“Në Moskë protestohet kundër shkatërrimit të ndërtesave të epokës sovjetike” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Në Moskë protestohet kundër shkatërrimit të ndërtesave të epokës sovjetike” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Në Moskë protestohet kundër shkatërrimit të ndërtesave të epokës sovjetike

Posted: 06 Jun 2017 09:58 AM PDT

Qindra njerëz janë mbledhur sot jashtë parlamentit rus, për të protestuar ndaj planit për të shkatërruar blloqet e banimit të ulët të epokës sovjetike. Duma e shtetit ka pritur kryetarin e bashkisë së Moskës Sergei Sobjanin, i cili e informoi parlamentin rreth projektit të rizhvillimit, i cili parasheh rrëzimin e disa lagjeve me ndërtesa të epokës sovjetike. Sobjanin planifikon të shkatërrojë 4,500 ndërtesa të ndërtuara në vitet 1950 dhe 1960 për t'i zëvendësuar ato me ndërtime të larta banimi. Ky plan është projektuar për të lehtësuar krizën e banimit në këtë vend. Qindra njerëz u mblodhën për një protestë jashtë Dumës, duke kërkuar që këshilltarët e sektorit anti-rrënim të lejoheshin të merrnin pjesë në seancë. Disa protestues duke marshuar në rrugët kryesore të Moskës kanë kënduar "Sobjanin, jep dorëheqje!" Nuk ka raporte për ndonjë arrestim. Protestuesit kanë deklaruar se vetëm ata që kanë mbështetur planin e "rinovimit" janë lejuan të marrin pjesë në seancat e Dumës. Edhe më 14 maj, mijëra persona protestuan në Moskë kundër shkatërrimit të blloqeve me apartamenteve të vjetra.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Incidentet në mes serbëve në veri, kanë motive politike

Posted: 06 Jun 2017 09:51 AM PDT

Retorika e ashpër dhe me akuza të ndërsjella ndërmjet subjekteve politike serbe që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 11 qershor, e veçanërisht ndërmjet Listës Serbe dhe Partisë së Serbëve të Kosovës, kanë kulmuar me incidente në komunën veriore të vendit, në Leposaviq. Me 30 maj, persona ende të paidentifikuar nga organet e rendit, kanë sulmuar me armë zjarri objektin në të cilin gjenden zyrat e kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilën e drejton Aleksandar Jabllanoviq. Ky i fundit pati theksuar se sulmi ka ardhur nga njerëz të Listës Serbe, duke thënë se prapa tyre qëndron Beogradi zyrtar. Jabllanoviq, gjatë ditës së djeshme është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe më pas është liruar, pas një incidenti në Leposaviq, ndërmjet tij dhe simpatizantëve të Listës Serbe. Këta të fundit e kanë akuzuar Jabllanoviqin se i ka kërcënuar me armë zjarri. Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për veriun e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivet e incidenteve të fundit në Leposaviq, janë krejtësisht politike. "Kur flasim për këto incidente, po flasim për një natyrë të incidenteve, problemeve, përkatësisht, në komunën e Leposaviqit, aty ku bashkësitë e ndryshme politike kanë përçarjet e tyre, në mes vete. Kryesisht, incidentet kanë krejtësisht karakterin politik. Sigurisht që Policia e Kosovës qe disa ditë me radhë, e kam fjalën edhe për këto incidentet e fundit, është fokusuar kryesisht në Komunën e Leposaviqit, aty ku edhe është ky burim i incidenteve të njëpasnjëshme", thotë Hoti. Njohësi serb i zhvillimeve politike në vend, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se arsyeja e incidenteve në veri të Kosovës janë zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij, Beogradi zyrtar, i cili ruan autoritetin tek serbët e Kosovës, ka mbështetur vetëm Listën Serbe për garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, madje edhe duke kundërshtuar subjektet tjera serbe pjesëmarrëse në këto zgjedhje. "Unë këtë e shpjegoj si papjekuri politike të atyre që marrin pjesë në fushatë. Së pari u thanë fjalë të rënda, e pastaj pas tyre vijën edhe incidente të tilla, çfarë edhe kanë ndodhur. Prandaj, duhet bërë apel te pjesëmarrësit në procesin politik, jo vetëm për zgjedhjet, por edhe pas tyre, që t'iu ikin kualifikimeve të rënda si 'tradhtar', 'mercenar', 'shpirt i shitur', etj. Nëse nuk do të ketë sanksione nga ana e institucioneve lidhur me këto fjalë, atëherë më vonë vjen edhe deri të konflikti fizik", tha Miletiq. Lidhur me incidentet në veri të vendit, ai e mban përgjegjës edhe Beogradin zyrtar, për faktin se mund të ndikojë tek subjektet politike serbe që t'i ulin tensionet ndërmjet tyre. Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se incidentet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, kanë të bëjnë me qëllime të përfitimit të grupeve apo organizatave të caktuara dhe nuk bëhet fjalë për përplasje konceptesh apo politikash përmbajtësore. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk mund të ndikojnë në këtë situatë, por ato duhet të ofrojnë siguri për qytetarët dhe politikanët në këtë pjesë të vendit. "Beogradi zyrtar, respektivisht Qeveria e Serbisë, është duke ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në tensionimin e situatës edhe midis serbëve, e jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Një ndërhyrje e tillë pritet të jetë edhe më e madhe në ditët në vijim, në mënyrë që ata të sigurohen që njerëzit, të cilët dirigjohen në mënyrë të plotë nga Beogradi, të fitojnë sa më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës", thotë Ramadani. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovës, kanë shprehur "shqetësimin rreth incidenteve, kërcënimeve dhe presionit që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës, në kohën e fushatës zgjedhore". Ata kanë kërkuar nga të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga praktikat që janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe në mënyrë të përpiktë ta respektojnë ligjin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali i Zi reagon ndaj kritikave të Rusisë

Posted: 06 Jun 2017 09:35 AM PDT

Mali i Zi ka thënë se Rusia nuk duhet të alarmohet nga anëtarësimi i vendit ballkanik në NATO. Këto deklarata kanë ardhur pasi Moska ka paralajmëruar hakmarrje ndaj "kursit armiqësor" të Malit të Zi dhe ka dënuar "histerinë anti-ruse". Më 5 qershor, Mali i Zi edhe zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, në një ceremoni të mbajtur në Uashington. "Jemi dëshmitarë të pozitës së pafavorshme të Rusisë ndaj pranimit të Malit të Zi në NATO," ka thënë, Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviq. "Unë sinqerisht shpresoj që, Rusia do ta kuptojë se kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë ndjenjë anti-ruse dhe se nuk ka histeri anti-ruse në Mal të Zi," ka thënë Boskoviq, në një konferencë shtypi në Podgoricë. "Përkundrazi, kjo është gjithashtu në interes të Rusisë, pasi paqja në Ballkanin Perëndimor është në interesin më të mirë të Moskës". Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka përforcuar qëndrimin e Moskës, ndaj Malit të Zi. "Ne kemi qartësuar tashmë qëndrimin tonë", tha ai në një konferencë për shtyp në Moskë, duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë "të obsesionuar" me Ballkanin. Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate në ditën e ceremonisë së pranit të Malit të Zi në NATO ka thënë se "histeria anti-ruse që po vazhdon në Malin e Zi ka "shkaktuar keqardhje" në Rusi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hahn: Kosova të formojë Qeveri pro-evropiane dhe t’i përmbushë kriteret për heqjen e vizave

Posted: 06 Jun 2017 08:04 AM PDT

Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t'i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn. Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina) të jenë pjesë e unionit. Në këtë aspekt, Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.  Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen serioz në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike. "Shpresojmë që ata të themelojnë më shpejt Qeverinë sesa herën e kaluar", tha Hahn. Themelimi sa më i shpejtë i Qeverisë, sipas tij, do të ndikonte që Kosova t'i kthehet shumë shpejt punës së madhe që e pret. Ndër tjera, ai ka inkurajuar Prishtinën që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave që po lehtësohet nga Brukseli. "Liderët evropianë në disa raste e kanë thënë se përparimi në dialog është parakusht për perspektivën evropiane dhe se ky parakusht nuk ka alternativë tjetër", theksoi Hahn, duke iu referuar të ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Komisioneri i BE-së tha po ashtu se është me rëndësi që Kosova ta ketë sa më shpejtë Qeverinë e re e cila do të duhej të ishte pro-evropiane dhe e pranueshme nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar. Ndërkaq, në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Hahn ritheksoi se gjithçka varet nga përmbushja e dy kritereve të parashtruara nga Komisioni Evropian, ku bëjnë pjesë luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrë parasysh faktin që Kosova është në proces zgjedhor, ai tha se sa më shpejt që të konstituohet Kuvendi dhe të jetë në gjendje të marr vendime, aq më shpejt mund të përmbyllet procesi i heqjes së vizave. "Kushtet janë mirë të njohura dhe nëse merren vendimet ne kemi prezantuar tashmë raportin para një viti e gjysmë, kështu që nëse plotësohen edhe dy kushtet e fundit, atëherë ne do të prezantojmë raportin final tek vendet anëtare të BE-së", u shpreh Hahn. Sipas tij, marrë parasysh rastet e fundit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, edhe pas përmbushjes së dy kritereve të fundit, procesi deri në heqjen e vizave për Kosovën mund të marrë kohë. Komisioneri për Zgjerim i BE-së u adresoi mesazhe të gjitha qeverive dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që t'i vazhdojnë reformat evropiane, në mënyrë që ta përshpejtojnë rrugën e integrimit të vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Kohë më parë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini, ka inkurajuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen më shumë për përmbushjen e synimeve për përafrim me Bashkimin Evropian. Gjatë një takimi jo formal që Mogherini pati zhvilluar në Bruksel me kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia, ajo kishte adresuar sugjerime liderëve ballkanik t'i vazhdojnë reformat evropiane.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Prokuroria Speciale të vazhdojë hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë shtetëror

Posted: 06 Jun 2017 07:23 AM PDT

Prokurorisë Speciale Publike të Maqedonisë duhet t`i mundësohet që të mund të vazhdojë hetimet dhe ngreh padi për të gjithë ish-funksionarët politikë dhe ata aktual, për të cilët ka dyshime se janë të përfshirë në vepra kriminale, thonë për Radion Evropa e Lirë njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre me rëndësi të veçantë është që Prokuroria Speciale, kah e cila janë të drejtuara shpresat e qytetarëve shqiptarë, të fillojë hetimet për rastet më të ndjeshme që kanë të bëjnë me shqiptarët, siç janë rastet Monstra, Sopot , Brodec si dhe ngjarjet e Kumanovës. Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike ka afat deri në fund të këtij muaji që të ngre hetime për lëndët që dalin nga bisedat e përgjuara. Ish-gjykatësi Bashkim Selmani, i cili ligjëron në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës për Radion Evropa e Lirë konsideron se pa krijimin e kushteve që këto raste të ndriçohen në tërësi, qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të mos i besojnë drejtësisë. Selmani thotë se afati kohorë prej tre javësh, aq sa ka mandat në bazë të ligjit për të vepruar Prokuroria Speciale, nuk lë shumë hapësirë për të shpresuar se ky institucion do të procedojë hetime për rastet që kanë të bëjnë me shqiptarët. "Nëse eventualisht i ndërpritet funksioni Prokurorisë Speciale Publike, atëherë këto lëndë duhet t'i kalojnë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ashtu siç ndodh në të gjitha shtetet, dhe Prokuroria Speciale Publike mund të pagëzohet në Prokurori të Krimeve të Rënda". "Edhe sikur të arrijë t'i evidentojë të gjitha këto raste për të cilat janë të interesuar shqiptarët si Monstra, Sopoti, Brodeci dhe ngjarjet e Kumanovës, këto lëndë kur të arrijnë tek prokurorët apo gjykatësit e Prokurorisë së rregullt, me këtë përbërje që është aktualisht, nuk kam bindje se do t'i trajtojnë në mënyrën e duhur për të sjellë drejtësinë në vend", thotë Selamani. Gjatë ditës edhe partia shqiptare, Lëvizja Besa e cila është në opozitë, ka kërkuar që me urgjencë Prokuroria Speciale Publike të procedojë të gjitha rastet e montuara ndaj shqiptarëve, siç janë Monstra, Sopoti e Brodeci. Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme ka filluar procedurën për shkarkimin e prokurorit republikan shtetëror, Marko Zvërlevski pasi Zvërlevski nuk iu përgjigj thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev që vet të japë dorëheqje, si mundësi për të përshpejtuar procedurat për largimin e tij. Në këtë drejtim ish-prokurori Jovan Tërpenovski për Radion Evropa e Lirë vlerëson se askush nuk do të mund të amnistohet, dhe të gjithë ata të cilët kanë kryer vepra kriminale do të duhet të përballen me drejtësinë sepse lëndët për të cilat nuk ka arritur të ngreh padi do të duhet t'i kalohen Prokurorisë Publike. Megjithatë, Tëpenovski nënvizon se Prokuroria Publike me Marko Zvërlevskin në krye, i cili në bisedat e përgjuara dëgjohej se si merr urdhra nga ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, është e kuptueshme se do të krijojë shumë stërkëmbëza për procedimin e lëndëve. "Gjithsesi se duhet të largohet kreu i Prokurorisë Publike dhe njerëzve përreth tij, sepse qëndrimi i tyre pengon përballjen me drejtësinë të ish-funksionarëve. Ngritja e Prokurorisë Speciale Publike si institucion, nuk do të kishte kuptim nëse të gjithë ish-funksionarët e lartë, të cilët akuzohen për krime, do të mund të shpëtonin nga përballja me drejtësinë". "Ende nuk kemi asnjë të gjykuar nga lëndët të cilët i heton ose ka ngritur padi Prokuroria Speciale Publike. Rruga, gjithsesi se do të jetë e gjatë në kthimin e drejtësisë po assesi nuk duhet të hiqet dorë", thotë Tërpenovski. Më 4 qershor, në bazë të ligjit u themelua Prokuroria Speciale Publike si institucion por ka skaduar afati për ngritjen e akuzave për të gjitha ata lëndë të cilët i janë transferuar nga Prokuroria e rregullt publike, e që kanë të bëjnë kryesisht me parregullsitë gjatë realizmit të proceseve zgjedhore. Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë e cila gjatë punës së saj prej një vit e gjysmë, thotë se ka arritur të kontrollojë më pak se gjysmat e bisedave, dhe ka nisur ka hetime për 20 raste të cilat kanë të bëjnë kryesisht me krimin financiar, përderisa vetëm për 4 lëndë Speciale ka ngritur aktakuzë. Ndërkaq, gjerë më tani nuk është ndërmarrë nga gjyqësori asnjë vendim për ngrirje të pasurisë ose paraburgim të ndonjë zyrtari të lartë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuinti: Përpjekjet për frikësim në veri janë krejtësisht të papranueshme

Posted: 06 Jun 2017 07:11 AM PDT

Gjatë pak ditëve të kaluara, përfshirë ditën e sotme, "ne kemi pranuar një numër të raporteve thellësisht shqetësuese për përpjekje për ndikim në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, nëpërmjet kërcënimit", thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave në Prishtinë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Mëtutje, në këtë deklaratë theksohet se "veçanërisht, duket se ekziston përpjekje për frikësim dhe detyrim të komunitetit serb të Kosovës, për të votuar në mënyrë të caktuar. Aksionet e këtilla janë krejtësisht të papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janëangazhuar, për tu ndalur, dhe kërkojmë nga autoritetet dhe policia në Kosovë të bëjnë hetime të plota".  "Të gjithë shtetasit e Kosovës duhet të kenë mundësi të votojnë sipas vetëdijes së tyre dhe të lirë nga frikësimi, ndërhyrja dhe keqtrajtimi. Këto zgjedhje janë mundësi për shtetasit e Kosovës që t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm shtetasit e Kosovës e kanë këtë forcë dhe përgjegjësi. Si pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar, ne do të punojmë me secilin që zgjedhet", theksohet në fund të deklaratës. Lexoni edhe këtë: Serbët kundër serbëve në zgjedhjet e 11 qershorit

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Përmbysja e 8 përqindëshit si premtim zgjedhor

Posted: 06 Jun 2017 06:23 AM PDT

Premtimet e partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, për rritje ekonomike deri në 8 për qind apo edhe më shumë, janë në mospërputhje të plotë me parashikimet e Bankës Botërore. Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të publikuar në prill të këtij viti, ka vënë në pah se Kosova kishte shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti, rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind. Derisa, në raportin e fundit të publikuara nga Banka Botërore për rritjen ekonomike botërore, në pjesën për Kosovën, thuhet se për dy vitet e ardhshme 2018 dhe 2019, rritja ekonomike nuk do të jetë më e lartë se 4.4 për qind. Ndërkohë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet për Kosovën, nuk ka parashikuar rritje ekonomike më shumë se 3.5 për qind në vitin 2017. Kosova, rritjen ekonomike më të lartë e kishte shënuar në vitet 2010 dhe 2011 dhe atë jo më shumë se mbi 5 për qind. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimet e partive politike për rritje ekonomike deri në 8 për qind nuk janë në harmoni me parashikimet e Bankës Botërore, dhe se si të tilla nuk mund të jenë edhe të realizueshme. Sipas tij, me trendet aktuale ekonomike në të cilat është Kosova, premtimet për dyfishim të rritjes ekonomike, janë të parealizueshme. "Nëse marrim parasysh projektet aktuale të cilat janë planifikuara dhe janë në zbatim e sipër, rritja ekonomike në dy vitet e ardhshme nuk parashikoj të jetë mbi 5 për qind, do të sillet rreth 4 për qind", thekson Gashi. Për përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, premtimet për rritje ekonomike dhe më pas rritjen e buxhetit të shtetit, që po bëhen nga përfaqësuesit e partive politike, ekonomikisht janë të parealizueshme. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini i tha Radios Evropa e Lirë se premtimet e partive politike për rritje ekonomike, nuk kanë bazë ekonomike. "Premtimet për rritje ekonomike, jo që nuk janë të realizueshme, por janë të pamundshme me rritjen ekonomike aktuale. Për me keq në vitin 2017 do të kemi rritje ekonomike më të ulët, pasi që do të shënojmë rënie gati në të gjithë sektorët. Parametrat për këtë vit janë negativ, do të kemi rënie të investimeve, të eksporteve. Pra, gjithë kjo çka e premtojnë partitë politike në kohën dhe në gjendjen që është Kosova nuk mund të realizohen", thekson Shahini. Ndërkohë, mundësia për të pasur rritje më të lartë ekonomike se 4 për qind, sipas ekspertit të ekonomisë Naim Gashi, në Kosovë duhet të ketë investime të mëdha si në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, investime në fushën e minierave dhe mineraleve, në turizëm si dhe në realizimin e projektit për Brezovicën. "Të gjitha rritjet ekonomike që janë mbi 7 për qind janë vështirë të realizueshme, por jo të pamundshme, pasi nëse në Kosovë mund të vijnë investitorë të huaj të cilët investojnë në kapacitete të reja energjetike, siç është termocentrali 'Kosova e re', atëherë do të ketë nxitje ekonomike e cila mund të ndikojë në masën e përgjithshme të bruto produktit vendor deri në 2 për qind shtesë rritje ekonomike në rritjen aktuale", thekson Gashi. Partitë politike u kushtojnë rëndësi premtimeve për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, për faktin se Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe me shkallë të lartët ë papunësisë. Rritjet ekonomike që Kosova ka pasur përgjatë viteve, ndonëse ishin konsideruar të jenë më të lartat në rajon, për analistët ekonomikë ishin konsideruar të jenë të pamjaftueshme për t'i adresuar problemet thelbësore që ka Kosova, siç janë papunësia dhe varfëria. Në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se 17.6 për qind e popullsisë së Kosovës jeton nën kufirin e varfërisë, me 1.82 euro në ditë dhe 5.2 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme me 1.30 euro për të rritur në ditë. Ndërkaq, papunësia në Kosovë është 28.7 për qind.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Përcillet bombarduesi amerikan mbi Detin Baltik

Posted: 06 Jun 2017 05:54 AM PDT

Rusia thotë se njëri prej aeroplanëve të saj luftarakë e ka interceptuar një bombardues të Shteteve të Bashkuara, që fluturonte afër kufirit rus në Detin Baltik. Ministria e mbrojtjes e Rusisë, mëtutje, ka kumtuar se aeroplani luftarak rus i tipit, Su-27, është dërguar në hapësirë sot në mëngjes, pasi radari rus ka detektuar se një aeroplan po fluturonte përgjatë kufirit të Rusisë mbi ujërat ndrkombëtarë të Detit Baltik. Aeroplani ishte identifikuar si bombardues strategjik amerikan, B-52, dhe ishte përcjellur derisa e kishte marrë kursin më larg nga kufiri rus. Kjo përcjellje e aeroplanëve luftarakë po bëhet në periudhën kur raportet ndërmjet Moskës dhe perëndimit kanë arritur në pikën më të ulët të paparë prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesës ë Ukrainës nga ana e Moskës në vitin 2014, për mbështejten e Moskës ndaj separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës dhe për çështje të tjera. Në muajin maj, ushtria e Shteteve të Bashkuara pat njoftuar se aeroplanët e saj i ineterceptuan dy aeroplanë rusë të tipit Tu-95, bombardues me kapacitet atomikë, që fluturonin së bashku me dy aeroplanë luftarakë afër bregdetit të Alaskës. Po ashtu, në muajin shtator, një aeroplan luftarak rus fluturoi afër një aeroplani vëzhgues të Marinës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa zyrtarët amerikanë vlerësuan se ky ishte një afrim i rrezikshëm mbi Detin e Zi. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Haley: SHBA e rishqyrton pjesëmarrjen në një këshill të OKB-së

Posted: 06 Jun 2017 05:08 AM PDT

Shtetet e Bashkuara po e rishqyrtojnë pjesëmarrjen e tyre në Këshillin për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, tha sot në Gjenevë, në mbledhjen e këtij këshilli, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley. Mëtutje, në fjalimin e saj të sotëm në ditën e parë të sesionit trejavor të këtij këshilli, zonja Haley ka bërë thirrje për reforma, për eliminimin e asaj që ajo e ka quajtur "anim kronik anti-Izrael". "Shtetet e Bashkuara po e shikojnë me kujdes këtë këshill dhe pjesëmarrjen në të dhe ne i shohin disa fusha për forcim të rëndësishëm", tha Haley. Ajo theksoi, po ashtu, se vendet që i shkelin të drejtat e njeriut nuk do të duhej të ishin anëtare të këshillit. Lexoni edhe këtë informacion.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Studenti që po i prin protestave në Sllovaki

Posted: 06 Jun 2017 05:00 AM PDT

David Straka është 18 vjeçar dhe nuk ka përfunduar ende shkollën e mesme, por ai është tashmë figurë kombëtare e Sllovakisë. Straka ka organizuar protestat madhështore kundër korrupsionit në Sllovaki, duke sjellur mijëra njerëz në rrugët e Bratisllavës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Policia e publikoi identitetin e sulmuesit të tretë në Londër

Posted: 06 Jun 2017 04:57 AM PDT

Është bërë e ditur se sulmuesi në Londër ishte Youssef Zaghba, që besohet se është me kombësi italiane, me prejardhje nga Maroku. Policia ka thënë se Zaghba, 22 vjeçar, që kishte jetuar në lindje të Londrës, nuk ishte "subjekt interesi" për policinë ose agjencinë e brendshme të spiunazhit MI5. Dy të dyshuarit e tjerë janë, Khuram Butt, 27 vjeç, i lindur në Pakistan, dhe Rachid Radouane, 30 vjeç, që të dy nga lagjja Barking, në lindje të Londrës. Para se të qëlloheshin nga policia, tre të dyshuarit e drejtuan një kamion drejt këmbësorëve në London Bridge dhe pastaj i sulmuan me thika disa persona të tjerë në Borough Market, që është në afërsi. Nga ky sulm u vranë shtatë persona dhe 48 të tjerë u plagosën. Prej këtij numri të të plagosurve, 36 ende mbeten në spital, ndërsa 18 prej tyre janë në gjendje kritike shëndetësore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia, Serbia dhe Bjellorusia, në ushtrime ushtarake “Vëllazëria Sllave”

Posted: 06 Jun 2017 04:24 AM PDT

Rusia, Serbia dhe Bjellorusia po mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake afër kufirit të Bjellorusisë me Poloninë, që është anëtare e NATO-s. Në ceremoninë e sotme të hapjes, koloneli rus, Aleksei Sgibnev, tha se ushtrimet "Vëllazëria Sllave-2017" tregon se "të tri shtetet kanë arritur bashkëunim të ngushtë dhe po përgatiten që së bashku ta luftojnë të keqen më të madhe të kohës sonë: terrorizmin ndërkombëtar". Në këtë ushtrim marrin pjesë më se 300 ushtarë rusë, 400 bjellorusë dhe 50 trupa nga Serbia. Ushtrimet pritet të zgjasin deri më 14 qershor. Ky ushtrim i përbashkët afër Polonisë, që është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ka filluar një ditë pasi Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s. Ky është ushtrimi i tretë ushtarak me emrin "Vëllazëria Sllave".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA – Kuvajt: Ndërmjetësim me Katarin dhe vendet e tjera arabe

Posted: 06 Jun 2017 02:31 AM PDT

Shtetet e Bashkuara dhe Kuvajti po përpiqen për kapërcimin e ndarjes diplomatike ndërmjet Katarit dhe disa vendeve arabe, për shkak të akuzave se Katari e mbështet ekstremizmin. Ministri i jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al-Thani, tha sot se Kuvajti po përpiqet të ndërmjetësojë në këtë kontest, ku përfshihen edhe akuzat se Katari e mbështet Iranin dhe grupet kryengritëse shiite në rajon, që përkrahen nga Teherani. Në një fjalim të transmetuar në rrjetin televiziv, Al-Jazeera, ministri i jashtëm i Katarit, Al-Thani, tha se vendi i tij do të përmbahet nga përshkallëzimi i këtij mospajtimi, që ka shkaktuar ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, të raporteve tregtare dhe të trafikut ajror ndërmjet palëve. Ai ka bërë thirrje për "dialog të hapur dhe të sinqertë" për zgjidhjen e krizës dhe ka shprehur përkushtim që Katari nuk do të lejojë që ky kontest t'i dëmtojë raportet me Shtetet e Bashkuara, që e kanë bazën madhore ajrore ushtarake në këtë shtet të vogël të Gjirit. "Raportet tona me Shtetet e Bashkuara janë strategjike", tha Al-Thani, dhe ka shtuar se "ekzistojnë gjëra për të cilat ne nuk pajtohemi, por hapësirat tona të bashkëpunimit janë shumë më tepër se ato të mospajtimit". Zyrtarët amerikanë thanë se po synojnë uljen e tensioneve ndërmjet dy palëve, derisa Kuvajti kishte dëshiruar të veprojë si ndërmjetësues ndërmjet Katarit dhe Arabisë Saudite, që e ka udhëhequr nismën në mesin e vendeve arabe për t'i shkëputur lidhjet me kryeqytetin Doha. Në këtë kuadër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se ​"presidenti është i përkushtuar për të vazhduar bisedimet me të gjithë njerëzit e involvuar në këtë proces, me të gjitha këto shtete". "Ne dëshirojmë të vazhdojmë uljen e përshkallëzimit dhe në këtë pikë ne vazhdojmë të punojmë me secilin prej këtyre partnerëve", tha zëdhënësja Sanders. Mospajtimi ndodhi dy javë pas vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Arabinë Saudite, me ç'rast pati bërë thirrje për front unik mysliman kundër ekstremizmit dhe e ka theksuar Iranin dhe aleatët e tij, si burime të tensioneve në rajon. Kuvajti dhe Omani ishin në mesin e pak shteteve që nuk i janë bashkuar nismës për izolimin e Katarit dhe Iranit. Konsiderohet se Irani është rivali kryesor i Arabisë Saudite në rajon. Në këtë aksion, sauditëve u janë bashkuar Bahrejni, Libia, Egjipti, Jemeni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maldivet. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër kryengritësve të mbështetur nga Irani në Jemen, po ashtu, e ka përzënë Katarin nga koalicioni duke e akuzuar se u jep "mbështetje organizatave" terroriste atje. Ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif, ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e konfliktit. "Fqinjët janë të vazhdueshëm; gjeografia nuk mund të ndryshojë", ka shkruar Zarif në rrjetin Twitter.  ​Një zyrtar tjetër iranian tha se Teherani do të eksportojë ushqim në Katar nëpër det, derisa Arabia Saudite e ka bllokuar të vetmen rrugë tokësore për Katarin. Kjo ka shkaktuar panik te shtetasit e Katarit, të cilët u janë vërsulur vetëshërbimeve për të rezervuar sa më tepër ushqim. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka telefonuar presidentin e Tuqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të diskutuar për kótë situatë. Raportohet se Ankaraja është "aktivisht e involvuar" në përpjekje për ta kapërcyer këtë gjendje të tensionuar ndërmjet vendeve arabe. "Lindja e Mesme nuk është pikë ku mund të bëhet edhe një krizë e re", tha zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus. Përgatiti: Fatmir Bujupi 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Shefi për të drejtat e njeriut kërkon pëfundimin e okupimit izraelit

Posted: 06 Jun 2017 02:22 AM PDT

Komisionari i lartë për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Raad al-Hussein, ka kërkuar përfundim të okupimit izraelit të territorit palestinez, duke thënë se ky veprim do të ishte esencial për arritjen e paqes. Gjatë një fjalimi të sotëm në hapje të sesionit trejavor të Këshillit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, zoti al-Hussein tha se populli palestinez po "e shënon gjysmë shekulli në vuajtje të thellë nën okupim të imponuar nga forca ushtarake". Mëtutje, ky zyrtar i lartë i OKB-së ka theksuar se Izraelitët, po ashtu, meritojnë liri nga dhuna. "Mbajtja e okupimit për të dy popujt do të jetë vetëm zgjatje e dhembjes së pafund", tha al-Hussein. Zoti Hussein, po ashtu, e ka dënuar vuajtjen e hebrenjëve për më tepër se 2 mijë vjet, që kishte kulmuar me "krimin kolosal" të Holocaustit. Më vonë gjatë ditës, në këtë seancë pritet të mbajë një fjalim edhe ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. Kjo paraqitje bëhet pas kërcënimeve nga Uashingtoni për largim nga kjo trupë për shkak të trajtimit të Izraelit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë të shqetësuar rreth incidenteve në veri

Posted: 06 Jun 2017 01:09 AM PDT

Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou dhe shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e 11 qershorit, Alojz Peterle, kanë shprehur shqetësimin rreth incidenteve dhe kërcënimeve dhe presionit që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës, në kohën e fushatës zgjedhore. "Ne përsërisim nevojën që të gjithë aktorët politikë të përmbahen nga praktikat që janë në kundërshtim me parimet demokratike dhe në mënyrë të përpiktë ta respektojnë ligjin", thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. "Për ne, e drejta e Kosovës për të zgjedhur udhëheqësit e saj, pa frikë apo ndërhyrje, është një parim i shenjtë. Çdo gjë më pak se kjo nuk paraqet demokracinë që njerëzit në Kosovë e presin dhe e meritojnë", përfundon deklarata. Reagimet e zyrtarëve të BE-së kanë pasuar disa incidente në veri të Kosovës ndërmjet përfaqësuesve politik serbë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ghani thotë se nga sulmi me kamion-bombë ishin vrarë më se 150 vetë

Posted: 06 Jun 2017 12:52 AM PDT

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, thotë se më se 150 vetë ishin vrarë nga sulmi masiv me kamion – bombë në një lagje të kryeqytetit Kabul, më 31 maj. "Më se 150 djem dhe vajza të pafajshëm afganë janë vrarë dhe më se 300 të tjerë ishin dërguar nëpër spitale me djegie dhe thyerje", tha sot Ghani në një konferencë shumëkombëshe paqësore në Kabul. Më herët zyrtarët patën thënë se ishin vrarë 90 vetë, në këtë sulm, që ishte më vdekjeprurësi në Kabul, prej përmbysjes së regjimit taliban, pas invadimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në vitin 2001. Presidenti Ghani i ka nderuar edhe 13 oficerë të policisë për të cilët tha se e kishin ndalur kamionin në hyrje të hapësirës së fortifikuar dhe ishin vrarë nga eksplodimi. Për këtë sulm asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Jiri Dienstbier Journalism Fellowship, 2017 - 2018

Posted: 06 Jun 2017 12:43 AM PDT

Radio Evropa e Lirë tani pranon aplikacionet për vitin 2017-2018, për bursën për gazetarë "Jiri Dienstbier Journalism Fellowship". Ky program (bursë) zgjat nga 1 nëntori 2017 deri më 30 qershor 2018. Qëllimi i dhënies së kësaj burse është t'iu ndihmojë gazetarëve nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta ushtrojnë profesionin e tyre, në përkrahje të pluralizmit. Aplikacionet pranohen nga gazetarët e Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovincës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Të përzgjedhurit vendosen në shërbimin përkatës të Radios Evropa e Lirë, në zyrat qendrore në Pragë dhe rajon, ku praktikojnë trajnimin dhe punojnë me profesionistët e RFE/RL-së. Ky program u ofron atyre instruksione në fushën e multimedias, duke i përfshirë në diskutime në baza ditore. Kjo u ndihmon që të jenë bartës të standardeve të profesionit të tyre, liderë në komunitetin e tyre si dhe në botë. Aplikacionet e kompletuara duhet të dorëzohen në jiridienstbierfellowship@rferl.org deri në orën 0600 CET (sipas kohës së Evropës Qendrore) më 11 qershor, 2017. Shkarkoni aplikacionin këtu.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Talibanët i kanë liruar 6 punëtorë polakë

Posted: 06 Jun 2017 12:35 AM PDT

Talibanët pakistanezë i kanë liruar 6 punëtorë të një kompanie të naftës nga Polonia, të cilët ishin rrëmbyer vitin e kaluar. "Ata janë liruar pakushte dhe janë dorëzuar te ne" para dy ditësh, tha Zafrul Islam Khattak, zyrtar i lartë qeveritar në rajonin Vaziristani Jugor, raporton AFP. Sipas tij, për lirim të punëtorëve polakë negociata kishin zhvilluar udhëheqësit lokalë fisnor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Borxhin e rrymës në veri e paguajnë qytetarët nga viset tjera

Posted: 05 Jun 2017 11:50 PM PDT

Rreth 8 milionë euro llogaritet vlera e energjisë elektrike të pa-faturuar për vitin 2016 në pjesën veriore të Kosovës, shifër kjo që është paguar nga qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës, thonë autoritetet kompetente. Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t'ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje. Katër komunat në veri të Kosovës janë të banuara më shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik - kushtetues të Kosovës. Bazuar në raportet që merr Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) nga operatorët e licencuar, vlera e përgjithshme e energjisë së pa-faturuar në veri të Kosovës është rreth 8 milionë euro, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Adelina Murtezaj, zëdhënëse në këtë zyrë. Pasi kjo vlerë e mjeteve nuk është mbuluar nga institucionet e Kosovës, Murtezaj thotë se ZRRE-ja ka qenë e detyruar që kostot për mbulimin e humbjeve, duke përfshirë edhe humbjet në veri të vendit, t'ua shpërndajë të gjithë konsumatorëve. Ngarkesa me borxhet e një pjesë të popullatës së Kosovës te pjesa tjetër, mbetet çështje për diskutime edhe nga aspekti i të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit, sipas Syzana Gashit, këshilltare ligjore në këtë institucion, ka nisur tashmë hetimet. Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë takimit me zyrtarë të ZRRE-se, është konfirmuar se rryma e shpenzuar në veri të Kosovës iu faturohet qytetarëve në pjesë tjera në Kosovë.  Gashi tha se për këtë rast Avokati i Popullit ka dërguar dy letra në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomikdhe Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë. "Aktualisht jemi në shqyrtimin e dy përgjigjeve që kemi pranuar nga këto dy ministri. Sidoqoftë, Avokati i Popullit deri në fund të kësaj jave do të dal me një analizë ligjore dhe me gjetjet e lidhur më këtëçështjeje. Ka gjasa për të pasur shkelje të të drejtave të njeriut", ka thënë Gashi. Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë e konsiderojnë të padrejtë vendimin e ZRRE-se që borxhet nga humbjet teknike dhe konsumimi i paautorizuar i energjisë elektrike, të paguhet nga konsumatorët e komunave tjera. Visar Azemi, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), tha për Radion Evropa e Lirë se ky problem është dashur të zgjidhet gjatë bisedimeve që janë realizuar në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit. "Kjo është mungesë e shtrirjes së sovranitetit në atë pjesë. Është një dështim i politikës së Qeverisë e cila nuk ka arritur të shtrijë sovranitetin në pjesën veriore ashtu siç e bënë në pjesën jugore të Kosovës". "Kurse ne e dimë se për mos pagesa të energjisë elektrike intervenohet me mekanizma të ndryshëm për të inkasuar paratë e shfrytëzuara për energji", ka thënë Azemi. Meqenëse Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) e ka të pamundur qasjen në veri të Kosovës, humbjet që shkaktohen në këtë pjesë të territorit nga OSSH konsiderohen si humbje politike, dhe si të tilla janë konsideruar si humbje jashtë kontrollit të OSSH-së, thonë zyrtarë të ZRRE-se.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shkrimet e Trumpit në Twitter mund ta dëmtojnë urdhrin e udhëtimit

Posted: 05 Jun 2017 11:29 PM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është ballafaquar me kritika dhe pretendime se e ka dobësuar urdhrin e tij ekzekutiv, i cili pret shqyrtimin para Gjykatës Supreme. Duke u shprehur për sulmin terrorist në Londër gjatë fundjavës, zoti Trump ka shkruar dje në Twitter se "ne na duhet Ndalimi i Udhëtimit si një nivel shtesë i sigurisë"! Juristi, George Conway, bashkëshort i këshilltares së Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, tha se komentet e presidentit në Twitter nuk do ta ndihmojnë Departamentin amerikan të drejtësisë për ta mbrojtur urdhrin, derisa pritet që gjykata të përcaktojë se a është ai në harmoni me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Avokati, George Conway, të cilin presidenti Trump e kishte pasur në shqyrtim për ta emëruar në ndonjë post të lartë në administratën e tij, tha se komentet e presidentit nuk do të ndihmojnë për ta fituar shumicën e gjyqtarëve në gjykatë. Duke e quajtur Ndalesë të Udhëtimit urdhrin ekzekutiv të cilin e ka nënshkruar në muajin mars, Donald Trump, po ashtu, e ka kundërshtuar edhe sekretarin e brendshëm, John Kelly, i cili muajin e kaluar pat insistuar se urdhri "nuk është ndalim i udhëtimit".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now