Tirana Observer: “Analiza e Lubonjës për opozitën e re: LSI parti oligarkike, ka punuar me të pasurit…” plus 9 more

Tirana Observer: “Analiza e Lubonjës për opozitën e re: LSI parti oligarkike, ka punuar me të pasurit…” plus 9 more


Analiza e Lubonjës për opozitën e re: LSI parti oligarkike, ka punuar me të pasurit…

Posted: 03 Jul 2017 09:11 AM PDT

Analisti Fatos Lubonja u shpreh sot se nëse Lulzim Basha vazhdon me të njëjtën mënyrë të të bërit opozitë, nuk ka asnjë shans të rikthehet në pushtet.

Sipas tij, edhe LSI ka punuar me të njëjtën metodë si PD, "ka qenë parti oligarkike, ka punuar me të fortët, me të pasurit".

Lubonja foli në një lidhje me "Skype" nga Italia për "News 24".

LUBONJA PËR…

…Rama-Basha-Metën

"Të gjitha palët mbajtën pozicione të çuditshme në fushatë: Lulzim Basha e quajti regjim kriminal dhe bëri marrëveshje dhe u ndërsye kundër Metës, Rama nuk e mori vetë përgjegjësinë por ja la përgjegjësinë 'shushunjave', ndërsa Ilir Meta president bëri fushatë për LSI".

… zgjedhjet në PD

"Në PD nuk ka dialog e reflektim ku të gjithë marrin të përgjegjësi dhe të diskutojnë për të ardhmen. Kjo do të ishte më e rëndësishme se sa krijimi i një lideri autoritar në PD.

Duhet një dialog i sinqertë me njëri-tjetrin për të ecur përpara, por rreziku është i madh që të mos kemi opozitën që kërkojmë të kemi.

Insistoj që gjëja më e mirë është të krijohet një vizion. Deri tani PD ka punuar për oligarkët, prandaj s'ka kredibilitet. Nëse Basha vazhdon me këtë mënyrë të vjetër, nuk ka asnjë shans".

…LSI-në në opozitë

"Edhe në këtë rast nuk është çështje lideri. Për fat të keq edhe kjo parti ka punuar me të njëjtën metodë: ka qenë parti oligarkike, ka punuar me të fortët, me të pasurit. A do mund kjo parti të kthehet tek 56% e shqiptarëve që duan të ikin nga vendi, këtë nuk mund ta di.

Por besoj që Kryemadhi do jetë vulnerabël edhe për shkak të postit të ri të të shoqit. Varet nëse ata do kthehen tek populli apo tek biznesi. Pjesa pozitive është që kjo parti ka të rinj".

KATALONJA / Historia e një rajoni rebel

Posted: 03 Jul 2017 08:54 AM PDT

Ndryshimet kryesorë mes Katalonjës dhe shumicës së pjesës tjetër të Spanjës janë gjuhësorë, politikë dhe ekonomikë. Katalanasit flasin një gjuhë të ndryshme nga shumica e spanjollëve të tjerë. Gjuha katalane dhe ajo spanjolle janë të dyja me origjinë latine, por kanë buruar nga dialekte të ndryshëm latinë. Spanjishtja (praktikisht gjuha kastiliane moderne) ka patur fillesën si një dialekt latin i folur në veriperëndim të Spanjës. Gjuha katalanase fillimisht u zhvillua fillimisht nga një gjuhë mesjetare e juglindjes së Francës e quajtur Occitan-e e Vjetër, e cila nga ana e saj kish buruar nga një dialekt latin i folur në atë rajon.

Për pothuajse të gjithë pjesën tjetër të botës, 11 shtatori si datë, është tashmë pazgjidhshmërisht e lidhur me rrëzimin e Kullave Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe sulmin ndaj Pentagonit. Por për katalanasit, ato ngjarje në 2001 zënë një vend të dytë, prapa La Diadas, dita kombëtare e rajonit, e cila përkujton rënien përfundimtare të Katalonjës pas një sulmi të forcave kastijiane dhe franceze, që zgjati më shumë se një vit.

11 shtatori erdhi e mori peshë si Ditë Kombëtare jo vetëm për heroizmin e Rafael Casanovas, kryebashkiak i Barcelonës në kohën e sulmit, por për shkak të asaj që ndodhi pas dorëzimit të qytetit. Brenda dy vitesh, mbreti fitimtar spanjoll Filipi V ndëshkoi territoret e Aragonës duke nxjerrë dekretet e Nueva Plantas. Katalonja i ish bashkuar Aragonës në shekullin 12, por kish ruajtur gjithmonë parlamentin e saj. Politikisht, Katalonja ka gjithashtu identitetin e saj që dallon. Në fundin e shekullit 8, pasi muret kishin pushtuar shumicën e Spanjës por ishin dëbuar nga Franca e jugut, mbretërit frankë krijuan një seri shtetesh gjysmë të pavarur në kufi me qëllim që të parandalonin kthimin e morëve. Deri në fund të shekullit 10, pjesa lindore e kësaj zone "sfungjer" iu largua kontrollit të frankëve dhe u shndërrua në Katalonjën. Ndonëse Katalonja u shkri me mbretërinë e Spanjës veriore në shekullin 14, ajo u lejua të ruajë parlamentin e saj – pra identitetin e saj politik.

Edhe në terma ekonomikë, (dhe me pasoja të gjata ideologjike) Katalonja u zhvillua ndryshe nga pjesa tjetër e Spanjës. E bëri këtë për tre arsye kryesore. Së pari, vendndodhja e saj gjeografike – pranë Mesdheut, por edhe më pranë tregjeve europianë – i jepte një avantazh shumë të madh tregtar kundrejt pjesës tjetër të gadishullit Iberik.

Së dyti, për arsye se pjesa më e madhe ishte pushtuar nga muret, vetëm për pak breza në shekullin e tetë, shumica e Katalonjës nuk ka qenë asnjëherë në krahun pritës të reconquista-s – ripushtimi prej Kishës Spanjolle, i Spanjës jugore dhe qendrore në shekujt 11 deri 13. Reconquista përfshiu një ndryshim të gjerë në pronësinë e tokës ku prona të mëdha iu shpërndanë në bazë feudale fisnikëve spanjollë dhe kishës. Në ato zona të ripushtuara, pronësia e tokës u përqëndrua në duart e një numri të vogël njerëzish.

Shumica e Katalonjës nuk iu nënshtrua këtij procesi klasik feudalizimi dhe kështu që, në vend që të kërkonte status më të lartë përmes marrjes së pronësisë së tokës, katalanasit kishin prirjen të shihnin fatin e tyre si të lidhur me tregtinë, politikën dhe ekspansionin ekonomik. Gjatë periudhës së mesjetës, Katalonja krijoi një perandori mesdhetare tregtie, që përfshinte ishujt Baelarikë, Sardenjën, Sicilinë, pjesë të Greqisë jugore, si dhe portin jugor francez të Monpeljesë.

Flori dhe argjend

Një faktor i tretë që do të përforconte pabarazitë ekonomike mes Katalonjës dhe Spanjës ishte një tjetër pushtim spanjoll: ai i Botës së Re. Katalonja kryesisht u përjashtua nga ai proces, si dhe nga fitimet që i solli pjesës tjetër të Spanjës. Pasuria e Botës së Re – gjithë floriri dhe argjendi – shkoi kryesisht në Kastijë.

Në shumicën e pjesës tjetër të Spanjës, përfituesit kastilianë të pushtimit të Botës së Re përdorën pasurinë e tyre për të rritur prestigjin, duke blerë më shumë toka. Pra, pushtimi i Amerikës Qendrore dhe Jugore thjeshtë shërbeu për të rrethuar më tej natyrën e orientuar nga pronësia e tokës, të elitës kastiliane si dhe shumicën e ekonomisë spanjolle.

Gjërat ishin shumë ndryshe në Katalonjë. Prirja tradicionale e katalanasve për tregti ndihmoi për krijimin e një klase të mesme të fuqishme, që donte shanse për arsimim dhe përfshirje politike. Deri në mesin e shekullit 15, Aragon/Katalonja kishte 6 universitete, ndërkohë që pjesa tjetër e Spanjës kishte vetëm katër. Edhe pasi Kastija dhe Aragon/Katalonja iu nënshtruan një bashkimi dinastik në 1479, roli qendror që arsimi luante në jetën katalanase ndihmoi parlamentin e saj, t'i rezistonte kërkesave të qeverisë qendrore për taksa të larta – dicka që parlamenti kastilian, shumë më i dobët, nuk mund ta arrinte.

Këta faktorë gjuhësorë, politikë dhe ekonomikë çuan në krijimin e një eksperience dhe identiteti historik katalanas, që ishte ndryshe nga pjesa tjetër e Spanjës. Por lëvizja moderne nacionaliste katalanase, ndonëse e varur nga ajo histori, është rritur prej ngjarjeve më specifike gjatë 300 viteve të fundit.

Zhvillimet më të fundit reflektojnë një seri fenomenesh më të gjerë paneuropianë – centralizimi politik, romanticizmi kulturor, industrializimi dhe polarizimi ideologjik. Para shekullit 18, Katalonja, ndonëse pjesë e shtetit spanjoll, kish gëzuar autonomi fiskale dhe politike. Por rajoni mbështeti palën humbëse në Luftën për Trashëgiminë në Spanjë (e luftuar nga 1701-14 mes shumicës së fuqive të mëdha europiane ndaj bashkimit të mundshëm të Spanjës dhe Francës) – dhe pagoi një çmim të lartë. Regjimi i ri spanjoll, i prirur të rriste fuqinë e qeverisë qendrore, i shkëputi gjithë avantazhet fiskalë Katalonjës dhe shpërndau parlamentin e saj. Katalanasit janë përpjekur të rivendosin atë parlament që atëherë, dhe dëshira për autonomi fiskale – ende e parivendosur pas tre shekujsh – mbetet një prej kërkesave kyçe të nacionalistëve.

Pastaj, në shekullin 19, lëvizja romantike paneuropiane solli konceptin etno-gjuhësor të kombësisë – koncepti politik/kulturor i njohur fillimisht si Volkstum (identiteti etnik).

Në Europën paramoderne, shtetet ishin shpesh multikulturorë dhe të përcaktuar kryesisht prej zotërimeve dinastikë. Njerëzit ishin pikësëpari të nënshtruar të sundimtarit, dhe jo qytetarë të folk-ut apo kombit të tyre. Lëvizja romantike, me theksin që i vinte koncepteve të identitetit etnik dhe kulturor, ndryshoi gjithë këtë. Shpejt po manifestohej si një rilindje në shkallë të gjerë të kulturës katalanase (renaixenca) – bazuar në trashëgiminë e dalluar gjuhësore, historike dhe ekonomike të rajonit.

Kjo rilindje u përforcua nga një valë krenarie kombëtare dhe vetëbesimi që u nxit prej rritjes së shpejtë të industrisë katalanase në shekujt 19 dhe 20. Rajoni u industrializua në një shkallë shumë më të madhe se sa pjesë të tjera të Spanjës. Fillimisht, në epokën e hershme moderne, Katalonja kish qenë një qendër e rëndësishme për prodhimin e leshit dhe prodhimin e rrobave të leshta. Me ardhjen e shekullit 19, prodhuesit e rrobave në zonë kishin diversifikuar në tregun e tekstileve me një sukses shumë të madh.

Industria tekstile kërkonte krijimin e fabrikave, si dhe krijimin e një klase të madhe punëtore. Ashtu si në zona të tjera industriale të Europës, kjo çoi në zhvillimin e sindikatave dhe politikës radikale të majtë. Në Katalonjën industriale të shekullit 20, zgjerimi i sindikatave dhe politikës së majtë dhe demokratike nisi të bëjë kontrast me rritjen e ideologjive të djathta ekstreme, sidomos në Kastijë dhe Navarrë.

Largim nga Franko

Nga 1936-39, Spanja u përfshi nga lufta civile. Teksa vendi rrëmbeu armët, shumica e katalanasve mbështetën qeverinë republikane – që u premtoi autonomi – kundër Frankos. Kur lufta mbaroi, me një fitore për Frankon, katalanasit përbënin deri 60% të mërgimtarëve politikë që u larguan nga Spanja, për të shmangur ekzekutimin apo burgosjen. Shumë më tepër, që nuk ia dolën të largohen, u burgosën. Në vitet që pasuan Franko sulmoi kolonat e kulturës katalanase, duke ndaluar gjuhën e tyre, letërsinë, filmat dhe madje edhe vallëzimet. Franko mund të ketë vdekur prej katër dekadash, por irritimi për atë që regjimi i tij i bëri Katalonjës nga fundi i viteve 1930 deri në 1970 ka rezultuar një faktor i fuqishëm në forcimin e aspiratave të katalanasve. Praktikisht, shumë katalanas besojnë se ata subvencionojnë pjesën tjetër të Spanjës. Ata janë veçanërisht të mërzitur që negociatat në 2005 nuk arritën të rifitojnë autonominë fiskale që ata humbën 3 shekuj më parë. Qeveria spanjolle, ndërkohë, ndien se çdo përpjekje nga qeveria rajonale e Katalonjës për të mbajtur një referendum për pavarësinë do të ishte një shkelje e kushtetutës së Spanjës, e cila bazohet në "pandashmërinë e kombit spanjoll, atdheu i përbashkët dhe i pandashëm i spanjollëve".

Për ta bërë situatën edhe më të ndezur, në muajt e fundit disa elementë kanë bërë thirrje që Spanja të ndërmarrë veprime ushtarakë ndaj Katalonjës, nëse kjo përpiqet të mbajë një referendum për pavarësinë. Tashmë është krijuar terreni për një konfrontim të shëmtuar mes Madridit dhe Barcelonës – i ndezur prej historive shumë të ndryshme që, nga ana e tyre kanë prodhuar aspirata dhe identitete që bien ndesh mes tyre. / Përgatiti: Bota.al

Politikë, xhihad dhe tabu: Si u shndërrua Al Jazeera në armik

Posted: 03 Jul 2017 08:00 AM PDT

Në fillim ishte një zyrë e largët, praktikisht në shkretëtirë, një antenë satelitore e vendosur në mes të askundit dhe vetëm një linjë telefonike, për telefonata me jashtë vendit.

Ata, të cilët në atë kohë viheshin në kërkim të televizionit të ri arab, i cili kish bërë të flitej për të në të gjithë rajonin, pa mëdyshje kishin të njëjtin reagim: "Vetëm kaq?". Ishte viti 1996 dhe Al Jazeera sapo kishte filluar transmetimet.

Megjithatë, që nga fillimi, kanali vetëm me lajme, i lindur nga një ide e Sheikut Hamad bin Kalifa Al Thani, njeriu që në pak vite do të ri-bënte një komb, Katarin, ishte një revolucion. Në një botë arabe të mësuar me mediat shtetërore, me titujt e gazetave dhe lajmeve, të ndarë në mënyrë të barabartë, mes hapjes së një spitali apo përurimit të një rruge nga ana e udhëheqësit të radhës, në shtëpitë e miliona njerëzve papritmas erdhi një lajm i vërtetë. Përtej emisioneve të debateve, ku ata që flisnin ishin jo vetëm qeveritë, por edhe opozita. Kishte transmetime konfidenciale për temat më të diskutueshme, nga mënyra si e shohin gratë seksin, deri tek homoseksualiteti. Dhe predikimet e Sheikut Al Kardavi, fytyra e Vëllazërisë Myslimane.

"Mendimi dhe mendimi i kundërt", ishte që në krye të herës, sllogani i Al Jazeeras, kujton Donatella Della Ratta, autore në 2005-ën e largët, e librit "Al Jazeera. Media dhe shoqëria arabe në mijëvjeçarin e ri", libër që ende sot mbetet shumë i rëndësishëm.

Përzierja ishte krejtësisht e re për një rajon të mësuar deri tani vetëm me një opinion: atë të qeverisësit të radhës. Dhe ku faktet nuk ekzistonin. Risia solli menjëherë probleme tek emetuesit dhe sponsorët në Katar: që nga akuzat për sionizëm, sepse i kish dhënë fjalën "armikut" izraelit, deri tek thirrjet zyrtare për ambasadorët e Dohas në rajon, Al Jazeera nuk pati kurrë një jetë të qetë.

Pastaj erdhi 11 shtatori dhe nga lumë që ishin, polemikat u shndërruan në oqean. Fytyra e Osama bin Ladenit shoqëruar nga logoja e artë e televizionit u kthye në një makth për civilët dhe qeveritë në botën perëndimore: tek Al Jazeera, lideri i Al Kaedës ishte dërgonte mesazhe nga strofulla e tij në Afganistan, për Al Jazeera dha intervistën e vetme pas 11 shtatorit. Për këdo që kërkonte lajme ndërkombëtare në atë kohë, kanali ishte një detyrim.

Nga ato ditë të lavdisë dhe polemikave mund të thuhet se emetuesi televiziv nuk është çliruar më kurrë: televizioni në gjuhën arabe nuk ka qenë në gjendje të shkundë etiketën "i afërt me terrorizmin." Atij në gjuhën angleze, i krijuar në vitin 2006, iu desh të mbrojë veten kundër akuzave të tilla që nga dita e tij e parë, pavarësisht se kishte, në krahasim me vëllanë e madh, standarde gazetareske shumë më të lartë.

Momentet e lavdisë, për të dy rrjetet, nuk kanë munguar: në vitin 2001 kur filloi sulmi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Afganistan, gazetarët e Al Jazeera arabe ishin të vetmit në Kabul. E njëjta gjë ndodhi në Gaza në vitin 2008, ku ata që shkëlqyen ishin gazetarët Al Jazeera në anglisht. Por maja e suksesit dhe polemikave erdhi në vitin 2011 kur televizioni, dhe bashkë me të edhe Katari u bë pjesë përbërëse e revolucioneve arabe, duke i dhënë hapësirë agjendave të opozitave në Tunizi, Egjipt, Jemen dhe Libi (shumë më pak në Siri). Kjo ishte koha kur establishmenti egjiptian (sot në pushtet me ish gjeneralin Abdel Fattah al Sisi) dhe ai saudit, që me Katarin dhe televizionin e tij kishin një llogari të hapur prej vitesh, vendosi një herë e mirë që, zëri i Al Jazeeras do të duhej të shuhej. Shumë ambicioz, shumë i pavarur, shumë i zhurmshëm: tamam si Katari i Sheikut Hamad.

Katër vjet më parë, kur mbreti u detyrua të japë dorëheqjen nga presioni saudit, Al Jazeera u ridimensionua. Paratë, që deri atëherë nuk kishte qenë një problem, filluan të reduktohen. Disa nga emrat më të mëdhenj u larguan nga rrjeti. Përpjekja për të nisur një kanal amerikan përfundoi para kohe. Por Al Jazeera, sidomos në versionin e vet arab, vazhdoi të flasë dhe të sikletosë.

Në mbrojtje të kanalit nga sulmi i nisur nga Kajro dhe Riadi në ditët e fundit kanë zbritur nga pak të gjithë: një gazetë progresiste si britanikja The Guardian ("veprim qesharak"), një e përjavshme si The Economist ("përpjekje që ngjall zemërim"), Kombet e Bashkuara ("sulm i papranueshëm mbi lirinë e informimit"), por fjalët më të mira i kanë zgjedhur gazetarët e versionit anglisht në faqen e tyre të internetit: "përpjekja për të heshtur Al Jazeeran është një përpjekje për të heshtur gjithë gazetarinë e pavarur në rajon". / La Repubblica – Bota.al

Nga Andi Bushati/ Basha po përbalt edhe çadrën e vet

Posted: 03 Jul 2017 07:23 AM PDT

Nga Andi Bushati/ Lulzim Basha po rend me shpejtësi drejt organizimit të një gare farsë në PD. Ai po mohon me këmbëngulje një proces të hapur, të barabartë dhe të ndershëm me kundërshtarët e tij në parti. Duke mos pranuar zhveshjen nga ofiqet zyrtare, që “de facto” ia hoqi humbja katastrofale në zgjedhje, duke refuzuar një debat të hapur brenda partisë, duke mbyllur veshët përpara kërkesës për më shumë kohë dhe më shumë të drejta për rivalët e vet, ai është vënë papritmas në pozicionin ku qe Edi Rama, pas 20 shkurtit.

Në kohën kur PD-ja nisi aksionin e çadrës, i cili për nga kërkesat, slloganet dhe vlerat që promovonte ishte pa dyshim, diamanti i kurorës së opozitës 4-vjeçare, Rama çuditërisht mbante të njëjtat pozicione si ato të Bashës sot. Ai nuk pranonte të largohej nga zyra, në emër të një gare të ndershme. Ai nuk pranonte të shtynte zgjedhjet, në emër të një konkurrimi të barabartë. Ai nuk pranonte përjashtimin e faktorëve ekstraelektoralë, në emër të një konkurrimi sipas standardeve perëndimore.

Edhe Rama ashtu sikurse Lulzim Basha tani, fshihej pas procedurave ligjore dhe kleçkave të afateve për të mohuar një gjë shumë më të madhe dhe të rëndësishme: zgjedhjet e lira.

Seç ndodhi më pas e dimë të gjithë. Marrëveshja okulte e natës së 18 majit, iluzioni se pushteti i bandave, i drogës, i mediave të kapura dhe i përfituesve të koncensioneve, mund të ndalohej me disa ministra dhe disa drejtorë rezultoi një katastrofë. Ndryshimi polikës nga “nuk ka zgjedhje me Ramën” në përqafimin e idesë se Rama ëshë i kontrollueshëm, përfundoi si një ëndërr e keqe

Kryesisht për fajet e veta, por po aq edhe për dinakërinë e kundërshtarit, Lulzim Basha i dhuroi demokratëve rezultatin më të keq në historinë e tyre politike.

Kjo traumë e papritur i ndau demokratët në dy grupe të mëdha. Në njërën anë u renditën ata që besuan tek “Republika e re” dhe vazhdojnë të predikojnë, se Basha duhet amnistuar. Ata janë të bindur se atij i duhet dhënë edhe një mundësi e dytë. Dhe këtë arsyetim e mbështesin në faktin se humbja ndodhi për shkak të mungesës së përvojës, për shkak të naivitetit, për shkak të një besimi të tepruar tek një kundërshtar që doli më hileqar sesa e kishin imagjinuar.

Në gjithë këtë logjikë, vihet gjithnjë në pikpyetje aftësia politike e Bashës, po asnjëherë, asnjëherë të vetme, parimësia e qëllimeve të tij. Sipas tyre, lideri i ngrirë i PD-së është gjithnjë po i njëjti, i gatshëm të sakrifikojë për zgjedhjet e lira, për mundësi dhe shance të barabarta në garë, shkurt për ato vlera që ai i përmblodhi në slloganin e “Republikës së re”.

Ndërsa në grupimin e dytë radhiten ata që e shohin Bashën si një pazarxhi të vogël. Që vlerat e çadrës qe i gatshëm t’i shiste për disa zyra ministrash dhe disa drejtori fitimprurëse. Sipas tyre marrëveshja me Ramën nuk qe as një llogari e gabuar, as një kalkulim naiv, por një vendim i ndërgjegjshëm i një politikani që përpara se të besojë tek vlerat, beson tek allishverishet.

Fatkeqësisht mënyra se si Basha po sillet me zgjedhjet e brendshme në parti, ku po mohon garën dhe konkurrencën e ndershme, po i jep të drejtë këtyre të dytëve.

I vënë papritmas në pozicionin e Ramës, ai po tregon se të dy janë bij të së njëjtës republikë, me të njëjtën mendësi dhe me njëjtat vese. Të dy nuk besojnë as tek demokracia dhe as tek vota, por thjesht tek pushteti dhe tek forca.

Në këtë kuptim, 22 korriku po e përdhos imazhin e çadrës më shumë sesa 18 maji. Basha që pamë në bulevard ishte thjesht një rol. Basha i ngrirë në selinë e PD-së është origjinali. (lapsi.al)

Le Temps (1939): Protesta e njëqind shqiptarëve të Francës ndaj Italisë fashiste dhe telegrami i tyre

Posted: 03 Jul 2017 06:44 AM PDT

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, "Le Temps", ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n° 2, telegramin e shqiptarëve të Francës,  në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

Patriotët shqiptarë, megjithëse asokohe ishin kundërshtarë të Mbretit Zog, i kanë lënë mënjanë kontradiktat e tyre dhe janë vënë në dispozicionin e tij për të mbrojtur atdheun.

Bashkëkombasit tanë në Francë po përgatishen për tu rikthyer në atdhe me qëllim për të luftuar fashistët. Në të njëjtën kohë, ata u kanë dërguar një telegram kombeve të lira, të interesuara ose të kërcënuara që të mbrojnë kombin shqiptar.

Çfarë përmban ky telegram? Cilave vendeve u drejtohej ? Në vijim do të gjeni dokumentin e plotë të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu "Dars (Klos), Mat – Albania":

"Njëqind shqiptarë që jetojnë në krahinën e Lyon-it u mblodhën dje po në qytetin Lyon. Ata kanë dërguar një delegat në Paris që të kërkojë një pasaportë kolektive me qëllim për të shkuar në luftë. Emigrantët, deri tani kundërshtarë të mbretit Zog, të cilët merrnin pjesë në mbledhje, i kanë dërguar një telegram këtij sovrani për t'i thënë që ata janë në dispozicionin e tij për të mbrojtur atdheun.

Shqiptarët e vendosur në departamentin e Loire-s i janë drejtuar Z. Daladier, president i këshillit, dhe ambasadorëve të Anglisë, Greqisë, Jugosllavisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Turqisë nëpërmjet telegramit në vijim :

Anëtarët e kolonisë shqiptare të Loire-s protestojnë fuqishëm kundër sulmit të vendit të tyre nga fashistët e Musolinit. Ata sigurojnë bashkëkombasit e tyre për simpatinë që kanë ndaj atdheut dhe zotohen për ta mbrojtur atë me të gjithë energjinë e tyre.

Ata kërkojnë ndaj kombeve të lira dhe atyrëve që janë të interesuara ose të kërcënuara, gjatë një afati pak a shumë të shkurtër, nga vazhdimësia e këtyre akteve plaçkitëse dhe vrasëse, të shpëtojnë kombin shqiptar.

Rroftë populli shqiptar i lirë dhe krenar!"

 Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

Nga Armand Plaka / Rroftë Shqipëria e re!

Posted: 03 Jul 2017 06:30 AM PDT

Nga Armand Plaka/ Viva la nuova Albania! Pikërisht kështu thuhet në një parullë shkruar në muret e një shkolle në Tiranë, ndërsa nxënëset e saj realizojnë një numër harmonik me patina e mbajnë veshur një uniformë, çka për kohën konsiderohej një stil modern, por njëkohësisht tashmë edhe shumë i përhapur në radhët e rinisë fashiste, "balila"-ve në Itali e Shqipëri.

Ishte viti 1941 dhe dukej se planet e italianëve për Shqipërinë e shqiptarët, kishin marrë udhë e tashmë vendi i vogël, ishte bërë pjesë vitale e Perandorisë së re Romake, shtrirë në brigjet e "Mare Nostrum".

Por ajo që më shkoi ndërmend menjëherë sapo i pashë (mua më rezultojnë për herë të parë), si pjesë e fondit mbi Shqipërinë i koleksionit të pasur fotografik të Institutit LUCE në Romë, është fakti se sa herë është dashur që ky vend t'ia nisë nga e para, të nisë në dukje një jetë të re e në çdo rast t'a quante atë "Shqipëria e re", duke hedhur pas krahëve e të zeronte çdo gjë që ishte përjetuar deri në atë çast, paçka se ato përbënin kontribute modeste, por shumë të mundimshme, të vetë atyre njerëzve, në mos prindërve e gjyshërve të tyre.

A nuk ndodhi kështu kur u shpall pavarësia? Apo kur erdhi Princ Vidi? Po kur u shpall monarkia? Po kur në pushtet erdhën komunistët, e "Shqipëria e Re" madje vijonte të quhej e tillë, paradoksalisht deri kur regjimi po përpëlitej për mbijetesë, ndërsa populli lutej që ajo "e reja" të bëhej një orë e më parë "e vjetër".

"Rilindja", apo "Republika e re", janë terma simetrikë që si eufemizma ndaj "Shqipërisë së Re", na i solli në mënyrë më të sofistikuar kjo kohë, ndërsa në çdo katër vjet kemi përjetuar teorikisht nga një "Shqipëri të re", mbushur me premtime e bilance, duke na bërë të besojmë vërtetë se çdo mandat qeverisës është një revolucion më vehte.

Ndoshta shqiptarët ka ardhur koha që të mos përjetojnë më revolucione, por evolucion në mentalitet, praktikë jetësore e shtetformuese, derisa "Shqipëria e re" të vijë natyrshëm, si pasojë e respektimit të rregullave të lojës, punës e kontributeve të brezave, dhe e jo e nihilizimit dhe mosvlerësimit, përjashtimit dhe trumbetimit të pavlerë të çdo metri katror që shtrohet me pllaka apo me asfalt, larg anatemizmit dhe njollosjes që po na çojnë të gjithëve në qorrsokak.

Vetëm kështu do të ecim përpara e nuk do ta përjetojmë "Shqipërinë e re", duke kthyer sytë mbrapa e uruar që si dikur, "e reja" të bëhet një orë e më parë "e vjetër".

Rama ngre grupet e punës, fati i administratës në dorë të këtyre deputetëve

Posted: 03 Jul 2017 06:10 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot ngritjen e pesë grupeve të punës të cilët do të përgatisin raporte të hollësishme që nga puna e deputetëve, te reforma në administratë dhe eliminimi i burokracive shtetërore për t'i diskutuar në fund të muajit gusht.

Sipas kreut të qeverisë, Gramoz Ruçi do të drejtojë grupin e punës që do të përgatisë rekomandimet për veprimtarinë e partisë dhe punën e deputetëve, ndërsa Niko Peleshi do të drejtojë grupin e punës për reformën në Administratë.

FJALA E RAMES

Duhet ngritur nga sot një grup pune, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë dhe kryetarit aktual të grupit. Në përbërjen e tij mendoj të jenë dhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Klodiana Spahiu, Ulsi Manja e çdokush tjetër që Gramozi mund të shohë të arsyeshme të përfshijë. Ky grup duhet të përgatisë një raport në formën e një dokumenti rekomandimesh për çdo aspekt të veprimtarisë parlamentare të partisë, si dhe të aktivitetit të deputetit, jo vetëm në parlament, po edhe në zonën e përfaqësimit. Zyrat kryesore elektorale në çdo bashki të Shqipërisë duhet të adaptohen dhe të funksionojnë në katër vjetet e ardhshme si zyra të grupit parlamentar të qarkut – për suksesin e koalicionit të madh me njerëzit e zakonshëm, rrjeti kombëtar i zyrave të deputeteve është tanimë një domosdoshmëri.

Nga ana tjetër, gjatë këtij turi duhet të analizohen dhe pastaj të renditen problematikat kryesore të natyrës politike, sociale dhe infrastrukturore që duhen adresuar në katër vitet e ardhshme, nga qeveria e re. Këto problematika dhe 3 prioritetet kryesore në çdo qark, të zbërthyera për çdo Zonë Administrative Zgjedhore, duhet të jenë pjese e raporteve që do të paraqesin udhëheqësit e qarqeve në Asamblenë Kombëtare të Partisë. Një grup pune, i përbërë nga Milva Ikonomi, Evis Kushi, Almira Xhembulla, Vilma Bello, Ardiana Jaku dhe Laert Duro duhet të përgatisë Dokumentin Kombëtar mbi sa më lart, në konsultim edhe me të gjithë kryetaret e bashkive, pa dallim ngjyrash partiake, pra një dokument sintezë të 12 raporteve të drejtuesve të qarqeve.

Një grup pune i përbërë nga Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Bledi Çuçi, Lindita Nikolla, Ogerta Manastirliu duhet të analizojë organizimin administrativ në çdo sektor dhe të përgatisë një Dokument Rekomandimesh për reformën e administratës shtetërore. Ky dokument duhet të përmbajë një analizë të gjendjes ekzistuese si edhe një draft-projekt ristrukturimi të rrjetit të agjencive, inspektoriateve, zyrave kombëtare, rajonale e lokale; me propozime për shkrirjen, bashkimin, apo zgjerimin, rast pas rasti, të institucioneve ekzistuese. Edhe ky dokument duhet të jete gati për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë, në fund të gushtit.

Po njësoj, duhet të përgatitet edhe Dokumenti i Rekomandimeve për Derregullimin, mbi një analize tërësore të numrit të licencave e dokumenteve që kërkohen në këtë vend për të marrë të drejta, apo shërbime nga shteti. Qëllimi ynë do të jete që ta lehtësojmë në maksimum peshën e burokracisë mbi njerëzit dhe mbi sipërmarrjet, si dhe te garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit, apo sipërmarrjes nga zyrat e shtetit, vetë shteti ta siguroje për qytetarin, ose sipërmarrjen në një sportel të vetëm, pa e detyruar qytetarin të bredhë në 17 zyra për të plotësuar dosjen e një kërkese ndaj shtetit dhe të ndeshet me 17 hajdutë. Për këtë dokument duhet te angazhohet një grup pune i përbërë nga Arben Ahmetaj, Erion Braçe, Ilir Beqja, Ditmir Bushati, Elisa Spiropali, Klotilda Ferhati dhe Milena Harito.

Një grup pune i përbërë nga Fatmir Xhafaj, Blerina Gjylameti, Ilir Pendavinji, Alket Hyseni, Ana Dhamo, Flamur Golemi dhe Arben Kamami duhet të analizojë dhe të përmbledhë në një raport sa më të plotë për Asamblenë kombëtare, gjendjen aktuale politike dhe organizative të partisë në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të 25 qershorit.

 

 

DEKLARATA/ Gara në PD, Paloka dhe Spaho refuzojnë të plotësojnë kërkesat e kritikëve

Posted: 03 Jul 2017 05:48 AM PDT

Në një kohë kur afati zyrtar për regjistrimin e kandidatëve për kreun e ri të PD-së ka skaduar, sot do të mblidhet Kryesia e kësaj force për të miratuar kandidaturat.

Kështu, me anë të një deklaratë për shtyn, dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka Edmond Spaho kanë bërë të qartë edhe disa nga rregullat që do ndiqen për zgjedhjen e kreut të ri, duke refuzuar kështu plotësimin e kërkesave të zërave kritikë, siç janë Astrit Patozi apo dhe Eduard Selami.

DEKLARATA

Ne përfundim te procesit te paraqitjes se kandidaturave per Kryetar te PDSH, kane paraqitur dokumentacionin ne sektorin e Organizimit disa kandidate. Sot do te mblidhet Kryesia e PDSH per te miratuar kandidaturat qe do te garojne per Kryetar te PDSH.

Ne lidhje me disa pretendime te ngritura gjate ketij procesi sqarojme:

1- Cdo kandidat paraqet kerkesen e tij ne sektorin e Organizimit te PDSH. Statuti i PDSH, dhe aktet e tjera te dala ne zbatim te tij si dhe organizmat e PDSH garantojne gare te ndershme, te drejte dhe te barabarte per kedo qe desheron te kandidoje.

2- Procesi i shpallur i gares per Kryetarin e PDSH eshte normal dhe bazuar ne statutin e saj. Kryetari i Partise, bazuar ne nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e te gjithe vendi-marrjes organizative te dy Nenkryetaret dhe Sekretari i Pergjithshem.

3- Neni 30, pika 2, flet per paraqitjen e kandidateve per pushtet qendror dhe vendor: "Kryesite e Degeve vendosin per kandidaturat e Keshilltareve vendore. Per bashkite e kategorise se pare, lista e keshilltareve te pergatitur nga kryesite e Degeve miratohen nga Kryesia e PDSH."

Kompetencat e Kryesise se PDSH percaktohen ne nenin 40, pikat 1 deri 9. Ne asnje prej tyre nuk parashikohet e drejta e Kryesise per te hapur garen per Kryetar Partie.

4- Koha e zgjedhjes se Kryetarit te PDSH dhe organeve te tjera te saj percaktohet ne nenin 58 te Statutit: "Te gjitha organet e Partise duhet tu nenshtrohen zgjedhjeve te pakten cdo kater vjet. Sikurse dihet zgjedhjet e fundit jane zhvilluar me 22.07.2013. Zgjedhjet e ardhshme do te mbahen me 22.07.2017.

5- Databaza e partise krijohet dhe administrohet ne perputhje me statutin e PDSH. Neni 13/1 percakton detyrimin e mbajtjes se Regjistrit elektronik dhe pika 2 e ketij neni thote: "Rregullat e hollesishme per formatin e regjistrit, administrimin, dhe aksesimin e tij percaktohen me vendim te Kryetarit te Partise.

Ne vendimin e dy nenkryetareve te partise per hapjen e gares per Kryetarin e PDSH percaktohet se ne votim do te marrin pjese vetem ata te cilet jane antare te PDSH deri ne daten 28.06.2017.

Qe nga data 28.06.2017 ne PDSH nuk ka patur dhe nuk do te kete antaresime te reja deri sa te perfundoje procesi i zgjedhjes se kryetarit te saj.

Listat e antaresise administrohen sipas statutit dhe rregullave te permendura me siper. Cdo dege e PDSH ku do votohet per Kryetarin e PDSH do marre ne avance ne perputhje me vendimin e Komisionit te Organizimit dhe Kontrollit te Operacioneve Elektorale kopje te listes se antaresise te Deges se saj te cilen ajo e disponon edhe ne Dege. Listat e votimit sipas percaktimeve ne statut do administrohen nga komisioni i votimit i cili kryesohet nga Kryetari ose Sekretari i Deges dhe antare te tjere qe i zgjedh Kryesia e Deges. Cdo kandidat do te kete vezhgues ne cdo komision votimi.

Cdo Dege e PDSH administron databazen e antaresise se saj. Cdo ndryshim ne Databazen ne qender behet vetem me kerkesen zyrtare te Deges shoqeruar me dokumentacionin e plote te antarit qe shtohet apo largohet.

6- Komisioni i Organizimit dhe kontrollit te Operacioneve Elektorale, perberja e tij dhe kryesimi krijohen ne baze te nenit 46 te statutit dhe eshte kompetence e Kryesise se PDSH.

Sipas pikes 2 te ketij neni ai ka autoritetin per pergatitjen dhe organizimin e operacioneve te votimit ne nivel kombetar dhe territorial dhe siguron rregullsine e tyre. Ai nderhyn ne zgjidhjen e ceshtjeve elektorale ne Deget e Partise ne perputhje me aktet e nxjerra per kete qellim. Ai pergjigjet perpara Kryesise se Partise.

Ne keto rrethana ne si drejtues te PDSH nuk mund te plotesojme kerkesa qe nuk parashikohen apo jane ne kundershtim me statutin, dhe as te ndryshojme statutin e PDSH.

Ne garantojme qe brenda kompetencave tona do sigurojme per cdo kandidat nje proces te rregullt, te ndershem dhe te barabarte sipas statutit te PDSH.

 

NenKryetaret e PDSH:

Edi Paloka Edmond Spaho

Ministrat teknikë: Konflikti PS-PD rrezikon të lërë pa energji gjithë vendin

Posted: 03 Jul 2017 05:30 AM PDT

Konflikti mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike rrezikon të lerë pa energji gjithë vendin. Burime pranë qeverisë bënë me dije se ka një ngërç lidhur me përballimin e situatës dhe nevojës për importe. Aktualisht është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që po siguron energjinë e nevojshme përmes të ardhurave të saj. Por në lojë mund të hyjë KESH që ka në dispozicion 22.4 milionë euro nga Projekti me Bankën Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike, fond i parashikuar specifikisht për raste emergjente dhe kriza si rrjedhojë e thatësiravë. Edhe pse paratë janë ato nuk mund të përdoren për shkak se vendimi për përdorimin e tyre duhet të kalojë në Këshillin e Ministrave.

Të njëjtat burime konfirmuan se ministrat teknikë të Partisë Demokratike s'kanë firmosur asnjë vendim duke lënë pezull autorizimin për KESH që të përdorë paratë e projektit për importin e energjisë. Një vendim i tillë shihet si i nevojshëm për të shmangur situata të vështira në vazhdim. OSHEE nga ana tjetër rrezikon që nëse vijon të përdorë të ardhurat e saj për importe të shkurtojë pjesën e investimeve. Kompania e shpërndarjes realizoi blerje energjie nga importi në maj në masën e 173 269 Mwh ndërkohe që gjatë përgjatë gjithë muajit qershor kontraktoi vetëm për tre ditët e fundit të Qershorit dhe për muajin Korrik import në masën e 285 600 Mwh. Rrjedhimisht, gjatë gjithë Qershorit, vendi u furnizua me energji elektrike duke përdorur prodhimin e sforcuar të kaskadës së Drinit nga KESH-i çka çoi edhe në uljen e ndjeshme të nivelit në Fierzë.

Aktualisht, niveli i liqenit të Fierzës ka zbritur në 272 m ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. KESH-i tashmë prodhon për nevojat e OSHEE-së vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale, me synim të mos ulë më tej nivelin e kaskadës. Për shkak të rritjes së konsumit, nisur edhe nga temperaturat e larta atmosferike, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë, me synim garantimin e furnizimit të konsumatorëve. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin Korrik në masën 112 000 Mwh. Kryeja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë të pafavorshme për OSHEE-në./Monitor

Presidenti i Zyrihut: S’kemi ofertë për Sadikun

Posted: 03 Jul 2017 05:20 AM PDT

E ardhmja e Armando Sadikut mbetet ende e paqartë, ndonëse zërat për interesimin e skuadrave të ndryshme, madje edhe nga Izraeli nuk kanë munguar.

Futbollisti i kombëtares kuqezi ka shijuar pushimet në Shqipëri, por nuk dihet nëse do ta vijojë stërvitjen me Zyrihun që zotëron kartonin e tij. 26-vjeçari bën pjesën në listën e futbollistëve që mendohet se do ta vijojnë karrierën larg klubit zviceran.

Presidenti i Zyrihut, Ancillo Capena, i pyetur për të ardhmen e Sadikut e ka pranuar se sulmuesi shqiptare do të largohet dhe kjo është normale, por për momentin nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare për kartonin e tij.

Nëse Zyrihu nuk arrin të përfitojë nga kartoni i Sadikut në këtë merkato vere, atëherë do ta humbasë me parametër zero.

Nga skuadra që sapo u ngjit në Superligës e Zvicrës mund të largohet edhe Burim Kukeli, që në moshën 33-vjeçare nuk konsiderohet lojtar i perspektivës.

Sikurse veproi me Sadikun gjatë janarit Zyrihu mund ta huazojë lojtarin te Lugano, aktualisht pjesëmarrëse në Europa League.