Tirana Observer: “Nga Xhufi, Monika e Skrapari, ja kë falenderoi Meta në fjalimin e fundit si kryetar i LSI” plus 9 more

Tirana Observer: “Nga Xhufi, Monika e Skrapari, ja kë falenderoi Meta në fjalimin e fundit si kryetar i LSI” plus 9 more


Nga Xhufi, Monika e Skrapari, ja kë falenderoi Meta në fjalimin e fundit si kryetar i LSI

Posted: 03 May 2017 09:16 AM PDT

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi sot Konventën Kombëtare ku pritet të zyrtarizohet lidershipi i ri i kësaj partie, Petrit Vasili kryetar dhe Monika Kryemadhi zv/kryetare.

Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta bëri listën e tij të falenderimeve në fjalimin e fundit si kryetar i LSI.

"Falenderimi i parë u shkon të gjithë themeluesve të 6 shtatorit 2004.

Falenderoj Afërdita Tutulanin dhe gjithë veteranët që firmosën në 6 shtator dhe patën besim. Një falenderim të veçantë për profesor Pëllumb Xhufin, profesor Sabit Brokaj dhe gjithë ata që patën besim te kjo forcë politike.

Mirënjohje të veçantë për Erisa Xhixhon, Ardit Çelën, Endrit Brahimllarin, ata që krijuan lëvizjen rinore më të paparë në botë, Lëvizjen Rinore për Integrim.

Mirënjohje për ata që ishin vetëm 5 vjeç në atë kohë dhe tani na nderojnë duke qenë në listat tona.

Falenderim i jashtëzakonshëm për Luan Ramën dhe gjithë deputetët tanë ndër vite.

Falenderim i parë për popullin e Skraparit. Pa besnikërinë e tyre, sot do të isha një kujtim për të gjithë ata që më duan në politikën shqiptare. Besnikëria e pakufishme e tyre ndaj meje, më ka kalitur mua besnikërinë e pakufishme ndaj miqve, shokëve dhe mbi të gjitha ndaj Shqipërisë.

Një falenderim i veçantë i takon Monës. Dua t'ju siguroj se ajo ka ngelur ajo që unë kam takuar atë ditë të shumë viteve më parë në zyrën e Musa Ulqinit në Partinë Socialiste. E falenderoj se unë nuk shoh këtu vetëm një Monë, unë shoh shumë Mona.

Më duhet të falenderoj bashkëkryetarin e LSI në 15 vjet, Petrit Vasilin.

Titi, siç e thërrasim ne të gjithë atë është njeri i jashtëzakonshëm dhe unë nuk dua sot sepse ju atë e njihni. Për mua s'ka qenë zv/kryetar, ka qenë bashkëkryetar sepse në 15 vjet, jeta ime dhe jeta e Titit ka qenë vetëm LSI".

 

Avioni i “apokalipsit” që ndjek Trump në rast të luftës bërthamore

Posted: 03 May 2017 07:58 AM PDT

Sa herë ngrihet në fluturim avioni Air Force One i presidentit amerikan, pranë tij është gjithmonë një avion tjetër E-4B.

Në total janë katër avionë të tillë A-4B "Nightwatch".

Bëhet fjalë për avionë Boeing 747 të modifikuar, që ndjekin presidentin e SHBA, sidomos kur ai fluturon përtej oqeanit.

Avionët janë të pajisur me qendra kontrolli për presidentin dhe zyrtarët më të lartë, përfshi këtu Sekretarin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit në rast të një lufte bërthamore ose emergjence kombëtare.

Këto avionë kanë kapacitete unike që nuk mund të dublohen nga ndonjë avion tjetër në SHBA.

Avionët janë projektuar që t'i mbijetojnë pulseve elektromagnetike, ndërsa i gjithë sistemi mbetet i paprekur.

Avioni mund të komunikojë me këdo në mbarë botën.

Avioni mund të funksionojë me ekuipazhin më të madh se çdo avion tjetër në historinë e SHBA, plot 112 persona.

Avioni mund të furnizohet në ajër dhe mund të jetë operacional në fluturim për 35.4 orë.

Ata njihen ndryshe edhe si avionët e apokalipsit.

Më herët ishte paralajmëruar se avionët do dilnin jashtë përdorimit, por vetëm një prej tyre ka dalë në “pension” deri më tani.

Macron-Le Pen, sonte përballja vendimtare televizive

Posted: 03 May 2017 07:26 AM PDT

Njëri është kandidat i qendrës dhe proevropian, ndërsa pala tjetër kandidate e ekstremit të djathtë, antieuro dhe antimigrant.

Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, dy kandidatë për presidencialet franceze mjaft të kundërt në qëndrime do të përballen sonte në mbrëmje në një debat vendimtar televiziv, katër ditë nga votimi.

Të mbledhur për të bindur elektoratin e pavendosur dhe atë abstenues për të fituar zgjedhjet e së dielës, të dy finalistët premtojnë një duel të hekurt në orën 19:00 GMT, përpara miliona telespektatorëve.

Pas 10 ditë fushate armiqësore mes dy raundeve presidenciale, Emmanuel Macron kryeson në sondazhe, me gati 60 për qind të votave, por hendeku shfaqet mjaft i ngushtë me Le Pen, një kandidate mjaft luftarake.

Abstenimi, ku shumica i trembet faktit se do të shkonte në favor të ekstremit të djathtë, luhatet mes 22 dhe 28 për qind të dielën, ndërsa 18 për qind e personave të sigurtë apo thuajse të sigurtë për të shkuar për të votuar janë të pavendosur, sipas një sondazhi të "Elabe" të publikuar dje.

Disfata e të majtit antiliberal Jean-Luc Melenchon dhe konservatori François Fillon, në raundin e parë i la një shije të hidhur një grupimi të elektoratit që refuzuan për të zgjedhur mes "murtajës dhe kolerës".

"Jemi në një zone me rrezik të lartë. Mos luani me demokracinë si në një ruletë ruse", paralajmëroi sot ministrja socialiste e Arsimit, Najat Vallaud-Belkacem, ndërsa një pjesë e së majtës parashikon të abstenojë apo të lënë fletën e bardhë.

Protesta e 7 Majit, “Anti-terrori” zbarkon në Kavajë. Zbulohet plani i masave të Policisë

Posted: 03 May 2017 06:48 AM PDT

Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshem në Kavajë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për monitorimin e tyre.

Konkretisht, siç raporton "BalkanWeb", komisariati vendor Kavajë në bazë të detyrave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor në udhëzimin Nr.7, ka planifikuar punonjësit e policisë që do të shpërndahen në qendrat e votimit për të ruajtur materialet zgjedhore gjatë të shtunës në mbrëmje.

Përveç masave normale që policia merr në raste zgjedhjesh, duke qenë se në 7 maj pritet të mbahet dhe një proteste e opozitës në Kavajë, policia po përpunon të dhënat për të shtuar masat e sigurisë në këto zgjedhje.

Për shkak se nuk ka një informacion të qartë në lidhje me situatën, "BalkanWeb" raporton se specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë prej dy ditësh ndodhen në Kavajë.

Burime pranë uniformave blu pohojnë për "BalkanWeb" se në terren kanë zbarkuar efektivë të Antiterrorit ata të Rendit por edhe Operacionalet të cilët do të monitorojnë situatën për të parashikuar nëse do të shënohet ndonjë incident i mundshëm.

Për të gjithë planin operacional pritet të angazhohen dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërkohë që e gjithë procedura do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor. Efektivët do të jenë të organizuar në grupe nga dy deri në katër policë. Ndërkohë që nuk do të lejohet grumbullimi i simpatizantëve të çdo krahu politik pranë qendrave të votimit.

 

Njihuni me 20 rekordet e “përbindëshit” Ronaldo

Posted: 03 May 2017 06:34 AM PDT

Cristiano Ronaldo është një "përbindësh" i vërtetë i golit. Sulmuesi portugez i Realit të Madridit shënoi 3 të tillë ndaj rivalëve të Atleticos, për të forcuar edhe më shumë legjendën e tij në fushat e gjelbërta.

32-vjeçari arriti në kuotën e 103 golave në karrierë në evenimentin më të rëndësishëm europian për klube, më shumë nga sa ka shënuar ekipi i Atleticos së Madridit, me "Los Colchoneros" që janë ndalur në kuotën e 100 golave.

Në këtë sezon, Ronaldo është ngjitur në kuotën e 10 golave, 8 nga të cilët i ka shënuar në 3 ndeshjet e fundit kundër Bayern Munchen dhe Atletico Madrid. Por nuk mbyllet këtu… Ronaldo, me 3 golat ndaj Atleticos arriti në kuotën e 400 golave me fanelën e Realit të Madridit, klub ku u transferua që në vitin 2009.

Statistikat për Ronaldon s'kanë fund. Janë 13 gola të portugezit në fazën gjysmëfinale të Champions League, duke lënë pas legjendën Di Stefano me 11 finalizime. Ylli i Realit të Madridit ka edhe rekorde të tjera në Champions: atë të dygolëshave, me 27 të tillë, si dhe rekordin e 17 golave të shënuar në një sezon të vetëm, të regjistruar në vitin 2014.

Dhe nëse ju pëlqejnë statistikat e çmendura të Ronaldos, atëherë fiksojini këto më poshtë:

1- Më shumë "hat-tricks" në historinë e La Liga (32).

2- I vetmi lojtar i futbollit botëror, i cili shënoi në Kupën e Botës 2006, 2010 dhe 2014, si dhe në Europianët 2004, 2008, 2012, 2016.

3- Lojtari i parë që shënon 100 gola në garat europiane.

4- Lojtari më i shpejtë, që arrin 250 gola zyrtarë me klubin.

5- Golashënuesi më i mirë i Portugalisë gjatë gjithë kohës (71 gola).

6- Lojtari me më shumë ndeshje i të gjitha kohërave për Portugalinë (138).

7- Golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit (399 gola).

8- Anëtar i top-ekipit të vitit të UEFA-s (11 herë).

9- Fituesi i çmimit "Lojtari më i mirë në Portugali", jashtë vendit (9 herë).

10- I vetmi lojtar që ka fituar trofetë e mundshëm në Portugali, Angli dhe Spanjë; Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve; "Këpucën e Artë" dhe "Topin e Artë" në dy klube të ndryshme.

11- Më shumë gola me kokë në historinë e Ligës së Kampionëve (18).

12- I vetmi lojtar, që ka shënuar mbi 50 gola në fazat e eliminimit të Ligës së Kampionëve (52).

13- Golashënuesi më i mirë në të gjithë historinë e gjashtë ligave më të mëdha të Europës (367 gola).

14- Shënuesi i 13 golave ​​në gjysmëfinale të Kupave të Europës / Champions – një rekord i mbajtur më parë nga Alfredo Di Stefano (11).

15- I vetmi që shënon mbi 100 gola në Champions (103).

16- Ka shënuar më shumë gola në Ligën e Kampionëve sesa krejt Atletico Madrid (100), Benfica (98) dhe Roma (98).

17- Ka shënuar 20 gola në secilën prej tetë sezoneve të La Liga-s me Real Madridin.

18- Shënoi më shumë gola në shtëpi në historinë e Ligës së Kampionëve (54).

19- Lojtari i parë që shënon kundër 19 ekipeve të tjera, në një sezon të vetëm, në La Liga (2011-2012).

20- Shënuesi më i mirë i golave në historinë e Kampionatit Europian, duke përfshirë kualifikueset (23).

Tjetër furtunë në polici, largohen drejtues të lartë

Posted: 03 May 2017 06:14 AM PDT

Lëvizjet në rradhët e policisë së shtetit kanë vijuar edhe pas shkarkimit të 29 drejtuesve të lartë javën e kaluar.

Top Channel ka arritur të zbardhë disa prej këtyre lëvizjeve dhe emërimeve të reja ku bie në sy shkarkimi i drejtorit të parandalimit të krimit Skënder Kalemi, i cili është një prej zyrtarëve që ka marrë pjesë së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, në hartimin e strategjisë kombëtare kundër kultivimit të kanabisit.

Në vend të tij, është emëruar Albert Dervishaj i cili më parë mbante postin e shefit të rendit publik. Ky i fundit është zëvendësuar nga Gëzim Zhupaj, ish drejtor i kufirit në Vlorë ndërkohë që drejtor i policisë rrugore është komanduar Skënder Ismaili, pas largimit të Ardi Veliut i cili mori drejtimin e policisë së Tiranës.

Në krye të repartit special Delta Force është emëruar Artur Selimi i cili zë vendin e Albert Nushit që mori drejtimin e policisë së Fierit. Lëvizjet e fundit kanë shkaktuar pakënaqësi në rradhët e uniformave blu.

Ish-drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj mësohet se ka refuzuar të drejtojë sektorin e sekretarisë dhe protokollit në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.

Edhe disa ish-drejtorë të tjerë, që i janë propozuar emërime në sektorë "parazitarë" mësohet se i kanë shprehur pakënaqësitë për këto lëvizje, kryepolicit Haki Çako i cili ka firmosur lëvizjet e tyre.

Takimi Rama–Basha, Presidenca njoftim zyrtar

Posted: 03 May 2017 05:50 AM PDT

Pas takimit 3 orësh të zhvilluar në Presidencë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kreut të opozitës Lulzim Basha, zyra e Presidentit, në një njoftim për shtyp zbulon se në takim janë prezantuar pikëpamjet e palëve mbi krizën politike dhe rrugëzgjidhjet e mundshme të saj.

Në njoftim theksohet se Presidenti Bujar Nishani vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme.

"Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani sot u zhvillua një takim midis Kryeministrit të vendit Edi Rama dhe Liderit të opozitës Lulzim Basha. Gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj. Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi", thuhet në njoftim.

Ky është reagimi i parë zyrtar mbi këtë tryezë të thërritur nga kreu i shtetit, pasi pas përfundimit të saj as kryeministri Edi Rama dhe as kreu i opozitës nuk kanë dhënë asnjë detaj.

Pritet që Partia Demokratike të reagojë me një njoftim për shtyp, ndërsa aktualisht kreu i opozitës po zhvillon një takim e aleatët.

Koleksioni i nusërisë 2018 nga Carolina Herrera, për ditën e madhe

Posted: 03 May 2017 05:19 AM PDT

E njohur për elegancën pa kohë, Carolina Herrera ka përmbushur ëndrrat dhe fantazitë e nuseve në të gjithë botën për një kohë të gjatë tashmë. Syri i saj i sofistikuar dhe instinkti natyral i cili e bën një grua të duket dhe të ndihet magjepsëse, i ka dhënë një frymë koleksionit të saj të fustaneve të nusërisë, i cili përfshin detaje të holla dhe silueta elegante, që i japin hijeshinë dhe madhështinë e duhur çdo vajze në ditën e madhe. Nuk gjejmë dot një të preferuar, sepse të gjitha janë një ëndërr më vete. Ky është koleksioni i sezonit 2018 i Carolina Herreras.

Almeda Abazi, kujt duhet ti jetë mirënjohëse për suksesin e saj

Posted: 03 May 2017 05:00 AM PDT

I ftuar në emisionin "Tek Unë me Arjola Shehun", regjisori i njohur Petri Bozo ka rrëfyer për eksperiencën e tij të gjatë me Miss-et, vitet e gjata me Miss Shqipërinë, por edhe "sikletet" që i është dashur të përballojë shpesh me to. Përballë disa pyetjeve "të vështira", regjisori ka përmendur disa nga Miss-et më të suksesshme që kanë kaluar nga Miss Shqipëria, por edhe të tjera, të cilat e përdorën kurorën si një trampolinë për të vijuar suksesin jashtë Shqipërisë. Një prej tyre është edhe Almeda Abazi, bukuroshja e njohur, e cila prej vitesh jeton e punon në Turqi.

Emrin e Almedës, regjisori Bozo e kujton si një prej Miss-eve më të bukura, por ndryshe nga të tjerat, ajo pati fat që zgjodhi të jetojë në Turqi. Pyetjes nëse e ka takuar Almedën kur ajo ishte në Shqipëri, Petri i përgjigjet se nuk kishte pasur mundësi për shkak se edhe ai ishte në udhëtim. Duke kujtuar Miss Globe, titullin me të cilin u nderua edhe bukuroshja shqiptare, Petri tregon se "Almeda fitoi shumë, sepse ndodhi që të zgjidhte të jetonte në Turqi. Eventi që ne bëmë i Miss Globe, para se ta bënim ne, u bë në Turqi dhe Almeda përfitoi shumë edhe nga ky lloj nami që ne i dhamë, kështu që besoj duhet të jetë mirënjohëse për këtë…"

Almeda, prej vitesh është bërë pjesë e botës televizive në Turqi. Në shkurt të këtij viti ajo u martua me aktorin e njohur turk, Tolgahan Sayısman. Pas muajit të mjaltit, çifti janë kthyer në Stamboll dhe po vijojnë punën me projektet e reja artistike.

 

 

 

 

 

 

 

DETAJET/ Zbulohet oferta e Ramës që refuzoi Basha

Posted: 03 May 2017 04:53 AM PDT

Kanë dalë detajet e para nga takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Mësohet se Rama i ka bërë Bashës një ofertë të fundit dhe shumë “bujare”, por kreu i PD-së e ka refuzuar.

Shefi i qeverisë mësohet se i ka thënë Bashës që "të jap gjysmën e ministrave, por unë vetë nuk largohen nga Kryeministria”.,

Kjo "ofertë" nuk është pranuar nga kreu i Partisë Demokratike, i cili mësohet t'i ketë thënë Ramës se "pranoj edhe me pak se gjysma e qeverisë, por jo me ty kryeministër".

Basha ka pranuar që mund të pranojë një kryeministër tjetër të PS, por jo Edi Ramën.

Kjo ka qenë dhe pika që mesa duket ka bërë që palët të mos arrijnë një zgjidhje.