INSAJDERI: “Fshati italian ofron 2,000 euro për cilindo që do shkojë të jetojë aty” plus 19 more

INSAJDERI: “Fshati italian ofron 2,000 euro për cilindo që do shkojë të jetojë aty” plus 19 more


Fshati italian ofron 2,000 euro për cilindo që do shkojë të jetojë aty

Posted: 08 May 2017 09:39 AM PDT

Kryetari i një fshati në Itali është duke ofruar 2,000 euro para në dorë për këdo që është i gatshëm të shpërngulet dhe të jetojë aty, në përpjekje për të parandaluar që fshati të mbetet i shkretë.

Ata të cilët dëshirojnë të shkojnë në Bormida, në rajonin malor të Ligurias në veri-perëndim të Italisë, do t'iu bashkohen 394 njerëzve të tjerë me premtimin për një jetë të thjeshtë dhe ata që do të banojnë aty do të paguajnë vetëm 50 euro në muaj qira, shkruan The Guardian.

"Nuk ka shumë për të bërë këtu, por jeta është shumë e thjeshtë dhe natyrore, ne kemi male, dhija, kishën dhe shumë ushqim të mirë. Jeta medoemos do të ishte pa stres", thotë kryetari Daniele Galliano.

Galliano tregon që edhe pse lart në male deti është shumë afër. Gjithashtu në këtë vend punon shumë mirë edhe interneti nëpër të gjithë fshatin.

"Jemi komunitet i vogël por jemi shumë mikpritës. Jemi lart në pjesë malore por jo edhe shumë larg detit – është një mënyrë jetese e shëndetshme, ajri është shumë i pastër", ka thënë kryetari

Interes kanë shfaqur njerëz nga Amerika, Anglia, Indonezia dhe Hungaria, ku disa prej tyre edhe nuk duan fare paratë por vetëm të jetojnë një jetë më të thjeshtë.

Por para se njerëzit të blejnë biletat, kryetari Daniele Galliano, ka paralajmëruar që ideja për 2000 euro në dorë ende duhet të propozohet dhe të marrë aprovimin nga bordi lokal. /Insajderi.com

The post Fshati italian ofron 2,000 euro për cilindo që do shkojë të jetojë aty appeared first on INSAJDERI.

Nënkryetari i LDK-së kritikon PDK-në: Vendimmarrja mungon tek kjo parti

Posted: 08 May 2017 09:32 AM PDT

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se kjo që po ndodh aktualisht në Kosovë nuk e thellon krizën politike në vend.

Veç tjerash si nënkryetar i LDK-së, Haziri ka fajësuar Partinë Demokratike të Kosovës, pasi ky subjekt partiak ka mungesë të vendimmarrjes, njofton Klan Kosova.

Sipas Hazirit votat në Kuvend po mungojnë çdo herë dhe jo vetëm për çështjen e Demarkacionit derisa në një prononcim për Info Magazine ai tha se nëse PDK bën ndonjë veprim të njëanshëm, Kosova shkon në zgjedhje brenda disa ditësh.

"Është diçka që po zihet në Kosovë, nuk është ajo që e thellon krizën politike të vendit. Kjo identifikohet me mocionin e opozitës. Asgjë tjetër nuk është prioritet përpos mocionit. Vendimmarrja po mungon tek PDK-ja", ka deklaruar Haziri.

"Në Qeveri nuk ka mungesë vendimmarrje. Ne jemi afër bashkimit të votës tonë. Me iniciativa serioze të deputetëve të grupit të LDK-së", ka thënë ai. /Insajderi.com

 

The post Nënkryetari i LDK-së kritikon PDK-në: Vendimmarrja mungon tek kjo parti appeared first on INSAJDERI.

Gazeta Zyrtare nuk shpall vendimin për Xhaferin

Posted: 08 May 2017 09:23 AM PDT

Ende asnjë përgjigje nga presidenti Gjorge Ivanov lidhur me letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi për dhënien e mandatit liderin social-demokrat, Zoran Zaev.

Presidenti është kthyer nga vizita zyrtare në Turqi por nga kabineti i tij nuk ka asnjë njoftim se kur mund të pritet përgjigje. Në bazë të Kushtetutës Ivanov është i obliguar të kthej përgjigje në afat prej 10 ditëve nga dita e marrjes së njoftimin për formimin e shumicës së re parlamentare.

Ndërkohë ende nuk është publikuar as vendimi i shumicës për zgjedhjen e Xhaferit për kryetar Kuvendi.

Nga Gazeta Zyrtare kanë bërë të ditur se përputhje me ligjet, në numrin e ardhshëm do të publikohet vendimi për zgjedhjen e krye parlamentarit të ri. E ndërkohë Xhaferi në takime të veçanta  ka takuar ambasadorët e SHBA-së, Xhes Bejli dhe të Francës, Krisitijan Timonie me të cilët ka biseduar për zhbllokimin e punës së Kuvendit, sulmet e dhunshme të së "enjtes së përgjakshme".

Nga LSDM-ja thonë se presin që pas përfundimit të procedurave të nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re. Oliver Spasovski i quajti spekulime informacionet për gjoja nisjen e bisedimeve apo edhe ndarjen e posteve ministrore. Ai tha se për momentin është vetëm një e sigurt, Zoran Zaev do të formoj qeverinë e re.

“Në lidhje me bisedat për formimin e qeverisë, fillimisht presim që Ivanov të dorëzoj mandatin siç duhet të ndodh dhe pastaj do të fillojnë bisedat për qeverinë e re mes partive që formojnë shumicën parlamentare. Pas kësaj mund të bisedojmë për postet, asgjë tjetër nuk është e sigurt përveç se sot mandatar për qeveri do të jetë Zoran Zaev”, deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.

Nga LSDM-ja besojnë se Ivanov nuk do të përsëris gabimin e mëparshëm dhe se do tifo jep Zaevit mandatin për formimin e qeverisë së re. Në rast këtë nuk e bënë nga LSDM-ja thonë se do të veprojnë sikur edhe në rastin e Kuvendit, do të formojnë qeverinë e re ma mandat nga Ivanovi i cili do të mbajë përgjegjësi për të gjitha pasojat që mund të dalin nga një veprim i tillë.

The post Gazeta Zyrtare nuk shpall vendimin për Xhaferin appeared first on INSAJDERI.

Xhaka i kundërpërgjigjet kritikëve: Nuk e ndryshoj stilin tim të lojës

Posted: 08 May 2017 08:58 AM PDT

Granit Xhaka ka thënë se nuk do ta ndryshojë stilin e tij të lojës, pavarësisht kritikave që ka marrë, bazuar në kartonët e verdhë e të kuq, me të cilët është "mbuluar" gjatë sezonit të parë në Angli.

Mesfushori i Arsenalit, i cili shënoi njërin nga golat në fitoren 2-0 kundër Manchester United, të dielën, është "zverdhur" 10 herë dhe është "skuqur" 2 herë deri më tani, por është i vendosur të vazhdojë në të njëjtën mënyrë, edhe pse është bërë paksa "më i mençur".

“Në futboll është normale të kritikohesh, nëse dëbohesh me karton nga fusha e lojës. Mirëpo, ky është stili im i lojës dhe askush nuk mund të bëjë që të ndryshoj. Edhe nëse marr një karton tjetër të kuq, kjo nuk ndryshon gjë. Po mundohem të bëhem paksa më i zgjuar në këtë drejtim. Që nga kartoni im i fundit, mendoj se gjërat janë përmirësuar", ka deklaruar Xhaka.

Arsene Wenger e kritikoi publikisht Xhakën, i cili u bashkua me "Topçinjtë" për 35 milionë £ në verë, i ardhur nga Borussia Mönchengladbach, pasi lojtari u dërgua për herë të dytë gjatë sezonit me karton të kuq jashtë fushe, kundër Burnley, në janar.

Ai e këshilloi 24-vjeçarin të korigjonte veten në këtë drejtim, shkruan Telesport.

Xhaka nuk është ndëshkuar me të kuqe që atëherë, ndërsa nuk mendon se ka qenë në shënjestër të gjyqtarëve gjatë sezonit të tij të parë në Angli: "Nuk e di nëse është kështu, nuk mendoj kështu. Është një sezon që ka pasur ulje dhe ngritje, por kjo është normale.Mendoj se i përket futbollit. Për mua futbolli është shumë i njëjtë kudo, topi është i rrumbullakët, por ndoshta taktikisht gjërat janë të ndryshme nga klubet e tjera, ku kam luajtur. Ishte një fitore e rëndësishme kundër Manchester United. Ne e dinim se duhej të fitonim, luajtëm një ndeshje të mirë dhe e merituam. Kjo është një faze, ku duhet të fitojmë çdo lojë. Kemi edhe katër ndeshje të mbetura, të cilave duhet t'u qasemi në të njëjtën mënyrë, si sot. Nëse e bëjmë këtë, jam i bindur se mund të arrijmë atë që duam".

 

The post Xhaka i kundërpërgjigjet kritikëve: Nuk e ndryshoj stilin tim të lojës appeared first on INSAJDERI.

Prokuroria nis hetimet kundër kryetarit të Pejës

Posted: 08 May 2017 08:41 AM PDT

Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit. Kreu i Komunës së Pejës po hetohet nga ana e institucioneve të drejtësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan sot Gazeta Express.

Bashkë me të, në syrin e prokurorisë janë edhe tre zyrtarë të tjerë komunalë të Pejës.

"Pas shqyrtimit të shkresave të rastit penal të pranuar nga i dëmtuari L. Sh., Prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve, kundër G.M., G.L., K.L., F.Z. pasi që dyshohen se kanë kryer veprat penale "keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 nën paragrafi 2.2 dhe 2.4  lidhur me nenin 31 te KPK", thuhet në përgjigjen që zëdhënësi i prokurorisë, Ekrem Lutfiu, i ka dhënë Gazetës.

Prokurori i rastit, po ashtu, ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve edhe kundër të pandehurit, K.N., pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale "mashtrimi nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPK". /Insajderi.com

The post Prokuroria nis hetimet kundër kryetarit të Pejës appeared first on INSAJDERI.

Sektori publik nuk i “huq” pushimet dhe festat, ai privat nuk i respekton

Posted: 08 May 2017 08:32 AM PDT

Numri i festave zyrtare në Kosovë, të cilat janë edhe ditë pushimi, po konsiderohen të shumta nga shoqatat ekonomike dhe përfaqësuesit e të drejtave të punëtorëve.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Javë më parë, kalendarit të festave zyrtare i është shtuar edhe Dita memoriale e komunitetit egjiptian.

Me futjen e kësaj feste zyrtare, në Kosovë numri i festave ka arritur në 12.

Po ashtu, sipas Ligjit, kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasuese të punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova në aspektin ekonomik humb shumë nga numri i madh i këtyre festave.

"Kosova nuk ka komoditet kaq të madh të festojë kaq shume festa dhe rrjedhimisht të ketë kaq shumë pushime për këto festa, derisa kemi një ekonomi kaq shumë të pa zhvilluar. Por, duket se në Kosovë të gjithëve po i pëlqen kjo formë e pushimeve, e sidomos institucioneve publike të cilët janë ata të cilët pushojnë më së shumti", thekson Shahini.

Institucionet publike, nwnvizon ai, janë ato, të cilat më së shumti zbatojnë Ligjin për festat zyrtare, derisa sektori privat, jo të gjitha festat zyrtare i bën ditë pushimi.

"Në sektorin privat nuk pushojnë në çdo festë zyrtare. Janë tri apo katër festa zyrtare kur sektori privat pushon. Në rastin e Ditës së Evropës e cila me ligj është ditë pushimi dhe institucionet publike të gjithë pushojnë, sektori privat është në punë të rregullt", thekson Shahini.

Ndërkohë edhe për përfaqësues të të drejtave të punëtorëve, numri i festave zyrtare që janë edhe ditë pushimi konsiderohet të jetë mjaft i lartë.

Megjithatë, sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi këto ditë pushimi janë vetëm për punonjësit në institucione publike dhe jo për ata që punojnë në privat.

"Festat në kalendar, janë të shumta. Nuk është dashur të kemi kaq shumë festa. Po lidhem me Ditën e Evropës, atje është dita e Evropës, por punohet derisa ne pushojmë. Kalendari ynë është i stërngarkuar me festa të cilat është dashur t'i festojmë, por jo çdo herë të pushohet apo edhe te lidhen festat me ditë pushimi", thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Çështjen e numrit të madh të festave zyrtare kohë më parë e patën diskutuar edhe në Qeverinë e Kosovës, ku ishte kërkuar të reduktohen ditët e pushimit për festa, por që deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë për ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare.

Ndryshe, sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 300 mijë persona, nga kjo 80 mijë në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë. (REL)

The post Sektori publik nuk i "huq" pushimet dhe festat, ai privat nuk i respekton appeared first on INSAJDERI.

Reagon drejtori i Riinvest, fyen Insajderin për shkak të publikimit të hulumtimit

Posted: 08 May 2017 08:26 AM PDT

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin Riinvest ka reaguar në Facebook ndaj publikimit të artikullit "Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Qeveria e Kuvendi".

Insajderi ka raportuar se deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, me bekimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli angazhoi gjashtë ekspertë ndërkombëtarë për të ndihmuar në hartimin e  ligjit për Trepçën.  Dy prej këtyre ekspertëve janë të lidhur me Riinvestin, raportoi sot Insajderi. Angazhimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës u bë pa shpallur konkurs apo tender publik.

Abdixhiku nuk ka komentuar se a ka qenë apo jo i arsyeshëm veprimi i deputetit Muhamet Mustafa për të angazhuar pa tender apo konkurs ekspertë që janë të lidhur me biznesin e tij, Riinvest-in. Ka zgjedhur ta fyejë mediumin që e publikoi këtë artikull.

"Nën titullin "Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria", portali "Insajder" me ose pa qëllim keqinformon publikun. Shpresoj të jetë një lëshim amater e jo një fushatë e porositur. Ndonëse, edhe në amaterizëm, standardet minimale të raportimit do të kërkonin së paku komunikim me të përmendurit. Në porositje, gjërat si këto natyrisht se s'kanë rëndësi", ka shkruar Abdixhiku.

Derisa fillimisht ka shkruar se beson të mos jetë fushatë e porositur, në fund të reagimit të tij ka shkruar se është i bindur që është fushatë.

"Por nuk është hera e parë që ndërlidhemi me një fushatë të tillë që provon të ndyjë gjithçka në vend; t'i bëjë të gjithë njëjtë. Shpesh kemi zgjedhur heshtjen. Është e kotë të merresh me fushata të tilla; as me reagime as me polemika. Por po reagoj ketë herë sepse së paku, në bindje të deritanishme, kam konsideruar "Insajderin" si portal serioz, jo si një vagon i qymez-portaleve klikuese e dezinformuese që na dalin sot gjithandej", ka shkruar Abdixhiku.

Reagimi i plotë i Lumir Abdixhikut, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest.

Çfarë raportimi. Veç në Kosovë.
"Kur s'i lexon mediat, je i painformuar, kur i lexon ato je i keqinformuar" – D. Washington

Nën titullin "Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria", portali "Insajder" me ose pa qëllim keqinformon publikun. Shpresoj të jetë një lëshim amater e jo një fushatë e porositur. Ndonëse, edhe në amaterizëm, standardet minimale të raportimit do të kërkonin së paku komunikim me të përmendurit. Në porositje, gjërat si këto natyrisht se s'kanë rëndësi.

Sikur të na kontaktonin, do ta kuptonin se ekspertët e Riinvestit kanë emër e mbiemër. Kanë kontratë pune. Janë të gjithë publike në faqen tonë, me fotografi e biografi. Dhe këta ekspertë kanë marrë ZERO EURO nga Qeveria. Instituti Riinvest nuk merr para, s'aplikon e nuk kontraktohet nga institucionet publike. E kemi bërë këtë për t'iu shmangur secilit interpretim dashakeqës korruptiv; ndonëse nga fondet publike shpërndahen secilin vit mbi 14 milionë euro për organizata të tjera. Ne pra s'aplikojmë hiç. Një standard si ky ishte dashtë të shihej si model – shihni çfarë marrim në kthim.

Tash paramendoni, fjala na qenka për 5 ekspertë ndërkombëtarë, me vende pune të gjithë jashtë (profesorë anglez, australian e kanadez), që qenkan angazhuar individualisht nga Kuvendi për këshilldhënie në ligjin e Trepçës e i paskan marrë secili nga 4,500 euro. Dhe këta ekspertë të jashtëm, dy nga gjashtë, qenkan ekspertë të Riinvestit sepse, besoni ose jo, dikur paskan pasur një përvojë me Riinvestin. Kjo është lidhja që ju është bërë.

Njerëz që kanë kaluar nëpër projekte të Riinvestit janë me mijëra sosh. Po i mbushim 22 vjet. Ne s'mund të mbajmë lidhje e ndërlidhje me secilin që ka pasur dikur përvojë nëpër organizatën tonë. Marrëdhëniet kontraktuale të njerëzve që s'janë të punësuar tek ne, pra nuk janë ekspertë tanë e s'kanë qenë asnjëherë, s'mund ti kontrollojmë. Angazhimi i tyre është krejt individual. As që dua të futem në detaje se njëri nga të kontraktuarit në fjalë, Iraj Hashi, është i nderuar me çmimin më të lartë nga Mbretëresha e Britanisë për kontributin e dhënë në Kosovë. Po të pyetesha, do ta rekomandojë për shumë tema të tjera në Kosovë. Temë krejt tjetër kjo.

Por nuk është hera e parë që ndërlidhemi me një fushatë të tillë që provon të ndyjë gjithçka në vend; t'i bëjë të gjithë njëjtë. Shpesh kemi zgjedhur heshtjen. Është e kotë të merresh me fushata të tilla; as me reagime as me polemika. Por po reagoj ketë herë sepse së paku, në bindje të deritanishme, kam konsideruar "Insajderin" si portal serioz, jo si një vagon i qymez-portaleve klikuese e dezinformuese që na dalin sot gjithandej.

Mbajeni vetën pak.

Lexo edhe hulumtimin:

Ekspertët e Riinvest-it përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria

Reagon drejtori i Riinvest, fyen Insajderin për shkak të publikimit të hulumtimit

The post Reagon drejtori i Riinvest, fyen Insajderin për shkak të publikimit të hulumtimit appeared first on INSAJDERI.

Menaxheri i Joshuas vendos për revanshin me Klitschkon

Posted: 08 May 2017 08:24 AM PDT

Menaxheri i Anthony Joshua, Eddie Hearn, ka thënë se meçi i radhës për boksierin britanik që e menaxhon vet, do të jetë një revansh me Wladimir Klitschko.

Joshua mbrojti titullin IBF në kategorinë e rëndë dhe fitoi dy tituj në kategoritë ËBO dhe IBO, pasi mposhti Wladimir Klitschkon me 29 prill në "Wembley" të Anglisë.

E Hearn është i gatshëm që ta caktojë një tjetër meç mes dy boksierëve.

"Është njëra nga luftërat më të mira që kam parë, dhe të gjithë duan që ta shohin sërish. Është meçi më i madh i mundshëm për Joshuan momentalisht, më shumë se sa Fury, dhe unë mendoj se ai mund ta fitojë sërish meçin me Klitschkon. Kjo është lufta që do ta donim këtë radhë", deklaroi Hearn për "Boxing News". /Insajderi.com

The post Menaxheri i Joshuas vendos për revanshin me Klitschkon appeared first on INSAJDERI.

PDK-ja nuk e mohon rrëzimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit

Posted: 08 May 2017 08:18 AM PDT

PDK-ja ende nuk ka qëndrim të prerë nëse deputetët e partisë së parë në vend do ta votojnë apo jo të mërkurën mocionin për shkarkimin e kryeministrit Mustafa, të iniciuar nga opozita por të nënshkruar edhe nga një numër i vogël i deputetëve të PDK-së.

Shef i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, thotë se kjo parti i ka dhënë prioritet koordinimit me partnerët e koalicionit, para se të marrin vendim për votën në Kuvend ndaj mocionit.

"Ende nuk kemi diçka të tillë", tha Pajaziti, i pyetur nëse grupi i tij parlamentar ka marrë vendimin karshi mocionit të së mërkurës.

"Ne i kemi dhënë si parti, siç e dini, prioritet koordinimit brenda koalicionit, edhe mbetemi të gatshëm dhe me shpresë që me u koordinu gjithë procesi për gjitha përgjegjësitë që i kemi", tha tutje Zenun Pajaziti për Gazetën Express.

Por, nëse PDK-ja ende si grup parlamentar s'ka vendim për votim apo kundërshtim të mocionit, disa deputetë të saj tashmë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për mocion, gjë që i mundësoi javën që shkoi opozitës procedimin e tij në Kuvend.

E në ditën që ky mocion shkoi në Kuvend, zëvendëskryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kryesisë së partisë së Kadri Veselit, tha se deputetët e PDK-së janë të lirë në vendimet e tyre.

"PDK nuk i ka vendimet autoritare", kishte deklaruar Kuçi të premten në mesditë.

Ndryshe, pas procedimit në Kuvend të mocionit ndaj qeverisë Mustafa, për të hënën Qeveria e Kosovës kishte paraparë një mbledhje për procedimin e demarkacionit për votim nga deputetët, para testit të së mërkurës ndaj Qeverisë “Mustafa”.

Por, mbledhja dështoi të mbahej, pasi në të nuk erdhën ministrat e Mustafës që vijnë nga PDK-ja, ndërkohë që Mustafa ishte në një takim me partnerin Kadri Veseli dhe ambasadorin amerikan Greg Delaëie.

Më pas, Qeveria njoftoi se demarkacioni do të procedohet në Kuvend pas të mërkurës, derisa kreu i LDK-së, kryeministri Isa Mustafa, thirri deputetët e tij në një takim për të martën me ambasadorin Delawie.

The post PDK-ja nuk e mohon rrëzimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit appeared first on INSAJDERI.

Veseli: Kemi mungesë vendimmarrje, duhet të dalim nga izolimi

Posted: 08 May 2017 08:11 AM PDT

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të qartë se ai dhe partia që drejton, së shpejti do të marrë vendime në shërbim të qytetarëve të vendit dhe për të zhbllokuar izolimin e deritashëm nga mungesa e vendimmarrjes.

"Është evidente mungesa e vendimmarrjes. Liberalizimi i vizave është bllokuar, ndërsa punësimi vazhdon të jetë problemi kryesor në vend. Sot, vazhdojmë të jemi shteti i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave. Kosova është në prag të 18-vjetorit të çlirimit, dhe ende pa i mbushur 10 vjet pavarësi, është në rrugë të drejtë, por ende larg asaj që meriton dhe ka mundësi. Nuk mund të arsyetohemi më tutje se jemi ende të rinj si shtet. Ka kaluar koha e frazave dhe deklaratave që tingëllojnë bukur. Është koha për punë konkrete", ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.

Veseli ka thënë se politika nuk duhet të jetë e shurdhër ndaj kërkesave të qytetarëve.

"Gjithë çfarë po dëgjojmë nga qytetarët është lëvizja para, me përmirësimin e jetës së tyre. Ka ankesa, ka pakënaqësi. Ne nuk guxojmë të jemi të shurdhër ndaj tyre. Do të ishte gabim. Duhet t'i japim fund stagnimit, e po ashtu edhe izolimit. Dua t'i siguroj qytetarët e Kosovës, si kryetar i partisë më të madhe në vend, se Kosova do të ketë një të ardhme të mirë, se vendimet do të merren vetëm për qytetarët dhe për ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së tyre", ka shkruar Veseli.

The post Veseli: Kemi mungesë vendimmarrje, duhet të dalim nga izolimi appeared first on INSAJDERI.

Dënohet me burgim të përjetshëm Vesel Jahiri, që vrau gruan tij në Irlandë

Posted: 08 May 2017 08:04 AM PDT

Vesel Jahiri është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish partneres së tij gati pesë vite më parë në Dublin të Irlandës.

36-vjeçari me prejardhje nga Kosova, ka therur 25-vjeçaren Anna Finnegan për vdekje në vitin 2012, shkruan

Ai gjithashtu është shpallur fajtor për therjen e vëllait të Anna-s, Karl.

Trupi gjykues ka kuptuar që Finnegan është njoftuar me Jahirin kur ajo ishte 15-vjeçare dhe ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe emocionale nga ai gjatë lidhjes së tyre dhjetë vjeçare.

Lidhja e tyre u përkeqësua në gusht të vitit 2012, ku Anna Finnegan shkoi dhe u strehua tek një grua me dy fëmijët e saj ku siguria e saj ishte vlerësuar si në rrezik shumë të madh.

Një plan i sigurisë u sajua që ajo do të duhej të ishte me familje apo shokë gjatë gjithë kohës.

Më 21 shtator 2012, trupi gjykues dëgjoi që Jahiri e kishte kërcënuar që do e vriste atë gjatë një telefonate.

Më vonë ajo ishte duke pirë qaj me vëllanë e saj Karlin në kuzhinë të shtëpisë së saj, kur Jahiri kishte thyer derën dhe u ishte sulur atyre me thikë. Finnegan dhe vëllai i saj ishin therur që të dy.

Jahiri e kishte marrë atë në automobil dhe e kishte dërguar në spital, ku ajo i kishte thënë një roje sigurie që Jahiri e kishte therur. Ajo kishte vdekur jo shumë kohë më pas.

Rrugës për në shtëpi nga spitali, Jahiri e kërcënoi motrën e Annës.

Gjatë gjykimit Jahiri e kishte grushtuar prokurorin, Patrick Marrinan, në kokë përderisa çështja po i vinte fundit.

Ai u shoqërua në gjykatë sot nga tre oficerë të burgut në pranga dhe e ndërpreu dhënien e gjykimit për të mohuar se kishte thikë.

Ai kërkoi të largohej nga gjykata përderisa po bëhej përmbledhja e provave.

Gjykatësi Paul Coffey ka dënuar Jahirin me burgim të përjetshëm për vrasje dhe njëkohësisht një dënim prej katër vjetësh për sulm ndaj Karl Finnegan.

Në një deklaratë të ndikimit të viktimës, motra e Annës, Lisa, i ka thënë gjykatës që paniku, shkatërrimin dhe shokun e asaj që ka ndodhur do të rrijë me të deri sa të vdesë.

Lisa Finnegan i ka thënë trupit gjykues që Jahiri i kishte thënë disa momente pas sulmit që do të ishte poshtë për atë dhe fëmijët e saj.

Ajo tha që familja kishin parë këtë bishë se çfarë ishte dhe tha që terrori në çast kishte hyrë në jetën e tyre. Ajo foli për terrorin që kishte përjetuar familja përderisa ai ishte jashtë në garanci dhe kur ai ia kishte mbathur gjatë gjykimit të tij të parë. Ai tha që gati asnjëherë nuk kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte larguar nga fëmijët.

Ajo tha që e vetmja mënyrë që ata do të mund të lëviznin lirshëm dhe të provonin të jenë të lumtur ishte të dinin që janë të sigurt për një kohë sa më të gjatë.

Sjellja shokuese dhe e dhunshme që ishte shfaqur ndaj tyre, e kishte bërë Lisën të kuptonte se sa e frikësuar ishte Anna ndaj tij.

Ajo tha që motra e saj ishte e mrekullueshme, e dashur, e mirë, shpirt altruist, nënë e mahnitshme dhe motra dhe shoqja më e mirë.

Jashtë gjykatës, ajo tha që familja ka thënë që është sikur një barrë është larguar nga ta tek e shohin Jahirin prapa grilave dhe i bëri thirrje të gjithëve që vuajnë nga dhuna familjare të dalin para dhe të kërkojnë ndihmë.

Ndërsa Karl që ishte prezent me Annën gjatë sulmit, tha që britma nga frika dhe surpriza e motrës ishte tingulli i fundit që e kishte dëgjuar nga ajo. Dhe tha që kujtimet e kësaj dite do të mbeten gjithmonë me të dhe do ta bëjnë botën e tij një vend më të errët.

Përderisa një herë Jahiri ishte munduar që fajin për vrasjen e Annës t'ia linte Karlit, gjë e cila ishte e papranueshme nga ana e tij. /Insajderi.com

The post Dënohet me burgim të përjetshëm Vesel Jahiri, që vrau gruan tij në Irlandë appeared first on INSAJDERI.

Panairi i automjeteve “Prishtina International Autoshow”

Posted: 08 May 2017 07:13 AM PDT

Shoqata e Importuesve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë e specializuar për organizim të evenimenteve "MODUS", organizojnë panairin e Automjeteve të reja "Prishtina International Autoshow".

Panairi do të mbahet në sallën e Panaireve në Shkabaj (magjistrala Prishtinë – Mitrovicë) në datat 11 deri më 14 Maj 2017 duke fillu nga ora 10:00 deri në 20:00 çdo ditë.

Ceremonia e Hapjes do të mbahet të Enjten me 11 maj duke fillu nga ora 12:00!

Në këtë panair do të prezantohen 21 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja: Alfa Romeo, Audi, Citroën, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Infinit, Jaguar, Jeep, Land Rover, Mercedes, Nissan, Peugeot, Porsche, Renault, Skoda, Suzuki, Toyota dhe Volkswagen.

Përveç Automjeteve që do të zënë pjesën kryesore të hapësirës prej mbi 2,000 m2, do të jenë prezente edhe kompani tjera të cilat në një forme apo tjetër kanë lidhje me industrinë e automobilizmit si banka e institucione financiare, kompani të pajisjeve, vajrave dhe aksesorë për automjete por nuk do të mungojë edhe aspekti argëtues si muzikë, pije dhe ushqim të ndryshëm.

Në panair do të jetë edhe këndi i lojërave në mënyrë që ky eveniment të jetë gjithëpërfshirës dhe të ofrojë argëtim për të gjithë familjen.

Hyrja në panair do të jetë falas!

Transporti nga qyteti i Prishtinës (Newborn) e deri në sallën e Panaireve do të jetë pa pagesë, mundësuar nga Komuna e Prishtinës përmes Autobusëve të saj çdo 1 orë.

 

The post Panairi i automjeteve "Prishtina International Autoshow" appeared first on INSAJDERI.

Zbulohet varri 4 mijë vjeçar

Posted: 08 May 2017 06:59 AM PDT

Arkeologët kanë zbuluar një varr 4.000 vjeçar në vendin e gërmimit Dra Abu el-Naga në qytetin Luksor të Egjiptit.

Këshilli Nacional Hulumtues i Spanjës (CSIC) ka njoftuar se ka nxjerrë në dritë për herë të parë një lloj të varreve, për ekzistencën e të cilave paraprakisht dihej vetëm përmes përshkrimeve të ikonave.

Ekipi i kryesuar nga Prof. Dr. Jose Manuel Galan, ka theksuar se mbetjet e gjetura datojnë 2000 vite para erës sonë dhe se i përkasin periudhës së Dinastisë së Dymbëdhjetë, që ishte bashkim për herë të parë i mbretërive të Nilit të Epërm dhe të Poshtëm me qendër në Teb.

Siç thuhet, kopshti kishte sipërfaqe tre metra gjatësi dhe dy metra gjerësi dhe gjendej në hyrje të varrit i cili ishte brenda një shkëmbi të gërryer, i ndarë në pjesë prej 30 centimetrash katrorë, kurse në çdo pjesë mbilleshin pemë apo bimë që kishin kuptim simbolik, varësisht nga testamenti i personit që do të varrosej aty.

Galan ka theksuar se varret dhe varrezat në civilizimin e lashtë egjiptian ishin mjete përmes së cilëve u jepej kuptim jetës dhe vdekjes.

“Këto zbulime nuk na japin vetëm të dhëna për besimin fetar dhe praktikat, por në të njëjtën kohë na ofrojnë mundësi të zbulojmë detaje në lidhje me jetën e përditshme, mjedisin fizik dhe klimën”, është shprehur Galan.

Krahas kopshtit të varrit, në afërsi është gejtur edhe një dhomë lutjesh prej qerpiçi, e cila thuhet të jetë shtuar më vonë, konretisht në vitin 1800 para erës sonë që përkon me periudhën e Dinastisë së Trembëdhjetë.

The post Zbulohet varri 4 mijë vjeçar appeared first on INSAJDERI.

Ishim kaq krenarë për Perëndimin

Posted: 08 May 2017 06:53 AM PDT

Besimi tek perëndimi ka rënë brenda vetë perëndimit… Por, nëse mendoni se narrativa e qytetërimit perëndimor është shtypëse prisni dhe shihni se si do të jetë bota që do të vijë pas tij.

David Brooks është një opinionist shumë i njohur amerikan, me pikëpamje konservatore, ndonëse mbështet një konservatorizëm atipik, krahasuar me standartet e Partisë Republikane në SHBA. Ky pozicion i tij gjen vend në optikën e nevojës për të mbrojtur qytetërimin perëndimor që sipas tij – dhe jo vetëm sipas tij – është i kërcënuar nga mungesa e tolerancës ndaj vetvetes e perëndimorëve, të cilët gjithnjë e më shumë e shohin historinë dhe kulturën e tyre në brendësi të një narrative "reaksionare dhe shtypëse".

Qytetërimi perëndimor, në fakt, bazohet në rrëfimin e personazheve të mëdhenj "si Sokrati, Erazmi, Monteskjeja dhe Rusoja, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive për të shtyrë popujt që të kërkojnë maja gjithnjë e më të larta të idealit humanist", shkruan ai në Nju Jork Tajms.

"Kjo narrativë e qytetërimit perëndimor shoqërohet nga vlera të caktuara, si rëndësia e diskutimit të arsyeshëm dhe të drejtave të pronësisë, nevoja për një arenë publike të informuar nga feja, por jo të dominuar nga teokracia. Ka hedhur kështu themelet e asaj që më pas është konfiguruar si 'arti madhështor i qeverisjes'. U ka dhënë njerëzve të ndryshëm një ndjenjë misioni dhe fjalori të përbashkët, ka krijuar një kornizë brenda të cilës mund të zhvillohej diskursi politik, dhe mbi të gjitha, ka përcaktuar një tërësi vlerash të përbashkëta. Prej disa dekadash tashmë, shumë njerëz, mbi të gjitha në universitete, kanë humbur besimin tek narrativa e qytetërimit perëndimor. Kanë pushuar mësimdhënien e tij dhe rripi i madh i transmisionit kulturor është këputur. Tashmë shumë studentëve u mësohet që qytetërimi perëndimor është një histori shtypjeje".

Pasoja e parë e kësaj ere antiliberale ka qenë natyrisht "ngjitja e joliberalëve".

"Në bazë të një studimi të botuar nga Journal of Democracy, përqindja e të rinjve amerikanë që e konsiderojnë të domosdoshme të jetojnë në një vend demokratik, ka rënë nga 91 përqind në vitet tridhjetë të 1900-ës, në 57% sot. Besimi tek perëndimi ka rënë brenda vetë perëndimit…".

"Nëse mendoni se narrativa e qytetërimit perëndimor është shtypëse", përfundon Brooks, "prisni dhe shihni se si do të jetë bota që do të vijë pas tij". / Bota.al

The post Ishim kaq krenarë për Perëndimin appeared first on INSAJDERI.

Asamblistja e PD-së në Prishtinë, bashkohet zyrtarisht me AKR-në

Posted: 08 May 2017 06:50 AM PDT

Kimete Zeqa nga sot nuk përfaqëson më Partinë e Drejtësisë (PD) në Asamblenë Komunale të Prishtinës, pasi ka kaluar zyrtarisht në radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR).

Përmes një konference për medie, AKR ka prezantuar Kimete Zeqën. Partia e Behgjet Pacollin e ka cilësuar si pozitive ardhjen e Zeqës, raporton Insajderi.

“Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu i cili, duke i uruar mirëseardhje znj. Zeqa, ka thënë se ardhjet e reja në AKR tregojnë më së miri për performancën pozitive të partisë, e cila tashmë shihet si parti e shpresës për shumë qytetarë”, thuhet në njoftimin e AKR-së.

 

Kimete Zeqa aktivitetin e saj politik në tri mandate radhazi e kishte ushtruar si asambliste e Partisë së Drejtësisë. /Insajderi.com

 

 

The post Asamblistja e PD-së në Prishtinë, bashkohet zyrtarisht me AKR-në appeared first on INSAJDERI.

Monumenti i mbrojtur në prag të shkatërrimit

Posted: 08 May 2017 06:45 AM PDT

Veprimet shkatërruese ndaj monumentit të mbrojtur në kuadër të kompleksit të Kishës Katolike në Prizren po vazhdojnë.

Në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet, gjysma e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore tashmë  është rrënuar. Një gjë e tillë ka ndodhur pas disa rasteve të shpërthimit të zjarrit në këtë ndërtesë. Thirrjet e deritanishme për intervenim me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij objekti janë injoruar nga institucionet përgjegjëse, njofton Ec Ma Ndryshe.

Lidhur me rastin e zjarrit në ndërtesën afër Katedrales së Zonjës Ndihmëtare në Prizren, hetuesit policorë patën intervistuar disa persona, por nuk ka pas ndonjë njoftim të mëtutjeshëm rreth rrjedhës së hetimeve.

Një vit më parë edhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit pat kërkuar që institucionet të hetojnë rastin në fjalë, sikurse që MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit të themelojnë një fond emergjent me karakter shpëtimi për riparim të dëmeve dhe ndërhyrjen në të gjitha objektet që janë të rrezikuara nga shembja, për të parandaluar degradimin në zonën e mbrojtur.

Në raport me monumentin e mbrojtur në kuadër të kompleksit të Kishës Katolike në Prizren nuk është ndërmarrë asnjë veprim mbrojtës, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj rrezikut të shkatërrimit të tërësishëm.

The post Monumenti i mbrojtur në prag të shkatërrimit appeared first on INSAJDERI.

“Nëse kthehemi në Kosovë, fëmija ynë nuk do të mund të ecë më kurrë”

Posted: 08 May 2017 06:41 AM PDT

Arbëri i vogël është tre muajsh dhe një foshnje e ëmbël. Ai qesh i lumtur në shtratin e tij. Ai nuk e di, që ai dhe familja e tij brenda tre muajve do të dëbohen nga Gjermania për në Kosovë, shkruan gazeta gjermane Bild.

Foshnja ka ardhur me një deformim të rëndë në jetë. Këmbët e tij me deformim janë operuar në klinikën e fëmijëve të “Profesor Hess” në Bremen të Gjermanisë. Tani ato janë të fiksuara me një mjet për t’i mbajtur në rregull dhe duhet të kontrollohen me rregull dhe të shikohet se kur ka nevojë për ndonjë ndryshim.

Babai i Arbërit, Bekimi, i cili është punëtor i ndërtimit dhe kopshtar, ka ardhur në Bremen nga Kosova si azilkërkues me gruan e tij Shyhreten 33-vjeçare dhe vajzën Arnela 5-vjeçe, në janar të vitit 2015, njofton Insajderi.

Kërkesa e tyre për azil është refuzuar vitin e kaluar. Familja ishte gjithashtu e gatshme të kthehej, por më pas erdhi në jetë foshnja e tyre e sëmurë.

"Fëmija ynë duhet të mjekohet deri në moshën pesë vjeçare. Kjo është e pamundur në Kosovë. Atje ky trajtim mjekësor do na kushtonte një mal me para. Kjo do të thotë që Arbëri nuk do të mund të ecë asnjëherë si duhet", thotë Bekimi, babai i fëmijës.

Rose Gerdts-Schiffler 56-vjeçe, përfaqësuese brenda ministrisë së Brendshme të landit të Bremenit, thotë që kjo çështje do të ekzaminohet.

"Çështja e Arbërit të vogël do të ekzaminohet tani nga zyra federale për migrim dhe refugjatë. Nëse dëbimi do të ndodhë përkundër sëmundjes, familja duhet t’i drejtohet Komisionit për Çështje të Rënda të Bremenit", ka thënë ajo.

Babai i foshnjës, Bekimi ka thënë që do ta bëjë këtë medoemos.

"Ne do të luftojmë për shëndetin e djalit tonë", ka thënë ai. /Insajderi.com

The post "Nëse kthehemi në Kosovë, fëmija ynë nuk do të mund të ecë më kurrë" appeared first on INSAJDERI.

E përbashkëta e njerëzve të suksesshëm

Posted: 08 May 2017 06:34 AM PDT

Tashmë dihet se leximi mund ta përmirësojë shëndetin tuaj mental dhe intelektual. Kjo është evidente kur e kemi parasysh faktin se disa nga njerëzit më të pasur në botë, pjesën më të madhe të kohës e shpenzojnë duke lexuar.

Për të qenë i suksesshëm, ju duhet të keni njohje rreth synimeve tuaja dhe të keni vullnet për të ecur përpara drejt përmbushjes së këtyre objektivave. Një studim i bërë tek 1.200 njerëz të suksesshëm ka zbuluar se ata e kanë një hobi të përbashkët: Leximin.

Natyrisht, duhet edhe disa gjëra të tjera për ta arrit suksesin, duke përfshirë këtu edhe fatin, por leximi e mban peshën më të rëndë në mundësin tuaj për sukses.

Disa nga njerëzit më të pasur të botës asnjëherë nuk e kanë përfunduar edukimin e tyre formal sepse ata vendosën të mësojnë sipas mënyrës së tyre.

Tom Corley e ka studiuar jetën e disa prej këtyre njerëzve, për librin e tij "Rich Habits: The Daily Success Habits of Wealthy Individuals" (Shprehit e pasura: Shprehit e suksesshme ditore të individëve të pasur).

Nga ky studim ai e kuptoi se përveç presionit të jashtëm, shprehit e juaja ditore do të ndikojnë në suksesin tuaj personal në jetë. Përderisa Corely asnjëherë nuk e ka përfunduar edukimin formal, ai ishte në gjendje të mësonte dhe ti zhvillonte shprehit e suksesshme përmes leximit.

Siç mund ta din shumë prej nesh, shkollat nëpër gjithë botën shpeshherë vuajnë nga mungesa e resurseve. Ky studim e vërteton rëndësinë e bërjes së librit të qasshëm për secilin.

Disa nga njerëzit më të mëdhenj, më me ndikim dhe më të pasur në botë, suksesin e tyre i'a kanë atribuuar leximit.

Bill Gates, e braktisi kolegjin, e krijoi Microsoftin e cila i solli pasuri marramendëse dhe ai ende edhe sot i lexon rreth 50 libra në vit.

Miliarderi i famshëm Warren Buffet ka theksuar se i lexon rreth 500 faqe çdo ditë, duke e shpenzuar pjesën më të madhe të kohës së tij i fshehur në dhomën e tij të leximit. Natyrisht, ata e kanë kohën dhe paranë për ti shpenzuar në lexim, dhe jo çdo kush mund ta bëjë një jetë të tillë, por e rëndësishme është ta kuptojmë se leximi është shumë i rëndësishëm për motivimin e këtyre njerëzve të suksesshëm.

Zakonisht shkallët e suksesit janë të ndërtuara me libra; ato janë qelësi i edukimit për të gjithë ne. Ato duhet ti bëjmë të qasshme për të gjithë njerëzit në botë, dhe natyrisht, mos harroni të vazhdoni të lexoni në secilin moment që jeni i lirë.

The post E përbashkëta e njerëzve të suksesshëm appeared first on INSAJDERI.

“Limak” fitoi tenderin për ndërtimin e aeroportit në Kuvajt, Erdogan e përuron

Posted: 08 May 2017 06:29 AM PDT

Kompania Ndërtimore Turke, Limak, që menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", do të nisë nesër ndërtimin e një ndërtese të re terminalesh në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit.

E në këtë rast, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të vë gurin themeltar të ndërtimit të këtij terminali të aeroportit në Kuvajt, së bashku me kreun e shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmad Al Sabah, raporton mediumi nga Kuvajti, Gulfnews.

Ndërmarrja turke e ndërtimit Limak Insaat, e cila menaxhon edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në qershor të vitit të kaluar fitoi tenderin për ndërtimin e terminalit të aeroportit në Kuvajt, njofton Insajderi.

Erdogan, planifikohet të mbërrijë të martën në Kuvajt, në një vizitë zyrtare që do të përfshijë gjithashtu bisedimet me Shaikh Sabah mbi nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbi zhvillimet në rajon.

Para dy muajsh, sheiku nga Kuvajti ishte mysafir i Erdoganit në Turqi. /Insajderi.com

The post “Limak” fitoi tenderin për ndërtimin e aeroportit në Kuvajt, Erdogan e përuron appeared first on INSAJDERI.

Refugjatët në Gjermani po konvertohen nga myslimanë në të krishterë

Posted: 08 May 2017 06:12 AM PDT

Mijëra refugjatë në Gjermani janë konvertuar nga feja Islame në atë të krishterë, pavarësisht rrezikut që bart për ta një veprim i tillë.

"Deutsche Welle" citon rastin e Gottfried Martens, pastor i Kishës së Shën Triadhës, një kishë e pavarur evangjeliste-luterane në Berlin, i cili rrëfen sesi fillimisht në vitin 2008 ia kanë kërkuar një gjë të tillë dy refugjatë nga Irani.

Në rrjedhën e viteve, numri i atyre që afroheshin me dëshirë për të ndryshuar fe erdhi në rritje, e sot, kisha e tij ka qindra besimtarë që ndjekin meshën në gjermanisht e persisht.

Përgjithësisht, të konvertuarit aty janë gjermanë dhe iranianë. Disa prej tyre janë refugjatë që sapo kanë ardhur, e që janë ftuar nga të krishterë të tjerë në Gjermani, por ka "edhe mjaft të tjerë, të cilët kanë pasur kontakte më parë me fenë e krishterë në vendet ku jetonin".

Dyndja më e madhe e konvertimeve, sidoqoftë shënohet pas mbylljes së itinerarit ballkanik, gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 e 2016. "Asokohe kemi pasur deri në 250 vetë në kurset përgatitore të Kishës së Trinitetit", thotë pastori.

Edhe kishat e tjera, si ajo evangjeliste e landeve dhe kisha katolike, shënojnë rritje të numrit të pagëzimeve, megjithëse konvertimet nuk kalohen nëpër regjistra. Një vendim i tillë nuk vjen pa pasoja për besimtarët, që ekspozohen kështu ndaj qëndrimeve armiqësore të ndjekësve të besimit të mëparshëm.

Në vendet e origjinës, si Irani apo Afganistani, ata i pret përndjekja, e mbase edhe vdekja, ndërsa në Gjermani ka rregullisht raportime për sulme ndaj të konvertuarve.

The post Refugjatët në Gjermani po konvertohen nga myslimanë në të krishterë appeared first on INSAJDERI.