“Venezuelë: Pas zgjedhjeve kundërthënëse janë arrestuar liderët opozitarë” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Venezuelë: Pas zgjedhjeve kundërthënëse janë arrestuar liderët opozitarë
- Mike Pence arriti në Podgoricë
- Moskë: Tre anëtarë të një bande janë vrarë gjatë ikjes së dështuar nga gjykata
- Zyrtari çeçen e ka kundërshtuar raportin e gazetës ruse për ekzekutime
- Pakistan: Politikani lojal ndaj Sharifit është zgjedhur kryeministër i ri
- Më 3 gusht, Kosova me Kuvend të ri apo një hap drejt zgjedhjeve?
- Policia heton rastin e grafiteve kërcënuese ndaj krerëve shtetërorë e fetarë
- Maqedonia dhe Bullgaria zgjidhën mosmarrëveshjet historike
- Kryeministri bullgar viziton Maqedoninë
- Moskë: Tre persona janë vrarë në gjykatë
- Alarmi për krizë energjetike tmerron bizneset prodhuese
- Rreth 500 persona gjykohen për puçin e dështuar në Turqi
- Thaçi takon nesër në Podgoricë zëvendëspresidentin amerikan, Pence
- Mali i Zi gati për vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence
- Mali i Zi gati për vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së
- BIK reagon ndaj kërcënimeve me vdekje kundër krerëve shtetërorë dhe atyre fetarë
- Hague: Britania duhet ta shpëtojë veten nga Brexiti "fatkeq"
- Dhjetëra kandidatë për president të Kirgizisë
- Gjermania fton BE-në të luftojë sanksionet e fundit kundër Rusisë
- Kurti: Faktori ndërkombëtar nuk ka më barriera për Vetëvendosjen
| Venezuelë: Pas zgjedhjeve kundërthënëse janë arrestuar liderët opozitarë Posted: 01 Aug 2017 10:15 AM PDT Raportohet se zyrtarët e sigurisë në Venezuelë i kanë arrestuar dy liderë opozitarë pas zgjedhjeve kundërthënëse për formimin e një organi për hartimin e teksit të kushtetutës. Të afërmit e liderëve politikë, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ladezma, thanë sot se ata ishin marrë nga shtëpitë e tyre në bastisjet gjatë natës. Ky zhvillim ka ndodhur dy ditë pasi votimi kundërthënës, i dhunshëm dhe në masë të madhe i injoruar, për një asamble kushtetuese, është përcjellë me protesta të gjëra, në të cilat janë vrarë së paku 10 vetë. Presidenti i Venezuelës, Nicholas Maduro, e ka formuar këtë asamble për rishkrimin e kushteturës për shkak të protestave antiqeveri. Por, partitë opozitare kanë bërë thirrje për bokjot të këtyre zgjedhkeve, duke thënë se krijimi i asamblesë do ta lejonte presidentin majtist Maduro, që ta anashkalonte legjislaturën, nën kontrollin e opozitës, dhe do ta maksimalizonte pushtetin e tij. Dje, Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione financiare kundër Maduros, duke e quajtur atë "diktator", i cili është kërcënim për demokracinë në vendin e tij. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mike Pence arriti në Podgoricë Posted: 01 Aug 2017 09:59 AM PDT Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, sot pasdite ka arritur në Podgoricë, për vizitë dyditëshe, me ç'rast do të takohet me zyrtarët më të lartë të Malit të Zi dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Kartës Adriatiku – Shtetet e Bashkuara. Për këtë vizitë janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë. Një orë para arritjes së tij në Podgoricë, në aeroportin e këtij qyteti nuk kanë ateruar aeroplanët. Zotin Pence në aeroportin e Podgoricës e ka pritur kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Për raportimin nga vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Mal të Zi, janë akredituar më se 150 gazetarë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Moskë: Tre anëtarë të një bande janë vrarë gjatë ikjes së dështuar nga gjykata Posted: 01 Aug 2017 09:12 AM PDT Tre anëtarë të një bande, të akuzuar për vrasje nëpër autostradat e Moskës, janë vrarë sot në një gjykatë në kryeqytetin e Rusisë, gjatë asaj që është raportuar se ishte përpjekje e dështuar për të ikur. Raportohet se të akuzuarit ua kishin marrë armët rojtarëve në ndërtesën e Gjykatës rajonale në Moskë, gjatë procesit të sotëm, dhe i kishin filluar të shtënat. Tre prej 5 të pandehurve janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur. Janë vrarë edhe së paku dy oficerë të sigurisë së gjykatës. Komiteti Investigativ i Rusisë, që është autoriteti më i lartë hetues në Rusi, ka raportuar në faqen e vet në Internet, se dy të pandehurit e plagosur ishin arrestuar derisa përpiqeshin të iknin dhe janë dërguar në spital me "plagë të rënda nga të shtënat". Të pandehurit janë të dyshuar se ishin anëtarë të një organizate kriminale, që nga mediat njihen si banda GTA. Të pandehuirit në këtë rast të profilit të lartë, janë kryesisht shtetas të vendeve të Azisë Qendrore. Për këtë rast janë hapur hetimet penale. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Zyrtari çeçen e ka kundërshtuar raportin e gazetës ruse për ekzekutime Posted: 01 Aug 2017 08:34 AM PDT Zyrtari çeçen, Dzhambulat Umarov, e ka hedhur poshtë një raport të gazetës së respektuar ruse, Novaya Gazeta, se 27 çeçenë ishin ekzekutuar pa proces gjyqësor. Zoti Umarov, minister për shtyp dhe informacion në Çeçeni, që është rajon në Kaukazin Verior të Rusisë, tha mbrëmë se autoritetet e Çeçenisë rregullisht i arrestojnë njerëzit e dyshuar për aktivitete terroriste dhe raportet e gazetës nuk kanë dëshmuar se ndonjë individ është ekzekutuar. Këto komente Umarov i ka bërë disa orë pasi është publikuar raporti në Novaya Gazeta. Tregimi i kësaj gazete, është i bazuar në një raport të publikuar më herët në muajin korrik për 27 individë, që dyshohet se janë ekzekutuar pa proces gjyqësor, pasi ata ishin implikuar në të shtëna me policinë më 17 dhjetor, në kryeqytetin Grozni të Çeçenisë. Në raportin e dytë janë përfshirë më tepër detaje dhe fotografitë e 24 personave, në bazë të materialeve që ishin marrë nga policia në Çeçeni. Lideri i fuqishëm i Çeçenisë për një dekadë është Ramzan Kadyrov, i mbështetur nga Kremlini. Në raport, po ashtu, ka dyshime se të afërmit e çeçenëve të zhdukur ishin detyruar t'i nënshkruajnë dokumentet duke thënë se individët ishin larguar nga Çeçenia dhe se ata nuk kanë bazë për paraqitjen e raporteve për personat e zhdukur. Novaya Gazeta e ka zemëruar pa masë Kadyrovin me një seri të raporteve për abuzime të rënda të dyshuara, përfshirë torturë dhe ekzekutime, nga agjencitë për zbatimin e ligjit dhe forcat paraushtarake, të cilat janë nën mbikëqyrjen e Kadyrovit. Në abuzimet e fundit përfshihet edhe raporti aktual për një fushatë të dyshuar të dhunës kundër homoseksualëve në Çeçeni. Kadyrov dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Çeçenisë disa herë i kanë hedhur poshtë këto raporte duke i cilësuar si të pavërteta. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Pakistan: Politikani lojal ndaj Sharifit është zgjedhur kryeministër i ri Posted: 01 Aug 2017 08:04 AM PDT Ligjvënësit pakistanezë sot e kanë zgjedhur kryeministrin e ri, Shahid Khaqan Abbasi, për ta zëvendësuar ish-kryeministrin, Nawaz Sharif, i cili është detyruar të paraqes dorëheqje javën e kaluar, për shkak të akuzave për korrupsion. Partia Lidhja Myslimane-Nawaz e Pakistanit e ka shfrytëzuar shumicën e saj në Asamblenë Kombëtare, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, për ta zgjedhur kryeministrin e ri, i cili i fitoi 221 vota. Në Asamblenë Kombëtare janë 342 ulëse. Para tri ditësh, Nawaz Sharif paraqiti dorëheqje nga posti i kryeministrit të Pakistanit, pasi Gjykata Supreme urdhëroi diskualifikimin e tij për një rast që e ndërlidhte atë dhe familjen e tij me kompani të pasura jashtë Paksitanit, që ishin zbuluar nga të ashtuquajturat Letrat e Panamasë, vitin e kaluar. Nawaz Sharif e ka hedhur poshtë çfarëdo keqbërjeje. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Më 3 gusht, Kosova me Kuvend të ri apo një hap drejt zgjedhjeve? Posted: 01 Aug 2017 07:27 AM PDT Në prag të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet ende mjaft e paqartë se a do të mund të krijohet shumica parlamentare dhe a do të mund të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, të cilin pritet ta propozojë koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN. Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten, më 3 gusht. Pjesëmarrjen në këtë mbledhje tashmë e kanë konfirmuar subjektet parlamentare. Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se koalicioni PAN është i përkushtuar që gjithçka të rrjedhë mirë në seancën konstituive të Kuvendit. "Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për ta votuar edhe Qeverinë, për ta konstituuar edhe e Kuvendin dhe besojmë që gjithçka do të shkojë dhe do të rrjedhë ne mënyrën më të mirë të mundshme. Ky edhe është përkushtimi ynë si koalicion". I nominuari për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se të gjithë deputetët e këtij subjekti politik, do të jenë të pranishëm në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai ka kritikuar koalicionin PAN për, siç ka thënë ai, mënyrën se si po përpiqet ta krijoj shumicën parlamentare. "PAN-i po orvatet që ta krijojë shumicën parlamentare nëpërmjet një Qeverie, e cila do të varet nga partia e Beogradit në Kosovë dhe nga blerja e ndonjë deputeti. I bën shtet-ndërtimit dhe demokracisë në Kosovë, por nuk ju bën nderë edhe atyre", ka thënë Kurti. Koalicioni PAN, që më parë kanë paralajmëruar se për kryetar të Kuvendit do ta propozojë liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili ka mbajtur këtë post edhe në legjislaturën e kaluar. Këtë e ka konfirmuar edhe Krasniqi, ndonëse sipas tij, kjo ende nuk është zyrtare. "Ka një mbështetje të plotë për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për liderin e koalicionit tonë, për zotin Kadri Veseli. Por, unë sot nuk mund t'ua them këtë si fakt të kryer. Vendimin zyrtar do ta publikojmë me kohë". Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e thjeshtë, që nënkupton me 61 vota të deputetëve. Kurti ka thënë se 32 deputetët e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit. "Të enjten, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta zgjedhë për kryetar një person, një figurë politike, i cili duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse. Ky deputet që do të bëhet kryetar i Kuvendit, në legjislaturën e 6 duhet të jetë shumë më i mirë se sa kryetari i Kuvendit në legjislaturën e pestë". Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemet për krijimin e shumicës parlamentare, por edhe për votimin e kryetarit të ri të Kuvendit, janë më se evidente, pavarësisht deklaratave të deritashme të koalicionit PAN, se ekzistojnë votat e nevojshme për këto. "Unë pres - të paktën duke u bazuar edhe në disponimin e përgjithshëm të partive politike, por edhe në përgjithësi deklaratat që janë bërë publike - që zgjedhja e kryeparlamentarit të dështojë. Kjo do të çonte pastaj në një situatë të re, në kuptimin që po ashtu koalicioni PAN mund të provojë edhe herëve të tjera të njëjtin kandidat ose kandidat tjetër. Por, prapëseprapë ekziston rreziku që kryetari i Kuvendit të mos zgjidhet dhe rrjedhimisht edhe Kuvendit të mos konstituohet". Mushkolaj shton se një situatë e tillë do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, gjë që sipas tij, nuk do të ishte zgjidhje e duhur. "Nëse ndodhë kështu, bëhet vetëm për inate personale, për shkak se unë konsideroj se ekzistojnë mundësi të tjera. Do të mund të ishte, ta zëmë, caktimi i një kandidati tjetër nga koalicioni PAN, një kandidati të pranueshëm për rivalët politikë që nuk janë në koalicionin PAN, që të paktën të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të kalohet në çështjen e krijimit të Qeverisë". Sidoqoftë, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillon edhe faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, edhe formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Policia heton rastin e grafiteve kërcënuese ndaj krerëve shtetërorë e fetarë Posted: 01 Aug 2017 06:36 AM PDT Me anë të disa grafiteve, që janë shkruar brenda Kampusit të Universitetit të Prishtinës, në muret e Fakultetit Filologjik, publikisht janë kërcënuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava. Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me këto grafite duke i dënuar dhe cilësuar si të papranueshme. Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se i dënon veprimet e tilla, dhe se kërcënimi me vdekje i udhëheqësve të shtetit, atyre të BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës përmes grafiteve, është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale. "Institucionet e vendit, e as udhëheqja e BIK-së nuk ndikohet nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim. Jemi të bindur që autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar, nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit. Këtë veprim e konsiderojmë të izoluar dhe ftojmë qytetarët, e sidomos studentët që mos të bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mosdurim", tha Ahmeti. Bashkësia Islame ka rikujtuar se feja dhe objektet fetare në Kosovës "gjithherë kanë qenë në funksion të paqes, mirëkuptim, tolerancës e harmonisë. E tillë do jetë edhe xhamia qendrore e Prishtinës". Bashkësia Islame, ka ftuar autoritete kompetente që të hetojnë rastin dhe autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë. Lidhur me këtë rast, autoritet e rendit thonë se pas marrjes së informatave, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryes veprimet e duhura. Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se kanë nisur tashmë një hetim lidhur me rastin. "Aktualisht në bashkëpunim më Prokurorinë, Policia po trajton dhe po punon për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë situatë. Këtu kemi të bëjmë me disa grafite, të cilat konsistojnë në kanosjen e personave zyrtarë. Policia ka intervistuar disa dëshmitarë të mundshëm, dhe në të njëjtën kohë është duke kërkuar edhe për dëshmitarë të tjerë që do të mund të kontribuonin në identifikimin e personave të cilët mund të jenë të përfshirë në ketë rast", tha Borovci. Këto grafite janë shkruar nga persona të panjohur pas paralajmërimeve për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës. Në disa nga grafitet bëhet thirrje për vdekjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të BIK-ut Naim Tërnava, kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Maqedonia dhe Bullgaria zgjidhën mosmarrëveshjet historike Posted: 01 Aug 2017 06:32 AM PDT Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan të martën në Shkup marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me të cilën, dy vendet pretendojnë se i jepet fund mosmarrëveshjeve që kanë ekzistuar që nga pavarësia e Maqedonisë lidhur me gjuhën, kulturën dhe historinë e ndërsjellët. Marrëveshja, e cila është vlerësuar si historike, është nënshkruar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, i cili udhëheq një delegacionin e lartë shtetëror bullgar në vizitën dy ditore në Shkup. Vizita korrespondon me 2 gushtin, festën shtetërore të Maqedonisë, ndërsa data ishte zgjedhur me qëllim që dy delegacionet shtetërore të shprehin mirënjohje për personalitetet historike të kësaj date, e që ndërlidhen me historitë e dy vendeve. "Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim tregon qartë se atje ku ka vullnet politik, ide për progres, çështjet e hapura do të zgjidhen. Maqedonia dhe Bullgaria kanë bërë një hap historik, duke e përdorur të kaluarën si themel për të ardhmen, stabilitetin dhe zhvillimin jo vetëm të dy vendeve, por edhe për rajonin ballkanik....Maqedonia dhe Bullgaria me këtë marrëveshje treguan përgjegjësi ndaj shtetasve të tyre. Kjo marrëveshje është shembull se si frenimi shumëvjeçar mund të shndërrohet në motor të bashkëpunimit dhe lidhjes mes popujve", deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke shtuar se me këtë marrëveshje, Sofja dhe Shkupi i kanë dërguar një mesazh të fuqishëm Bashkimit Evropian, se dy vendet janë të përcaktuara për paqe dhe stabilitet. "Vëmendja e NATO-së dhe e BE-së është e drejtuar nga përcaktimi i shteteve të rajonit për bashkëpunim, pasi çështja e raporteve të fqinjësisë së mirë është çështje e kapaciteteve të pjekurisë për kapërcimin e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim, si vlera të larta demokratike", deklaroi Zaev. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, tha se dy vendet kanë dëshmuar se mosmarrëveshjet mund t'i zgjidhin edhe pa ndërmjetësim nga jashtë, nëse drejtuesit e tyre shtetëror udhëhiqen nga interesat e fqinjësisë së mirë. "Pa ndërmjetësues, pa moderator, apo pa ndikime të tjera ne arritëm këtë marrëveshje, pasi vlerësuam se paqja, miqësia dhe fqinjësia e mirë janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Me këtë marrëveshje, ne vendosim të lëmë pas të kaluarën dhe të shohim përpara, drejtë të ardhmes së dy vendeve tona", tha Borisov, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen për zhvillimin ekonomik jo vetëm të dy vendeve, por edhe të rajonit në përgjithësi. Marrëveshja është nënshkruar në dy gjuhë, maqedonisht dhe bullgarisht, me çka Sofja e njeh edhe zyrtarisht gjuhën maqedonase. Dokumenti i jep të drejtën dy vendeve që të kujdesen për pakicat e tyre në shtetet respektove, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Në nenin 11 të marrëveshjes thuhet se "Maqedonia konfirmon se në Kushtetutën e saj asnjë nen nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, me qëllim mbrojtjen e statusit të personave që nuk janë shtetas të Maqedonisë". Në marrëveshje, veç tjerash qëndron se Bullgaria do të ndihmojë Maqedoninë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa vendosje të kushteve paraprake. Një nen tjetër i marrëveshjes parasheh formimin e një komisioni të përbashkët, i cili duhet të kontribuojë në interpretimin objektiv dhe shkencor të ngjarjeve historike dhe se Bullgaria e Maqedonia do të marrin pjesë në shënimin e ngjarjeve historike. Marrëveshja, ndërkohë nuk është mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, partia më e madhe opozitare e udhëhequr nga ish-kryeministri, Nikolla Gruevski. Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se marrëveshja nuk pranohet nga ana e saj, meqë nuk ishte pranuar asnjë nga vërejtët e saj. Ajo i kishte bërë thirrje Qeverisë që deri në nënshkrimin e dokumentit të ndryshojë pjesët kontestuese, që sipas VMRO-së mund të kenë pasoja afatgjate ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë si dhe për gjuhën, historinë dhe popullin maqedon. Marrëveshja kishte nxitur edhe disa protesta para Ministrisë së Punëve të Jashtme, por ato më tepër ishin simbolike. Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të ratifikohet edhe nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kryeministri bullgar viziton Maqedoninë Posted: 01 Aug 2017 06:25 AM PDT Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov ka arritur në Maqedoni. Ai dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kanë nënshkruar marrëveshje për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim mes dy vendeve. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Moskë: Tre persona janë vrarë në gjykatë Posted: 01 Aug 2017 05:44 AM PDT Ministria e Brendshme e Rusisë ka thënë se tre të pandehur janë vrarë dhe të paktën dy të tjerë janë lënduar nga të shtënat në Gjykatën rajonale të Moskës. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar dëshmitarë, avokatë dhe zyrtarë nga gjykata të kenë thënë se të paktën tre të pandehur janë vrarë gjatë seancës. Në këtë seancë, po mbahej gjykimi për nëntë persona nga Azia Qendrore, të akuzuar për vrasje të shumëfishta. Personeli i gjykatës është evakuuar. Shërbimet e ambulancës kanë arritur në ndërtesë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Alarmi për krizë energjetike tmerron bizneset prodhuese Posted: 01 Aug 2017 05:27 AM PDT Bizneset prodhuese në Kosovë, ndër vite janë ballafaquar me problemin e furnizimit me energji elektrike, gjendje kjo që vlerësohet se u ka shkaktuar humbje të mëdha. Ndërkohë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, situata paralajmërohet se do të rëndohet tutje gjatë javëve të ardhshme. Autoritetet përgjegjëse kanë paralajmëruar se Kosova 'do të përballet me një krizë energjetike për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit'. Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës e cila përfaqëson bizneset në vend, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se situata e krijuar me energji elektrike ka alarmuar bizneset në vend. "Adresimi i problemeve nga sektori privat rreth energjetikës ka qenë ndër vite, por shumë pak janë marrë në konsideratë. Jemi dëshmitarë që edhe sot, 18 vjet pas luftës, kemi kompani prodhuese që funksionojnë vetëm me agregat (gjenerator rryme) sepse nuk i besojnë furnizimit me energji elektrike". "Kemi kompani të cilat kanë humbje të shumta nga shkyçjet ose ndërprerjet e energjisë. Kosova edhe më tutje e paguan energjinë elektrike më shtrenjtë dhe nuk ka çmim të veçantë për bujqësi, për amvisëri dhe industri. A nuk qenkan këto paradokse që duhet t'i takojnë të kaluarës dhe jo të merremi sot?", thekson Gërxhaliu. Autoritetet në Kosovë, ndërkohë kanë diskutuar të martën për tejkalimin e vështirësive me të cilat pritet të ballafaqohet vendi, për prodhimin e energjisë elektrike. Në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit në largim të Kosovës, Isa Mustafa thuhet se do të përshpejtojnë të gjitha veprimet për të adresuar dhe zgjidhur sa më shpejtë të gjitha problemet, në mënyrë që pengesat pronësore të mos vënë në rrezik prodhimin e energjisë elektrike. "Pritet që qytetarët, të cilat kanë prona në atë pjesë, të bashkëpunojnë me KEK-un dhe institucionet shtetërore, për të hapë rrugë që vendi të mos vjen në rrezik rreth energjisë elektrike, duke përfituar të gjitha të drejtat që atyre u takojnë. Prandaj, pengesat e përkohshme, vetëm sa mund ta dëmtojnë vendin dhe të krijojnë obligime të paparashikueshme të importit të energjisë elektrike", thuhet në komunikatë. Projektet si Termocentrali "Kosova e re" dhe projektet për energji alternative, të cilat ishte thënë se mund ta eliminojë problemin me energji elektrike, kanë ngecur dhe nuk kanë arritur të finalizohen. Ndërtimi i termocentralit të ri, përgatitjet për të cilin kanë filluar më shumë se një dekadë, ende është në proces dhe nuk dihet se kur do të fillojë ndërtimi i tij. Këto zvarritje të bëra në projektet që lidhen me furnizim stabil me energji elektrike, Gërxhaliu i quan shqetësuese. Sipas tij, dështimi i këtyre projekteve dëshmon se të gjitha këto kanë natyrë politike dhe korruptive sesa reale. "Ajo që është shqetësuese dhe kam drojë që shumë qarqe të caktuara të lidhur me politikën shumë më të leverdishme ekonomikisht e shohin importin e energjisë elektrike nga vendet e rajonit, në veçanti nga Serbia, sesa të gjenerohen kapacitete të reja". "Vetë fakti që janë bërë miliona euro investime në autorrugën energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe më tutje nuk është funksional, është një dëshmi që interesat e grupeve të caktuara dhe ato të lidhura me politikat janë më të fuqishme se zbatimi i strategjive të shtetit", thekson Gërxhaliu. Në anën tjetër, njohës të fushës së energjisë në Kosovë thonë se keqmenaxhimi i bëra në sektorin e energjisë për vite, ka lënë Kosovën pa një furnizim stabil me energji elektrike. Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë " Evroenergie", kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thotë se janë bërë gabime të mëdha në projektet e sektorit të energjisë. "Problemi energjetik në Kosovë është pikërisht nga menaxhimi i keq i sektorit të energjisë. Duke u munduar të përfitohet nga ky sektor nga grupe të ndryshme, Kosova sot ka këtë situatë me energjinë. Janë bërë shpenzime të mëdha në projektin e termocentralit 'Kosova e re' dhe tani është një projekt i dështuar. E gjithë kjo situatë e krijuar kërkon shumë punë për ta ndryshuar", thekson Malushaj. Kolapsi energjetik që e pret Kosovën, thuhet se do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo situatë ka alarmuar qytetarët të cilët do të mund të preken nga reduktime e rrymës, si dhe punëtoret e Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Rreth 500 persona gjykohen për puçin e dështuar në Turqi Posted: 01 Aug 2017 04:45 AM PDT Rreth 500 persona kanë dalur sot para gjyqit në Turqi, me akuzat për përfshirje në tentimet e dështuara për grushtshtet. Ky është gjykimi më masiv deri më tash, rreth puçit të dështuar kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Disa nga 485 të dyshuarit përballen me burgim të përjetshëm për krime që përfshijnë vrasje apo tentim për të vrarë Erdoganin. Sipas qeverisë, organizatorët e grushtshtetit të dështuar, e kanë shfrytëzuar si selinë e tyre, zonën afër bazës ajrore Akinci, në veri të Stambollit. Kleriku fetar, Fethullah Gulen, të cilin qeveria e akuzon për organizimin e puçit të dështuar, është përmendur si i pandehuri kryesor në këtë rast dhe do të gjykohet në mungesë. Ai i mohon këto akuza dhe hedh poshtë ndonjë përfshirje në këtë ngjarje. Ky është vetëm një nga dhjetëra gjykimet që do të mbahen në Turqi rreth tentimeve të dëshuara për grushtshtet, nga të cilat kanë vdekur 250 persona, në korrik të 2016-tës. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Thaçi takon nesër në Podgoricë zëvendëspresidentin amerikan, Pence Posted: 01 Aug 2017 04:27 AM PDT Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të takojë të mërkurën në Podgoricë zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence . Ky takim do të zhvillohet në Podgoricë, në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut 'US-Adriatic Charter' (Karta Amerikane Ariatikut), ku marrin pjesë edhe liderët e shteteve tjera të rajonit. Për shkak të rëndësisë së takimit, Kosova përfaqësohet nga presidenti i Republikës. Zyra për Informim e Presidentit Thaçi ka konfirmuar se në takimin me zëvendëspresidentin Pence do të diskutohet për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Përderisa presidenti Thaçi, sipas këtij njoftimi, do të kërkoj nga zëvendëspresidenti Pence përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë forum, i cili është shndërruar në një platformë shumë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit, në arritjen e standardeve të NATO-s dhe vlerave euroatlantike. Pjesëmarrja e zëvendëspresidentit Pence në këtë forum shihet si përkushtim i SHBA-së për sigurinë dhe stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mali i Zi gati për vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence Posted: 01 Aug 2017 04:17 AM PDT Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i shoqëruar nga bashkëshortja Karen, pritet të aterojnë në Aeroportin e Podgoricës rreth orës 18:00, ku do të priten nga kryeministri malazias, Dushko Markoviq. Në mbrëmje, kryeministri Markoviq do të shtrojë një darkë solemne për zëvendëspresidentin Pence, ku do të marrin pjesë dhe kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryetari i Kuvendit, Ivan Brajoviq. Takimi zyrtar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan dhe kryeministrit malazias është planifikuar për të mërkurën, kur do të zhvillohet edhe Samiti i liderëve të vendeve të rajonit në kuadër të Kartës Amerikane të Adriatikut. Tema e këtij samiti do të jetë siguria në rajon. Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi janë ftuar të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, ai i Sllovenisë Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq si dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq. Nga kabineti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është konfirmuar se gjatë qëndrimit në Podgoricë, ai do të takojë zëvendëspresidentin Pence. "Ky takim do të zhvillohet në Podgoricë, në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut 'US-Adriatic Charter' (Kartës SHBA-Adriatik), të mërkurën më 2 gusht dhe organizohet nën patronazhin e Maqedonisë dhe Malit të Zi", thuhet në njoftimin nga kabineti i Thaçit. Presidenti i Kosovës, vijon njoftimi, do të kërkojë nga zëvendëspresidenti Pence përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovendia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit. Pas samitit, është paralajmëruar që zëvendëspresidenti Pence do t'i takojë edhe liderët e vendeve të rajonit. Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t'iu bashkuar NATO-s. Autoritetet e Malit të Zi e kanë cilësuar vizitën e Mike Pence si historike dhe shumë të rëndësishme për këtë vend dhe për orientimin pro-perëndimor të shtetit malazias. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mali i Zi gati për vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së Posted: 01 Aug 2017 04:17 AM PDT Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence pritet që sot të arrijë në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë vizitës në Mal të Zi, Pence do të marrë pjesë edhe në samitin e vendeve të rajonit, ku merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| BIK reagon ndaj kërcënimeve me vdekje kundër krerëve shtetërorë dhe atyre fetarë Posted: 01 Aug 2017 04:12 AM PDT Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me grafitet e shkruara në muret e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, përmes së cilave kërcënohen me vdekje udhëheqësit e shtetit, BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës. Bashkësia Islame e Kosovës në një komunikatë për media ka dënuar veprimet e tilla, duke thënë se kërcënimi me vdekje i udhëheqësve të shtetit, BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës përmes grafiteve, është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale. "Institucionet e vendit e as udhëheqja e BIK-së nuk ndikohet nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim. Jemi të bindur që autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar, nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit. Këtë veprim e konsiderojmë të izoluar dhe ftojmë qytetarët, e sidomos studentët që mos të bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mosdurim", thuhet pos tjerash në komunikatën e BIK-it. Këto grafite janë shkruar nga persona të panjohur pas paralajmërimeve për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës. Në disa nga grafitet bëhet thirrje për vdekjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të BIK-ut Naim Tërrnava, kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ndërkohë që BIK, rikujton se feja dhe objektet fetare në Kosovës "gjithherë kanë qenë në funksion të paqes, mirëkuptim, tolerancës e harmonisë. E tillë do jetë edhe xhamia Qendrore e Prishtinës". Bashkësia Islame, ka ftuar autoritete kompetente që te hetojnë rastin dhe autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Hague: Britania duhet ta shpëtojë veten nga Brexiti "fatkeq" Posted: 01 Aug 2017 03:16 AM PDT Britania është drejt një Brexiti "fatkeq", që mund të shkaktojë çrregullimin më të madh në histori, nëse ministri i Financave, Philip Hammond dështon të arrijë një dalje më të lehtë nga Bashkimi Evropian, ka thënë ish lideri i Partisë Konservative, William Hague. Që nga ulja e mbështetjes për Theresa May në zgjedhjet e fundit, e ardhmja e Brexitit është vënë në pikëpyetje, edhe për shkak të kushteve të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Kryeministres May i është bërë presion të kontrollojë situatën për një largim të pastër nga BE-ja. Hague, ish ministër i punëve të Jashtme, ka thënë se ka mundësi që disa prej mbështetësve të Brexitit e kanë nënvlerësuar rrezikun e rënies së ashpër ekonomike me të cilën mund të përballet Britania. "Ka mundësi të madhe që Brexiti të shkaktojë çrregullimin më të madh në fushën ekonomike, diplomatike dhe ligjore, në historinë moderne të Britanisë së Madhe, me pasoja të panjohura për shtetin, qeverinë por edhe për vet Brexitin, ka shkruar Hague në Daily Telegraph. Hague, i cili ka qenë mbështetës i idesë për të mbetur në Bashkimin Evropian, e ka përshëndetur qasjen e ministrit Hammod për të gjetur një dalje sa më të lehtë nga BE-ja. "Procesi i largimit po shihet nga avokatët e vjetër si pozicion "i lehtë". Mirëpo në realitet ky është plan për të shpëtuar Brexitin nga një fatkeqësi", ka thënë ndër të tjera Hague. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Dhjetëra kandidatë për president të Kirgizisë Posted: 01 Aug 2017 02:29 AM PDT Rreth 59 persona kanë kandiduar për t'u bërë president në Kirgizi. Prej tyre, 11 janë të nominuar nga partitë politike, derisa 48 të tjerë janë kandidatë të pavarur, ka raportuar Komisioni Zgjedhor në këtë vend. Tani duhet që secili kandidant të sigurojë rreth 30,000 nënshkrime si mbështetje të kandidaturës së tij/saj, të pagujë si depozitë rreth 14,600 dollarë dhe të kalojë testin e gjuhës kirgize. Partia opozitare Ata-Meken, e ka propozuar liderin e saj, Omurbek Tekebaev, i cili është duke u gjykuar për akuzat rreth mirëmarrjes. Propozimi i tij nuk është pranuar nga Komisoni Zgjedhor. Tekebaev dhe partia e tij thonë se akuzat kundër tij janë të motivuara për ta mbajtur të njëjëtin larg votimit. Lista zyrtare e kandidatëve të regjistruar për president në këtë vend do të bëhet publike më 10 shtator. Zgjedhjet mbahen më 15 tetor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Gjermania fton BE-në të luftojë sanksionet e fundit kundër Rusisë Posted: 01 Aug 2017 02:03 AM PDT Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të luftojë sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, pasi mund të dëmtohen çështjet biznesore me Rusinë. Në legjislacionin e ri, që u miratua me shumicë votash nga Kongresi në SHBA, sanksionet përfshijnë edhe disa firme ruse të energjisë. Ky legjislacion pritet të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump. Liderët evropianë kanë thënë se sanksionet e reja do të dëmtonin ekonomitë e tyre. Dispozitat mund të ndikojnë në Evropë, ashtu që mund t'i lejojnë presidentit Trump të vendosë sanksione në bizneset e Perëndimit, të cilat punojnë me "Gazpromin" e Rusisë, për ndërtimin e gazsjellësit të dytë në mes të Rusisë dhe Gjermanisë, në shtratin e Detit Baltik. Ndryshe projekti njihet si Rrjedha Veriore 2. "Shumë thjeshtë, ne këto sanksione i konsiderojmë kundër ligjit ndërkombëtar", ka thënë ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, në një intervistë për gazetën Funke Mediengruppe. "Amerikanët nuk mund të ndëshkojnë kompanitë gjermane sepse kanë interesa të biznesit në shtete tjera", ka shtuar ajo. "Sigurisht që ne nuk duam luftë tregtare. Mirëpo është e rëndësishme që Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e kundërpërgjigjes", ka thënë ndër të tjera Zypries. Sipas saj, Berlini i ka përsëritur disa herë kërkesën Uashingtonit të mos përfshijë dispozita që prekin kompani evropiane, në kuadër të legjislacionit për sanksionimin e Rusisë, pas supozimeve se e ky vend ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për agresionin në Ukrainë dhe çështje tjera. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar javën e kaluar se "nëse shqetësimet tona nuk merren parasysh mjaftueshëm, ne do të jemi të gatshëm të veprojmë brenda disa ditësh", sapo dispozitat të fuqizohen. SHBA-ja e kundërshton me vite linjën e dytë të tubacionit të gazit, duke thënë se një gjë e tillë vetëm do të rrisë varësinë e Evropës ndaj Rusisë për gaz natyral. Mirëpo, ky legjislacion shënon herën e parë që Uashingtoni ka marrë hapa konkret për të kundërshtuar këtë gazsjellës. Në kuadër të sanksioneve të reja përfshihen edhe disa mundësi inkurajuese për vendet evropiane për t'u furnizuar me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja, në vend që të varen nga Rusia. "Kjo të krijon përshtypjen se Shtetet e Bashkuara janë duke shikuar vetëm interesat e tyre ekonomike", ka thënë udhëheqësi i dhomës gjermane për Industri dhe Tregti, Volker Triere. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka paralajmëruar javën e kaluar se Gjermania nuk do të tolerojë sanksionet kundër kompanive evropiane që përfshihen në projektin Rrjedha Veriore 2. Disa biznese gjermane janë duke shqyrtuar mundësinë e kundërpërgjigjes me sanksione kundër SHBA-së, nëse presidenti Trump miraton vënien e sanksioneve në kompanitë evropiane. Ligjvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, se i njëjti ishte shumë i dëmshëm për kompanitë që punojnë me Rusinë në projektin e Rrjedhës Veriore 2. Rusia, në të njëjtën kohë është hakmarrë ndaj sanksioneve të këtij legjislacioni duke urdhëruar zvogëlimin e stafit diplomatik amerikan në Rusi. Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë ka thënë së është duke shqyrtuar një përgjigje kundër urdhrit të Rusisë. Nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili po viziton Evropën Lindore dhe Gjeorgjinë gjatë kësaj jave, ka thënë se "ne shpresojmë për ditë më të mira, për marrëdhënie më të mira me Rusinë", pavarësisht planeve të Trumpit për të nënshkruar sanksionet në legjislacion. Përgatiti: Krenare Cubolli This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Kurti: Faktori ndërkombëtar nuk ka më barriera për Vetëvendosjen Posted: 01 Aug 2017 01:44 AM PDT Faktori ndërkombëtar nuk ka më asnjë barrierë politike për Lëvizjen Vetëvendosje që të formojë Qeverinë e re të Kosovës, ka deklaruar Albin Kurti, kandidat i kësaj Lëvizje për postin e kryeministrit. Këto komente, ai i bëri pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kurtit, qëndrimi i faktorit ndërkombëtar është se Qeverinë e formon ai subjekt apo ato subjekte politike që e krijojnë shumicën në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, Kurti tha se shansin e parë për formimin e Qeverisë e ka koalicioni PAN. Por, sipas tij, PAN do të dështoj dhe në shansin e dytë, Qeverinë do ta formojë Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka thënë se ditëve të fundit ka takuar disa prej diplomatëve ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë me të cilët ka diskutuar për sfidat e seancës konstituive të Kuvendit. "Kemi diskutuar edhe qëndrimet dhe idetë e Vetëvendosjes, atëherë kur ne do të jemi në Qeveri, e që konsistojnë në 40 prioritetet e Republikës, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të orientuar në investime e punësim, në ndërlidhen e arsimit me ekonominë, në shëndetësinë cilësore e po ashtu diskutohet edhe për integrimet evropiane dhe euroatlantike", ka thënë Kurti. Vetëvendosje, tha Kurti, e thekson rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me vendet e perëndimit, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Gjermaninë. Ndërkaq në lidhje me seancën konstituive, Kurti tha se Kryetari i Kuvendit duhet "të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe kurrsesi kontrovers siç ishte kryetari i legjislaturës paraprake", duke aluduar në Kadri Veselin. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





