“Gjenerali amerikan: Nuk do të dështojmë në Afganistan” plus 18 more Radio Evropa e Lirë |
- Gjenerali amerikan: Nuk do të dështojmë në Afganistan
- Vuçiq e informoi raportuesin e PE-së për dialogun e brendshëm për Kosovën
- Dënohet burri që shtyu gruan në vetëvrasje për shkak të virgjërisë
- Hoti: LDK nuk do të merr më pjesë në seanca konstituive pa një marrëveshje
- Serbia vë në dilemë Maqedoninë për Kosovën në UNESCO
- Shqipëri: Policia e ka shtuar sigurinë pas sulmeve në Evropë
- Kushner: Trump “shumë i përkushtuar” për paqe në Lindjen e Mesme
- Katari kthehet kah Irani, sfidon fqinjët arabë
- Përplasja Kurti-Veseli
- Mattis: Rusia synon “ripërcaktim të kufijve” me forcë
- Personeli ka filluar të kthehet në Ambasadën e Serbisë në Shkup
- Ukrainë: Shënohet Dita e Pavarësisë
- Rusi: Ish-zyrtari i lartë financiar thotë se nuk është arrestuar
- Iran: Negociata për zhbllokim të rrjetit Twitter
- Kuvendi hyn në krizë pa nisur punën
- Holandë: Është gjetur një automjet me shishe të gazit
- Raporti: SHBA dhe Evropa më së paku të prekura nga terrori
- Erdogan: Turqia e shqetësuar për ndihmën amerikane ndaj kurdëve
- Katar: Ripërtritje e lidhjeve të plota diplomatike me Iranin
Gjenerali amerikan: Nuk do të dështojmë në Afganistan Posted: 24 Aug 2017 09:29 AM PDT Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson, tha se strategjia e re e SHBA-së dëshmon përkushtimin e saj për një Afganistan të qëndrueshëm. Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, ka prezantuar strategjinë duke u zotuar se do të vazhdojë t'i mbajë trupat amerikane në Afganistan për të luftuar militantët dhe se nuk do të tolerojë më Pakistanin që të shërbejë si strehë e grupeve terroriste. "Nuk do të dështojmë në Afganistan. Siguria jonë kombëtare, siguria e Afganistanit dhe siguria e të gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë varet nga kjo. Talibanëve u them: keni zgjidhje të thjeshtë, ndaloni të luftoni kundër bashkatdhetarëve tuaj", tha Nicholson për gazetarët në Kabul. Në përgjigje, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se militantët do të vazhdojnë të luftojnë "derisa asnjë ushtar amerikan të mos mbetet në Afganistan". Nicholson po ashtu u zotua se do të shkatërrojë degët e grupit militant Shteti Islamik në Afganistan. "Do t'i ndjekim ato kudo që bëjnë strehë", tha ai. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Vuçiq e informoi raportuesin e PE-së për dialogun e brendshëm për Kosovën Posted: 24 Aug 2017 08:36 AM PDT Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të enjten në Beograd deputetin e Parlamentit Evropian, David McAllister, i cili është edhe raportues për Serbinë i këtij institucioni. Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e informoi McAllisterin "për planet për realizimin e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe mënyrat e formalizimit të këtij procesi". Dy zyrtarët biseduan edhe për marrëdhëniet në rajon dhe rrugën evropiane të Serbisë. Vuçiq, pas betimit në postin e presidentit në fund të muajit maj, ka thënë se është koha për dialog të brendshëm për Kosovën dhe "të hiqet dorë nga qasja mitike ndaj Kosovës". Qëllimi përfundimtar i këtij dialogu nuk dihet, ndërkohë që Serbia vazhdon përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Dënohet burri që shtyu gruan në vetëvrasje për shkak të virgjërisë Posted: 24 Aug 2017 08:18 AM PDT Një gjykatë në Taxhikistan dënoi me burg një person, i cili ka shtyrë gruan e tij të bëjë vetëvrasje, për shkak të argumenteve mbi virgjërinë e saj. Zyrtarët në qytetin Vose i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Zafar Pirov, 24 vjeç, është dënuar me 7 vjet burgim. Gruaja e Pirovit, Rajabbi Khurshed, është vetëvrarë në muajin qershor, 40 ditë pasi është martuar. Khurshed kishte kaluar testin e virgjërisë, i cili nuk është i detyrueshëm, por zakonisht kërkohet nga gratë e reja në Taxhikistan, përpara se ato të martohen. Por, sipas të afërmve, bashkëshorti e ka akuzuar atë për humbje të virgjërisë para martesës. Sipas familjes së gruas, ajo ka thënë në shtratin e vdekjes se ka qenë në nën presion të madh nga burri. Ajo ka pirë dozë fatale të uthullës më 22 qershor dhe ka vdekur në spital disa orë më vonë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Hoti: LDK nuk do të merr më pjesë në seanca konstituive pa një marrëveshje Posted: 24 Aug 2017 06:15 AM PDT Lidhja Demokratike e Kosovës ka kumtuar se nuk do të merr pjesë më në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të filluar që nga 3 gushti, po që se paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje që garanton zgjedhjen e institucioneve të reja. Këtë qëndrim e ka prezantuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media. Ai tha se janë dy persona që po e mbajnë peng konstituimin e institucioneve të reja, duke apostrofuar liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kandidat për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kandidat për kryeministër. Hoti ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, deri vonë e ka sulmuar edhe fizikisht kryeministrin në largim dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kurse tani kërkon koalicion pa e sqaruar pozicionin e saj në raport me LDK-në. Në këso rrethana politike, Hoti ka kërkuar që për vazhdimin e seancës konstituive, është e domosdoshme një marrëveshje politike e cila garanton formimin e institucioneve dhe jo vazhdimin e një seance e cila, sipas tij, po shihet se nuk prodhon ndonjë rezultat, pasi që koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) nuk e ka shumicën parlamentare. Ai tha se pjesëmarrja e LDK-së në Qeverinë e ardhshme do të mundësohej vetëm nëse asaj i besohet drejtimi i Qeverisë, përkatësisht posti i kryeministrit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Serbia vë në dilemë Maqedoninë për Kosovën në UNESCO Posted: 24 Aug 2017 05:55 AM PDT Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka një qëndrim të prerë lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, që ditëve të fundit u aktualizua pas tensionimit të raporteve mes Shkupit dhe Beogradit. Në media u raportua se në ftohjen e raporteve ka ndikuar pikërisht edhe mundësia që Maqedonia të japë votën e saj për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, por që më vonë u përjashtua si mundësi edhe pse mbetet si shkëndijë për rikthimin e polemikave të mundshme mes dy vendeve. Nga Qeveria e Maqedonisë thonë për Radion Evropa e Lirë se mbeten në qëndrimin e ditëve të fundit, e që u kumtua edhe nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, se gjatë marrjes së vendimit për këtë çështje do të kihen parasysh më shumë faktor. Me këtë përjashtohen mundësitë që Shkupi t'i ketë premtuar Beogradit apo edhe Prishtinës se Maqedonia ka të definuar qëndrimin e saj për këtë çështje. "Maqedonia nuk është në pozitë që të ketë ndonjë rol udhëheqës në këtë çështje, e cila është e rëndësishme, si për fqinjin tonë Serbinë, ashtu edhe për fqinjin tjetër, Kosovën. Ato kanë dallime thelbësore për këtë çështje dhe këtë ne duhet ta kemi parasysh. Pra, në ndërtimin e qëndrimit tonë do të merren parasysh të gjithë elementet, interesi i Beogradit, interesi i Prishtinës dhe para së gjithash interesi i Maqedonisë. Nuk e dimë se kur kjo çështje do të jetë në rend dite. Mund që të jetë në vjeshtën e ardhshme dhe deri atëherë mund të ndryshojnë shumë punë, apo të ketë ndryshime në qëndrimet e palëve të përfshirë në këtë çështje. Andaj edhe nuk mund të japim më shumë detaje", ka deklaruar Dimitrov. Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani ditë më parë tha se Maqedonia është në komunikim me Prishtinën, nga e cila është njoftuar se ende nuk kanë aplikuar për anëtarësim në UNESCO, por se nëse kërkohet mbështetje, atëherë edhe do të ndërtohet një qëndrim për këtë çështje nga ana e Maqedonisë. "Ne jemi në komunikim me palën kosovare dhe për momentin ata nuk kanë aplikuar për anëtarësim. Kështu që kjo nuk është objekt bisedimesh dhe nuk është kërkuar diçka e tillë nga ana e tyre. Në momentin kur do të kërkohet mbështetje, atëherë ne do të sjellim vendimin", ka deklaruar Osmani. Maqedonia kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2015, por pas ndryshimit të pushtetit në qershor të këtij viti, kryeministri Zoran Zaev nuk e përjashtoi mundësinë që Shkupi të ketë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje. "Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për anëtarësim në UNESCO, për mbrojtjen e objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë anë, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, pasi kjo punë nuk varet nga Maqedonia. Lidhur me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale...unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë", kishte deklaruar Zaev. Kjo deklaratë e kryeministrit të ri kishte nxitur reagime të shumta, në veçanti tek partitë shqiptare të cila mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kishin paralajmëruar Zaevin me pasoja nëse ndryshon qëndrimin nga votimi i nëntorit kur iu dha mbështetje anëtarësimit të Kosovës. Lidhur me këtë çështje, në intervistën e fundit për televizionin publik të Serbisë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se taktizimet e fundit të Shkupit për gjoja qëndrim neutral nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, nuk ka dilema se Maqedonia do të votoj pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Shqipëri: Policia e ka shtuar sigurinë pas sulmeve në Evropë Posted: 24 Aug 2017 05:34 AM PDT Policia në Shqipëri thotë se i ka shtuar masat e sigurisë në vend, pas kërcënimeve dhe sulmeve terroriste në Evropë. Në kumtesën e sotme, policia tha se e ka shtuar praninë në qytete dhe i ka rritur masat e sigurisë në ngjarje me masë të madhe të njerëzve, në qendra tregtare, zyre dhe rezidenca diplomatike dhe në objekte të tjera. Në hapësirat kufitare dhe vendkalime parashihen edhe monitorime sekrete. Policia, po ashtu, tha se zyrtarët antiterrorë "në mënyrë intensive që t'i kenë nën kontroll personat e rrezikshëm ose ata me tendenca radikale dhe lidhjet e tyre". Shqipëria, me popullatë shumicë myslimane dhe me minoritet të konsiderueshëm të të krishterëve, deri tash nuk ishte në shënjestër të ndonjë sulmi terrorist, raporton agjencia AP nga Tirana. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kushner: Trump “shumë i përkushtuar” për paqe në Lindjen e Mesme Posted: 24 Aug 2017 05:26 AM PDT Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, mbetet "shumë i përkushtuar" për arritjen e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Kushner, i cili është dhëndër i presidentit Trump, këto komente i ka bërë sot në Jerusalem, fillim të bisedimeve me kryeministrin izraelit, Benjam Netanyahu. Më vonë gjatë ditës, Kushner do të udhëtoj edhe në Ramallah të Bregut Perëndimor, për takim me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas. Jared Kushner po e udhëheq delegacionin amerikan në rajon për të diskutuar për mënyrat e mbështetjes së përpjekjeve për paqe, ndërsa deri tash ka pasur pak sugjerim për progres të rëndësishëm, që do të mund të bëhej për përfundimin e konfliktit izraelito-palestinez, që po zgjatë me dekada. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Katari kthehet kah Irani, sfidon fqinjët arabë Posted: 24 Aug 2017 05:19 AM PDT Katari bëri të ditur se ambasadori i tij do të kthehet në Teheran – më shumë se 20 muaj pas tërheqjes së tij në shenjë proteste ndaj sulmit të protestuesve mbi misionet e Arabisë Saudite. Vendimi sfidon kërkesat e Arabisë Saudite dhe të disa aleatëve arabë që Doha të shkëpusë lidhjet e mbetura me Teheranin. Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi të enjten se ambasadori i saj "do të kthehet për të rinisur detyrat e tij diplomatike", por nuk specifikoi datën e rikthimit apo emrin e ambasadorit. Në deklaratë thuhet se Doha bën përpjekje "të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Republikën Islamike të Iranit në të gjitha fushat" dhe se ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Muhammad bin Abdulrahman al-Thani, ka biseduar për këtë çështje me homologun iranian, Mohammad Javad Zarif. Katari ka tërhequr ambasadorin e tij nga Irani në janar të vitit të kaluar, pasi Arabia Saudite ka ndërprerë lidhjet me Republikën Islamike, duke e akuzuar Teheranin për dështim në mbrojtjen e ambasadës së saj në kryeqytet dhe të konsullatës në qytetin Mashhad nga protestuesit që i kanë sulmuar ato. Protestat kanë pasuar ekzekutimin në Arabinë Saudite të Sheik Nimr al-Nimrit, një klerik i shquar shiit, i cili ka udhëhequr protesta antiqeveritare. Riadi ka thënë se ekzekutimi i tij ka qenë pjesë e "luftës kundër terrorizmit". Vendimi i Katarit për të rivendosur marrëdhëniet me Iranin vjen në kohën e një krize diplomatike midis Katarit dhe vendeve të tjera arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Bahrejnin. Katër vendet i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të transportit me Katarin nën dyshimet se ky i fundit financon ekstremistët islamikë – akuza që hidhen poshtë nga Doha – dhe për shkak të lidhjeve të tij me Teheranin. Irani më pas ka dalë në mbështetje të Katarit, duke i dërguar ushqime dhe duke i lejuar transportuesit kombëtar të Katarit të shfrytëzojë hapësirën e tij ajrore. Gjithashtu të enjten, ministri i Jashtëm i Iranit, Zarif, u citua të ketë thënë se Irani dhe Arabia Saudite do të shkëmbejnë vizita diplomatike së shpejti. Ai i tha agjencisë së lajmeve ISNA se vizita mund të realizohet pas përfundimit të pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, në javën e parë të shtatorit. "Vizat janë lëshuar për të dyja palët", tha Zarif. Në bazë të një marrëveshjeje midis Teheranit dhe Riadit, të arritur muaj më parë, shtetasit iranianë do të lejohen të marrin pjesë në Haxhin e sivjetmë. Iranianët kanë munguar në pelegrinazhin e vitit të kaluar, pasi në vitin 2015, në rrëmujën e turmave kanë vdekur qindra besimtarë iranianë. Në një tjetër zhvillim, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ministri Sergei Lavrov do të vizitojë Katarin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe javën e ardhshme, për bisedime që do të përfshijnë edhe krizën në Gjirin Persik. "Rusia vazhdimisht u ka bërë thirrje shteteve të përfshira të heqin dorë nga retorika e konfrontimit, të diskutojnë dhe të arrijnë zgjidhje kompromisi", tha zëdhënësja e Minsitrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Përgatiti: Valona Tela This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Posted: 24 Aug 2017 04:55 AM PDT Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli kanë shkëmbyer akuza në vazhdimin e seancës konstituive, ku sërish deputetët dështuan të zgjedhin kreun e organit ligjvënës. Përderisa Kurti e ka ftuar Veselin që "të matet" para deputetëve se a i ka votat, Veseli i ka premtuar se nëse Vetëvendosje i ka 61 vota, ai do të nënshkruaj që Kurti të bëhet kryeministër. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Mattis: Rusia synon “ripërcaktim të kufijve” me forcë Posted: 24 Aug 2017 04:21 AM PDT Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, e ka akuzuar Rusinë se synon "ripërcaktimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë" dhe ka përsëritur se Uashingtoni "nuk do ta pranoj" aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë. "Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, dhe përkundër mohimit të Rusisë, ne e dimë se ata synojnë ripërcaktim të kufijve ndërkombëtarë me forcë, duke e shkatërruar sovranitetin dhe vendet e lira në Evropë. Rusia ka marrë përgjegjësi kur e ka pranuar Marrëveshjen e Minskut për armëpushim, e cila bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe për tërheqje të të gjitha armatimeve të rënda dhe për të garantuar që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të ketë qasje të papenguar sipas Marrëveshjes së Minskut", tha Jim Mattis, gjatë një konference të përbashkët për gazetarë në Kiev, me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko. Mëtutje ai ka theksuar se "nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën". Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, tha se ai në mënyrë aktive po e shqyrton mundësinë që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë armatim vdekjeprurës për Ukrainën, dhe do ta informoj presidentin, Donald Trump, për qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. Sekretari Mattis tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për përpjekje diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës. Prej prillit të vitit 2014, në luftimet ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më tepër se 10 mijë vetë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Personeli ka filluar të kthehet në Ambasadën e Serbisë në Shkup Posted: 24 Aug 2017 03:45 AM PDT Ambasada e Serbisë në Maqedoni nesër do ta vazhdoj punën, raporton agjencia Beta nga Shkupi. Në Ambasadën e Serbisë kësaj agjencie i është thënë se anëtarët e parë të personelit tashmë kanë arritur, ndërsa gjatë ditës do të kthehen të gjithë. Sipas paralajmërimeve të mëparshme nga Ministria e jashtme e Serbisë, ambasadorja, Dushanka Divjak Tomiq, në Shkup do të kthehet më 31 gusht, ndërsa më 1 shtator do të kërkoj pranim te kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Fundjavën e kaluar, Serbia e ka tërhequr personelin e vet nga Ambasada në Shkup për konsultime, ndërsa presidenti, Aleksandar Vuçiq, pat thënë se ky veprim ishte bërë pasi autoritetet në Maqedoni kishin paraqitur dëshmi për një veprim tejet intensiv të inteligjencës kundër organeve dhe institucioneve të Serbisë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Ukrainë: Shënohet Dita e Pavarësisë Posted: 24 Aug 2017 02:14 AM PDT Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, dhe të ftuar të tjerë të jashtëm, kanë arritur në kryeqytetin Kiev, për të marrë pjesë në festimet me rastin Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Zoti Mattis, që është sekretari i parë amerikan i mbrojtjes, i cili e viziton Ukrainën gjatë një dekade, sot pritet të takohet me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe me ministrin e mbrojtjes, Stepan Poltorak. Përvjetori i 26-të i pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik, po shënohet derisa qeveria në Kiev dhe separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të këtij vendi, kanë shprehur përkushtim për respektim të marrëveshjes për armëpushim, para fillimit të vitit të ri shkollor. Disa pajtueshmëri për armëpushim të shpallura në kuadër të Marrëveshjes së Minskut në vitin 2015, kanë dështuar. Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar ky konflikt, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se janë vrarë 10,090 njerëz, përfshirë 2,777 civilë, dhe së paku 23,966 vetë janë plagosur. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Rusi: Ish-zyrtari i lartë financiar thotë se nuk është arrestuar Posted: 24 Aug 2017 01:34 AM PDT Ish-zyrtari i lartë i Bankës Qendrore të Rusisë, Sergei Aleksashenko, i cili është i njohur për kritikat e tij ndaj politikave të Kremlinit, i ka hedhur poshtë raportet në media për arrestimin e tij në aeroportin e Moskës, për shkak të dështimit për të paraqitur deklaratë doganore lidhur me medaljet e epokës sovjetike. Tabloidi moskovit, Moskovsky Komsomolets, i ka cituar zyrtarët doganorë që kanë thënë se Aleksashenko aksualisht ishte arrestuar në aeroportin, Domodedovo, derisa përgatitej të fluturonte për në Munih të Gjermanisë. Pas këtij raporti, agjencia Interfax e ka botuar një artikull të ngjashëm, duke thënë se doganierët i kanë gjetur 7 medalje ushtarake dhe një tjetër çmim të periudhës sovjetike në çantën e tij të dorës dhe se ai nuk ka pasur dokumente të nevojshme, meqë Aleksashenko ka thënë se ato janë pjesë e koleksionit të tij personal. Theksohet se vlera e tyre ishte 13 mijë dollarë amerikanë dhe se Aleksashenko ballafaqohej me dënim të mundshëm me burg për trafikim të materialit të kontrabanduar. Në komentet e publikara në rrjetin Twitter, Aleksashenko tha se nuk ka qenë i arrestuar dhe se gjatë dy javëve ishte jashtë Rusisë. Tash Sergei Aleksashenko jeton në Shtetet e Bashkuara dhe është bashkëpunëtor i Institutit Brukings me seli në Uashington. Raportohet se ai ishte edhe këshilltar ekonomik i liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është aktivist i përbetuar kundër korrupsionit. Zoti Navalny synon të garoj për president të Rusisë në zgjedhjet e ardhshme, në muajin mars të vitit 2018. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Iran: Negociata për zhbllokim të rrjetit Twitter Posted: 24 Aug 2017 12:43 AM PDT Ministri i ri i komunikimit në Iran, Mohamad-Javad Azari Jahromi, ka thënë se po zhvillohen negociata për zhbllokim të rrejtit Twitter, i cili ishte i ndaluar për disa vite, megjithqë shfrytëzohet nga liderët më të lartë të Iranit. Ky rrjet ishte bllokuar në vitin 2009, pas shpërthimit të protestave masive kundër rizgjedhjes së presidentit të atëhershëm, Mahmud Ahmadinejad. Ministri Jahromi tha se Twitter është i gatshëm "për negociata për zgjidhjen e problemeve". "Twitter nuk është një ambient jomoral, që duhet të bllokohet", tha zoti Jahromi, i cili është ministri më i ri i Iranit i të gjitha kohërave, dhe ministri i parë që është i lindur pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Jahromi është 36 vjeçar dhe ishte kritik i cenzurës në Internet në Iran. Aktualisht, rrjetet sikur Facebook, YouTube dhe Twitter, zyrtarisht janë të ndaluara, megjithqë miliona iranianë i shfrytëzojnë këto rrjete për çdo ditë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Kuvendi hyn në krizë pa nisur punën Posted: 24 Aug 2017 12:29 AM PDT Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës rrezikon ta fus në krizë konstituimin e institucioneve të reja. Seanca e të enjtes ishte një reprizë e seancave të deritashme të filluara që nga 3 gushti. Por, për dallim nga seancat e kaluara, kësaj radhe koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka pranuar se nuk e ka shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit për ta votuar kandidatin për kryetar të legjislativit, që do ta propozonte ky koalicion. Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit të Kosovës as sot nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si dhe ta rrumbullakojnë procesin e konstituimit të legjislativit. Në fillim të seancës, koalicioni PAN, a ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën. "Në këto javët e fundit, por edhe sot nuk e kemi pasur shumicën. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën. Ne mendojmë që na duhet një afat kohorë, ma pak se sa dy javë dhe ma shumë se sa 10 ditë", tha Hoxhaj. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re. Koalicionit PAN do t'i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t'i sigurojë. Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se "e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës", për formimin e institucioneve. "Ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm e të përgjegjshëm, të mblidhemi që ta thyejmë bllokadën. Kosova duhet të ece përpara". Seanca e sotme është përcjellë me polemika mjaft të ashpra ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Kurti ka kërkuar nga koalicioni PAN që ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit, ndërkaq Veseli ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje siguron shumicën parlamentare, mund ta propozojë vet kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe për kryeministër. Albin Kurti: Propozojeni zotëri Veselin edhe le të matet a i ka votat. Kadri Veseli: Pushtetin merre Albin. Bëji 61 (vota). Albin Kurti: Për zotëri Veseli... pse nuk po matesh? Dil matu, shiko a i ke 61 deputetë. Kadri Veseli: Si kryeministër, sherrin ka për të ta parë Kosova. Ke për ta kthyer Serbinë në Kosovë. Veseli dhe Kurti kanë vazhduar përplasjet verbale me akuza të ndërsjella edhe për çështje të simboleve kombëtare. Kadri Veseli: Të vijë puna që të ma qesim flamurin, ta nxjerrin nga xhepi... e unë çka jam? Tradhtar? E ju çka jeni, tradhtar? Po sikur Lista Serbe ta nxjerrë flamurin e Serbisë?. Albin Kurti: Ju e patë se si në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e barazoi flamurin kombëtar shqiptar me flamurin e Serbisë. Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t'i njoftoj me kohë deputetët për vazhdimin e saj. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Holandë: Është gjetur një automjet me shishe të gazit Posted: 24 Aug 2017 12:19 AM PDT Një minibus me targa të Spanjës, ku ka pasur shishe të gazit, është gjetur afër sallës së koncerteve, ku dje më herët gjatë ditës është anuluar një koncert i muzikës rok për shkak të kërcënimit, ka thënë kryetari i qytetit të Roterdamit, Ahmed Aboutaleb. Ky zyrtar gjatë një konference për gazetarë tha se nuk është e qartë nëse kërcënimi dhe minibusi ishin të ndërlidhur. Shoferi i automjetit është arrestuar për tu marrë në pyetje. Policia në Roterdam tha se koncerti i grupit amerikan, Allah-Las, ishte anuluar për shkak të "kërcënimit të mundshëm terrorist". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Raporti: SHBA dhe Evropa më së paku të prekura nga terrori Posted: 23 Aug 2017 11:32 PM PDT Sulmet terroriste janë në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, por këto rajone kanë pasur një përqindje të vogël të të vrarëve nga sulmet e këtilla vitin e kaluar, thuhet në një raport. Ky raport i publikuar mbrëmë nga Universiteti Merilend, i bazuar në Të Dhënat Globale Terroriste, thotë se Evropa Perëndimore dhe Amerika Veriore, marrin pjesë me më pak se 1% në numrin prej 34,676 njerëzve të vrarë nga sulmet terroriste në vitin 2016. Më së shumti sulme vdekjeprurëse ka pasur në vendet siç janë Afganistani, Pakistani, Iraku, Siria dhe Jemeni. Sulmet nga ana e grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe aleatët e tyre, për të cilat ka shqetësime të mëdha në perëndim, ishin të fokusuara në Irak, Siri, Pakistan, Afganistan, Nigeri, dhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, të Azisë Jugore dhe të atyre afrikane, thuhet në raport. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Erdogan: Turqia e shqetësuar për ndihmën amerikane ndaj kurdëve Posted: 23 Aug 2017 11:13 PM PDT Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka thënë sekretarit amerikan të mbrojtjes, James Mattis, se Ankaraja është e shqetësuar për shkak të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për milicinë kurde, e njohur si YPG, të cilën Turqia e konsideron grup terrorist. Sekretari Mattis dje arriti për vizitë njëditëshe në Turqi, pasi qëndroi në Irak, për ta shqyrtuar progresin në fushatën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik. Pos me presidentin Erdogan, ai në Ankara u takua medhe me ministrin e mbrojtjes së Turqisë, Nurettin Canikli. Turqia është aleat i rëndësishëm në NATO për Shtetet e Bashkuara dhe është pjesë e koalicionit që lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik. Por, Ankaraja është e irituar se Uashingtoni e ka armatosur grupin kurd, YPG (Njësitet e Mbrojtjes Popullore Kurde), për sulmin në qytetin Raka, në pjesën veriore të Sirisë, që është bazë e militantëve të Shtetit Islamik. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
Katar: Ripërtritje e lidhjeve të plota diplomatike me Iranin Posted: 23 Aug 2017 10:29 PM PDT Katari sot i ka ripërtrirë marrëdhëniet e plota diplomatike me Iranin, duke e refuzuar kërkesën e Arabisë Saudite dhe të disa aleatëve arabë, që Katari t'i ndërprej raportet me Teheranin. Ministria e jashtme e Katarit ka shpallur se ambasadori i vet do të kthehet në Teheran, pasi ishte tërhequr para 20 muajsh. Kjo tërheqje kishte ndodhur pasi në Arabinë Saudite u ekzekutuan dy klerikë të njohur shiitë, duke shkaktuar sulme të turmave të njerëzve kundër dy selive diplomatike të Arabisë Saudite në Iran. Ministria e jashtme e Katarit "ka shprehur aspirtatat e veta për forcimin e raporteve bilaterale me Republikën Islamike të Iranit në të gjitha fushat" dhe ka shtuar se ministri i jashtëm i këtij vendi, Abdulrahman al-Thani, kishte diskutuar me kolegun iranian, Javad Zarif, për "raportet bilaterale dhe për mënyrat e intensifikimit dhe të zhvillimit të tyre". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |