Tirana Observer: “Vetëvrasja, fatkeqësia më e madhe dhe mëkati më i pafalshëm!” plus 9 more

Tirana Observer: “Vetëvrasja, fatkeqësia më e madhe dhe mëkati më i pafalshëm!” plus 9 more


Vetëvrasja, fatkeqësia më e madhe dhe mëkati më i pafalshëm!

Posted: 08 May 2017 07:54 AM PDT

Nga Miron Çako

Fenomeni i vetëvrasjes është i hershëm dhe ka sjellë shumë viktima para kohe në thonjtë e vdekjes, në botën e të vdekurve. Në shek.XIII  u quajt për studim me termin latinisht suicidium (sui-vetja dhe cidium-vrasja). Por pavarësisht ndërgjegjësimit dhe zhvillimit social dhe kulturor të njerëzve, përsëri fenomeni mbetet si një fatkeqësi e madhe dhe e pariparueshme, si për ata që e kryejnë, por edhe për të afërmit e tyre dhe mbarë shoqërinë.

Madje edhe në kohët moderne fenomeni nuk po zvogëlohet, por po shtohet frikshëm dhe me shifra alarmante. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit OBSH,  çdo 40 sekonda në botë, një person vret veten ose 3000 njerëz në ditë dhe 1 milion në vit. Suicidi është një nga tre shkaqet e vdekjes për grupmoshat 15 deri 44 vjeç, që është mosha më e bukur dhe produktive për njeriun.

Vetëvrasja nuk ndodh vetëm në vendet e botës së tretë me një zhvillim ekonomik social dhe kulturor të ulët, por edhe në vendet me zhvillim të lartë dhe në të gjithë sferat e shoqërisë. Në SHBA në çdo 12.3 minuta kryhet një akt vetëvrasjeje, pothuajse 43 mijë amerikanë në vit. Po ashtu edhe në Europë dhe në vende me standarde të larta jetese si në Francë ka të paktën  20 mijë suicide në vit dhe 200 mijë – 400 mijë tentativa,në Belgjikë po ashtu ka më shumë vdekje nga vetëvrasja sesa nga aksidentet rrugore, në Suedi vetëvrasja është në një shkallë shumë të lartë, vendi me vetëvrasje më të madhe në botë është ishulli i Groelandës, ku një në katër qytetarë kryejnë vetëvrasje. Edhe në Shqipëri gjatë vitit 2016 janë evidentuar 277 raste vetëvrasjesh dhe 325 raste tentative për vrasje.

Sa i përket moshës, mendimit dhe tentativës për suicid është zakonisht adoleshenca, mosha 15 vjeçare, për disa arsye të kësaj moshe delikate dhe shumë të ndjeshme si: problemet me prindërit, divorci, keqtrajtimi,abuzimi,ose jashtë shtëpisë dhuna nga bullizmi, apo kapriço të moshës, për fëmijët të moshës 10 vjeç më tepër është quajtur aksident sepse fëmijët nuk e bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Suicidi vazhdon në çdo moshë tjetër, sidomos në rastet më të shumta shfaqet në moshat 55-65 vjeç, mosha kur njeriu fillon tatëpjetën n.q.s. ka dështuar ose ka humbur qëllimin e jetës edhe po ashtu shfaqet në pleqëri, sepse procesi i plakjes krijon problem sociale, psikologjike dhe fizike, për mbijetesë, kjo kalon në dëshpërim, depresion dhe në aktin e vetëvrasjes. Sa i përket gjinisë, ajo femërore duke qenë më sentimentale dhe e paqëndrueshme emocionalisht, bëjnë gati tri herë tentativë për suicid më shumë se meshkujt, por meshkujt për nga fiziku dhe kurajo arrijnë ta realizojnë suicidin tri herë më shumë se femrat. Fenomeni i vetëvrasjes sipas OBSH nga viti 45 deri me sot, ka një rritje globale gati 60%. Për sensibilizimin dhe ndalimin e kësaj fatkeqësie që po kthehet si epidemi sociale, është vendosur 10 shtatori si dita e ndalimit të suicidit (vetëvrasjes).

Në përgjithësi suicidi është fenomen kompleks produkt i shumë faktorëve të cilët e pështjellojnë viktimën dhe e shtyjnë në aktin e eliminimit të vetes. Këto faktorë janë psikologjikë, socialë, biologjikë (sëmundje mendore), kulturorë, mjedisorë, madje edhe fetarë,d.m.th. për ato fe që e tolerojnë dhe e nxisin vetëvrasjen si akt i shenjtë dhe sublim para "Zotit". Në përgjithësi njerëzit që duan të vrasin veten, të të gjitha moshave përgjegjëse, kur duan të kryejnë aktin e vetëvrasjes janë përballë dilemës filozofike: "të rrosh apo të mos rrosh" dhe kjo si zgjidhja më e mirë e mundshme përballë realitetit pa shpresë ku gjendet personi. Vetëvrasja kryhet nga të gjitha nivelet intelektuale nga më të ulëtat deri tek inteligjenca gjeniale. Mund të themi se nga studimet pothuajse shumica e njerëzve kanë menduar ose kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje.

Sipas studiuesit të parë për fenomenin e suicidit Emile Durkehin, në studimin e tij publikuar në vitin 1897 citohet se: "Vetëvrasja si fenomen nënkupton të gjitha rastet e vdekjes të cilat rezultojnë në mënyrë direkte dhe indirekte prej aktit pozitiv dhe negativ të vetë viktimës, i cili e kupton se çdo të prodhojë rezultati i aktit të tillë".

Ai e përcakton vetëvrasjen në katër forma:

1- Si vetëvrasje egoiste, kur personi e ndjen veten të përjashtuar nga shoqëria, i paintegruar, me vështirësi ekonomike, të cilat kanë ardhur si pasojë e një dështimi personal.

2- Vetëvrasje altruiste; personi është i integruar në shoqëri,  por i ndikuar nga tradita apo feja se akti i vetëvrasjes është shërbimi më i mirë apo akt heroik për nderim, si harakiri, vetëvrasje për japonezët ose sekte që përligjin vetëvrasjen si kamikazët etj,

3- Vetëvrasje anomike vjen nga çrregullimet sociale prej ndërrimit të sistemet shoqëror, numri i madh i popullsisë, rregullat shoqërore janë në disavantazh apo të papërshtatshme, papunësi, varfëri, depresion ekonomik duke humbur shpresën.

4- Fataliste; kur individi i ka të gjitha, por ka humbur drejtimin në jetë dhe kontrollin mbi fatet e tij.

Për psikiatrit vetëvrasja është parë dhe trajtuar prej kohësh si sëmundje mendore. Sipas tyre suicidi është pasojë e sëmundjeve mendore si skizofrenia, epilepsia.

Kur personat e ndiejnë se po çmenden dhe po humbin personalitetin bëjnë vetëvrasje. Por pavarësisht trajtimit klinikal të personave me tendenca vetëvrasjeje, problemi nuk është zgjidhur dhe në disa raste ai ka dështuar në trajtimin e tij nga ana mjekësore. Sepse mbetet e pashpjegueshme për mjekët se përse dy persona me të njëjtën diagnozë dhe terapi antidepresive njëri e kryen aktin e suicidit dhe tjetri jo. Shumica e studiuesve të fenomenit mendojnë se 30-60 % e suicidantëve  janë me probleme mendore. Madje antidepresorët duke eliminuar frenimin psikomotor krijojnë tek pacienti mundësi fizike për të kryer suicid. Është për t'u çuditur se si psikiatrët që merren me trajtimin e pacientëve mendorë, janë njerëzit më me rrisk për suicid se nga mjekët e tjerë si ata pediatër, kirurgë dhe të tjerë.

Por përveç psikiatërve ka mendime të ndryshme nga psikologë, se suicid nuk është sëmundje por një akt pozitiv nëpërmjet të cilit individi qoftë dhe i sëmurë zgjidh një problem. Pra për shumicën e psikologëve modernë suicide është aspekt specifik dhe ekskluzivisht human, d.m.th. se vetëvrasja nuk është gjë tjetër veçse një veprim i një qenieje me vetëdije të mjaftueshme për të bërë dallim midis jetës dhe vdekjes. Kjo është arsyeja që në disa vende vetëvrasja është pjesë e kulturës si:  në Japoni akti i vetëvrasjes shikohet me respekt për të zgjidhur një problem pa zgjidhje, ose në Belgjikë suicide është diçka e lejuar. Por përveç rasteve që përmendëm ka dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në një vetëvrasje pasive si droga, alkooli, duhani, pakujdesi në aktivitetin fizik, aventura përtej limiteve, aksidenteve prej pakujdesisë, abuzim me trupin nga ana seksuale shkak i sëmundjeve vdekjeprurëse si sida, etj.

Po le ta shikojmë vetëvrasjen nga një tjetër plan dhe dimension që shpesh psikologët dhe psikiatrët dhe gjithë ata që merren me fenomenin e suicidit e anashkalojnë, që është dimensioni fetar ose religjoz. Bazuar në studime të shumta, njerëzit religjiozë janë më pak të prirur të bëjnë vetëvrasje. Kjo ndodh sepse fetë monoteiste dhe në mënyrë të veçantë krishterimi e dënon aktin e vetëvrasjes pa ekuivok, sepse njeriu nuk është një qenie autonome, ai nuk është zot i vetes por një krijesë e krijuar me një trup prej dheu i cili  ka brenda një frymë jete (shpirtin e arsyeshëm) që gjendet brenda trupit dhe e gjallëron atë. Prandaj njeriu duke qenë një qenie psiko-somatike (shpirt- trup) ku shpirti, (uni i tij) është futur dhe banon në një trup që mund ta quajmë si një çadër, shtëpi, ose një mjet lëvizësh, për të cilin njeriu duhet të përkujdeset gjatë gjithë jetës së tij mbi tokë.

Asnjëherë krishtërimi se ka parë trupin si armik të shpirtit, por banesë dhe bashkëpunëtor të tij, për të përmbushur qëllimin e jetës brenda kohës dhe hapësirës në këtë botë.

Në Dekalogun që është shtylla kurrizore e moralit të besimtarit monotheist, në porosinë e gjashtë Zoti thotë: "Mos vrit" (Eks.20:13) Kjo porosi kuptohet në dy aspekte, mos vrit për egoizmin tënd dhe mos vrit veten po ashtu nga egoizmi yt. Njeriu normal pavarësisht se jeton bashkë me vdekjen ose ka lindur për të vdekur, çuditërisht nuk e do vdekjen si shumë gjëra të tjera në jetë si ushqimi, gjumi etj, por i frikësohet vdekjes, e shmang, e lufton deri në momentin e fundit duke u përpjekur të jetojë sa më gjatë, madje edhe një ditë, edhe një orë më shumë dhe në qoftë se është e mundur të gjejë ilaçin e pavdekësisë që përfundimisht ta mundë armikun e tij më të madh dhe të pamëshirshëm vetë vdekjen.

Ky instinkt për të jetuar dhe mbrojtur jetën është vendosur tek njeriu nga Zoti Krijues që duke qenë një Qenia e pavdekshme e krijoi njeriun sipas ikonës së tij, me potencialin dhe mundësinë e pavdekësisë, duke u bërë i ngjashëm me Zotin e tij. Vdekja hyri tek njerëzit aksidentalisht për shkak të mëkatit fillestar, kur njeriu i mashtruar nga djalli ziliqar, (engjëlli rebel), shkeli porosinë e Perëndisë: "mos ha nga pema e njohjes së të mirës dhe të së keqes se në ditën që do të hash prej saj me siguri do të vdesësh"(Zan. 2:13).

Vdekja është produkt i mëkatit dhe djalli duke qenë shkaku i mëkatit fillestar dhe çdo mëkat personal ka pushtet mbi mëkatarët (njerëzit)  të cilët i çon në vdekje të parakohshme me anën e vetëvrasjes. Prandaj dhe dëshira për vetëvrasje fillon të shfaqet në adoleshencë kur njeriu fillon të dallojë të mirën nga e keqja dhe ai është i lirë të zgjedhë dhe të shkojë mbas të keqes, mbas mëkatit që të bashkon me djallin dhe që të çon në vdekje. Prandaj dhe Krishti tha për djallin "njerivrasës që nga fillimi" (Jn. 8:44). Ai së bashku me demonët e ajrit ndikojnë që njeriu të shkelë porosinë; mos vra ose mos vrit veten. Kjo na tregohet shumë qartë me Juda Iskariotin i cili e tradhëtoi Krishtin: "Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët. ( Lk. 22:3) "Dhe ai,… u largua dhe shkoi e u var në litar." ( Math. 27:5)

Shumë herë personat që vrasin veten janë të bombarduar me mendime dhe zëra të brendshëm që e shtyjnë njeriun drejt aktit të vrasjes dhe vetëvrasjes që në të vërtetë është i njëjti krim, ashtu siç thotë dhe shën Agustini (354-430): "të vetëvritesh është sikur të vrasësh një njeri". Këto zëra demoniakë, që psikiatrit dhe psikologët duke mos ditur origjinën i quajnë "zëra të brendshëm" ose "personalitet i dyfishtë"në një mendje të çoroditur, shoqërohen me melankoli dhe ankth, mendim i ulët për veten, dëshpërim ose një ego të tepruar sa kërkon të sfidosh edhe veten. Në Shkrimin e Shenjtë përmenden vetëm dy njerëz që vranë veten. Njëri ishte Ahitofeli, tradhtari i mbretit David (II Sam. 17:23), dhe tjetri Juda, tradhtari i Krishtit, (Math. 27:5) të dy vranë veten nga egoizmi i sëmurë dhe dëshpërimi i pashpresë.

Shën Nektari i Egjinas (1846-1920) një atë i madh Kishës Orthodhokse thotë: "Dëshpërimi është një e keqe e frikshme dhe një pasion i pashërueshëm që dëmton shpirtin e njeriut. Shkatërron çdo gjë të shëndoshë brenda tij, e udhëzon në shkatërrim dhe e bën t'i japë fund jetës së tij. I dëshpëruari, edhe pse jeton, është i vdekur, sepse ka humbur lidhjen me botën dhe me çdo kënaqësi të jetës. Dhe mendon se një vdekje më e shpejtë se ajo natyrore, do ta çlirojë nga hidhërimet dhe vështirësitë e jetës dhe përfundon në  vetëvrasje. Por nuk është kështu. Ai që vret veten, nuk është i çmendur, por i dëshpëruar në kulm. Pra, vetëvrasësit nuk vuajnë psikologjikisht, por moralisht. Dëshpërimi është një devijim moral. Ata lanë pas dore kurimin moral dhe kur i pushtoi paniku i dëshpërimit vranë veten. Kështu ata janë përgjegjës të veprimeve të tyre dhe bëjnë mëkat të madh, të pafalshëm (përderisa nuk mund të pendohen).

Shkaqet e dëshpërimit janë të shumta. Por ai më kryesori është sëmundja morale. Dhe këta të sëmurë moralisht i ndajmë në tri kategori: a)ateistë që nuk besojnë në jetën pas vdekjes dhe në gjyqin e Perëndisë dhe kjo të çon në çmenduri: " Tha i marri në zemrëne tij, nuk ka Perëndi, janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën." (Ps. 14:1), b)frikacakë, besëpakë: Në këtë grup bëjnë pjesë ata njerëz që fillimisht jetojnë sipas ligjeve hyjnore dhe njerëzore, por sa takojnë vështirësi të mëdha në jetë, humbin guximin dhe shpresën e tyre te Perëndia. c) të pushtuarit nga ndjenja të ndryshme, pra të sëmurët sentimentalë. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që vriten të zhgënjyer nga dashuria njerëzore, qoftë kjo e pastër (si dashuria rinore), ose e paligjshme. Dhe i riu, i pushtuar nga zhgënjimi, kaq shumë vuan dhe duke qenë i papërvojë për temat e jetës, i kushton rëndësi të madhe ngjarjes, e cila, për të rinjtë e zhgënjyer konsiderohet si e keqja më e madhe.

Vetëvrasja jo vetëm që është një fatkeqësi dhe nënshtrim ndaj demonëve por është dhe një mëkat i pafalshëm,  sepse e para, njeriu që vret veten sfidon Zotin, dhuruesin e jetës dhe blasfemon ndaj Tij, duke e quajtur të paaftë për ta shpëtuar në situatën ku u rrëzua. E dyta më e keqja njeriu që vret veten, i humb vetvetes çdo mundësi rikthimi, pendimi dhe korrigjimi, ndryshe nga ai që vret tjetrin dhe bën çdo mëkat por ka mundësi të pendohet të korrigjohet gjatë jetës. Ai që vret veten shkëputet përfundimisht nga Zoti i jetës, nga jeta e përjetshme dhe bashkohet me djallin, shkaktarin e vdekjes dhe vdekjen e përjetshme (ferrin). Për këtë arsye ata njerëz që vrasin veten nuk përkrahen as nga kisha e Krishtit, ndaj tyre nuk kryhen shërbesa fetare, madje më përpara nuk varroseshin me të tjerët që kishin vdekur me shpresën e ngjalljes.

Për ta ilustruar atë që thamë më sipër po iu tregoj një rrëfim të një personi të cilin e kam takuar në burg. Ai kishte bërë një krim dhe duke parë pastaj çdo gjë të shkatërruar, ra në dëshpërim dhe vendosi të vrasë veten duke u varur. Mbasi kaloi në gjendje kome tregon se një zë i qartë i tha: "tani nuk të ndihmojmë dot". Për "fatin" e tij të mirë ai u rikthye në jetë dhe u pendua thellësisht për aktin e vetëvrasjes, që ishte i pafalshëm nga Zoti.

I vetmi tolerim që bën Kisha Orthodhokse është kur personi që kryen aktin e vetëvrasjes është i dalë mendsh d.m.th. i pavetëdijshëm, i marrë, i demonizuar, saqë ka humbur çdo kontroll ndaj vetes dhe kështu është i papërgjegjshëm dhe nuk gjykohet. Ose në një tjetër rast, kur personat pranojnë të vrasin veten për të ruajtur moralin siç ka raste të përmendura edhe në historinë e popullit tonë, ku gra së bashku me fëmijët e tyre hidheshin nga shkëmbijtë për të mos rënë në duart e armiqve të cilët kërkonin t'i çnderonin.

Por vetëvrasja si akt është shumëdimensionale dhe e kamufluar, p.sh. siç është dhe eutanazia që si term vjen nga greqishtja që do të thotë (vras veten) ose vdekja e ëmbël, kemi (eutanazi vullnetare) ku kërkohet nga vetë pacienti,  ajo quhet vetëvrasje nga Kisha, kurse (eutanazi e imponuar) kur kërkohet nga të afërmit pa dëshirën e pacientit, kjo  konsiderohet si krim (vrasje). Ata njerëz që ndërgjegjësohen se do të vdesin, me siguri mendojnë,  në qoftë se unë do të vdes, pse të mos vdes më përpara, ose pse të bëhem barrë e shoqërisë, ndërsa të afërmit e tij mendojnë se me eutanazi do ta lehtësojnë nga dhimbja dhe kështu e justifikojnë eutanazinë. Kisha Orthodhokse është kundër sepse jeta nuk është pronë e njeriut por dhuratë e Zotit dhe vetëm Zoti ka të drejtë të marrë shpirtin duke e ndarë atë nga trupi. Jeta e njeriut nuk është e matur me minuta, orë, ditë, dhe vite, por me frymëmarrje, prandaj thuhet: "dha frymën e fundit". Jeta në trup në këtë kohë dhe hapësirë ka një qëllim të madh, për të formuar plotësisht shpirtin që ta bëjë të përshtatshëm për jetën e përjetshme. Ky është një proces i gjatë të cilën vetëm Perëndia e di kur mbaron, ashtu siç ndodh me frutin që kur piqet shkëputet vetë nga dega.

Vetëvrasja është shtuar në këto kohë apostazie (mohimi i Zotit) dhe kjo është neuroza më e madhe e këtij brezi të pabesë dhe imoral, që të çon në dëshpërim edhe fatalitet. Zgjidhja më e mirë e këtij fenomeni, si fatkeqësia më e madhe dhe mëkati më i pafalshëm, është besimi tek Zoti i jetës dhe i dashurisë dhe të mos dëshpërohesh,  mos të frikësohesh, mos e dëgjosh djallin që të pëshpërit vrite veten, por shko drejt tek Zoti-Njeri Jisu Krisht, Ai që e mundi vdekjen me vdekje dhe ngjalljen e tij  të lavdëruar, i cili i fton të gjithë njerëzit pa dallim: "Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë" (Mt. 11:28-30).

Kush e solli në Tiranë grekun me pajisje përgjuese?

Posted: 08 May 2017 07:43 AM PDT

Një tjetër pajisje e dyshuar si përgjuese u bllokua nga policia kufitare në Rinas, mbrëmjen e të dielës.

Ajo ishte duke u transportuar nga një shtetas grek.

Iraklis Dragunis, 52–vjeç u ndalua fillimisht nga punonjësit e kompanisë së sigurisë së aeroportit të Rinasit ICTS, pasi në bagazhet e tij u vu re pajisja e dyshimtë.

Rasti iu raportua efektivëve të policisë së aeroportit të Rinasit ndërsa për rastin u njoftua prokurori Julian Zonja.

Me urdhër të tij, specialistët e hetimit të Krimit Ekonomik bllokuan pajisjen në cilësinë e provës materiale.

Poseduesi i saj, greku Dragunis, u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në pritje të verifikimeve.

Deri në përfundim të hetimeve, policia vendosi të bllokojë pasaportën shtetasit grek.

Dragunis nuk pranoi të jepte shpjegime në lidhje me pajisjen, por pohoi se ai kishte punuar në Tiranë për llogari të një kompanie shqiptare të telefonisë celulare.

I ndaluari tha se me këtë pajisje kishte kontrolluar cilësinë e sinjalit të antenave celulare.

Prokuroria pyeti përfaqësues të kompanisë që ka kërkuar pajisjen. Ajo do të ekzaminohet për të konfirmuar përmbajtjen dhe qëllimin e saj. Një muaj e gjysmë më parë, policia bllokoi një tjetër pajisjeje në aeroportin e Rinasit.

Izraeliti Joram Frig, kishte sjellë pajisjen, pasi një biznesmen e kishte paguar të verifikonte ambiente banimi, zyra e biznese të tij për përgjime.

Pas ekspertimit të pajisjes izraeliti u la i lirë me vendim gjykate.

Tv Klan

Shifra e frikshme e fëmijëve shqiptarë që kërkuan azil

Posted: 08 May 2017 07:40 AM PDT

Fëmijët shqiptarë që kërkojnë azil në vendet europiane ndahen në dy kategori, sipas të dhënave të Eurostat.

Ata që kanë qenë të shoqëruar me prindërit dhe të tjerë të pashoqëruar.

Shifra në total është e frikshme. Mbi 11 mijë e 700 emra fëmijësh të regjistruar si aplikantë në azil.

Gati 11 mijë kanë qenë të shoqëruar nga prindërit, ndërsa 755 prej tyre kanë qenë të mitur të lënë në mëshirë të fatit në rrugët e vendeve të huaja.

Të gjitha aplikimet janë bërë vetëm në një vit, raporton Abcnews. Zyra Europiane e Statistikave, EUROSTAT, saktëson se numri më i madh i të miturve kanë aplikuar për azil në Britaninë e Madhe. Rreth 93% e azilkërkuesve të mitur janë djem dhe vetëm 7% vajza të mitura te pashoqëruara.

Kështu, sipas EUROSTAT, gjatë vitit 2016 në Britaninë e Madhe kërkuan azil 405 të mitur shqiptarë, në Gjermani 115 dhe në Suedi 105 të tjerë.

Revolveri maqedonas dhe Perëndimi pa gojë

Posted: 08 May 2017 07:14 AM PDT

Nga Gjergji Kajana

Maqedonia, fqinje e Shqipërisë, është sot vendi evropian ku ka më tepër mundësi të shpërthejë një konflikt civil. Fatkeqësisht, prej 3 vjetësh një konflikt civil po zhvillohet në kufijtë e Evropës, në Ukrainë, por atje, të paktën, duket se ka më tepër palë të interesuara ndërkombëtare për të ndërmjetësuar mes ukrainasve e rebelëve filorusë të Putinit. Nëse Perëndimi nuk ndërhyn sa më shpejt edhe Shkupi mund të hyjë në axhendën e krizave luftarake, duke ringjallur spektrin e luftës në Ballkan. Maqedonia është një revolver të cilit mjafton t'i tërheqësh këmbëzën e mund të nisë një breshëri që vret paqen në rajon prej implikimeve që kriza mund të ketë të paktën në Shqipëri e Kosovë.

Në 2015 regjimi i ish-kryeministrit Gruevski, regjim ende në pushtet në Shkup, u trondit prej përgjimesh telefonike që tregonin afera të tij ndër vite. Ato u bënë publike nga kandidati aktual për kryeministër Zaev, lider i opozitës socialdemokrate. Parlamenti maqedonas funksionon prej vitesh nën bojkote opozitare dhe ndërmjetësimi ndërkombëtar mundësoi zgjedhje parlamentare në dhjetorin 2016. Partia nacionaliste VMRO-DPMNE e Gruevskit morri më tepër vota e deputetë se socialdemokratët, por, për shkak të mosdakordësisë me shqiptarët, nuk siguroi shumicën parlamentare të nevojshme për të formuar një ekzekutiv të ri. Duke kryer një grusht shteti "de facto", presidenti Ivanov nuk po mandaton si kryeministër Zaevin, i cili përkrahet nga shqiptarët. Pretekst për mosmandatim për presidentin është "Platforma e Tiranës", një marrëveshje arritur para 4 muajsh në kryeqytetin tonë mes faktorëve politikë shqiptarë për të ngritur rolin institucional të etnisë shqiptare në Maqedoni. Platforma kërkon zgjerimin e përdorimit zyrtar të shqipes në të gjitha nivelet shtetërore maqedonase, si psh. në uniformat e forcave të rendit. Zaev e ka pranuar Platformën.

Maqedonia post-komuniste gëzon shumë rrethana të pafavorshme: ndodhet në Ballkanin e trazuar, është etnikisht jo homogjene (në praktikë "pakica" shqiptare ka numra shtetformues), prej një dekade keqqeveriset në mënyrë autoritare nga një klikë e korruptuar dhe ka një fqinj shumë pak konstruktiv si Greqia. Kjo, nën pretekstin qesharak se një vend i quajtur "Maqedoni" mund të kërcënojë integritetin territorial grek në të njëjtën krahinë helene të quajtur po "Maqedoni", pengon prej vitesh Shkupin të përparojë në planet për integrim në NATO e BE. Gruevski, lideri autoritar i klikës që qendron prapa protestave që përgjakën Parlamentin para 10 ditësh, përfiton nga kjo veto absurde helene për të mbajtur vendin e vogël nën kontrollin e një elite të delegjitimuar, e cila i jep vetes trajta nacionaliste. Në Ballkan shprehja se nacionalizmi përbën strehën e fundit të maskarenjve mund të jetë më reale se kudo. Si Gruevski, të njëjtin petk kanë veshur më parë edhe Millosheviçi e Berisha dhe mbart edhe serboboshnjaku Dodik. Është një petk që garanton gjithmonë njëfarë mbështetjeje popullore në vende me regjime hibride, siç fatkeqësisht janë ende demokracitë e reja ballkanase. Në Maqedoni VMRO shfaqet si mbrojtëse e identitetit sllavo-maqedonas kërcënuar nga shqiptarët, me të cilët ka bërë aleancë "tradhtari" social-demokrat Zaev. Natyrisht ky rezulton të jetë një vegël e miliarderit Soros, sipas akuzave nga VMRO. Në një intervistë shumë interesante në janar Gruevski ka deklaruar se ish-kryeministri shqiptar Nano kishte gabuar në lejimin e përhapjes së influencës sorosiane brenda socialistëve të Tiranës.

E vetmja arsye për rrëmujën në Shkup është frika e Gruevskit se mund të arrestohet nga një prokurori speciale nëse ndodh kalimi i pushteteve tek Zaev e aleatët e tij shqiptarë. Të gjitha të dhënat tregojnë se Platforma e Tiranës nuk e pengoi Gruevskin të trajtonte me shqiptarët për t'i përfshirë në qeveri por dialogu dështoi teksa shqiptarët ngulmuan në ekzistencën e kësaj prokurorie speciale. Disa herë VMRO ka hedhur zëra për nevojë për zgjedhje të reja në Maqedoni, me shpresën se do të mund t'i fitojë për t'i hequr mundësinë për pushtet Zaevit e shqiptarëve.

Duhet trysni e jashtme për të larguar Ivanovin e Gruevskin nga rruga e dhunës dhe pengimit të kalimit paqësor të pushteteve. Vihet re se Ivanov ka qetësuar retorikën pas takimit me zv/sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Yee. SHBA kanë treguar vendosmëri për përfshirjen e Malit të Zi në NATO por duhet të ndikojnë edhe në Shkup. BE ndërmjetësoi marrëveshjen që qetësoi gjakrat në 2015 e çoi në zgjedhjet e dhjetorit 2016. Brukseli duhet patjetër të ndikojë tek Athina që kjo të lehtësojë qendrimin e saj intransigjent në krizën e emrit. Kriza e emrit ndikon drejtpërsëdrejti në destabilitetin maqedonas sepse mungesa e perspektivës euro-atlantike favorizon nacionalistët e korruptuar si Gruevski. Ai dhe Ivanov kanë ende në dorë ta zgjasin krizën, duke nxitur protestat në shesh dhe duke kërcënuar me gjendjen e jashtëzakonshme nëse mund të përsëritet dhuna. Me gjendje të jashtëzakonshme kundër opozitarëve të brendshëm ka kërcënuar edhe Millosheviçi në dhjetorin 1996, ndërsa në 1997 Berisha e vendosi shtetrrethimin në Shqipëri si mjeti i fundit për të ruajtur pushtetin pasi gjendja e sigurisë i shpëtoi nga duart. Për paqen në Ballkan është shumë e rëndësishme që revolveri maqedonas ta ketë këmbëzën të pashkrepur. Që plumbi të mos dalë prej tytës Perëndimi duhet të jetë gjithnjë i gatshëm të ndërhyjë me sanksione të fuqishme kundër klanit që po keqpërdor nacionalizmin për të nxitur konflikt civil midis maqedonasve ose – më keq – mes tyre e shqiptarëve.

Gazetari Armand Plaka risjell një autobiografi të Konicës për të gjitha “Elisat”

Posted: 08 May 2017 06:56 AM PDT

Ndërsa është komentuar deklarata e kandidates së PS-së, Elisa Spiropali, bërë për origjinën e Faik Konicës në një takim me strukturat dhe zgjedhësit e PS-së së fundmi në Kolonjë, gazetari Armand Plaka (që është i dhënë pas historisë, sidomos asaj politike) duke risjellë në vëmendje një hulumtim rreth përplasjeve mes Faik Konicës dhe Shahin Kolonjës në fillim të shekullit të shkuar, shkruan me ironi në profilin e tij në Facebook, se: “S’ka dyshim se për Elisa Spiropalin, Faik Konica do kishte rezervuar një qëndrim më të butë se sa ndaj Shahin Kolonjës, i cili dikur e cilësonte si "grek", por sidoqoftë, s’do t'a kish lënë pa fshikulluar fort e menjëherë turivarur, duke i kujtuar se origjinën e tij e rrëfen më së miri vetë mbiemri tij. Po e risjell” – shkruan më tej studiuesi Plaka në postimin e tij në FB – edhe një herë në vëmendje shkrimin që pata nxjerrë nga arkiva ime vetëm pak ditë më parë (sikur t’a parandjeja…), e ku gjendet edhe një autobiografi e Konicës për të gjithë Elisat dhe “Elisët” që na rrethojnë.

Këtu mund të lexoni artikullin i Armand Plakës, botuar në gazetën DITA në vitin 2013 me titull: "Harbuti Shahin Kolonja, më mban për grek!"

Basha i tregon bërrylin Henri Çilit

Posted: 08 May 2017 06:22 AM PDT

Dikur ishte një mbështetës i PD-së, ndërsa sot Henri Çili është kthyer në shënjestër të opozitës.

Duke folur nga çadra në ditën e 80 të protestës, kryetari i Partisë Demokratike vijoi me ndryshimet që ai do të sillte me Republikën e Re ndryshe nga qeveria Rama, Basha nuk harroi të përmendte edhe kritikun e tij, analistin Henri Çili, kur përmendi sektorin e arsimit.

"Akademikët dhe studentët do të jenë ata që do të menaxhojnë universitetet. Edhe Henri me shokët e tij do të kenë një copë diell në Republikën e Re, por që të bëni këtë duhet të konkurroni me sektorin publik, por nëse nuk e bëni këtë do merrni (tregon bërrylin)," – tha Basha.

Veliaj: 1 mln $ për subvencionimin e kredive të buta, ndihmojmë 1 mijë çifte të reja

Posted: 08 May 2017 06:14 AM PDT

Rreth një mijë familje të reja në Tiranë do të përfitojnë shumë shpejt një kredi të butë. Bashkia e Tiranës nisi sot zbatimin e programit social të strehimit për kreditë e buta për blerjen e një shtëpie, duke marrë përsipër të subvencionojë interesat e tregut bankar. Programi u prezantua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kreditë e buta janë një tjetër alternativë që Bashkia e Tiranës ofron për t'i dhënë fund problemit të strehimit në kryeqytet, krahas programeve të tjera që zbaton prej muajsh.

"Nga sot, çdo qytetar i Tiranës që plotëson kriteret, të cilat synojnë kryesisht familje të reja, mund të shkojë pranë njësive administrative dhe të aplikojë për të marrë një kredi të butë të subvencionuar nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj kredinë e merr në bankat e nivelit të dytë. Këtë vit kemi vënë 1 milion dollarë në dispozicion vetëm për amortizimin e kredisë. Në vitin e parë financiar ku kishim një borxh të konsiderueshëm, ishte e pamundur që të fillonim një program të tillë, por në vitin e dytë, sapo Bashkia u sigurua nga ana financiare, menduam që kishte ardhur koha që me të ardhurat tona të fillonim këtë projekt", tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se në administratën e mëparshme u abuzua me skemën e subvencionimit të kredisë, ku përfituesit nuk ishin ata qytetarë që realisht kishin nevojë, por zyrtarët e lartë. Ai theksoi se targeti kryesor që do të përfitojnë nga skema e kredive të buta do të jenë kryesisht familjet e reja, por sigurisht që nuk do të përjashtohen edhe familjet e tjera. "Në kontratën që kemi me bankat e nivelit të dytë, për 1 milion dollarë që vendos bashkia, bankat do të japin nga 50-60 milionë dollarë në total për blerjen e apartamenteve. Për qytetin e Tiranës, për ekonominë tonë, injektimi i 50-60 milionë dollarëve në ekonomi, në tregun e shit-blerjeve, në taksat që paguhen prej kësaj, në rritjen e vlerës së pronës, është i jashtëzakonshëm. Janë vende pune që hapen, është një industri e cila vazhdon e punon", u shpreh Veliaj.

Ai sqaroi risitë e skemës së subvencionimit të kredive të buta, ndërsa garantoi qytetarët se pavarësisht ndryshimeve në bursë, norma e interesit do të jetë e pandryshueshme. "Kredia do të jetë e garantuar ndaj luhatjeve të tregut. Kredia do të jetë 3% për 20 vjet dhe çdo interes mbi 3% amortizohet nga Bashkia e Tiranës, e cila sot mund të jetë 2 ose 3 pikë përqindje, por kemi pasur kredi edhe me 7, 10, 12%. Garancia që dikush jep që rregullat e lojës nuk ndryshojnë për 20 vjet, është besoj garancia më e madhe që dikush kërkon kur futet në një marrëdhënie financiare me një bankë ose me Bashkinë e Tiranës. Kjo të jep një garanci për të ardhmen, ku rregullat nuk ndryshojnë dhe çdo luhatje e tregut është diçka që do të përballohet nga Bashkia e Tiranës. Ne jemi të gatshëm ta përballojmë këtë që në vitin tonë të parë", nënvizoi Veliaj, ndërsa shtoi se në kryeqytet falë investimeve që janë kryer nga ana e Bashkisë së Tiranës është rritur edhe vlera e pronës.

"Çdo investim rrit edhe vlerën e pronës, por kemi ende pjesë të tëra të tëra të Tiranës, si zona e Astirit, e Freskut, zona e Komunës së Parisit, ku ende ka banesa të cilat mund të shfrytëzohen, sigurisht me çmime edhe më ekonomike se sa çmimet që mund të ketë tregu sot. Megjithatë, vendimi përfundimtar për të zgjedhur një banesë është individual, përgjegjësinë financiare e kemi të përbashkët, qytetarët këstet e kredisë, kurse interesat Bashkia e Tiranës deri në 20 vjet, për t'u japim një shans", tha Veliaj.

Por, përveç kredive të buta, Bashkia e Tiranës ka edhe tre skema të tjera për të mbështetur familjet, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike që të sistemohen në një strehë. Kryebashkiaku deklaroi se një prej tyre është edhe Qendra e Emergjencës, ku janë vendosur disa prej familjeve që nuk kanë asnjë mundësi ekonomike. "Sot qendra në Tufinë është kthyer në një qendër për përballimin e emergjencave. Kemi pasur situata të vështira me të ftohtin, me përmbytjet dhe ka qenë një alternativë për të pastrehët", tha ai.

Ndërsa, kategoria e dytë është bonusi i qirave, i cili është rikthyer pas një bllokimi nga administrata e mëparshme. "Për herë të parë rikthyem bonusin e qirave, i cili kishte vite që ishte pezulluar. Bonusi i qirave është një komplementim financiar i dikujt që tashmë e ka një qira, por që ndoshta nuk e paguan dot në çmimet e tregut dhe kjo subvencionohet nga Bashkia e Tiranës", tha Veliaj.

Një tjetër mundësi për qytetarët janë edhe banesat sociale. "385 banesa sociale u shpërndanë dhe sot jemi në një fazë ku, jo vetëm kemi mbaruar këto, por po bëjmë edhe njësitë e tjera që i gjithë kampi i barakeve i komunitetit rom, që ishte një situatë totalisht e padenjë në Shkozë, gjithashtu bashkë me 60 banesa të tjera, të komplementohet dhe për herë të parë të zhdukim një fenomen të ndërtimeve të zonave informale, jashtë kushteve të higjienës dhe jashtë infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore", nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Programi Social i Strehimit i kredive të buta parashikon që të ofrojë kredi për afro 1 mijë familje, kryesisht çifte të reja. Ai ofron një mundësi strehimi dhe nëpërmjet tij familjet e deklaruara të pastreha mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar kredi nga banka me interes fiks 3 për qind, për gjatë gjithë viteve të shlyerjes së kredisë. Bashkia do të vërë fillimisht në dispozicion një fond prej 1 milionë dollarësh dhe do të marrë përsipër subvencionimin e interesave shtesë të kredisë që ofron sot tregu bankar. Që familjet e pastreha të përfitojnë nga ky program duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuar më parë me vendim të Këshillit Bashkiak.

 

Zbardhet debati i plotë në PD, çfarë ndodhi dje mes Bashës dhe Bregut

Posted: 08 May 2017 05:55 AM PDT

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi kryesinë dhe Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike 30 minuta pasi Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se koha për të pritur demokratët kishte skaduar dhe ai do të niste fushatën zgjedhore, shkruan "Panorama".

Vendimi i kreut të qeverisë nuk e shfaqi të shqetësuar Bashën përpara deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë, kur deklaroi se zgjedhje pa opozitën më 18 qershor nuk ka për të pasur. Për këtë, Basha kujtoi rastin e zgjedhjeve për Bashkinë e Kavajës, për të cilat, sipas tij, Rama ishte zotuar se do të hynte edhe i vetëm dhe më pas u tërhoq.

Në fokus të mbledhjes së Bashës me kryesinë dhe Grupin Parlamentar ishte organizimi për protestën e ditës së shtunë më datën 13 maj. Por ndonëse ishte menduar si një mbledhje që do të diskutonte vetëm mënyrën e organizimit të protestës së 13 majit, gjatë saj nuk kanë munguar debatet. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, i ka kërkuar Bashës që PD të mos bojkotojë procesin zgjedhor dhe të mos i cilësojë mospjesëmarrjet në zgjedhje si fitore duke iu referuar rastit të zgjedhjeve në Kavajë.

DEBATI

Lulzim Basha: Kjo mbledhje njëkohësisht e Grupit Parlamentar dhe kryesisë së partisë është në funksion të organizimit të protestës së 13 majit që Partia Demokratike do të organizojë. Kjo duhet të jetë një protestë masive, e cila në vazhdim të asaj që realizuam më 18 shkurt, të tregojë vendosmërinë e kësaj beteje që kemi nisur. Puna për organizimin e një proteste shumë të madhe kishte nisur prej kohësh, e kam fjalën për atë që do të realizonim në Kavajë. Pavarësisht anulimit të saj, besoj se ajo që ndodhi me atë protestë duhet të jetë një rrugë e vlefshme për ne për atë që duhet të bëjmë në vijim. Kam pasur një takim me kryetarët e degëve dhe kam dhënë udhëzimet përkatëse për çdo strukturë. Kjo duhet të jetë protesta më e madhe që është organizuar në vend. Për këtë fakt, dua që të nisë menjëherë puna në terren nga secili prej jush për të mundësuar një tubim madhështor, i cili, dua të theksoj, duhet të jetë tërësisht paqësor.

Majlinda Bregu: Në fakt, unë nuk e shoh me vend mospjesëmarrjen në zgjedhje. Kam bindjen se kauza kryesore e Partisë Demokratike është dhe duhet të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, por druhem se përmes kësaj kauze po i japim një alibi Edi Ramës që të bëhet mret dhe të mbretërojë në qetësi në parlamentin tjetër. Kjo është një çështje shumë delikate që po na vë në vështirësi edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet ta themi se nuk e kanë lënë PD-në vetëm as në vitin 1997. E kam thënë edhe në mbledhjen e kaluar se personalisht besoj se zgjidhja politike duhet të vijë përmes një dialogu tuajin me Edi Ramën.

Lulzim Basha: E keni gabim. Jeni e bazuar në një premisë të gabuar, premisën e mospjesëmarrjes në zgjedhje. E kam thënë dhe e kemi thënë se nuk ka bojkot të zgjedhjeve, nuk ka mospjesëmarrje në zgjedhje nga ana e opozitës. Ne kemi vendosur për luftë totale, paqësore, për të mos lejuar marrjen peng të zgjedhjeve nga krimi dhe nga droga. Kaq e thjeshtë është. Por unë nuk mund të negocioj asgjë me një njeri që në një kohë që partnerët tanë ndërkombëtarë pranojnë përmasat e çështjes së drogës dhe përfshirjen e individëve me rekorde kriminale në poste të larta shtetërore, thotë se ato nuk ekzistojnë.

Majlinda Bregu: Unë kam qenë pjesë e atyre negociatave dhe kam qenë në dijeni të ofertës që do t'i bëhej Partisë Demokratike. Vendimi për ta refuzuar atë ofertë ka qenë i juaji, sepse Grupi Parlamentar nuk është mbledhur për t'u konsultuar ky vendim. Në gjykimin tim, refuzimi i paketës së zv.presidentit të PPEve, McAllister, është një gafë politike që do të mbahet mend shumë gjatë. Mua personalisht janë një sërë çështjesh që më bëjnë të ndihem keq. Ju thatë se fitorja e Kavajës të na shërbejë për të ardhmen, qofsha gabim, por nuk besoj se zgjedhjet, të cilat nuk zhvillohen, duhet të konsiderohen fitore.

Lulzim Basha: Edhe një herë po e përsëris se nuk kemi marrë asnjë vendim për të bojkotuar zgjedhjet parlamentare. Por zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe droga nuk do të lejojmë jo më 18 qershor, por në as në një datë tjetër. Jemin Gjana: Nëse ka një vendim për bojkot të zgjedhjeve parlamentare, ky vendim duhet të kalojë përmes kryesisë së partisë. Sepse këto janë vendime aq madhore sa mund t'i marrë vetëm kryesia dhe jo një individ i vetëm.

Majlinda Bregu: Unë nuk flas vetëm për 18 qershorin, sepse nëse flasim për atë datë, jam e bindur që më 18 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Por pas kësaj situate që po përballemi, besoj se është detyrë e çdo demokrati të kontribuojë për rindërtimin e Partisë Demokratike. Vazhdimi i luftës politike jashtë institucioneve nuk e bën Partinë Demokratike më të madhe.

Ibrahimoviç është aq “i fortë” sa mjekët duan ta përdorin për studime shkencore

Posted: 08 May 2017 05:52 AM PDT

Riaftësimi nga dëmtimi duket se po shkon më mirë se ç'mendohej për Zlatan Ibrahimoviç.

Sipas të përditshmes suedeze "Expressen", mjekët e klinikës në Pittsburgh, që operuan sulmuesin 35-vjeçar, mbetën të habitur kur panë gjendjen e gjurit të tij.

Sipas një komunikate të publikuar nga agjenti i Ibrahimoviç, Mino Raiola, mjekët kishin deklaruar se “nuk kishin parë kurrë gju kaq të fortë dhe se për ta ishte e paimagjinueshme, që një lojtar me 20 vite karrierë të kishte një artikulacion në gju kaq perfekt”.

Në të njëjtën kohë, mjekët theksuan se gjuri i Ibrahimoviç ishte kaq i fortë, saqë kërkuan që ta operojnë sërish atë kur të tërhiqet nga futbolli i luajtur, për ta studiuar në mënyrë më të detajuar nga ana shkencore.

Inter, 15 mln euro për të bindur Simeonen ose Conten

Posted: 08 May 2017 05:41 AM PDT

Me humbjen e fundit me Genoan, kriza e Interit nuk po njeh kufij e në këto kushte edhe fati i Piolit duke i shkruar.

Në fund të sezonit pritet largimi i trajnerit, ndërsa drejtuesit kinezë do të provojnë ta ringrejnë skuadrën duke nisur nga panika.

15 milionë euro në sezon, kjo është shuma për të bindur Antonio Conten ose Diego Pablo Simeonen për t'u transferuar në Milano. Në rast refuzimi ka dalë në skenë edhe emri i Roberto Mancinit, për të cilin do të ishte një rikthim te zikaltrit.

Kuptohet qartë që tek Interi nuk janë dorëzuar, pavarësisht përgjigjeve të vazhdueshme negative të Simeones, që në fakt gjithmonë kanë lënë një shteg për aludim.

Në Pinetina është krijuar bindja e fortë se nevojitet një trajner me karakter dhe që ka dhënë prova për të ringritur Interin.

E vetmja rrugë për të siguruar një përgjigje pozitive nga Simeone ose Conte është vënia në tavolinë e një oferte të parezistueshme financiare, ku do të përfshihen edhe bonuset dhe premiot në rast suksesi.

Sigurisht që oferta për trajnerit përfshin edhe një shumë të madhe parash e destinuar për merkaton, pasi projekti i ri kërkon edhe futbollistë cilësorë.

T'i rrëmbesh Atleticos apo Chelseat trajnerin nuk mund të jetë kurrsesi e lehtë de për këtë arsye është gati një listë e gjatë me alternativa.

Ata janë Luciano Spalletti (Roma), Jardim (Monaco), Paulo Sousa (Fiorentina), Di Francesco (Sassuolo) dhe Roberto Mancini, për një rikthim të bujshëm.