INSAJDERI: “Komuna vonon hapjen e konkursit për kioskat, librashitësit shprehin pakënaqësi” plus 19 more

INSAJDERI: “Komuna vonon hapjen e konkursit për kioskat, librashitësit shprehin pakënaqësi” plus 19 more


Komuna vonon hapjen e konkursit për kioskat, librashitësit shprehin pakënaqësi

Posted: 14 Jul 2017 10:06 AM PDT

Shitësit ambulantë të librave në Prishtinë vazhdojnë aktivitetin e tyre në sheshet e kryeqytetit, derisa kioskat e komunës qëndrojnë pa u shfrytëzuar – shumë afër këndeve të tyre të shitjeve.

Më 24 prill të këtij viti, Komuna e Prishtinës vendosi në sheshet e qytetit “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, kioskat për librashitësit ambulantë të kryeqytetit. E gati tre muaj më vonë, komuna nuk ka hapur konkurs për dhënien në shfrytëzim të këtyre kioskave.

Një projekt i tillë i kishte dështuar Komunës së Prishtinës në vitin 2014, kur disa kioska të vendosura nuk ishin dhënë në shfrytëzim të librashitësve.

E kësaj radhe, komuna ka bërë të ditur se konkursi do të hapet më së largu javën e ardhshme.

"Hyjnë në përdorim kioskat por janë duke u bërë kriteret. Është duke u hartuar konkursi edhe duan ta bëjnë sa më të pavarur, me qenë kriteret që nuk e diskriminojnë askënd", ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Fitore Pacolli, për Insajderin.

Pacolli ka thënë se tetë kioskat do të hyjnë në përdorim posa të përfundojnë konkursi dhe përzgjedhja, proces ky që do të marrë edhe dy javë të tjera. Sipas saj, kioskat do të jenë të zbrazëta edhe për tri javë të tjera.

Por, këtë gjë të ngjashme zyrtarët e kanë thënë edhe gati një muaj më parë, por konkursi nuk ishte hapur.

Vonesën dhe premtimet e zbrazëta i përmendin edhe vetë shitësit e librave, të cilët kanë shkuar me dhjetëra herë në komunë për të marrë përgjigje.

Besian Zeneli, librashitës në Komunën e Prishtinës, thotë që është interesuar dhe dëshiron të fillojë punën në njërën nga kioskat, por përkundër pyetjeve zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë përgjigje.

"Kanë thënë hapeni dhe përcilleni faqen e Komunës kur e qesin lajmërimin dhe aplikoni", ka thënë Zeneli.

Një shqetësim tjetër i shitësve është frika se kioskat mund t’i jepen në shfrytëzim personave të tjerë, duke i lënë ata pa punë.

Librashitësi Mirsad Krasniqi, tregon se janë tamam tetë kioska për tetë shitësit në shesh, por shprehu frikën se "ka fjalë që mund të hyjë dhe dikush tjetër" dhe të ua zërë vendin nga konkursi që do të hapet.

"Edhe pse siç kemi dëgjuar, ne do të kemi përparësi në konkurs. Do të duhet të kishim", pohon ai.

Ndërsa për madhësinë e kioskave ankohet se janë të vogla, por se këto janë më mirë se sa të qëndrojnë ashtu në tavolina në ambient të jashtëm.

Por njëjtë nuk mendon dhe një shitës tjetër pak më larg tij, i cili shprehu pakënaqësi për sipërfaqën e vogël të kioskave.

"Shumë të vogla kabinat. Çka me ba aty? Dy persona me ardhë aty e me kapë një libër skan si me livritë, a po e sheh?", thotë ai duke ngritur zërin.

Sa për interesim se kur do të hapen kabinat, ai tha se nuk është interesuar pasi që "edhe me u interesu ata nuk më ngojnë mu".

Ndërkohë, pak ditë më parë disa kioska kanë filluar punën. Këto janë kioskat e luleve të freskëta me vendndodhje në sheshin "Skënderbeu". /Insajderi.com

The post Komuna vonon hapjen e konkursit për kioskat, librashitësit shprehin pakënaqësi appeared first on INSAJDERI.

Veton Surroi: Këta janë njerëzit e AAK-së që e dëmtuan Kosovën

Posted: 14 Jul 2017 10:01 AM PDT

Publicisti, Veton Surroi përmes një shkrimi të tij ka shkruar për problemet që ballafaqohet kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Haradinaj ballafaqohet me një problem objektiv e tërë struktura e qeverisjes mbështetet vetëm te fjala e tij dhe sipas tij sado e fortë të jetë, fjala e tij tash bëhet pengesë.

"Duke e njohur prej vitesh, e kuptoj ndjenjën e tij. Ajo që e karakterizon prej kohësh është forma e drejtpërdrejtë e komunikimit, që bazohet në një kod pothuajse mesjetar të fjalës së dhënë, të shtrëngimit të dorës si kontratë më e fortë se cilado e shkruar dhe e verifikuar në noteri a gjykatë", ka shkruar ai.

Sipas Surroit problemi i Haradinajt është paradoksal pasi i mbështetët fjalës së tij.

"Së pari, AAK-ja është pjesë e koalicionit me PDK-në, një parti e cila është përgjegjëse për kapje të shtetit (gjë të cilën e ka thënë publikisht Haradinaj deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me të). Për ta formuar Qeverinë, në rrethana kur në të nuk duan të hyjnë partitë shqiptare me 61 deputetë, Qeveria Haradinaj do të duhej të kishte mbështetjen e të gjithë minoritarëve, përfshirë Listën Srpska dhe disa deputetë që do të shkëputeshin prej grupit '61'", ka shkruar më tej.

Më tutje Surroi ka thënë se arsyeja e dytë se përse mbështetja e vetme në fjalët e Haradinajt është pamjaftueshme, për shkak të përvojave jo të mira në të kaluarën.

"Arsyeja e dytë pse mbështetja vetëm në fjalën e Ramush Haradinajt është e pamjaftueshme, qëndron në një përvojë jo të mirë në të kaluarën. Në kohën kur AAK-ja ka qenë në Qeveri, gjegjësisht në krye të saj, prej vitit 2004-2007, përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri kanë krijuar një listë të konsiderueshme dëmesh për vendin. Gjatë mandatit të Bujar Dugollit, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, privatizuesi i "Ferronikelit" nënshkroi marrëveshje preferenciale me KEK-un për furnizim me rrymë, me të cilën ne si qytetarë u obliguam që ta paguajmë rrymën për "Alferonin" (gjashtë milionë euro në vit)", transmeton Koha.net.

"Bujar Dugolli, Et'hem Çeku, Agim Çeku, Bajram Kosumi, Anton Berisha e Blerim Shala, me gjithë dallimet që kanë mes vete i përbashkojnë më tutje disa pika. Që të gjithë kaluan një rrugëtim prej AAK-së në PDK, një rrugëtim që kur e bëjnë njerëz të këtillë me dallime mes vete duket se bëhet i natyrshëm, si për ta ashtu edhe për ata që do të vijnë më pas. Që të gjithë bënë veprime të dëmshme ndaj vendit, në forma të ndryshme e nga asnjëri prej këtyre veprimeve nuk rrodhi përgjegjësia – as individuale e tyre e as e AAK-së, si parti e cila u mundësoi që të bëjnë dëme", ka thënë ai.

The post Veton Surroi: Këta janë njerëzit e AAK-së që e dëmtuan Kosovën appeared first on INSAJDERI.

Arsenali i gatshëm të thyej rekordin për të transferuar Mbappen

Posted: 14 Jul 2017 09:40 AM PDT

Gazeta e famshme spanjolle "Marca" raporton se Arsen Wengerka dërguar ofertë për yllin e skuadrës së Monacos Kylian Mbappe.

Oferta e parë e bërë nga Arsenali nuk kishte bindur drejtuesit e Monacos që t'ia shesin yllin skuadrës së Arsenalit, por oferta e dytë e bërë sot sipas gazetës do të thyente cdo rekord, për faktin se Wengerka dërguar ofertë prej 123 milionë euro.

Wengerbesohet se ka pasur një takim prej tri orës me talentin 18 vjeçar në mënyrë që ta bind atë për të kaluar në Arsenal.

Në anën tjetër gazeta tjetër franceze "France Futboll" njofton se pavarësisht transferimit të Alexsandre Lacazettes, Mbappe vazhdon të jetë objektivi kryesor i Arsenalit.

Skuadër tjetër që është e interesuar për talentin francez është edhe Real Madrid, por Wenger duket se ka provuar ta bind Mbappen për një të ardhme më të mirë nëse ai transferohet në Londër.

The post Arsenali i gatshëm të thyej rekordin për të transferuar Mbappen appeared first on INSAJDERI.

Athinë, pako e dyshimtë pranë banesës së ambasadorit të SHBA

Posted: 14 Jul 2017 09:26 AM PDT

Autoritetet greke janë vënë në alarm të kuq pas gjetjes së një pakoje të dyshimtë në afërsi të banesës së ambasadorit amerikan në Athinë.

Sipas autoriteteve greke, pakoja ishte lënë në një trotuar pranë banesës së diplomatit amerikan.

Policia izoloi menjëherë zonën dhe specialistët e policisë larguan brenda pak minutash pakon e dyshimtë, e cila u dërgua në Drejtorinë e Policisë së Atikës për ekzaminim.

Burime policore thanë se pakoja nuk përmbante gjë të dyshimtë, por rasti tregoi se autoritetet reagojnë shumë shpejt kur bëhet fjalë për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, siç janë ato me interes amerikan.

Në të kaluarën Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Athinë është bërë disa herë objekt sulmesh nga organizatat terroriste vendase.

Gjithësesi, në këtë rast vlen të përmendet se në momentin e gjetjes së pakos, ambasadori amerikan nuk ndodhej në banesën e tij, por po vizitonte kampet e emigrantëve në ishullin e Lezbos.

The post Athinë, pako e dyshimtë pranë banesës së ambasadorit të SHBA appeared first on INSAJDERI.

Kina mohon përgjegjësinë për vdekjen e novelistit

Posted: 14 Jul 2017 09:18 AM PDT

Kina i hodhi poshtë kritikat e ndërkombëtarëve për moslejimin e kritikut të saj, Liu Xiabo, të trajtojë kancerin në mushkëri jashtë shtetit.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se rasti ka qenë çështje e brendshme dhe se vendet e tjera "nuk janë në pozitë për të bërë deklarata të pahijshme".

Aktivisti Liu, i cili ka qenë duke shërbyer dënimin me burg prej 11 vjetësh, ka vdekur të enjen në moshën 61-vjeçare, në një spital në Kinë.

Komiteti i Nobelit, i cili i ka dhënë atij Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2010, tha se Kina mban "përgjegjësi të madhe" për vdekjen e tij.

The post Kina mohon përgjegjësinë për vdekjen e novelistit appeared first on INSAJDERI.

Motra e Chiellinit sulmon Bonuccin për kalimin në Milan

Posted: 14 Jul 2017 09:05 AM PDT

Leonardo Bonucci është një lojtar i Milan-it. Mungon vetëm zyrtarizimi, që do të vijë nesër pas zhvillimit të vizitave mjekësore. Mbrojtësi, i cili ka zgjedhur numrin 19, do të paguhet 7,5 milionë euro në vit plus 2,5 si bonus.

Shifra këto që do ta bëjnë atë më të paguarin në kampionatin italian.

Largimi i tij ka qenë një goditje e vërtetë për tifozët bardhezi, të cilët nuk i kanë kursyer sulmet kundër ish0idhullit të tyre në rrjetet sociale.

"Palaço mosmirënjohës", "Largohu humbës", "Fanella jote do të digjet", kanë qenë disa nga komentet më të ashpra. Por mes tifozëve ka edhe nga ata që e kanë pasur të vështirë të përmbajnë lotët: "Nuk kisha menduar kurrë se do të shihja me ngjyra të tjera".

 

Kundër transferimit të Bonuccit te Milan është shprehur edhe motra e Giorgio Chiellinit.

"Të gjithë donin që të bëhej kapiten, të gjithë e imagjinonin si simbolin e ri bardhezi dhe më pas…".

Koment ky që është shoqëruar me "#vincesempreildenaro" (fiton gjithmonë paraja) dhe "#senzaparole" (pa fjalë), ka shkruar Silvia Chellini në profilin e saj në Facebook.

The post Motra e Chiellinit sulmon Bonuccin për kalimin në Milan appeared first on INSAJDERI.

Angelina Jolie viziton Namibinë me vajzën Shiloh

Posted: 14 Jul 2017 09:02 AM PDT

Aktorja e njohur e Hollivudit Angelina Jolie, vajzën e parë  Shiloh Nouvel e lindi më 27 maj 2006, në Swakopmund të Namibisë.

Për nderë të lindjes së vajzës në Namibi, Jolie themeloi një strehimore të re për kafshët e egra në vend. Strehimorja mori emrin sipas vajzës, "Shiloh Wildlife Sanctuary".

Strehimorja dhe fëmijët që qëndrojnë në "Shiloh Wildlife Sanctuary" janë vizituar së fundmi nga aktorja e famshme.

Kjo seli mori emrin sipas 11-vjeçares, është pjesë e Fondacionit "N/ a’an ku se", shkruan Daily Mail.

Strehimorja e re është financuar nga Fondacioni Jolie-Pitt, dhe çifti i kurorëzuar në vitin 2011 dhuruan një grant prej 2 milion dollarësh.

The post Angelina Jolie viziton Namibinë me vajzën Shiloh appeared first on INSAJDERI.

Gruaja e Shefki Kuqit thotë se ia vodhën votat, tërhiqet nga politika

Posted: 14 Jul 2017 08:59 AM PDT

Kandidatja që mori më së paku vota në listën e PDK-AAK-Nisma, Xhyljeta Kuqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka akuzuar numëruesit e votave në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, se manipuluan me votat e saj.

Gruaja e ish-futbollistit Shefki Kuqi mori vetëm 1116 vota në zgjedhjet parlamentare.

E fundit e listës së PAN-it beson se ka pasur keqpërdorime të votave pasi, sipas saj, informatat që ajo ka pasur nga qendrat e votimin në ditën e zgjedhjeve nuk përputhen me rezultatin final të tyre.

Kandidatja nga Vushtria beson se ka marrë dyfishin e votave që ka, të cilat, gjithsesi se nuk do ta bënin deputete, por nuk do ta rënditnin të fundit.

"Unë do i besoj Aleancës, por jo edhe personave në qendrat e numërimit të votave. Ka pasur keqpërdorime dhe për këtë do të tërhiqem", thotë Kuqi për Gazetën Express.

Ajo tregon se e gjithë familja e saj ka votuar për të në një klasë në fshatin Studime të Vushtrrisë, ndërsa nga po e njëjta klasë ajo ka marrë vetëm dy vota.

Meqë Kuqi nuk e konsideron mundësinë se familjarët mund të mos e kenë votuar, ajo thotë se i janë vjedhur votat në rastin më konkret.

Ajo ka treguar se ka fushata e saj kishte qenë e ngjeshur dhe i premtonte më shumë përkrahje në zgjedhje. Kuqi shton se ka zhvilluar aktivitete, jo vetëm në qyretin e saj, por edhe në zona tjera.

Rezultati dëshpërues i zgjedhjeve e ka dërguar Kuqin të zhgënjyer në Ulqin për të filluar një biznes veror, i cili beson se do të jetë më produktiv se rezultati në rrafshin politik. Por jo vetëm Kuqi; fundi i listës së PAN-it është i përbërë edhe nga disa gra tjera, që tregon se elektorati i këtij koalicioni ishte i rezervuar në votimin e tyre.

Alternativën do ta përfaqësojnë dy deputetë nga 10 sa kishin kandiduar brenda koalicionit LDK-AKR-Alernativa. E kandidatja më pak e votuar në listën e këtij koalicionit është Arbërore Riza nga radhët e iniciativës më të re të skenës politike që mori 620 vota. /Insajderi.com

The post Gruaja e Shefki Kuqit thotë se ia vodhën votat, tërhiqet nga politika appeared first on INSAJDERI.

Këshilltari i presidentit thotë se ende nuk dihet kur do të mbahet seanca konstituive

Posted: 14 Jul 2017 08:53 AM PDT

Këshilltari Politik i presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka bërë të ditur se ende nuk ka datë se kur do të mbahet seanca konstituive.

"Jo ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të mbahet seanca", tha Arifaj.

Arifaj tha se rezultati i zgjedhjeve është certifikuar vetëm para pak ditësh dhe afati kohor brenda të cilit duhet të mblidhet seanca e parë është një afat prej 30 ditësh, dhe se ata ende janë brenda kufijve kohorë dhe ligjor.

"Pra janë 30 ditë brenda të cilave presidenti duhet ta bëjë mbledhje e parë konstituive. Jemi ende në fillim të këtij afati", shtoi ai në Klan Kosova.

"Vetëm pas konstituimit të kuvendit, koalicioni apo partia që i ka fituar zgjedhjet e propozon mandatarin e pastaj presidenti e jep mandatin për themelimin e qeverisë. Nuk ka ende asnjë vendim, asnjë datë, jemi ende brenda kufijve kohorë të përcaktuara me kushtetutë", tha ai.

The post Këshilltari i presidentit thotë se ende nuk dihet kur do të mbahet seanca konstituive appeared first on INSAJDERI.

Sulm në Egjipt, vriten dy turiste evropiane

Posted: 14 Jul 2017 08:52 AM PDT

Dy turiste ukrainase janë vrarë në një sulm të ekzekutuar sot në një hotel në Hurghada të Egjiptit, raporton BBC.

Të paktën katër persona të tjerë u plagosën dhe një njeri është arrestuar, kanë thënë mjekët në qytetin e Hurghadas.

I dyshuari po merret në pyetje nga policia për t’i bërë të ditura motivet e tij, tha ministria e brendshme. /Insajderi.com

The post Sulm në Egjipt, vriten dy turiste evropiane appeared first on INSAJDERI.

Vetëvendosje përmbyll takimet në Washington

Posted: 14 Jul 2017 08:46 AM PDT

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dhe koordinatorja e Marrëdhënieve me Jashtë, Gurjeta Zeka, e kanë përmbyllur vizitën në SHBA me disa takime në Washington DC.

Ata janë pritur në takim në Departamentin e Shtetit nga Drejtori i Marrëdhënieve me Evropën Qendrore dhe Jugore, Matthew Palmer, si dhe në Kongresin Amerikan nga kongresmenin Eliot Engel.

Më tej Visar Ymeri dhe Gurjeta Zeka kanë marrë pjesë edhe në një takim të organizuar nga shoqata e profesionistëve të rinj shqiptaro-amerikan në Washington DC, ku ndër të tjerë në këtë takim ishte prezent edhe ish Ambasadori William Walker.

Në këto takime Visar Ymeri ka shpjeguar situatën post-zgjedhore të krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare si dhe prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje të cilat Lëvizja synon t'i sjell në jetë përmes formimit dhe drejtimit të qeverisë së re të Kosovës.

 

The post Vetëvendosje përmbyll takimet në Washington appeared first on INSAJDERI.

Peticion në BIK e Komunë për të ndalur ndërtimin e xhamisë në Dardani

Posted: 14 Jul 2017 08:30 AM PDT

Një kërkesë me nënshkrimet e 30 personave ka shkuar në adresë të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Kërkesa e shtruar ka të bëjë me ndalim të procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania. Sipas tyre xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.

Letrën e plotë dhe të nënshkruarit mund t'i lexoni më poshtë:

Ne të poshtë shënuarit, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të procesit të ndërtimit të objektit me destinim fetar në lagjen Dardania në Prishtinë. Objekti me destinim fetar nuk është në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut që është e përcaktuar në planin rregullativ. Objekti po ashtu nuk është në përputhje me kriteret e konkursit të publikuara për kompanitë arkitektonike që kanë aplikuar për ndërtimin e këtij projekti.

Sipas Planit Rregullues të Lagjes Dardania, të miratuar në vitin 2009, që përcakton rregullat për ndërtim dhe zhvillim të lagjes dhe parcelës ku është planifikuar objekti fetar, një projekt i ndërtuar aty duhet të jetë "në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut", sipas përshkrimit për Kushtet e Veçanta të Bllokut 8c, faqe 164 të planit (bashkangjitur me këtë letër).

Ndërkohë, sipas kritereve në "Konkursin për Ndërtimin e Xhamisë Qëndrore" që e ka përzgjedhur projektin e kontestuar, përcaktohen qartazi kriteret e përzgjedhjes. Kritere këto që janë shkelur në projektin aktual. Në faqen 53 të këtij dokumenti (të bashkangjitur me këtë letër) thuhet përveç tjerash se objekti fetar duhet të jetë "i integruar në ambientin dhe kontekstit urban të lagjes".

Objekti i përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshim me kontekstin dhe ambientin përreth të lagjes për shkak se është projekt me stil arkitektonit të shekullit XV dhe XVI, përdersia objektet përreth i takojnë stilit modernist utilitarian të arkitekturës. Objekti poashtu nuk e përmbush kriterin e "origjinalitetit arkitektonik" të përshkruar në faqen 54 të konkursit, përderisa ndërtesa në fjalë është kopje e një ndërtese tjetër në shtet tjetër.

Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qëndrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit.

Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë. Përderisa Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, në respektim të ligjeve dhe të harmonizimit të planeve dhe rregullave, kërkojmë që ato të aplikohen pa përjashtim edhe në procesin e ndërtimit të Xhamisë Qëndrore në Prishtinë. Për ta facilituar këtë proces, është domosdoshmëri që të krijohen dëgjime publike të hapura me qytetarët e lagjes, me urbanistë dhe arkitektë, me përfaqësuesit komunal dhe qendror, dhe me të gjitha palët tjera që preken nga ky proces.

Prandaj kërkojmë që të përsëritet edhe njëherë procesi i përzgjedhjes së projektit fitues, duke respektuar në tërësi kriteret e konkursit dhe planin rregullues të lagjes.

Liria e besimit dhe praktikimit të fesë në vendin tonë është e drejtë e patjetërsueshme që na takojnë të gjithëve, njësoj qysh ligjet e Kosovës dhe ambienti urban i qytetit na takojnë të gjithëve njësoj. Andaj, duke mbështetur lirinë e besimit dhe asociimit, kërkojmë ndërtimin e objekteve dhe ndërtesave në përputhje me rregullat urbanistike dhe ligje të kryeqytetit dhe shtetit tonë.

Nënshkruar nga:

Yll Rugova

Alban Muja

Bardhi Haliti

Eli Krasniqi

Petrit Gora

Ares Shporta

Vigan Hoxha

Visar Arifaj

Lura Limani

Besa Luzha

Eli Gashi

Krenar Shala

Agron Istrefi

Florina Duli

Gani Jakupi

Venera Mustafa

Burim Ejupi

Vullnet Senaja

Dafina Zherka

Krenar Gashi

Rushit Arifi

Driton Pllana

Lum Mita

Kastriot Musliu

Mrikë Sefaj

Habib Mekolli

Dalina Berisha

Faruk Ahmeti

Luan Ibraj

Elvin Blakaj

The post Peticion në BIK e Komunë për të ndalur ndërtimin e xhamisë në Dardani appeared first on INSAJDERI.

Gjermania dhe krimi i organizuar

Posted: 14 Jul 2017 08:21 AM PDT

Ndodh më rrallë por edhe Gjermania duhet të pranojë se në këtë vend ka krime të rënda: para dhjetë vitesh në Duisburg pas të shtënave me armë zjarri mbetën të vrarë në rrugë disa vetë. Gjashtë të vdekur ishte bilanci i tmerrshëm i konfliktit të armatosur mes klaneve të ‘NdranghetA” të Kalabrisë.

Ndërkohë deri më sot gjërat nuk kanë ndryshuar thuajse aspak. Policia gjermane ka konstuatuar se në këtë vend jetojnë të paktën 560 persona që mund të ndërlidhen me krimin e organizuar jo vetëm në Itali. Bëhet fjalë për persona nga bandat e ndryshme ruse, shqiptare, turke dhe të tjera. Kësaj i shtohen edhe të ardhurit nga Afrika, të cilët merren kryesisht me punë të “pista”, pasi punët më të mëdha i kanë kapur të tjerët.

“Mysafir tek mafia”

Pjesëtarët e klaneve të organizuara mirë kaherë kanë nisur punë “më të mira”, siç janë pastrimi i parave të kontrabandës, organizimi i transportit të narkotikëve, trafikimi i qenieve njerëzore apo dhe krime të tjera, ku nuk ka nevojë për armë. “Mafia sot gjithnjë e më pak merret me vrasje dhe dhunë”, tha ministri i Brendshëm italian Marco Minniti, në një konferencë të mbajtur të mërkuren në Berlin.

“Por kjo nuk do të thotë se mafia nuk ekziston. Mafia është edhe në Gjermani prezente, por e padukshme. Mund të gjendeni në një restoran shumë të bukur në Mynih dhe nuk e dini se jeni mysafir tek mafia, apo në ndonjë tendë në Oktoberfest.” Krimi i organizuar është shtrirë jo vetëm në shtete por edhe në fusha të ndryshme të biznesit.

Mafiozët e pëlqejnë Gjermaninë

Shitjen e drogës e shohin të gjithë, por jo edhe paratë e investuara nga krimi në ndonjë biznes, thotë David Ellero, një polic me përvojë 20-vjeçare në luftën kundër krimit të organizuar. Ai ka filluar punën në Napoli, ndërsa tani është në krye të sektorit të Europolit për luftën e krimit në ekonomi. Gjermania është sipas tij selia e pastrimit të parave të kontrabandës dhe për organizimin e narkotikëve. Pasojnë Belgjika dhe Holanda. Në shumë pak vende të tjera mund të shkosh dhe të blesh një orë “Rolex” me 30.000 euro “cash”, pa të pyetur shitësja se ku i more këto para. Në parim kjo nuk lejohet, por edhe më tej ekzistojnë rrugë dhe mundësi që diçka e tillë të bëhet.

Kriminalëve u pëlqen edhe infrastruktura në Gjermani dhe u shkon në favor zhvillimi ekonomik. Ndërkohë që në favor u shkojnë edhe ligjet e dobëta ku përkatësia në ndonjë grup kriminal nuk dënohet si dhe ndarja e policisë në lande.

Infografik Organisierte Kriminalität Deutschland ENG

“Bisha me tri këmbë”

Ellero e krahason krimin e organizuar me “një bishë me tri këmbë”. Këmba e parë janë zbraztësirat në ligjet e vendeve të BE-së, ku Gjermania është një shembull shumë i mirë. Në veçanti kur dihet se prokuroria duhet të dëshmojë nëse dikush ka arritur ndonjë pasuri në mënyrë ilegale. Në Itali të gjithë duhet të dëshmojnë se paratë i kanë fituar në mënyrë të ndershme. Një person me Rolex në dorë që nget një Ferrari e ka shumë të vështirë të dëshmojë prejardhjen e pasurisë.

Këmba e dytë është mungesa e vetëdijes për ekzistencën e mafias. Polici nga jugu i Italisë sugjeron që “atje ku shihni një piceri italiane në afërsi mund të jetë edhe mafia”. Ndaj mafia nuk duhet të paramendohet vetëm si një grup i njerëzve të dyshimtë në dukje, me theks italian dhe me armë në brez.

Dhe këmba e tretë është shpërndarja e resurseve shtetërore në shërbime të ndryshme, në kohën e rrezikut nga terrorizmi. Policia tani është përqendruar më së shumti në luftën kundër ekstremizmit islamik ndërsa kriminelët u shëtisin para hundës. Përparësia e vetme është që mafia tani nuk merret aq shumë me shitjen e armëve, sepse kjo i ka mbetur shtresës më të ulët të kriminelëve. Shitja e armëve ndiqet tani nga të gjitha strukturat e shtetit dhe është një punë tepër e rrezikshme.

Nota e dobët

Polici italian thotë se prerja e vetëm njërës prej këtyre “këmbëve” do të thoshte rrëzim i bishës. Ligjet duhet të ndryshohen dhe të ashpërsohen, sepse mafiozët e sotëm shëtisin me rroba të shtrenjta dhe lëvizin me makina shumë të mira. Ata mbajnë ndoshta edhe kurse në bursa, por në esencë kanë mbetur kriminelë. Ministri i Brendshëm italian Minniti thotë se “nuk e di cili është më i keq – terroristi i ISIS-it apo një shef i krimit të organizuar.” Nuk duhet të harrojmë luftën kundër terrorizmit, por as kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore dhe narkotikë.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizier duhet të bëjë edhe shumë gjëra. Edhe ai vet ka paralajmëruar se duhet forcuar lufta kundër krimit të organizuar. Ai tha se lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar duhet të shfrytzohet si model për një luftë më të mirë kundër krimit të organizuar. Por aktualisht ka shumë probleme.

FBI evropiane?

Në Berlin askush nuk thotë se kriminelët nuk janë aktivë në Gjermani. Një ndër organizatorët e konferencës në Berlin, “Mafia, Nein Danke” (Mafia – jo faleminderit) ka llogaritur se mafia vetëm në Gjermani pastron në vit rreth 100 miliardë (100.000.000.000) euro. Ajo është aktive gjithandej – prej bursave e deri tek kafenetë dhe piceritë.

Ministri gjerman de Maiziere megjithatë paralajmëron se Kushtetuta gjermane nuk lejon krijimin e një force të përbashkët policore, si ajo FBI në SHBA. Por është i mundur bashkëpunimi më i ngushtë, në radhë të parë me “profesorët” nga Italia. Minniti mendon se duhet krijuar edhe një isntitucion evropian me kompetenca të mëdha për luftimin e mafias. Ndërkohë në Gjermani është paralajmëruar ashpërsimi i ligjeve, por mbetet të shihet nëse kjo “këmbë” e prerë do ta rrëzonte bishën (mafian) përtokë. /DW

The post Gjermania dhe krimi i organizuar appeared first on INSAJDERI.

BE nuk cakton afat për anëtarësimin e Serbisë

Posted: 14 Jul 2017 08:17 AM PDT

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke u shprehur se e vlerësojnë në mënyrë të “hapur” perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE, tha se “shpejtësinë e anëtarësimit të Serbisë në BE do ta përcaktojë përparimi i vendit”.

Tusk dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit dypalësh të zhvilluar në Këshillin e BE-së. Në bisedime bëhet e ditur se janë diskutuar marrëdhëniet BE-Serbi dhe procesi i dialogut me Kosovën, i zhvilluar nën udhëheqjen e BE-së.

Duke rikujtuar se Serbia zgjedhjen “gjeostrategjike” e ka kryer nga ana e BE-së, Tusk ka vënë në dukje se tashmë nuk ka më kthim në këtë fushë, duke shtuar se “Shpresoj që zgjedhja juaj të drejtojë sjelljen tuaj.”

Ndërsa Vuçiç duke kërkuar që BE-ja të përcaktojë afatin kohor në lidhje me anëtarësimin e Serbisë, ka deklaruar se “Sikur BE-ja të kishte përcaktuar një afat kohor të qartë, populli i Serbisë do të ishte më i motivuar për ato që duhet të bëjë”, raporton AA.

Më tej duke shpjeguar se në bisedime kryesisht kanë cekur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të zhvilluar nën udhëheqjen e BE-së, Vuçiç ka theksuar se janë të gatshëm të bëjnë atë që është e nevojshme për të ndërtuar paqen afatgjatë dhe stabilitetin në rajon.

Vuçiç ditën e djeshme para se të nisej drejt Brukselit ishte shprehur se në kuadër të takimeve me zyrtarët e BE-së prisnin dhënien një date të caktuar në lidhje me procesin e anëtarësimit të Serbisë.

 

The post BE nuk cakton afat për anëtarësimin e Serbisë appeared first on INSAJDERI.

“Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri i qeverisë së re”

Posted: 14 Jul 2017 08:14 AM PDT

Kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj ka thënë se Ramush Haradinaj do të jetë kreu i qeverisë së re në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë me mediumin gjerman Deutsche Welle, ka thënë se shpreson që qeveria e re të formohet së shpejti.

"Kosova është një shtet sovran, dhe kush do ta formojë qeverinë e re do ta vendos Parlamenti i Kosovës. Unë besoj se së shpejti do ta kemi një qeveri të re në Prishtinë, dhe Ramush Haradinaj do të jetë kreu i kësaj qeverie", ka thënë Hoxhaj për Deutsche Welle.

Hoxhaj ka thënë se pret që edhe qeveria e ardhshme e Kosovës do ta vahzdojë dialogun me Serbinë. /Insajderi.com

The post “Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri i qeverisë së re” appeared first on INSAJDERI.

Bonucci bëhet kapiten tek Milani

Posted: 14 Jul 2017 08:09 AM PDT

Raportohet se Leonardo Bonucci do të jetë kapiten i Milanit, pasi ta kryejë transferimin e tij nga Juventusi.

Mbrojtësi qendror gjendet në Casa Milan, për ta mbyllur transferimin e tij me Rossonerët.

Ai pritet të ketë pagë prej 6.5 milionë euro në sezon, ndërsa Juventusit do t'i shkojnë 40 milionë euro dhe 2 milionë euro të tjera bonuse.

Sipas Premium Sport, nuk janë vetëm milionat që do t'i japin, pasi ai do ta marr edhe shiritin e kapitenit.

Italiani do ta mbajë numrin 19 në shpinë me fanellën e re të Milanit.

The post Bonucci bëhet kapiten tek Milani appeared first on INSAJDERI.

Inter i përgjigjet Manchester Unitedit për Perisiç

Posted: 14 Jul 2017 08:07 AM PDT

55 milionë euro. Ky është çmimi që Interi ka caktuar për Ivan Perisiç, nëse Man United dëshiron ta transferojë në "Old Trafford".

Walter Sabatini e ka pranuar se Manchester Unitedi është seriozisht i interesuar për Ivan Perisic, teksa tregoi se Interi tashmë ka caktuar çmimin për lojtarin.

Anësori kroat dëshiron të transferohet në "Old Trafford", por deri më tani "Djajtë e Kuq" kanë hezituar të paguajnë 55 milionë euro, shifër të cilën e kërkon klubi italian.

"Perisic është lojtar që pëlqehet shumë nga trajneri, Luciano Spalletti, na ka kërkuar që ta mbajmë. Do të donim ta bëjmë këtë, megjithëse mbajmë vetëm ata që janë të motivuar dhe dëshirojnë të qëndrojnë", tha Sabatini.

"Është e vërtetë se Manchester United është seriozisht i interesuar për lojtarin, që tashmë i di kërkesat tona, kështu që të shohim çfarë do të ndodhë ditëve të ardhshme", shtoi ai.

"Është fakt se Interi ka caktuar çmimin për lojtarin. Perisic është lojtar i shkëlqyer për Interin dhe duam që ai të qëndrojë dhe nëse nuk qëndron do të jetë vetëm për shkak të parave që do të na nevojiten për të zgjeruar skuadrën", theksoi mes tjerash Sabatini. /Insajderi.com

The post Inter i përgjigjet Manchester Unitedit për Perisiç appeared first on INSAJDERI.

Gjashtë turistë në Egjipt janë plagosur nga një sulm me thikë

Posted: 14 Jul 2017 08:00 AM PDT

Ministria egjiptiane e Punëve të Brendshme konfirmoi se një person me thikë ka sulmuar gjashtë turistë të nacionaliteteve të ndryshme në Hurghadi të Egjiptit.

Sulmi ndodhi në vendpushimin e Detit të Kuq. Nga Ministria theksuan se sulmuesi është arrestuar menjëherë pas sulmit.

Gjithashtu theksohet se hetimi paraprak tregoi se personi erdhi në hotel duke notuar nga plazhi i afërt dhe ende nuk dihet shkaku i sulmit, raporton AA.

Turistët e lënduar janë vendosur në spitalet lokale. Nuk dhanë detaje mbi atë se nga cilat vende janë turistët e lënduar. Sulmi ndodhi pasi pesë policë u vranë në Giza kur pjesëtarët e organizatës terroriste DEASH hapën zjarr.

The post Gjashtë turistë në Egjipt janë plagosur nga një sulm me thikë appeared first on INSAJDERI.

Zyrtare: Walker transferohet në City, bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori

Posted: 14 Jul 2017 08:00 AM PDT

Manchester City ka zyrtarizuar blerjen e mbrojtësit anglez, Kyle Walker nga Tottenham Hotspurs për 45 milionë funte, plus 5 milionë euro të tjera bonuse.

Walker ka nënshkruar një kontratë prej 5 vitesh me Manchester Cityn, derisa është bërë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit.

Ai do të mbajë numrin 2 në fanellë.

Manchester City i Pep Guardiolas ka larguar nga skuadra të gjithë mbrojtësit anësor dhe tani është në kërkim të një tjetër mbrojtësi anësor. /Insajderi.com

The post Zyrtare: Walker transferohet në City, bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori appeared first on INSAJDERI.

Delawie: Deputetët do ta gjejnë mënyrën për t’i bërë 61 vota për qeverinë

Posted: 14 Jul 2017 07:50 AM PDT

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka thënë sot në një intervistë për Radio Evropa e Lirë se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta gjejnë një mënyrë për ta formuar qeverinë e re.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Delawie, çfarë keni diskutuar me liderët politikë javën e fundit, sa i përket çështjes së formimit të institucioneve të reja?

Ambasadori Delawie: Unë kam takuar shumë liderë politikë dhe do t'i takoj edhe disa të tjerë ditëve të ardhshme. Kjo është ajo që bëjnë diplomatët – ne flasim me njerëzit dhe mundohemi të kuptojmë se çfarë po ndodhë ashtu që t'i përcjellim këto te qeveritë tona. Kam folur për pritjet e mia, pritjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Qeveria e ardhshme – kushdo që të jetë në atë Qeveri. Këto janë gjërat për të cilat kam folur në vitet e fundit: përparimi i sundimit i të ligjit, luftimi i korrupsionit, krijimi i kushteve të mira për rritje ekonomike dhe për investimet e jashtme dhe ato vendore në Kosovë, ruajtja e karakterit shumetnikë të Kosovës, dhe përpjekja që të përmirësohet jeta për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto janë ato temat e përgjithshme për të cilat punoj.

Radio Evropa e Lirë: Po si duhet të formohet Qeveria e re – cili është vizioni i juaj në lidhje me këtë çështje?

Ambasadori Delawie: Së pari, ajo (Qeveria) duhet të formohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe duhet të formohet, shpresoj, në një të ardhme relativisht të afërt. Ka shumë probleme me të cilat Kosova po ballafaqohet dhe ka nevojë që të ketë një Qeveri të plotë të zgjedhur për t'i trajtuar këto probleme. Mund t'ju them që kishte shumë raportime në media se unë, apo Kuinti, apo dikush, do të gjejnë se kush do të jetë në Qeveri – dhe kjo nuk është e vërtetë. U takon përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës që të përcaktojnë se kush do të jetë në Qeveri dhe unë qëndroj anash nga kjo. Ne besojmë se institucionet e Kosovës do t'i respektojnë rregullat, respektojnë Kushtetutën dhe procedurat në mënyrë që ta bëjnë Qeverinë pa ndihmën tonë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë masazhet e juaja për udhëheqësit dhe partitë politike në lidhje me negociatat për Qeverinë e re?

Ambasadori Delawie: Për mua është e qartë se Kosova është në pikën e kthesës. Me Qeverinë e re e cila pritet të vijë qytetarët e Kosovës kanë mundësinë që ta vendosin Kosovën vendosmërisht në rrugën e integrimeve evropiane. Kjo është koha për Kosovën që të marrë vendime të duhura lidhur me luftimin e korrupsionit, rritjen ekonomike, dhe bashkëpunimin me fqinjët. Bota nuk do të rrijë duke pritur Kosovën derisa ajo të përmblidhet. Bota po lëvizë, andaj edhe Kosova duhet të lëvizë. Që të arrijë të ketë të ardhmen e saj në zemër të Evropës, siç unë e them në vazhdimësi, Kosova duhet të lëvizë, duhet të marrë vendimet e duhura, duhet të promovojë zhvillimin ekonomik dhe duhet të merret me sundimin e rendit dhe ligjit, çështjet lidhur me korrupsionin, dhe duhet me të vërtetë të punojë në këto çështje qysh tash.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mund të jenë pasojat në rast të një krize eventuale rreth formimit të Qeverisë së re?

Ambasadori Delawie: Gjërat e para që t'i mësojnë në shkollën e diplomacisë është që të mos përgjigjesh në pyetjet hipotetike. Tani, kjo është një pyetje hipotetike. Unë besoj se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjënë e duhur. Deputetët e Kuvendit të zgjedhur së fundi do gjejnë mënyrën për ta formuar Qeverinë dhe t'i bëjnë 61 apo më shumë vota. Unë besoj se gjithçka do të funksionojë.

The post Delawie: Deputetët do ta gjejnë mënyrën për t’i bërë 61 vota për qeverinë appeared first on INSAJDERI.