INSAJDERI: “Thellohen marrëdhëniet e Serbisë me Turqisë, pritet vizita e Erdoganit” plus 19 more

INSAJDERI: “Thellohen marrëdhëniet e Serbisë me Turqisë, pritet vizita e Erdoganit” plus 19 more


Thellohen marrëdhëniet e Serbisë me Turqisë, pritet vizita e Erdoganit

Posted: 07 Aug 2017 09:37 AM PDT

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka biseduar sot në Beograd me nënsekretarin e Shërbimit Informativ Kombëtar turk Hakan Fidanin rreth sfidave të sigurisë ndërmjet të dy vendeve.

Ata kanë folur edhe për krizën e migrantëve të cilët Europën Perëndimore e synojnë përmes Turqisë e Serbisë.

Vuçiq e ka lutur zyrtarin turk që kryetarit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan t'ia përcjellë ftesën për vizitë në Serbi.

Edhe pse në kumtesën zyrtare që e përcjell tanjug nuk theksohet, vizita e Fidanit në Beograd me siguri ka të bëjë me përgatitjen e vizitës së Erdoganit në Serbi, e cilat, sipas medieve serbe, pritet të realizohet brenda tre muajsh.

Fidan konsiderohet njeriu numër 2 në Turqi dhe bashkëpunëtor kryesor i Erdoganit. Kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se përmes Fidanit Erdoganit iu dërgua ftesa për qëndrim zyrtar në Beograd.

Medie serbe njoftojnë se bashkë me Erdohanin në vizitë në Beograd të jenë edhe 150 biznesmenë turq.

The post Thellohen marrëdhëniet e Serbisë me Turqisë, pritet vizita e Erdoganit appeared first on INSAJDERI.

Restoranti i dasmave ku janë vendosur dy kthesa politike

Posted: 07 Aug 2017 09:29 AM PDT

Është një restorant i zakonshëm i dasmave në Kosovë por brenda vitit aty kanë ndodhur dy ngjarje që kanë luajtur rol përfundimtar në dy momente politike.

Në të parin është marrë një vendim i politikës lokale ku  i është hapur rrugë fitores së sigurt një kandidati për kryer komune ndërsa në të dytin është marrë vendim që mund të formojë Qeverinë e Kosovës.

Quhet "Nobel" dhe është gjendet në Drenas.

Ngjarja e parë politike në këtë restorant kishte ndodhur në nëtor të vitit të kaluar, kur anëtari i PDK-së në Drenas, Naim Bazaj, kishte thirrur elektoratin e vet për të paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit, duke paralajmëruar kështu ndarjen e kësaj partie, që kishte kandiduar Ramiz Lladrovcin për këtë pozitë.

Naim Bazaj tradhton elektoratin: I thërret në tubim si kandidat i pavarur, paraqitet me Kadri Veselin

Por Bazaj ishte paraqitur në këtë restorant me Kadri Veselin, dhe në vend që të paraqiste kandidaturën e tij si i pavarur tha se është tërhequr nga gara. Kësisoj PDK-ja nuk u nda dhe Lladrovci u bë kryetar komune, ani pse fitorja e tij erdhi tek pas balotazhit.

Kjo ngjarje kishte ngjallur debat dhe ishte bërë kryetemë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, pasi  njerëzit aty kishin fishkëlluar shefin e PDK-së, Kadri Veseli dhe të zgjedhurin e tij për kryetar komune, Ramiz Lladrovcin.

Vendimi i dytë që është marrë në këtë restorant ka ndodhur të enjten e kaluar. Një këngëtar i muzikës turbo-folk që arriti të bëhej deputet me partinë Aleanca Kosova e Re, u bë faktor për formimin e Qeverisë së re.

Labinot Tahiri ka lënë mikrofonin për më shumë se gjysmë ore për të negociuar me Adem Grabovcin.

Grabovci kishte dy kërkesa për këngëtarin turbofolk: ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn për kryeministër.

Grabovci nxjerr Labin nga dasma – i kërkon votën për Veselin e Haradinajn

Insajderi ka mësuar së të enjten më 4 gusht në ora 21 e 15, Grabovci është shfaqur në restorantin "Nobel" në Drenas në dasmën e Binak Gashit nga Klina ku ka takuar deputetin e AKR-së që është në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, Labinot Tahirin nga i cili po kërkohet që të votojë për koalicionin PAN.

"Labinot Tahiri ka qenë duke kënduar kur ka ardhur Adem Grabovci. Grabovci e ka nxjerr Tahirin nga dasma dhe kanë dalë jashtë për të biseduar. Në bisedë i është kërkuar që ta votojë Veselin e Haradinajn", ka thënë një burim nga kjo dasmë.

Tahiri e ka konfirmuar takimin me Grabovcin dhe kërkesën e tij për ta votuar Veselin dhe Qeverinë Haradinaj. Ka thënë se mezi po pret që ta shoh Haradinajn duke udhëhequr Qeverinë e Kosovës.

Tahiri ndërkohë ka lënë të kuptohet se në seancën e ardhshme do të votojë për Veselin dhe Haradinajn.

"Krejt varet prej vullnetit qysh e kom edhe qysh i shoh interesat e institucioneve. Hala s'jom i përcaktuar. Vullneti jem është me qenë ai (Haradinaj v.j.) kryeministër edhe e di që e gjithë klasa politike kanë mu gëzu kur të bëhet ai kryeministër", ka shtuar Labinot Tahiri.

Kësisoj, Tahiri me votën e tij bënë shumicën e thjeshtë të PAN-it për të qeverisur. Pas rreshtimit të Teuta Rugovës në krah të PAN-it, vota e Tahirit është e 61-ta e PAN-it./Insajderi.com

 

The post Restoranti i dasmave ku janë vendosur dy kthesa politike appeared first on INSAJDERI.

Versioni i Haradinajt për takimin me Grabovcin dhe dy sekserët e PAN-it

Posted: 07 Aug 2017 09:02 AM PDT

Daut Haradinaj ka mohuar të ketë qenë ai njëri nga personat që ka vendosur fatin politik të deputetës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova. Deputeti i zgjedhur nga radhët e AAK-së ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e bindjes së Rugovës për votimin e Ramush Haradinajt për kryeministër.

Insajderi ka raportuar sot për takimin mes ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deputetit të AAK-së dhe vëllait të Ramush Haradinajt, Dautit, ish-ministrit Dardan Gashi dhe djalit të vogël të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukës.

Burimet e Gazetës Insajderi kanë treguar se ky grup ka pasur rolin kryesor që Teuta Rugova të rreshtohet në anën e PAN-it, siç edhe ka ndodhur në seancën e parë konstituive që dështoi në mungesë të numrave të koalicionit të PDK-së.

Në një reagim në Facebook, Daut Haradinaj nuk ka mohuar të jetë takuar me tre personat e tjerë, por ka thënë se ai, Grabovci, Gashi dhe Ukë Rugova nuk kanë biseduar për fatin politik të Teuta Rugovës.

“Unë mund t’iu them se unë e filanat e fistekët që janë zënë në gojë, këtë gjë e kemi marrë vesh nga mediat. Kaq kemi qenë të përzier në këtë proces. Po ‘rrena e marrja, hala nuk e kanë çelë varrë kërkend në këtë vend'”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk do të merret me ato që ai i ka quajtur “shpifje të flliqta”.

“Veç vazhdoni se një ditë do të turpëroheni nga fjalët e rrenat tuaja, sepse unë kam punë me të mençur, se sa të merrem me denoncimin e shpifjeve të flliqta që bëni”, ka deklaruar deputeti i AAK-së./Insajderi.com

The post Versioni i Haradinajt për takimin me Grabovcin dhe dy sekserët e PAN-it appeared first on INSAJDERI.

Kërkohet ndërhyrja e Thaçit për zgjidhjen e ngërçit të ri politik

Posted: 07 Aug 2017 08:43 AM PDT

Përveç një takimi këshillues që është caktuar për të mërkurën dhe caktimit të datës për vazhdimin e seancës më 10 gusht, nuk është parë ndonjë iniciativë tjetër nga askush, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e krijimit të institucioneve.

Deri sa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes partive politike, që nuk bien dakord të zgjedhin kryetarin e ri të organit ligjvënës, analistët politikë mendojnë se Presidenti i vendit është ai i cili duhet të marrë nismën për gjetjen e një zgjidhjeje.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth gjendjes së tanishme, nuk japin shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e situatës.

Ai mendon se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të thërrasë drejtuesit e partive politike dhe të mos humbet kohë.

"Në kushte normal do të duhej të ishte Presidenti sepse edhe me Kushtetutë ai e ka detyrën e sigurimit të mbarëvajtjes së shtetit kur kemi kriza të tilla. Po duke pas parasysh që zoti Thaçi vjen nga subjekt politik partiak, në këtë rast PDK-ja, kam dyshimin që partitë tjera të cilat e kundërshtojnë PDK-në nuk e kanë besimin të zoti Thaçi, i cili do të mund të luajë një rol neutral në këtë rast për tejkalim nga kriza", tha Ibrahimi.

Megjithatë, ai thotë se partitë politike duhet ta dinë se në sistemin parlamentar dhe zgjedhor të cilin e ka Kosova, pa një kompromis nuk mund të shkohet përpara, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.

Ibrahimi ndërkaq shprehet se në rast se nuk do të ketë zgjidhje të problemeve, mund të ketë edhe ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar.

"Duke u nisur nga kjo, mbetet që faktori ndërkombëtar të mund të luajë një rol, mirëpo kemi parë që edhe faktori ndërkombëtar në katër pesë vitet e fundit nuk ka pasur apetit për tu kyçur në situata të tilla. Pra, u mbetet fatkeqësisht, në fund të fundit, partive politike që të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të tejkalohet kjo. Apo ndoshta të shkohet edhe në zgjedhje, por prapë nuk mendoj se zgjedhjet do të sjellin një rezultat që do të lehtësonte formimin e institucioneve. Pra, është një situatë ku pa u arritur një lloj kompromisi mes partive politike nuk shoh se si mund të dilet nga kjo gjendje", tha Ibrahimi.

Analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike, derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe.

Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike.

Edhe ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t'i ftojë partitë politike për të biseduar.

"Iniciativën duhet ta marrë ndoshta Presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]", vlerëson Maliqi.

Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.

"Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete, ndoshta mundet që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë Qeverinë", konsideron Maliqi.

Brenda pak vitesh në Kosovë janë duke u përsëritur krizat të ngjashme politike dhe vonesa rreth krijimit të institucioneve të reja pas mbajtjes se zgjedhjeve.

Analistët thonë se kjo tregon që Kosova si shtet ende nuk po mund të dëshmojë se mund të bëj veprime të rëndësishme për vete.

Edhe qytetarët mendojnë se për të dalë nga kjo situatë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet vet partive politike që kanë fituar të drejtën për të qene pjesë e Kuvendi të Kosovës.

Qazim Imeri nga Prishtina, i cila ka punuar në Fakultetin e Bujqësisë, mendon se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kriza rreth krijimit të institucioneve të reja.

"Më e mira është që forcat politike të merren vesh, mirëpo ne shqiptarët të tillë jemi, nuk lëshojmë pe. Mendoj se përsëri do të ulen do të bisedojnë dhe do të gjejnë ndonjë zgjidhje se çdo hap tjetër na çon kah e keqja. Nëse nuk lëshon pe askush, duhet të shkohet në zgjedhje të lira. Edhe Presidenti është i përfshirë në këto gjëra, qoftë direkt ose indirekt. Ka elemente që është involvuar direkt", tha Imeri.

Kurse, Besa Hoxha thotë se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte ndryshimi i udhëheqësve politikë në vend.

"Një zgjidhje është që të gjithë komplet këta të japin dorëheqje dhe të vijë një strukturë tjetër. Kurse, Presidenti është fajtori kryesor", tha shkurt Hoxha.

Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni. /REL

The post Kërkohet ndërhyrja e Thaçit për zgjidhjen e ngërçit të ri politik appeared first on INSAJDERI.

Oda Ekonomike paraqet Daut Demakun si transformues ekonomik dhe social të vendit

Posted: 07 Aug 2017 08:42 AM PDT

Oda Ekonomike e Kosovës nesër iu jep fund problemeve të biznesit kosovar. Safet Gërxhaliu, drejtues i kësaj ode e ka marrë përsipër ta orientoi frymën e biznes-bërjes kosovare me pozitivizëm. Për ligjëratë e ka ftuar njohësin e teorisë së pozitivitetit, Daut Demakun.

"Ju njoftojmë se nesër e Marte date 08.08.2017 ne ora 11:00 ne lokalet e Odes Ekonomike te Kosoves mbahet konferenca për media me temen:"Aktualiteti  politiko – ekonomik ne Kosove dhe mundesia e transformimit pozitiv te shoqerise".  Nje çasje me ndryshe, dimensione pozitive dhe optimizem  nga z. Daut Demaku, udhehequr nga Kryetari i Odes Ekonomike te Kosoves z. Safet Gerxhaliu", thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike (që ka mungesë edhe të shkronjës "ë").

Gërxhaliu e Demaku, për idetë e tyre mbi pozitivizmin presin që të kenë të pranishëm "përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, korit diplomatik si dhe të mediave", thuhet në komunikatën e tyre, raporton Express

Edhe katër vite më parë Safet Gërxhaliu e Daut Demaku ishin ulur bashkë, e madje kishin nënshkruar edhe një memorandum i pari si përfaqësues i Odës Ekonomike e Demaku si përfaqësues i Institutit Amerikan për Mendim Pozitiv.

Gërxhaliu atë botë kishte konstatuar se "bagazhi intelektual që ka me vete Instituti në fjalë është një mundësi e re për motivim, është një motivim i ri për shpresë-dhënie të punëtorëve dhe mbi të gjitha largim i brengave të përgjithshme nga pronarët e kompanive", derisa  Demaku ndër të tjera kishte thënë bindshëm që: "Tash ka ardhur koha e veprimit pozitiv".

The post Oda Ekonomike paraqet Daut Demakun si transformues ekonomik dhe social të vendit appeared first on INSAJDERI.

Lista Serbe tregon nëse do të marrë pjesë në seancën e 10 gushtit

Posted: 07 Aug 2017 08:15 AM PDT

Deputetët e Listës Serbe kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës që është thirrur më 10 gusht.

Igor Simiq, deputet dhe zëdhënës i Listës Serbe tha se "ne këmbëngulim se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur".

Simiq ka shtuar se do të veprojnë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se votojnë për Kadri Veselin ose cilin do kandidat nga koalicioni PAN që propozohet për kryetar të Kuvendit.

"Unë personalisht mendoj që është në pyetje një lojë politike me të cilën po parandalohet formimi i institucioneve", ka thënë Simiq.

The post Lista Serbe tregon nëse do të marrë pjesë në seancën e 10 gushtit appeared first on INSAJDERI.

Zjarrvënie të qëllimshme për t’u paguar për shuarjen e flakëve

Posted: 07 Aug 2017 08:01 AM PDT

Policia italiane ka arrestuar 15 zjarrfikës vullnetarë në Siçili, të akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme në mënyrë që të përfitonin pagesa për shuarjen e tyre.

Hetimi ndaj këtij mashtrimi zbuloi se zjarrfikësit vullnetarë i kishin telefonuar numrit të emergjencave 115, ose u kishin kërkuar miqve dhe të afërmve për ta bërë diçka të tillë. Kreu i tyre thuhet që të ketë ndërruar enkas turnet e punës, në mënyrë që të lejonte vartësit e vet të shkaktonin zjarrvënien.

Ekipi në fjalë në rajonin e Raguzës u vu nën dyshim në momentin kur nisën të thirreshin për ndihmë më shpesh nga të tjerët. Secili prej tyre paguhej me 10 euro për orë pune.

Italianët po përjetojnë valën më të nxehtë të kohëve të fundit, me temperatura që shkojnë mbi 40 gradë dhe që ndihen deri në 55 gradë Celsius, dhe të ndikuar nga thatësira janë ndeshur shpesh me zjarre.

Spanja, Portugalia, jugu i Francës dhe vendet e Ballkanit janë përballur gjithashtu me temperatura tej normales në këtë verë të nxehtë. Media italiane raporton se shumica e 15 zjarrfikësve vullnetarë janë arrestuar në Raguza dhe kanë pranuar zjarrvënien e qëllimshme. Raguza është një rajon në jug të Siçilisë, rreth 105 km larg Katanias.

The post Zjarrvënie të qëllimshme për t'u paguar për shuarjen e flakëve appeared first on INSAJDERI.

3.2 për qind e anëtarësisë së VV-së nuk e do Ahmetin kryetar të Prishtinës

Posted: 07 Aug 2017 07:48 AM PDT

Të dielën, në 34 vendvotime në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Prishtinës anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje ka votuar për kandidatin për kryetar komune të Prishtinës.

Në njoftimin për media të Vetëvendosjes, thuhet se "pas verifikimit të votave në këto vendvotime nga Komisioni Ad hoc Zgjedhor i Qendrës së Prishtinës dhe pas skadimit të afatit për ankesa, ky komision shpall rezultatin final: 96.8% kanë votuar 'Për', 3.2% kanë votuar 'Kundër'".

Bazuar në këtë rezultat, Shpend Ahmeti zyrtarisht zgjidhet kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës në zgjedhjet lokale 2017.

The post 3.2 për qind e anëtarësisë së VV-së nuk e do Ahmetin kryetar të Prishtinës appeared first on INSAJDERI.

Dembele dëshiron të transferohet tek Barcelona

Posted: 07 Aug 2017 07:37 AM PDT

Ousmane Dembele dëshiron të transferohet nga Borussia Dortmund tek Barcelona, raporton mediumi gjerman Sky Sport.

Sipas asaj që shkruan Sky Sport, francezi është në pritje që Borussia dhe Barcelona të arrijnë marrëveshjen mes vete për transferimin e tij, derisa vet lojtari ka shprehur pëlqimin e tij për transferimin.

Transferimi i Dembeles nga Borussia Dortmund tek Barcelona pritet të kushtojë rreth 90 milionë euro.

Futbollisti i Dortmundit shihet si zëvendësuesi idel i brazilianit Neymar tek Barcelona. /Insajderi.com

The post Dembele dëshiron të transferohet tek Barcelona appeared first on INSAJDERI.

Kryetari i Prishtinës citohet në librin e Michael Bloomberg

Posted: 07 Aug 2017 07:19 AM PDT

Shpend Ahmeti citohet në librin e Micheal Bloomberg. Kryetari i Komunës së Prishtinës është përmendur në librin më të ri të publikuar nga ish-kryebashkiaku i New Yorkut në bashkëpunim me Carl Pope.

Ahmeti, në rrjetin social Twitter ka publikuar një fotografi të librit "Climate of Hope"(Klima e Shpresës) nga autorët Michael Bloomberg dhe Carl Pope, teksa ka njoftuar se është cituar nga Bloomberg në këtë libër.

“Pranova librin e ri të ish kryetarit të New York, Michael Bloomberg, Climate of Hope. Befasi e këndshme ishte që isha i cituar”, ka shkruar Ahmeti në Twitter, raporton Insajderi.

I pari i Prishtinës ishte takuar ish-kryebashkiakun e New Yorkut në vitin 2015, pasi të dy kishin marrë pjesë në një seminar të quajtur "Compact of Mayors". Në këtë seminar kishin marrë pjesë një numër i madh i kryetarëve të kryeqyteteve të botës. /Insajderi.com

The post Kryetari i Prishtinës citohet në librin e Michael Bloomberg appeared first on INSAJDERI.

Nga zjarri në një shtëpi humbin jetën 5 fëmijë në Rusi

Posted: 07 Aug 2017 06:58 AM PDT

Autoritetet e Rusisë thonë se pesë fëmijë janë në mesin e nëntë personave, që kanë humbur jetën nga zjarri në një shtëpi sot herët në mëngjes në Republikën Bashkortostan.

Ministria rajonale e shëndetësisë ka njoftuar se zjarri kishte shpërthyer në një shtëpi në fshatin Uguzevo, aty kah ora 2 e mëngjesit të sotëm.

Zjarrfikësit i shpëtuan tre njerëz, dy prej të cilëve janë dërguar në spital. Zjarri u fik aty kah ora 6:30 në mëngjes.

Dega rajonale e Komitetit Hetues të Rusisë ka njoftuar se një defekt në telat elektrikë ka mundur ta shkaktoj zjarrin.

The post Nga zjarri në një shtëpi humbin jetën 5 fëmijë në Rusi appeared first on INSAJDERI.

Gazetarja gjermane mund të dënohet me mbi 15 vjet burgim në Turqi

Posted: 07 Aug 2017 06:55 AM PDT

Gazetarja gjermane, Mesale Tolu Corlu, mund të dënohet me mbi 15 vjet burgom nëse shpallet fajtore për akuza të lidhura me terrorizmin, njoftoi agjencia e lajmeve, ETHA, duke cituar avokatin e saj.

Tolu, gazetare dhe përkthyese për ETHA, u arrestua më 30 prill në apartamentin e saj në Stamboll, dhe përballet me akuza për propagandë terroriste dhe për anëtarësim në një organizatë terroriste.

Tolu ka nënshtetësi gjermane, jo si Deniz Yucel, i cili ndodhet i burgosur në Silivri.

Yucel, korrespondent i gazetës gjermane "Die Welt", ndodhet i burgosur që nga muaji shkurt, përcjell Atsh.

Gjykimi kundër Tolu pritet të fillojë më 11 tetor.

Gjermania ka kërkuar lirimin e Tolus, Yucelit si edhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Peter Steudtner.

The post Gazetarja gjermane mund të dënohet me mbi 15 vjet burgim në Turqi appeared first on INSAJDERI.

Partitë politike ‘mbyllin sytë’, nuk paguajnë gjobat

Posted: 07 Aug 2017 06:46 AM PDT

Asnjë parti politike në Kosovë nuk do të mund të garojë në zgjedhjet lokale, nëse deri më 22 gusht nuk shpaguhen gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Për shkelje të kodit të mirësjelljes, partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ishin gjobitur nga PZAP me rreth 350 mijë euro.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se asnjëra nga subjektet politike nuk ka shlyer të gjitha borxhet.

"Në bazë të një vendimi, të gjitha subjektet të cilat janë dënuar nga PZAP, afatin për pagesën e gjobave e kanë pasur deri më 15 dhjetor, por që tani pasi që jemi në prag të zgjedhjeve lokale, afati i fundit për të bërë pagesën është 22 gushti. Subjektet politike të cilat dëshirojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk mund të certifikohen pa i paguar gjobat", ka thënë Desku.

Deri më tani, ka shtuar Desku, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, (koalicioni PAN), ka paguar vetëm rreth 12 mijë euro nga mbi 150 mijë euro sa është gjobitur, kurse subjektet tjera nuk kanë paguar asnjë gjobë.

Desku ka thënë se pas datës 22 gusht do të angazhojë përmbarues privatë për të gjitha gjobat të cilat mund të mbesin të papaguara nga subjektet politike.

"Do të presim datën 22 gusht, nëse këto borxhe nuk shlyhen do të fillojmë menjëherë paralajmërimin e subjekteve politike apo koalicioneve që nuk i kanë shlyer borxhet, dhe pastaj të gjitha lëndët do t'i dërgojmë tek zyra e përmbaruesit privat, pastaj përmbaruesi privat do të ketë punë për t'i përmbaruar apo arkëtuar këto gjoba", ka theksuar Desku.

Afati i aplikimit për certifikim të subjekteve politike për zgjedhjet lokale në Kosovë ka filluar, dhe pritet të mbyllet më 22 gusht.

Zëdhënësit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më tani asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për certifikim.

"Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është 22 gushti, deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetar të komunave dhe për kuvende komunale, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë aplikim, por ka pasur interesim për mundësinë e aplikimit për tu certifikuar për pjesëmarrjen në këto zgjedhje", thotë Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shtuar ai, do të pret aplikimet nga ana e subjekteve politike dhe pastaj do të shqyrtohen, do të bëhen rekomandimet dhe KQZ vendos për certifikim.

Autoritetet në vend thonë të kenë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më datën 22 tetor 2017.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës dhe ato pritet të zgjedhin kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

The post Partitë politike ‘mbyllin sytë’, nuk paguajnë gjobat appeared first on INSAJDERI.

PAN: Kryesuesi i kuvendit në shërbim të një subjekti politik

Posted: 07 Aug 2017 06:37 AM PDT

Koalicioni PDK-AAK-Nisma për Kosovën kanë reaguar pas thirrjes së deputetit, Adem Mikullovci për thirrjen e seancës e cila do të mbahet me 10 gusht.

Përmes një njoftimi koalicioni PAN është shprehur se ky është një vendim i një anshëm dhe se "kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare", shkruan Insajderi.

"Ky vendim i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare", thuhet ndër tjerash në njoftimin e tyre.

Ata kanë njoftuar se qëndrimi i tyre vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00.

Ata kanë theksuar se kanë përkrahen e shumicës së subjekteve politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. /Insajderi.com

 

The post PAN: Kryesuesi i kuvendit në shërbim të një subjekti politik appeared first on INSAJDERI.

“Mitrovica, ura dhe plumba” – tatuazhi i ri i Valon Behramit

Posted: 07 Aug 2017 06:31 AM PDT

I njohur si adhurues i tatuazheve, futbollisti shqiptar i kombëtares së Zvicrës Valon Behrami ka shtuar edhe një tatuazh në trupin e tij.

Teksa më parë e kishte vizatuar një shqiponjë dykrenore në trupin e tij, tani mesfushori i Watfordit ka bërë një tatuazh për Mitrovicën, qytetin e tij të lindjes, raporton Insajderi.

Behrami, tatuazhin e tij të fundit e ka shfaqur përmes fotove edhe në rrjetet sociale.

Një djalë i vogël që kalon nëpër Urën e Ibrit me një top para këmbëve, disa plumba poshtë urës dhe disa aeroplanë që fluturonin mbi qytetin e Mitrovicës janë stampuar në njërën nga këmbët e Behramit.

Behrami është futbollist i Watfordit në Angli, derisa më parë ka luajtur edhe në Itali me Napolin, Fiorentinën dhe Lazion. /Insajderi.com

The post "Mitrovica, ura dhe plumba" – tatuazhi i ri i Valon Behramit appeared first on INSAJDERI.

Shqiptari i parë që shkoi në Amerikë

Posted: 07 Aug 2017 06:22 AM PDT

Për shkak të kushteve politike, sociale dhe ekonomike shqiptarët e kanë njohur që herët emigracionin, e ndërsa vendet e afërta ishin ato që i tërhiqnin më së shumti , një vend përtej oqeanit shpejt filloj të zgjonte interesin e tyre.

Amerika e kthyer në ëndërr ka pritur që herët shqiptarë, që në vitin 1892 kur edhe aty ka shkuar shqiptari i parë.

I pari shqiptar që ka shkuar në Amerikë, ishte Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës në vitin 1884.

Pas gjashtë vjetëve, Kola u kthye në Katund i veshur me rroba alla frënga, me një kapelë luksoze, kollare të hekurosur dhe xhepat plot me para.

Ai u rrëfeu fshatarëve për ato që kishte parë në Botën e Re dhe se në Amerikë, një punëtor fitonte 10 dollarë në ditë, duke shitur lule e fruta në udhë, kur një punëtor në Shqipëri mezi i bënte në një vit.

Në vitin 1892, Kolë Kristofori u kthye prift në Boston me 17 shokë të këtij fshati që ishin më parë në kurbet në Rumani e Greqi.

Kështu, pionierët e parë shqiptarë në Amerikë janë: At. Kolë Kristofori, Hari Take Rrapo Laska, Dhoskë Sotir Adham, Thoma Sotir Adham, Josif Sotir Adham, Sotir Lezi, Geli Goni Stevenson, At Dhosi Katundi, Dhime Pano Peterson, Fani Kosta, Thoma Kosta, Hari V. Kaçka, Argjir Peto, Fani Cico Angjel, Dhima Andrea Pano, Rrapi Fanes, Toli Dhami.

The post Shqiptari i parë që shkoi në Amerikë appeared first on INSAJDERI.

Me 5 shtator bëhet shenjtërimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë

Posted: 07 Aug 2017 06:12 AM PDT

Me datë 5 shtator të këtij viti në Prishtinë do të ndodhë shenjtërimi i Katedrales "Nëna Terezë".

Ky është edhe veprimi i fundit i planifikuar që Katedralja të jetë në shërbim të qytetarëve dhe Zotit.

Don Lush Gjergji ka treguar se është i lumtur pasi edhe Papa Françesku ka caktuar tanimë të dërguarin e tij në këtë ceremoni që do të ndodhë në kryeqytet. Ernest Troshani është personi i cili është i dërguari përfaqësues nga Papa i Vatikanit, shkruan KultPlus.

Këtë 5 shtator bëhen gjithsej 20-të vite nga vdekja e Nënës Terezë, e cila vdiq në Kalkuta të Indisë.

Shtatorin e vitit të kaluar Nënë Tereza u shpall shenjtore në një ceremoni e cila u ndoq me interesim nga mbarë bota.

The post Me 5 shtator bëhet shenjtërimi i Katedrales 'Nënë Tereza' në Prishtinë appeared first on INSAJDERI.

Armë drejt Greqisë, policia shqiptare në ndjekje të 3 personave

Posted: 07 Aug 2017 06:08 AM PDT

Prej mbrëmjes së të dielës, Policia e Janinës është vënë në ndjekje të 3 personave, të cilët transportonin armë, granata, municione dhe lëndë eksplozive në 3 thasë pranë Doganës së Qafë Botës në territorin grek.

Sapo patrulla e Policisë Kufitare ka lokalizuar grupin prej 3 personash, që po lëviznin në brendësi të zonës së Thesprotisë, të cilët dyshohen se janë shtetas shqiptarë, u ka bërë thirrje të ndalojnë, por ata kanë hedhur thasët që bartnin dhe janë larguar në drejtim të kufirit me Shqipërinë, duke përfituar nga terreni malor dhe errësira.

Kur kanë hapur thasët, forcat policore kanë gjetur 3 automaktikë të tipit kallashnikov me 7 karikatorë, 11 granata, 33 detonatorë, 5 pllaka të lëndës eksplozive TNT me peshë rreth 1 kg, si dhe 1.593 fishekë etj.

Armët janë konfiskuar dhe janë dërguar në Laboratorin e hetimeve të Kriminalistikës së Greqisë së Veriut për analiza të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë së Janinës ka hapur një hetim për çështjen, ndërkohë që thuhet se janë informuar edhe organet shqiptare të Rendit.

The post Armë drejt Greqisë, policia shqiptare në ndjekje të 3 personave appeared first on INSAJDERI.

“Lufta” për kitaren e Kurt Cobain

Posted: 07 Aug 2017 06:03 AM PDT

Frances Bean Cobain e bija e vokalistit të ndjerë të Nirvanna, Kurt Cobain, është e përfshirë në ndarjen e martesës të nënës së saj, Courtney Love, pasi që kitara e babait është në rrezik t’i mbesë burrit më të cilin e ëma është në proces të divorcit.

Love dhe Isaiah Silva të cilët kanë qenë të martuar nga viti 2014, janë duke u kacafytur për pronësinë e kitarës së Kurt Cobain, rokerit më të njohur të të gjitha kohërave.

Silva, 32, është deklaruar se instrumentin e ka marrë dhuratë martese nga vet Courtney Love.

Çifti është duke u luftuar për pronësinë e kitarës që prej kur u ndanë në mars të vitit të kaluar.

Për këtë ka reaguar Frances, duke kërkuar që "thesari" i familjes t’i kthehet në shtëpi. /Insajderi.com

 

The post “Lufta” për kitaren e Kurt Cobain appeared first on INSAJDERI.

“Fabrika” që krijoi botën moderne

Posted: 07 Aug 2017 06:00 AM PDT

Bota ashtu siç e njohim sot, është projektuar në pjesën më të madhe në vitet dyzetë, në një vend pakëz të "marrë", ku mund të të ndodhte që të tç përplaste një shkencëtar që nxitonte me motoçikletë: ishin laboratorët e Bell të Murray Hill (New Jersey) dhe gjeniu që nxitonte me motoçikletë ishte Claude Shannon.

"Nëse kemi kompjuterë, cd, dvd, e mp3 i detyrohemi atij: Shannon ishte i pari që mendoi se të gjithë informacionet mund të reduktohen në sekuenca bit-ësh dhe që 0 dhe 1-shat janë të asociueshëm me gjendjen "fikur" dhe "ndezur" në qarqet elektrikë", shpjegon Jon Gertner, gazetar i New York Times dhe autor i një libri ("The Idea Factory: Bell Labs and the Great Age of American Innovation").

Gertner rindërton historinë e qendrës së kërkimeve ku, mbi të gjitha mes viteve 1925 dhe 1984 u ndërtua e ardhmja e botës: "Pa laboratorët Bell nuk do të kishim elektronikë: tranzistori u realizua aty në dhjetor të vitit 1947".

Në po të njëjtin muaj, një punëtor me emrin Doug Ring, në një memorandum të titulluar "Telefonia e lëvizshme: mbulimi i zonave të mëdha" sugjeroi një sistem radiofonie të formuar nga shumë antena me fuqi të ulët, të vendosura përgjatë në rrjeti hekzagonal, domethënë embrioni i telefonisë celulare.

Bill Gates ka thënë që, po të kish patur një makinë të kohës, destinacioni i tij i preferuar do të kish qenë ai muaj, ai vit, ata laboratorë. Sekreti i laboratorëve Bell? Monopoli i telekomunikacionit në kompaninë AT&T që mbulonte 90 përqind të territorit amerikan i bënte Laboratorët Bell qendrën e kërkimit më të financuar të të gjithë kohëve.

Në fakt, kur në vitin 1984 AT&T u nda, pas ndërhyrjes së antitrustit të SHBA ndaj disa kompanive, dhe laboratorët Bell u ridimensionuan shumë, patën më pak financime dhe projektet e tyre u bënë më pak ambiciozë krahasuar me ata të epokës së artë.

"Në atë epokë, shkencëtarët e Laboratorëve Bell mund t'u dedikoheshin projekteve shumë afatgjatë, gjë që sot është e rrallë. Studiuesit në universitete të llojit nuk punojnë mbi probleme praktikë, siç bënin shkencëtarët e Laboratorëve Bell.

Dhe kërkimet privatë punojnë vetëm për gjëra që sjellin të ardhura ekonomike afatshkurtëra", shpjegon Gertner.

"Sot, prototipi i shpikësit që punon në Sillicon Valley është i ri në moshë, orientuar nga programet kompjuterikë, në gjendje të lëvizë me shpejtësi duke u mbështetur tek venture capital. Siç ka thënë Mark Zuckerberg në lidhje me qasjen e Facebook ndaj inovacionit: "Lëviz me shpejtësi dhe prishi gjërat që lë pas".

Ndërsa Laboratorët Bell ishin të formuar nga njerëz që reflektonin dhe ndërtonin. "Si Clinton J. Davisson, shkencëtar në mërgim të cilit ishte e pamundur t'i ngarkoje studime që nuk përkonin me interesin e tij të pastër kërkimor. Fitoi Cmimin Nobel për zbulimin e natyrës me valë të materies", thotë Gertner.

Ndërsa James Fisk ishte 30 vjeç kur, në vitin 1940, iu besua drejtimi i projektit të prodhimit të radarit për ushtrinë. "Qeveria vuri 3 miliardë dollarë për radarin dhe 2 miliardë për bombën atomike, dhe janë të shumtë ata që thonë se radari fitoi luftën, ndërsa bomba atomike e përmbylli. Barra nuk e vuri përfund Fiskun, që në hapësirat e mëdha të Laboratorëve Bell luante sikur zbriste shkallë imagjinare prapa tryezave të punës, me një lojë të muskujve të këmbëve".

Pastaj ishte William Shockley, fitues i Cmimit Nobel në 1947 për tranzistorin. "I apasionuar pas lojërave prej prestigjatori, në mbledhjet më të tensionuara bënte të shfaqeshin nga asgjëja topa, apo tufa me lule", rrëfen Gertner.

Në vitin 1940 iu ngarkua nga qeveria detyra që të studionte nëse mund të kishte një përdorim për luftë të uraniumit.

Bëri llogaritë e tij në bashkëpunim me Fisk dhe u përgjigj se me uraniumin në gjendje natyrore nuk mund të bëhej shumë, por po të bëheshin bashkë pirgje uraniumi të përgatitur në mënyrë speciale mund të krijohej një reaksion.

Qeveria nuk i lejoi që të patentonte atë që kishte ideuar, domethënë reaktorin bërthamor, për arsye se Enrico Fermi kishte mbërritur tashmë në të njëjtët konkluzione".

Më pas, emri i Shockleyt rikthehet tragjikisht në histori: ishte ai që prodhoi vlerësimet për humbjet e ushtrisë në rast të pushtimit të Japonisë, që e shtyu Trumanin të përdorte armën bërthamore.

Por gjithmonë nga Laboratorët Bell erdhi edhe shfrytëzimi i energjisë diellore. Bateria e parë diellore me silikon i përket vitit 1956: Pearson, Fuller dhe Chapin arritën të ushqejnë një telefon për gjashtë muaj. Por kushtonte shumë.

Kush janë sot trashëgimtarët e laboratorëve Bell? "Janelia Farm, kampus për kërkimet biomjekësore e Howard Hughes Institute në Uashington, inauguruar në vitin 2006, ka financime disa miliardë dollarëshe dhe është ndërtuar sipas modelit të laboratorëve Bell, me 400 studiues të cilëve u është dhënë liri maksimale", shpjegon Gertner.

"Pastaj është Google, ku inxhinierët mund t'i dedikojnë 20 përqind të kohës së tyre projekteve personalë, si dhe një divizion, Google X, që studion ide të së ardhmes, si automjete pa shofer, ashensorë për hapësirën apo robotë që shkojnë në zyrë në vendin tonë.

Së fundi, vende si Mit, apo Universiteti i Stanford janë ngahera djepe të mrekullueshëm për inovacionin". Por është kombinimi i gjeniut, studimit dhe ironisë së Bell që ndoshta nuk do të rikthehet kurrë më.

Mjafton të mendosh Makinën e Fundit të realizuar nga Shannon: një trung me një telekomandë për ndezje/fikje. Po ta aktivizoje, trungu hapej dhe prej aty dilte një krah mekanik. I cili e çonte sërish telekomandën tek "fikur" dhe tërhiqej pastaj i kënaqur. /New Scientist/

The post "Fabrika" që krijoi botën moderne appeared first on INSAJDERI.