Tirana Observer: “Britani, 17 vite burg për bosin shqiptar të drogë” plus 9 more

Tirana Observer: “Britani, 17 vite burg për bosin shqiptar të drogë” plus 9 more


Britani, 17 vite burg për bosin shqiptar të drogë

Posted: 07 Aug 2017 09:46 AM PDT

Një bos shqiptar droge, përgjegjës për futjen e një sasie kokaine me vlerë 60 milion paund në perëndim të Londrës është dënuar me 17 vite burg nga një gjykatë britanike.

30 – vjeçari Klodian Copja u dënua nga Kingston Crown Court, pasi u shpall fajtor për 3 akuza, atë të shpërndarjes së drogës së Klasit A, të Klasit C dhe të importit të drogës së Klasit A.

Copja u kap nga Policia Metropolitane pas zbulimit të një rrjeti të shpërndarjes së kokainë në Britani nga Prilli i vitit 2013 deri në Korrik të 2015 -ës. Shqiptari ishte koka e një rrjeti të madh të shpërndarjes së kokainës, përgjegjëse për importimin e një sasie droge që kapte vlerë e 60 milion paundëve.

Met (Polici Metropolitane), në bashkëpunim me një numër të madh forcash të policisë nëpër Britani, zhvilloi një hetim të detajuar mbi lëtë rrjet të shpërndarjes së drogës që çoi në dënimin e 42 personave me një total prej 360 vitesh heqje lirie.

Gjatë periudhës së parë, nga Prilli i vitit 2013 deri në Korrik të po këtij viti, efektivët e Met punuan me kolegët e tyre në Kent, West Midlands, Bedfordshire dhe Thames Valley për të kryer një operacion përgjimesh mbi rrjetin e drogës të shqiptarit Copja.

Kjo çoi në arrestimin e 12 personave, klientë apo shpërndarës të drogës së Klasit A, me një vlerë prej rreth 2.5 milion paund.

Ata u dënuan me 166 vite burg në total.

Në Korrik të 2013 -ës, oficerët e policisë së Met ndaluan korrierët e 30 – vjeçarit Copja, me një sasi prej 11 kilogramë kokainë, 6.5 kilogramë heroinë dhe 3 kilogramë kanabis në zonën e Earls Court të Londrës.

Gjatë arrestimeve, Copja u pa duke lëvizur me makinë në shtëpinë që konsiderohej si e sigurt nga grupi, përpara se të arratisej nga Britania po atë ditë.

30 – vjeçari u rikthye në këtë shtet në Mars të 2014 -ës dhe hetimi mbi rrjetin e tij vijoi.

Mes Marsit të 2014 -ës dhe Korrikut të 2014 -ës, policia zbuloi se Copja kishte punësuar një rrjet të ri korrierësh.

Një prej tyre u identifikua si korrieri që bënte rrugë çdo jave në Maidstone, Kent, ku ai takohej me një kamion që importonte kokainë nga kontinenti në Britaninë e Madhe.

Një moment që droga mbërrinte në Britani, korrieri e shpërndante atë nëpër grupet e shumta të organizuara kriminale nëpër Londër, Birmingham, Leicester dhe Nottingham.

Copja u arratis sërish nga Britania e Madhe dhe rrjeti i tij u mbyll.

Hetimet zbuluan se ky rrjet kishte importuar përafërsisht 540 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 23 milion paund, përpara se të ndaloheshin.

Copja u rikthye në Britani sërish në Tetor të 2014 -ës dhe po rindërtoi rrjetin e tij të shpërndarjes së kokainës.

Përgjimet telefonike e implikonin Copjan për orkestrim të rrjetit jashtë vendit.

Pasi mori vesh se bashkëpunëtori i tij ishte arrestuar, ai qëndroi në arrati deri në Mars të 2017 -ës, kur u arrestua në Greqi dhe u ekstradua drejt Britanisë së Madhe.

Klodjan Copja u dënua nga Gjykata e Kingston më 4 Gusht./tvklan.al

Fakte që ekzistojnë, por nuk thuhen asnjëherë për çdo shenjë të horoskopit

Posted: 07 Aug 2017 09:28 AM PDT

Në përgjithësi, ata që lexojnë rregullisht horoskopin e kanë një ide se cilat janë karakteristikat e secilës shenjë, por ne duam të njohim më shumë prej tyre; fakte që realisht ekzistojnë, veçori që shenjat kanë, por që nuk thuhen me zë të lartë, ndoshta sepse janë disi të fshehura.

DASHI

– Ata kërkojnë gjithmonë dashuri.

– Janë të zgjuar.

– Nuk u intereson shumë për ndjenjat e të tjerëve.

– Nëse i gënjen, i ke humbur.

– Qajnë shumë.

– Flasin shumë dhe shpesh bëhen të lodhshëm.

– I bëjnë njerëzit t'i besojnë.

– Nuk dorëzohen lehtë.

– Lëvizin shumë duart kur flasin.

– Kafshojnë shumë buzën.

DEMI

– Në pamje të jashtme duken shumë të qetë, por në fakt janë shumë nevrikë.

– Nuk e humbin kontrollin asnjëherë.

– Nuk kanë besim tek asnjë.

– Nëse do t'i lëndosh, prit më të keqen prej tyre.

– Kanë shumë ndjeshmëri për personat që duan.

– Janë miq shumë të mirë.

– Janë shumë selektivë kur vjen fjala për personat me të cilët kalojnë kohën.

– Janë moskokëçarës.

– Ju  përqafojnë vetëm kur keni ditëlindjen.

BINJAKËT

– Shumë emocional.

– Dinë shumë, por nuk tregojnë.

– Nuk duan t'ia dinë për gjumin.

– E kanë shumë bezdi kur situata bëhet e mërzitshme.

– Janë egocentrikë.

– Nuk e kanë kurrë gabim.

– Ata i shprehin ndjenjat në shumë forma, por kurrë me fjalë.

– Shpesh keqkuptohen.

– I mbulojnë ndjenjat e tyre me humor dhe indiferencë.

– Bëjnë këdo që të qeshë.

– Janë shumë të ndjeshëm, por do t'ju duhet kohë t'ua kuptoni këtë veçori.

– Kanë shumë pasiguri.

– Truri i tyre është gjithmonë i ngarkuar.

 

 GAFORRJA

– Mund të kujtoni se ju duan, por në fakt jo.

– Ata nuk dinë si t'i menaxhojnë ndjenjat.

– Bëjnë shumë drama.

– Mund të jenë shumë egoistë në raste të caktuara.

– Të paparashikueshëm.

– "Më lër rehat, por më jep vëmendje" – motoja e tyre.

– Celulari është pjesë e trupit të tyre.

– Janë shumë familjarë.

– Bëjnë shpesh viktimën.

– Japin këshillat më të mira, por nuk i zbatojnë.

– U qeshin të gjithëve.

– E vrasin shumë mendjen për të tjerët.

– Ata i duan shumë fëmijët.

– Nuk i lënë të tjerët t'i kuptojnë, ndaj shpesh keqkuptohen.

LUANI

– Kanë ide të qarta mbi jetën.

– Vlerësojnë shumë moralin.

– Kanë nevojë për konfirmim të vazhdueshëm.

– Nëse u bën 1 gjë, ta paguajnë me 10.

– Ju kuptojnë se çfarë doni prej tyre.

– Tallen me pasiguritë e të tjerëve.

– Bëjnë gjëra të mira për njerëzit, edhe pse nuk kanë qejf t'i thonë.

– Mund të jetojnë vetëm dhe nuk e kanë problem.

– Flasin me vete kur askush s'është pranë.

– Kanë pasiguri, edhe pse nuk duket.

– Janë të çmendur në shtrat.

– Në shumicën e rasteve fitojnë.

– Nuk duken kurrë sikur janë të ndjeshëm në sy të të tjerëve, por në të vërtetë janë.

 

VIRGJËRESHA

– Duken gjithmonë sikur duan të vrasin dikë.

– Lexojnë gjëra të çuditshme.

– Janë shumë të dedikuar dhe të ndihmojnë kur keni nevojë.

– Bëhen me nerva kur gjërat nuk janë bërë ashtu siç duan ata.

– Janë diku në mes introvertit dhe ekstrovertit.

– Kur nuk të duan më, s'të flasin fare.

– Nuk e durojnë dot kur të tjerët bëhen me nerva me ta, edhe kur është faji i tyre.

– Nuk e tregojnë lumturinë me entuziazëm.

PESHORJA

– Janë gjithnjë të dashuruar.

– Dëgjojnë muzikë të dobët.

– Shumë emocional.

– Nuk dinë asnjëherë se çfarë ndodh vërdallë.

– Bëhen të çuditshëm kur nuk janë rehat.

– Kanë gjithmonë mendime të mira për njerëzit.

– Janë kreativë.

– Skuqen shpejt.

– E kanë të vështirë të thonë jo.

– Lodhen shumë sepse duan që të gjithë të jenë të lumtur.

AKREPI

– Duan të duken si të fortë, por në fakt janë qaramanë.

– Kanë një mendje shumë perverse.

– Ata kanë hobi që i mbajnë sekret, pa i thënë.

– Ata vdesin të ndihen të dashuruar.

– Ofendohen shumë shpejt.

– Janë të frikshëm kur janë me nerva.

– Janë shumë tipa protektivë për njerëzit që duan.

– E urrejnë kur i injoroni.

– Thonë shaka në momentet më të papërshtatshme.

– Kanë një lidhje të jashtëzakonshme me muzikën.

SHIGJETARI

– Mund të zhduken në çdo moment pa thënë asgjë.

– Adhurojnë filmat, shumë!

– Kanë qejf gjumin edhe pse nuk u mjafton kurrë.

– Bëjnë dëme shpesh, por jo aq të rëndësishme ndaj i marrin me të qeshur.

– Nuk e kanë me qejf të kërkojnë falje, por e bëjnë gjithsesi.

– Besojnë se mund të bëjnë gjithçka në mënyrën më të mirë dhe në shumicën e rasteve e bëjnë.

– I kap ndonjëherë mërzia pa pasur arsye konkrete.

– Motoja e tyre: "Nuk duket diçka e mirë, por unë do ta provoj gjithsesi…".

– Shumë kërkues nga vetja.

BRICJAPI

– Kompleks superioriteti.

– Pëlqejnë shumë festat.

– Përpiqen që t'ju mbyllin gjithmonë gojën.

– Janë të mirë deri në momentin që ju i lëndoni.

– Kur e kuptojnë që e kanë gabim, kërkojnë falje.

– Janë të qetë edhe në situatat më të nxehta.

– Kanë gjithmonë një plan të dytë.

– Për ta pamja fizike është shumë e rëndësishme.

– Kanë disa fiksime të çuditshme.

– Luajnë shumë me këmbët e tyre.

– Kanë nevojë për përqafime, por nuk e kërkojnë hapur.

 

UJORI

– Zhduken pa arsye.

– Janë të lezetshëm.

– Konfuzohen kur duhet të zgjidhin mes të mirës dhe të keqes.

– Janë të fiksuar me "memet".

– I dashurojnë flokët e dëborës.

– Pëlqejnë kanabisin.

– Do e kuptojnë kur i gënjeni.

– Humbi shpesh gjërat e tyre.

– Ndiejnë më shumë sesa e tregojnë.

– Janë rebelë.

– Janë më të zgjuar nga sa hiqen.

PESHQIT

– Nuk u pëlqen të kenë përgjegjësi.

– Pëlqejnë më shumë muzikën se njerëzit.

– Pëlqejnë vëmendjen, por jo shumë.

– Nuk pranojnë të jenë opsion i dytë.

– Dëgjues të mirë.

– Mund të bëhen të çuditshëm.

– Janë njerëz me humor.

– E kanë zemrën e madhe, por imagjinatën edhe më shumë.

– Konfuzohen lehtë.

Dështojnë negociatat e fshehta mes PD-së dhe LSI-së për opozitën e bashkuar

Posted: 07 Aug 2017 09:00 AM PDT

Një tentativë për të bashkuar opozitën e PD-së dhe LSI-së ka dështuar së fundmi, si pasojë e kundërshtimit të Lulzim Bashës që të krijohet një front fluid parlamentar në sezonin e ardhshëm që fillon në shtator.

Burime pranë opozitës bëjnë të ditur se ka pasur shkëmbime mesazhesh të rëndësishme mes Monika Kryemadhit, kryetares aktuale të LSI-së dhe liderit opozitar Basha, përcjellë nëpërmjet një "ambasadori" që gëzon marrëdhënie shumë të mira si me selinë blu ashtu edhe me Ilir Metën.

Siç mësohet është kërkuar që opozita e bashkuar të krijojë një front të përbashkët për reformën kushtetuese, zgjedhore dhe reformën në drejtësi për të penguar një draft që do të propozohet nga mazhoranca.

Lulzim Basha, pritet që të ketë një rol të rëndësishëm në Parlamentin e ri, duke marrë në dorë drejtim e reformës kushtetuese dhe zgjedhore, që është pjesë e paktit Rama-Basha që u arrit më 18 maj.

Basha, mësohet se është i gatshëm që të bashkojë me LSI-në në Kuvend kauzat opozitare kundër qeverisë, por ka bërë të ditur se reforma kushtetuese, ajo në drejtësi, si dhe reforma zgjedhore nuk do të duhet të politizohen, por duhet të jenë objekt i një procesi që kalon nga Parlamenti në publik, për tu miratuar më pas me konsensus në Kuvend dhe ndoshta edhe me referendum popullor.

Lulzim Basha, pritet që të jetë protagonisti i reformës së re që do të sjellë një "Republikë të Re", ku do të projektojë një President të zgjedhur nga populli, një sistem zgjedhor bazik mazhoritar dhe një rol më të zbutur kushtetues të qeverisë. Parlamenti pritet të marrë një fuqi më të madhe kontrolli ndaj ekzekutivit, deri edhe me bllokimin e emërimeve apo edhe vendimeve që Këshilli i Ministrave mund të ndërmarrë për fonde publike apo për koncensione të ndryshme.

Basha, mësohet se është shprehur se nuk do të bëjë kompromis të fshehtë politik mbi reformën, që ai ka bërë të ditur se do ta drejtojë në një mënyyrë transparente, duke u konsultuar ngushtësisht edhe me faktorin ndërkombëtrar.

Ndoshta pikërisht për të ruajtur këtë rol që duket se i kanë projektuar Bashës ndërkombëtarët para dhe gjatë marrëveshjes me Ramën që çoi në një qeveri të përbashkët, kreu i PD ka përzgjedhur një grup parlamentar totalisht besnik që do të miratojë të gjithë nismat politike që do të dalin nga selia blu.

Panorama e sezonit të ri parlamentar duket se do të sjellë nga njëra anë një qeverisje e Ramës me "timonin pa njerëz në prehër", por nga ana tjetër opozita do të jetë protagoniste e zhvillimeve politike në Parlament.

Ekziston një version që në krye të parlamentit shqiptar të emërohet një deputet që të marrë edhe përkrahjen e opozitës, ose të vijë nga opozita.

Por spikeri i ri i Parlamentit nuk do ta drejtojë Kuvendin si Ilir Meta për 4 vjet që e ktheu të enjten në një ditë përplasjeje dhe përleshjeje politike më shumë propagandistike, por më shumë profesionale për ligje, alternativa dhe debat mbi çështje të ditës.

LSI ka dashur që të jetë pjesë e një kompomisi me Bashën për vendet në Komisionin e Reformës, por edhe në komisionet që do të përzgjedhin krerët e trupave të larta të drejtësisë siç është Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Kryeprokurori Special, kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit etj.

Lulzim Basha, duket që pas marrëveshjes që firmosi me Ramën si pasojë edhe e negocimit të zyrtarit të lartë të DASH, Hoyt Brian Yee, ka vendosur që të mos bllokojë më as vettingun e as reformën për drejtësi që nga shtatori nis e instalohet.

Kreu i PD-së i ka bërë të qartë LSI që është gati të ngrenë një aksion të përbashkët mbi kauzat kundër qeverisë, rrugë që mori të çarë që me rastin e çmimit të ujit në Tiranë, ku si PD ashtu dhe LSI sulmuan më fort njëra-tjetrën sesa Partinë Socialiste.

/tesheshi.com/

Gjërat që duhet të filloni t’i bëni pas të tridhjetave

Posted: 07 Aug 2017 08:45 AM PDT

Jeta është e ndarë në etapa, ndaj është e rëndësishme që në çdo njërën prej tyre të bëni gjënë e duhur. Të tridhjetat janë koha ideale për familjen, karrierën, miqtë dhe kursimet!

Sa më shumë të kalojë koha, aq më e vështirë është të ndryshohen disa zakone. Por në moshën 30-vjeçare, keni ende kohë të përshtateni me të renë dhe të mësoni zakone pozitive. Nëse jeni në dilemë se nga duhet t'ia filloni, ja disa këshilla që do t'ju ndryshojnë jetën.

Filloni të qeshni me veten

"Qeshni me veten, qeshni me absurditetin e jetës, me të mirën dhe të keqen e çdo situate". Nëse jeni në gjendje të kuptoni humorin e sfidave tuaja të përditshme, kjo ju ndihmon me përmirësimin e shëndetit dhe lumturisë. Kërkimet thonë se njerëzit që mund të vënë në lojë veten janë zakonisht më të qeshur.

Vlerësoni familjen dhe miqtë tuaj

Në moshën 20-vjeçare mund të jeni shumë të zënë duke u edukuar dhe duke filluar një karrierë, aq sa i lini miqtë dhe familjen në një cep të jetës suaj. Në moshën 30-vjeçare keni krijuar një bazë të mirë për jetën dhe mund t'i ktheheni vlerësimit për familjen, t'iu kushtoni kohë miqve dhe t'i bëni të ndihen të përqafuar nga ju.

Filloni të mbani një ditar

"Regjistrojeni" jetën tuaj! Mbani shënime të shkruara, të cilat do t'ju argëtojnë dhe do t'ju kujtojnë se si ishte e shkuara disa vite më pas. Nuk ka nevojë të mbani një bllok sekret shënimesh nën shtrat, një album dixhital fotosh me citimet për çdo ngjarje bën të njëjtë gjë.

Filloni të kujdeseni për shëndetin

Shëndeti duhet të jetë prioriteti juaj në moshën 30-vjeçare. Kujdesuni sa më shumë që çdo gjë të jetë në rregull me shëndetin dhe ruani peshën në mënyrë të ekuilibruar, e cila ju bën të ndiheni mirë me veten.

Për ta bërë këtë duhet të jeni aktiv dhe të ushqeheni siç duhet. Në një kërkim thuhet se për të pasur një dobësim sa më të shëndetshëm duhet të përqendroheni më tepër tek ato që hani sesa tek ushtrimet.

Filloni të kurseni para

Një nga zakonet fiskale më të rëndësishme që duhet të filloni ta praktikoni kur jeni te të tridhjetat është që të shpenzoni më pak nga sa fitoni. Trajtojeni paranë në rini siç do të donit t'ju trajtonte ajo në pleqëri, ndaj për këtë arsye, kurseni sa të mundeni.

Shkoni pas një qëllimi të madh

Deri në fillim të moshës 30-vjeçare mund të keni ëndërruar vetëm rreth krijimit të një familjeje, blerjes së një shtëpie apo marrjes së një diplome më të përparuar. Tani është koha ta realizoni këtë gjë!

Ëndrrat tuaja mund të bëhen realitet, sepse për këtë është mosha 30-vjeçare, koha plot energji dhe me mënyrat e duhura për të ecur përpara.

Mësoni nga gabimet tuaja

Me shumë gjasa keni bërë plot gabime në moshën 20-vjeçare. Ky nuk është një problem për sa kohë mësoni nga eksperiencat tuaja. Kjo kërkon të merrni përsipër përgjegjësi për atë që mund të ketë qenë një gabim dhe të kuptoni përse ka ndodhur.

Si të arrini suksesin?

Mikelanxhelo Bonaroti këshillonte këdo që kërkonte sukses se rreziku më i madh nuk është te vendosja e synimeve shumë të larta dhe arritja e pak prej tyre, por te vendosja e synimit shumë poshtë dhe arritja e kësaj lartësie të ulët.

Henri Ford, themeluesi i Ford Motors, inkurajon këdo që dëshiron të arrijë suksesin se duhet ta marrë dështimin si një mundësi për të filluar nga e para, këtë herë më me inteligjencë.

Da Vinçi ka thënë në shprehjen e tij të famshme "Kam vënë re se njerëzit me arritje rrallë qëndrojnë në pritje që t'i ndodhin gjërat që duan. Ata veprojnë dhe 'u ndodhin' atyre".

Në fund të fundit, siç e thotë dhe Uolt Diznej: "Nëse mund ta ëndërrosh, mund ta bësh".

Emrat/ Kush janë ministrat dhe deputetët që mbeten jashtë qeverisë “Rama 2”

Posted: 07 Aug 2017 08:24 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka tashmë në dorë raportet mbi rezultatin e zgjedhjeve për çdo qark, si dhe të dhënat për gjendjen në administratë dhe situatën ekonomike në vend.

Dy ditët e fundit, shefi i qeverisë publikoi detaje nga raportet, teksa nxori të dhënat për Qarkun Kukës dhe Dibër. Por nga këto raporte, kreu i ekzekutivit ka dhënë një sinjal se cilët do të jenë emrat që do të mbahen jashtë qeverisë "Rama 2". Sipas burimeve, kryeministri ua ka bërë të ditur deputetëve socialist se në qeverinë e re do të gjejnë vend vetëm ata ligjvënës që kanë korrur rezultat të mirë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Po ashtu, Rama ka kërkuar nga grupi i punës për analizën politike dhe organizative të Partisë Socialiste në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, që raporti të jetë gati brenda gushtit. Sepse një gjë është e sigurtë; kryeministri Edi Rama e ka lidhur fatin e kabinetit të ardhshëm qeveritar në bazë të këtij raporti.

Kështu, Rama nga njëra anë kur të nominojë një ministër, do t'i thotë se performanca e këtij të fundit është e mirë, duke iu referuar raportit, ndërsa nga ana tjetër sërish do justifikohet me emrat që do të lërë jashtë qeverisë, gjithashtu duke iu treguar të dhënat e raportit.

Si duket me këtë lëvizje, kreu i ekzekutivit jo vetëm që synon që Partinë Socialiste ta ketë të kuruar dhe konsoliduar nga baza në qendër, por përmes këtyre analizave, Rama është duke punuar për një mandat të tretë.

Gazeta SOT ka bërë një analizë të detajuar, sa i takon rezultatit në Partinë Socialiste, duke krahasuar zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 me këto të vitit 2017. Këto të dhëna janë nxjerrë dhe nga grupi i punës dhe janë në tryezën e kryeministrit. E teksa i referohemi këtij krahasimi, rezulton se 7 janë emrat të cilët kanë korrur rezultat negativ në zgjedhjet parlamentare të 25 qershor.

I pari është Ilir Beqaj, i cili në Qarkun Dibër ka korrur një rezultat negativ krahasuar me 4 vite më parë. PS në 25 qershor në këtë qark mori 24.795 vota, ndërsa në 2013 mori 25.103 vota, pra një diferencë 308 vota.

I dyti është Ditmir Bushati i cili ka korrur një rezultat negativ krahasuar me 4 vite më parë në Bashkinë Shkodër. PS në 25 qershor mori 20.195 vota, ndërsa në vitin 2013 ka marrë 26.984 vota, pra diferenca është 6.789 vota.

Një emër tjetër është Niko Peleshi, i cili në Bashkinë Korçë ka marrë një rezultat negativ. PS në vitin 2013 mori 34.344 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 23.456 vota, pra diferenca është 10888 vota.

Po ashtu edhe Eduart Shalsi ka korrur një rezultat negativ në Pogradec. PS në këtë bashki në vitin 2013 mori 17.213 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 15.633 vota, pra diferenca është 1.580 vota. Një ndër emrat është edhe Taulant Balla, i cili ka korrur një rezultat negativ në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013 në qarkun e Elbasanit.

PS në qytetin e Elbasanit në vitin 2013 mori 45.047 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 33.129 vota, pra diferenca është 11.918 vota.

Një emër tjetër është edhe Saimir Tahiri. PS në Bashkinë Tiranë në 2013 mori 180.881 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 164.278 vota, pra diferenca është 16.603 vota.

Ndërkohë, edhe Arben Ahmetaj ka korrur një rezultat negativ në Kavajë.

Ahmetaj në Kavajë pësoi dy disfata: Në qytet i humbi zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që humbi dhe ato për kreun e Bashkisë.

Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, në Kavajë, PS ka marrë 5 173 vota ose 39.92 %, duke pësuar një rënie me 11.43 % krahasuar me rezultatin e katër viteve më parë.

Flet vajza shqiptare që i çoi një letër me kërkesa ish-presidentit George Bush

Posted: 07 Aug 2017 08:15 AM PDT

Ditë më parë, Pavarësie Sopa, një vajzë nga Kosova, e para pas shpalljes së Pavarësisë, i ka dërguar një letër mirënjohjeje presidentit amerikan George W. Bush për rolin e tij në pavarësinë e Kosovës.

Korrespodenti i "Zërit të Amerikës", Leonat Shehu, ishte në shtëpinë e vajzës, e cila tregon për emocionet që ka pasur nga komunikimi me ish-presidentin amerikan.

Pavarësia mban këtë emër meqë ka lindur pak minuta pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.

"Emri im është Pavarësi, që do të thotë i pavarur dhe kam lindur 2 minuta pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Unë dua që t'ju falënderoj juve për punën që keni bërë për Kosovën e lirë dhe të pavarur", – lexon vajza një pjesë të letrës së shkruar për ish-presidentin amerikan.

Ajo thotë: "Për mua ishte një kënaqësi që shkrova për ish-presidentin një letër".

"Në letër kam shkruar që të vijë dhe të më vizitojë mua dhe Kosovën. Dua ta falënderoj për kontributin që ka dhënë në Kosovë dhe shpresoj të vijë sa më shpejt",- thotë vajza.

Letra e Pavarësisë së vogël i është dorëzuar presidentit George W. Bush nga ambasadorja në Uashington, Vlora Çitaku. Në letër ishte një fotografi e vajzës dhe e bulevardit në Prishtinë që mban emrin e presidentit Bush.

Pavarësia mban në duar letrën e presidentit Bush, që duke e falënderuar atë shfaq shpresën që një ditë ta takojë.

“Luciferi nuk ikën”, ja temperaturat e parashikuara për nesër

Posted: 07 Aug 2017 08:00 AM PDT

Prej disa ditësh, vendi ynë është "pushtuar" nga vala e të nxehtit "Lucifer” ku temperaturat i kanë kaluar 40 gradë.

Edhe ditën e nesërme temperaturat do të vijojnë të jenë përvëluese.

Sipas një parashikimi të motit nga Emergjencat Civile, mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët dhe tepër i nxehtë, si dhe vranësira të pakta deri mesatare në mesditë përgjatë zonave malore në lindje të vendit.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në 19°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 38°C.

Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në 20°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 41°C.

Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 22°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 38°C.

Kalorësit qesharakë të braktisjes së atdheut

Posted: 07 Aug 2017 07:47 AM PDT

Nga Andi Bushati

Disa deklarata të njerëzve të njohur apo më pak të njohur publikisht, për të braktisur Shqipërinë, jo vetëm kanë zënë një vend më të madh nga sa e meritonin në këto ditë të nxehta pa lajme, por shpesh herë kanë ndezur një debat qesharak dhe të pa vend. Duhet ta themi që në fillim dhe pa hezitim se, nëse dikush shpall se largohet pasi nuk gjen hapësirat e duhura, pasi i kanë suprimuar vendin e punës, pasi i kanë çpuar gomën e makinës, kjo nuk është një çështje kombëtare.

Largimi i atyre që kanë mundësi ta shpallin këtë akt me bujë, është krejt i ndryshëm nga largimi i dhjetra mijë shqiptarëve që zgjedhin ta braktisin këtë vend nga pamundësia. Sepse ikjet e tyre nuk kanë asnjë tagër plus për të treguar, as se Shqipëria është më e mirë, as se ajo po bëhet më e keqe.

Ato janë thjeshtë zgjedhje personale, të marra sa nga racionaliteti i mundësive, po aq dhe nga emocionaliteti i momentit. Ata që ikin nuk janë as heronj që nuk pajtohen me gjendjen e keqe dhe as tradhëtarë që po braktisin anijen. Akti i tyre nuk është simbol për asgjë.

Personalisht  jam një nga ata që e pëlqen përditë e më pak këtë vend. Nuk jam dakord me mënyrën se si po shpërfytyrohet qyteti im, se si rokaqiejt po zënë diellin, se si po zhduken rrugicat ku rendnim pas një topi pedhëdhjetsh, se si po zaptohen tokat në bregdet, se si po ndotet ajri, se si po shfarosen pyjet, se si ujin nuk e pi dot më drejt e nga çezma, se si domatet nuk kanë shijen e dikurshme dhe se si mishin është gjithnjë e më e vështirë ta gjesh të pa bombarduar me antibiotikë.

Por, pavarësisht nga këto, kam vendosur të jetoj në një atdhe që e kritikoj çdo ditë e më shumë, as thjeshtë për patriotizëm, as thjesht për profesionin që bëj.

Në këtë vendim të brendshëm ka diçka më të komplikuar, që më ka bërë t'i rezistoj edhe eksodit biblik të anijeve edhe shpërthimit të depove të '97.

Besoj se kushdo që ka lexuar sadopak për dëshmitë e gjata të francezëve të larguar që kanë provuar "le mal du pays", të britanikëve që kanë ndjerë peshën e "homesickness", apo të mercenarëve të Zvicrës gjermanike që i mundonte  «heimweh», kur ishin larg vendit të tyre, e ka të qartë se për çka flas. Në lojë është ajo që psikologët e njohin si sindromën e mungesës së vendlindjes: një lloj nostalgjie për vendin e origjinës, për zbehjen e gjërave familjare, për largësinë nga kujtimet e fëmijërisë, nga gjuha e nënës, nga kultura me të cilën je rritur.

Mënyra se si gjithësejcili e zgjidh këtë raport delikat me veten e tij, midis kujtimeve të së shkuarës dhe ambicieve për të ardhmen, midis anës emocionale dhe sfidës për të riskuar, është një çështje krejtësisht personale.

Unë vetë kam zgjedhur të parat. Por kjo shpesh nuk më ka penguar t'i shoh herë me ironi dhe herë me nënqeshje, ata emigrantë të larguar prej vitesh nga ky vend, të prekur nga sindroma e mallit të vendlindjes. Sa herë kemi bërë humor me ta, me patriotizmin e tyre të ekzagjeruar, me pathosin që tregojnë për çdo simbol kombëtar, me idealizimin që i bëjnë historisë, gjuhës, traditave, me entuziazmin që tregojnë edhe për ndryshimin apo përparimin më të vogël që shohin në vendin që kanë lënë pas prej vitesh.

Ne e kuptojmë se në shumë raste ajo është fabula që i duhet për të mbajtur në kontroll sindromën e tyre që shpesh herë mund të çojë deri në depresion, mungesë motivimi dhe izolim social.

Ne të gjithë e dimë, se Shqipëria që ata shohin, prekin dhe vizatojnë, nuk është ajo realja. Ajo është një produkt i përrallëzuar si pasojë e sindromës së tyre. Si pasojë e mallit, nostalgjisë dhe kujtimeve që atyre u mungojnë. Të gjitha këto detaje të vogla luajnë për ta rolin e madlenës së Prustit, që sublimon çdo aromë dhe shije që u vjen nga vendi që kanë lënë pas.

Është kjo qasje që shpesh i bën objekte të vënies në lojë, sepse atdheu i tyre ideal, nuk është atdheu të cilin ne jetojmë përditë. Sepse rrëfimi i tyre është krejtësisht emocional dhe i tjetërsuar.

Por, po aq sa nuk është e vërtetë kjo Shqipëri e idealizuar e pikturuar kësisoj, po aq nuk është real edhe shpëtimi prej saj përmes largimesh te bujshme, që vizatojnë të kundërtit e tyre.

Pikërisht ata që janë vënë së fundi në qendër të debatit duke deklaruar publikisht se shpëtimi gjendet larg këtij vendi të pajetueshëm.

Në të dyja rastet, qëndrimet e tyre nuk ia vlejnë të bëhen pjesë e debatit publik, as të hipotekohen si fakte të vërteta, as të privatizohen nga grupime të ndryshme shoqërore.  Ato nuk kanë asnjë vlerë më shumë sesa atë të një përjetimi personal.

Zhurma e krijuar nga shpallja e disa largimeve të bujshme nga vendi, nuk është asgjë më shumë se pasojë e një vere të nxehtë dhe pa lajme. Sepse imazhin e Shqipërisë që njohim nuk mund ta ndryshojnë emocionet momentale të askujt. (Lapsi.al)

Përplasje te PDIU/ Deputeti akuzon Shpëtim Idrizin: Është dembel, të dorëhiqet si kryetar

Posted: 07 Aug 2017 07:42 AM PDT

Deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, në një intervistë për gazetën Panorama, ka analizuar humbjen e PDIU-së në zgjedhje.

Sipas Rakipit, përgjegjësia për humbjen e mandatit të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi në Tiranë është përgjegjësi e vetë Idrizit, i cili sipas tij është dembel.

Rakipi ka thënë se Idrizi duhet të japë dorëheqjen për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet e 25 qershorit.

"Për mos hyrjen e Shpëtim Idrizit në Parlament, nuk bëj përgjegjës njerëzit se sa vetë kryetarin. Kryetari arsyet e humbjes duhet t'i kërkojë te vetja. Në fushatë po nuk dole t'i takosh njerëzit kudo që të jenë, po nuk shkove t'i respektosh në komunitetet e tyre, në shtëpi, në biznese, njerëzit nuk të mbështesin, sepse ata nuk të shohin më si kryetar partie, por të vlerësojnë nga marrëdhënia njerëzore direkte që ti krijon. Nuk ka më bastione, sidomos me partitë e vogla.

Pse nuk na ka votuar komuniteti çam në Tiranë? Ne këtë duhet të analizojmë.

Si politikan Shpëtim Idrizin, unë do ta klasifikoja si 10 më të mirët e Parlamentit. Është pak dembel dhe kjo na ka dëmtuar pak. Kështu nuk ecet më tutje. Kryetari duhet të jetë më i drejtpërdrejtë, më i komunikueshëm me njerëzit.

Do të diskutojmë brenda partisë se si do të zgjidhet ky ngërç. Për shkak të rezultatit, edhe kryetari mund të japë dorëheqje", tha ndër të tjera Rakipi.

Kur Lady Diana u përball me Camilla-n: Për ty dhe Charles do të jetë një ferr

Posted: 07 Aug 2017 07:21 AM PDT

Pak ditë para 20-vjetorit të vdekjes së Lady Dianës, "Channel 4" transmetoi imazhet e Princeshës së Uellsit, të cilat Britania e Madhe kishte refuzuar t'i shihte deri më tani.

Xhirimet e realizuara nga Peter Settelen, aktori që trajnonte Dianën për fjalimet në publik, ishin përvetësuar nga shërbyesi Paul Burrell pas vdekjes së saj dhe nuk ishin shfaqur kurrë, për shkak të deklaratave pikante të Dianës për familjen mbretërore.

 

Xhirimet u përfshinë në dokumentarin e ri për Princeshën e ndjerë të Britanisë së Madhe, "Diana: In Her Own Words", që mbërtheu miliona shikues përpara ekranit mbrëmjen e së dielës. Shfaqja e tyre ka nxitur polemika të ashpra në vend dhe është kundërshtuar edhe nga vetë vëllai i Dianës, Charles Spencer.

Në xhirimet sekrete, Diana flet për traumat e pësuara në fëmijëri, që sipas saj kanë qenë burim i të gjitha pasigurive të saj.

Princesha rrëfen se prindërit kishin qenë shumë të ftohtë, e zhvlerësonin vazhdimisht dhe nuk i kishin thënë kurrë që e donin. Ajo flet edhe për një prej të dashurve të saj, truprojën Barry Mannakee.

"Atë e shkarkuan nga puna dhe 3 javë pasi u largua u vra në një aksident me motor. Ai ishte dashuria më e madhe e jetës sime", rrëfen Diana në xhirime.

Pjesët më pikante të regjistrimeve kanë lidhje me familjen mbretërore. Diana kujton se ishte zënë shpesh me të shoqin, pasi Camilla qëndronte gjithmonë pranë tij, e shton se Charles i ishte përgjigjur se nuk mund të ishte ai, i vetmi Princ i Uellsit pa një dashnore.

Për Camillën tregon se e terrorizonte dhe se gjatë një feste ishte përballur me të, duke i thënë se ishte në dijeni të historisë së tyre dhe do ia kthente lidhjen në një ferr.

"Ajo më terrorizonte. Iu afrova dhe i thashë: E di atë që po ndodh mes teje dhe Charles dhe doja që ta dije. E dua burrin tim. Më vjen që u jam nëpër këmbë, por për ju të dy do të jetë një ferr. E di atë po ndodh, mos më trajtoni si një idiote".

Sa i përket jetës seksuale, Diana rrëfen se fillimisht kryente marrëdhënie me të shoqin vetëm një herë në 3 javë, siç thotë ajo, ndoshta sa për zakon.

"Me Charles bëja seks njëherë në tre javë. Ndoshta një zakon, meqë ai takonte njëherë në tre javë edhe Camilla-n"

Diana e konsideronte Princin Philip një armik, e thotë se ai i kishte thënë Charlesit se, nëse martesa me të nuk do të funksiononte mund të kthehej te Camilla.