Tirana Observer: “Rama: Gjyqtarët si skutha, ankimuan Vettingun kur po nxirrnim Lulin nga çadra” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama: Gjyqtarët si skutha, ankimuan Vettingun kur po nxirrnim Lulin nga çadra” plus 9 more


Rama: Gjyqtarët si skutha, ankimuan Vettingun kur po nxirrnim Lulin nga çadra

Posted: 12 Jun 2017 09:33 AM PDT

Kryeministri Edi Rama i cilësoi sërish "skutha" gjyqtarët që depozituan në Gjykatën Kushtetuese një ankesë kundër ligjit të vettingut.

Gjatë një takimi në Malësinë e Madhe, Rama tha se reforma në drejtësi do të bëhet dhe forca që e bën këtë është Partia Socialiste.

"Prapë do të ketë vështirësi. Ju i patë ata, Lidhja e Gjyqtarëve si skutha. Ne kishim hallin si të nxirrnim Lulin nga çadra, këta me vrap si skutha në Gjykatën Kushtetuese për ta bllokuar Vettingun. Për çfarë? Me motivacionin se është shkelje e të drejtave të njeriut që ne të kontrollohemi nëse kemi lidhje me krimin e organizuar.

E kuptoni çfarë bande? Edhe fjala kriminale nuk është e plotë. Këta janë më keq. Vettingu këto të treja ka, e para do të paraqitesh dhe to thuash këtë pasuri që ke si e vure.

Ke mbaruar shkollën filan vit, ke punuar këtu. Tashti më thuaj si i vure 8 shtëpi. Doli një prokuror, e patë. Gjithë kush e kishte njohur i kishte falur nga një shpi. Një kushëri i nuses. Si duket se sa e shihni, thonin që ky qenka njeri i mirë dhe t'i falë shtëpinë. Si të kalojë Vettingu, do verifikohen.

E para kush është vjehrra, e dyta edhe nëse ka vdekë e ka pasur mundësi. Në qoftë se deklaratat dalin të rreme do të vijnë në Shkodër që më thanë që paska filluar njerëzit punë pa u hap institucioni. E dyta është lidhja me krimin. Këtë betejë do ta vazhdojmë dhe nuk e garon askush tjetër përveç nesh", tha Rama.

Ambasada Amerikane bën thirrje për Vetingun në Gjyqësor

Posted: 12 Jun 2017 09:22 AM PDT

Duke i konsideruar kërkesat e Shoqatave të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese "përpjekje për të dobësuar reformën", Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë kërkoi sot përmes një deklarate që ankesat të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese "në mënyrë të hapur dhe transparente" si dhe rikujtoi se Komisioni i Venecias sakaq ka trajtuar problemet e ngritura dhe se kjo trajtesë duhet të shërbejë si bazë edhe për ankesën aktuale.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, depozituan më 1 qershor një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", ligjit "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve", si dhe ndaj ligjit "Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë" – i njohur gjithashtu si ligji i vetingut.

Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.

Por Ambasada e SHBA-së thotë se këto elementë të kontrollit janë me rëndësi kyçe për të zbatuar reformën në drejtësi në tërësi.

"… por populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar," thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Ambasada shprehet e shqetësuar për shkak se në rast se procesi i vetingut nuk arrin të pastrojë elementët problematikë mes prokurorëve dhe gjykatësve, atëherë nuk mund të shpresohet në funksionimin e elementëve anti-korrupsion të reformës, përfshirë SPAK, ("Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar"), një prokurori që do të trajtojë çështjet e korrupsionit si dhe BKH, (Byroja Kombëtare e Hetimit), e cila do të përbëhet nga një grup oficerësh të policisë gjyqësore, të cilët pritet të filtrohen dhe stërviten nga ndërkombëtarët.

Fëmijët që pijnë qumësht lope bëhen më të gjatë

Posted: 12 Jun 2017 09:01 AM PDT

Fëmijët bëjnë naze kur u thua që qumështi i lopës të bën mirë për shëndetin.

Por, sipas një studimi të fundit nga American Journal of Clinical Nutrition, fëmijët që nuk duan të ngelin të shkurtër duhet të heqin dorë nga llojet e tjera të qumështit dhe të pijnë vetëm qumësht lope.

Sipas studimit, një fëmijë që konsumon çdo ditë një gotë qumësht që nuk është qumësht lope shoqërohet me një gjatësi 0.4 centimetra më të vogël sesa mesatarja për një fëmijë të moshës së tij, mes 5034 fëmijëve të shëndetshëm që kanë marrë pjesë në studim.

Rreth 5 % e këtyre fëmijëve pinin qumësht që nuk është i lopës, 84 % pinin vetëm qumësht lope dhe 8 % pijnë të dy llojet e qumështit ndërsa 3 % nuk pijnë asnjë lloj qumështi.

Dr. Jonathon Maguire,  thotë se zbulimi surprizues është se fëmijët ishin të shkurtër në varësi sasisë së qumështit që ata konsumojnë.

Studimi tregon se një nga arsyet e kësaj diference në gjatësi mund të ketë lidhje me faktin se qumështi me bazë bimore nuk stimulon insulinë si faktor rritjeje ose IGF siç e bën qumështi i lopës.

Nga Szczęsny te Bernadesch, objektivat e Juventusit kushtojnë 213 milionë euro

Posted: 12 Jun 2017 08:33 AM PDT

Objektivat e Juventusit kushtojnë 213 milionë euro. Drejtuesit e klubit bardhezi si kurrë më parë që nga koha kur në krye të presidencës erdhi Andrea Agnelli, janë të vendosur për të realizuar transferime të rëndësishme në radhët e skuadrës gjatë merkatos së verës.

Ndërhyrje pritet të ketë në të gjitha repartet, nga porta në mbrojtje, nga mesfusha në sulm. Si pasues i kapitenit Gianluiggi Buffon preferohet Wojciech Szczęsny, vlera e kartoni të polakut është 16 milionë euro.

Mattia De Sciglio, mbrojtësi i skuadrës së Milanit është një kërkesë e hershme e teknikut Masimiliano Allegri. Për 24-vjeçarin, Juventusi ofron 12 milionë euro.

Steven N'Zonzi duket se shumë shpejt do të vishet bardhezi, për të kampionët e Italisë do të paguajnë 40 milionë euro.

Mesfushori i Romës, Leandro Paredes, talenti 22-vjeçar, për të drejtuesit e klubit verdhekuq kërkojnë 25 milionë euro.

Douglas Costa emri që ofron shpejtësi dhe siguri në krahët e sulmit. Transferimi i brazilianit vlen 45 milionë euro, Juventusi deri më tani ka ofruar 30.

Patrik Schick, konsiderohet si një ndër talentet e së ardhmes në repartin e avancuar. Çeku gjithashtu pritet që shumë shpejt të transferohet tek bardhezinjtë. Nga kjo marrëveshje Sampdoria do të përfitojë 25 milionë Euro.

Nga kjo listë e gjatë dëshirash, të arritshme ose jo, ai që do ti kushtojë më shumë "Zonjës së Vjetër" nëse arrin akordin është Federicho Bernadeschi. Në ndjekje të 23-vjeçarit janë disa klube të mëdha europiane. Kartoni i sulmuesit të Fiorentinës kushton 50 milionë euro.

Financat e Juventusit vitet e fundit janë fuqizuar dhe transferimi i disa prej këtyre emrave për ta përforcuar akoma edhe më shumë skuadrën nuk është i pamundur.

Sondazhi i “Gallup”, Aleanca Popullore: Një arsye më shumë për të votuar kundër

Posted: 12 Jun 2017 08:01 AM PDT

 

Aleanca Popullore ka reaguar sot për sondazhin e "Gallup", ku theksohej se mbi gjysma e shqiptarëve dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.

Ndërkohë që pas Shqipërisë, sipas sondazhit vinin dy vende afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.

“Aleanca Popullore shpreh trishtimin e saj që Shqipëria në periudhën 2013-2016, përveçse ndodhet në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që do të emigrojë, është shteti që ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi.

Aleanca Popullore i cilëson gjetjet e sondazhit të "Gallup"-it si shenjën më domethënëse të humbjes së besimit nga qytetarët, për shkak të keqqeverisjes së partive dhe pengmarrjes së shtetit”.

Për këtë arsye Aleanca Popullore fton edhe një herë qytetarët t'i thonë “JO me votën e tyre varfërisë, drogës, krimit, korrupsionit e zhvatjes”.

Vetëm duke VOTUAR KUNDER më 25 qershor mund të japim një mesazh të qartë e domethënës se pazaret politike që dalin mbi ligjin nuk mund ta mbysin shpresën e ndërtimit të Shqipërisë“, përfundon Aleanca Popullore.

Basha feston 43-vjetorin, Rama i dërgon një dhuratë

Posted: 12 Jun 2017 07:57 AM PDT

Në oborrin e selisë së Partisë Demokratike është futur një makinë e dërguar nga kryeministria.

Newsbomb.al mëson se Rama ka dërguar në zyrën e Bashës një kuti dhuratë për liderin e demokratëve. Nga burime pranë zyrës së kryeministrit, neësbomb.al zbulon se brenda saj kishte një shishe vere me porosi të Ramës, posaçërisht për 43-vjetorin e Bashës.

E kujt do t'i kishte shkuar ndërmend se sot, në ditën e lindjes Basha do merrte një dhuratë nga kundërshtari më i madh i tij politik?!

Tahiri hap krahun: Ilir Meta, prijës i një lukunie të tërbuar

Posted: 12 Jun 2017 07:41 AM PDT

Saimir Tahiri, kryetari i Partisë Socialist për qarkun Tiranë nëpërmjet një postimin në Facebook, ka reaguar kundër deklaratave të nënkryetarit të LSI, Luan Rama, i cili sulmoi kreun e qeverisë.

Tahiri akuzoi ashpër Ilir Metën, i cili edhe pse në rolin e Presidentit është rizhytyr si kryetar partie në politikën e sharjeve dhe shpifjeve.

Më herë nënkryetari i LSI, Luan Rama tha se i vetmi përgjegjës për krijimin e një sistemi që LSI-ja e cilëson të korruptuar është kreu i qeverisë.

Statusi i plotë:

Nuk zhgënjeu as sot Luan Rama! Lexoi një fletërrufe flakë e zjarr kundër PS dhe Edi Ramës në emër të LSI, Lëvizjes Socialiste për Interes!

Ai konfirmoi se Presidenti i sapozgjedhur me të gjitha votat tona, tani po bën me orë të plota detyrën e kryetarit të partisë.

Ilir Meta sot President është rizhytur si kryetar partie në politikën e sharjeve e shpifjeve, pas 8 vjetesh që si kryetar partie bënte Presidentin e qetësise dhe dashurisë!

Se si u katandis Ilir Meta në një kopje të kohës kur bëri LSI kundër PS dhe çfarë i thoshte çakërdia mendore i'a nxirrte gjuha, kjo është histori me vete.

Por që të dali sot LSI-ja e t'i bëjë PS-se gjyqin pas katër vjetësh që vetëm ka fituar ne imazh nga aleanca me PS-në dhe s'ka dhënë absolutisht asnjë vlerë të shtuar në qeverisje përveç votave për reformat në parlament, kjo është të vesh duart në kokë, dhe është pak!

Se çfarë kërkon akoma Ilir Meta dhe partia e tij familjare nga Partia Socialiste, që e lau, e shplau, e thau, e hekurosi, e bëri edhe kryetar shteti, këtë nuk ka njeri të arsyeshëm që e shpjegon dot.

Se me çfarë morali, logjike, kurajoje apo thjesht llogarie, Ilir Meta është rishfaqur si prijes i një lukunie të tërbuar që vetem shan PS-në, këtë nuk e gjen dot askush që ka një sens njerezor, qytetar apo politik.

Por një gjë është e sigurt sidoqoftë: LSI e meriton plotësisht të shkarkohet nga çdo përgjegjesi qeverisëse.

Këtë duhet ta bëjë populli në 25 qershor dhe për këtë duhet të votojnë edhe ata që LSI i mban akoma në rresht në administratë me gënjeshtrën që do jetë përsëri në pushtet.

Po nuk është e qartë, tani është! Askush nuk duhet ta besojë këtë përrallë dhe askujt që do të abuzoje me zyrën e tij për të çuar votat tek LSI-ja, nuk do t'i harrohet shërbimi i paligjshëm për një parti që është mësuar vetëm të fitojë, jo duke fituar vetë po duke përfituar nga nevoja e të mëdhenjve për votat e të tretit të vertetit!

LSI-ja mund të jetë prapë e treta, po tanimë e vërteta është e qartë dhe nuk është LSI-ja. Boll! Mjaft më!

PS feston ditëlindjen, LSI nuk merr pjesë, PD dërgon doktorin. Edhe Basha feston ditëlindjen

Posted: 12 Jun 2017 07:26 AM PDT

Me një aleat si LSI, thuajse formal në bashkëqeverisje, dhe me një opozitë teknikisht të përfshirë në qeveri, Partia Socialiste do ta kremtoje 26-vjetorin e themelimit në kulmin e një fushate të pazakontë elektorale.

Ftesa ka mbërritur në shumë zyra të qeverisë dhe në seli partish, por jo të gjithë do t'i përgjigjen asaj. Një prej atyre që nuk do të jetë pjesë e festës është një nga themeluesit e rinisë socialiste, Ilir Meta.

Lufta politike për timonin e pushtetit i ka çuar dy aleatët në pikën e tyre më të ulët të komunikimit në këto 4 vjet bashkëqeverisje.

"Unë, si themelues i Partisë Socialiste do ta festoj ditën e themelimit të PS. Po flas për Partinë Socialiste, jo për Rilindjen, me një grup deputetësh dhe anëtarësh themelues të PS-së në respekt të gjithë kontributit që ata kanë dhënë për PS", deklaroi gjatë ditës Luan Rama.

Por nëse aleatët formalë politikë nuk do të jenë në festën e socialistëve, partneri i tij teknik, Partia Demokratike do të përfaqësohet në festë me doktor Halim Kosovën, i cili sot ka dy urime politike për të bërë.

Një për ditëlindjen e partisë së Edi Ramës dhe një për ditëlindjen e kryetarit të tij, Lulzim Bashës.

Torta e ditëlindjes së 43-të të Bashës, e përgatitur nga banorë të njësisë 7 në Tiranë ishte e mbushur me simbolet e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Dhe po ashtu ishte edhe batuta e falenderimit nga kreu i opozitës. "Nga torta do të marrin vetëm fëmijët dhe qytetarët. Politikanët nuk kanë punë, janë të republikës së vjetër", tha Basha.

Dy ditëlindjet, ajo e partisë së Ramës dhe ditëlindja e Bashës përkojnë edhe me një ditë të veçantë për besimtarët, ditën e Shna Ndout.

Ndoshta, Rama dhe Basha nuk do të shkojnë të kalojnë sonte natën në kishën e Shna Ndout për të pritur ditëlindjen e shenjtit, por me siguri, secili në shtëpinë e tij do të lutet për një mrekulli në zgjedhje./tch

DOSJA/ Prokuroria zbulon arsyen pse e vrau Mikel Shallari komisarin Artan Cuku

Posted: 12 Jun 2017 06:48 AM PDT

I dyshuari si vrasës me pagesë, Mikel Shallari do dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për akuzën e ekzekutimit të ish-zyrtarit të policisë Artan Cuku.

Akuza është ngritur në bazë të nenit 78/A, që parashikon vrasjen e kryer në bashkëpunim për interes hakmarrjeje apo gjakmarrjeje dhe që dënohet nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Emri i tij u është përcjellë pikave kufitare që prej datës 9 qershor, të njëjtën ditë kur në sistemin Tims është shpërndarë njoftimi në kufi edhe për shtetasin Bujar Daka, 35 vjeç, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Cukut.

Bujar Daka u dyshua menjëherë pas krimit përderisa rezulton se vite më parë, vëllai i tij Agim Daka u vetëvra në zyrën e ish-shefit të komisariatit numër 4, Artan Cuku, gjatë kohës që po pyetej për adresën e të vëllait.

Rezulton, thonë burimet, se Bujar Daka është dëbuar nga autoritetet zvicerane në vitin 2015, pasi ka mbyllur dënimin për çështje droge në këtë shtet.

Por të dhënat tregojnë se edhe Mikel Shallari ka qenë i dënuar, por me 3 vjet burg, po për çështje droge në të njëjtin burg ku mbahej Bujar Daka.

Ai është kthyer në Shqipëri një vit më parë dhe gjatë kësaj kohe nuk është angazhuar në punë. Edhe vëllai tjetër i Bujar Dakës, Florian Daka, i njohur me emrin e dytë Angjelin, rezulton të ketë probleme me ligjin jashtë Shqipërisë pasi në vitin 2012 ai është dorëzuar në portin e Durrësit nga autoritetet italiane.

Megjithëse pas vrasjes së Cukut familja Daka deklaroi se nuk kishte lidhje me ngjarjen, pasi kishin kryer më herët një rit fetar pajtimi, indicIet i çuan hetuesit pikërisht tek i dyshuari kryesor Bujar Daka.

Burimet shpjegojnë se grupi i hetimit ka mbledhur prova, sikurse takimet më të hershme të Mikel Shallarit, për të cilin prokurorët janë të sigurtë se është personi që shkrepi armën në derën e shtëpisë së kryekomisar Artan Cukut./ Top Channel

 

VIDEO/ Rama, debat me demokratët në Rrogozhinë: O hajdut na ke vjedh simbolin, do ta hash

Posted: 12 Jun 2017 06:43 AM PDT

Kryeministri Edi Rama i cili ka qenë ditën e sotme në Rrogozhinë, nuk është pritur mirë nga mbështetësit e Partisë Demokratike të cilët menjëherë janë hedhur në sulm duke shënjestruar kreun e qeverise, se i ka vjedhur simbolet e tyre.

Partia socialiste e cili mban numrin dy në fletën e votimeve, dy gishtat i kanë kthyer si simbol te tyren. Ata kanë akuzuar Ramën 'hajdut' dhe se do të votojnë numrin 6 që i përket Partisë Demokratike.

"O hajdut na ke vjedhur simbolin do ta hash…Vota vetëm për 6-ën…", i thonë ata. Por Rama iu ka sqaruar se dy gishtat i përdor ndryshe nga ata të PD-së.