Tirana Observer: “Kryeministri serb Vuçiç rindez debatin për “Shqipërinë e Madhe”” plus 9 more

Tirana Observer: “Kryeministri serb Vuçiç rindez debatin për “Shqipërinë e Madhe”” plus 9 more


Kryeministri serb Vuçiç rindez debatin për “Shqipërinë e Madhe”

Posted: 09 May 2017 09:39 AM PDT

Pasi ish-kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë tha se ai po punon në një projekt për të bashkuar shqiptarët, lideri serb Aleksandër Vuçiç e akuzoi atë se po lobon për një "Shqipëri të Madhe".

Kryeministri në largim dhe presidenti i ardhshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, reagoi ashpër të martën pasi ish-kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, tha se ai dëshironte të ndihmonte në bashkimin e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri.

"Qëllimi i këtij projekti për të cilin po punoj është për të gjithë shqiptarët, në Kosovë në diasporë, në Shqipëri. Po punoj për një projekt të përbashkët për bashkimin e tyre," tha Walker të hënën gjatë një ceremonie për të shënuar 17 vjetorin e partisë së Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

"Pas pavarësisë, tani është koha për hapin përfundimtar, që të gjithë ju të bashkoheni dhe t'i kuptoni të gjitha këto arritje," shtoi Walker, sipas gazetës në internet Koha.net.

Vuçiç u përgjigj duke akuzuar Walker se po ka punuar për kauzën shqiptare gjatë kohës që ai kryesonte misionin e OSBE-së.

"Kudo dhe në çdo nivel, Serbia do ta paraqesë këtë si provë përfundimtare se qëllimi i Walker nuk ishte kurrë të mbronte të drejtat e njeriut në Kosovë, por të luftonte kundër Serbisë dhe për krijimin e një "Shqipërie të Madhe," tha Vuçiç për agjencinë ruse të lajmeve Sputnik, sipas një raportimi të B92.

"Ai tha se ai nja projekt, se ka një plan për bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe të të ashtuquajturës diasporës shqiptare. Pra, de facto, ai ka një plan për të krijuar një "Shqipëri të Madhe"," shtoi Vuçiç.

Debati vjen pas një tjetër shpërthimi zemërimi muajin e kaluar në Serbi kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sugjeroi bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës nëse të dy vendet ndiheshin të refuzuara nga Bashkimi Europian.

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, iu përgjigj komenteve të Ramës duke thënë se thirrjet "e pakujdesshme" për bashkimin e dy vendeve "dëmtojnë stabilitetin e rajonit".

William Walker është një figurë e respektuar ndër shqiptarët e Kosovës, sepse ai ishte zyrtari i parë ndërkombëtar që raportoi një masakër në fshatin Reçak gjatë luftës në vitin 1999.

Vitin e kaluar filloi puna për ndërtimin e një statuje në nder të tij në vendin e memorialit në fshat.

Walker, i cili në atë kohë ishte kreu i misionit të verifikimit të armëpushimit të OSBE-së në Kosovë, tha se viktimat ishin civilë dhe se vrasjet e tyre ishin një "krim kundër njerëzimit".

Qeveria e Sllobodan Millosheviçit këmbënguli megjithatë se masakra ishte organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të fajësuar Beogradin.

Vuçiç i përsëriti këto pretendime të martën, duke thënë de deklaratat e Walker për masakrën ishin "gënjeshtra" të treguara për t'u siguruar që NATO të vazhdonte "agresionin e saj kundër Republikës së Serbisë"./BIRN

Kamenos thirret në interpelancë urgjente për deklaratat mbi shqiptarët e Maqedonisë

Posted: 09 May 2017 09:35 AM PDT

Qëndrimet e ministret grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos lidhur me çështje të politikës së Jashtme kanë detyruar 14 deputetë të Partisë Konservatore në opozitë "Demokracia e Re" të thërrasin në interpelancë urgjente ministrin dhe t'i kërkojnë Ministrisë së Jashtme Greke të pozicionohet lidhur me këto deklarata, raporton Respublica.

Në një intervistë të fundit në TV SKAI (05/07/2017) Ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos bëri disa deklarata në lidhje me politikën e jashtme të Greqisë në Ballkan, duke thënë ndër të tjera:

a) “Mendoj pra, se garancia për Perëndimin është të krijojë një aks të krishterë.”
b) “Në Maqedoni është e qartë se shumica e popullsisë është shqiptare.”
c) “Unë nuk do të pranoj kurrë përdorimin e termit ‘Maqedoni’".

Në kërkesën drejtuar parlamentit deputetët e Demokracisë së Re theksojnë se “është e nevojshme që politika e jashtme e vendit të ndiqet me qëndrueshmëri, përgjegjësi dhe maturi, veçanërisht në një kohë kur situata në Ballkan është e paqëndrueshme dhe kritike”, duke theksuar se në bazë të regjistrimit të fundit zyrtar (2002, libri XIII, Shkup, 2005, fq. 34), popullsia e përgjithshme e Maqedonisë ka qenë 2,022,547 banorë 1.297.981 prej të cilëve ose 64% është janë sllavomaqedonë dhe 509.083 ose 25.2% janë shqiptarë”.

Deputetët i kërkojnë Ministrisë së Jashtme nëse pajtohet me deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes dhe nëse qëndrimet e Kamenos për "aksin e krishterë" "emrin apo përbërjen e Maqedonisë përbëjnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme.

Ministri grek i Mbrojtjes është bërë disa herë protagonist në media me deklaratat dhe veprimet e tij dhe sidomos kërcënimet ndaj fqinjëve, duke u shfaqur madje me rroba kamuflazhi edhe në kufirin me Shqipërinë.

Partitë familjare, nga babai, xhaxhai, djali, vajza, nipi, mbesa në një parti

Posted: 09 May 2017 09:06 AM PDT

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook Afrim Krasniqi, Drejtor i Instituit të Studimeve Politike ka ngritur shqetësimin e partive të cilat janë "uzurpuar" nga familjarët.

Statusi i plotë:

A ka Shqipëria kapacitete për të pasur 9240 kandidatë per deputete? A është profesioni i deputetit një profesion cfarëdo që mund të bëjë kushdo, mjafton të jetë mbi 18 vjec dhe të ketë një dokument identifikimi? A mund të ketë popull më deputet-dashës sesa shqiptarët, – të cilët në sondazhe tregojnë se janë edhe më të zhgënjyerit në rajon ndaj deputetëve dhe parlamentit? Janë pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje. Sepse dihen përgjigjet. Janë regjistruar 2100 kandidatë për zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Janë vetëm 15 nga 66 parti politike. Nëse të gjitha partitë do të regjistroheshin në zgjedhje atëherë do të kishim edhe 7140 kandidatë të tjerë, ose në total, 9240 kandidatë në një numër votuesish prej 1.7 milion. Në total do të kishim 1 kandidat për 183 zgjedhës.

Fiktiviteti i partive, fiktiviteti i zgjedhjeve, fiktiviteti i konkurrencave dhe fiktiviteti i shumicës së gjërave që politika ka prodhuar e prodhon, provohet më së miri në këto dy lista partie, të evidentuara nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike . Janë dy parti politike, MEGA dhe PAD, e para pjesë e koalicionit me PD më 2013 dhe jashtë dy koalicioneve politike më 2013, e dyta pjesë e koalicionit me PD më 2013 dhe pjesë me koalicionin e PS më 2017, e para partia e dytë e minoritetit grek në Shqipëri, e dyta partia e dytë liberale në Shqipëri, e para me kryear Kristo Kiço e seli në Sarandë, e dyta me kryetar Eduart Abazi e seli në Tiranë. Secila ka paraqitur nga 140 deputetë, – sic shihet, – nga 15 anëtarë me një mbiemër, babai, djali, vajza, xhaxhai, nipi, mbesa dhe ca kushërinj të afërt apo të largët! Tek MEGA pesë mbiemra përbëjnë më shumë se 50% të listës së kandidatëve. Tek parti të tjera, përfshirë PSD, PKSH, AAK, ADK, etj, gjenden një numër i madh familjarësh në listë. Dhe kështu, ja u bë lista dhe hajde tani të bëjmë parti e zgjedhje. Kështu mbahet partia, kështu bëjmë pluralizëm.

A janë partitë kaq familjare? A mund të jenë zgjedhjet kaq familjare? A mund të cilësohet fiktiviteti i kandidatëve standard i pranueshëm demokratik? Ka më shumë se një përgjigje. Psh, ligji ynë i detyron partitë të jenë fiktive, sepse u kërkon të vendosin kandidatë në shumë zona zgjedhore, edhe ku nuk kanë anëtarë. Se ligji ynë i detyron partitë e vogla të respektojnë formalisht kuotat gjinore dhe kështu të fusin në listë familjarët e tyre të gjinisë tjetër, në mënyrë që t'i shpëtojnë gjobës. Me një gur vrasin katër zogj: bëjnë listën, mbajnë partinë, respektojnë kuotat dhe shfaqen si parti me shtrirje kombëtare…!!!

Është koha të mendojmë jo vetëm për 18 apo 19 qershorin, por të mendojmë seriozisht edhe për një reformim tërësor të legjislacionit mbi partitë dhe zgjedhjet. Partitë kanë vlerë kur janë konkurruese, kur janë të ndryshme, kur janë prezente, kur janë aktive, kur ofrojnë vlera dhe kur jetësojnë pluralizmin e ideve dhe platformave. Përndryshe, i shndërrojmë 66 partitë në 66 fise kryetarësh dhe të miqve të tyre besnikë, sic edhe në tërësi të tilla duket se janë.

VIDEO/ Rusia tregon muskujt, realizon paradën më të madhe ushtarake

Posted: 09 May 2017 07:47 AM PDT

Mijëra ushtarakë dhe femra, së bashku me pajisjet e tyre më të avancuara u shfaqën përmes Sheshit të Kuq në Moskë në paradën e përvitshme ushtarake, më të madhen që zhvillohet në Rusi.

Ata përkujtojnë sot Ditën e Fitores, ndërsa në kontinentin evropiane quhet Dita e Evropës.

Më shumë se 10,000 ushtarë dhe oficerë morën pjesë në paradën e 72 vjetorit të fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Në shfaqjen e sotme, u paraqitën 100 mjete moderne ushtarake.

Njësitë që përfaqësojnë të gjitha degët e ushtrisë ruse – Forcat Tokësore, Forcat e Ajrore, ato të Marinës, Forcat e raketave strategjike, trupat ajrore, si dhe rojet kombëtare, nga Ministria e Emergjencave dhe Forcat e Shërbimit të Sigurimit Federal – marshuan në sheshin e kuq.

Për herë të parë këtë vit, në paradë u paraqitën edhe dy njësi me të gjitha femra, e cilësuar si V-Day.

Demonstrata e pajisjeve ushtarake u hap nga tanket legjendare T-34, të konsideruar nga gjenerali gjerman Kleist në vitin 1941 si "tanket më të mirë në botë".

Automjetet e blinduara Tigr-M gjithashtu u shfaqën në paradë. Mjete të tilla janë në gjendje të transportojnë nga armët e vogla e deri tek raketat anti-tank, duke u bërë kështu mjete të adoptueshme dhe shumë funksionale.

 

Nga Majlinda Bregu / “Nuk ka para droge që na merr peng nëse PD ndërton një alternativë”

Posted: 09 May 2017 07:37 AM PDT

 

Për Shpresën Europiane të Shqiptarëve

Nga Majlinda Bregu

Në botën e kthjellët dhe racionale të tuneleve të nëndheshme të politikës, nuk ka asgjë me rëndësi më të madhe, sesa të gjesh arsyen në një kohë ku arsyeja e shëndoshë nuk është më një armë.

Sot në ditën Europës shumë nga miqtë e armiqtë politikë më ngjajnë se janë kapur nga një ngricë mendimi aq sa Europën e duan vetëm për retorikë e për të njomur gjuhën e cila është plot me mëri, mashtrime, premtime të pambajtura dhe tradhëti ndaj shqiptarëve që presin Shqipërinë si gjithë Europa.

Gjatë këtyre 12 viteve gati, kam dëgjuar e jam takuar me pasionantë të Europës, që rrëfejnë për të njësoj si për një dashuri drithëronjëse si dhe me pasionantë politikash antieurope, frymëzimi i të cilëve është populizmi e nacionalizmi i kohës së gjyshërve të tyre. Mirëpo e keqja nuk matet as me centimetra as me kalendar. Besoj matet me vlerën e dhimbjes që sot, pas 27 viteve, ne nuk jemi si gjithë Europa.

Ne marrim frymë në Europë. Ne ‘hamë’dhe ‘pijmë’ Europë. Kafe, kapuçino, pizza, tzaziqi, verë, pasta, patatina, nutella. Ne punojmë për Europën, fason, krom, bakër, mollë, tartuf, luleshtrydhe edhe kanabis po të doni.

Ne ecim me Europë, këpucë, Fiat, Mercedes, Wolswagen, Citroen, Parket, pllaka; vishemi me Europë, flemë në Europë, dëgjojmë Europë, Moxart, Celentano, Verdi, Pavarotti, Beatles, 3 tenorët; ne lexojmë Europë Niçe, Dante, Frojdi; shohim Europë-lozim futboll në Europë, kërcejmë vals, passo dueble, martohemi, vdesim me fustane e shtrat të fundëm nga Europa.

Ne kemi jetuar dhe luftuar në Europë, jemi magjepsur nga Monaliza, Vajza me Vëth Perle, dhe rrënqethur nga Holokausti, dalim foto kudo në ura, monumente, statuja, lulishte në Europë.

Ne ishim refugjatë në Europë, trafikantë në Europë, familjarë të ndershëm në Europë, studentë të shkëlqyer e biznesmenë të ndershëm. Ne bëjmë politikë me europiane, qofshin këta ambasadorë, kolegë apo negociatorë.

Ne presim drejtësi nga Venecia e Strasburgu dhe urojmë që kriminelët të përfundojnë në Hagë e drejtësinë e korruptuar ta pastrojë Vettingu.

Çfarëdo të jetë, azil a art, arkitekturë, letërsi, udhëtim, pejsazh, pikturë, muzikë, futboll, veshje, biznes, drejtësi a luftë, Europa është fati ynë i paracaktuar. Është ëndrra, shpresa, ideali i civilizimit. Është siguria që i përkasim dhe pa të nuk bëjmë dot.

Por këtu, në këtë pjesën tonë të Europës, ky 9 maj disa i gjen si manipulatorë të përkryer të kësaj dashurie. Individë që janë gati të vënë peng jetën e njerëzve kundrejt nevojës diabolike për pushtet të stërmadh.

Nuk ka fjalim, rrëfim, bashkëbisedim, ligj, reformë, antireformë, protestë, politikanë, gazetarë, shoqëri civile që si mundësinë dhe pamundësinë për një ndryshim, të mos ia veshin standardeve europiane.

Kush do të mburret flet në emër të standardeve europiane, kush do të shajë flet prap në emër të tyre.

Shumëkush nga ne që merremi me politikë sot duhet të ketë atë ndjesinë përvëluese të fajit për shëmtimin e ftohtë që i kemi bërë ëndrrës europiane të shqiptarëve. Një borxh që sot nuk është i lehtë për tu mohuar.

Sot në ditën e Europës e cila po tenton t'i kthehet bashkimit real, klimës së paqtë të një bashkëpunimi të frytshëm, duke respektuar atë që mendon ndryshe, për të gjetur të mirën e përbashkët, kushdo i fajshëm duhet ta ketë vështirë për të përballuar pasojat e sjelljes së pandershme që konflikti e vandalizmi politik ka sjellë për shqiptarët. Dëmin therës që ka sjellë makutëria egoiste për pushtet dhe ky modeli I politikës së mashtrimit e vetmashtrimit, i thurjes së fabulave politikë të cilat nuk sjellin ndryshim real, i shkelmimit të institucioneve të shtetit të cilat sot janë më të përbuzura se asnjëherë. Vetëm idealizmi narrativ, nuk na bën dot europianë.

Nuk na bën dot as nacionalizmi i gjalluar në simbolet tona kombëtarë vetëm në ditë festash a futbolli dhe as populizmi banal i retorikës tonë politike që Europën e do kudo, por detyrimin për të qenë si europianët nuk e do.

Kam menduar gjatë këto kohë mjegulle të mendimit politik se ne kemi një nevojë urgjente për të rindërtuar Europën brenda secilit prej nesh. Kam vrarë mendjen dhe ndonjëherë jam ndjerë edhe e çarmatosur nga kërcënimi i përditshëm që i bëjmë shpresës së shqiptarëve.

Më vjen ligsht sa herë sjell ndër mend europianizimin tonë anemik. Me gjasë nuk jam shumë gabim po të them se deri sot Europa ka qenë e lakmuar për të mirat që i kemi marrë, por jo për vlerat e saj. Deri sot Europa brenda nesh nuk është një sukses i plotë, por fatmirësisht as një dështim i plotë apo dëshirë e pashpresë.

E megjithatë për sa kohë që ne nuk jemi ndarë ende nga mendimet shabllon apo instiktet politike të konformizmit e kontrollit, 9 Maji do të jetë dita e Shqipërisë larg Europës.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa është ende një e ardhme e ngelur në mes të rrugës.

Unë nuk i besoj rrugëve që s'të nxjerrin në asnjë rrugë të hajrit.

Nuk besoj as se shqiptarët dhe e ardhmja e tyre kanë nevojë për radikalizime kanosëse të gjuhës apo veprimit. Jo! Ne kemi nevojë për ‘Radikalizim’ të Shpresës. Ne na duhet vec shpresë!

Shpresa është ajo që bashkon Europën sot. Shpresa të bën të kapesh pas të ardhmes dhe jo të mbahesh pas së shkuarës! Kjo e ardhme nuk ka sesi të mos jetë e lidhur me Partinë Demokratike.

Ajo çeli rrugën e këtij vendi drejt Europës që sot nuk mund të ngelet një ndjesi pritjeje pambarim.

Nëse punojmë fort dhe ndërtojmë një alternative shpresëdhënëse, nuk ka para droge e krimi që mund të mbajë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Përshkëndija poetike e “Çiftelisë” së Silvana Berkit

Posted: 09 May 2017 07:22 AM PDT

Vaid HYZOTI

Në një bisedë të lirshme të nobelistit latin Markes, teksa flet për të njohurën Shakira, nënvizon: "Kurrë nuk duhet të frenohemi të shprehemi për të bukurën. Pa meskinitet e zili. Sikur flasim me vete, kur shohim një vajze si shtojzovalle: "Sa e bukur!". Edhe për një tregim a poezi, pavarësisht nga autori (i njohur apo i panjohur), të shprehemi e vlerësojmë kur na ngjall kënaqësi estetike…". E nisa me këtë citim të shkrimtarit të njohur, të atij që si rrallëkush ka depërtuar dhe ka jetësuar në vepra shpirtin njerëzor, sepse këtë lloj befasie pata dhe une pasi mbarova së lexuari vëllimin "Kur vetëtin çiftelia, të Silvana Berkit. Në shumë krijime e ndala gjatë e ngazëllyeshem pëshpërita: bukur!

Qe një befasi, së pari për titullin e librit. Mendova se ishte një libër me rapsodi, nga një vargëzuese thjesht internetike. Mendova një botim me krijime me frymë popullore, me një vargëzim rimor, me betime e stërbetime atdhedashurie. Thjesht si ca parulla letrare në klisheizmin internetik, me përfundimin folkloresk: "O sa mire me kenë shqiptar!". Por nuk duhet nisur me paramendime. Çiftelia këtu vetëtin si një simbol kombëtar, që flet me tingujt e poetes aq bukur. Sepse tematika e gjere e poezive, lirizmi i "fsheur" pas vargjeve të lira, mendimi i shtrirë me limitet e hapësirës së mendimit, përbëjnë një botim të veçantë.

Ka një "biografi" të poetes që ravijëzohet në padukshmëri, një qytet lindjeje, një peizazh lëvizës, një familje dashurie, një baba që, ndonëse i larguar, nuk pranohet kurrë nga poetja, një vend i ftohtë që hap "konak" për të ikurën dhe një mall që ikën dhe vjen pareshtur. E të gjitha këto janë në shikim të parë normale, të kuptueshme, por nga ana tjetër, për forcën poetike, për përgjithësimet ideoartistike, metaforat origjinale, që shpesh krijohen nga përngjasimi fizik dhe shpesh nga asoicimet e përjetimet e ndjera të nënvetëdijes, përbëjnë një të papritur tjetër të këndshme për Silvana Berkin dhe poezinë e saj. Boshti tematik i tërë librit, që ndryshe nga sa ndeshim çdo ditë, me qindra vargëzime për dashurinë "fizike", me thirrje e klithma "emocionuese" në shumë vëllime, tek Berki vjen me përjetime e impulse shpirtërore, me figuracion të matur e bukuri artistike.

"Zbres nga prehri i perëndive të cilat më vështrojnë me qetësi / Mbledh telin e shqyer, Copat e drunjve të çiftelisë, / Dhe nis të këndoj përsëri… këngën e pranverës. … sikur asgjë të mos kishte ndodhur! …", shkruan ajo ne poezinë mbartëse te titullit te vëllimit.

 

Poetja nuk ka thirrje patetike, nuk ka deklaratapoetike. Ajo është tërësisht larg klisheve. E fsheh lirizmin pas vargut modern. Di të qëndisë me filigram fjalën në më të shumtën e krijimeve, ku të përziej imazhin (oh, imazhet janë aq të shumta!), lirizzmin, si një push i ngrohtë në "lëkurën" e krijimeve, figuracionin, kryesisht metaforën, si një sy magjik i tërësisë krijuese. Që të mos duken si komplimente të zakonshme po sjell vetem një poezi të shkurtër ndër dhjetra që mund të sillnim:

Nuk është Bethoven që qan të tijen Elise,

As Wagner në të tijin funeber nuk është… Jo,

Janë shpirtërat shqiptarë që "klithin për Atdhe".

Pak qetësi, të lutem…shëëttt! Dëgjo!

Po qëndisin një re!

Kaq është poezia. Ti lexues, komentues, kritik dhe eseist, kushdo qofsh dhe unë bashkë me to, ç’mund të themi. Le të flasim për ide, për figura, për "patriotizëm", apo për befasimin poetik përmbyllës: Po qëndisin një re! Dhe të vjen keq të besh koment tjetër, se të duket se prish bukurinë e imazhit, të duket se e zbeh forcën artistike të kësaj poezie. Poezitë e këtij vëllimi kanë thurje të çrregullt. Ato kanë vargje "kilometrike", kanë imazhe pyjesh e liqenesh, kanë dhimbje nënë dhe bijë, kanë lëvizje dhe kalime nga një gjendje shpirtërore tek tjetra, sepse kanë një frymë tejet njerëzore. Bota e brendshme e njeriut, me të gjithë format e shfaqjes së saj, hidhet lirshëm në vargje dhe ti hutohesh e befasohesh nga ngjyrat e përftuara. Por ndërsa e lexon dy-tri herë një apo më shumë krijime, përsërit bukur për idetë, për gjetjet, tematikën dhe frymën njerëzore. Mbase dhe për origjinalitetin e thellë, për zërin e veçantë që rrallë e hasim në qindra botime të kësaj radhe të pafundme autorësh ose vargjebërësish, poezia e Berkit përbën një të papritur tejet të këndshme për mua. Edhe në poezitë e dashurisë, edhe atje ku ajo "vjedh" diçka në shprehi tejet shqiptare, ajo vjen origjinale. Bie fjala tek poezia "Pash nderin"-një betim lutje për sinqeritet tepër i njohur sidomos në Veri: "Eja brenda zërit tim, të flasesh me mua…", e më tej brenda sekondave që kanë djegur bashkë…Pash nderin e nderit!..E të gjitha pas rreptësisë së ndjerë të një ritmi poetik.

Një poet shkruan se në një vëllim me poezi, në ke qoftë pesë poezi të bukura, ke libër të bukur. Në librin në fjalë janë rreth tridhjetë poezi, ku dhe me skrupulozi kritik, nuk do të mund të arrinte të ndryshonte një presje të vetme. Madje në disa përfundime poetike do të mbetej i mekur për forcën e figurës, përfytyrimit, metaforës shprehëse dhe ndjesisë poetike tejet njerëzore. Në poezinë për babain, autorja pohon se kurrë nuk do të pranojë se ai ka vdekur, " Kurrë nuk i thash babit t`im të mirë se Ai ka vdekur" duke e mbyllur me vargun aq poetikofilozofik, se…"me vdekje kuptoj diçka tjetër". Në një poezi malli, përmes një metafore të rrallë shpreh gjithçka: dua ta hedh më shumë kripë detit". Një lot malli tërë kripë do shtonte e shprehte gjithë atë atdhedashuri. E vargje plot imazhe të përmasave të tilla figurative mund të numëronim me qindra nga ky botim i Silva Berkit!

Janë shkruar nga të gjithë poetët poezi për Atdheun. Autorja nuk eshte e klisheve dhe fjalëve të përgjithshme. Tema politike dhe sociale (mbase dhe për profesionin e përditshmërisë së saj), vjen në mënyrë origjinale, me "analizë" poetike, me dashuri e dhimbje, por dhe duke peshuar me art të vërtetat. Vargjet: "… e ngatërrova keq demokracinë me lirinë, / i bëra përshesh mendimesh. /I hëngra, gati sa kam vjellë, e damari në kokë u fry si baticë lumenjsh, /Madje një ditë, iu ula në atë prehrin e çjerrë nga mundimet, / Dhe prapë iu largova si e mjerë. …", apo: "E quajta demokracinë fallxhore, dhe prisja mrekullitë, /Ia grisa dhe shkronjat e të gjitha gjuhëve, të mos kishte më emër… / se më dha shumë të drejta, të këqija dhe të mira / Ndaj prangat ia vura përsëri në zemër. ", ose nje tjeter: "… Eh, vendit tim ia kanë vjedhur ajrin! / Ia kanë mbyllur hundën, gojën, mushkëritë, me "heronjtë e ditës", / Me një aparat ventilimi ia mbajnë akoma shpirtin gjallë Sanatoriumit…". Mund të sillnim sa e sa shembuj të tillë nga vëllimi për të ilustruar mëndimin që shfaqë në vargun e S.Berkit, jo vetëm për forcën përgjithsuese dhe metaforat, por shpesh për atë ndjenjë të trishtë, atë lot të fshehur, atë brishtësi lirizmi dhe hera-herës me një humor e ironi të lehtë e të këndshme.

Këto janë përshtypje dhe impresione të para pas leximit të vëllimit të autores, për të cilën ndihem fatlum që e lexova. Unë solla ndërmend në hyrje shprehjen e Markesit të madh dhe solla keto shenime të shpejta vetëm për të thënë një "BUKUR" te madhe. Në analiza e studime më të shterura mund të flitet për poezinë e Berkit, për modernitetin e vargut të saj. Por këto shënime të miat janë për të gjithë të aposionuarit lexues të poezisë. Janë të tilla si poezia e mëposhtme e autores, që do vlente aq shumë në përmbyllje të këtyre shënimeve:

Vetëm unë me takimin e parë ua shoh ngjyrën,

…më duket se vetëm unë ngel tek sytë.

Flas për sytë,

Pa pasur nevojë për fytyrën!

 

Pasi e kalova disa herë në duar këtë vëllim, thashë Bukur! Ia vlen të jetë në bibliotekën e të apasionuarve të poezisë. Ia vlen të shkohet në libraritë e shtëpisë botuese "TOENA" e të blihen vëllimet e saj …

 

 

Rishfaqet brenda natës plazhi i zhdukur 33 vite më parë

Posted: 09 May 2017 07:11 AM PDT

Një plazh i zhdukur më shumë se 33 vite më parë është rishfaqur në një ishull irlandez.

Rëra në Dooagh, në ishullin Achill u zhduk në vitin 1984 si pasojë e stuhive të fuqishme, duke lënë pas vetëm gurë dhe të çara toke.

Por pas një dallge të frikshme që ndodhi gjatë Pashkëve, tonelata rëre u depozituan në zonën ku qëndronte dikur plazhi, duke më shumë se 300 metrash hapësirë.

Sean Molloy, menaxher turizmi në këtë ishull shpjegoi se vala e të ftohtit dhe erërat e forta që goditën vendin gjatë periudhës së Pashkëve risollën rërën në breg.

Achill është një gadishull i largët, i thyer dhe i paprekur në perëndim të Irlandës.

Një ndër banorët e tij më të famshëm ishte Heinrich Boll, shkrimtari gjerman anti–nazist, fitues i çmimit Nobel, i cili jetoi në këtë ishull përgjatë viteve '50–60.

Fleckenstein dhe McCain: PD të hyjë në zgjedhje

Posted: 09 May 2017 06:51 AM PDT

Faktori ndërkombëtar vijon të jetë i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri, në kushtet kur opozita e ka bërë të qartë tashmë vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, në rast se kryeministri Rama nuk pranon kushtin për t'i hapur rrugën krijimit të një qeverie teknike pa të në krye.

Eurodeputeti Knut Fleckenstein, i angazhuar personalisht për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, ka diskutuar së fundmi për këtë problem edhe me senatorin amerikan John McCain.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë eurodeputeti përmes një postimi në rrjetin social "Twitter".

"Pata një bisedë konstruktive me senatorin John McCain në Uashington. Qëndrimi ynë sa i takon situatës në Shqipëri është i qartë. Ne i kërkojmë PD të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme", ka shkruar Fleckenstein në profilin e tij.

OSBE/ODHIR: Ne vëzhgojmë procesin, jo kush merr pjesë në zgjedhje

Posted: 09 May 2017 06:49 AM PDT

300 vëzhgues të misionit të OSBE/ODHIR do të zbresin në të gjithë territorin e Shqipërisë ditën e 18 qershorit për të monitoruar procesin e zgjedhjeve.

Në konferencën e parë për shtyp mbi punën e misionit, shefi i kësaj përfaqësie në Tiranë Peter Tejlor, nuk pranoi të jepte asnjë koment lidhur me situatën politike në Shqipëri dhe vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

"Vendimi për të marrë pjesë ose jo në zgjedhje është vendim politik. Të gjitha partitë politike janë të rëndësishme për misionin tonë dhe ne do e diskutojmë këtë çështje me to. Por ne jemi këtu për kushtet se si do të zhvillohen zgjedhjet. Ne nuk mund të flasim për këtë pa nisur procesi dhe qëndrimin do ta shprehim në raportin final. E përsëris, roli jonë këtu nuk është të themi nëse zgjedhjet janë legjitime apo jo, por nëse procesi është i rregullt”, tha Tejlor.

Tejlor tha se procesi do të ishte njësoj, edhe nëse ka pjesëmarrje të ulët në zgjedhje: "Nëse njerëzit vendosin të mos marrin pjesë, procesi do të jetë i njëjtë. Do të ketë fushatë, do të ketë monitorim nga media dhe në metodologjinë tonë ne shohim procesin".

Për Peter Tejlor, misioni i monitorimit të zgjedhjeve do të shohë nëse ka rrezik të deformimit të votës së qytetarëve nga paratë e pista, duke iu referuar këtu akuzave që Partia Demokratike ka bërë për përdorimin e parave të kanabisit në zgjedhje.

OSBE /ODHIR nuk dha qëndrim të ndarë nëse është apo jo demokratik procesi zgjedhor me skenarin e shtyrjes së datës 18 qershor, por specifikoi se misioni i tij ka mbërritur për zgjedhjet e kësaj date.

"A do të jem i lagur nëse bie shi nesër apo jo? Nuk e di. Nëse kushtet ndryshojnë, dakord le ta diskutojmë”, tha ai me një batutë.

Peter Tejler tha se nuk mund të gjykojë nëse votimi dhe numërimi elektronik është një zgjidhje për të zhvilluar procesin demokratik dhe se misioni i tij do të gjykojë mbi kushtet teknike që ka Shqipëria.

Tuba Buyukustun acarohet me Kivanc Tatlıtug, çfarë bëri aktori në seritë e fundit?

Posted: 09 May 2017 06:20 AM PDT

Në një kohë kur seriali i dy aktorëve më të paguar në Turqi, Tuba Buyukustun dhe Kivanc Tatlıtug, po shkon drejt fundit, në fund duket se soset edhe durimi. "Cesur ve Guzel (The Bold and The Beautiful)", seriali i cili do të nis së shpejti edhe në ekranin shqiptar Tv Klan, tashmë në Turqi po xhiron pjesët e fundit të tij që po transmetohen në  Star TV.

Por aktorja kryesore, Tuba Buyukustun, është acaruar së fundi me protagonistin, aktorin Kivanc Tatlıtug, i cili nuk është treguar korrekt me orën e vendosur për të nisur xhirimet. Pas e priti rreth 3 orë, e acaruar, Tuba i la xhirimet e setit të ri duke i thënë stafit: "Më lajmëroni kur të vijë…"

Aktori Kivanc Tatlıtug erdhi pas tri orësh me vonesë, por xhirimet nuk mund të vazhdonin pas tensionit që ishte vendosur. Mendohet se seriali do të përfundojë në fund të muajit maj.