Tirana Observer: “Ambasada e SHBA zbardh takimet e kongresmenëve: Temat që diskutuan me Metën dhe Bashën” plus 9 more |
- Ambasada e SHBA zbardh takimet e kongresmenëve: Temat që diskutuan me Metën dhe Bashën
- Patozi: Ta gëzojmë republikën e re të Edi Ramës!
- “Ai po ju thotë ikni, se po vijmë t’ju kapim”, Lubonja ironizon paralajmërimin e Ramës për bosat e drogës
- Ndikimi i vajit të kokosit tek dhëmbët
- Samiti në Podgoricë, kryeministri Rama takon zv/presidentin amerikan Pence
- Zjarret në Elbasan, Taulant Balla në terren
- Mbërriti në Angli me kamion, kuksiani i bën zbor sistemit të azilit
- Robotët e Facebook: E vërteta pas “historisë së frikshme”
- 8 vite me ish-velinën e Fiks Fare, reperi shqiptar bëhet romantik
- Zgjidhet pas 14 vitesh misteri i zhdukjes së adoleshentes
Ambasada e SHBA zbardh takimet e kongresmenëve: Temat që diskutuan me Metën dhe Bashën Posted: 02 Aug 2017 10:32 AM PDT Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë ka zbardhur takimin e sotëm të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes dhe Rick Crawford me Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Deklarata e ambasadës amerikane: Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Devin Nunes dhe Rick Crawford vizituan Shqipërinë, ku u takuan me një sërë udhëheqësish për të diskutuar çështje të ndryshme, përfshirë aleancën e NATO-s, sigurinë rajonale, bashkëpunimin për mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit, si dhe marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vizitës së tyre, Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Nunes dhe Crawford u takuan me Presidentin Meta, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe zyrtarë të tjerë. Ata vunë theksin në rëndësinë e kontributit të Shqipërisë në luftën ndaj terrorizmit, rolin e vendit në stabilitetin rajonal dhe nevojshmërinë për zbatimin e reformave kyçe. |
Patozi: Ta gëzojmë republikën e re të Edi Ramës! Posted: 02 Aug 2017 10:00 AM PDT Nga Astrit Patozi Të ikin drejtorët e hipotekave, që të shuhet një herë e përgjithmonë fara e korrupsionit në këtë vend. Që të shërohet edhe vetë kryeministri bashkë me ministrat tij nga kjo sëmundje e rrezikshme. Të gjithë, pa përjashtim dhe pa dallim feje, krahine dhe ideje. Pastaj të japin dorëheqje deri nesër drejtorët e spitaleve, që të shpëtojmë Shqipërinë nga pisllëku, por edhe pacientët nga diagnozat e tyre. Pastaj, me radhë drejtorët e shkollave, që të shpërthejë dituria sheshit. E pas asaj, dihet botërisht që vjen gjithmonë begatia për të tërë. Më vonë, do t’i zëmë një nga e një, nëndrejtorë, shefa sektori, teknikë, juristë, financierë, sanitarë dhe rojtarë, sepse gushti është muaj qamet i gjatë dhe nuk i dalka fundi i dëgjesave të Edi Ramës. Të cilat duket sikur janë bërë enkas për t’u shpjeguar dëgjuesve arsyen se përse ata e votuan si pa mendje “timonierin” e tyre. Por meqë fushata ishte e shkurtër dhe e mbushur me anekdota me Lulzimin “çun të mirë”, ai nuk pati shumë kohë t’i sqaronte para, ndaj edhe po e bën tani, pasi zgjedhjet kanë mbaruar. Pastaj do të vijë shtatori dhe do të na shfaqet me tërë madhështinë e saj Republika e Re e Edi Ramës. E cila do të jetë pak a shumë ajo që premtonte gjatë epokës së çadrës Lulzim Basha. Por çfarë problemi ka se ai nuk do të jetë fare në timon? Rëndësi ka idea, jo njeriu. Tek e fundit, a nuk premtonte Lulzimi gjatë fushatës se do të shkarkonte edhe deputetët në mes të mandatit, nëse këta do t’ia bënin borxh popullit? Kishte gjetur edhe një fjalë amerikançe (recall) për ta bërë edhe më të besueshme shpikjen e vet. Tani nuk e thotë më, se nuk i del llogaria, por po e bën gjysma më e mirë e marrëveshjes së 18 majit, njësoj është. Kur ti i paske me laps emrat e deputetëve, që zgjidhen nga populli, pse u dashka që ai tjetri ta mbajë dorën për drejtorët? Ata që besuan tek ëndrra e Republikës së Re nuk duhet ta humbin shpresën nga humbja e rëndë e Lulzim Bashës më 25 qershor. Ajo po vjen me shtatorin. E vetmja gjë që ka ndryshuar është emri i timonierit. Por ky është detaj fare i parëndësishëm. |
Posted: 02 Aug 2017 09:49 AM PDT Analisti Fatos Lubonja i ftuar sot në rubrikën "Opinion" në studion e lajmeve në "News 24" komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, për një aksion të policisë kundër kanabisit. Rama tha se policia ka një listë me 124 emra. Por sipas analistit Lubonja, deklarata publike e kryeministrit duket si një paralajmërim për krerët e trafikut të kanabisit, në rast e është e vërtetë që policia i ka emrat e tyre. "Duket sikur ju thonë, ikni ore se do vijmë t'ju kapim",- komentoi Lubonja. Lubonja komenton edhe dyshimet nëse vatrat e zjarreve në terrene malore, ku është e pamundur ndërhyrja e zjarrfikësve, janë vepër e trafikantëve të kanabisit që të mund të hapin toka të reja për mbjellje. "Dikur thuhej se zjarret i vënë barinjtë, është një gjë e çuditshme që po shtohen, nuk e di nëse i bëjnë trafikantët me qëllim që të hapin toka për të mbjellë hashashin. Nuk e di sa e vërtetë është kjo. Mendoj që ndikon edhe thatësira. Di që Shqipëria ka problem me ruajtjen e territorit. Por nga ana tjetër di që Shqipëria filloi të ketë zona të caktuara ku njerëzit normalë nuk hynin dot se kontrolloheshin nga njerëzit e drogës",- shtoi ai. |
Ndikimi i vajit të kokosit tek dhëmbët Posted: 02 Aug 2017 09:21 AM PDT Sipas një studimi të bërë nga shkencëtarët irlandez, vaji i kokosit ka aftësinë për të mbytur bakteret që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve. Ata kanë testuar mostrat e vajit të kokosit në bakteret që janë përgjegjëse për erozionin dentar. Shkencëtarët rekomandojnë që vaji i kokosit duhet të jetë përbërësi kryesor në pastat e dhëmbëve dhe produktet e shpëlarjes së gojës. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur dhëmbët dhe gojën tuaj të mbrojtur nga bakteret e ndryshme. Kariesi dentar prek 60-90% të fëmijëve ashtu si edhe të rriturit. Shkencëtarët thonë se vaji i kokosit i kombinuar me aditivë të tjerë kimikë mund të përdoren në produktet e higjienës dentale për të mbajtur bakteret dhe substancat e tjera të dëmshme larg gojës dhe dhëmbëve dhe për të parandaluar prishjen e dhëmbëve. Përveç kësaj, vaji i kokosit ka aftësinë për të vrarë kërpudhën e cila është përgjegjëse për shkarkimin vaginal, ndjesinë e djegies kur urinojnë, dhe nganjëherë edhe dhimbje. |
Samiti në Podgoricë, kryeministri Rama takon zv/presidentin amerikan Pence Posted: 02 Aug 2017 08:48 AM PDT Kryeministri Edi Rama është takuar me zv/presidentin amerikan, Mike Pence, gjatë mbledhjes së organizuar në Podgoricë me liderët e Ballkanit në kuadër të Samitit të Kartës së Adriatikut. Mike Pence ndodhet prej dy ditësh në Mal të Zi, ku përveç takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi, Pence ka mbledhur në një takim edhe liderët e vendeve të Ballkanit, në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. |
Zjarret në Elbasan, Taulant Balla në terren Posted: 02 Aug 2017 07:36 AM PDT Përmes një statusi në "Facebook" deputeti socialist Taulant Balla shprehet se ka nisur puna për ndalimin e zjarrit në zonën e Krastës në Elbasan. I ndodhur në vendin ku ka rënë zjarri Balla bën më dije së ka njoftuar Ministrinë e Mbrojtjes për forcat e specializuar të ushtrisë, ndërkohë që është njoftuar dhe Emergjenca Civile për vënien në dispozicion të helikopterëve. Statusi i plotë: "Ka nisur puna per venien ne kontroll te zjarrit ne Kraste te Elbasanit. Nderkohe pas kerkeses per mbeshtetje drejtuar Ministrise se Mbrojtjes jane nisur forca te specializuara te ushtrise. Nderkohe i kerkova Emergjencave Civile edhe mundesine e perdorimit te helikoptereve zjarrfikes. Edhe bashkite fqinje me Elbasanin po dergojne ne ndihme sherbimet e tyre zjarrfikese."- u shpreh Taulan Balla.
|
Mbërriti në Angli me kamion, kuksiani i bën zbor sistemit të azilit Posted: 02 Aug 2017 06:26 AM PDT Një refugjat shqiptar përdori identitet të rremë si shtetas nga Kosova për të përfituar azil në Angli, por kjo ishte një përpjekje e dështuar. Pas 9 vitesh, ai riaplikoi, por me emrin e tij të vërtetë, duke përfituar lejen e qëndrimit. Por, cila është historia e Ermalit? 37-vjeçari mbërriti në Angli duke u fshehur brenda një kamioni, si shumë shqiptarë të tjerë. Ai i gënjeu autoritetet angleze, teksa tha se po ikte nga Kosova për shkak të luftës. Alijaj, nga qyteti i Kukësit, mbërriti në Britani të Madhe në vitin 2002. Ai deklaroi se ishte një refugjat kosovar, i quajtur Dejan Alia. "The Sun" shkruan se zyrtarët e azilit e kuptuan se shqiptari po mashtronte, por i dhanë atij një letërnjoftim me identitet të rremë, ku u shënua se ndalohej punësimi i tij. Gjithsesi shqiptari ka punuar në disa restorante në Midlands, ndërsa fitoi lejen e qëndrimit në 2011-ën. Edhe pse mashtrimi i tij u zbulua nga autoritetet, ai përfitoi duke përdorur një tjetër mënyrë. Këtë herë, njerëz të afërm të Ermalit, i nisën pasaportën e tij shqiptare, me të cilën ai kërkoi sërish azil. Kuksiani mori një leje qëndrimi, me kohë të pacaktuar, për shkak se rregullat e atëhershme të emigracionit ia lidhën "duart" autoriteteve. Vitet që shqiptari kishte kaluar në Angli, pavarësisht se ishte ilegal, dhe lidhjet që krijoi atje, duket se ishin çelësi i fitores për Ermalin. Artikulli është publikuar nga "The Sun", teksa anëtari i Parlamentit britanik, Peter Bone e risolli në vëmendje rastin e shqiptarit, duke e cilësuar si të "të pazakontë dhe të tmerrshëm". "Të jep mesazhin se nëse je kapur në përpjekje duke thyer ligjin, ti sërish do të lejohesh të qëndrosh në Britani", tha Bone duke kundërshtuar përfitimin e lejes së qëndrimit të Ermalit. Më tej, "The Sun" e cilëson rastin si skandaloz, teksa ky rast ushqen frikën se azilkërkues të tjerë me identitete të rremë, që përdorin ID të shumëfishta mund të jenë lejuar në Britaninë e Madhe. Të paktën 300 shqiptarëve, të cilët kanë përfituar shtetësinë britanike duke u paraqitur si azilantë kosovarë, u është hequr e drejta e qëndrimit. |
Robotët e Facebook: E vërteta pas “historisë së frikshme” Posted: 02 Aug 2017 06:25 AM PDT Shumë media ndërkombëtare kanë raportuar për një lajm që duket i ngjashëm për një skenar filmash. Sipas tabloidëve, robotët e Facebook e kanë çuar në një fazë tjetër Inteligjencën Artificiale pasi kanë krijuar gjuhën e tyre dhe po komunikojnë me njëri-tjetrin. Sa e vërtetë është kjo? Nga Chris Baraniuk, BBC "Inteligjenca e robotëve është e rrezikshme: Ky është paralajmërimi i ekspertëve pasi Inteligjenca Artificiale e Facebook ka zhvilluar gjuhën e saj," shkruan gazeta Mirror. Lajme të ngjashme janë raportuar edhe nga "The Sun", "The Independent", "The Telegraph" dhe të tjera publikime online. Duket si një skenar filmash fantastiko-shkencorë. "The Sun" madje poston disa foto të frikshëm androidësh për ilustrim. Por a është koha për panik? A duhet të përgatitemi për apokalipsin nga duart e robotëve? Ndoshta jo. Edhe pse disa nga mendjet më të mëdha- përfshi këtu Stephen Haëking- janë të shqetësuar se Inteligjenca Artificale mund të kërcënojë një ditë njerëzimin, historia e Facebook nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Nga doli kjo histori? Në qershor, Facebook publikoi një blog me disa kërkime interesante për programet e bot-eve të bisedimit- që kryejnë biseda të shkurtra me njerëzit dhe me bot-et e tjera. Facebook ka kohë që eksperimenton me bot-et, që negociojnë me njëri-tjetrin në lidhje me pronësinë e gjërave virtuale. Më e rëndësishme, bot-et ishin programuar në mënyrë të tillë që të eksperimentonin me gjuhën për të parë se si kjo ndikon tek dominimi i tyre në një diskutim. Pak ditë më vonë u raportua se në disa raste, shkëmbimet dukeshin në pamje të parë të palogjikshme. Edhe pse raportimet e para spekuluan se bot-et kishin shpikur një gjuhë të re për të mashtruar pronarët e tyre njerëzorë, një shpjegim më i mirë është se ky rrjet thjesht po tentonte të modifikonte gjuhën me qëllimin e ndërveprimeve më të suksesshme- por nëse kjo funksionoi apo jo, mbetet një çështje tjetër. Siç raporton faqja e lajmeve teknologjike, Gizmodo: "Në përpjekje për të mësuar nga njëri-tjetri, bot-et nisën të bisedojnë pa kuptim, por edhe pse duket e frikshme, kaq është e gjitha". Inteligjenca Artificiale që ripërpunon gjuhën angleze nuk është diçka e re. Google raportoi se softueri i tyre i përkthimit e ka bërë këtë gjatë zhvillimit. Më herët këtë vit u raportua se OpenAI po punon me një sistem që shpik gjuhën e tij, përmirëson aftësinë për të përpunuar informacionin me shpejt dhe për këtë arsye i trajton problemet e vështira në mënyrë më efektive. Historia duket se është përhapur edhe për shkak të një përplasje verbale për rreziqet e Inteligjencës Artificiale mes shefit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg dhe sipërmarrësit të teknologjisë, Elon Musk. Robo-frika Por historia flet shumë për frikën kulturore dhe mënyrën se si na paraqiten robotët në media. Le ta pranojmë, robotët janë sërish kriminelët më të mëdhenj në ekranin e madh. Në botën reale megjithatë, Inteligjenca Artificiale mbetet një fushë e madhe kërkimesh për momentin. Sistemet e projektuara dhe testuara për momentin janë shumë të komplikuara. Një rezultat është se shpesh mbetet e paqartë se si funksionojnë këto rrjete, veçanërisht kur duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin si në rastin e eksperimentit të FB. Kjo është arsyeja se përse disa thonë se të vendosësh IA në sisteme si armët autonome, mbetet diçka e rrezikshme. Po ashtu kjo është një tjetër arsye se përse etika për IA është një fushë që po zhvillohet me shpejtësi. Por sistemi i Facebook po përdorej për kërkim, jo në aplikacionet për publikim. Ai u mbyll për shkak se po bënte diçka për të cilën skuadra e studiuesve nuk ishte e interesuar- jo për shkak se përbënte një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Është e rëndësishme të kujtojmë se edhe bot-et e bisedimeve janë të vështira për t'u zhvilluar. Në fakt vetë Facebook e ka kufizuar përdorimin e tyre pasi zbuloi se nuk ishin në gjendje që t'i përgjigjeshin mbi 70 përqind të kërkesave të përdoruesve. Bot-et mund të programohen të duken si njerëzit dhe mund të na mashtrojnë në disa raste- por duket e pamundur të mendosh se janë të aftë të rebelohen. Të paktën ata në Facebook janë të sigurt për diçka të tillë. |
8 vite me ish-velinën e Fiks Fare, reperi shqiptar bëhet romantik Posted: 02 Aug 2017 06:16 AM PDT Ju mund ta dini mirë, por edhe mund t’ju ketë shpëtuar, po kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që reperi shqiptar dhe modelja e bukur bionde janë bashkë. Prej shumë vitesh madje. Ata kanë mbushur plot tetë vjet, siç e tregon Lazy, në një dedikim që i ka bërë së dashurës, shumë romantik për profilin e një reperi, por dashuria e vërtetë nuk ka frikë të shprehet. “Ti je e vetmja që dite si të më bëje të bija në dashuri, detajet e tua, eleganca jote dhe mënyra jote e të qenit, më pushtuan. Të falënderoj që ke qenë aty për mua dhe që ma ke bërë jetën më të lumtur. Gëzuar 8-vjetorin e dashura ime. Të dua!”, shkruan reperi. Adonis Dollapi që në muzikë njihet me emrin Lazy, kohët e fundit është bërë i njohur me këngën Balerina në bashkëpunim me Gent Fetalin dhe i përket grupit të Babastar-save, por edhe e dashura e tij është gjithashtu e njohur dhe e suksesshme në profesionin e saj të modeles. Veçse ka qenë një nga velinat e Fix Fare, Amina Shena ka marrë pjesë në konkurse bukurie nga mban edhe titullin “Miss Queen of the Europe” dhe është pjesë e disa seteve fotografike në Shqipëri. Më i fundit është seti për koleksionin CARAMEL të Class Dresses, që Amina e ka bërë edhe më të ëmbël. Tani do themi edhe sa e bukur, e dashura e Lazy-t! |
Zgjidhet pas 14 vitesh misteri i zhdukjes së adoleshentes Posted: 02 Aug 2017 06:10 AM PDT U desh më shumë se një dekadë që të zbulohej e vërteta për zhdukjen e Charlene Downes. Autoritetet britanike kanë arrestuar të martën një burrë, i cili dyshohet se e vrau adoleshenten 14 – vjeçare. Ajo u zhduk më 1 Nëntor të vitit 2003, në Lancashire. Vajza kishte dalë nga shtëpia për t'u takuar me miqtë e saj në qendër të qytetit, por nuk u pa më kurrë. Vendi ku Charlene u pa për herë të fundit, kapur nga kamerat e sigurisë Tani, gati 14 vite më pas, policia thotë se ka arrestuar një 51 – vjeçar, i cili jetonte në zonë në kohën kur adoleshentja u zhduk. Rasti ka qenë një ndër më të vështirët dhe më gjatët në kohë për policinë e Lancashire, hetimet për të cilin ka zgjatur rreth 14 vjet dhe me një shpërblim ende aktiv prej 100 mijë paund, për këdo që kishte informacione për vrasësin e saj. Prej shumë kohësh policia dyshonte se Charlene kishte rënë viktimë e një rrjeti seksual të burrave që objekt kishin vajzat e vogla në qytetin bregdetar, duke i gënjyer me cigare, drogë dhe alkool në këmbim të favoreve seksuale. Asnjë gjurmë nuk u gjet kurrë nga trupi i 14 – vjeçares dhe hetuesit besojnë se ajo u copëtua dhe u shpërnda nëpër qebaptoret e qytetit. |
You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |