Tirana Observer: “Historia e jashtëzakonshme e Safijes, kush ishte vajza nga Dukagjini që u bë sulltaneshë dhe sundoi botën” plus 9 more

Tirana Observer: “Historia e jashtëzakonshme e Safijes, kush ishte vajza nga Dukagjini që u bë sulltaneshë dhe sundoi botën” plus 9 more


Historia e jashtëzakonshme e Safijes, kush ishte vajza nga Dukagjini që u bë sulltaneshë dhe sundoi botën

Posted: 06 Jul 2017 09:51 AM PDT

Kemi folur shpesh për rolin që kanë luajtur shqiptarët në Perandorinë Osmane. Numërohen në fakt një gjeneratë e tërë shqiptarësh që drejtuan Perandorinë Osmane që ndërtuan Stambollin por asnjëherë nuk kemi folur për rolin e grave në Perandorinë Osmane.

Serialet historike që janë pritur me shumë vëmendje nga shqiptarët,  kanë nxjerrë në pah dhe rolin e madh të grave në Perandorinë Osmane.

Shqiptaret arritën të bëheshin sulltanesha, dhe të kishin kështu një ndikim të madh në këtë perandori.

Historia e Safijes ishte pak përrallore siç ishte fati i shumë shqiptarëve gjatë kohës së lulëzimit të kësaj perandorie. Ajo lindi në vitin 1550 në zonën malore të Dukagjinit në fshatin Rez. Ishte shqiptare dhe do hynte në histori si sulltanja Valide.

Bashkëshorti i saj ishte sulltan Murati i III-të dhe kishte tre fëmijë: sulltan Mehmetin, sulltane Aishen dhe sulltane Fatmën.

Historia e rënies së saj në duart e sulltanit ishte shumë aventureske.

Ajo u kap nga piratët në vitin 1563, në moshën 13 vjeçare dhe u paraqit si skllave duke hyrë në haremin e sulltanit. U bë konkubinë e Muratit dhe në vitin 1566 do të lindë të birin që hyri në histori si Sulltan Mehmeti III.

Safija pati një marrëdhënie monogame me Muratin për disa vite. Me këshillën e të ëmës, duke qenë se kishte vetëm një pasardhës ajo e këshilloi të merrte dhe gra të tjera.

Siç ndodh shpesh në oborret e sulltanit dhe për sulltane Safijen u fol se ajo përdori shtrigat dhe magjistarët për ta lidhur sulltanin mbas vetes. Faktet historike tregojnë se ajo mundi ta mbante e vetme sulltanin por kjo nuk lejohej nga ligjet e kohës. Murati mori dhe dy gra të tjera, të cilat i dhanë 20 djem dhe 27 vajza.

Sipas burimeve historike veneciane përshkruhet se sulltanesha u shqetësua shumë. Ajo e dashuronte sulltanin dhe ishte xheloze për të. Por më pas e pranoi faktin dhe me kalimin e kohës ajo u bë këshiltarja e tij më e besuar. Kjo ndodhi veçanërisht pas vdekjes së vjehrrës, Nurbanusë.

Sulltane Safinë e tregojnë si një grua me temperament shumë të fortë dhe me një inteligjencë të jashtëzakonshme. Aq i madh ishte ndikimi i saj, sa kur sulltani shkonte nëpër ekspedita të gjitha çështjet më të rëndësishme të vendit nga ato politike tek ekonomike ishin të gjitha në dorën e saj.

Historia e tyre pati një jetëgjatësi për t'u lakmuar. Ajo i ndenji pranë deri në çastet e fundit të jetës.

Një rol kardinal ajo pati tek djali i tyre sulltan Mehmeti III. Këshillat e saj ishin aq të çmuara sa për të gjitha çështjet e rëndësishme ai konsultohej me të ëmën. Arriti deri aty sa t'i besonte të ëmës thesarin dhe t'i caktojë  një pagë të jashtëzakonshme për kohën: rreth 3000 aspers në ditë./Konica.al

 

Vendimet e falsifikuara bën varrmihësin vlonjat pronar të Karaburunit

Posted: 06 Jul 2017 09:44 AM PDT

Raimond Mëzi, me profesion varrmihës, jeton në një shtëpi të varfër në lagjen "Partizani" në Vlorë. Sipas një vendimi të Gjykatës së Vlorës të datës 29 Dhjetor 2000 nga gjyqtari Thoma Nika, Mëzi rezulton të jetë pronari i një sipërfaqe toke prej 220 hektarësh në gjirin piktoresk të "Shën Vasilit" në gadishullin e Karaburunit.

Ka vetëm një problem, vedimin i gjykatës që e bën Mëzin pronar të pronës që kap një vlerë tregu prej 210 milionë euro, është i falsifikuar.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, krijimi  i dosjeve gjyqësore me procese që nuk janë zhvilluar kurrë,  falsifikimi i dokumenteve arkivorë e më pas certifikim të tyre në institucionet shtetërore është pjesë e një skeme kriminale të zbuluar nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2016-të. Sipas Prokurorisë, mbi 314 hektarë tokë është përfituar në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit e më pas është shitur tek të tretë.

Ndër dosjet e falsifikuara rezulton  një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi – i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me ekspoliziv i tipit mafioz – dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të ketë ikur nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.

Për të hetuar dyshimet për manipulimet me pronat në qarkun e Vlorës, në Gusht të vitit 2015-të, kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e një task –force ndër-institucionale, nëpërmjet së cilës ai premtoi se institucionet do të hidheshin në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës. Nga viti 2015-të deri në vitin 2017-të Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kallëzuar në prokurori 35 raste të tjetërsimit të pronës nëpërmjet falsifikimit, raste për të cilat nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykatat shqiptare.

Hetimi për falsifikimin e pronave në Karaburun është një nga çështjet e evidentuara nga task-forca ndërinstitucionale. Në Shkurt 2016-të Prokurori Albert Kuliçaj urdhëroi arrestimin e disa të dyshuarve, përfshirë Raimond Mëzin, avokatin e tij Enkes Hysendhima, ish punonjësen e hipotekës së Vlorës Blerina Dhrami, noteren Belona Seraj, si dhe u vendos  masa e sigurisë "detyrim për paraqitje" dhe "pezullim nga detyra" për  Donika Besimaj- përgjegjëse e arkivës në Gjykatën e Vlorës- si e dyshuar në këtë skemë të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë në kërkim është shpallur dhe biznesmeni Pëllumb Petritaj, i cili nuk është ndaluar akoma nga Policia e Shtetit.

Më shumë se 1 vit më vonë, Prokuroria e ka akoma çështjen e bujshme nën hetim ndërkohë që të gjithë të dyshuarit që u arrestuan një vit më parë, përfshirë Raimond Mëzi, tashmë janë liruar me urdhër të prokurorisë. I sapo dalë nga burgu, Mëzi i tha BIRN se ai nuk kishte lidhje me falsifikimet e bëra dhe ishte thjeshtë një viktimë. Prokuroria e Rethit të Vlorës u tregua e rezervuar për dhënien e informacionit sepse çështja është akoma nën hetim, por sipas dokumenteve që BIRN disponon emri i Mëzit duket se është përdorur vetëm për sigurimin e pronës e cila më pas është shitur nga avokati Enkes Hysnedhima, falë një prokure përfaqësimi.

Sipas Mëzit, në vitin 1994 i ati Jakupi, kishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për rikthim e një sipërfaqe prej 6,600 metra katrorë të konfiskuar nga regjimi komunist në qytetin e Vlorës.

Bazuar në këtë kërkesë të Jakupit, në Gjykatën e Vlorës është gjetur një vendim i atribuar gjykatësit Thoma Nika me datë 29 Dhjetor 2000, që e bën Raimond Mezin pronar të 220 hektarëve tokë në Karaburun. Në Tetor 2012-të, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë një kërkesë për ta regjistruar këtë pronë në emër të Raimondit, ndërsa 2 vjet më vonë prona i është shitur palëve të treta. Prokuroria dyshon se e tërë dosja gjyqësore është falsifikuar pasi gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë gjyqësor në vitin 2000. Mëzi i ka deklaruar prokurorëve se dokumentet e shitjes në zyrën e noterit i ka firmosur në fletë të bardhë.

Avokati Enkes Hysnedhima,  i cili ndryshe nga Mëzi jeton në një vilë luksoze në qytetin e Orikumit, i tha BIRN se procedurat e ndjekura nga ai janë ligjore. Ai mohoi të ketë njohje me përfituesit e pronës dhe shprehet se thjesht ka përfaqësuar klientin e tij Raimond Mëzi, në të gjithë  transaksionet e kryera.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se prona në Karaburun nuk është e vetmja sipërfaqe toke e falsifikuar në emër të Raimond Mëzit. Nëpërmjet një vendimi gjyqësor të vitit 2003, i cili i atribuohet gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, Mëzi është shpallur pronar i një sipërfaqe tjetër në Zvërnec. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar. Prokuroria e ka konstatuar si tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë që kjo skemë falsifikimi e pronës është përdorur gjithashtu për të tjetërsuar një sipërfaqe tjetër toke prej 5.2 hektarësh në zonën e Zvërnecit në Vlorë. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, kjo pronë është regjistruar fillimisht me anë të një vendimi të falsifikuar në emër të shtetases, Shqiponjë Emina, e cila rezulton e vdekur. Prona më pas është  shitur tek persona të tretë. Dosja e gjyqësore dhe pse mban vitin 1996, ka mbishkrimin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë- emërimi zyrtar i vendit nga vitit 1976 deri në vitin 1991. Ky vendim rezulton të jetë dhënë në emër të gjyqtarit Qatip Bylykbashki, i cili rezulton të ketë qenë pjesë e gjykatës gjatë periudhës së komunizmit dhe është larguar nga vendi në vitin 1990.

Sipas dokumenteve e ndjera Shqiponjë Eminaj ia ka dhuruar pjesë të kësaj prone të barabartë me 11,200 metra katrorë nipit të saj Artur Rrapush Selfos, ndërsa pjesa e tjetër e tokës është transferuar te palë të tjerë të treta. Njëri prej palëve që i është transferuar prona, Bernat Çaushi, mohoi të kishte dijeni për ndonjë pronë në Zvërnec dhe tha se nuk kishte blerë tokë nga Eminaj – duke i shtuar edhe më shumë dyshimet se kush fshihet mbas kësaj skeme kriminale dhe është përfituesi i vërtet i saj.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, pronat e tjetërsuara në Karaburun dhe Zvërnec mbeten nën sekuestro paraprake me urdhër të Prokurorisë së Vlorës./BIRN

Kujdes vapa! Nga nesër rikthehen temperaturat tropikale, deri në 40 gradë!

Posted: 06 Jul 2017 09:09 AM PDT

Mot me diell dhe i nxehtë me temperaturë që do të jetë në ngritje të vazhdueshme dhe do të arrijë deri 40 gradë prej nesër deri nga mesi i javës së ardhshme.

Nesër moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me erë të dobët deri mesatare veriore. Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 28 deri 35 gradë.

Të shtunën dhe të dielën temperatura maksimale do të arrijë deri 37, të hënën 38, të martën 39 dhe të mërkurën 40 gradë.

Sipas paralajmërimeve nga DPHM, në ditët në vijim në orët e pasdites në pjesët malore do të ketë kushte për reshje të shkurtëra të shiut dhe bubullima.

Cila ka qenë puthja e parë e njerëzimit? E vërteta mbi praktikën e puthjes ndër shekuj

Posted: 06 Jul 2017 09:00 AM PDT

Praktika e të puthurit nuk është botërore dhe e përgjithshme te njerëzit dhe madje edhe sot ka disa kultura që puthjen nuk e kanë te traditat e tyre.

Kjo na bën të mendojmë se të puthurit nuk është e lindur apo intuitive, ashtu siç mund t'i duket gjithkujt që e ka provuar. Një tjetër mundësi është që puthja të jetë një sjellje e mësuar që ka evoluar prej "ushqimit me puthje", procesi ku disa nëna në kultura të caktuara ushqejnë të vegjlit duke i kaluar ushqim të përtypur gojë më gojë.

Edhe sot, ekzistojnë disa kultura indigjene, ku ushqimi nëpërmjet puthjes praktikohet ende, por nuk hasen puthjet sociale. Puthja mund të jetë një formë përkufizuese e sjelljes së përkëdheljes apo fërkimit të lëkurës ose të paktën në kuptimin e thellë a erotik, një nënkuptim ose deklaratë e ndërveprimit të dy njerëzve.

Sidoqoftë, sjellja e të puthurit nuk është unike vetëm për qeniet njerëzore. Primatë si shimpanzetë Bonobo shpesh puthen me njëri-tjetrin. Qentë dhe macet lëpihen me shoku-shokun dhe anëtarë të specieve të tjera. Madje edhe kërmijtë dhe insektet përfshihen në një lojë antenash. Më shumë sesa puthen, këto kafshë fërkojnë lëkurën, nuhasin apo komunikojnë me njëri-tjetrin dhe duke vepruar kështu ata forcojnë besimin mes tyre.

Tekstet e lashta që vijnë prej hinduizmit në Indi duket se flasin për puthjen dhe Kama Sutra (Mësime erotike), që daton rreth shekullit të dytë, u dedikon një kapitull të tërë mënyrave të puthjeve.

Disa antropologë besojnë se grekët e mësuan puthjen erotike nga indianët, kur Aleksandri i Madh pushtoi Indinë në vitin 326 para Krishtit.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërish se puthja e ka origjinën nga India apo se i ka rrënjët në tekstet e lashta hindu. Te Homeri, i cili daton në shekullin e 9 para Krishtit, mbreti Priam puthi dorën e Akilit për t'u lutur që t'i kthehej kufoma e të birit.

"Respekto zotat, Akil, dhe trego mëshirë ndaj meje, kujto babanë tënd, sepse unë kam më shumë nevojë për mëshirë se ai, duke qenë se po bëj atë që asnjë burrë tjetër mbi tokë nuk do ta bënte, kam vënë mbi buzë dorën e burrit që më vrau tim bir."

Në historitë e tij, që datojnë në shekullin V para Krishtit, Herodoti flet për puthjen mes persianëve, të cilët i përshëndesnin njerëzit e të njëjtës shkallë duke i puthur në buzë dhe ata që kishin një kategori më të ulët, me një puthje në faqe.

Ai, gjithashtu, tregon se, për shkak se grekët hëngrën lopën, që ishte e shenjtë për egjiptianët, këta refuzuan t'i puthin grekët në buzë.

Puthjet gjithashtu zënë vend në Dhjatën e Vjetër. I maskuar si Eseu, Jakobi puth Isakun e verbër dhe i vjedh të vëllait bekimin. Në Këngën e Këngëve, që feston dashurinë seksuale, një prej dashnorëve përgjërohet, "Lëreni atë të më puthë me gojën e tij, sepse dashuria është më e mirë se vera".

Gjatë Perandorisë Romake, puthja ishte akoma më shumë e përhapur. Romakët puthnin partnerët, të dashurit, familjarët, miqtë dhe sunduesit.

Ata kishin bërë ndarjen e puthjes së dorës ose faqeve që quhej osculum prej puthjes në buzë, basium, dhe prej puthjes pasionante, savolium.

Poetët romakë, si Ovidi dhe Këtales (Catullus), e festonin të puthurit, si për shembull në Këtales 8:

"Lamtumirë vajzë, tani Këtales është i vendosur, ai nuk do të kërkojë më për ty, nuk do të kërkojë pa dëshirë. Por ti do të brengosesh, kur askush të mos pyesë për ty. Mjerë ti e pabesa vajzë, çfarë jete ka mbetur për ty? Kush do të dorëzohet te ty tani? Kush do ta shohë bukurinë tënde? Kë do të duash tani? E kujt do të jesh? Kë do të puthësh? Buzët e kujt do kafshosh? Këtales është i vendosur të jetë i patundur."

Puthjet për romakët përmbushnin qëllime të ndryshme, që nga ato shoqërore te politiket dhe seksualet. Në kohën e analfabetizmit, puthjet përdoreshin për të vulosur marrëveshje.

Statusi shoqëror i një qytetari romak përcaktohej nga pjesa e trupit që ai ose ajo do t'i puthte perandorit, nga faqja te këmbët. Çiftet martoheshin kur putheshin përpara një asambleje të mbledhur, një praktikë që ka ardhur deri në ditët tona.

Praktikat ndryshuan me dobësimin e Romës dhe me rritjen e kristianizmit. Kristianët e hershëm shpesh përshëndeteshin duke shkëmbyer një puthje të shenjtë, që besohej në atë kohë se kishte të bënte me kalimin e shpirtit. Fjala latine anima, ka kuptimin e dyfishtë të thithjes së ajrit dhe të shpirtit. Shën Pjetri ka folur për puthjen e bamirësisë dhe Shën Pali për puthjen e shenjtë, ditën kur sektet e hershme aplikonin të enjten pa puthje, e njëjta ditë kur mendohet se Juda tradhtoi Jezusin me një puthje.

Jashtë kishës puthjet janë përdorur për qëllime shoqërore dhe të kategorizimit shoqëror, ku mbretit i puthej manteli, ndërsa Papës pantoflat.

Pas rënies së Romës, puthja romantike duket se u zhduk për mbi 1000 vjet, për të ridalë në skenë në fund të shekullit të 11 në historitë e dashurisë. Puthja e Romeo dhe Zhuljetës është simbolike në këtë lëvizje, që kërkonte t'i jepte puthjes një karakter më privat dhe më të kontrolluar nga dëshira e njeriut.

Për shekuj me radhë janë krijuar përralla, legjenda, histori dhe libra që shkruajnë për aventurat e personave që kanë gjetur lumturinë dhe kanë rrezikuar përmes puthjes herë të personit të duhur e herë të gabuar.

“Po fundoset”, Indonezia zhvendos kryeqytetin

Posted: 06 Jul 2017 08:30 AM PDT

Indonezia do të ndryshojë kryeqytetin brenda dy vitesh.

Kryeqyteti aktual Xhakarta do të mbetet qendra financiare e vendit, ndërsa emri i kryeqytetit të ri nuk është përcaktuar ende.

Sipas "Jakarta Post", Ministri i zhvillimit kombëtar Bambang Drodjonegoro, pas një takimi me presidentin e Indonezisë Joko Widodo për këtë temë, tha se është vendosur që qeveria dhe ministritë të nisin zhvendosjen në vitin 2018 ose 2019.

Ai tha se i tërë procesi i zhvendosjes së kryeministrisë dhe ministrive do të marrë 3-4 vite kohë.

Vendi i kryeqytetit të ri nuk është përcaktuar ende, por sipas Ministrit ishte e sigurt se nuk do të ishte në Ishullin Java, ku ndodhet edhe Xhakarta.

Indonezia ka një popullsi totale prej mbi 250 milionësh, ndërsa vetëm kryeqyteti Xhakarta ka mbi 10 milionë banorë.

Ishulli Java ku ndodhet Xhakarta zhytet në ujë çdo vit nga 25 centimetër.

Përveç kësaj, ai është një ndër qytetet me trafikun më të rënduar në botë. Këto dy probleme duket se kanë shtyrë qeverinë që të shikojë një vend të ri për selitë qeveritare.

Autoritetet më parë kanë theksuar se po vlerësoheshin dy qytete për kryeqytetin e ardhshëm, Palangkaraya dhe Jonggol, por nuk është arritur në një vendim përfundimtar.

Numri i saktë i ishujve në të cilët shtrihet Indonezia nuk dihet pasi ndryshon vazhdimisht, por numri vlerësohet se varion mes 13 mijë dhe 18 mijë syresh.

50 raste në ditë nga helmimi me ushqimet, nis kontrolli në terren

Posted: 06 Jul 2017 08:17 AM PDT

Temperaturat e larta kanë shtuar numrin e personave që helmohen nga ushqimi.

Afro 50 pacientë në ditë i drejtohen spitalit infektiv për këtë shkak ndaj mjeket i kërkojnë qyetarëve të tregojnë kujdes me ushqimet që konsumojnë sidomos  jashtë shtëpisë.

Kreu i inspektoriatit Sanitar Shtetëror Eltar Deda thotë se nga kontrollet e ushtruara janë mbyllur disa lokale që nuk respektojnë kushtet higjeno-sanitare.

"Jemi në inspektim të përditshëm të të gjithë subjekteve që janë të destinuara për sezon turistik, kryesisht ato me karakter sezonal për të shmangur sa më shumë shpërthimet epidemike që vijnë nga mbipopullimi i këtyre zonave po dhe nga ana tjetër nga mosrespektimi dhe shmangia e atyre bizneseve që duan t'i shmangen ligjit. Vetëm para sezonit turistik kanë qënë mbi 14 masa administrative të tyre, mbi 24 të tjera që kanë marrë vendime për bllokim", tha Eltar Deda, kreu i ISSH.

Por nga ana tjetër i kërkojnë edhe qytetarëve  që të  bëjnë  kujdes kur përzgjedhin ambientin që duan të frekuentojnë.

"I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, të frekuentojnë ato subjekte me kushte higjeno sanitare, ku ka prani të rrjedhshme të ujit, kushtet në të cilat duhet të mirëmbahen këto produkte ushqimore që tregtohen, kryesisht dhoma frigoriferike. Duhet të ketë dhe ambiente higjieno santiare që kanë të bëjnë qoftë me tualtetet, qoftë me dushet", tha Deda.

Kryeinpesktori i shëndetësisë  thekson se nuk do të tolerojnë askënd që  kërkon të abuzojë në dëm të shëndetit të pushuesve por nga ana tjetër  për të mos penguar asnjë subjekt, u kërkon atyre të respektojnë kriteret e përcaktuara./tch

Zgjedhjet e 25 qershorit, kreu i OSBE vlerëson Policinë e Shtetit: Është rritur besimi tek publiku

Posted: 06 Jul 2017 07:10 AM PDT

Pas përfundimit të Misionit të Monitorimit së Zgjedhjeve OSBE-ODIHR të 25 Qershorit, Ambasadori dhe drejtuesi i këtij misioni Peter Tejler ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në këtë proces zgjedhor. Me anë të një letre drejtuar Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, Tejler shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Misionit të Monitorimit.

Tejler ka vlerësuar në veçanti edhe rolin që drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit kanë luajtur në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. "Në veçanti dëshiroj të shpreh vlerësimin tim të thellë për mbështetjen e përditshme nga drejtuesit e Departamentit të Sigurisë dhe për të gjithë Drejtuesit Rajonal të Policisë së Shtetit lidhur me sigurinë e ekipit tim", shkruan shefi i ODIHR në Tiranë.

Në mesazhin drejtuar Policisë së Shtetit ambasadori Tejler vë theksin tek rëndësia e rritjes së besimit të publikut. "Gjithashtu suksese në forcimin e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet shtetasve shqiptar dhe Policisë së Shtetit", shkruan ambasadori Tejler.

 

FOTO/ Raffaela Fico dhe Alessandro Moggi pushime në Mykonos

Posted: 06 Jul 2017 06:54 AM PDT

Ata do të martohen së shpejti, por ndërkohë po shijojnë pushimet si në një muaj mjalti.
Raffaella Fico, 29 vjec dhe Alessandro Moggi, 44 janë fotografuar nga e përjavshmja Chi, në Mykonos, në Greqi.

Cifti nuk ndahet për asnjë moment nga njëri-tjetri dhe në ujë shkëmbejnë puthje pasionante. Me një fizik të admirueshëm dhe shikime prej të dashuruarish, të dy puthen e shijojnë relakasin e plazhit.

Rike Roci çmend nga plazhi

Posted: 06 Jul 2017 06:36 AM PDT

Një nga femrat më seksi shqiptare gjithnjë trondit me pamjen e saj.

Tashme në plazh ajo po kalon pushimet verore, prej ku me imazhet që po publikon po tërheq shumë vëmendje.

 

Në bikini të kaltra ajo ka treguar gjoksin dhe format atraktive të saj.

Rike Roci ka marrë famë pas paraqitjes ne kampionatin evropian si tifoze.

🌞 holaaaaa 🌞👱🏼‍♀️ #love ❤️

A post shared by Rike Roci (@rikerocireal) on

Nxënësit mbeten pa dëftesa, pezullohet tenderi

Posted: 06 Jul 2017 06:18 AM PDT

Dëftesat e nxënësve të arsimit parauniversitar që kanë përfunduar vitin akademik 2016-2017, duhet të ishin shpërndarë brenda muajit qershor, por kjo nuk u realizua. Shkak për këtë situatë të krijuar është bërë pezullimi i procesit të tenderimit për realizimin e tyre.

Këshilltari i ministres së Arsimit, Ndriçim Mehmeti, thotë se procedura për tenderimin ka filluar shumë vonë, ndonëse ndalet edhe tek problematikat e lindur në këtë institucion.

Ndonëse nxënësit dhe mësuesit janë në pritje, Mehmeti se dëftesa nuk ka.

"Ngërçi ka të bëjë me arsyen se është pezulluar tenderi sipas një urdhri në 19 maj për prokurimin e dëftesave dhe regjistrave. Agjencia e Prokurimit Publik ka parë që mund të ketë shkelje të rregullave, dhe për këtë kanë marrë parasysh vërejtët e subjekteve. Por duhet të pranojnë se edhe procedura ka filluar shumë vonë, në 7 prill. Nevojiten 8.6 mln leke për dëftesat dhe regjistrat. Në maj dëftesat duhet të ishin gati dhe të shpërndaheshin. Sikur nesër të shtypen ato duan kohën e saj fizike, të plotësohen dhe të shpërndahen nga mësuesit. Mësuesit nga e hëna marrin lejen deri më 22 gusht, 45 ditë. Mund të jetë për arsye objektive apo subjektive, por dëftesa në shkolla nuk ka. Nuk dihet se kur do të jenë gati për t'u shpërndarë", shprehet Mehmeti.

Sakaq, ai ka komentuar edhe situatën e krijuar në administratën e Ministrisë së Arsimit, ku punonjësit kanë patur probleme me pagat. Ndriçim Mehmeti thotë se nëse nuk reflektohet për situatën e krijuar, ata do t'i drejtohen gjykatës.

"Punonjësit e administratës civile i morën parat, dhe nuk e di artificën ligjore, pasi kabineti i ministres me përjashtim të ministres nuk ka paga. Jemi konsideruar si njerëz që nuk meritojmë të marrim page, jemi në kushtet e administrimit të plotë. Në rast se nuk reflektohet në një kohe të shkurtër, i vetmi qe e rregullon është gjykata. Kemi punuar pa zyra dhe kompjuterë, janë bllokuar 3 zyra se nuk gjendjen ish-këshilltarët dhe nuk kanë dorëzuar çelësat dhe detyrat", tha këshilltari në Ministrinë e Arsimit.