“Alarmohet Rusia pas sanksioneve të Amerikës ndaj Koresë së Veriut” plus 19 more Radio Evropa e Lirë |
- Alarmohet Rusia pas sanksioneve të Amerikës ndaj Koresë së Veriut
- Trump vendos që momentalisht të mbajë Ambasadën Amerikane në Tel Aviv
- Thaçi: Kosova dhe Kroacia, raporte të shkëlqyera
- Luftimi i terrorizmit, vetëm sipërfaqësor në fushatë
- Merkel thotë se do të vazhdojnë dëbimet në Afganistan, pavarësisht shpërthimit në Kabul
- Subjektet politike miratojnë Kodin e mirësjelljes
- Vuçiq: Koha të bisedojmë për Kushtetutën dhe Kosovën
- Apostolova bën thirrje për zgjedhje të pavarura dhe të lira
- Presidenti Ivanov takon Qeverinë e re të Maqedonisë
- Forcat irakiane luftojnë për çlirimin e Mosulit
- Mbi 40 njerëz "vdesin nga etja" në Shkretëtirën e Saharasë
- Zgjedhjet dhe frika nga manipulimet
- Putin: Hakerët nuk kanë lidhje me shtetin
- Fëmijët festojnë ditën e tyre
- Fëmijëve në Kosovë iu shkelen të drejtat
- James Comey do të dëshmojë para Senatit javën e ardhshme
- Vdiq ish-roja e Aushvicit, i dënuar me burg
- Sulmohet ish-ministri maqedonas i Shëndetësisë, Nikolla Todorov
- WP: Administrata Trump do t’ia rikthejë Rusisë komplekset diplomatike
- Trump vendos sot për Marrëveshjen e Parisit për Klimën
| Alarmohet Rusia pas sanksioneve të Amerikës ndaj Koresë së Veriut Posted: 01 Jun 2017 09:55 AM PDT Rusia është alarmuar pas vendimit të Amerikës për të sanksionuar një shtetas rus dhe shumë kompani të tjera rreth lidhjeve të supozuara me Korenë e Veriut, ka thënë agjencia e lajmeve RIA, transmeton Reuters. Thesari amerikan ka shtuar sot gjatë ditës në listën e zezë nëntë kompani, dy firma ruse dhe tre persona të tjerë për mbështetjen e tyre në programin e armëve të Koresë Veriore. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump vendos që momentalisht të mbajë Ambasadën Amerikane në Tel Aviv Posted: 01 Jun 2017 09:36 AM PDT Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti Donald Trump ka vendosur që të mbajë për të paktën edhe gjashtë muaj Ambasadën Amerikane në Tel Aviv, me arsyetimin që ky veprim do të "maksimizojë shanset" për arritjen e paqes në mes të izraelitëve dhe palestinezëve. Në njoftim po ashtu thuhet se ky vendim nuk e tërheq përkrahjen e Trumpit për Izraelin dhe se bartja e ambasadës në Jerusalem do të ndodhë pas një kohe. Izraeli ka shprehur zhgënjimin rreth këtij vendimi. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se "Izraeli është i zhgënjyer që ambasada nuk po bartet tani, sidoqoftë vlerësojmë deklaratat e presidentit Trump për përkrahje dhe përkushtimin që ambasada të jetë në të ardhmen në Jerusalem". Nabil Abu Rdeneh, zëdhënes i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e quajti vendimin e Trumpit si "hap të rëndësishëm pozitiv" dhe tha se kjo tregon që Shtetet e Bashkuara janë serioze në procesin e paqes. Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të ndjeshme në konfliktet mes Izraelit dhe Palestinës. Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen. Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor duke e quajtur si kryeqytetin e shtetit të tyre. Ky hap nuk është pranuar asnjëherë nga komuniteti ndërkombëtar. Gjatë fushatës presidenciale më 2016, Trump ka premtuar që do të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe të bart ambasadën amerikane aty. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Thaçi: Kosova dhe Kroacia, raporte të shkëlqyera Posted: 01 Jun 2017 09:23 AM PDT Kosova dhe Kroacia vazhdojnë të kenë marrëdhënie bilaterale të shkëlqyera, ka thënë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po qëndron për një vizitë në shtetin kroat. Në takim më homologen e tij kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, Thaçi ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e Kroacisë për Kosovën në forumet ndërkombëtare, qoftë në NATO kur është fjala për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, qoftë në Samitin Brdo-Brione apo forumet tjera ndërkombëtare. "Jam i gëzuar që qeveritë tona janë afër finalizimit të marrëveshjes për Partneritet Strategjik në mes dy vendeve tona. Kjo do të hap rrugë jo vetëm për thellim të bashkëpunimit, por edhe koordinimit të veprimeve tona në marrëdhëniet bilaterale, në kuadër të zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare",ka thënë Thaçi, thuhet në njoftimin e Presidencës se Kosovës. Ndërkaq, në anën tjetër, presidentja e Kroacisë, Grabar-Kitarović ka thënë se Kroacia do të vazhdojë të mbështes Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe angazhimin për të arritur paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Luftimi i terrorizmit, vetëm sipërfaqësor në fushatë Posted: 01 Jun 2017 08:56 AM PDT Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, e cila është obligim dhe përgjegjësi institucionale e Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, nga politikanët e Kosovës përmendet vetëm kalimthi, pa prezantuar ndonjë qasje të qartë ndaj këtij problemi, vlerësojnë njohësit e rrethanave të sigurisë në vend. Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lire se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit duhet të jetë prioritet i Qeverisë së ardhshme të vendit, në vitet që do të vijnë. Ai shpreh mendimin se është e rëndësishme që partitë politike, duhet t'i hartojnë planet e detajuara dhe strategjitë, se si me "qasje të butë" t'i largojnë faktorët që ndikojnë në radikalizëm dhe ekstremizmin e dhunshëm. Sipas tij, partitë politike kanë shprehur vetëm qartësinë bazike, sepse gati se të gjitha kanë orientimi të qartë perëndimor. "Ato kanë një narracion që nuk e shmangë Kosovën nga rruga perëndimore. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Prandaj, pres që në këtë periudhë të qartësohet pozicioni dhe planifikimi i qartë, se si me 'masa të buta', se si me përmirësim të aspekteve të përgjithshme sociale dhe ekonomike, si dhe të largimit të izolimit do të mund të ndikojnë në orientimin e rinisë së Kosovës kah vlerat evropiane dhe kah perspektiva e tyre, si dhe ta largojnë indoktrinimin dhe propagandën që ndodhë në Kosovë". Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova mbetet akter në skenën ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit dhe si një vend partner, puna e të cilit është çmuar jashtëzakonisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Kosova nuk ka pasur deri më tash kërcënime serioze nga sulmet terroriste, por institucionet përgjegjëse, siç thotë ai, janë gjithmonë në gjendje gatishmërie lidhur me këtë çështje. "Nuk ka ndonjë indikacion serioz se vendi ynë mund të ballafaqohet, qoftë në këtë fazë apo në të ardhmen e afërt, me sulme të tilla. Por, kjo nuk na jep komoditetin ne që të mos mendojmë se edhe mund të jetë cak i ndonjë sulmi. Gjithmonë, gatishmëria jonë është në nivelin, sikurse të ballafaqoheshim me sulmet e tilla, sepse, siç thash, nuk mund të jemi komod nga vet fakti që sulme të tilla kanë prekur edhe vende me traditë të ekzistimit të mekanizmave në luftë kundër terrorizmit apo dukurive tjera të natyrave të ngjashme", theksoi Hoxha. Por, Ramadani, megjithatë, shpreh mendimin se përhapja e ekstremizmit të dhunshëm mbetet ende sfidë, sepse, sipas tij, ideologjia e tillë edhe më tej po përhapet, kryesisht përmes rrjeteve dhe komunikimeve sociale. Ai thotë se veprimet e institucioneve të zbatimit të ligjit, ka dhënë rezultatet e para, por kjo nuk mund të ndikojë për shmangien në tërësi të propagandës dhe indoktrinimit. "Prandaj, puna në komunitet, puna institucionale dhe angazhimi i përbashkët me BIK-un (Bashkësinë Islame të Kosovës) për ta luftuar propagandën do të jetë sfida kryesore e qeverisjes së ardhshme. Nuk besoj që dikush mund të thotë që nuk ka më probleme nga ekstremizmi i dhunshëm, sepse ideologjia është në përhapje, në vazhdimësi. Por, besoj që pozicionet politike të partive që janë në garë, duhet të qartësohen edhe më shumë". Gjatë vitit 2014, Kosova ka pasur më së shumti pjesëmarrës në luftëra të huaja për kokë banori. Por, sipas autoriteteve të vendit, ky trend është gjithmonë e në rënie. Së paku, 300 shtetas të Kosovës ka marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova tashmë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Merkel thotë se do të vazhdojnë dëbimet në Afganistan, pavarësisht shpërthimit në Kabul Posted: 01 Jun 2017 08:53 AM PDT Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se do të vazhdojnë dëbimet në Afganistan, për ata që nuk kanë fituar azilin në Gjermani, pavarësisht shpërthimit në Kabul. Merkel ka bërë këto deklarata një ditë pasi një kamion- bombë ka lënë të vrarë më shumë se 90 persona dhe ka plagosur më shumë se 400 të tjerë. Menjëherë pas shpërthimit në Kabul, Gjermania ka anuluar një fluturim me aeroplan i cili do të dërgonte të dëbuarit në Kabul. Kancelarja Merkel ka thënë se Berlini do të vlerësojë nga afër nivelin e sigurisë në Afganistan, përpara se të dërgojë azilkërkuesit e refuzuar atje. Ajo ka shtuar se sulmi në Kabul, pasqyron "rastin që të analizohet edhe një herë situata e sigurisë provincë pas province". Merkel ka shtuar se secilin rast do ta analizojnë detajisht, si dhe fokusi do të mbetet tek kriminelët afganë, të cilëve u është refuzuar qëndrimi. Në të kaluarën, shumë afganë u lejuan të qëndronin në Gjermani për shkak të kërcënimeve në Afganistan. Por vitin e kaluar, Berlini caktoi disa pjesë të vendit që i konsideroi si të sigurta për kthimin e këtyre personave në vendin e tyre. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Subjektet politike miratojnë Kodin e mirësjelljes Posted: 01 Jun 2017 07:20 AM PDT Subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, në Kosovë, miratuan deklaratën për Kodin e mirësjelljes. Grupi Ballkanik për Politik ishte iniciues i miratimit të Kodit të mirësjelljes. Miratimi i deklaratës u bë në prani të kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka përfaqësuesve të misionit të BE-së, të Ambasadës së Zvicrës, Norvegjisë, SHBA-së dhe Gjermanisë. Me miratimin e deklaratës në lidhje me Kodin e mirësjelljes për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, subjektet angazhohen për një fushatë fer, dinjitoze, në kuadër të normave demokratike pa përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe duke respektuar njëri tjetrin. "Subjektet shprehin besimin e plotë se procesi zgjedhor do të jetë i ndershëm dhe demokratik". "Subjektet ftojnë të gjithë anëtarët, kandidatët e tyre, partnerët e koalicionet që t'ju përmbahen këtyre parimeve", thuhet në komunikatë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Vuçiq: Koha të bisedojmë për Kushtetutën dhe Kosovën Posted: 01 Jun 2017 06:45 AM PDT Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën. "Mendoj se qëndrimi ynë duhet të jetë në harmoni me problemet jetësore, me atë që e mundon popullin tonë në Kosovë, me ato që janë të drejta të shtetit tonë", ka deklaruar Vuçiq. "Por harroni se ne jemi të vetmit që vendosim për këtë, sepse e dimë mirë se cili është roli i shqiptarëve në këtë. Gjërat duhet t'i vëmë në rrafsh dhe nivel racional dhe në atë mënyrë të bisedojmë", ka thënë Presidenti i ri i Serbisë, i cili ka dhënë betimin të mërkurën. "Unë mendoj ta hap këtë diskutim guximshëm, pavarësisht se e di që përsëri do të lajmërohen disa gjeni që do të ma tundin tabelën "tradhtar" dhe ashtu-kështu të fshihen nga shikimi i vajzës dhe birit tim, sepse nuk e kanë të këndshme t'i shikojnë në sy, derisa mbajnë marri të tilla në duar", ka theksuar ai. "Këtë e them pikërisht për shkak se brengosem për të ardhmen e Serbisë", është shprehur Vuçiq. "Një temë është edhe ndryshimet kushtetuese. Të flasim për këtë. Unë dëshiroj të hap dialog shoqëror që do të zgjasë tre muaj, gjashtë muaj. Për njërën dhe temën tjetër, edhe për Kushtetutën, edhe për raportin tonë ndaj Kosovës, por nëse doni edhe për raportin tonë ndaj gjithë rajonit dhe kështu me radhë", ka thënë Vuçiq. "Ta shohim se çfarë është politika e jonë dhe ku e shohim Serbinë pas disa vitesh dhe jo pas një viti. Të shohim se çfarë është politika për të cilën luftojmë", ka deklaruar ai. "Nëse mundemi që ta hapim një lloj të tillë të dialogut me partitë politike, me të gjithë përfaqësuesit politik, e pse jo edhe me bashkësitë fetare, me shoqërinë civile me sektorin joqeveritar, me të gjithë. Të shohim pra, se çfarë janë caqet e Serbisë dhe ku është vendi i Serbisë në të ardhmen. Çfarë është ajo ku ne e shohim Serbinë. Dhe kur të vendosni qëllimet strategjike, atëherë do të mund ta gjeni rrugën", ka theksuar Vuçiq. Në fund, Vuçiq ka deklaruar se të 'ngasësh dhe të mos dish ku të parkosh në fund, asnjëherë nuk mund të përfundoj mirë'. Vuçiq e ka marrë postin e presidentit nga paraardhësi i tij, Tomisllav Nikoliq. Betimi dhe fjalimi i tij i parë para Kuvendit të Serbisë si president i këtij vendi, ku përmendet edhe Kosova, është kritikuar nga përfaqësuesit politik në Prishtinë, duke i thënë atij se "Kosova, kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë". This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Apostolova bën thirrje për zgjedhje të pavarura dhe të lira Posted: 01 Jun 2017 06:35 AM PDT Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova iu ka bërë thirrje të gjithë subjekteve politike në Kosovë, pjesëmarrëse në zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, që të refuzojnë të gjitha format e presionit që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor. Apostolova ka kërkuar, po ashtu, nga të gjithë individët përgjegjës, kandidatëve dhe drejtuesve të ardhshëm të subjekteve politike që të përmbahen nga gjuha denigruese. "Që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, jam takuar me një sërë palësh të interesit. Të gjithë kanë shprehur pritshmërinë për zgjedhje të qeta dhe transparente të 11 qershorit, në një ambient të barabartë, si parakusht i domosdoshëm që Kosova të ecë përpara në zhvillimin e saj demokratik". "Raportet e kohëve të fundit që përmendin kërcënimet janë në kundërshtim me këto pritshmëri", thuhet në deklaratën e përfaqësueses së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova. Apostolova ka shtuar se "njerëzit në e Kosovës duhet të ndjehen të sigurt se janë të lirë nga çdo presion në mënyrë që të bëjnë zgjedhje të pavarur dhe të lirë." This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Presidenti Ivanov takon Qeverinë e re të Maqedonisë Posted: 01 Jun 2017 06:22 AM PDT Kryeministri i ri i Maqedonisë, Zoran Zaev është takuar me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, pasi Kuvendi votoi Qeverinë e re të mërkurën mbrëma. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar. Zgjedhja e Qeverisë së re të Maqedonisë, i jep fund bllokadës politike gjashtë mujore, pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Forcat irakiane luftojnë për çlirimin e Mosulit Posted: 01 Jun 2017 06:14 AM PDT Trupat irakiane po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në pjesën perëndimore të qytetit të Mosulit. Zyrtarët ushtarakë irakianë kanë thënë se ata janë në fazën finale të operacionit për çlirimin e Mosulit, bastionit më të madh të militantëve të IS-it në Irak. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Mbi 40 njerëz "vdesin nga etja" në Shkretëtirën e Saharasë Posted: 01 Jun 2017 05:51 AM PDT Dyzetekatër veta kanë vdekur nga etja, pasi kamioni i tyre u prish në Shkretëtirën e Saharasë, në pjesën veriore të Nigerit, tha Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, duke u thirrur te të mbijetuarit. Gjashtë gra të mbijetuara kanë arritur të ecin deri në Dirkou, një fshat i largët në Niger, tha zyrtari i Kryqit të Kuq, Lawal Taher, transmeton BBC. Të mbijetuarat thanë se në mesin e të vdekurve ka dhë fëmijë. Viktimat nga Gana dhe Nigeri raportohet se kanë bërë përpjekje të arrijnë në Libi. Taher, nga Kryqi i Kuq, tha se deri më tash askush nuk e ka vizituar lokacionin për të identifikuar trupat. Rruga nga Nigeri në Libi është një nga kryesoret për migrantët që duan të arrijnë Afrikën e Veriut, përpara se të kalojnë Detin Mesdhe për të arritur në Evropë. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Zgjedhjet dhe frika nga manipulimet Posted: 01 Jun 2017 05:49 AM PDT Nisja e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 11 qershor, ka shtuar thirrjet e organizatave vendore e ndërkombëtare për zgjedhje të lira e demokratike. Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Evropian në Kosovë (OSBE), Jan Braathu, ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku ka thënë se ndihet i lumtur që Kosova po ecën shpejt në proceset përpara, përfshi edhe organizimin e zgjedhjeve të lira. "Misioni i OSBE-së në Kosovë është këtu për ju. Nëse na thoni se nuk keni nevojë për ndihmën tonë, kjo do të ishte perfekte dhe do të isha i lumtur", tha Braathu. Ai i ka ofruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndihmën e plotë në procesin aktual zgjedhor. Ndihma e OSBE-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve shihet e nevojshëm sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se zvogëlimi i rolit të OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve duhet të shihet si shumë pozitiv dhe tregues së Kosova është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike. Sidoqoftë, ajo ka mirëpritur ndihmën e OSBE-së për organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. "Roli i OSBE-së do të jetë i kufizuar dhe shprehet përmes përkrahjes që i jepet KQZ-së në katër komuna, dhe atë sa u përket këshillave teknike të komisioneve komunale të zgjedhjeve dhe mbështetje teknike në ditën e votimeve", ka thënë Daka. Paraprakisht, KQZ-në e kanë vizituar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova, të cilët i kanë dhënë mbështetje të plotë me mesazhet drejtuar partive politike që t'i respektojnë ligjet dhe rregullat për zgjedhje. Përparimin e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve e kanë lavdëruar përfaqësues vendorë e ndërkombëtar. Koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, Demokracia në Veprim, ka nisur aktivitetet vëzhguese. Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në koalicionin Demokracia në Veprim, thotë se krahas përparimeve në fushën e administrimit të procesit, ka tendenca, megjithatë, që partitë politike t'i avancojnë teknikat e tyre. "Në dy palë zgjedhjet e fundit, në ato lokale më 2013 dhe ato parlamentare më 2014, procesi ka avancuar shumë sa i përket administrimit dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo, sado që ka avancuar procesi i administrimit të zgjedhjeve kanë avancuar edhe teknikat e partive politike për manipulimin e rezultateve. "Pra, manipulimi nuk është diçka që ndodhë vetëm në ditën e zgjedhjeve, por është një proces që ndodhë edhe më herët", ka thënë Krasniqi. Ndërkohë, në Kosovë ka mbërritur dhe Misioni Vëzhgues nga Bashkimi Evropian. Shefi i Misionit, Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian, do të prezantojë të premten në Prishtinë angazhimin që do të ketë ky mision gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 qershorit. Në ditën e parë të fushatës, partitë politike kanë adresuar mesazhe për një Kosovë të zhvilluar, për zbutjen e papunësisë, përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, si dhe përmirësim të kushteve për investitorët e jashtëm. Po ashtu, është premtuar ngritje e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë. Ndërkaq, nuk kanë munguar as zotimet për sundim të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, liberalizimin e vizave dhe vazhdimin e rrugës për integrim në Bashkimin Evropian, organizatat ndërkombëtare dhe në NATO. Me nisjen e fushatës, Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve politikë, që të përkushtohen për zgjedhje të lira e demokratike. "Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politikë, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre mekanizmave", thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane, e cila fton për një proces të qetë, të lirë e demokratik zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj. Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse një ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datën për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, pritet të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Putin: Hakerët nuk kanë lidhje me shtetin Posted: 01 Jun 2017 05:05 AM PDT Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se hakerët rusë mund t'i sulmojnë ata që kritikojnë vendin e tyre, për shkak të ndjenjave "patriotike", por këmbënguli se Qeveria ruse nuk është e përfshirë në sulme kibernetike. Putin i bëri komentet në një takim me redaktorë të agjencive ndërkombëtare të lajmeve, në Shën Petersburg. Komentet vijnë si përgjigje ndaj inteligjencës amerikane, e cila ka konstatuar se hakerë rusë, të urdhëruar nga Kremlini, kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. "Nuk jemi të përfshirë në nivel shtetëror dhe nuk do të përfshihemi. Përkundrazi, po bëjmë përpjekje ta luftojmë këtë dukuri brenda vendit tonë. Në çdo rast, jam i bindur se asnjë haker nuk mund të ndikojë fushatat zgjedhore në Evropë, Azi ose SHBA", tha Putin. Ai po ashtu kritikoi, siç tha, rusofobinë në vendet që përpiqen të izolojnë Rusinë. Kjo u pa si referencë e qartë për SHBA-në dhe BE-në, të cilat i kanë vënë sanksione Moskës për shkak të aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë. Putin tha se këto masa ndëshkuese kanë pasur "zero efekt" dhe shfaqi shpresën se do të marrin fund, pasi, siç tha, janë "kundërproduktive" për të gjitha palët. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Posted: 01 Jun 2017 05:00 AM PDT Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve po shënohet me aktivitet të shumta. Fëmijët janë mbledhur në sheshet kryesore të Prishtinës ku janë organizuar aktivitete të shumta për ta. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Fëmijëve në Kosovë iu shkelen të drejtat Posted: 01 Jun 2017 04:59 AM PDT Respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe Institucioni i Avokatit të Popullit konsiderohen të jenë nën nivelin e dëshiruar, ndonëse, thuhet se janë shënuar përparime në disa aspekte gjatë viteve të fundit. Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thonë se janë të dhënat e fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat tregojnë për një gjendje jo të kënaqshme të të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave mbi 60 për qind e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike, mbi 10 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër 7 për qind punojnë në kushte të rrezikshme. Donjeta Kelmendi, udhëheqëse e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët në Kosovë nuk gëzojnë të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. "Numrat flasin më së miri dhe këto statistika tregojnë se nuk kemi një gjendje të mirë të respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Përveç dhunës fizike dhe psikologjike që përjetojnë fëmijët në Kosovë, gjendje jo e mirë paraqitet edhe në aspektin e arsimit dhe shëndetësisë". "Përfshirjen në arsimin parashkollorë e kemi të ulët dhe atë vetëm 3.5 për qind,derisa përfshirja në arsimin para fillorë është 80 për qind. Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë mbesi më të ulëtat në rajon, po ashtu ka pasur edhe mungesë të barnave nga lista esenciale në repartet e Pediatrisë", thekson Kelmendi. Kosova vazhdon të mos këtë ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Qysh nga viti 2013 institucionet e Kosovës kishin filluar të hartojnë një ligj të tillë, i cili siç thuhet vazhdon të jetë në proces. Përveç tjerash, në Kosovë thuhet të ketë edhe pabarazi tek fëmijët. Një hulumtim i bërë kohë më parë në Kosovë nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, thuhet se pabarazitë tek fëmijët janë shfaqur në disa dimensione, por që veçohen shëndetësia, arsimi dhe siguria. Ndërkohë në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, thonë se ankesat që më së shumti i kanë pranuar lidhur me shkeljen e të drejtave të fëmijëve kanë të bëjnë me të drejtën në shëndetësi, mirëqenie sociale, kujdes prindëror, dhunë në shtëpi dhe shkollë. Igballe Rrahmani, këshilltare ligjore në Institucionin e Avokatit të Popullit, i ka thënë Radios Evropa e lirë se shkeljet e të drejtave të fëmijëve në Kosovë janë evidente, por që viteve të fundit është shënuar progres në respektimin e tyre. "Kur flasim për të drejtat e fëmijëve mund të themi se është bërë përparim i dukshëm gjatë këtyre viteve, mirëpo ende duhet të bëhet shumë në këtë drejtim në mënyrë që fëmijët t'i gëzojnë plotësisht të drejtat të tyre si dhe të rritet respektimi, promovimi dhe informimi i fëmijëve për të drejtat e tyre", thekson Rrahmani. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ishte cilësuar si sfidë për Kosovën edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian. Raporti pati theksuar nevojën që autoritetet e Kosovës të sigurojnë një buxhet adekuat për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në mënyrë që të këtë zbatim efektiv pas miratimit. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| James Comey do të dëshmojë para Senatit javën e ardhshme Posted: 01 Jun 2017 04:46 AM PDT Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey, planifikon të dëshmojë publikisht në Senatin e Shteteve të Bashkuara, për të konfirmuar, siç thuhet, deklaratat e mëhershme se presidenti Donald Trump i ka kërkuar të mbyllë hetimet mbi ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare. Michael Flynn po hetohet për lidhje të dyshuara me Rusinë. Mediat amerikane raportojnë se Comey do të dëshmojë përpara Komitetit të Senatit për Inteligjencë javën e ardhshme. Ky komitet është duke hetuar raportet midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe Rusisë, gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, vitin e kaluar. Hetime të ndara po bën edhe FBI. Vendimi i Trumpit për të shkarkuar Comeyn, muajin e kaluar, shkaktoi trazira politike dhe bëri që Departamenti amerikan i Drejtësisë të emërojë një këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet e FBI-së në administratën Trump. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Vdiq ish-roja e Aushvicit, i dënuar me burg Posted: 01 Jun 2017 04:30 AM PDT Reinhold Hanning, ish-roje e kampit të vdekjes në Aushvic, i dënuar vitin e kaluar me burg, ka vdekur përpara se dënimi t'i bëhej i detyrueshëm ligjërisht. Lajmin e konfirmoi avokati i tij Andreas Scharmer. Hanning, 95 vjeç, është dënuar në qershor të vitit 2016 me pesë vjet burgim, për pjesëmarrje në vrasjen e së paku 170,000 njerëzve. Ai ka qenë roje në kampin në Aushvic nga vitit 1942 deri më 1944. Hanning ka pranuar se e ka ditur se çfarë është duke ndodhur në kamp, por nuk ka vepruar për ta ndaluar. Avokatët e tij kanë thënë se ai, personalisht, nuk ka vrarë as nuk ka rrahur askënd. Nazistët kanë vrarë rreth 1.1 milion njerëz në Aushvic. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Sulmohet ish-ministri maqedonas i Shëndetësisë, Nikolla Todorov Posted: 01 Jun 2017 04:12 AM PDT Ish ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Nikolla Todorov, është qëlluar me armë zjarri përpara Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup. Lajmin e ka konfimuar Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Sulumesi është arrestuar, dhe Policia e ka dërguar në stacionin policor ku është marrë në pyetje. Policia është duke punuar për të zbardhur rastin dhe do të kërkojë për më shumë informacione rreth të incidentit që ka ndodhur gjatë ditës. Ministri i ri i Shëndetësise, Arben Taravari, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ai nuk ka qenë në punë sot, pasi ishtë informuar rreth incidentit. Taravari ishte planifikuar të takohej me kabinetin ministror në orën 12:30. Todorov ka qenë ministër i krahut të djathtë të qeverisë paraprake VMRO-DMPNE, të udhëhequr nga ish-kryeministri Nikola Gruevski. Burime jozyrtare nga partia e Todorovit kanë thënë se ai nuk është plagosur. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| WP: Administrata Trump do t’ia rikthejë Rusisë komplekset diplomatike Posted: 01 Jun 2017 02:33 AM PDT Gazeta Washington Post raportoi se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë hapa për t'i rikthyer Rusisë dy komplekse diplomatike, të cilat i janë marrë në muajin dhjetor. Washington Post citoi disa "njerëz që janë në dijeni" për shkëmbimet midis diplomatëve amerikanë dhe rusë për çështjen. Administrata e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, e ka nxjerrë personelin rus nga komplekset – njëri në Merilend, tjetri jashtë Nju Jorkut – në përgjigje të ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet në SHBA dhe keqtrajtimit të diplomatëve amerikanë në Rusi. Obama ka thënë se komplekset "janë shfrytëzuar nga personeli rus për qëllime të lidhura me inteligjencën". Që atëherë, zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se rikthimi i pronave është kusht për përmirësimin e marrëdhënieve, të cilat mbesin të tensionuara, pavarësisht deklaratave të presidentit Trump në vitin 2016 se ai do t'i përmirësojë ato. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| Trump vendos sot për Marrëveshjen e Parisit për Klimën Posted: 01 Jun 2017 01:57 AM PDT Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të njoftojë sot nëse SHBA do të mbetet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën ose jo. Burime nga Uashingtoni kanë thënë të mërkurën se Trump do të tërhiqet nga marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2015 nga 195 vende. Liderët evropianë kanë lobuar fuqishëm për të bindur Trumpin që të mos tërhiqet, por Trump ka thënë se anëtarë të Partisë së tij Republikane, si dhe industritë e qymyrit e naftës i kanë bërë presion të tërhiqet. Marrëveshja e Parisit për Klimën është pakti i parë ligjor për luftimin e ndryshimeve klimatike. Me të, pothuajse çdo vend është pajtuar vullnetarisht të reduktojë emetimet e gazrave serë. Gazrat serë kryesisht gjenerojnë nga termocentralet dhe makinat që djegin vajin, qymyrin dhe gazin natyror. Shkencëtarët besojnë se akumulimi i këtyre gazrave në atmosferë e ngroh planetin. Shtetet e Bashkuara, nën ish-presidentin Barack Obama, janë zotuar se do t'i reduktojnë emetimet deri në 28 përqind, deri në vitin 2025. Tërheqja nga marrëveshja e SHBA-së, që është emetuesja më e madhe e gazrave pas Kinës, mund të ketë implikime të gjera. This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now |
| You are subscribed to email updates from Radio Evropa e Lirë. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
| Google Inc., 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States | |





