Tirana Observer: “Jo vetëm Donnarumma, ja 10 tradhtitë më të dhimbshme në botën e futbollit” plus 9 more |
- Jo vetëm Donnarumma, ja 10 tradhtitë më të dhimbshme në botën e futbollit
- 9 truke me reçipeta që duhet t’i dijë çdo femër
- Karta Blu që ju lejon të jetoni dhe punoni në Bashkimin Europian: Ja si mund të aplikoni
- VIDEO: Ja pse Ronaldo quhej “Fenomeni”
- Moti prishet në fundjavë, masa të freskëta ballkanike (VIDEO)
- Arrestimi në Kroaci/ Vëllai i ‘Ballist’ Morinës: Pret fëmijën e tretë, duan ta ekstradojnë në Serbi
- Njerëzit superinteligjentë do të jenë realitet pas 13 vitesh
- Përgjigja e ushtrisë për incidentin në mitingun e PD: Nuk është lëndë luftarake
- Mediat greke: Një biznesmen shqiptar i naftës, “truri” i rrjetit ndërkombëtar të kokainës
- Zgjedhjet, Demiraj paralajmëron drejtuesit e policisë: Do mbani përgjegjësi
| Jo vetëm Donnarumma, ja 10 tradhtitë më të dhimbshme në botën e futbollit Posted: 16 Jun 2017 09:07 AM PDT Historia e futbollit është e mbushur me transferime të diskutuara dhe të diskutueshme. Disa prej këtyre janë zhvilluar në orët e vona të natës, të tjerë në mes të ditës. Por në të dy rastet këto operacione kanë shkaktuar zemërimin e tifozëve, siç po ndodh tani me Donnarumma. Baggio Një nga këto "tradhti" të mëdha ka qenë edhe ajo e Roberto Baggio-s. Deri në atë moment ishte simboli i Fiorentina-s, por është shitur tek Juventus pas Italia 1990. Kjo lëvizje ka çuar në përplasje mes dy tifozerive, edhe pse mes dy ekipeve ka pasur gjithmonë një rivalitet të madh. Ka bërë bujë refuzimi i "Bishtalecit Hyjnor" për të ekzekutuar një penallti kundër Fiorentina-s në kampionat. Ronaldo Në fillim ka qenë Barcelona, më pas Inter në 1997-ën. "Fenomeni" ishte "Fenomen" deri në momentin kur, për shkak të dëmtimeve kryesisht, është blerë nga Real Madrid. Një lëvizje që nuk është pritur mirë nga tifozët e Barçës. Jo vetëm kaq. Në 2007-ën është transferuar te Milan dhe në derbin kundër Inter ka shënuar dhe ka festuar. Një tradhti e vërtetë për tifozët zikaltër. Higuain Juventus ka befasuar Napoli-n duke paguar klauzolën prej 90 milionë euro të Gonzalo Higuain, i cili nuk është menduar dy herë për t'i thënë po "Zonjës së Vjetër". Një tradhti kjo që akoma i djeg tifozëve të Napoli-t. Pjanic Ashtu si me Higuain, Juventus ka paguar edhe klauzolën për të marrë Miralem Pjanic nga Roma. Mesfushori më i mirë i verdhekuqve, ai me këmbët e mira, i cili i ekzekuton goditjet e dënimit si Juninho Pernambucano. Për verdhekuqtë, transferimi i lojtarit më të mirë pikërisht te bardhezinjtë ka qenë një tradhti e vërtetë, e vështirë për t'u gëlltitur. Figo Portugezi Luis Figo ka arritur të realizojë një transferim që konsiderohej i pamundur nga ato anë, domethënë kalimi nga Barcelona te Real Madrid. Sigurisht, në tavolinë ishin 70 milionë euro (shumë për atë kohë), por për katalanasit ajo plagë është akoma e freskët. Veçanërisht për shkak të faktit se Figo ka fituar gjithçka ishte e mundur me fanellën e "Los Blancos", edhe "Topin e Artë". Tevez Transferimi i Carlitos Tevezn nga United te City ka shkaktuar shumë diskutime. I transferuar te "Djajtë e Kuq" në 2007-ën, argjentinasi ka fituar një Champions League (të vetmen në karrierë) me United dhe dy kampionate. Sherret me Cristiano Ronaldo dhe Ferguson e kanë shtyrë të marrë vendimin e bujshëm për t'u transferuar te rivalët e City. Një operacion që është realizuar në 2009-ën dhe që ka kushtuar 30 milionë euro. Mihajlovic Dy vite te Roma nga 1992-shi te 1994-a, për të kaluar më pas te Sampdoria. Por tradhtia e Sinisa Mihajlovic ka ardhur më vonë, më saktësisht në 1998-ën kur ka vendosur të kalojë te Lazio, duke u bërë lider i atij ekipi. Capello Nuk është aspak e lehtë të kalosh tek Juventus pasi ke drejtuar për 5 vite Roma-n. Këtë ka bërë Fabio Capello, pasi ishte betuar se nuk do të shkonte në Torino për asnjë arsye. Një goditje e dyfishtë për verdhekuqtë, të cilët kanë parë të largohet edhe "Puma" Emerson, lideri i mesfushës, drejt bardhezinjve. Ganz "Shënon gjithmonë ai", shkruanin dhe këndonin tifozët e Inter, duke ndjellë golin e Maurizio Ganz. Por pas dy vitesh me zikaltrit dhe shumë golash, sulmuesi friulan ka kaluar te Milan-i i urryer, duke dhënë kontributin e tij për titullin e fituar në 1999-ën. Nëse nuk është tradhti kjo… Collovati Të largohesh nga ekipi pas gjashtë vitesh të kaluar si protagonist dhe ndërsa ky ekip po bie në Serinë B nuk është maksimumi. Tifozët e Milan nuk e kanë harruar atë tradhti të Fulvio Collovati-t. Në 1982-in, i sapo shpallur kampion bote me Italinë, mbrojtësi është larguar nga Milan, me kuqezinjtë që sapo kishin rënë në Serinë B: ka shkuar tek Inter, dhe kjo lëvizje nuk do t'i falet kurrë. Por goli i Hatley, pikërisht kundër Collovati-t, në derbin e 1984-ës, ka qenë një hakmarrje e vogël. |
| 9 truke me reçipeta që duhet t’i dijë çdo femër Posted: 16 Jun 2017 08:41 AM PDT Reçipetat janë elementi më i rëndësishëm i veshjes së çdo gruaje. I mbajmë veshur thuajse çdo ditë dhe gjendja jonë dhe vetëbesimi, varen prej tyre. Ndaj ne ju sjellim disa këshilla sesi të ndiheni rehat ndërsa vishni të brendshmet dhe si t'i shfrytëzoni ato në maksimum. Mos lejoni të rrëshqasin Nëse vishni një bluzë apo fustan bust, ideja më e mirë që reçipetat tuaja të mos rrëshqasin është ti lidhni ato me pjesën e rripave mbajtës.
Sekreti i efektit "Push up" Sekreti i ngritjes së gjoksit është që të vendosni mbushjen prej silikoni në mënyrë vertikale dhe jo horizontale.
Nëse rripat mbajtës ju vrasin
Vendosni një pjesë të silikonit mbushës në pjesën e shpatullave. Nëse ju vrasin rripat mbajtës të reçipetave atëherë kjo është një shenjë që ato janë konsumuar më shumë seç duhet.
Bëjeni fustanin bust të jetë i rehatshëm Kjo mund të ndodhë nëse i qepni reçipetat me fustanin në mënyrë që dekolteja juaj të duket e mahnitshme.
Si të rregulloni rripat Për të rregulluar rripat duhet të vendosni dy gishtat e dorës në supe.
Si të ngrini gjoksin Nëse e doni gjoksin të duket voluminoz, vendosni rripat në formë kryqi në pjesën e pasme të kurrizit.
Si të rregulloni sutjenat me dantellë
Sutjenat me dantellë janë të rehatshme por kanë nevojë për mbushje nëse doni që të duket më voluminoz gjoksi juaj.
Shmangni hapësirat e këmishës Kjo arrihet nëse këmisha ka një copë të brendshme te kopsat që mund të kapet lehtësisht.
Metoda e rehatshme e mbajtjes së recipetave. Një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur reçipetat tuaja është që të përdorni një varëse të thjeshtë. Në këtë mënyrë ato nuk do të humbasin formën e tyre dhe do të jenë gjithnjë në formë.
|
| Karta Blu që ju lejon të jetoni dhe punoni në Bashkimin Europian: Ja si mund të aplikoni Posted: 16 Jun 2017 08:24 AM PDT Popullsia e Europës është duke u plakur me ritme shumë të shpejta dhe është bërë e nevojshme të mbetet një destinacion tërheqës për punonjësit e specializuar. BE po përballet me mangësi në krah pune në disa sektorë dhe deri në vitin 2020 mund të ketë nevojë për 756 mijë punonjës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si edhe rreth 1 milion profesionistë në fushën e shëndetësisë. Për këtë arsye, Parlamenti Europian po punon për të përditësuar rregullat që thjeshtëzojnë marrjen në punë të këtyre punonjësve që jetojnë jashtë vendeve të Bashkimit Europian. Karta Blu është një dokument identifikimi që shërben pikërisht për të treguar lejen e qëndrimit dhe të punësimit, por fatkeqësisht nuk është shumë e njohur dhe publicizuar nga vendet anëtare. Disa vende preferojnë të përdorin sistemin e tyre kombëtar, ndërsa vende të tjera thjesht nuk përfitojnë nga ky sistem. Nëse në vitin 2015, u pajisën me këtë kartë vetëm 17,106 punonjës, kryesisht në Gjermani, për të rritur apelin e saj, ajo do të bëhet më e thjeshtë për t'u marrë. Kjo nënkupton që do të ketë një pagë dysheme më të ulët, kontrata më të shkurtra nga 12 muaj në 6 muaj dhe dhënie ndihme për të diplomuarit në sektorët ku ka më shumë nevojë. "Kjo nuk është një skemë për migracionin masiv. Ai do të jetë migracion i targetuar për të mbushur disa hapësira në punë specifike. Me Kartën Blu të rishikuar, Europa do të fitojë më të mirët dhe më të zgjuarit e botës", shprehet Claude Moraes, eurodeputet . Kushtet që duhen përmbushur për të aplikuar për një Kartë Blu të Bashkimit Europian
Aplikimi bëhet nga personi ose nga punëdhënësi pranë autoriteteve përgjegjëse në vendin ku dëshirohet të punohet. Kohëzgjatja e Kartës Blu, rroga minimale vjetore dhe tarifa për secilin vend anëtar varion dhe mund ta verifikoni këtu. Bashkimi Europian gjithashtu ka vënë në dispozicion një portal punësimi ku mund të kontrolloni pozicionet vakante dhe kërkesat specifike të punëdhënësve. /SCAN |
| VIDEO: Ja pse Ronaldo quhej “Fenomeni” Posted: 16 Jun 2017 08:20 AM PDT Këmbët e tij magjike me të cilat përkëdhelte topin si të ishte një foshnjë krejtësisht e pafajshme, vizioni për të gjetur hapësirat më të vogla, gjuajtja e fuqishme, stilet me të cilat provonte për të shënuar, shpikjet e paharrueshme në driblime nga më të pabesueshmet dhe gjithçka tjetër që mban "firmën" e tij janë argumente të epitetit që ai mori, "Fenomeni". Nëse ndokush prej jush ka dyshime për këtë titull, mjafton të shihni këtë video. |
| Moti prishet në fundjavë, masa të freskëta ballkanike (VIDEO) Posted: 16 Jun 2017 07:53 AM PDT Fundjava parashikohet të jetë më e freskët për vendin. Pas pasditeve të nxehta, këtë fundjavë vendi ynë përfshihet nga një masë ajrore e freskët me origjinë ballkanike. Për pasojë të shtunën moti do të jetë i paqëndrueshëm,por vija bregdetare do të jetë kryesisht me diell. "Pasditet e nxehta me diell dhe temperaturave të larta këtë fundjavë do ia lënë vendin masave më të freskëta me origjinë ballkanike. Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme të cilat do të kushtëzojnë mot me vranësira dhe reshje shiu kryesisht në zona malore, dhe pjesërisht në zona të ulëta. Ndërsa vija bregdetare do të jetë kryesisht me diell. Si pasojë e rrymave verilindore do të ketë një rënie të temperaturave. Pra në zonat malore vlerat e mesditës do të jenë 22 gradë. Ndërsa në vendet e ulëta dhe bregdet parashikohen të regjistrohen nga 26 deri në 29 gradë Celcius. Gradualisht javës tjetër parashikohen të aktivizohen sërish masat ajrore të nxehta duke sjellë rritje të temperaturave", bën të ditur meteorologia Rezarta Xhakollari./tch |
| Arrestimi në Kroaci/ Vëllai i ‘Ballist’ Morinës: Pret fëmijën e tretë, duan ta ekstradojnë në Serbi Posted: 16 Jun 2017 07:43 AM PDT Ismail Morina apo ndryshe i njohur si Ballist Morina heroi i Dronit të Beogradit vazhdon të jetë i ndaluar në Kroaci prej disa ditësh, aty ku sot Gjykata e Dubrovnikut sipas informacioneve që disponon Opinion.al do të japë edhe masën e sigurisë. Ballist Morina u ndalua tri ditë më parë në kufirin malazezo-kroat, fillimisht për kalimi të kufirit pa mjete identifikimi, por nga sa mësohet nga të afërmit e tij ndalimi i vërtetë ka të bëjë me një urdhër ekstradimi nga shteti serb i cili e kërkon për llogari të tij për ngjarjen e 14 tetorit 2015 në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri ku një dron me flamurin" Autochtonus" i ngritur sikundër u mësua më pas nga një shtetas shqiptar i vetëidenntifikuar si Ismail "Ballist" Morina, solli edhe ndërprerjen e ndeshjes. Gazetari i "Opinion" Dritan Laci ka kontaktuar me Xhevahir Morinën vëllain e Ismail Morinën për të mësuar më shumë mbi atë që po ndodh me atë që deri dje e quanim "Heroin e Beogradit" por që sot shteti shqiptar sipas të afërmve të tij nuk është kujdesur aspak për ti dhënë ndihmë ligjore në këto momente të vështira, ku ekstradimi në shtetin serb mund ti rrezikojë edhe jetën. Jo vetëm kaq, por sipas vëllai të tij, shteti është përgjegjës edhe për faktin që ka mëse dy vite që e ka lënë pa mjete identifikimi, çka e detyroi së fundmi të merrte një rrugë e cila mund të rezultojë fatale për lirinë e tij. "Ismaili erdhi në Shqipëria nga Italia më datë 3 qershor, pasi babai ynë ndërroi jetë nga një infarkt i zemrës. Për të nuk ishte e lehtë të vinte, pasi prej shumë kohësh shteti shqiptar i mban të bllokuar pasaportën, për arsye që tashmë dihen. Babai u varros me datë. Sipas zakoneve tona ne presim njerëz deri në të pestat. Duhet të sqaroj se Ismaili ka hyrë në Shqipëri nga Rinasi, me një letër të marrë në konsullatën shqiptare në Milano. Ai ka lënë në Itali gruan italiane me origjinë arbëreshe që aktualisht është shtatzanë dhe dy fëmijët. Pasi ka mbyllur zakonet e mortit, unë dhe Ismaili jemi nisur për tu kthyer në Itali nëpërmjet rrugës tokësore nga Mal i Zi e më tej në Kroaci, Slloveni për të dalë në kufirin me Italinë në veri". Në kufirin me Malin e Zi duket se kanë filluar edhe problemet e para serioze për Ismail Morinën. "Sapo kemi kaluar në doganën malazeze ndaj nesh ka filluar një terror i vërtetë. Ismaili ka pasur me vete lejeqëndrimin italian. Autoritetet malazeze sapo panë emrin Ismail Morina filluan ti bëjnë pyetje nga më të ndryshme provokuese. Madje i grisën edhe një bluzë të ekipit të Kukësit që ja kishin dhuruar tifozët me rastin e shpalljes në kërkim. Aty kuptuam që malazezët e njohën Ismail Morinën. Pasi na mbajtën një kohë të gjatë për kontroll na lanë të lirë, por një makinë policie na ka shoqëruar për afro 20 km ne territorin malazez. Kur kemi menduar se kemi shpëtuar dhe po I drejtoheshim kufirit kroat aty më pas ndodhi ajo që nuk e prisnim. Në doganën kroate Ismaili nuk u la të kalonte më tej, ndërsa unë po. Arsyeja ishte një urdhër ekstradimi nga Serbia." I pyetur përse nuk e kishin kërkuar rikthimin e pasaportës nga autoritetet shqiptare, Xhevahir Morina, thotë për Opinion.al se kanë bërë disa herë kërkesë për ta mundësuar një gjë të tillë, por Prokuroria nuk ja ka kthyer Ismail Morinës pasaportën edhe pse hetimet janë mbyllur. "Jo vetëm që nuk na e kanë kthyer pasaportën, por donin të na bllokonin edhe lejen e marrë në konsullatën e Milanos. Prandaj edhe u detyruam të kalonim nëpërmjet kufirit tokësor". Frika më e madhe tashmë e familjarëve të Ismail Morinës është vendimi i mundshëm i autoriteteve kroate për të zbatuar urdhërin për ekstradimin e tij në Serbi. Sipas Xhevahir Morinës, sot në Gjykatën e Dubrovnikut në Kroaci ndodhet edhe gruaja shtatzanë e Ballist Morinës e cila është me profesion jurist, bashkë me dy fëmijët. "Ne shpresojmë dhe i bëjmë thirrje shtetit shqiptar ta ndihmojë Ballist Morinën. Atë që bëri vëllai ynë në Beograd ishte një rast unik. Ballist Morina tani nuk i përket më vetvetes por gjithë shqiptarëve që i ka bërë krenar. Një miku, një biznesmen i njohur ka vendosur një garanci 15 mijë eurosh me qëllim që Gjykata e Dubrovnikut ti japë Ballist Morinës lirinë me kusht kundrejt garancisë. Jemi në një terror të vertetë nga ajo që mund të ndodhë, dhe nëse vëllai ynë ekstradohet kjo është edhe përgjegjësi e vetë ne shqiptarëve, shtetit shqiptar për neglizhencën", e mbyll vëllai i Ballist Morinës apelin e tij për pushtetarët në Shqipëri. Opinion.al |
| Njerëzit superinteligjentë do të jenë realitet pas 13 vitesh Posted: 16 Jun 2017 07:29 AM PDT Njerëzit e parë superinteligjentë mund të jenë mes nesh që në vitin 2030, falë hapave prej gjiganti që po zhvillohen në fushën e neuroshkencave dhe të inteligjencës artificiale duke u fokusuar në praktika që janë në limitin e fantashkencës si vendosja e mikroçipëve dhe transplanti i kujtimeve. Këto arritje shfaqen në 150 studime shkencore të zhvilluara në këtë fushë nga më shumë se 600 studiues në të gjithë botën. "Brenda vitit 2030 rritja e inteligjencës me vendosjen e impianteve në tru nuk do të jetë më vetëm një objekt kërkimi dhe njerëzit duhet të përballen me këtë paradigmë të re", deklaron neuroshkencëtari, Mihail Lebedev i universitetit Duke në SHBA. "Ky grumbullim të dhënash duhet të alarmojë shkencëtarët dhe opinionin publik mbi implikimet e mundshme etike, mjekësore dhe ligjore", thekson eksperti që ka kontribuar në përpunimin e tyre. "Do të mrekulloheni kur të shihni se sa përpara do të jemi në vitin 2030", thonë Ioan Opris i shkollës së mjekësisë në Majemi "Leonard M. Miller" dhe Manuel Fernando Casanova i universitetit Luisvil në SHBA. Mundësitë do jenë po aq sa janë edhe idetë e krijuara nga imagjinata e shkencëtarëve dhe si provë na vjen eksperimenti i zhvilluar në Shkollën e Mjekësisë në Karolinën e Veriut "Wake Forest", ku u mundësua transplanti i kujtimeve nga truri i një miu te truri i një miu tjetër. Pra nuk është një rastësi që tema mbi superinteligjencën dhe zhvillimin e trurit të njeriut ka thyer konkurrencën me më shumë se një milion kërkime në internet duke lënë pas argumenta të tjera të nxehta si ruajtja e oqeaneve dhe studimi i baktereve që jetojnë jashtë dhe brenda trupit të njeriut. |
| Përgjigja e ushtrisë për incidentin në mitingun e PD: Nuk është lëndë luftarake Posted: 16 Jun 2017 06:55 AM PDT “Konstatojmë se lënda nuk është luftarake”, me këtë frazë Forcat e Armatosura i kthyen zyrtarisht përgjigje prokurorisë së Tiranës në vijim të hetimeve që po zhvillohen për lëndimin e 146 tubuesve demokratë në bulevard. Burimet thanë se megjithatë në ekspertizë nuk është përcaktuar se çfarë lënde ishte ajo që ju shkaktoi pjesëmarrësve dhimbje sysh e djegie të lehta në trup, simptoma këto që i çuan disa prej tyre në spital. Por nga ana e saj ekspertiza e policisë kriminalistike përcakton se bëhet fjalë për lëndë të lëshuara nga prozhektorët, një version ky që nuk e ka bindur ende prokurorinë. Për këtë shkak, por edhe sepse mjekësia ligjore nuk përcaktoi se çfarë elementësh u gjetën në gjakun e 22 pacientëve që u trajtuan në spital, prokuroria do të presë përgjigje nga laboratorët gjermanë për të konfirmuar dyshimet e saj. Grupi i hetimit nuk e ka regjistruar çështjen sipas referimit të policisë për dyshimet se është ndotur ajri, por për veprën 325 që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre. |
| Mediat greke: Një biznesmen shqiptar i naftës, “truri” i rrjetit ndërkombëtar të kokainës Posted: 16 Jun 2017 06:41 AM PDT Një shqiptar rezulton të jetë "truri" i rrjetit ndërkombëtar të drogës që u shkatërrua nga policia greke, i cili është arrestuar së bashku me biznesmenin grek dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë. Gazeta greke "Espresso" shkruan se shqiptari u arrestua në Trikalla gjatë një operacion anti-drogë të zhvilluar të mërkurën e kaluar. "Truri i qarkut ndërkombëtar, gjithashtu i arrestuar në Trikala, thuhet se është një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, i përfshirë në biznesin e transportit të gazit natyror dhe naftës, me disa aktivitete në shumicën e vendeve të Ballkanit, Turqi, Izrael dhe Katar", shkruan kjo gazetë. Po kështu, biznesmeni grek Thanasis Karatzounis që ra në prangat e policisë ka qenë President i klubit të futbollit të Larisas dhe pronar i disa bizneseve të tjera. "Ky biznesmen më i njohuri në Larisa, i cili ka lidhje me një ish-ministër dhe është nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, ra gjithashtu në 'rrjetën' e policisë", raporton "Espresso". Në shtëpinë e biznesmenit grek u gjetën 10 kg kokainë dhe 100 mijë Euro cash, ndërsa pjesa tjetër prej 10 kg kokainë u gjet në pronën e njërit prej shqiptarëve të arrestuar. Kokaina e sekuestruar ishte paketuar me një logo të "PlayBoy" dhe kishte ardhur direkt nga Kolumbia, konkretisht nga karteli i drogës "Cali", thonë burimet e gazetës greke "Espresso". Vlera e 1 gr kokainë i kalonte 100 Euro
|
| Zgjedhjet, Demiraj paralajmëron drejtuesit e policisë: Do mbani përgjegjësi Posted: 16 Jun 2017 06:01 AM PDT Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde, ka qenë në fokus të një takimi që Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi sot me drejtuesit vendorë të policisë në 12 qarqe. Në takimin që u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, është diskutuar dhe janë dhënë udhëzime për masat që policia duhet të marrë në parandalimin dhe evidentimin e personave dhe grupeve kriminale në drejtim të: – shit-blerjes së votës; -presionin ndaj zgjedhësve; – përdorimin e parave nga burime të paqarta në ndikim të procesit elektorale -marrjen e bllokimin e kartave përkundrejt shpërblimit monetar me qëllim heqjen e së drejtës për të votuar. "Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, 12 drejtorë vendorë të Policisë në qarqe, drejtori i për Hetimin e Krimin Ekonomik e Financiar dhe Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit raportuan konkretisht evidentimin e të gjithë rasteve konkrete të shit-blerjes së votës, krimeve të tjera elektorale dhe planin e masave për javën e fundit të fushatës zgjedhore ku shtohen aktet e blerjes së votës dhe krimet elektorale“, thuhet në njoftim. Po ashtu rëndësi iu dha plani i masave për të ngjarjet para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj kërkoi nga Policia e Shtetit përmbushjen e të gjitha përgjegjësive ligjore që i jep ligji dhe tha se “nuk është e nuk do të jetë e toleruar mbështetja e subjekteve politike nga efektivë me uniformë. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”. Demiraj vlerësoi rezultatet e policisë së Shtetit në luftën e përditshme dhe pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Me 25 qershor, qytetarët shqiptarë do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. |
| You are subscribed to email updates from Tirana Observer. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |






