Tirana Observer: “INTERVISTA E PLOTË/ Yee: Ne respektojmë bojkotin e PD, por dyshojmë te arsyet e vërteta” plus 9 more

Tirana Observer: “INTERVISTA E PLOTË/ Yee: Ne respektojmë bojkotin e PD, por dyshojmë te arsyet e vërteta” plus 9 more


INTERVISTA E PLOTË/ Yee: Ne respektojmë bojkotin e PD, por dyshojmë te arsyet e vërteta

Posted: 15 May 2017 09:11 AM PDT

Zyrtari i SHBA Hoyt Brian Yee i cili ndodhet ne vendin tone per takime me lideret kryesore politike ne lidhje me ngercin e krijuar, ka deklaruar sot ne nje takim te mbajtur me gazetaret se zgjedhjet mund te mbahen edhe pa opozitën në 18 qershor.

Sipas Yee, "nëse disa parti përjashtojnë veten, dëmtojnë veten. Partitë dëmtojnë imazhin e vendit dhe investimet. Është e drejta e partive për të mos marrë pjesë në zgjedhje".

Ai ka dhene edhe nje mesazh te rendesishem ne lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

"Nëse zgjedhjet certifikohen të rregullta, do i njohim", tha ai.

Teksa ka zbuluar edhe nje pjese te takimit me Ramen: "Rama i hapur për negociata, ka pranuar propozimet. Ne mbështesim platformën e McAllister".

"Shtetet e Bashkuara mbështesin paketën "McAllister" dhe do të ishte në pëlqimin e saj sikur palët të gjenin një marrëveshje mbi këtë paketë", tha Hoyt Brian Yee gjatë takimit me gazetarët.

DISKUTIMI I PLOTE

Pyetje: Deri tani Z. Yee, keni takuar Z. Rama, Z. Meta dhe më pas Z. Basha. A keni një plan politik për krizën? Nëse dështon dhe opozita vazhdon të bojkotojë zgjedhjet, a do t'i njihni zgjedhjet? Po sikur gjërat të precipitojnë në dhunë e përplasje?

ZV.NS Yee: Së pari, më lejoni të shpjegoj qëllimin tim këtu sot. Pas dy vitesh qëndrimi jashtë, qëllimi është të takohem me anëtarë të qeverisë dhe shoqërisë civile, përfshi ju, për të kuptuar më mirë situatën. Ky është qëllimi im i parë. Së dyti, është për të riafirmuar politikën e SHBA në rajon dhe në Shqipëri specifikisht, e cila për ta thënë shumë thjesht, nuk ka ndryshuar në thelb, nuk ka ndryshuar. Politika e SHBA në Ballkan vazhdon në përkushtimin për t'i ndihmuar vendet e rajonit të integrohen me pjesën tjetër të Europës, me institucionet euro-atlantike, për t'u bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe më të begata. Në lidhje me pyetjet tuaja më specifikisht, besojmë se është shumë e rëndësishme në cilëndo demokraci që zgjedhjet të zhvillohen.

Është një parim bazë i demokracisë që njerëzit duhet të zgjedhin udhëheqësit e tyre. Mendoj se ashtu si qytetarët në Shqipëri edhe ne kemi qenë shumë të kënaqur që kemi parë në tri zgjedhjet e fundit transferim shumë paqësor të pushtetit dhe partia apo partitë që nuk kanë qenë të suksesshme në zgjedhje i kanë pranuar rezultatet dhe kjo është shenjë e një demokracie të pjekur dhe të shëndetshme; dhe kjo është ajo që shpresojmë se do të ndodhë edhe nga këto zgjedhje dhe ato të ardhshme, siçndodh në të tjera demokraci europiane.

Unë sigurisht do të përpiqem të kuptoj pikëpamjet e ndryshme lidhur me problemin, mosmarrëveshjen e tanishme zgjedhore dhe do të përcjell atë që Ambasadori Lu dhe ekipi i tij kanë përcjellë, se sipas pikëpamjes sonë, zgjedhjet janë më të mira kur kanë pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme të partive politike, sepse populli i një vendi duhet të përfaqësohet në qeveri. Për të qenë të përfaqësuar, duhet të ketë një pjesëmarrje të gjerë, jo të një partie, por të shumë partive. Së treti, besojmë se nëse disa parti e përjashtojnë veten ose janë jashtë zgjedhjeve, kjo dëmton jo vetëm vendin dhe institucionet e tij, por edhe imazhin e vendit jashtë, pikë së pari në Europë. Meqenëse Shqipëria po pëpiqet të hyjë në BE, është me shumë rëndësi që Shqipëria të vazhdojë të demonstrojë se është një demokraci e qëndrueshme, funksionale, një demokraci përfshirëse. Edhe për investitorët e huaj është shumë e rëndësishme të shohin se ka një demokraci funksionale, të qëndrueshme, të parashikueshme, ku investimet janë të sigurta.

Pyetje: Pra, do t'i njihni rezultatet?

ZV.NS Yee: Fokusi kryesor i mesazhit tim është se zgjedhjet duhet të jenë përfshirëse; duhet të përfshijnë sa më shumë parti që të jetë e mundur. Nëse partitë vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje, është e drejta e tyre për të mos marrë pjesë. Megjithëse ne do ngrinim pyetjen nëse kjo do ishte diçka e mençur, ne nuk ngremë pyetje për të drejtën e tyre për ta përjashtuar veten. Dhe, nëse kjo ndodh dhe nëse kushtet vlerësohen nga Komisioni i Zgjedhjeve, vëzhguesit vendas, OSBE, vëzhgues të tjerë të huaj, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane që do të dërgojnë vëzhgues…

Nëse vlerësohet si zgjedhje të besueshme, atëherë ne do t'i njohim rezultatet, edhe nëse disa parti vendosin të mos marrin pjesë. Përsëris, do ta shihnim si diçka të pafat, pikë së pari për vetë partitë që nuk marrin pjesë, por edhe për vendin. Dhe, për sa i përket dhunës, e dini se keni dëgjuar që Ambasadori Lu ka thënë të njëjtën gjë, që ne besojmë se dhuna nuk është pjesë, nuk ka vend në procesin demokratik. Mbështesim shprehjen paqësore të pikëpamjeve, demonstrimet paqësore, edhe protestat paqësore, por ne refuzojmë absolutisht përdorimin e dhunës për qëllime politike.

Pyetje: A ka një ofertë konkrete, një ofertë teknike, të cilën udhëheqësit politikë duhet ta zbatojnë për t'i dhënë fund krizës?

ZV.NS Yee: Besojmë se vendimi duhet të jetë i udhëheqësve politikë. Vetë partitë do duhet të bien dakord për kushtet e duhura për zgjedhje, nëse do të ketë një marrëveshje, një kompromis që do t'i lejonte partitë të merrnin pjesë dhe shpresojmë që do të ketë një marrëveshje të tillë në mënyrë që partitë të marrin pjesë. Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, Z. Fleckenstein dhe Z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje.

Pyetje: Të dy partitë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë vendosur një vijë të kuqe tek qeveria teknike. Cila është vija e kuqe që do vendosë për ta SHBA në mënyrë që të gjendet një zgjidhje?

ZV.NS Yee: Në këtë proces nuk ka një vijë të kuqe amerikane ashtu siç nuk ka një plan amerikan. Mendoj se ka kufizime praktike të cilat partitë duhet t'i trajtojnë. Pikë së pari, çfarë është e mundur të pranojë partia, ose partitë e tjera. Çdo kompromis, çdo marrëveshje do kërkojë që të gjitha palët të bien dakord. Dhe ka pak gjasa që qeveria për shembull të pranojë një vonesë të pafund të zgjedhjeve. Por mendoj se ajo që ka rëndësi këtu është që të ketë bisedë serioze mes partive. Dimë që ka pasur dialog për njëfarë kohe tashmë, dhe thkesoj se besojmë që koha po mbaron; që koha për të arritur një marrëveshje, nëse do të ketë një marrëveshje, është shumë e kufizuar. Dhe, siç ka thënë Komisioneri Hahn i Komisionit Europian, nëse nuk mund të ketë marrëveshje, atëhere komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje t'i pranojë zgjedhjet e 18 qershorit. Do t'i pranojmë zgjedhjet nëse nuk ka një marrëveshje. Do t'i shohim zgjedhjet si të vlefshme edhe nëse opozita nuk merr pjesë. Dhe përgjigja për këtë është "po," me kusht që kushtet duhet të jenë të pranueshme dhe kjo do të vendoset pasi zgjedhjet të zhvillohen nga vëzhguesit, përfshi vëzhguesit e OSBE dhe të tjerë vëzhgues ndërkombëtarë. Por, sigurisht shpresojmë se do të ketë një marrëveshje.

Pyetje: A keni shpresë se do të ketë një marrëveshje?

ZV.NS Yee: Po. Jemi diplomatë profesionistë, jemi gjithnjë optimistë.

Pyetje: Sa?

ZV.NS Yee: Jemi gjithnjë optimistë se partitë do veprojnë sipas interesave më të mira të tyre. Ashtu si vendet veprojnë në interesin e tyre. Dhe besojmë vërtet se është në interesin e të gjitha partive për të marrë pjesë, për t'u angazhuar, jo për të qenë jashtë – jo për ta nxjerrë veten jashtë. Në vende të tjera ku po shohin mundësinë e bojkotit, kam cituar presidentin tonëTheodore Roosevelt që tha, "Udhëheqësit e guximshëm janë ata që janë brenda arenës, ata që qëndrojnë në arenë, jo ata që ulen mënjanë si spektatorë apo kritikë." Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në demokracitë në tranzicion, që kanë nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë udhëheqësve të tyre, të të gjithë përfaqësuesve të tyre, të gjithë njerëzve me ide të mira dhe qëllime të mira. Shqipërisë nuk mund t'ia lejojë vetes, sipas nesh, që një parti e rëndësishme të rrijë mënjanë, të mos kontribuojë për punën e një prej institucioneve më të rëndësishme, që është parlamenti, dhe në një prej proceseve më të rëndësishme në një demokraci, që janë zgjedhjet.

Pyetje: Nëse nuk ka opozitë në zgjedhje, çfarë garancie jep SHBA se Kryeministri Rama nuk do kapë ose kontrollojë institucionet e reja të drejtësisë?

ZV.NS Yee: Së pari, dua të them se ne kemi punuar prej kohësh me qeverinë dhe Kryeministrin Rama. Ne besojmë se ai do që ta shohë Shqipërinë të ecë drejt Bashkimit Europian, do që ajo të jetë një shembull për pjesën tjetër të rajonit, një forcë e stabilitetit dhe zhvillimit për vendet e tjera të rajonit. Si rrjedhojë, ne nuk besojmë se është në interesin apo në planin e tij që të qeverisë pa opozitën apo, e thënë ndryshe, të jetë pa asnjë lloj opozite konstruktive. Dhe është në interesin e çdo demokracie që të ketë një opozitë të fortë, ajo që ne e quajmë opozitë besnike, me fjalë të tjera, një opozitë që vepron sipas Kushtetutës, brenda ligjeve, që e nxit qeverinë duke propozuar ide të ndryshme, duke kritikuar qeverinë kur ajo gabon, që ushtron trysni ndaj qeverisë që ajo të përmirësohet. E njëjta gjë ndodh edhe në vendin tonë, në Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk do kishte opozitë, ne do të ishim një demokraci më e dobët, dhe unë besoj se Kryeministri e kupton këtë. Më lejoni të shtoj, mendoj se për opozitën e thashë edhe pak më lartë, se dua ta bëj të qartë, se ne e respektojmë të drejtën e partive për të mos marrë pjesë, ne e respektojmë të drejtën e tyre për bojkot, por vemë në dyshim arsyet prapa këtij vendimi. E përmenda dhe pak më parë besoj, se gjatë përvojës sime në Balkan, unë nuk kam parë asnjë bojkot të ndihmojë partinë që po bojkotonë apo të ndihmojë vendin ku kjo parti po përpiqet të përfitojë politikisht. Bojkotet nuk funskionojnë; nuk janë një taktikë fituese, dhe padyshim nuk janë as një strategji. Prandaj, ne patjetër që shpresojmë se të gjitha palët do të angazhohen, dhe do të gjejnë një mënyrë për të rënë dakord për të pasur zgjedhje që përfshijnë të gjitha partitë.

Pyetje: Pra, ju besoni se Rama mund të garantojë zgjedhjet apo reformën në drejtësi?

ZV.NS Yee: Nuk ka garanci në politikë. Dhe ky, mendoj unë, duhet të jetë shqetësimi i opozitës, se nëse nuk janë prezentë në Parlament, në institucione, atëherë pa dyshim që partia apo partitë fituese do të kenë mundësinë të veprojnë pa rolin konstruktiv të opozitës, rolin për të vënë në pikëpyetje, për të vëzhguar, për të propozuar mundësi të tjera. Prandaj dhe garancia më e mirë, sërish, duke pranuar se nuk ka garanci absolute, por garancia më e mirë për një demokraci të shëndetshme, ku ekziston mundësia që qeveria të sfidohet, garancia më e mirë është që opozita të jetë në Parlament, të jetë në institucione, duke ruajtur rolin e mbikëqyrësit.

Pyetje: A ka ndonjë rrezik të ndikimit rus këtu në Ballkanin perëndimor, sidomos në Shqipëri, në politikën tonë të brendshme? Dhe së dyti, a mendoni se ka mundësi që të ndërhyet në Kushtetutë për zgjedhjet?

ZV.NS Yee: Rusia është përpjekur prej kohësh që të pengojë Ballkanin perëndimor nga anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Europian. Ajo do preferonte t'a shihte Ballkanin më afër Rusisë, ose të paktën neutral, në mënyrë që të ketë ndikim maksimal në rajon. Në pikëpamjen tonë, është shumë e rëndësishme që vendet, vendet sovrane, të kenë të drejtën për të vendosur vetë për rregullat e tyre të sigurisë, për aleancat, për organizatat ku duan të anëtarësohen. Kështu është. Kështu është, ne besojmë në rolin absolutisht thelbësor të sovranitetit të vendeve për të vendosur, pa asnjë vend me të drejtën e vetos, qoftë ky Rusia apo çdo vend tjetër. Asnjë vend i tretë nuk duhet të vendosë veton nëse Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian, apo nëse Mali i Zi anëtarësohet në NATO, apo nëse Bosnjë-Herzegovina anëtarësohet në Bashkimin Europian apo në NATO. Rusia po përpiqet, të gjithë e pamë se çfarë ndodhi në Malin e Zi tetorin e kaluar, Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhje, Rusia është përpjekur të ndërhyjë në disa zgjedhje, përfshirë edhe tonat, për të pasur ndikim mbi mënyrën si zhvillohen proceset demokratike. Prandaj është e rëndësishme që ne të qëndrojmë vigjilentë, ne po vëzhgojmë me kujdes atë që Rusia po bën, dhe po marrim hapa për të mbrojtur veten tonë. Dua të them, për të përfunduar argumentin tim, se zbatimi i ligjit është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Duhet siguruar që nuk ka asnjë rrugë apo hapësira dobësie që Rusia apo aktorë të tjerë të jashtëm mund të shfrytëzojnë për të pasur ndikim, nëpërmjet korrupsionit apo parave, për të pasur ndikim në vendimarrje, në institucione, që asnjë aktor i jashtëm nuk mund të ketë. Përsa i përket pyetjes tuaj të dytë, ky vendim i takon qeverisë, opozitës, dhe partive në Parlament. Ne besojmë se ekziston një propozim i mirë që është ofruar nga anëtarët e Parlamentit Europian, që mund të jetë një pikënisje e mirë për një marrëveshje. Ne shpresojmë që palët do ta përdorin atë si bazën për t'u bashkuar në interes të vendit të tyre, në interes të rajonit, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje pa vonesa të panevojshme.

Pyetje: Duke qenë se ju, Z. Ambasador, kemi qenë një përkrahës i vërtetë i reformës në drejtësi, a do t'a nxisë administrate e Shteteve të Bashkuara krijimin e sistemit të drejtësisë, si komisionet e vetingut, për shembull, nga shumica dhe opozita e parlamentit të ri, pa partinë Demokratike dhe aleatët e saj?

ZV.NS Yee: Fillimisht më lejoni t'ju them se jemi shumë të vendosur në mbështetjen e reformës në drejtësi. Ajo ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit, në forcimin e zbatimit të ligjit, në përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në fushën e drejtësisë. Pra, ne jemi të vendosur për të mbështetur procesin që qeveria dhe partitë e opozitës nisën në korrik, duke aprovuar amendamentet dhe duke filluar miratimin e legjislacionit. Se si ai do të zbatohet, kjo do të varet nga partitë. Ne nuk duam që të ketë vonesa, ne nuk mendojmë se duhet të bllokohet, por sigurisht, ka edhe kërkesa praktike, procesi nuk do të jetë shumë efikas nëse partitë e bojkotojnë, nëse do ketë parti që nuk do të marrin pjesë. Prandaj ky do të jetë synimi ynë, që të sigurohemi që partitë mund të arrijnë një marrëveshje midis tyre, që të mund të marrin pjesë jo vetëm në zgjedhje por edhe në institucione dhe procese të rëndësishmë, si reforma në drejtësi.

Faleminderit shumë të gjithëve!

Dikur lojtar i kombëtares shqiptare, tani punon 14 orë në ditë si picier

Posted: 15 May 2017 07:39 AM PDT

Nga fusha e blertë tashmë në botën e sipërmarrjes. Kjo është trajektorja e ish-futbollistit të kombëtares shqiptare, Skerdilajd Curri. Ai vijon të jetë në Gjermani, por, pasi e ka lënë futbollin, ka nisur një aventurë të re në Gjermani.

Tashmë, futbollisti kavajas ka një piceri të tijën, të quajtur "Rrushi".

Në një prononcim për mediat gjermane, 41-vjeçari ka sqaruar se nuk është vetëm personi që jep urdhra për të punësuarit e tij, por e bën vetë punën e picierit. "I përgatis vetë picat dhe punoj përafërsisht 14 orë në ditë. Futbolli nuk është gjithçka në jetë", – thotë ish-futbollisti.

Për klientët, ai ka varur në një kënd të picerisë së tij edhe fanellat e skuadrave, me të cilat ka luajtur disa sezone në futbollin gjerman, përfshirë Unterhaçing, Starnberg, Plauen, Erzgebirge Aue.

Vuçiç takon Putin, mediat serbe: U diskutua për “Shqipërinë e Madhe”

Posted: 15 May 2017 07:38 AM PDT

Kryeministri Serb Vuçiç është takuar ne Pekin me presidentin rus Putin dhe mes çështjeve te diskutuara, sipas mediave serbe, ishin përpjekjet për krijimin e "Shqipërisë se madhe".

Sipas gazetës "Vecernje Novosti", dy liderët që u takua gjatë një darke të organizuar nga presidenti kinez në kuadër të samitit të rëndësishëm ekonomik "Një brez një rrugë", kanë shprehur shqetësimin e tyre për deklaratat kërcënuese te përfaqësuesve politike shqiptare, duke theksuar se një retorikë e tillë bëhet shkak për konflikte në Ballkan.

Dy krerët e shteteve të konsideruar si aleatë të ngushtë rënë dakord për të vazhduar bashkëpunimin shumëplanësh, në nivel ekonomik dhe politik.

Vuçiç theksoi për mediat serbe pas takimeve te zhvilluara dhe me krerë të tjerë shtetesh të pranishëm në samit se Serbia po bën gjithçka për të qëndruar larg provokimeve dhe për të garantuar stabilitetin e rajonit.

Pak ditë më parë, Vuçiç e Putin, në një bisede telefonike mes tyre shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit, konkretisht lirimin e Ramush Haradinajt, të cilësuar si të paligjshëm si nga Serbia, ashtu edhe nga Rusia.

Interi në kaos, thyen një rekord negativ 35-vjeçar

Posted: 15 May 2017 07:27 AM PDT

Nuk ndodhte prej 35 vitesh, që Interi të regjistronte 8 ndeshje pa fitore në kampionat, gjë që tregon krizën e thellë dhe kaosin që ka mbërthyer këtë skuadër, e cila e sheh veten përfundimisht jashtë zonës europiane.

Ambienti në dhomat e zhveshjes nuk është aspak i qetë, përkundrazi duket sikur të gjithë janë kundër njëri-tjetrit, e këtë e vërtetojnë edhe deklaratat e lëshuara pas përfundimit të ndeshjes me Sassuolon.

"Gabimet janë fryt i një pune jo të mjaftueshme, ku askush nuk është stërvitur në maksimum", ishte deklarata e Vecchit, ndërkohë që më të ashpër kanë qenë Handanoviç dhe Eder.

Kritika e Handanoviç

"Janë histori që përsëriten prej vitesh. E kam dëgjuar trajnerin, nuk ka asgjë për të shtuar.

Nga ku duhet të nisemi? Shkëndijën duhet ta gjejmë gjatë javës kur stërvitemi. Te ne nuk ka aspak qetësi dhe në stërvitje duhet të japim diçka më shumë. Nuk jam mësuar të flas për çështjen e fatit, por i gjithë ky vit po shkon në këtë mënyrë. Duhet të dalim sa më parë nga kjo situatë dhe të mos mundohemi të gjejmë fajtorin. Janë akoma dy ndeshje për t'u luajtur, duhet që të japim maksimumin.

Tifozët? I kuptoj, jam këtu prej 5 vitesh dhe shikoj përherë të njëjtën situatë. Kanë të drejtë. Interi nuk mund të renditet e shtata apo e teta për pesë vite me radhë, edhe durimi e ka një limit.

Nuk di më se çfarë të them, nuk dua të tallem me asnjë, është momenti më i keq që kur kam firmosur për Interin. Është e vështirë dhe për ne lojtarët, por tani duhet ta tregojmë që jemi burra dhe të japim gjithçka për këtë fanellë", tha Handanoviç.

Eder shton dozën

Ndërsa Eder shkoi edhe më tej, duke lëshuar një mesazh në drejtim të klubit.

"Kush e ndien veten futbollist i Interit duhet t'ua thotë drejtuesve të klubit. E njëjta gjë vlen edhe për ata që duan të largohen. Po kështu, edhe vet drejtuesit e klubit duhet të jenë më të qartë, pasi kështu mund të formohet grupi. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se një skuadër si Interi nuk mund të vazhdojë të bëjë këto paraqitje edhe sezonin e ardhshëm", tha Eder.

Mbesa e Bujar Nishanit provokon me foto nudo

Posted: 15 May 2017 07:02 AM PDT

Mbesa e Presidentit, Bujar Nishani ka tërhequr edhe këtë herë vëmendjen për shkak të fotove të nxehta që publikon.

Beniada Nishani (Jakic), ka vizituar Amsterdamin për një tjetër set fotografik që ka i ka ndezur dritat e kuqe qytetit "të qejfit".

Ka kohë që ajo është e targetuar nga mediat rozë, por në foton më të fundit ka dalë gjysmë nudo.

Beniada ka lindur në Durrës (1991), ndërsa në Itali njihet jo vetëm si fotomodele, por edhe si personazh televiziv.

25-vjeçarja po korr sukses në fushën e modës më Itali, ku krahas karrierës si modele, bën edhe punën e prezantueses atje. Për më shumë është një vajzë shqiptare që komenton edhe futbollin në Itali.

Biondja bukuroshe është mbesa e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili është kushëriri i babait të saj.

Flet Patozi: Pse nuk do të marr pjesë në takimin me zyrtarin amerikan

Posted: 15 May 2017 06:34 AM PDT

Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi nuk do të jetë në takimin me zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Yee.

Përmes një njoftimi ai thotë se për një arsye të fortë personale nuk mund të marrë pjesë.

Më poshtë reagimi i tij i plotë:

“E kam shprehur në mënyrën e duhur falenderimin dhe vlerësimin tim, jo vetëm ndaj ftesës për t’u takuar me zotin Yee, por mbi të gjitha ndaj përpjekjes së tij dhe të administratës amerikane për t’i dhënë një zgjidhje in extremis krizës se pakuptimtë politike në Tiranë.

Për një arsye të fortë personale nuk do të jem i pranishëm në takim, por vijoj të inkurajoj çdo faktor politik ndërkombëtar dhe vendas, që mund t’i shërbejë ende kauzës së zgjedhjeve normale në Shqipëri. Se nuk ma nxë goja ta them atë termin “të lira e të ndershme”,  që me duket si versioni surrealist i ëndrrës shqiptare për demokraci perëndimore, kaq i largët me katandisjen tonë sot.

Ndonëse nuk i përkas racës së optimistëve futuristë, të cilët besojnë çdo përrallë që u shfaqet përpara, ende kam një shpresë të vakët se mund të gjendet prapëseprapë një shteg për të evituar dështimin e zgjedhjeve.

Sepse i qëndroj fort bindjes sime se mospjesëmarrja e Partisë Demokratike në to është skenari më i keq i kësaj krize të pashembullt dhe të paprecedent”.

Zyrtari amerikan: Do t’i njohim zgjedhjet nëse certifikohen të rregullta

Posted: 15 May 2017 06:31 AM PDT

Takimi prej më shumë se një ore i kryeministrit Edi Rama me zv.ndihmës sekretarin Yee ka qenë përgjithësisht takim kortezie.

Zv.ndihmës sekretari Yee ka vlerësuar disponibilitetin e qeverisë për të gjetur pika takimi me opozitën, por ndërkohë u njoh me qëndrimin e kryeministrit se tashmë nuk është e mundur as shtyrja e zgjedhjeve disa javë.

Zyrtari amerikan deklaroi për gazetarët se zgjedhjet mund të mbahen edhe pa opozitën në 18 qershor.

Sipas Yee, "nëse disa parti përjashtojnë veten, dëmtojnë veten. Partitë dëmtojnë imazhin e vendit dhe investimet. Është e drejta e partive për të mos marrë pjesë në zgjedhje".

Ai ka dhënë edhe një mesazh të rëndësishëm në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

"Nëse zgjedhjet certifikohen të rregullta, do i njohim", tha ai.

Mesazhi i plotë Yee në takim me gazetarët:

"Zgjedhjet janë gjithmonë më të mira kur ka përfaqësim të gjerë. Nëse disa parti përjashtojnë veten, dëmtojnë veten, imazhin e vendit dhe investimet e huaja.

Është e drejta e partive për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Nëse zgjedhjet çertifikohen si të rregullta nga BE, OSBE dhe SHBA, do ti njohim.

Dhuna nuk ka vend në një vend demokratik. Zgjidhja duhet të vijë nga liderët politike. Shpresojmë që do të ketë zgjedhje. Ka një oferte nga McAllister.

Është ofertë e mirë. Shpresojmë që partitë ta pranojnë. Duhet dialog mes palëve. Koha po skadon.

Jemi optimistë. Nuk besojmë se Rama dëshiron të qeverisë pa opozitën".

Analiza e “Der Standard”: Pas bojkotit të opozitës qëndron Berisha

Posted: 15 May 2017 06:17 AM PDT

"Pas bojkotit të opozitës në Shqipëri qëndron Sali Berisha", shkruan e përditshmja e njohur austriake, "Der Standard". "Themeluesi i PD-së, – thotë ajo, – vazhdon të mbetet njeriu që drejton Bashën dhe vet partinë".

"Der Standard" kujton se në rrafshin ndërkombëtar është në rritje shqetësimi se radikalizimi i situatës mund të çojë drejt dhunës.

"Partisë Demokratike iu ofrua të caktonte 4 ministra teknikë përpara zgjedhjeve, – shkruan gazeta e madhe austriake, – së bashku me Avokatin e Popullit, kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e të përzgjidhte gjithashtu efektivët e Policisë së njësive administrative, por ajo refuzoi".

Për muaj me radhë, partia më e madhe e opozitës ka zgjedhur ta bojkotojë Parlamentin. Të gjitha përpjekjet e BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe "miqve" në PPE dështuan ta bindin PD-në të mos tërhiqet nga beteja demokratike. Sërish, demokratët kanë bllokuar rrugët, e që prej 18 shkurtit demonstrojnë përpara zyrës së kryeministrit.

"Ata po bëjnë fushata elektorale pa bërë një zgjidhje", shkruan "Der Standard".

Gjatë protestës së të shtunës, Lulzim Basha deklaroi deri edhe fillimin e një "republike të re".

"Për të parën herë që prej 1991-shit, kjo parti nuk do të shkojë në votime. Por Shtetet e Bashkuara dhe blloku europian do ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht bojkotit të PD-së", thuhet më tej në shkrim.

Në sfond të të gjithës qëndron reforma e gjyqësorit, e kërkuar pikërisht nga Uashingtoni e Brukseli.

"Situata në Shqipëri është simptomatike për marrëdhëniet e paqëndrueshme dhe dobësinë e SHBA në Europën Juglindore, që kur Donald Trump mori pushtetin", e përfundon artikullin e saj gazetarja Adelheid Woelf.

Më 10 qershor hapet Sheshi “Skenderbej”

Posted: 15 May 2017 05:07 AM PDT

Zbulohet data se kur sheshi Skënderbej do të hapet për të gjithë qytetarët.

Do të jetë 10 qershori, pikërisht 8 ditë para zgjedhjeve të caktuara të mbahen më 18 qershor.

"Sheshi ka dalë shumë bukur, këtë javë do testojmë shatërvanët, të shikojmë sa mirë funksionojnë. Kemi mbjellë shumë pemë rreth e rrotull, do ketë një pjesë me hije me pemë, një pjesë e kemi bërë vetëm me ullinj, një pjesë e kemi bërë vetëm me pemë frutore, portokalle, limon, fiq. Vend fantastik nëse keni biçikletë, patina, është e pjerrët po të hipësh në majë", tha Veliaj i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama ishin në ambientet çlodhëse në Parkun e Madh të Liqenit.

Veliaj shtoi se tek Parku i Liqenit do të  përfundojë edhe pista e vrapit si dhe korsi për  biçikletave që mos të ndërhyjmë me ata që bëjnë vrap.

Duke folur për rritjen e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, Veliaj deklaroi se po punohet me ritme të shpejta që brenda 2030 të mbillen 2 milionë pemë, në kuadër të projektit për Pyllin Orbital.

Basha: Nuk ka problem që s’kam mbështetjen e SHBA-BE. Si ma mori Rama fortesën katolike

Posted: 15 May 2017 04:32 AM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpjeguar se përse nuk pranoi ofertën e bërë nga ndërkombëtarët më 25 prill në Tiranë.

Duke folur për gazetën austriake, "Der Standard", Basha tha "nuk na është ofruar një qeveri e vërtetë teknike".

Basha tha se kërkon që zgjedhjet të bëhen në mënyrë elektronike dhe se për këtë ka firma europiane që e realizojnë infrastrukturën brenda pak javësh.

"Deri në fund të tetorit mund të bëhet kjo", thotë ai.

Basha tha se lidhja mes politikës dhe kriminalitetit është shumë e fortë në Shqipëri.

"95 përqind e njerëzve me të kaluar kriminale, që janë në parlament, dhe 70 përqind e atyre që janë në postet vendore, janë katolikë nga veriu i Shqipërisë," thotë Basha.

I pyetur se çfarë lidhje ka kjo me politikën, Basha thotë: "Katolikët e veriut kanë qenë vazhdimisht bastioni ynë. Por zoti Rama rekrutoi llumin e llumit në veri, për të thyer bastionin tonë. Ata u bënë të fuqishëm dhe kanë emëruar drejtorët e policive dhe të doganave. Në vitin 2016, i gjithë vendi u kthye në një plantacion gjigand kanabisi".

I pyetur se cili është kushti i opozitës, Basha thotë: "Një kryeministër i pranueshëm për ne".

"Ne po luftojmë për zgjedhje të lira. Këto nuk janë kalkulime politike më, kjo është një betejë misionare", thotë Basha.

"Por politika nuk është mision. Ju keni qenë një politikan shumë pragmatik. Më kujtohet kur u zgjodhët kryebashkiak," e pyet gazetarja Adelheid Ëoelfl.

"Atëherë isha kryebashkiak. Si kryetar opozite duhet të mbroj lirinë e vendit tim".

Në fund i pyetur se përse nuk po gjen mbështetje tek SHBA dhe BE, Basha thotë se rëndësi ka fjala e shqiptarëve.

"Shqiptarët nuk e hanë bukën në Uashington, Bruksel, Berlin apo Vjenë. Ata hanë këtu".