë për interpretim të Gjykatës Kushtetuese të vendimit dhe natyrisht në KZAK-së ku pritët të dërgohen nesër", ka thënë ai. Ai më tej ka shtuar se mohimi për të kandiduar për kryetar komune ka ndodhur për shkak se siç ka thënë ai janë rrezikuar bandat kriminale në Prizren dhe Klani Pronto në krye me Hashim Thaçin. "Sulmi nga bandat për të më hequr nga gara është më i hershem se vendimi imë në parlament unë jam njeri që me këto ligje jam zgjedhur deputet atëherë nuk jam eliminuar ndërsa tani i ka ra në mend dikujt. Unë rrezikoj bandën kriminale dhe Klanin Pronto të Hashim Thacit në Prizren për shkak të besueshmërisë që po dalin sondazhet, dhe kjo është puro politike që ajo bandë kriminale ta vjedhin edhe për 4 vite Prizrenin", ka thënë Berisha për Insajderin. "Unë e rrezikoj me vota bandën në Prizren por edhe ndryshe, kësaj radhe po flasim për procese politike. Sepse ata janë burreca sepse me qenë burra ata mundem me më dal në katër sy por i shfrytëzojnë gjykatat dhe gjykatësit që i kanë shantazhuar që ligjërisht të më eliminojnë", ka thënë ai./Insajderi.com
The post Pasi iu mohua të kandidoi për kryetar, Berisha thotë se kjo ishte skemë nga bandat e Thaçit appeared first on INSAJDERI. |
Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë për Ligjin e Trepçës Posted: 12 Sep 2017 07:30 AM PDT Gjykata Kushtetuese e ka hedhë poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë dhe 410 punëtorëve rreth përputhshmërisë së Ligjit të Trepçës, duke i konsideruar ata si palë të paautorizuar për të ngritur çështje kushtetuese të përgjithshme. Në Gjykatën Kushtetuese janë parashtruar tri kërkesa të cilat atakojnë Ligjin për Trepçën. Kërkesën e parë e ka parashtruar 'Kosovska banka Sh. A.' me seli në Beograd. Ajo ka kërkuar nga Gjykata ta shpallë Ligjin për Trepçën në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe ta refuzojë atë. Kurse parashtruesit e kërkesës së dytë janë tri banka tjera në Serbi – Jugobanka SH.A., Beobanka SH.A., Beogradska banka SH.A. Këto tri banka kanë pasur kërkesën e njëjtë sikurse parashtruesja e parë e kërkesës. Ndërkaq, kërkesa e tretë është parashtruar Momçilo Nedeljkoviç në emër të 410 punëtorë të tjerë të minierave Kishnicë dhe Novobërda, raporton Insajderi. Ata kërkojnë nga Gjykata vlerësimin kushtetues të përputhshmërisë së neneve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 14, 15, 16 dhe 17 të Ligjit të Trepçës, duke konsideruar se pretendohet që me këto nene është bërë transformimi pronësor në favor të ndërmarrjes së sapoformuar Trepça SH. A. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese i ka refuzuar kërkesat e tyre, duke thënë se nuk janë palë e autorizuar për të ngritur çështje të përgjithshme kushtetuese. "Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës nuk janë palë e autorizuar për të ngritur çështje kushtetuese 'in abstracto' përkitazi me vlerësimin kushtetues të Ligjit, që të sigurojnë dëmshpërblim në emër të interesit kolektiv. Prandaj, parashtruesit e kërkesës nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësimin kushtetues të përputhshmërisë së Ligjit të kontestuar për Trepçën", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata thotë se objektivi i çështjes është vlerësimi i përputhshmërisë kushtetuese të Ligjit të kontestuar për Trepçën, i cili pretendohet të jetë në kundërshtim me të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë – E drejta e Pronës; si dhe Mbrojtja e Pronës bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesit kërkojnë nga Gjykata që të vendosë masën e përkohshme "dhe të ndërpresë zbatimin e (…) Ligjit për Trepçën, nr. 05/L-120 (…) derisa të merret vendimi i kësaj Gjykate për përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën e Kosovës."/Insajderi.com Vendimin e plotë mund ta gjeni KËTU. The post Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë për Ligjin e Trepçës appeared first on INSAJDERI. |
Në Indi formohet ministria për lopët Posted: 12 Sep 2017 07:11 AM PDT Të krijosh një ministri për lopët: është kjo ideja e kryeministrit indian Narenda Modi. Në realitet është një premtim që kryeministri ka bërë gjatë fushatës. Ai, siç transmeton Shqiptarja, ka shprehur nevojën se lopët duhen mbrojtur qoftë për faktin se janë kafshë të shenjta por edhe për shkak të çështjeve që lidhen me shëndetin publik. Një deklaratë e tillë ka shkaktuar polemika jo vetëm në Indi. Një vendim të tillë për të krijuar një ministri për lopët e dha presidenti i partisë nacionaliste hindu. Një ministri e tillë do të mbronte lopët të konsideruara kafshë të shenjta, po ashtu do t'i mbronte ato lloj speciesh që janë në rrezik zhdukje, veçanërisht lopët indiane. Një lajm i tillë ka shkaktuar plot polemika, teksa në mediat ndërkombëtare vihet në pikëpyetje se India duhet t'i kushtojë rëndësi infrastrukturës, shëndetit, tensioneve sociale e jo të merret më çështje të tilla besimi. Madje kryeministri është akuzuar se është përfshirë nga ndjenja antiislamike. Në Indi mbizotëron hinduizmi por në vend ka një komunitet të gjerë myslimanësh. Ministria e Lopëve ndoshta do të përkeqësojë situatën në vend. Por në çdo mënyrë qeveria indiane mbrohet duke thënë se vendimi nuk ka vetëm vlerë fetare por edhe sociale. The post Në Indi formohet ministria për lopët appeared first on INSAJDERI. |
Ministri Gashi premton themelimin e Agjencisë së Kosovës për Anti Doping Posted: 12 Sep 2017 07:07 AM PDT Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës, të prirë nga presidenti Besim Hasani, bashkë me nënkryetarin e KOK-ut, Memli Krasniqi dhe sekretarin Shasivar Haxhiaj. Ministri Gashi i njoftoi drejtuesit e KOK-ut se është duke ndërtuar një ekip me të cilin do të punojë përgjatë kohës sa do ta drejtojë MKRS-në dhe i premtoi atyre se, me ekipin e tij do të kenë një bashkëpunim të ngushtë me KOK-un. Ministri u shpreh se do të vazhdohet me kryerjen e punëve që janë proces, dhe do t'i bashkërendojmë veprimet bashkë me KOK-un, në interes të sportit dhe ngritjes së cilësisë dhe rritjes së pjesëmarrjes. Ministri Gashi, e ka vlerësuar punën e deritashme që ka bërë KOK-u dhe ka përgëzuar kryetarin Hasani për arritjet. Ai tha se përkrahja për sportin dhe veçmas për Komitetin Olimpik të Kosovës si kupola e organizimit sportiv në vend, do të vazhdojë edhe më tej, duke i siguruar drejtuesit e KOK-ut që sporti do të vazhdojë të mbetet ndër prioritetet kryesore. Ministri Gashi u shpreh se jemi në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2018 dhe sporti dhe KOK-u do të kihen parasysh që kërkesat e tyre të përmbushen ashtu që objektivat dhe synimet në sport të arrihen me punë dhe angazhim të përbashkët. Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka uruar ministrin Gashi për marrjen e detyrës së re duke i dëshiruar punë të mbarë dhe realizim të politikave të parapara. Ai e informoi ministrin Gashi për mënyrën se si funksionon KOK-u, për punët dhe angazhimin e madh që e presin këtë institucion pasi Kosova ndodhet në ciklin olimpik për Tokio 2020. Ndër tjera, Hasani e informoi ministrin edhe për federatat e sportit në Kosovë, ku janë të regjistruara 37 sish, ndër to, 32-33 federata aktive e 24 prej tyre në programin olimpik. Po ashtu, Hasani u shpreh se në fokus do të mbeten sportistët, duke u krijuar kushte dhe ambientin e nevojshëm që ata të kryejnë aktivitetet e tyre dhe kjo vjen me një partneritet mes MKRS-së dhe KOK-ut. Në takim u diskutua që ndër projektet që duhet të realizohen së shpejti, është edhe themelimi i Agjencisë së Kosovës për Anti Doping, që parashihet me Ligjin për Sport, dhe që MKRS-ja duhet ta iniciojë këtë institucion.
The post Ministri Gashi premton themelimin e Agjencisë së Kosovës për Anti Doping appeared first on INSAJDERI. |
Nenad Rikalo pranon detyrën e ministrit të Bujqësisë Posted: 12 Sep 2017 07:04 AM PDT Ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, sot pranoi detyrën e re nga ministri i deritashëm Kurtan Kajtazi. Me këtë rast, ish -drejtuesi i këtij dikasteri qeveritar e ka njoftuar për së afërmi ministrin e ri me punën e bërë deri më tani. Ndërkaq, pasardhësi i tij në këtë post, Nenad Rikalo, theksoi se bujqësia do të mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se do të vazhdojë mbështetjen për këtë sektor, si dhe angazhimin në fusha të tjera që lidhen me krijimin e mundësive më të mëdha, që sipas tij do të japin një impuls të ri në zhvillimin e bujqësisë. Ai tregoi se investimet do të vazhdojnë edhe në futjen e teknologjive të reja në bujqësi, në prodhimin e ushqimit të shëndetshëm të certifikuar dhe theksoi se eksporti i produkteve bujqësore do të jetë në qendër të punës së mandatit të tij. Po ashtu, ai tha se do të vazhdojnë të mbështesin dhe investojnë në prodhimin tradicional të kulturave The post Nenad Rikalo pranon detyrën e ministrit të Bujqësisë appeared first on INSAJDERI. |
Djaloshi 8 vjeçar e refuzoi propozimin e Vuçiqit Posted: 12 Sep 2017 07:01 AM PDT Djaloshit tetëvjeçar nga Rijeka e Kroacisë, Tino Popoviq, i cili është shndërruar në yll të Internetit në rajon, pasi e ka refuzuar propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që në vend të klubit të futbollit Rijeka, të simpatizojë për "ndonjë klub më të madh si Zvezda ose Partizani", klubi Rijeka i ka dhuruar atij fanelën me nënshkrimet e të gjithë lojtarëve. Djaloshit, i cili në mes të Beogradit i tha kategorikisht "jo" Vuçiqit, dhe i mbeti besnik klubit të tij, Rijeka, udhëheqësia e këtij klubi këtë fanelë ia ka dorëzuar të shtunën e kaluar gjatë një ndeshjeje në Rijekë. "Nuk duhet shumë të theksohet se sa rëndësi ka ky gjest për këtë simpatizues të vogël, që është vetëm njëri nga shumë prej brezit të ri, i cili do të jetojë shumë gjatë, frymojë dhe simpatizoj për Rijekën", thuhet në faqen në Internet të këtij klubi. Më 24 gusht në Beograd, presidenti Vuçiq i kishte pranuar fëmijët nga tri rajone të Kroacisë, të cilët ishin pjesëmarrrës të një shkolle verore në Beograd dhe disa ditë qëndruan në Serbi. Kur dëgjoi se tetëvjeçari Popoviq simpatizonte për Rijekën, Vuçiq iu drejtua atij duke i thënë: "Tino, ti duhet të simpatizosh për ndonjë klub tjetër më të madh e më të mirë, sikur Zvezda ose Partizani, që janë klube më të mëdha se Rijeka, Dinamo dhe Hajduku", raporton agjencia Beta. The post Djaloshi 8 vjeçar e refuzoi propozimin e Vuçiqit appeared first on INSAJDERI. |
Jo të gjitha linjat Prishtinë – Beograd janë mbyllur Posted: 12 Sep 2017 06:55 AM PDT Qarkullimi në linjat e autobusëve nga Prishtina për Beograd nuk është mbyllur, thonë zyrtarët në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Sipas tyre, është bllokuar qarkullimi për në Beograd për disa autobusë të disa kompanive private për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth keqpërdorimit të udhëtimeve të rregullta për përfitime tjera. Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se qarkullimi i njerëzve me autobusë drejt Beogradit, nuk është ndaluar. “Ndërprerja nuk ka ndikuar aspak tek udhëtaret e rregullt, të cilët kanë nevoja të ndryshme për destinacionin për të cilin po flasim. Ata kanë gjetur, në bashkëpunim me ne, stacionin e autobusëve dhe operatorët, zgjidhje alternative dhe të gjitha shërbimet janë kryer për ta". "Ndërprerja ka qenë vetëm për njerëzit, të cilët kanë keqpërdorur ose kanë pasur tendenca të keqpërdorimit të atyre linjave. Gjendja e rregullt do të kthehet shpejt brenda dy ose tre ditëve”, thotë Çitaku. Ai, megjithatë, nuk jep shumë detaje rreth mënyrës së udhëtimit të qytetarëve nga Kosova për në Serbi. “Më vjen keq, por po qe se bëhet publike zgjidhja, të cilën e kemi bërë ne, në bashkëpunim me operatorët, kam frikë se keqbërësit prapë do të tentojnë ta shfrytëzojnë atë mundësi dhe të bëjnë keqpërdorime siç u pa edhe javën e kaluar, kur kishte tendenca që të bëheshin”, thekson Çitaku. Sipas tij, të gjithë autobusët (agjencitë e udhëtimit), të cilat nuk i keqpërdorin linjat e tyre, janë duke operuar. Nga ana tjetër, Përparim Pushkolli, menaxher i shitjes së biletave në agjencinë ‘Adio Turs’, e cila ka pasur autobusë duke qarkulluar në relacionin Prishtinë-Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndalesa e qarkullimit të autobusëve të tyre është duke shkaktuar probleme të mëdha për qytetarët dhe vetë agjencinë. “Ata neve na e kanë ndaluar [qarkullimin]. Ne jemi duke funksionuar, njerëzit po dalin pa kurrfarë problemi se kanë lëvizjen e lirë dhe i kanë dokumentet në rregull. Ata po funksionojnë pa problem, por maltretimi ynë është shumë i madh, sepse po na duhet me një autobus të shkojmë deri te kufiri, të dalim në këmbë dhe t'i vendosim udhëtarët në tjetrin autobus që është në Serbi dhe prapë po shkojnë njerëzit”, thotë Pushkolli. Ai thotë, gjithashtu, se pas propagandës se nga Serbia mund të shkohet ilegalisht në vende të Bashkimit Evropian, tani interesimi i të rinjve për të udhëtuar drejt Beogradit, ka rënë. “Nëse ka të rinj që tentojnë të shkojnë, andej policia e ka kontrollin në kufij dhe në bazë të kontrollit mund t’i ndalojë ata pa problem dhe ne të mund të qarkullojmë”,thekson Pushkolli. Linja e autobusit Prishtinë – Beograd javën e kaluar ishte në qendër të vëmendjes. Përfaqësues të agjencive, të cilat mbanin relacione të rregullta udhëtimi me autobusë Kosovë-Serbi, tregonin se në ditët e fundit ishte rritur interesim i qytetarëve për të udhëtuar në drejtim të Beogradit. Por, Policia e Kosovës kishte demantuar pohimet se ka interesim të qytetareve për të udhëtuar drejt Beogradit, e më pas ilegalisht në vendet e BE-së. Daut Hoxha, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës thotë se policia kryen detyrat e veta të gjithë personave që hynë dhe dalin nga Kosova. “Gjatë ushtrimit të kontrollit kufitar, policia sigurohet se të gjithë personat, automjetet dhe mjetet e transportit i plotësojnë kushtet apo kriteret për qarkullim për hyrje dhe dalje nga dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Deri në këto momente, ne nuk kemi nga asnjë shtet i BE-së se ka rritje të numrit apo të kërkesave për azil në këto shtete”, deklaron Hoxhaj Para ndalimit të qarkullimit të autobusëve drejt Beogradit, çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë për në Beograd, janë nisur nga pesë autobusë në linjën e rregullt.
The post Jo të gjitha linjat Prishtinë – Beograd janë mbyllur appeared first on INSAJDERI. |
Paralajmërohet takimi trilateral, Kosovë, Shqipëri, Serbi Posted: 12 Sep 2017 06:51 AM PDT Gazeta "Danas", e cila njihet për shkrimet e saj të shumta që kanë të bëjnë me bisedimet Kosovë-Serbi, shkruan se mund të zhvillohet një takim ndërmjet Qeverive të Prishtinës, Tiranës dhe Beogradit. Kjo gazetë shkruan se Qeveria e Serbisë ende nuk ka një qëndrim se si do të sillet Kryeministrja Ana Brnabic gjatë takimeve rajonale ku do të marrë pjesë edhe Kryministri Ramush Haradinaj. Ndërkohë, Danas, nuk ka mundur të marrë përgjigje as rreth takimit se në cilin takim rajonal do të takohen Brnabic dhe Haradinaj. Duke u thirrur në burime diplomatike gazeta shkruan se një takim ndërmjet qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës mund të mbahet brenda një kohë të shkurtër. " Ky takim trilateral tashmë është paralajmëruar, e kur të kihen parasysh projketet e iniciuara të proceit të Berlinit, ka indikacione se një takim i tillë mund të zhvillohet në Nish. Beogradi, Tirana dhe Prishtinë do të kenë levërdi nga projektet e përbashkëta, sikur që është ndërtimi i autostradave" shkruan Danas.
The post Paralajmërohet takimi trilateral, Kosovë, Shqipëri, Serbi appeared first on INSAJDERI. |
You are subscribed to email updates from INSAJDERI. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |